Në vitin 2007 Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën 61/225 duke përcaktuar 14 Nëntorin si Ditën Botërore të Diabetit.
Rezoluta inkurajoi gjithashtu shtetet anëtare të zhvillojnë politika kombëtare për parandalimin, trajtimin dhe kujdesin e diabetit në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm të sistemeve të tyre të kujdesit shëndetësor.
Me rastin e kësaj dite, ekipi i ATV-së zhvilloi disa intervista me qytetarë në Prishtinë, për të mësuar se sa janë të informuara ata rreth sëmundjes së diabetit.
Në prononcimet e tyre, pothuajse të gjithë qytetarët u shprehen se janë të informuar mjaftueshëm për sëmundjen e diabetit, ku ndër këshillat e tyre për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje është që qytetarët të ushqehen shëndetshëm. /atvlive.tv
Deklaratat e qytetarëve rreth sëmundjes së diabetit i gjeni në videon më poshtë:
Doktor Arsim Thaçi, i cili me profesion është otorinolaringolog, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV, foli për sindromën e apnesë së gjumit, shkakun, simptomat, trajtimin këtij çrregullimi, gërhitjen e shumëçka tjetër.
Ndër të tjera doktori foli edhe për pajisjet apo thënë ndryshe orët e mençura, të cilat mundësojnë monitorimin i cilësisë së gjumit dhe jo vetëm.
“Jo nuk i rekomandoj për arsye sepse nuk janë të testuara, nuk janë valide. Ndoshta e bëjnë atë matjen por ne si mjek profesionist nuk guxojmë që t’i rekomandojmë. Sepse siç e thash ato pajisje janë invalide. Ne kemi aparatura për të cilat kryhen 100 testime derisa ato dalin dhe po ashtu ato rifreskohen çdo 12 muaj e të ngjashme”, tha ai./atvlive.tv/
Në janarin e vitit të ardhshëm, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në shtetet e Evropës.
Për fat të keq shumica nuk e mendojnë të ardhmen në shtetin që janë lindur dhe janë rritur. Megjithatë, Zgjim Xhafolli nga Prishtina vendosi të mos largohet nga Kosova dhe me ndihmën e vëllezërve në Evropë të hapë fermën në fshatin Silvovë të Komunës së Prishtinës, në të cilën ka mbi 3200 shpend.
Por si nisi të jetësohet ideja për të nisur një biznes të tillë që Zgjim Xhafollin e ndali që të mos mendonte të vazhdonte jetën në Gjermani.
“Ideja ka qenë e vëllait të madh që jeton në Gjermani. Ka dashtë që tokën që e kemi blerë në vitin 2015, mos me e lanë pa shfrytëzu, edhe ka qenë ideja e tij me e fillu këtë punë, edhe pse ne jemi lind dhe jemi rritë në Prishtinë, nuk jemi marrë kurrë me këtë aktivitet, por e kemi provu, kemi filluar në faza të vogla së pari, tu u mësu, tu testu, tu u zhvillu. Ideja është që shpend, shtazët, e krejt me qenë sa më të lira në natyre. Për këtë ia kemi lënë emrin “Free Land””, tha Xhafolli. /atvlive.tv
Artistja shqiptare me prejardhje nga Gostivari, Hava Bekteshi, e cila ka arritur të promovojë në një mënyrë të veçantë instrumentin e çiftelisë nëpër eventet më të rëndësishme artistike në Gjermani.
Ajo, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin ALARM në ATV, tregoi kohën kur kishte arritur të fusë instrumentin e çiftelisë në Filarmoninë në Gjermani.
“Hera e parë ishte viti 2019, kur në Filharmoninë në Hamburg, në sallën e madhe që çiftelia u bë pjesë në një skenë botërore. Hera e fundit ka qenë në Berlin, në koncertin “HausBerlin” më 12 gusht dhe këtu e kam prezantuar çiftelinë dhe në fakt e kam reprezantuar Shqipërinë me çifteli”, tregoi Hava.
Ajo thotë se i gjithë ky rrugëtim i saj deri te futja e çiftelisë nëpër skenat gjermane, tregon faktin se publiku atje e ka mirëpritur dhe se është mjaft i interesuar për këtë instrument muzikor.
“Është njëra prej këngëve më të bukura që insistojnë kolegët dhe publiku ta dëgjojnë dhe iu intereson historia e popullit shqiptar, disa edhe emocionohen me historinë, vuajtjet e popullit shqiptar ndër vite”, u shpreh artistja shqiptare. /atvlive.tv
Intervistën e saj të plotë e gjeni në videon më poshtë:
Doktoresha Sanie Abazi e cila me profesion është kirurge plastike, e ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, në ATV, foli për trajtimin e djegieve, deformimet e veshëve, të hundës e shumëçka tjetër.
Derisa Abazi foli për operimin e hundës dhe komplikimet e mundshme gjatë këtij intervenimi, ajo iu përgjigj edhe pyetjes se kush nga estrada kosovare ka hundën më të bukur, madje edhe pyetjes nëse mendon se këngëtarja Nora Istrefi ka bërë intervenim në hundë.
“Për këtë mundet me u përgjigj dikush që e njeh personin para dhe pas intervenimit. Nuk e di por mendoj që po Nora Istrefi e ka hundën operacion, nuk e di saktësisht sepse nuk e kam parë nga afër. Kur e sheh nga afër dikë që e ka kryer një intervenim në hundë, vërehet se kush është koca, kush është kërci, anatomia e saj tregon se ai/ajo ka kryer operacion në hundë”, tha ajo./atvlive.tv/
Moderatorja Kaltrina Mikushnica, në emisionin e sotëm të mëngjesit ALARM në ATV, derisa po bashkëbisedonte me gazetarin e sportit Lorik Gërbeshi për të rejat e fundit në sportin vendor dhe ndërkombëtar, është lutur që sot të fitojë kombëtarja e Kosovës ndaj Rumanisë.
