Moderatorja Kaltrina Mikushnica, në emisionin e sotëm në mëngjesit ALARM në ATV, derisa po lexonte titujt e portalit atvlive.tv për ditën e sotme, tregoi se edhe ajo ka pasur problem që të aplikojë për subvencionimin e librave.
Kjo pasi, siç thotë ajo, për shkak të mos funksionimit të sistemit online për aplikim.
“Unë personalisht jam munduar të aplikoj për këtë subvencionim të librave, por e kam pasur të pamundur, me qenë se nuk funksiononte e-service në të cilën duhet të aplikojmë. Por, ndoshta nuk është diçka shqetësuese, kohë kemi, presim sa të doni”, tregoi moderatorja.
Emisionin e plotë të mëngjesit për ditën e sotme e gjeni në videon më poshtë:
Prej 14 gushtit në Universitetin e Prishtinës po mbahet Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Tema bosht e seminarit është “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”.
Edicioni i 41-të me radhë ka mbledhur rreth 250 pjesëmarrës. Albanologë e studiues te ndryshëm kane prezantuar kumtesat në të cilat kanë trajtuar çështje që lidhen me gjuhën dhe letërsinë.
Profesori Rrahman Paçarizi, në emisionin ALARM në ATV, duke folur për temën e seminarit “Shqipja në rrezik”, tha se gjuha shqipe është e rrezikuar në diasporën shqiptare.
“Sivjet ka qenë tema “Shqipja në rrezik”, një temë e cila ka qenë shumë e rëndësishme, shumë emergjente, shumë e kohës, sepse në një anë, llogaritet që shqipja nuk është një gjuhë e rrezikuar sipas parametrave të UNESKO-s për gjuhë të rrezikuara, ka një popullsi vitale, gjeografi dhe demografi aq sa nuk e lënë të jetë gjuhë e rrezikuar, por shqipja është e rrezikuar në kuptime të tjera, në diasporë për shembull. Brezi i dytë dhe i tretë i mërgimtarëve nuk kanë shumë interes për shqipen pasi që gjuha e vendit ku jetojnë është gjuha ku ata e zhvillojnë shkollimin dhe karrierën e tyre, shqipja nuk është gjuha e tyre e parë e interesimit, nuk mund të zhvillojnë karrierë përmes shqipes në Gjermani për shembull. Por, megjithatë ka mundësi të zhvillohet. Ne i kemi këngëtarë të shumtë”, deklaroi Paçarizi.
Ai thotë se edhe në diasporë mund të shihet një dritare që fëmijët e mërgimtarëve ta shohin shqipen si një mundësi për ta zhvilluar karrierën e tyre, edhe pse janë rritë atje.
“Unë njëherë jam habitur kur studentët tanë, sepse studentët e gjuhës shqipe, së paku një semestër a dy, ata që duan, mund t’i kalojnë në universitete të ndryshme jashtë vendit dhe kur unë isha në një vizitë në Berlin, takova studentët tanë, ata më thanë për një moment se ‘a po dëgjon çfarë muzike është’, u thash jo se për mua muzika është një zhurmë kur pi kafe. Më thanë, po këndon Azeti dhe po këndon shqip në Berlin. Për mua ishte shumë interesant, dhe aty mund të shihet një mundësi ndoshta, një dritare që edhe fëmijët e mërgimtarëve tanë ta shohin shqipen si një mundësi për ta zhvilluar karrierën, edhe pse janë rritë atje, ta zhvillojnë karrierën këtu, sikurse edhe futbollistët për shembull që e shohin kombëtaren e Kosovës, si një mundësi për të depërtuar më tutje në botë. Do të thotë ka mundësi që të gjenden situata të tilla, në të cilat shqipja bëhet gjuhë e rëndësishme”, tha Paçarizi.
Tema e sivjetme “Shqipja në rrezik”, sipas tij, ka të bëjë edhe me përpjekjen për të nxitur studime të gjuhës shqipe.
“Tema e sivjetme “Shqipja në rrezik”, ka pasur të bëjë edhe me përpjekjen për të nxitur, për të forcuar studimet e shqipes në mënyrë që ato studime të jenë më të integruara, të internacionalizohen, të ndërkombëtarizohen më shumë, në mënyrë që shqipja të mos rrezikohet nga një lloj vetëmjaftueshmërie, njëfarë vet izolimi”, tha Paçarizi.
Ai thekson se qëllimi i organizimit të seminarit është që të mbledh sa më shumë të huaj që janë të interesuar për gjuhën shqipe. Këtu përfshihen studiues të gjuhës shqipe si dhe individë të ndryshëm që janë të interesuar të mësojnë këtë gjuhë.
“Në esencë, seminari ka nisur dhe vazhduar të organizohet për të huajt, do të thotë organizohet në tri boshte, në tri linja. Linja e parë është ajo e kurseve të gjuhës shqipe ku të huajt vinë dhe mësojnë shqipen përmes tri nivelesh, niveli i parë për ta që vinë për herë të parë të mësojnë gjuhë nga fillimi, pastaj niveli i ditë për ata që kanë qenë edhe herave të tjera dhe niveli i tretë janë ata që vinë për të mësuar kurset e avancuara të shqipes e në mesin e tyre ka edhe studiues pastaj të shqipes, njerëz të huaj të cilët merren me shqipen dhe zhvillohen më pas në këtë drejtim. Pjesa e dytë është ajo e referimeve shkencore dhe ligjëratave, ndërsa pjesa e tretë janë sesionet shkencore të cilat organizohen në dy ditët e fundit të seminarit”, tregon Paçarizi. /atvlive.tv
Bisedën e plotë të profesorit Rrahman Paçarizi në emisionin ALARM në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Mes botës moderne me ritme të shpejta, të mahnitur nga teknologjia dhe trendët dixhitale, profesioni i pikturës, dikur i nderuar për fuqinë transformuese, tani duket se ka mbetur disi në hije. Ndërsa fotot digjitale dominojnë vëmendjen, mishërimi i krijimtarisë artistike rrezikon të zbehet.
Përkundër këtij ndryshimi kulturor, 20-vjeçarja Mirena Toma, ka gjetur lumturinë tek arti tradicional, ku ajo gjen lumturi dhe përmbushje të thellë në rrugën e saj të zgjedhur.
Në një bisedë për rubrikën “Nëpër art” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, Mirena tregon si ka filluar tek ajo pasioni për pikturë.
“Në Kosovë, nëse e flasim realitetin, nuk është që vlerësohet aq shumë, edhe pse kanë vazhdu ndoshta me u eduku edhe kanë vazhdu me marrë përsipër diçka, mirëpo prapë se prapë është një ndër gjërat e lënë pas dore. Unë e kam vazhdu ëndrrën time, nuk e kam lënë asgjë njerëzit që kanë folë ose diçka tjetër, prapë se prapë unë jam tu u marrë dhe po kam shumë sukses, kështu që nuk ka qenë ndonjë problem shumë i madh për mua”, thotë Mirena.
Ajo tregon se hapat e parë në këtë profesion i ka marrë nga motra e saj, Marigona Toma, e cila është po ashtu një piktore mjaft e suksesshme në Kosovë.
“Gjatë gjithë jetës time, unë kam pikturua mirëpo viteve të fundit e kam parë më shumë motrën Marigona Toma, ajo ka qenë një piktore shumë e suksesshme në Kosovë. Kam vazhdu me i marrë ndoshta pak ngjyrat te ajo, pastaj kam fillu me i ba nëpër pëlhura dhe e kam parë që ndoshta po mundem edhe unë me arritë diçka më këtë. Kështu që, sa herë që kam pikturu, më ka hyrë më shumë në qejf piktura dhe tash jam këtu që jam. Ka qenë një periudhë kohore ku nuk kam punu në fund të vitit të kaluar, ndoshta 2-3 muaj nuk kam asnjë pikturë, më ka mungu shumë piktura, pastaj kur fillova këtë vit, thash jo nuk kam me e lënë anash se mu duk që e lash këtë si të dorës së dytë, kështu që vazhdova menjëherë, ndërsa tani jam mundu me u rikthy”, rrëfen Mirena.
Në këtë bisedë, ajo flet edhe për pikturat e saj të cilat i ka bërë së fundmi. /atvlive.tv
Bisedën e plotë të piktores Mirena Toma e gjeni në videon më poshtë:
Me arsyetimin se nuk ka respektuar orarin e punës, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shtëpisë së Kulturës, “Abdullah Grashnica” në Preshevë, Kujtim Sadriu ka larguar nga puna aktoren e vetme Egzona Salihun.
Aktorja e shumë shfaqjeve teatrale dhe filmave të suksesshëm, nëpërmjet një reagimi ka thënë se që nga ardhja e drejtorit të ri është ballafaquar me shantazhe, me maltretime dhe kërcënime.
