ATV

Category: ZGJEDHJET

  • PBKDSh premton integrimin e Kosovës në NATO dhe mbrojtjen e familjes

    PBKDSh premton integrimin e Kosovës në NATO dhe mbrojtjen e familjes

    Në ditën e tretë të fushatës zgjedhore, Alban Hoti, kryetar i Partisë Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar njëherëshi kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës, ka shpalosur premtimet e tij kryesore.

    Ai premtoi se nën drejtimin e tij, Kosova do të forcojë aleancën strategjike me SHBA-të dhe do të përshpejtojë rrugën drejt anëtarësimit në NATO. Hoti u zotua se sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm dhe se nuk do të pranohet asnjë formë ndarjeje, shkëmbimi territoresh apo ndryshimi kufijsh.

    “Në Kosovën që unë synoj të udhëheq, nuk do të ketë Mitrovicë të ndarë. Do të ketë vetëm një Mitrovicë, një ligj dhe një shtet,” tha Hoti.

    E një nga premtimet kyçe të Alban Hotit është ndalimi i marrjes së shtëpive nga bankat për shkak të borxheve dhe hipotekave.

    Në këto zgjedhje, Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar hyn në garë me 44 kandidatë për deputetë, me numrin 113.

  • Fatmir Limaj intensifikon fushatën e NISMËS Socialdemokrate para zgjedhjeve të 28 dhjetorit

    Fatmir Limaj intensifikon fushatën e NISMËS Socialdemokrate para zgjedhjeve të 28 dhjetorit

    Kandidati për kryeministër nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj gjatë ditës së tretë të fushatës ka zhvilluar takime të shumta me qytetarët, duke kërkuar mbështetjen e tyre dhe duke dëgjuar shqetësimet e tyre, por edhe prezantuar vizionin dhe programin e partisë për një qeverisje transparente dhe zhvillim ekonomik.

    Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Limaj ka theksuar mobilizimin e qytetarëve dhe vullnetarëve anembanë Kosovës. Ai ka thënë se rreshti po rritet dhe rrethimi po çahet, duke bërë thirrje që të gjithë qytetarët të bashkohen për të çuar përpara ndryshimin dhe të ardhmen e vendit.

    Kandidati për kryeministër ka bërë thirrje për unitet dhe përfshirje të të gjithëve në procesin politik, duke theksuar se vetëm me bashkëpunim mund të tejkalohet sfida aktuale dhe të ndërtohet një të ardhme më e qëndrueshme për vendin.

    Limaj ka premtuar se në qeverisjen e ardhshme fokus do të ketë transparencën, zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët e Kosovës.

  • LPRK në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Galushi bën thirrje për mbështetje maksimale

    LPRK në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Galushi bën thirrje për mbështetje maksimale

    Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK), e udhëhequr nga kryetari Erxhan Galushi, ka hyrë zyrtarisht në garën për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Në ditën e tretë të fushatës, Galushi u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, dhe veçanërisht komunitetit rom, që të japin mbështetjen e tyre për LPRK dhe për kandidaturën e tij.

    Gjatë ditës, Galushi adresoi edhe shqetësime të qytetarëve në lidhje me presionin mbi votën e tyre. Ai theksoi se bursat e fituara nga fëmijët e komunitetit rom janë merita e tyre dhe nuk varen nga asnjë politikan.

    Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës garon me numër 115.

  • Në Obliq, Fushë Kosovë e Prishtinë, Abdixhiku premton investime dhe pavarësi energjetike

    Në Obliq, Fushë Kosovë e Prishtinë, Abdixhiku premton investime dhe pavarësi energjetike

    Në ditën e tretë të fushatës zgjedhore, kryetari i LDK-së dhe kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubime në Obliq, Fushë Kosovë dhe Prishtinë, ku ka prezantuar programin politik të partisë dhe kandidatët për deputetë nga këto komuna.

    Gjatë fjalimit të tij, Abdixhiku kritikoi Kurtin që edhe me 42 për qind nuk arriti të formojë qeverinë.

    Abdixhiku, banorëve të Obiliqit i’u premtoi investim 5 miliardë euro dhe njoftoi për planet për ndërtimin e një centrali të ri me gaz, që do të sigurojë pavarësi energjetike për vendin.

    Kurse në tubimin në Fushë Kosovë, Abdixhiku premtoi Unazën e Kryeqytetit, si një projekt jetik që lehtëson qarkullimin, edhe në këtë komunë, teksa kërkoi vote për dy kandidatët për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

  • Ramush Haradinaj kërkon votën e Ferizajit, shpalos vizionin e AAK-së

    Ramush Haradinaj kërkon votën e Ferizajit, shpalos vizionin e AAK-së

    Në ditën e tretë të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbajti një tubim në Ferizaj, ku kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, u prit nga qytetarë të shumtë.

    “Ferizaji është qytet i njerëzve punëtorë, qytet i punës, i bashkëjetesës dhe i zhvillimit, një motor i rëndësishëm i Kosovës moderne”, tha Haradinaj, duke shtuar se mbështetja e qytetarëve tregon se Ferizaji kërkon politika që krijojnë punësim, vendime të guximshme dhe një qeverisje që i shërben qytetarit.

    Ai gjithashtu theksoi se motoja e partisë, ‘Krah Teje’, është udhërrëfyesi i vizionit të saj për një Kosovë më të drejtë dhe më të zhvilluar. Në fjalimin e tij, Haradinaj nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit qytetar–institucion.

    Përveç tubimit, ai ndau edhe një postim në rrjetet sociale, të shoqëruar me foto, ku rikujtoi masat ekonomike të vendosura gjatë mandatit të tij, duke përmendur taksën 100% ndaj Serbisë si një vendim strategjik për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës. Ai shtoi se taksa dhe masat shoqëruese ndihmuan në rritjen e prodhimit vendor dhe aktivizimin e sektorit të brendshëm ekonomik.

  • LDK premton rritje pagash, punësim të garantuar dhe pensione 100% më të larta

    LDK premton rritje pagash, punësim të garantuar dhe pensione 100% më të larta

    Në ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryetari i LDK-së dhe kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubime në Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë, ku prezantoi programin politik dhe kandidatët për deputetë nga këto komuna.

    Abdixhiku tha se Kosova ndodhet në krizë të thellë institucionale, me parlament të bllokuar dhe vendimmarrje të paralizuar.

    Duke shpalosur zotimet e tij, Abdixhiku premtoi se në qeverisjen e LDK-së çdo fëmijë i porsalindur do të mbështetet me 200 euro në muaj. Investim prej 1 miliard eurosh për çerdhe dhe shkolla, si dhe punësim të garantuar për çdo të sapodiplomuar në të gjithë Kosovën, me pagë 500 euro për gjashtë muajt e parë për secilin që diplomon në Republikën e Kosovës.

    Po ashtu, Abdixhiku u zotua se paga e mësuesve do të jetë 1 mijë euro, e infermierëve 975 euro, ndërsa policët, ushtarët dhe zjarrfikësit do të kenë pagë 900 euro. Ai premtoi gjithashtu se brenda tre viteve pensionet do të rriten për 100 për qind.

  • PDK premton fond për papunësinë, rritje pagash dhe lehtësira për bizneset

    PDK premton fond për papunësinë, rritje pagash dhe lehtësira për bizneset

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar ditën e dytë të fushatës elektorale me takime në Vushtrri dhe Fushë Kosovë, ku prezantoi programin e tij qeverisës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

    Gjatë tubimeve, Hamza theksoi se Kosova ka nevojë për një kapitull të ri të qeverisjes, stabilitet, zhvillim dhe shpresë për qytetarët. Ai vuri në dukje se, megjithë premtimet e mëdha të viteve të fundit, rezultatet kanë qenë të vogla, duke sjellë pasiguri dhe rritje të kostos së jetesës.

    Ai premtoi se në qeverisjen e tij do të krijohet fondi për papunësi që do të sigurojë pagesën për punëtorët e larguar nga puna për gjashtë muaj, formimi i një gjykate të veçantë për punën, që do të mbrojë të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat, lehtësira për bizneset, përfshirë heqjen e TVSH-së për importet dhe ndryshime në ligjin e tatimit në pronë.

    Ai po ashtu premtoi rritje te pagave me 50% për mësuesit, zjarrfikësit, përfituesit e kategorive të dala nga lufta, si dhe për pensionistët dhe familjet e dëshmorëve.

  • NISMA Socialdemokrate hap fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    NISMA Socialdemokrate hap fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Nisma Socialdemokrate ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, me një tubim madhështor hapës, ku u bë edhe prezantimi i kandidatëve për deputetë.

    Në këtë tubim, kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe kandidati për kryeministër, Fatmir Limaj, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të votojnë numrin 122, duke theksuar se çdo votë për Nismën ka peshë dhe përfaqëson shpresë reale për ndryshim.

    Ai iu drejtua posaçërisht bashkëluftëtarëve dhe shokëve të luftës, duke rikujtuar rrugëtimin nga ditët e para të rezistencës e deri në çlirimin e Kosovës.

    Në përmbyllje, lideri i Nismës Socialdemokrate kërkoi mbështetjen e qytetarëve nga e gjithë Kosova, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit dhe vendosmërisë.

  • KDTP shënon ditën e dytë të fushatës me takime dhe mesazhe të forta nga Prizreni

    KDTP shënon ditën e dytë të fushatës me takime dhe mesazhe të forta nga Prizreni

    Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor, Kryetari i KDTP-së, Fikrim Damka, zhvilloi një vizitë në Shoqatën e Alumnive Turke.

    Gjatë takimit kryetari Damka, diskutoi për kontributin e rëndësishëm të alumnive turke në jetën shoqërore dhe arsimore në Kosovë dhe bashkëpunimet institucionale.

    Po në kuadër të ditës së dytë të fushatës në Qendrën Kulturore të Prizrenit u mbajt prezantimi i kandidatëve dhe nisja zyrtare e fushatës së KDTP-së. Në këtë takim, Kryetari i Përgjithshëm, z. Fikrim Damka, prezantoi kandidatët për deputetë dhe shpalosi programin zgjedhor të partisë.

  • VV premton rritje të shtesave, mbështetje për fermerët dhe projekte infrastrukturore në Suharekë

    VV premton rritje të shtesave, mbështetje për fermerët dhe projekte infrastrukturore në Suharekë

    Në kuadër të ditës së dytë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka mbajtur tubim zgjedhor në Suharekë.

    Gjatë fjalimit të tij, Kurti theksoi rëndësinë e mobilizimit qytetar për të siguruar një fitore më të madhe se ajo e 9 shkurtit, duke nënvizuar nevojën për një rezultat më të fortë se zakonisht.

    Ai prezantoi programin ekonomik dhe social të partisë, duke përfshirë rritjen e shtesave për fëmijë dhe nëna, si dhe mbështetjen për fermerët. Kurti foli gjithashtu për projektet infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e rrugëve, digave e institucioneve arsimore.

    Kandidati për kryeministër nga VV-ja premtoi gjithashtu aplikim për grante bujqësore gjatë gjithë vitit, si dhe planin për aplikim online dhe kartën e-fermër, që synon të sigurojë transparencë dhe përfitim të drejtë të subvencioneve.