ATV

Category: ZGJEDHJET

  • AAK kërkon votën e qytetarëve më 28 dhjetor për ndryshim dhe zhvillim

    AAK kërkon votën e qytetarëve më 28 dhjetor për ndryshim dhe zhvillim

    Në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj, mbajti tubim në Gjilan.

    “Ky ishte një akt revoltë, por kjo revoltë po shndërrohet në shpresë dhe vendosmëri për ndryshim me Aleancën në krah. Gjilani u ngrit fuqishëm dhe pa dilema në mbështetje të vizionit tonë për një Kosovë që zhvillohet dhe e ka të ardhmen në duart e qytetarëve”, tha Haradinaj para qytetarëve.

    Gjatë fjalës së tij, Haradinaj gjithashtu kujtoi se gjatë qeverisjes së tij, fuqizimi i prodhimeve vendore ka qenë prioritet kryesor. Ai vuri në dukje se taksa 100% ndaj produkteve serbe ka ndihmuar në inkurajimin e prodhuesve vendorë, duke rritur prodhimin dhe potencialin e tyre, dhe duke forcuar shtetin tonë.

    Haradinaj apeloi tek qytetarët e Kosovës që të dalin dhe të votojnë më 28 dhjetor, duke theksuar se mënyra më e mirë për ndryshim dhe zhvillim në Kosovë është përmes mbështetjes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Ai premtoi se Aleanca do të punojë për rritje ekonomike, fuqizim të prodhuesve vendorë dhe një vizion të qartë për të ardhmen e vendit.

  • “Katër vjet populizëm, një shtet i bllokuar”, Abdixhiku premton kthimin e normalitetit dhe zhvillimit

    “Katër vjet populizëm, një shtet i bllokuar”, Abdixhiku premton kthimin e normalitetit dhe zhvillimit

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur të enjten tubim elektoral në Klinë, ku kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, kritikoi qeverisjen aktuale dhe prezantoi programin e LDK-së për qeverisjen e ardhshme, raporton Ekonomia Online.

    Abdixhiku tha se Kosova po përballet me krizë institucionale, përçarje shoqërore dhe stagnim ekonomik, duke theksuar se vendi ka nevojë për rikthim të normalitetit kushtetues dhe partneriteteve ndërkombëtare.

    “Klina nuk është vetëm qytet në hartë; është një prej nyjeve morale dhe shoqërore të kësaj ane, një vend me karakter të fortë, me traditë pune, me njerëz që kurrë nuk janë lodhur për Kosovën. Klina gjithmonë ka ditur të qëndrojë drejt edhe kur vendi është lëkundur; të mos mashtrohet nga zhurma; të mos largohet nga maturia. Dhe sot, kur pas një viti të humbur në krizë kushtetuese dhe pas katër vitesh të humbura në populizëm e përçarje, Kosova ka nevojë të kthehet në normalitet është e drejtë që këtë rrugëtim ta vazhdojmë këtu, me ju. Nuk është e lehtë të flasësh për gjendjen e Kosovës sot. Sepse për herë të parë pas luftës, vendi ka mbetur pa funksionim institucional normal. Për herë të parë, Kushtetuta është shkelur hapur. Vendimmarrja është personalizuar. Kompetencat janë tejkaluar. Qeveria është futur në konflikt me Gjykatën Kushtetuese, ka sfiduar aleatët tanë strategjikë dhe ka futur vendin nën masa ndëshkuese që vazhdojnë ende. Për herë të parë që nga themelimi i shtetit, Kosova ka hyrë në krizë besimi krizë midis shtetit dhe qytetarit, midis institucioneve dhe popullit, midis fjalës së dhënë dhe realitetit të ashpër të përditshëm.
    Kemi parë një qeveri që nuk njeh qytetar të barabartë, por njeh tifozë dhe armiq.
    Një qeveri që e ka ndarë vendin në “patriotë” e “tradhtarë”, në “të mirë” e “të këqij”, në “tanët” dhe “të atyre”. Një qeveri që ka ndërtuar klimë frike, jo të bashkimit; klimë sulmesh, jo të dialogut; klimë mllefi, jo të qetësisë. Kjo gjuhë ka lënduar Republikën. Ka lënduar qytetarët. Ka lënduar shoqërinë. Klinë, edhe ju e keni ndier peshën e këtyre viteve. Çmimet janë rritur, pagat kanë mbetur të pamjaftueshme, standardi është përkeqësuar. Ndihmat para zgjedhjeve nuk i kanë zgjidhur problemet. Ndërkohë Kosova ka ngecur në energjetikë, duke djegur miliona euro në import. Ka ngecur në arsim, duke mbajtur fëmijët e fundit në Evropë për dije. Ka ngecur në shëndetësi, duke dërguar pacientët jashtë vendit me qindra miliona euro. Ka ngecur në infrastrukturë, duke mos ndërtuar asnjë rrugë të vetme të re për pesë vjet. Ka ngecur në drejtësi, ku politikanët qëndrojnë mbi ligj. Ka ngecur në diplomaci, duke krijuar përçarje me aleatët dhe duke marrë masa ndëshkuese”, ka deklaruar Abdixhiku.

    Në programin e tij, Abdixhiku premtoi krijimin e Ministrisë së Familjes, mbështetje financiare për familjet e reja dhe të porsalindurit, investime në çerdhe dhe mësim tërëditor, rritje pagash në sektorin publik, si dhe investime kapitale prej 5 miliardë eurosh.

    “Dhe përtej të gjitha këtyre, kemi një shoqëri të lodhur. Të rinjtë po largohen në numër alarmant. Bizneset po përballen me pasiguri. Qytetarët po humbin shpresën.
    Nuk është e vështirë të kuptohet se ku kemi ardhur. Është rezultat i një qeverisjeje që ka vënë propagandën para punës, përplasjen para bashkëpunimit, hakmarrjen para shtetit. Kjo nuk është Kosova që e kemi ëndërruar. Nuk është Kosova që e kemi ndërtuar me mund. Nuk është Kosova që e kemi lënë amanet. Por ne kemi plan. Dhe ky plan nis nga njeriu – nga familja kosovare, nga fëmijët, nga prindërit, nga të rinjtë, nga ata që e mbajnë shtetin gjallë. Ne kemi propozuar Ministrinë e Familjes si angazhimin tonë kryesor për ta vendosur njeriun në qendër të shtetit. Jo si një zyrë tjetër burokratike, por si garanci se familja kosovare do të ketë përkrahjen që meriton. Me këtë ministëri, do të mbulojmë interesin për banesën e parë të çifteve të reja. Çdo të porsalindur do të mbështetet me 200 euro në muaj për një vit të tërë. Shteti do të jetë krah i familjes, jo shikues pasiv i sfidave të saj. Dhe kujdesi për fëmijët nuk mbaron me lindjen. Prandaj ne kemi paraparë 1 miliard euro për çerdhe dhe mësim tërëditor në gjithë vendin. Që asnjë nënë të mos detyrohet të zgjedhë mes punës dhe fëmijës. Që asnjë fëmijë të mos rritet pa orientim. Që çdo familje të ketë mbështetje reale. Mësimi tërëditor – që e nisëm me sukses në Prishtinë – do të shndërrohet në standard kombëtar. Edhe në Klinë. Edhe në çdo fshat të komunës. Ky është transformim shoqëror, jo thjesht arsimor.
    Ne kemi marrë gjithashtu zotimin për rritjen e pagave në administratë me koeficientin 150. Në qeverinë tonë, paga e mësuesit do të jetë 1000 euro. Paga e infermierit 975 euro. E policit dhe ushtarit 900 euro.
    Sepse paga nuk është shpenzim – është investim. Investim në shëndetësi, në arsim, në siguri, në të ardhmen e vendit. Dhe shteti nuk mund të jetë i fortë me administratë të dobët. Për të rinjtë, do të krijojmë Ministrinë e Digjitalizimit – motorin e së ardhmes. Do të aftësojmë 40 mijë të rinj në katër vjet, me paga evropiane, duke punuar nga Kosova. Kjo është rruga për të ndalur emigrimin. Kjo është rruga për të sjellë ekonomi moderne. Kjo është rruga për t’i hapur dyert e së ardhmes”, theksoi ai.

    Tubimin në Klinë, Abdixhiku e cilësoi si fillim të “kthimit të Kosovës në rrugën e drejtë”, duke ftuar qytetarët të mbështesin LDK-në.

    “Gjersa, për secilin të posadiplomuar në Kosovë, do të ketë punësim të garantuar me 500 euro pagë për 6 deri në 12 muaj të mbështetur nga vet shteti. Zhvillimi nuk vjen pa investime të mëdha. Prandaj programi ynë parasheh 5 miliardë euro investime kapitale: për infrastrukturë, energji, ujësjellës, hekurudha, sport, kulturë, shkolla e spitale. Do të ndërtojmë Qendrën e Re Klinike të Kosovës – projekt prej gjysmë miliard eurosh – investimin më të madh shëndetësor në historinë e vendit. Do të përfundojmë rrugët e lëna në harresë, autostradën e Anamoravës, dhe do të ndërtojmë centralin e ri me gaz, që Kosova të mos importojë më qindra miliona euro energji çdo vit. Dhe mbi të gjitha, ne do ta kthejmë normalitetin kushtetues. Shteti nuk mund të drejtohet me improvizim. Shteti nuk mund të mbahet pezull mbi një njeri. Shteti duhet të drejtohet me ligj, me institucione, me rregull, me përgjegjësi. Kosova ka vend të vetëm ku duhet të shkojë: drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ne do të rikthejmë partneritetet, do të heqim masat ndëshkuese dhe do të punojmë që vendi të marrë njohje të reja. Ju i dini këto tema. I ndjeni këto plagë. I përjetoni këto sfida çdo ditë. Por mbi të gjitha, ju e dini shumë mirë çfarë do të thotë të kesh në krye të vendit maturi, qetësi dhe përgjegjësi. Ju e dini dallimin mes udhëheqjes që ndërton ura dhe asaj që ndërton mure; mes politikës që bashkon dhe asaj që ndan; mes shtetit që punon dhe pushtetit që improvizon. Pikërisht për këtë arsye, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është thjesht një alternativë tjetër në këtë garë. LDK është zgjidhja e vetme serioze për Kosovën. Sepse ne vijmë me vlera të qarta, me njerëz të dëshmuar, me një listë përfaqësuese e të ndershme dhe me një program të plotë për jetën e qytetarit – nga lindja deri te puna. Ne nuk ju kërkojmë besimin për të eksperimentuar; ju kërkojmë besimin për të qeverisur me maturi, dije dhe përgjegjësi. Prandaj ftesa ime sonte është e qartë: le ta nisim nga Klina kthimin e Kosovës në rrugën e drejtë”, shtoi kandidati për kryeministër.

  • Abelard Tahiri: Me mesazhin e Thaçit “Na prisni të bashkuar”, PDK nis misionin e fitores

    Abelard Tahiri: Me mesazhin e Thaçit “Na prisni të bashkuar”, PDK nis misionin e fitores

    Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri (nr. 110), ka deklaruar se PDK e ka nisur nga Prizreni misionin e fitores, të udhëhequr nga mesazhi i Presidentit Hashim Thaçi “Na prisni të bashkuar”.

    “Me mesazhin e Presidentit Thaçi ‘Na prisni të bashkuar’, mbrëmë në Prizren, PDK e nisi misionin e bashkimit për Kosovën dhe për Kryeministrin e ardhshëm, Bedri Hamzën”, ka thënë Tahiri.

    Ai ka theksuar se rruga e PDK-së është rruga përpara, me një program të qartë dhe të realizueshëm për qytetarët.

    “Përpara është rruga jonë, me program dhe vizion të qartë: rritje 50 për qind të pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale”, ka deklaruar Tahiri.

    Sipas tij, zgjedhjet e 28 dhjetorit janë momenti për t’i dhënë fund përçarjes dhe stagnimit.
    “Më 28 dhjetor, t’i japim fund përçarjes dhe stagnimit. Të bashkohemi për një jetë më të mirë”, ka shtuar ai.

    Në fund, Tahiri ka ftuar qytetarët që të mbështesin PDK-në dhe kandidatin për Kryeministër.
    “Vota për #PDK130 është votë për Bedri Hamzën për Kryeministër”, ka përfunduar Tahiri.

  • Andin Hoti merr mbështetjen e shumë qytetarëve: Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë për mua

    Andin Hoti merr mbështetjen e shumë qytetarëve: Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë për mua

    Kandidati për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, Andin Hoti ka falënderuar të gjithë ata që po i japin mbështetje duke thënë se kjo është për të një përgjegjësi për t’i shërbyer vendit.

    Postimi i plotë i Hotit:

    Me mirënjohje të thellë, për mbështetjen dhe besimin që po ma jepni çdo ditë. Faleminderit nga zemra 🫶për çdo fjalë inkurajuese, çdo mesazh dhe për çdo qëndrim përkahës.

    Ky është mesazhi më i qartë: Mbështetja juaj është përgjegjësi e drejtpërdrejtë për mua! Përgjegjësi për t’i shërbyer vendit, për të qenë i drejtë, i hapur dhe i palëkundur në shërbim të Republikës.

    Mos lësho pe!

    Lëvizja Vetëvendosje 116

    Albin Kurti 1

    Andin Hoti 11

  • Nimani: Së bashku do t’i përballojmë të gjitha sfidat

    Nimani: Së bashku do t’i përballojmë të gjitha sfidat

    Kandidati për deputet i Nismës, Artan Nimani, ka bërë të ditur se sot është mbajtur mbledhja e Kryesisë, ku është dakorduar organizimi i tubimit hapës të fushatës elektorale.

    Sipas tij, tubimi do të mbahet të enjten, në ora 18:00, në Sallën e Kuqe.

    Nimani theksoi se Nisma është e gatshme të përballet me të gjitha sfidat, duke theksuar se ndryshimi vjen nga vetë qytetarët dhe nga besimi i tyre.

  • Tahiri fton qytetarët të bashkohen rreth vizionit të Bedri Hamzës për fitoren e Kosovës

    Tahiri fton qytetarët të bashkohen rreth vizionit të Bedri Hamzës për fitoren e Kosovës

    Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka ftuar qytetarët që të bashkohen rreth vizionit të Kryeministrit të ardhshëm, Bedri Hamza, për ta çuar Kosovën përpara drejt fitores.

    Tahiri theksoi se hapja e fushatës zgjedhore nga Prizreni, qyteti i Lidhjes dhe i bashkimit, nuk është e rastësishme, por një mesazh i qartë për unitet politik dhe shoqëror në funksion të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit.

    “Sonte, nga Prizreni, qyteti i Lidhjes, e në çdo anë të Kosovës, ftoj qytetarët të bashkohen rreth vizionit të Bedri Hamzës për një Kosovë më të fortë, më stabile dhe me perspektivë për të gjithë,” ka deklaruar Tahiri.

    Ai shtoi se zgjedhjet e 28 dhjetorit janë vendimtare për drejtimin e Kosovës dhe se PDK, me Bedri Hamzën në krye, ofron një alternativë të qartë për zhvillim ekonomik, paga më të larta dhe mirëqenie për qytetarët.

    “Kjo është një thirrje për unitet, stabilitet dhe një të ardhme më të mirë për secilin qytetar. Më 28 dhjetor, zgjedhja është e qartë: Bashkë. Përpara. #PDK130,” përfundoi Tahiri.

    Abelard Tahiri garon me numër 110 në listën e PDK-së.

  • LDK mban sot tubime në Klinë, Istog e Prishtinë, fton qytetarët: Le të bëhemi bashkë për shtetin

    LDK mban sot tubime në Klinë, Istog e Prishtinë, fton qytetarët: Le të bëhemi bashkë për shtetin

    ë nisjen e fushatës zgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sonte tubime në Klinë, Istog dhe Prishtinë, shkruan Reporteri.net.

    Në këto tubime elektorale, kryetari i LDK-së dhe kandidati ynë për kryeministër, Lumir Abdixhiku, do të prezantojë Programin politik dhe vizionin e tij “për një Kosovë më të zhvilluar, më të drejtë dhe plot shpresë”.

    “Në Klinë, Istog, si dhe në Prishtinë Dega 5, përveç programit qeverisës, do të bëhet edhe prezantimi i kandidatëve tanë përkatës, njerëz të dëshmuar, të përkushtuar dhe të gatshëm për t’i shërbyer qytetarëve”, thuhet në njoftim.

    Kjo parti ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këto tubime për ta dëgjuar programin.

    “Sot, ejani të gjithë, qytetarë, aktivistë, familjarë e miq; ejani për ta dëgjuar programin; ejani për ta dhënë mbështetjen tuaj. Zgjidh shpresën! Le të bëhemi bashkë për shtetin, për Kosovën tonë! Eja dhe bëhu ndryshimi!”, thuhet në postim.

  • Orari i emetimit të spoteve pa pagesë, të subjekteve politike për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2025

    Orari i emetimit të spoteve pa pagesë, të subjekteve politike për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2025

    Në përputhje me Rregulloren e KPM-2024/03 dhe obligimet ligjore për ofruesit e shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore, ATV ka përgatitur media planin për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
    Të gjitha subjekteve të certifikuara politike, pjesëmarrëse në zgjedhje, ATV ju ofron 120 sekonda në ditë hapësirë për marketing politik pa pagesë.

    Radhitja e transmetimit të spoteve pa pagesë është bërë sipas renditjes numerike të subjekteve pjesëmarrëse.

    Mediaplanin e transmetimit të spoteve pa pagesë, mund ta gjeni KËTU.

    ATV ka përgatitur edhe ofertën për transmetimin e spoteve politike dhe materialeve të tjera me pagesë.
    Ofertën mund ta gjeni KËTU.

  • PDK mbyll fushatën gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    PDK mbyll fushatën gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    Kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetarë komune përmbyllën sot fushatën gjashtëditore, duke i bërë thirrje qytetarëve që të votojnë masivisht këtë të dielë, më 9 nëntor.

    Në Mitrovicë, kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, zhvilloi aktivitetin përmbyllës në prezencë të kryetarit të partisë, Memli Krasniqi. Tahiri premtoi se, nëse zgjidhet kryetar do të punojë për zhvillim të qëndrueshëm të qytetit dhe për mirëqenie për të gjithë qytetarët.

    Ai falënderoi qytetarët dhe aktivistët për mbështetjen dhe bashkimin e tyre në këtë fazë të fundit të fushatës, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit dhe angazhimit qytetar për të ndërtuar një Mitrovicë më të fortë dhe të zhvilluar.

    Në Prizren, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, iu drejtua qytetarëve me një video-mesazh falënderimi për mbështetjen në raundin e parë dhe bëri thirrje për mobilizim të plotë këtë të dielë. Ai premtoi se do të vazhdojë të punojë për një Prizren që funksionon 24 orë, me projekte zhvillimi dhe infrastrukturë për të gjithë qytetarët.

    Në Kaçanik, kandidati i PDK-së Sabedin Vishi, në ditën e fundit të fushatës u shpreh se roli i grave dhe komunitetit është kyç për zhvillimin e komunës dhe premtoi të punojë për një të ardhme të barabartë dhe me mundësi për të gjithë qytetarët.

    Në Vushtrri, kandidati për një mandat të dytë, Ferit Idrizi, deklaroi se planet e zhvillimit të qytetit do të vazhdojnë pa ndërprerje dhe kërkoi përkrahje masive për të siguruar vazhdimësinë e projekteve që kanë nisur.

  • Kurti mbështet kandidatët e VV-së në tubimet përmbyllëse në gjithë Kosovën

    Kurti mbështet kandidatët e VV-së në tubimet përmbyllëse në gjithë Kosovën

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrualla Ceku, mbajti tubimin përmbyllës në “Pallatin e Rinisë”, në prani të liderit të VV-së, Albin Kurti. Gjatë fjalës së tij, Ceku kritikoi keqmenaxhimin dhe mungesën e rezultateve të kundërkandidatit të tij gjatë mandatit të parë, duke theksuar nevojën për një qeverisje më të përgjegjshme dhe transparente. Ai gjithashtu premtoi përkushtim për zhvillim të qëndrueshëm të kryeqytetit.

    Në Mitrovicë, kandidati Faton Peci përmbylli fushatën me zotimin se do t’i shërbejë qytetit “me përkushtim dhe transparencë të plotë”. Ai kritikoi qeverisjen aktuale për projektet e parealizuara dhe tha se qytetarët do të dinë “çdo cent se ku do të shpenzohet”. Në tubimin e tij mori pjesë edhe Albin Kurti, i cili u bëri thirrje qytetarëve të dalin masovikisht në votime të dielën.

    Në Fushë Kosovë, Valon Prebreza publikoi videon e fushatës përmbyllëse me mesazhin “Bashkë drejt fitores së madhe”, me theks të vecantë se çdo votë mund të sjellë ndryshimin e shumëkërkuar.

    Në Vushtrri, kandidati I VV-së Sylejman Meholli premtoi ndërtimin e një rrethi të ri në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë, zotim që, siç tha, e ka marrë mbështetjen edhe nga kryeministri Kurti. “Na e jepni besimin dhe na mbani për fjalë”, u shpreh ai para banorëve të Dumnicave.

    Në Gjilan, kandidati i VV-së dhe kryetari aktual Alban Hyseni përmbylli fushatën së bashku me Kryeministrin Albin Kurti. Ata morën pjesë në përurimin e dronit “Skifter”, të prodhuar nga një kompani vendore, si shembull të kreativitetit dhe vizionit të të rinjve gjilanas. Më pas, Hyseni dhe Kurti diskutuan me afaristë dhe inxhinierë lokalë për projektet që synojnë të transformojnë qytetin edhe në mandatin e ardhshëm.

    Në Viti, kandidati Arsim Ademi premtoi ndërtimin e pesë çerdheve të reja në disa fshatra të komunës dhe 3 ura ekzistues njëkahëshe në ura dykahëshe.

    Në Gjakovë, kandidati Ardian Gola premtoi reformën në shëndetësi, me projektin “Mjeku i familjes” dhe shërbime geriatrike për të moshuarit.

    Në Prizren, kandidati i VV-së Artan Abrashi, bashkë me Albin Kurti dhe kryetarin e Komunës së Tetovës Bilall Kasami, përmbylli fushatën me theks në promovimin e kulturës dhe bashkëjetesës.

    Në Pejë, kandidati Taulant Kelmendi bëri thirrje për “fund të frikës dhe presioneve politike”, duke garantuar se punonjësit e komunës nuk do të përballen me hakmarrje politike. “Secili do ta ketë vendin e punës të sigurt sipas ligjit”, tha Kelmendi.

    Ndërsa në Obiliq, kandidati Halil Thaçi u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime të dielën dhe premtoi se do t’i shërbejë komunës me nder, respekt dhe krenari.