ATV

Category: ZGJEDHJET

  • Ja si duhet të votoni më 12 tetor sipas KQZ-së

    Ja si duhet të votoni më 12 tetor sipas KQZ-së

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar për qytetarët mënyrën se si duhet të votojnë në zgjedhjet komunale të 12 tetorit.

    Ky institucion ka theksuar se qytetarët duhet së pari të sigurohen që fletëvotimet e tyre të jenë të vulosura nga KQZ-ja. Në kabinën e votimit do të gjenden broshurat me emrat e kandidatëve.

    Do të përdoren dy fletëvotime:

    Fletëvotimi i parë, me ngjyrë të verdhë, është për kryetar komune dhe aty duhet të shënohet vetëm një kandidat/e.

    Fletëvotimi i dytë, me ngjyrë të kaltër, është për Kuvend Komunal. Në këtë rast, në anën e majtë shënohet një subjekt politik dhe në anën e djathtë një kandidat/e.

    Në fund, fletëvotimet duhet të palosen në mënyrë që të mos shihet vota dhe më pas të vendosen në kutitë përkatëse.

  • Uran Ismaili nis serinë “Pa Filter” me Tefik Bekteshin: Do ta ndërtojmë Spitalin e Prishtinës

    Uran Ismaili nis serinë “Pa Filter” me Tefik Bekteshin: Do ta ndërtojmë Spitalin e Prishtinës

    Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka nisur një seri të re takimesh të quajtur “Pa Filter”, ku bisedon hapur me qytetarë e profesionistë për çështjet më të rëndësishme të kryeqytetit.

    Në takimin e parë, ai u bashkua me Tefik Bekteshin, ish-drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë.

    Ismaili tha se qytetarët e Prishtinës janë të diskriminuar prej më shumë se 25 vitesh nga mungesa e një spitali të dedikuar për ta, duke theksuar se kjo është padrejtësi e pakuptimtë që duhet të marrë fund.

    “Kam me e realizu Spitalin e Prishtinës,” tha ai, duke kujtuar se plani i detajuar është përgatitur që në kohën kur ai ishte ministër i Shëndetësisë, por nuk u vu kurrë në zbatim nga qeverisjet e mëvonshme.

    Nga ana e tij, Tefik Bekteshi tha se ndërtimi i Spitalit të Prishtinës do të ishte arritje historike për qytetarët e kryeqytetit, duke e cilësuar një hap që do të mbetet në kujtesë.

    Ai po ashtu e falënderoi Ismailin për bashkëpunimin e ofruar gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë dhe për gatishmërinë për të mbështetur profesionistët shëndetësorë në reformat e ndërmarra atë kohë.

  • Shukri Buja premton park memorial në Grackën e Vjetër dhe heqjen e deponive ilegale në Lipjan

    Shukri Buja premton park memorial në Grackën e Vjetër dhe heqjen e deponive ilegale në Lipjan

    Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka reaguar ndaj gjendjes në Grackën e Vjetër, ku sipas tij është krijuar një deponi mbeturinash e hekuri në një vend me rëndësi historike.

    Ai e quajti këtë “fyerje për historinë dhe kujtesën kolektive”, duke theksuar se Gracka e Vjetër është fshati që në vitin 1912 u rrafshua nga artileria serbe.

    “Veprimi im i parë si kryetar i Lipjanit do të jetë largimi i kësaj deponie dhe ndërtimi i një parku memorial me obeliskë, për të nderuar sakrificën e popullit tonë,” ka thënë Buja.

    Ai gjithashtu u zotua se gjatë mandatit të tij në Lipjan nuk do të lejohet asnjë deponi ilegale e mbeturinave.

  • KQZ mundëson regjistrimin online të Votuesve me Nevoja të Veçanta për votim përmes ekipeve mobile në ditën e zgjedhjeve

    KQZ mundëson regjistrimin online të Votuesve me Nevoja të Veçanta për votim përmes ekipeve mobile në ditën e zgjedhjeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha për regjistrimin e Votuesve me Nevoja të Veçanta për votim në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

    Për të lehtësuar procesin e regjistirmit, KQZ ka funksionalizuar platfomën elektronike: https://vpnv.kqz-ks.org, e cila do të jetë e qasshme deri më 7 tetor 2025.

