Moderatorja e emisionit të mëngjesit ALARM në ATV, Kaltrina Mikushnica, sot ka nisur këtë emision duke treguar dysinë që e ka përjetuar sot në rrugën e saj nga Prishtinë për në Fushë Kosovë, ku në këto dy qytete, edhe pse janë afër njëra-tjetrës, moti ishte ndryshe në secilin prej tyre.
“Unë për deri sa erdha nga kryeqyteti, pra nga Prishtina për në Fushë Kosovë, përjetova dysinë. Në kryeqytet ishte mot i ngrohtë me diell, ndërsa në Fushë Kosovë qysh po e shihni edhe vet (me shi). Kështu që nëse nuk keni ndonjë punë, ju të Fushë Kosovës, me m’dëgju mua , fleni mos u zgjoni hiç”, tregon Kaltrina me të nisur emisionin ALARM. /atvlive.tv
Me aktivitete të shumta në fushën akademike, të shkencës dhe fushën e kulturës, në Kolegjin AAB po shënohet Java Ndërkombëtare për Staf.
Venera Llunji, prorektore për bashkëpunim dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Kolegjin AAB, në një intervistë në emisionin ALARM në ATV, tha se për këtë javë, pos aktiviteteve të shumta që do të zhvillohen në këtë kolegj, kanë ftuar edhe partnerët e tyre nga shtete të ndryshme evropiane.
“Këtë javë e kemi javën ndërkombëtare për staf, me ç’rast kemi ftuar partnerët tanë dhe jo vetëm dhe planifikimi i kësaj jave nënkupton që kemi të bëjmë me aktivitete të ndryshme siç janë seminaret, tryezat e rrumbullakëta dhe përveç kësaj, edhe pjesa kulturore sepse qëllimi i javës ndërkombëtare është pikërisht ky, që të njihemi pak më mirë me partnerët, me të cilët kemi bashkëpunim të përditshëm, me të cilët i kemi lidhjet si në shkencë si në fushën e akademisë po ashtu edhe në fushën e kulturës”, tha Llunji.
Ajo tha se të gjitha këto institucione që do të jenë të pranishme këtë javë në Kolegjin AAB, janë institucione me të cilat kanë edhe të nënshkruara marrëveshje
bashkëpunimi.
“Do të marrin pjesë institucione prej disa shteteve, siç janë nga Bullgaria, Çekia, pastaj Spanja, Lituania, do të thotë janë një numër i shteteve me të cilët ne kemi marrëveshje bashkëpunimi, të cilat kanë pritur edhe studentë tanë në kuadër të shkëmbimit të projekteve ERASMUS+, po ashtu edhe stafin akademik të cilët e kanë një javë që shkojnë dhe mbajnë ligjërata në këto institucione. E njëjta vlen edhe për Kolegjin AAB. Studentët dhe stafi i atyre institucioneve po ashtu vijnë si shkëmbim te ne”, tregoi Llunji.
Ajo thotë se në këtë javë, për temë e kanë bashkëpunimin, kulturat pastaj zhvillimin si dhe thellimin e marrëdhënieve të Kolegjit AAB me këto institucione ndërkombëtare.
“Kjo është një lloj marrëveshjeje dypalëshe që kemi me institucione të ndryshme e që normalisht na i hapin dyert për t’u marrë me aktivitete të llojllojshme. Këtë javë e kemi temë bashkëpunimin, kulturat pastaj zhvillimin ose thellimin e këtyre marrëdhënieve që kemi mes veti dhe po ashtu, zhvillimin e shumë projekteve të cilat vazhdimisht janë aty, thirrje të ndryshme që bëhen, e që normalisht na zhvillojnë edhe më shumë edhe ne si institucion, edhe stafin akademik, po ashtu edhe studentët të cilët i kemi pjesë të kolegjit”, tha Llunji. /atvlive.tv
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, në një bisedë për Rubrikën “Komuna” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se një prej sfidave kryesore i kanë pasur pasi kanë marrë udhëheqjen e komunës, kanë qenë borxhet që i kanë trashëguar, të cilat sipas tij kanë qenë mbi 26 milionë euro.
Ai tha se brenda 11 muajve të parë kanë paguar mbi 7 milionë euro borxhe, ndërsa këtë vit i kanë të planifikuara 2.5 milionë.
“Tash ku jam në detyrë po më bëhet edhe më e qartë se sa është e vështirë të menaxhohet me një komunë të madhe sidomos kur ka probleme shumë. Një prej sfidave kryesore i kemi pasur borxhet që i kemi trashëguar në komunë, janë mbi 26 milionë euro borxhe në total që i kemi trashëguar. Në 11 muajt e parë i kemi paguar mbi 7 milionë euro borxhe, këtë vit i kemi të planifikuara 2.5 milionë, besoj se do të shtojmë edhe një vlerë tjetër sepse procedurat ligjore, pra përmbaruesit privat nuk presin dhe në këtë formë besoj që në këtë vit do të lirohemi nga një pjesë e madhe e borxheve që i kemi”, tha Hyseni. /atvlive.tv
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, në një bisedë për Rubrikën “Komuna” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, ka treguar arsyet që ai beson se është votuar nga gjilanasit, duke e mposhtur Lutfi Hazirin, i cili për disa vite ishte në krye të kësaj komune.
Ai tha se beson që fitorja e tij ka ardhur për disa arsye, e një prej tyre ka qenë sepse dy vite më parë kishte pasur vizita të shumta me qytetarë.
“Ka shumë vizita që unë i kam realizuar dy vite para zgjedhjeve që janë mbajtur, lokale në vitin 2021, një prej arsyeve ka qenë sigurisht kjo. Arsyeja kryesore për bindjen time është se ne jemi paraqitur në realitet ashtu siç kemi qenë, pra e kemi hartuar një program politik për qeverisje në bazë të nevojave të banorëve që i kemi identifikuar gjatë vizitave. Ndërkohë që paraqitjet tona publike kanë qenë të sinqerta për nga diskutimi e përmbajtja. Kemi qenë shumë të fokusuar se çka do të bëjmë e jo që të kritikojmë atë që nuk është bërë. Pra veç ajo çka kemi prezantuar se çka duhet të ndryshojmë ka qenë vet kritikë për punët që nuk janë realizuar më herët”, tregon Hyseni.
Arsyeja kryesore pse ka fituar Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan, sipas tij ka qenë se në përgjithësi në Kosovë, qytetarët ishin lodhur prej politikave të zakonshme të pushteteve të më hershme.
“Një element i veçantë ka qenë që duke e njohtë edhe mendësinë e qytetarëve të Gjilanit dhe anamoravës, duke e ditur se ne jemi pak më të urtë me gjasë së regjionet e tjera, kemi besuar që duhet të fokusohemi sidomos në planifikimet që i kemi për komunën e Gjilanit dhe nevojat ato çfarë iu duhet qytetarëve tanë, se sa të bërtasim dhe të shahemi me kundërshtarët tonë nëpër debate politike. Por kryesore besoj që në përgjithësi në vendin tonë njerëzit janë lodhur prej politikave të zakonshme. Kërkojnë diçka që është më ndryshe dhe unë besoj se kemi paraqitur një risi në skenën politike përgjithësisht sepse qasja ka qenë më unike për dallim prej të tjerëve dhe kjo besoj se e ka bërë diferencën”, vlerësoi Hyseni. /atvlive.tv
Dita Ndërkombëtare e Infermierisë shënohet çdo vit më datën 12 Maj, kontributin e infermierëve në shoqëri. Ashtu si në gjithë botën, 12 Maji shënohet edhe në Kosovë. Fakulteti i Infermierisë në Kolegjin AAB, për këtë ditë ka organizuar aktivitete të shumta për studentët.
Koordinatorja e Fakultetit të Infermierisë në Kolegjin Teuta Bujupi, në një intervistë në emisionin ALARM në ATV, tregoi se për këtë ditë, në këtë kolegj është organizuar edhe një kurs ndërkombëtar për infermierët, si dhe do të ketë aktivitete të shumta të studentëve.