Gazetari Gërbeshi, në emision tha se Kosovës i duhet patjetër të shënojë fitore pasi që sipas tij, kjo është një ndeshje jetike për kualifikim.
Pas këtij informacioni, moderatorja u lut në emision për fitore të Kosovës.
“Po lutemi për këtë ndeshje, inshalla fitojmë se na vynë”, lutet ajo.
Për më shumë, shikoni emisionin në videon e më poshtme nga minuta 18:00.
Komuniteti rom, ashkalinj dhe egjiptian do të sjellin festivalin multi kulturor në Kosovë, i cili do të zgjasë tri ditë, më 7, 8 dhe 9 shtator.
Festivali do të fillojë në Prishtinë dhe do të vazhdojë edhe në tri qytete të tjera, në Graçanicë, Obiliq dhe Kamenicë.
Bajram Ilazi nga organizata “Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve”, në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se njëri ndër qëllimet e këtij festivali është që të prezantohet kultura dhe tradita e këtyre komuniteteve.
“Njëra nga qëllimet e festivalit është që të prezantojmë kulturën dhe traditat e komunitetit romë, ashkali dhe egjiptian, por edhe të informojmë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie që ne po aq sa jemi të ndryshëm, jemi po aq edhe të njëjtë, sepse ne mund të kemi dallimet tona, por në fakt kemi edhe shumë më shumë gjera të përbashkëta. Festivali multi kulturor synon që përmes këtyre aktiviteteve të prezantojë fillimisht traditat e këtyre komuniteteve, profesionet ose arti zanatet me të cilat kanë punuar këto komunitetet, dëshiron të tregoj gjithashtu edhe ushqimet të cilat përdorin këto komunitete, e që të them të drejtën nuk janë edhe aq të ndryshme nga komunitetet e tjera në Kosovë, si dhe veshjet tradicionale të cilat i kanë veshur këto komunitete”, tha Ilazi.
Ai përmendi se këtë edicion, do të ndajnë dhe çmimin Joana për drejtësi sociale”, i cili do t’u jepet grave dhe vajzave që nuk i përkasin komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, por që kanë dhënë kontribute të shumta për këto komunitete.
“Përmes këtij festivali dëshirojmë të transmetojmë tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës edhe mbi profesionet me të cilat kanë punuar këto komunitete, mbi historinë e identitetit të të këtyre komuniteteve. Në këtë vit ne dëshirojmë të ndajmë çmimin “Joana për drejtësi sociale”, i cili ka për qëllim të promovojë dhe të falënderojë të gjitha ato aktiviste gra dhe vajza, nga komunitetet që nuk janë në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, por që kanë kontribuuar shumë për këto komunitete”, tha Ilazi. /atvlive.tv
Intervistën e plotë të tij në emisionin ALARM në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Atleti Erzen Zyberaj ka treguar klasin e tij në një garë shumë të vështirë, në 100 kilometra, që u zhvillua në Uludag të Turqisë, ku doli kampion i kësaj gare, duke befasuar të gjithë të pranishmit.
Ai në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tregoi se, përkundër që kishte disa probleme shëndetësore, ai vazhdoi garën ku u shpallë edhe kampion.
“Gara ka qenë e vështirë sepse unë kam pasur disa probleme shëndetësore, sepse realisht është dashur me e ndërpre atë garë, mirëpo unë nuk e kam ndërprerë, e kam vazhduar edhe në fund jam shpallur kampion”, tregoi Erzen.
Ai tha se kjo ishte pjesëmarrja e tij e tretë në gara ndërkombëtare të vrapimit nëpër mal në Turqi. Në dy të parat, ai kishte pasur disa probleme, ndërsa në të tretën u shpallë kampion, garë kjo që ishte më e vështira në krahasim me garat e tjera.
“Në vitin 2021, kur kam marrë pjesë për herë të parë, e kam lënduar këmbën dhe më është dashur ta ndërpres garën, pastaj vitin tjetër një garë tjetër, 60 kilometra, aty kam qenë duke fituar, por për shkak të disa problemeve që e kemi humbur shtegun, është dashur me u kthy prapë, me ba kilometra më shumë, edhe aty pastaj kam dalë i dyti, ndërsa këtë vit dola i pari. E treta e vërteta”, u shpreh Erzeni.
Ai thotë se fitorja më e madhe për të ka qenë bindja e vet-vetës se mund t’ia dalë të vrapojë në një distancë prej 100 kilometrash, në terren tejet të vështirë me përpjetëze e tëposhtëze të mëdha.
“Ultra maratonat, pra vrapimet mbi 40 kilometra, kërkojnë një ushtrim më specifik, duhesh me vrapu pak më gjatë, duhesh me ndejt në këmbë tua një kohë më të gjatë, duhen stërvitje, edhe fitnes, biçikletë, kërkon goxha kohë e mund. Unë prej që kam fillu prej tri viteve kam arritë me ndryshu. Unë them se jam kampion për veten time për faktin se kam arritë me e ndryshu veten time, me e bindë veten që unë mundem me vrapu 100 kilometra, sepse ne fillim kur kam fillu, thosha me vete “qysh munden njerëzit me vrapu 100 kilometra”. Ndërsa tash i bëj 100 kilometra dhe kënaqem”, tha Erzeni.
Ai tregon se në garën e fundit në Uludag të Turqisë, ka arritur t’i bëjë 100 kilometra për 12 orë e 35 minuta, në të cilën ka pasur rreth 4600 metra ngjitje. /atvlive.tv
Emisionin e plotë të mëngjesit për ditën e sotme e gjeni në videon më poshtë: