ATV

Category: ZGJEDHJET

  • Dita e fundit e fushatës, Pdk mban tubimin përmbyllës në sheshin “Skënderbeu”

    Dita e fundit e fushatës, Pdk mban tubimin përmbyllës në sheshin “Skënderbeu”

    Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës po zhvillon tubimin përmbyllës në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

    Bedri Hamza, i cili është edhe kandidati për Kryeministër nga radhët e PDK-së, një ditë para zgjedhjeve ka publikuar një mesazh nga vendlindja e tij në Klinë të Epërme.

    PDK, e cila drejtohet nga Hamza në këtë garë zgjedhore, po e mbyll fushatën me një tubim të madh në kryeqytet me mesazhe të fokusuara në zhvillim ekonomik, mundësi për të rinjtë dhe stabilitet institucional. Të pranishëm janë edhe kandidatë të tjerë për deputetë dhe mbështetës të parties.

  • AAK mbyll fushatën 10-ditore, me thirrje për votë në prag të zgjedhjeve

    AAK mbyll fushatën 10-ditore, me thirrje për votë në prag të zgjedhjeve

    Një ditë para zgjedhjeve parlamentare, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryeministër, Ardian Gjini, ka publikuar një videomesazh në rrjetin social Facebook, përmes të cilit u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë në ditën e zgjedhjeve.

    Kandidati i AAK-së për kryeministër ka ndarë edhe një pjesë të programit qeverisës për sektorin e bujqësisë.

    Gjatë ditës, Gjini ka ndarë edhe pamje nga tubimi i mbajtur të premten në Drenas, ku ka kritikuar qeverisjen aktuale siç ka thënë ai, përdorimin e patriotizmit për përfitime politike.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e mbyll sonte zyrtarisht fushatën zgjedhore me tubimin përmbyllës në Prishtinë, një ditë para se qytetarët e Kosovës t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

  • LDK mbyll ditën para zgjedhjeve me takime në Prizren dhe Ferizaj

    LDK mbyll ditën para zgjedhjeve me takime në Prizren dhe Ferizaj

    Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar vizitat edhe pas mbylljes zyrtare të fushatës.

    Kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka ndarë në rrjete sociale pjesë nga aktivitetet përmbyllëse të fushatës, duke rikujtuar projektet infrastrukturore të prezantuara gjatë garës elektorale.

    Ndërkohë, kandidatja për presidente dhe një nga figurat kryesore në listën e LDK-së, Vjosa Osmani, përmes një video-mesazh në Facebook tha se “dorëzimi nuk është zgjidhje”.

    Paraditen e së shtunës, Lumir Abdixhiku, së bashku me Vjosa Osmani, dhe disa kandidatë për deputetë, kanë qëndruar në Prizren.

    Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka shkruar: “Paradite në Prizren. Në më të bukurin vend. Me qytetarë e njerëz të mbare të vendit.” Ndërsa Osmani ka falënderuar Familjen Hoxha për pritjen në Vlashnje të Prizrenit, duke e cilësuar vizitën si të këndshme dhe miqësore.

    Më pas, delegacioni i LDK-së ka vazhduar aktivitetet në Ferizaj, ku janë takuar me një numër të madh qytetarësh dhe kanë ndarë pamje nga momentet e afërta me mbështetësit.

  • LVV mbyll ditën e dhjetë të fushatës me paralajmërim për tubimin final në Prishtinë

    LVV mbyll ditën e dhjetë të fushatës me paralajmërim për tubimin final në Prishtinë

    Kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë ditës së fundit të fushatës ka zhvilluar aktivitete të shumta në terren dhe ka ndarë mesazhe e zotime nga takimet e mëparshme.

    Në mëngjes, Kurti publikoi një mesazh kushtuar Mujë Krasniqit – Komandant Kapuçit, me rastin e ditëlindjes së tij. Ai njoftoi se takoi bacën Lilë, me të cilin ndau rrëfime për figurën e Krasniqit, të cilin e përshkroi si simbol të qëndresës dhe përkushtimit për liri.

    Gjatë pasdites, Kurti zhvilloi një vizitë në Prizren, ku u prit nga Haxhi Krasniqi me familjarët e tij. Sipas njoftimit, diskutimet u përqendruan në tema të ndryshme si mbrojtja dhe siguria, industria dhe prodhimi, si dhe arsimi e shëndetësia.

    Ndërkohë, Kurti shpërndau edhe pamje nga një tubim i mbajtur të premten në Sharr, ku u rikujtuan disa premtime elektorale.

    Tubimi përmbyllës zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje do të mbahet në Prishtinë, prapa Pallatit të Rinisë, në orën 20:30.

  • PSD në ditën e fundit të fushatës, Molliqaj kërkon mbështetje për opozitë aktive

    PSD në ditën e fundit të fushatës, Molliqaj kërkon mbështetje për opozitë aktive

    Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj, ka bërë disa thirrje publike për pjesëmarrje në votim, duke u fokusuar veçanërisht te diaspora dhe zgjedhja e një opozite aktive në Kuvend.

    Përmes një video-incizimi të publikuar në Facebook, Molliqaj ka deklaruar se procesi i votimit për diasporën tashmë ka filluar dhe ka ftuar të gjithë qytetarët e regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike apo me postë që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë.

    Në një video tjetër, kreu i PSD-së ka komentuar edhe garën politike, duke thënë se zgjedhjet nuk po përcaktojnë drejtpërdrejt pushtetin, por përbërjen e opozitës në Kuvend.

    Në fund të deklaratës së tij, Molliqaj ka kërkuar votën e qytetarëve duke e paraqitur PSD-në si zgjedhje për ata që kërkojnë një opozitë aktive në legjislaturën e re.

  • “Votoni pa frikë”, mesazhi i fundit i Rashiq në prag të zgjedhjeve

    “Votoni pa frikë”, mesazhi i fundit i Rashiq në prag të zgjedhjeve

    Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, kryetari i partisë Za Slobodu, Pravdu i Opstanak, Nenad Rashiq, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime pa frikë dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

    Përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, Rashiq tha se qytetarët nuk duhet t’u besojnë pretendimeve se vota e tyre mund të kontrollohet.

    Gjatë një vizite në Leposaviq, ai vuri në pah mbështetjen që, sipas tij, institucionet kanë ofruar për bizneset e vogla familjare dhe fermerët gjatë viteve të fundit. Rashiq tha se në tre vitet e fundit janë mbështetur 278 fermerë dhe 278 biznese të vogla, duke premtuar vazhdimin dhe zgjerimin e kësaj mbështetjeje në mandatin e ardhshëm.

    Në një video tjetër, Rashiq tha se janë ndërtuar 142 shtëpi, janë ndihmuar 506 familje me materiale ndërtimi, 617 familje me pajisje shtëpiake dhe mobilie.

  • Kurti: Synojmë që në mandatin e ardhshëm të ketë pagë të 14-të për sektorin publik

    Kurti: Synojmë që në mandatin e ardhshëm të ketë pagë të 14-të për sektorin publik

    Në ditën e nëntë të fushatës elektorale, Lëvizja Vetëvendosje mbajti një tubim në qytetin e Prizrenit, ku kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, prezantoi arritjet e qeverisjes së tij dhe planet për mandatin e ardhshëm.

    Kurti gjatë fjalimit të tij tha se gjatë katër viteve të fundit janë nisur projekte të pakthyeshme, teksa prezantoi një projekt të ri për prodhimtari.

    Në fushën e mbrojtjes, Kurti premtoi se një pjesë e miliardit të investuar në ushtri do të shkojë për zhvillimin e industrisë së brendshme ushtarake, duke përfshirë prodhimin e dronëve dhe fishekëve.

    Kurti gjithashtu njoftoi një politikë të re për pagat në sektorin publik ku synimi i LVV-së është të implementohet edhe paga e 14-të. Në të ardhmen, synohet që edhe punëtorët e sektorit privat të përfitojnë pagën e 13-të.

  • PSD akuzon PDK-në për kalkulime elektorale dhe interesa të ngushta politike

    PSD akuzon PDK-në për kalkulime elektorale dhe interesa të ngushta politike

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj, në ditën e nëntë të fushatës elektorale ka publikuar një video-incizim në rrjetin social Facebook, ku ka kritikuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidatin e kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamzën.

    Në videon e publikuar, Molliqaj ka deklaruar se, sipas tij, sa më afër datës 7 qershor, aq më të dukshme po bëhen synimet e PDK-së dhe Bedri Hamzës për pushtet.

    Ai ka ngritur pyetje lidhur me qëndrimet e PDK-së ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke pretenduar se kjo parti më herët e kishte cilësuar Kurtin si rrezik për vendin, ndërsa tani, sipas tij, po lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit pas zgjedhjeve.

    Sipas tij, deklaratat e zyrtarëve të PDK-së për mundësinë që Albin Kurti të bëhet president tregojnë se çështja kryesore nuk ka qenë “rreziku” që ata kanë përmendur më herët, por ndarja e pushtetit.

    Në fund, kreu i PSD-së u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë për PSD-në këtë të diele.

  • PDK premton mbështetje për çiftet e reja për çerdhet publike dhe private

    PDK premton mbështetje për çiftet e reja për çerdhet publike dhe private

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, në kuadër të ditës së nëntë të fushatës zgjedhore në tubimin e mbajtur në Podujevë, ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke përmendur projekte infrastrukturore të papërfunduara.

    Gjashtë vjet pritje, gjashtë vjet arsyetime, gjashtë vjet të humbura. Kosova nuk pret më tha Hamza.

    Në tubimin e zhvilluar në Mitrovicë, Hamza prezantoi disa zotime programore.

    Hamza gjithashtu premtoi rritjen e pagave dhe pensioneve për 50 për qind, duke deklaruar se nuk do të ketë më pension nën 300 euro.

  • Lista Serbe me tubime në Veri, kërkon mbështetje për numrin 119

    Lista Serbe me tubime në Veri, kërkon mbështetje për numrin 119

    Në ditën e nëntë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen këtë të diel, Lista Serbe vijoi takimet e saj në komunat veriore të Kosovës, duke përcjellë mesazhe të unitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve.

    Përmes një postimi në Facebook, Lista Serbe njoftoi se në Shtëpinë e Kulturës në Leposaviq është mbajtur një konventë zgjedhore, ku sipas partisë, morën pjesë një numër i madh qytetarësh.

    Në tubim folën kandidatët për deputetë Slavko Simiq, Jovana Radosavljeviq, Tanja Vujoviq dhe Igor Simiq, të cilët bënë thirrje për harmoni dhe bashkëpunim. Fjalën përmbyllëse e mbajti kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, i cili tha se vetëm i bashkuar populli serb mund të ruajë interesat kombëtare dhe të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme për komunitetin serb në Kosovë.

    “Faleminderit të gjithë qytetarëve që treguan forcë, vendosmëri dhe besim në Listën Serbe me praninë e tyre. NJË KOMB, NJË LISTË, VETËM LISTË SERBE 119,” citohet të ketë thënë Elek.

    Aktivitet zgjedhor është mbajtur edhe në Leshak të Leposaviqit, ku përfaqësuesit e Listës Serbe diskutuan me qytetarët për zgjedhjet e së dielës dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në votim.

    Partia ka përsëritur sloganet e saj të fushatës, duke bërë thirrje për unitet të komunitetit serb dhe mbështetje për Listën Serbe në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.