    Për të mundësuar votimin e personave me nevoja të veçanta, që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe, KQZ do të angazhojë ekipe mobile në çdo komunë të Republikës së Kosovës, në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025.

    Procesi i regjistrimit dhe evidentimit ka filluar për votuesit me nevoja dhe rrethana të veçanta, ndërkaq për votuesit me lëvizje të kufizuar në institucione, regjistrimi do të fillojë më 15 shtator.

    I. Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta, 7 shtator – 7 tetor 2025

    Votues me nevoja të veçanta, konsiderohen votuesit me zotësi juridike që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar personalisht në vendvotim, për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore ose çfarëdo paaftësie tjetër.

    Regjistrimi i këtyre votuesve mund të bëhet përmes platformës elektronike ose fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi.

    II. Regjistrimi i votuesve në rrethana të veçanta, 7 shtator – 7 tetor 2025

    Votues në rrethana të veçanta konsiderohen votuesit që për shkaqe sigurie dhe votusit që janë në arrest shtëpiak nuk mund të votojnë në vendovitimin e tyre të caktuar.

    Registrimi i votuesve që për shkaqe sigurie nuk mund të votojnë në vendvotim bëhet përmes platfomës elektronike të KQZ-së si dhe duke kërkuar asistimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi, ndërkaq, KQZ në bashkëpunim me institucionet përkatëse bën evidentimin e qytetarëve me të drejtë vote që ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak.

    III. Regjistrimi dhe evidentimi i votuesve me lëvizje të kufizuar në institucione do të fillojë më 15 shator dhe do të përfundojë më 2 tetor 2025

    Votues në institucione konsiderohen votuesit me zotësi juridike, me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion: votuesit në hospitalizim, njerëzit e moshuar në shtëpitë e caktuara për të moshuarit, personat në trajtim në institucionet e shëndetit mendor, të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit.

    KQZ në bashkëpunim me institucione relevante bën evidentimin e këtyre votuesve.

    Votuesit me lëvizje të kufiziuar në institucione dhe të evidentuar prej tyre konsiderohen si votues të regjistruar, ndërkaq votuesit që ndodhen në institucione të hospitalizimit, shtëpitë e të moshuarëve dhe strehimoret për mbrojtjen e viktimave, mund të regjistrohen edhe individulisht përmes platformës elektornike.

  • LVV me slloganin “Bashkë”në zgjedhjet lokale

    LVV me slloganin “Bashkë”në zgjedhjet lokale

    Partia Vetëvendosje ka nxjerrë slloganin “Bashkë” për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Postimi:

    Bashkë me qytetarët,
    Bashkë për komunat,
    Bashkë punojmë,
    Bashkë shërbejmë,
    Bashkë fitojmë!

  • “Dritë për Komunat” – AAK fillon fushatën lokale më 13 shtator

    “Dritë për Komunat” – AAK fillon fushatën lokale më 13 shtator

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të hapë zyrtarisht fushatën për Zgjedhjet Lokale më 13 shtator 2025, në ora 13:00, në Hotel Venus, Prishtinë.

    Nën moton “Dritë për Komunat”, AAK synon të vazhdojë modelin e saj të dëshmuar të qeverisjes lokale.

    “Kryetarët tanë kanë sjellë rezultate konkrete dhe janë renditur lart në performancë,” tha Ramush Haradinaj në njoftimin për hapjen e fushatës.

    “Ftojmë të gjithë qytetarët dhe përkrahësit tanë të na bashkohen në këtë moment të rëndësishëm për të nisur së bashku rrugën drejt zhvillimit të barabartë për të gjitha komunat”, ka theksuar Haradinaj.

  • Orari i emetimit të spoteve të subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale 2025 – Pa Pagesë

    Orari i emetimit të spoteve të subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale 2025 – Pa Pagesë

    ATV ka përgatitur media planin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, në përputhje me Rregulloren e KPM-2024/03 dhe obligimet ligjore për ofruesit e shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore.
    Të gjitha subjekteve të certifikuara politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale 2025, ATV ju ofron 40 sekonda në ditë hapësirë për marketing politik pa pagesë.

    Radhitja e transmetimit të spoteve pa pagesë është bërë sipas renditjes alfabetike të subjekteve pjesëmarrëse.

    Media planin e plotë të ATV-së mund ta shkarkoni KËTU.

  • Kurti: 105, numri i fitoreve të radhës

    Kurti: 105, numri i fitoreve të radhës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tërhequr shortin për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e Zgjedhjeve Lokale për kryetarë komunash dhe kuvende komunale.

    Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje do të garojë me numrin 105. Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, ka reaguar pas shortit duke e lidhur këtë numër me fitoret e subjektit që ai udhëheq.

    “105, numri i fitoreve të radhës, i besimit të qytetarëve dhe shërbimit ndaj tyre,” ka shkruar Kurti në Facebook.

  • Tërhiqet shorti, kjo është renditja e partive politike në fletëvotim për zgjedhjet lokale

    Tërhiqet shorti, kjo është renditja e partive politike në fletëvotim për zgjedhjet lokale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë sot tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.

    Nga tërheqja e shortit renditja e partive politike në fletëvotime do të jetë si vijon:

    Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë numrin 105

    Partia Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 191

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 113

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta ketë numrin 174

    Lista Serbe në fletëvotim do ta ketë numrin 170

    Nisma Socialdemokrate do ta ketë numrin 186

    Partia Guxo do ta ketë numrin 118

    Alternativa do ta ketë numrin 103

    Subjekti Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin do ta ketë numrin 101

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se procesi për zgjedhjet lokale ka hyrë pothuajse në fazën përfundimtare. Ai tha se zgjedhjet janë themeli i demokracisë.

    “Zgjedhjet janë themeli i një demokracie pasi përmes tyre qytetarët shprehin vullnetin politik duke zgjedhur përfaqësuesit në nivel in qendror dhe lokal. Në këtë drejtim, KQZ ka detyrë të rëndësisë së veçantë, të sigurojë proceset zgjedhore në Kosovë të jenë të lira, të drejta, transparente, të mbështetura në Kushtetutë, Ligjin për Zgjedhjet dhe të mbështetura në standardet më të mira ndërkombëtare”, tha ai para të pranishmëve në këtë ngjarje.

    si drejtues i KQZ-së u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike e kandidatëve që të angazhohen për një proces zgjedhor duke respektuar ligjet e rregullat zgjedhore në fuqi.

    “Zgjedhjet nuk janë vetëm një garë për pushtet, por edhe një proces i rëndësishëm për demokracinë. Vlerësoj që secili prej nesh ka përgjegjësi për mbarëvajtjen e këtij procesi”, deklaroi Radoniqi.

    Për zgjedhjet lokale të 12 tetorit janë të certifikuara 93 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

  • Sot hidhet shorti për renditjen e partive, subjektet politike do të mësojnë numrin e tyre për zgjedhjet lokale

    Sot hidhet shorti për renditjen e partive, subjektet politike do të mësojnë numrin e tyre për zgjedhjet lokale

    Mbi 90 përfaqësues të subjekteve politike sot do të tërheqin shortin për renditjen e tyre në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

    Procesi i tërheqjes së shortit është paraparë të nis në orën 11:00 dhe do të mbahet në objektin e komunës së vjetër në Prishtinë.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se shorti do të zhvillohet në mënyrë të hapur, duke garantuar transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse.

    Fushata zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme do të nisë më 13 shtator dhe do të përfundojë para hapjes së qendrave të votimit më 12 tetor, në orën 06:59.