ATV

Category: ZGJEDHJET

  • Albin Kurti premton investime në infrastrukturë, ngrohje, çerdhe dhe qendër inovacioni në Pejë

    Albin Kurti premton investime në infrastrukturë, ngrohje, çerdhe dhe qendër inovacioni në Pejë

    Ditën e pestë të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, lideri i Vetëvendosjes dhe kandidat për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi tubim në Pejë, nga ku ka prezantuar një sërë projektesh dhe investimesh që, sipas tij, janë realizuar dhe do të realizohen në këtë komunë dhe në rajonin e Dukagjinit.

    Kurti premtoi se në të gjitha rajonet e Kosovës, përfshirë Pejën, do të instalohen sisteme të ngrohjes me energji termike, ndërsa një nga projektet kryesore infrastrukturore mbetet ndërtimi i magjistrales së Dukagjinit.

    Në fushën e edukimit dhe mirëqenies sociale, Kurti premtoi se në Pejë do të hapen pesë çerdheve të reja, ndërsa në mandatin e ardhshëm kjo komunë do të shndërrohet në qendër rajonale të inovacionit dhe sipërmarrjes.

    Në fund, Kurti u ndal edhe te çështja e terminaleve doganore.

  • Dita e pestë e fushatës, Rashiq premton mbështetje për të rinjtë dhe punësim

    Dita e pestë e fushatës, Rashiq premton mbështetje për të rinjtë dhe punësim

    Në ditën e pestë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Republikën e Kosovës, kryetari i partisë “Za Slobodu Pravdu i Opstanak”, Nenad Rashiq, ka vazhduar aktivitetet elektorale në komunat me shumicë serbe, duke e vënë theksin në punësim dhe përfshirjen e të rinjve në tregun e punës.

    Gjatë qëndrimit në Graçanicë, Rashiq bëri të ditur se janë nënshkruar 78 kontrata të reja me praktikantë, të cilët do të përfshihen në programe të trajnimit profesional. Sipas tij, ky projekt paraqet vetëm fillimin e një programi më të gjerë që do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

    “Ne po vazhdojmë projektin tonë për mbështetjen e të rinjve përmes praktikave profesionale. Sot në Graçanicë nënshkruam 78 kontrata të reja me praktikantë, ndërsa ky është vetëm fillimi. Nga mesi i janarit do të shpallim konkurs për praktikantë që do të jenë pjesë e një programi gjithëvjetor, me qëllim t’u ofrojmë qytetarëve tanë siguri dhe perspektivë për të ardhmen.”

    Rashiq tha se investimi në dije dhe aftësi profesionale është kyç për të ardhmen e qytetarëve, duke shtuar se jo të gjithë mund të punësohen në sektorin shëndetësor dhe se është e domosdoshme të krijohen alternativa të qëndrueshme për të rinjtë.

    Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin programin e partisë së tij, duke kërkuar votën me numrin 134, për një të ardhme më të sigurt dhe më stabile.

    Aktivitetet e fushatës vazhduan edhe në Shtërpcë, ku u nënshkruan edhe 27 kontrata të tjera me praktikantë të rinj, të cilët për herë të parë po hyjnë në procesin e trajnimit profesional.

    Partia “Za Slobodu Pravdu i Opstanak” ka bërë të ditur se fokusi i saj gjatë fushatës do të mbetet punësimi, arsimi profesional dhe siguria ekonomike për qytetarët.

  • Kurti në Ferizaj premton rritje pagash, mbështetje për familjet dhe investime strategjike në hekurudha

    Kurti në Ferizaj premton rritje pagash, mbështetje për familjet dhe investime strategjike në hekurudha

    Në ditën e katërt të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur tubim elektoral në Ferizaj, ku ka prezantuar të arriturat e mandatit të tij dhe prioritetet për mandatin e ardhshëm qeverisës.

    Gjatë fjalimit, Kurti ka listuar një sërë masash sociale dhe ekonomike të realizuara, duke përmendur rritjen e pensioneve, shtimin e buxhetit për listën e barnave esenciale, si dhe shtesat për fëmijë. Ai premtoi se gjyshërit që kujdesen për nipërit e mbesat, në rastet kur të dy prindërit punojnë, do të përfitojnë nga 100 euro shtesë.

    Në fushën e pagave dhe mirëqenies sociale, Kurti deklaroi se nga 1 janari paga minimale do të rritet në 425 euro, ndërsa nga 1 korriku do të arrijë në 500 euro. Ai paralajmëroi gjithashtu se nga viti i ardhshëm punëtorët e sektorit privat do të përfitojnë pagën e 13-të.

