ATV

Category: ZGJEDHJET

  • Kronika zgjedhore: Dita 2 e fushatës zgjedhore

    Kronika zgjedhore: Dita 2 e fushatës zgjedhore

    Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë zhvilluar aktivitetet e tyre politike.
    Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të aktiviteteve kryesore.

  • Shokuese: Lista Serbe nis fushatën me lavdi për terroristin e Banjskës

    Shokuese: Lista Serbe nis fushatën me lavdi për terroristin e Banjskës

    Në tubimin e parë zgjedhor në veri të Mitrovicës, Lista Serbe ka nisur fushatën jo me programe për mirëqenien e serbëve të Kosovës, por me thirrje për “çlirim të Kosovës” dhe glorifikim të terroristit Milan Radojçiq.
    “Të gjithë për vëlla Milanin” ishte njëra nga parullat kryesore të mbrëmshme, ndërsa tubimi filloi me intonimin e himnit të Serbisë. Në vend të diskutimit për problemet sociale të komunitetit serb, folësit sulmuan qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

    Milan Radojçiq, emri i të cilit u brohorit në tubim, është i kërkuar për terrorizëm dhe krime lufte. Ai akuzohet si udhëheqës i grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë në vitin 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Gjithashtu, Gjykata e Prishtinës ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij dhe 19 serbëve të tjerë, të dyshuar për krime lufte gjatë viteve ’90, përfshirë vrasjen e 106 civilëve shqiptarë në Gjakovë dhe keqtrajtimin e mbi 300 të tjerëve.

    Njohës të politikës dhe sigurisë e cilësojnë këtë fushatë si të dirigjuar nga Beogradi, me retorikë të rrezikshme që synon destabilizimin e Kosovës:

    “Ata po mundohen me çdo kusht t’i kthejnë strukturat paralele që i kanë humbur. Kandidatët e Listës Serbe duhet të verifikohen mirë dhe fushata e tyre të monitorohet strikt”, tha njohësi i politikës, Jeton Maliqi.

    Ndërsa Arben Dashevci, njohës i sigurisë, tha se “Këto thirrje në aspektin e sigurisë janë shqetësuese. Lista Serbe po e vazhdon politikën dirigjuese nga Beogradi, për ta mbajtur veriun nën kontroll me shantazhe dhe dezinformata”.

    Pavarësisht përpjekjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk dha përgjigje për këtë situatë. Por ekspertët e sigurisë kërkojnë që organet e drejtësisë të nisin hetime për nxitje urrejtjeje dhe mbështetje të terrorizmit.

    Ky tubim dëshmon se Lista Serbe mbetet instrument i Beogradit për të tensionuar veriun dhe për të minuar shtetin e Kosovës.

  • KQZ vazhdon fushatën informuese për zgjedhjet e 12 tetorit në komuna të ndryshme

    KQZ vazhdon fushatën informuese për zgjedhjet e 12 tetorit në komuna të ndryshme

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, përmes një fushate informuese në komuna të ndryshme të vendit.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se komisionet komunale të zgjedhjeve në komunat Gjakovë, Mitrovicë e Jugut dhe Junik kanë organizuar tryeza informuese me përfaqësues të subjekteve politike.

    “Gjatë këtyre takimeve janë trajtuar çështje kyçe të procesit zgjedhor, përfshirë: Regjistrimin për votim të personave me nevoja të veçanta, votimin jashtë Kosovës, si dhe mënyrat dhe procedurat e votimit. Nominimet dhe formula e trupave menaxhuese të zgjedhjeve (Këshillat e Vendvotimeve, Qendrat e Votimit me Kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe Qendrat Komunale të Numërimit), si dhe Fushata zgjedhore”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, KQZ ka theksuar se pjesëmarrësit janë informuar në detaje për të gjitha fazat e procesit zgjedhor dhe janë inkurajuar të ndajnë informacionet me komunitetin e tyre, me qëllim që të rritet vetëdija qytetare dhe përgatitja për ditën e votimit.