Për largimin e saj nga puna ka pasur shumë reagime gjatë këtyre ditëve, shumë ftesa, e cila pavarësisht përveç kësaj, veç se ka filluar edhe projekte të reja në karrierën e saj me filma dhe projekte që do i realizojë së shpejti, por që gjithsesi, është një vendim që ka nxitur shumë debate për shkak se është njëra prej aktoreve të vetme të këtij teatri dhe që padyshim se do të ishte një humbje për të.
Në një lidhje përmes skypë në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, ajo thotë se lajmin për largimin e saj nga puna e ka marrë me postë, pesë ditë pasi ishte marrë ai vendim.
“Lajmin e kam marrë përmes postës, pesë ditë pasi është dërguar me postë ai vendim ose ai dokument. Ato pesë ditë unë kam shku çdo ditë në punë dhe kërkush nuk më ka njoftu që “ti nuk je në punë dhe të kemi largu”, pra deri sa me erdhi letra në shtëpi nuk e kam kuptu. Vendimi ka arritë në këtë moment, ka fillu saktë me thanë një vit më parë. Për gjatë më shumë se një viti, unë kam pasur probleme të një pas njëshme me atë drejtor, për arsye të ndryshme, kam hasur shumë në padrejtësi, diskriminim, gjithçka më është dashtë me u përballë deri kur ka arritë në këtë pikë”, shprehet Egzona.
Ajo tregon se përplasja e saj me drejtorin e ri të shtëpisë së kulturës kishte filluar vitin e kaluar kur ajo ishte dënuar me 20% heqje nga paga.
“Fillimisht ka fillu me një dënim që ma ka dhënë me 20 për qind ndalje nga paga për vitin e kaluar kur kam qenë e angazhuar me një shfaqje në Teatër të Kumanovës, i cili ka qenë i njoftuar për dy ditë, data që ka qenë gjeneralë dhe në premierë nuk do të jem aty, edhe i kam treguar para të gjithë kolegëve dhe ka qenë i pajtimit, pastaj kur jam kthy, me ka dënu 20 për qind, dhe krejt aty ka fillu me një far forme qëllimi i tij kudër meje deri sot. Krejt këto i ka bërë pasi që ka besu se një ditë unë kam me u dorëzu dhe kam me u largu prej punës vet. Kur e ka pa se nuk kam me u dorëzu dhe si përfundim e ka zgjedhë vet me m’largu”, rrëfen Egzona.
Sipas saj, me drejtorin Sadriu kanë hasur probleme edhe shumë kolegë të saj, por që ata nuk janë aq të zëshëm publikisht për shkak se janë të vetëdijshëm se mund të iu kushtojë me vendin e tyre të punës. /atvlive.tv
Bisedën e plotë të aktores Egzona Salihu në ALARM e gjeni në videon më poshtë:
Që në moshë të re, rebelizmi i kishte karakterizuar në çdo hap të jetës. Musa Ramizi si krijues iu kushtua kryesisht poezisë, me vargje guximtare që morën vëmendjen e asaj kohe.
Në një bisedë për rubrikën “Një libër për ty” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, ai tregon kur kishte filluar të shkruajë për herë të parë me poezi.
“Të flasësh për poezinë e mirëfilltë nuk mund t’i shmangesh rebelizmit shpirtëror. Rebelizmi i im i vërejtur institucionalisht i parë për herë të parë në klasën shtatë fillore kur unë organizova demonstrata kundër regjimit serb dhe u arrestova si fëmijë. Pastaj rebelizmi vazhdoi në faza të ndryshme me kyçje në luftën e Kosovës, në luftën e 2001-tës në Maqedoni, por në shkrimet e mija, pas vitit 2001-2002, fillova të shfaqi një lloj rebelizmi përmes disa fjalëve ndoshta pak ma banale që thyenin standardin e poezisë. Fillimisht në amfiteatër dëgjoja të qeshura, pastaj kur fillonin të koncentroheshin dhe të shifnin përmbajtjen e poezisë, fillonin edhe duartrokitjet. Kjo formë rebelizmi është shfaqur në disa poezi të mija, por megjithatë, gjithmonë duke përcjellë një mesazh, sikur një këshillë për lexuesin dhe kjo në disa raste është shfaqë edhe nga vetë lexuesit kur ma thonin se po, neve morëm mësimin dhe leksionin nga poezia e jote’. Poezia e parë e ime e botuar është në revistën letrare “Fryma” në vitin 1998 në kuadër të Filologjikut, titullohej “Për ty”, është një poezi me motiv dashurie”, tegon poeti Ramizi.
Sipas tij, poezia e bukur është ajo që shkruhet në gegnisht.
“Pastaj poezitë që thyenin standardin e poezisë, pikërisht është edhe emërtuar për herën e parë sepse më vonë i ndryshova titullin “Këshillë” dhe ajo ishte momenti kur unë ndryshova të shkruaj poezi. Ndryshimi u përcoll më vonë tek unë edhe tek çështjet e zhanret kur fillova të shkruaja edhe prozën në formë të tillë, mirëpo pastaj kuptova se shpeshherë poezia flen më bukur në gegnishte dhe fillova të shkruaja edhe gegnisht poezi. Poezia e bukur është poezia në gegnishte, sipas meje sepse kritikët mund ta vlerësojnë arë, por shpirti tek ne flenë më shumë në gegnishte, është më ëmbël të thuhet “nanë” dhe poezitë për nënën nuk flen aq bukur nëse nuk i thua “nanë””, thotë poeti Ramizi.
Përpos poezisë edhe proza ishte pjesë e krijimtarisë së Musa Ramizit. /atvlive.tv
Bisedën e plotë të poetit Musa Ramizi për ATV-në e gjeni në videon më poshtë:
Në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, ishte i ftuar Masar Kabashi nga klubi alpin “Podguri”, i cili foli për aktivitetet e përditshme të këtij klubi si dhe ekspeditën verore e cila pritet të mbahet në fund të muajit gusht.
Kabashi tregoi se edhe kjo verë, për klubin “Podguri” ka qenë e ngarkuar me shumë aktivitete.
“Kjo verë si zakonisht, edhe herëve të tjera ka qenë mjaftë e ngarkuar me aktivitete, sidomos me kampin që gjendet në bjeshkët e Istogut, pasi që sezona e verës është e ngarkuar edhe me pushime tjera, por si aktivitet kryesor, klubi e ka kampin gjatë sezonit veror. Interesi ka qenë mjaft i madh i vizitorëve të cilët i vizitojnë kryesisht bjeshkët e Istogut dhe më pastaj kampi ofron një ambient të mrekullueshëm për të gjithë ata që e duan natyrën dhe bjeshkatari”, tha Kabashi.
Ai thotë se kohëve të fundit, ka edhe shumë të huaj të cilët janë mjaft të interesuar që t’i frekuentojnë bjeshkët e Istogut.
“Si zakonisht, kampi është aktivitet që mbahet për dy ditë, një natë rreth zjarrit dhe dita tjetër është kur ecët gjatë shtigjeve e bjeshkëve tona. Zakonisht kosovarët janë të interesuar dhe kohëve të fundit, ky sport ka arritur nivele të kënaqshme dhe interesi është mjaft i madh që të merren me këto aktivitete, por zakonisht, kohëve të fundit ka edhe të huaj të cilët janë mjaft të interesuar që t’i frekuentojnë bjeshkët tona”, tregoi Kabashi.
Bisedën e tij të plotë në ALARM e gjeni në videon më poshtë:
Specialistja e mjekësisë familjar, Ruke Desku, ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, e cila foli kryesisht për shqetësimet me gripat sezonale të pacientëve kosovarë.
Ajo tha se për dallim me vitet e tjera, ky vit ka qenë më i qetë sa i përket gripave sezonale në vend.
“Kryesisht ka qenë e qetë, ndoshta viteve tjera jemi mësu të kemi epidemi të ndryshme, kemi qenë shumë më të ngarkuara me punë, kjo sezonë ka qenë më e qetë. Edhe pse kohëve të fundit paraqiten raste sporadike të gripave, por nuk mund të themi se është pandemi”, tha specialistja e mjekësisë familjare, Ruke Desku.
Ajo tha se gripet e këtij sezoni kanë qenë kryesisht me temperaturë, dhimbje fyti, kollitje, dhimbje trupi, kokë dhembje, zakonisht simptoma të gripit. /atvlive.tv
Bisedën e plotë të specialistes së mjekësisë familjare, Ruke Desku, e gjeni në videon më poshtë:
Neurologu Armend Agolli, ishte mysafir në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, ku foli për problemet më të zakonshme neurologjike me të cilat ballafaqohen kosovarët, duke treguar edhe se si të bëhen trajtimet e duhura për to.