    Duke folur për infrastrukturën, Kurti theksoi se mandati i ardhshëm do të jetë mandat i ndërtimit dhe rindërtimit të hekurudhave

    Në fund, Kurti përmendi çështjet e sovranitetit dhe sigurisë, duke theksuar se është hequr posta e Serbisë dhe është vendosur posta e Kosovës, si dhe se dinari është zëvendësuar me euron.

  • Dita e katërt e fushatës së PDK-së, Bedri Hamza në Ferizaj, Gjakovë dhe Pejë

    Dita e katërt e fushatës së PDK-së, Bedri Hamza në Ferizaj, Gjakovë dhe Pejë

    Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka vazhduar sot fushatën e tij në disa qytete të vendit, duke prezantuar zotimet kryesore për pensionistët, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

    Në mëngjes, Hamza ndau një video-incizim për pensionet, ku theksoi angazhimin e tij për të rritur pensionet për 50% për të gjitha kategoritë, duke garantuar se asnjë pension nuk do të jetë më i ulët se 250 euro. Ai gjithashtu premtoi rritje të ndihmave sociale, duke siguruar që shteti të jetë pranë qytetarëve.

    Gjatë ditës, Bedri Hamza vizitoi Ferizajn dhe Gjakovën, ku u takua me qytetarë dhe biznese lokale. Ai nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së sektorit privat, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e pagave.

    Në Gjakovë, ai premtoi ndryshime në Ligjin për Tatimin në Pronë dhe heqjen e TVSH-së për energjinë elektrike, për të nxitur zhvillimin ekonomik.

  • Nisma Socialdemokrate vazhdon fushatën, Limaj: Bashkohuni aty ku ju rreh zemra, në numrin 122

    Nisma Socialdemokrate vazhdon fushatën, Limaj: Bashkohuni aty ku ju rreh zemra, në numrin 122

    Në ditën e katërt të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Nisma Socialdemokrate ka vazhduar aktivitetet e saj me mesazhe bashkimi dhe mobilizimi. Kandidati për kryeministër i Kosovës nga NISMA, Fatmir Limaj, gjatë ditës ka shpërndarë një video-incizim të veçantë.

    Në mesazhin e tij drejtuar bashkëluftëtarëve, Limaj ka kujtuar rrugëtimin e përbashkët të luftës për liri, duke theksuar guximin, sakrificën dhe dhimbjen e përjetuar ndër vite.

    Ai ka bërë thirrje për bashkim dhe rreshtim në mbështetje të Nismës Socialdemokrate me numrin zgjedhor 122.

    “Te dashur bashkëluftëtarë, bashkohuni aty ku ju rreh zemra, bashkohuni dhe rreshtohuni në numrin 122, t’ia japim Kosovë́s shpresën që meriton”, ka thënë ai.

    Në një mesazh tjetër drejtuar qytetarëve, Limaj ka falënderuar të gjithë ata që iu janë përgjigjur thirrjes së tij për bashkim.

    “Faleminderit shumë për të gjithë ju që iu përgjigjët thirrjes time për bashkim me numrin 122. Jam mirënjohës për përkrahjen tuaj. Mbrëmje të mirë për të gjithë”, ka përfunduar Limaj.

  • LDK në Dukagjin premton investime infrastrukturore, rritje të pagave e krijimin e ministrisë së familjes

    LDK në Dukagjin premton investime infrastrukturore, rritje të pagave e krijimin e ministrisë së familjes

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur sot ditën e katërt të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare me tubime në Junik, Deçan dhe Pejë. Kryetari i LDK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Lumir Abdixhiku, është pritur nga qytetarë të shumtë, të cilëve u është drejtuar me programin dhe vizionin qeverisës të LDK-së.

    Gjatë fjalimeve të tij, Abdixhiku ka premtuar investime infrastrukturore, promovimin e turizmit në rajonin e Dukagjinit dhe formimin e ministrisë së familjes dhe mirëqenies.

    Ai ka theksuar se programi i LDK-së synon ndërtimin e një shteti funksional dhe të drejtë, ku qytetarët trajtohen me dinjitet dhe ku zhvillimi ekonomik krijon shpresë reale për të rinjtë.

  • Iniciativa Qytetare për Kosovë kërkon votën e qytetarëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Iniciativa Qytetare për Kosovë kërkon votën e qytetarëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Kandidati për kryeministër nga radhët e Iniciativës Qytetare për Kosovë, Sokol Haliti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në procesin zgjedhor, duke u drejtuar veçanërisht votuesve të Komunës së Skenderajt që të dalin masivisht në votime.

    Në fjalën e tij, Haliti theksoi se historia dhe e kaluara e tij dëshmojnë për vendosmërinë e tij teksa u bëri thirrje rreth 35 mijë votuesve që, sipas tij, nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e kaluara në Skenderaj, që këtë herë të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre politik.

    Ai gjithashtu kritikoi ashpër kundërshtarët politikë, duke i akuzuar për keqpërdorime politike dhe për tentim të manipulimit të votës së qytetarëve të Drenicës, ndërsa u shpreh se vota duhet t’u besohet atyre që, sipas tij, kanë qëndruar gjithmonë pranë qytetarëve.

    Haliti bëri thirrje që fushata dhe procesi zgjedhor të zhvillohen pa dallime dhe pa përçarje, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes demokratike në vendimmarrjen për të ardhmen e Kosovës.

  • Dita e katërt e fushatës, Haradinaj fokusohet te siguria energjetike e Kosovës

    Dita e katërt e fushatës, Haradinaj fokusohet te siguria energjetike e Kosovës

    Në ditën e katërt të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vënë në qendër të diskursit politik çështjen e energjisë elektrike. Kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke ngritur shqetësimin për faturat e larta të energjisë dhe duke krahasuar situatën aktuale me periudhën e qeverisjes së tij.

    “Sa po ju vinë faturat e energjisë elektrike?”, ka shkruar Haradinaj, duke theksuar se gjatë Qeverisë Haradinaj II, energjia elektrike ishte trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare dhe jo si instrument politik apo problem ditor.

    Sipas tij, në atë periudhë çmimet për qytetarët ishin më të përballueshme për shkak të prodhimit vendor, i cili mbulonte pjesën më të madhe të konsumit përmes termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, ndërsa importi i energjisë ishte dukshëm më i ulët krahasuar me vitet pasuese. Haradinaj ka theksuar gjithashtu se KEK-u ishte trajtuar si aset strategjik shtetëror dhe se ishte ndalur degradimi institucional i sektorit energjetik.

    Në postimin e tij, kandidati për kryeministër ka premtuar mbështetje për projekte të energjisë së ripërtëritshme, përfshirë energjinë diellore dhe atë të erës, si dhe hapjen e rrugës për kapacitete të reja prodhuese.

    “Qeveria Haradinaj II e dëshmoi se energjia nuk negociohet”, ka përfunduar ai.

    Gjatë së njëjtës ditë, Haradinaj ka publikuar edhe një mesazh tjetër me titullin “129 Krah Teje”, ku u është drejtuar qytetarëve dhe strukturave të AAK-së, duke i ftuar për riaktivizim dhe mbështetje në këto zgjedhje. Ai ka theksuar se Aleanca mbetet “shtëpia” e të gjithë atyre që kanë kontribuar ndër vite në ndërtimin dhe qëndrueshmërinë e saj, duke nënvizuar se rikthimi i tyre është garanci për të qenë “krah Kosovës”.

  • Albin Kurti premton buxhet rekord, pagën e 13-të dhe subvencione

    Albin Kurti premton buxhet rekord, pagën e 13-të dhe subvencione

    Ditën e tretë të fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, lideri i Vetëvendosjes dhe kandidat për kryeministër, Albin Kurti, zhvilloi tubime në Vushtrri dhe Obiliq.

    Gjatë fjalimeve të tij, Kurti prezantoi 5 vendimet e para të qeverisjes së mundshme nëse fiton një mandat katërvjeçar e teksa premtoi për Vushtrri projekte konkrete infrastrukturore.

    Kurse në Obiliq, Kurti premtoi rritje të buxhetit në ushtri prej 1 miliardë euro.

  • Bedri Hamza premton rritje 50% të pagave në sektorin publik nëse bëhet kryeministër

    Bedri Hamza premton rritje 50% të pagave në sektorin publik nëse bëhet kryeministër

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar rritje të ndjeshme të pagave në sektorin publik në rast se fitojnë zgjedhjet më 28 dhjetor.

    Përmes një video në Facebook në ditën e tretë të fushatës, Hamza ka thënë se është i vetëdijshëm për vështirësitë e qytetarëve përballë rritjes së kostos së jetesës dhe shtrenjtimit të çmimeve.

    Ai ka bërë të ditur se, nëse bëhet kryeministër, do t’i rrisë pagat për 50 për qind për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Sipas tij, kjo do të thotë se një punonjës që sot merr 800 euro, paga e tij do të arrijë 1,200 euro nën qeverisjen e tij.

    Kandidati për kryeministër ka folur gjithashtu për partneritetin e qeverisë me sektorin privat. Ai ka vizituar të premten disa kompani në Ferizaj, duke i’u premtuar tatim sipas fitimit real për qarkullim deri në 30 mijë euro dhe grante deri në 30% për rritje, zhvillim dhe investime të reja.