“Ne në kuadër të javës së infermierisë ose pikërisht sot në ditë e infermierisë, në Kolegjin AAB kemi edhe një kurs ndërkombëtar që organizohet për nderë të kësaj dite, për infermierët të cilët do të përfshihen në këtë organizim, do të kenë mundësi të ketë qasje të marrjes së informatave të reja lidhur me njohuritë që mund të fitojnë ata në menaxhimin e situatave të ndryshme karshi punës që kanë në terren, në klinika, në ordinanca ku ata punojnë. Ky kurs do të fillojë sot, do të jetë gjatë gjithë ditës. Përveç këtij kursi, ne e kemi filluar javën e infermierisë me aktivitete edhe ditëve që kaluan kemi pasur organizimin e dhurimit vullnetar të gjakut, që tashmë prej vitit 2016 është bërë traditë në Kolegjin AAB, ku shumë vullnetarë, studentë, staf dhurojnë gjak dhe pikërisht e bëjnë për humanizëm karshi situatave të ndryshme që përballemi”, tha Bujupi.
Ajo tregoi për nderë të kësaj ditë, studentët e infermierisë të Kolegjit AAB dje kishin aktivitete të ndryshme infermierie në shtatë komunat kryesore në Kosovë.
“Ne dje e kemi pasur një aktivitet në 7 komunat kryesore të Kosovës, ku kemi aplikuar disa teknika infermierie ose kemi ofruar shërbime shëndetësore falas për ta, duke iu ofruar matje të tensionit arterial, matjen e glikemisë, po ashtu kemi bërë edhe një edukim për këta persona të cilët veç janë të atakuar me sëmundjet, por edhe për edukimin dhe promovimin e shëndetit karshi një jete të shëndetshme, për të cilën dita ditës kemi filluar të kemi probleme të shëndetit karshi stilit të jetës”, tregoi Bujupi. /atvlive.tv
Në rubrikën “Arat tona”, të emisionit të mëngjesit ALARM, ekipi i ATV-së ka pasur rastin të vizitojë Rexhep Breznicën në fshatin Surçinë e Ferizajt dhe të vëzhgojë nga afër procesin e spërkatjes së grurit.
Breznica dha një shpjegim të detajuar të kushteve të nevojshme atmosferike për spërkatje të sigurt dhe efektive të grurit. Ai gjithashtu përshkroi përbërësit e nevojshëm, si dhe mënyrën e përgatitjes dhe përdorimit të spërkatësit.
Për të kuptuar më mirë, shikoni videon më poshtë e cila paraqet procesin e plotë të spërkatjes së grurit./atvlive.tv
Fizioterapisti Burim Peli u shfaq në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, duke demonstruar disa teknika fizioterapie që përdoren kryesisht për pacientët që përjetojnë dhimbje në qafë.
Ai i demonstroi këto teknika drejtpërdrejt në studio me disa pacientë.
Gjatë një manipulimi fizioterapie të kryer tek një pacient në studio, moderatorja Kaltrina Mikushnica, e shqetësuar nëse mund të ishte lënduar pacienti, e pyet atë nëse është mirë pas veprimit të fizioterapeutit.
Fizioterapisti Burim Peli ishte mysafir në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, ku foli për problemet më të zakonshme të fizioterapisë me të cilat ballafaqohen kosovarët, duke treguar edhe se si të bëhen trajtimet e duhura për to.
Gjatë emisionit, disa shikues u drejtuan te fizioterapisti për ndihmë me shqetësimet e tyre në lidhje me terapinë fizike.
Një shikuese kërkoi këshillë mjekësore nga mjeku në studio në lidhje me këmbën e saj të majtë, për të cilën tha se i rrinë e mpirë gjatë gjithë kohës.
Fizioterapisti sugjeroi se kjo çështje është shpesh e lidhur me nervin shiatik dhe ofroi udhëzime se si duhet ta trajtojë këtë problem. /atvlive.tv