Gjatë emisionit, disa shikues u drejtuan te neurologu për ndihmë me shqetësimet e tyre shëndetësore.
Një shikuese iu drejtuar mjekut me një pyetje, e cila shkaktoi të qeshura në studio.
“O doktor a e nal deken ti, a veç dhimtë?”, ishte pyetja e shikuesit që bëri doktorin dhe moderatorin të shpërthejnë së qeshuri në studio. /atvlive.tv
Bisedën e plotë të neurologut Armend Agolli në ALARM e gjeni në videon më poshtë:
Kryetari i Drensit, Ramiz Lladrovci, në një bisedë për Rubrikën “Komuna” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tregoi për projektet që janë duke u zhvilluar në komunë, ku njëri ndër to është edhe sheshi i qytetit.
Ladrovci në këtë bisedë tha se projekti më i madh i komunës që është bashkëfinancim me donatorët, do të jetë sheshi i qytetit.
“Projekti më i madh që e kemi ne dhe që jemi bashkëfinancim me Grandin e Përformancës, që do të thotë me mjetet e donatorëve të BE-së, të Qeverisë Zvicerane, Suedisë, Norvegjisë, sigurisht të Ministrisë së Pushtetit Lokal, e kemi sheshin, i cili shumë shpejt do të fillojë me u ndërtua, sheshi i ri prej pesë hektarësh dhe do të jetë një prej shesheve më të bukura në rajon”, tha Ladrovci.
Ai tha se përafërsisht për dy vite, sheshi do të jetë në shërbim të qytetarëve të Drenasit.
Do ta shihni projektin dhe do të shihni se ai projekt ka me u realizu, me përjashtim nënkalimin, sepse në projekt e kemi paraparë edhe nënkalimin, por vetëm ky po e merr një kosto mbi 7 milionë euro, andaj ne e kemi eliminu pjesën e nënkalimit, por si shesh do ta bëjmë dhe do të jetë, edhe do të keni rast shumë shpejt, dy vjet, dy vjet e pak, do të jetë në shërbim të qytetarëve”, tha Lladrovci. /atvlive.tv
Bisedën e plotë të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci e gjeni në videon më poshtë:
Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, në një bisedë për Rubrikën “Komuna” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se komuna ka shtuar kapacitetin e punëtorëve për të siguruar një nivel të dëshirueshëm të pastërtisë në qytet, në mënyrë që të mirëpresin sa më mirë diasporën këtë verë.
“Po përkujdesemi. E kemi shtuar edhe kapacitetin e punëtoreve që këto ditë vere ku ne edhe mirëpresim diasporën, pastërtia në qytet të jetë në nivelin e dëshirueshëm.
Gjithashtu jemi në përpjekje që të themelojmë një ndërmarrje publike që puna primare e saj të jetë mirëmbajtja e hapësirave të gjelbërta”, tregoi Rahimaj.
Ai tha se Kamenica është qyteti me më së shumti gjelbërim në Kosovë.
“Nuk është që po e them vetëm unë, e kanë konfirmu edhe të tjerët. Është një qytet që njihet për infrastrukturën e saj që e ka ruajt vijën urbane, gjithashtu është edhe një prej qyteteve më të gjelbërta në Kosovë. Po besoj se këto atribute i kanë parë edhe të tjetër, ne vetëm po i shpalosim dhe po krenohemi me to”, tha Rahimaj.
Në këtë bisedë me ATV-në, ai foli edhe për gjendjen e komunës si dhe sfidat e përditshme me të cilat përballen.
“Ka sfida të natyrave të ndryshme. Ne sfidat e i përcaktojmë bashkë me qytetarët se cilat mund t’i zgjidhim. Sigurisht që ne si qeveri kemi objektiva që duam t’i arrijmë, por primare për ne janë problemet që qytetarët i kanë në lokalitetet e tyre. Kemi mbajtur 27 dëgjime buxhetore dhe shumë shpejt para kuvendit do të propozojmë edhe buxhetin për vitin 2024. Në aspektin e sfidave të gjithmbarshme është procesi i zhvillimit jo në nivelin e duhur, një zhvillim i ngadaltë, por edhe procesi tjetër që ka të bëjë me procesin e migrimit, ku të rinjtë dhe të rejat nuk e shohin si perspektivë të mjaftueshme Kamenicën”, tha Rahimaj. /atvlive.tv
Bisedën e plotë të kryetari të Kamenicës, Kadri Rahimaj, me ATV-në e gjeni në videon më poshtë: