ATV

Category: ZGJEDHJET

  • Të enjten tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet e zgjedhjeve

    Të enjten tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet e zgjedhjeve

    Të enjtën, më 4 shtator, më shumë se 90 përfaqësues të subjekte politike do të tërheqin shortin për renditjen e subjekteve të tyre në fletëvotimet e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

    Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se subjektet politike janë njoftuar për këtë aktivitet.

    “Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime është një proces i hapur, duke garantuar transprencë e plotë dhe trajtim i barabartë i të gjitha subjekteve politike”, tha Elezi.

    Fushata zgjedhore për subjektet politike do të fillojë më 13 shtator dhe do të përfundojë pak para hapjes së Qendrave të Votimit, në orën 06:59 të datës 12 tetor.

  • KQZ thërret mbledhje, pritet zyrtarizimi i vendimit të PZAP për certifikimin e Listës Serbe

    KQZ thërret mbledhje, pritet zyrtarizimi i vendimit të PZAP për certifikimin e Listës Serbe

    Më 24 gusht, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa miratoi ankesën e Listës Serbe dhe anuloi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të datës 21 gusht, me të cilin ishte refuzuar certifikimi i listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

    Në bazë të vendimit të PZAP, i cili obligon certifikimin e Listës Serbe, KQZ ka thirrur një mbledhje ku pritet të anulojë vendimin e 23 gushtit dhe të certifikojë këtë subjekt.

    PZAP kishte vlerësuar se KQZ nuk ka ofruar bazë të mjaftueshme ligjore për të vërtetuar se kandidatët e kontestuar bien ndesh me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.

    Të enjten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendimin për të mos certifikuar Listën Serbe, çka la subjektin jashtë procedurave zyrtare për pjesëmarrje. Ky vendim nxiti menjëherë reagime të ashpra nga ndërkombëtarët.

    Një ditë pas vendimit të KQZ-së, Lista Serbe bëri të ditur se e ka depozituar ankesën e saj te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

    Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian reaguan ashpër, duke shprehur shqetësimin e tyre për këtë vendim.

    Madje Kosova pranoi një paralajmërim me tone të prera se çelësi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian ndërlidhet drejtpërdrejt me “karakterin gjithëpërfshirës të zgjedhjeve lokale”.

    “Karakteri gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale që po afrojnë është kyç për marrëdhënien e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Partitë politike që kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur të marrin detyrat e tyre në mbarë Kosovën, mbi bazën e një procesi të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.” – u tha ndër të tjera në reagimin e BE-së.

    Pas vendimit të KQZ-së, deputetët e VV-së vunë në shënjestër gjyqtarët e PZAP-së. Disa prej deputetëve të partisë së Albin Kurtit kanë filluar presionin ndaj këtyre gjyqtarëve, duke i publikuar emrat e tyre.

    Kjo nuk ndikoi në vendimin e këtij institucioni, duke hedhur poshtë vendimin e KQZ-së, nën argumentin e mungesës së bazës së mjaftueshme ligjore.

     

    Vendimi i KQZ-së:

  • Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale

    Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale

    Sot, në orën 23:59 përfundon afati 38 ditor për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

    Ky lajm është bërë i ditur nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se deri në përfundim të ditës së sotme, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës: (1) përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose (2) përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

    Sipas Elezit, “vetëm shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për votim nga jashtë vendit do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025”.

    Më tej, ai ka sqaruar se shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për votim jashtë vendit, do të largohen nga Lista e Votuesve brenda në Kosovë.

    “Është detyrim ligjor për KQZ-në që shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, t’i largojë nga Lista e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që regjistrohet për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në Listën e Votuesve jashtë Kosovës”, sqaroi Elezi.

    Por, çfarë ndodh me shtetasit që nuk regjistrohen për votim jashtë Kosovës?

    “Shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe që nuk janë regjistruar për votim me postë, janë në Listën e Votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Të dhënat për adresën e Qendrës së Votimit mund të shikohen këtu: https://qv.kqz-ks.org”, ka sqaruar Elezi.

     

  • Elezi: Tri ditë para përfundimit të afatit numri i votuesve jashtë Kosovës arrin në gati në 30 mijë

    Elezi: Tri ditë para përfundimit të afatit numri i votuesve jashtë Kosovës arrin në gati në 30 mijë

    Kanë mbetur tri ditë deri në përfunditm të afatit për aplikimin e votuesve me postë, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.

    Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendrorë të Kosovës (KQZ), Valmir Elezi, nga data 23 korrik deri më 27 gusht, ora 09:00, përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar gjithsej 35,381 aplikime për regjistrim për votim me postë.

    Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës (dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti, etj.)). • Komunat me mbi 1 apo 2 mijë shtetas të regjistruar për votim me postë nga jashtë Kosovës janë: Gjakova (2,204), Suhareka (2,129), Dragashi (2,045), Prizreni (1,775), Deçani (1,659), Klina (1,643), Istogu (1,538), Vitia (1,291), Gjilani (1,256), Peja (1,193), Malisheva (1,145), Rahoveci (1,111) dhe Juniku (1,000). • Gjermania (13,336) dhe Zvicra (7,132) janë shtetet me numrin më të madh të shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë nga jashtë vendit.

     

  • Lladrovci i reagon Memli Krasniqit e Abelard Tahirit: Më 12 tetor do ta shihni forcën e qytetarëve të Drenasit

    Lladrovci i reagon Memli Krasniqit e Abelard Tahirit: Më 12 tetor do ta shihni forcën e qytetarëve të Drenasit

    Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka reaguar kreut të PDK-së Memli Krasniqit dhe deputetit të kësaj partie, Abelard Tahiri.

    Lladrovci përmes një postimi në Facebook ka thënë se deklaratat e fundit të Krasniqit e Tahirit lidhur me qytetarët e Drenasit janë për keqardhje dhe shpifje.

    Lladrovci i ka paralajmëruar ish-kolegët e tij për rezultatet e zgjedhjeve të 12 tetorit.

    “Drenasi është kampion i performancës komunale, vazhdojmë! Deklaratat e fundit të Memli Krasniqit dhe Abelard Tahirit, lidhur me qytetarët e komunës së Drenasit, janë për keqardhje, hamendjet me shpifje janë të padenja për liderë të subjektit shtetformues e shtetndërtues. Pas fyerjes me “Dadën Razë”, dhe votimin “38% symbyllur” për qytetarët e Drenasit, tashmë, shpifjet po vazhdojnë në tjetër nivel. Më 12 Tetor do ta shihni forcën e moralin e qytetarëve të Drenasit, të cilët nuk e durojnë as fyerjen, e as nënçmimin. Vota e qytetarëve “Për Drenasin Kampion”, është votë për qeverisje të mirë, transparente e llogaridhënëse, votë kundër bedelëve e keqbërësve. Drenasi është zemra e Kosovës!”, thuhet në postimin e tij./ATVLIVE/

  • KQZ mblidhet sot, pritet de certifikimi i disa kandidatëve për zgjedhjet lokale

    KQZ mblidhet sot, pritet de certifikimi i disa kandidatëve për zgjedhjet lokale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot një mbledhje, me fillim nga ora 11:00.
    Në rend dite janë tri pika. Pas fjalës së Kreut të KQZ’së, Kreshnik Radoniqit, do të shqyrtohen rekomandimet për de certifikim dhe certifikimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Në fillim janë kandidatët e VV’së, pastaj të LDK’së, Guxo, Alternativës dhe pastaj të kandidatëve nga partitë tjera.

    Në rend dite është edhe shqyrtimi dhe miratimi i pjesëmarrjes së KQZ në punëtorinë rajonale të ODIHR: Ruajtja e Integritetit Zgjedhor në Ballkanin Perëndimor – Forcimi i Mbikëqyrjes dhe Rritja e Besueshmërisë (Varshavë, 16–17 shtator 2025)”.

    Do të shqyrtohet edhe pjesëmarrja e KQZ në Programin e Vizitorëve për Zgjedhjet e Këshillave të Qeverisjes Lokale 2025 në Tallinn, Estoni, 17–20 tetor 2025

  • Afati për regjistrim nga diaspora drejt mbylljes

    Afati për regjistrim nga diaspora drejt mbylljes

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se pas pesë ditësh përfundon afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora. Procesi ka nisur më 23 korrik dhe ka vazhduar çdo ditë nga ora 8 e mëngjesit deri në mesnatë.

    Sipas zëdhënësit Valmir Elezi, deri më 24 gusht janë pranuar mbi 26 mijë aplikime për votim me postë. Nga to janë aprovuar rreth 21 ndërsa mbi 5 mijë janë refuzuar, kryesisht për mungesë dokumentacioni që dëshmon adresën jashtë Kosovës. /atvlive.tv

  • Mblidhet KQZ-ja, vazhdon përgatitjet për zgjedhjet lokale – ky është rendi i ditës

    Mblidhet KQZ-ja, vazhdon përgatitjet për zgjedhjet lokale – ky është rendi i ditës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për të vazhduar me vendimet tjera në kuadër të përgatitjeve të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor.

    Sipas rendit të ditës të dërguar nga KQZ, mbledhja do të mbahet në orën 13:30 dhe pritet shqyrtimi i disa dokumenteve që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

    Në mesin e vendimeve që pritet të merren nga KQZ është edhe hapja e Qendrës së Votimit në lagjen ‘Marigona Residence në Graçanicë.

     

    Ky është rendi i ditës:

    Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së;

    Aktivitetet e Sekretariatit

    Këshilllat e KQZ

    3.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore

    3.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i Programit të trajnimit për trupat menaxhuese të zgjedhjeve dhe stafin zgjedhor

    3.1.2. Shqyrtimi dhe miratimi i Procedurës për VPNV.

    3.1.3. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për personat e evidentuar si të vdekur të largohen nga lista e votuesve

    3.1.4. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për hapjen e Qendrës së Votimit në lagjen “Marigona Residence në Graçanicë”.

    3.1.5. Shqyrtimi dhe miratimi i zëvendësimit të anëtarëve të KKZ-së në Komunën e Vushtrrisë dhe Gllogocit

    3.1.6. Shqyrtimi dhe miratimi i Kurrikules së Trajnimit për Trajner dhe TMZ si dhe Shtojcat

    Të ndryshme.

     

  • KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit

    KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, kjo parti nuk mori mbështetjen nga anëtarët e KQZ-së të enjten.

    Pro votuan kryetari Kreshnik Radoniqi dhe përfaqësuesja e Listës Serbe. Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa abstenimet ishin nga përfaqësuesit e partive të tjera.

    Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e kësaj partie duke publikuar dokumente që tregonin se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozicione në organet paralele të Serbisë në Kosovë.

    “Kemi një parti politike, që ka trashëgimi terroriste dhe një të tashme terroriste. Përveç kësaj, ka elementë të tjerë, persona që kanë marrë pjesë edhe në sulme terroriste edhe në sulme të ndryshme. Tash i kemi edhe veprimet e institucioneve për ndjekje penale. Në mesin e tyre ka edhe persona që në të vërtetë, në mënyrë subersive punojnë kundër Republikës së Kosovës. Ata mbajnë pozicione në organet e ashtuquajtura paralele të Serbisë. Dhe njëkohësisht mbajnë pozicione cilado qofshin ato në organet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurteshi fillimisht, teksa ka marrë shembull kandidatin e Listës Serbe për kryetar të Novobërdës, Sasha Millosheviq, që është edhe kryetar i komunës paralele të Gjilanit në autoritetet e Serbisë.

    Kurteshi ka thënë se Millosheviqi është “kamxhiku i Radoiçiqit për Anamoravë”. Ai ka thënë se këta persona kanë cak minimin e Republikës dhe shkatërrimin e sovranitetit të Kosovës.

    Pas Kurteshit, ka reaguar anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani. Ai ka thënë se informatat e tilla duhet t’i ofrohen KQZ-së në mënyrë institucionale përmes organeve të sigurisë. Ai ka bërë të ditur se PDK-ja ka vendosur të abstenojë në votim deri sa të ketë veprime konkrete nga institucionet e sigurisë.

    “Sa herë vjen koha e zgjedhjeve kjo përsëritet. Këto informata kisha pas dëshirë që t’i pranoj në mënyrë institucionale e jo që t’i shohim tash. Por sidoqoftë si përfaqësues i PDK-së, abstenojmë nga votimi për certifikimin e Listës Serbe duke i marrë parasysh këta kandidatë, por edhe të gjitha ato diskutimet. S’jemi për certifikim, por abstenojmë nga votimi derisa nuk ka veprime konkrete nga institucionet tjera të sigurisë që na tregojnë rrugën që duhet të ndiqet për këtë subjekt politik”, ka thënë ai.

    Kurteshi u përgjigj duke thënë se anëtarët e Listës Serbe janë pjesë e institucioneve paralele me nënshkrim të autoriteteve të Serbisë dhe si të tilla këto dokumente nuk hyjnë në kuadër të hetimeve të institucioneve vendore.

    Elshani më pas ka thënë se megjithatë Zyra për regjistrim të partive e ka rekomanduar certifikimin duke u bazuar në kriteret që i kanë vendosur vetë institucionet shtetërore.

    Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më pas ka thënë se është për keqardhje që këto dokumente nuk janë ofruar nga institucionet e sigurisë dhe ato ligjore.

    “E kemi zyrën e partive politike. Sekretariati që vjen me informacione dhe i lexon dhe thotë që kjo parti i plotëson kriteret formale në bazë të informacioneve relevante që merren me këto punë për t’u certifikuar nga komisioni qendror i zgjedhjeve. Unë kam përshtypjen që ne nuk kemi hapësirë se si të veprojmë. As për as kundër, pos që ta refuzojmë votimin ose të abstenojmë”, ka thënë ai para votimit.

    Ndërkaq Alban Krasniqi, anëtar tjetër i VV-së në KQZ, ka thënë se zyra për regjistrim partish i ka këto informata.

    “Prej katër komunave janë së paku 24 persona me të kaluar kriminale, por edhe në kërkim e që janë të gjithë pothuajse pjesë e strukturave paralele që Serbia ende i mban gjallë në Kosovë përmes lidhjeve të saj. Këto janë informacione që jam shumë i bindur që zyra i posedon dhe shtrohet një pyetje shumë e thjeshtë se a duhet lejuar ne si KQZ që nëse disa kandidatë që na vijnë, në këtë rast nga Lista Serbe, do të duhej t’i certifikonim nëse janë pjesë e strukturave paralele e disa edhe të organizatave që nga organet shtetërore janë shpallur terroriste”, ka thënë ai.

    Krasniqi ka thënë se edhe shtetet e tjera kanë vënë vazhdimisht theksin se njerëz të Listës Serbe bëjnë presion te pjesëtarët e komunitetit serb në procesin e zgjedhjeve. Ai ka thënë se Lista Serbe vazhdimisht ka deformuar rezultatin e zgjedhjeve.

    Ndërkaq Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se për t’ia ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje, ajo duhet të shpallet organizatë terroriste nga organet e shtetit.

    Ndërkohë KQZ-ja certifikoi partitë tjera më të mëdha në vend për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale. Në këtë mbledhje të KQZ-së u certifikua edhe Lidhja për Prishtinën pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Herën e parë ky subjekt nuk ishte certifikuar, me arsyetimin se emri i tij është i ngjashëm me identitetin dhe brendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Vendim i ngjashëm ishte marrë në KQZ edhe në zgjedhjet e kaluara, por ishte përmbysur pas ankesës në instanca më të larta.

    E gjatë ditës, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, në një takim me kryeministrin në detyrë shprehu pikërisht shqetësimin për moscertifikim të partive të komunitetit serb. Ajo u shpreh se është tejet e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje.

    Prattipati këtë kërkesë ua ka shtruar partive edhe në disa takime gjatë ditëve të fundit.

  • Edhe dy javë për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, deri tani janë regjistruar 5 mijë e 445 votues

    Edhe dy javë për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, deri tani janë regjistruar 5 mijë e 445 votues

    Vetëm edhe dy javë, deri më 29 gusht 2025, kanë mbetur për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.

    Deri më tani, ky proces, i cili ka filluar më 23 korrik, ka ngjallur pak interesim, pasi vetëm rreth 5,500 shtetas të Kosovës nga diaspora janë regjistruar për votim me postë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar të dhënat e fundit nga procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës.

    “Deri më sot (e premte, 15 gusht, ora 12:00) përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar 7,026 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 5,445, ndërkaq janë refuzuar 1,581”, tregoi Elezi.

    Sipas tij, “në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës (dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti etj.))”.

    Po sipas të dhënave nga KQZ, komuna me më së shumti votues të regjistruar jashtë Kosovës është Suhareka me 526, Deçani me 442, Dragashi 440 dhe Istogu, Gjakova e Klina me mbi 300 votues të regjistruar.

    Numri më i madh i votuesve të regjistruar është nga shteti i Gjermanisë (2,767), i pasuar nga ai i Zvicrës (1,121), e të tjera.