  • Nis debati zgjedhor në ATV, sonte nga ora 20:30

    Nis debati zgjedhor në ATV, sonte nga ora 20:30

    Sonte nis cikli i debateve zgjedhore në emisionin “CONTEXT” me moderatorin Leart Hoxha, në televizionin ATV, duke filluar nga ora 20:30.

    Debati do të sjellë ballafaqim mes kandidatëve përmes fakteve dhe argumenteve rreth qeverisjes së ardhshme katërvjeçare. Qytetarët do të kenë mundësi të marrin pjesë duke dërguar pyetje për kandidatët, të cilat do të adresohen gjatë emisionit.

    Pjesë e programit do të jenë edhe raportet për realizimin e premtimeve zgjedhore, që do të transmetohen çdo natë nga ora 20:30, deri në ditën e zgjedhjeve.

    Misioni i emisionit është t’i japë më shumë context problemeve lokale dhe debatit politik.

  • Haradinaj: Kosova po i kalon në ditë të errëta, na duhet dritë

    Haradinaj: Kosova po i kalon në ditë të errëta, na duhet dritë

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në hapjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet komunale, u shpreh falënderues për të gjithë përkrahësit e kësaj partie.

    Në fjalën e tij, Haradinaj tha se me kandidaturën e AAK-së, ka shpresë për komunat e Kosovës.

    “Një pamje që të jep shpresë, edhe na bind që për Kosovën do të ketë dritë, për komunat do të ketë dritë, për komunat e Kosovës do të ketë dritë. Kosova po i kalon në ditë të errëta, na duhet dritë. Nuk jeni vetëm parti politike. Emrat e kolegëve të nderuar, janë më shumë se parti politike, jeni qeverisja e mirë, qeverisja e duhur për qytetarët tuaj, për komunat tuaja. Ju jepi dritë përmes qeverisjes, jepni shpresë, jepni jetë qytetarëve tuaj, komunës suaj”, tha Haradinaj.

  • Memli Krasniqi për nisjen e fushatës zgjedhore: Më 12 tetor, zgjedhja është e qartë – PDK 191

    Memli Krasniqi për nisjen e fushatës zgjedhore: Më 12 tetor, zgjedhja është e qartë – PDK 191

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka nisur sot zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke publikuar një video-mesazh drejtuar qytetarëve të Kosovës.

    Në deklaratën e tij, Krasniqi rikujtoi se katër vite më parë PDK-ja fitoi besimin për të udhëhequr në më së shumti komuna të vendit, dhe se ky besim iu kthye qytetarëve me punë, projekte dhe rezultate konkrete.

    “Edhe këtë herë, zgjedhja është e qartë: për qeverisje të përgjegjshme, projekte konkrete dhe një komunë që ecën vetëm përpara. Më 12 tetor, ekziston mundësia për ta bërë Ma Mirë komunën tuaj: PDK – 191!”, u shpreh Krasniqi.

    Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor, ku PDK synon të ruajë dhe të rrisë numrin e komunave që qeveris, duke prezantuar modelin e saj të qeverisjes #MaMirë.

  • Nis fushata për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës – në garë 93 subjekte politike

    Nis fushata për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës – në garë 93 subjekte politike

    Sot, më 13 shtator ka nisur periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për Zgjedhjet Lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, ndërsa përfundon më 12 tetor, në orën 06:59.

    Lëvizja Vetëvendosje ka hapur fushatën zgjedhore të premten në ora 19:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa sot vazhdojnë partitë tjera, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, etj.
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës më 6 shtator ka konfirmuar listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sipas së cilës do të kenë të drejtë vote 2.069.098 persona.

    “Sipas të dhënave nga lista e votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Republikën e Kosovës është 2.025.105 votues, ndërsa numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë jashtë Kosovës është 43.993 votues”, është bërë e ditur në njoftim.

    Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 938 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 93 subjekte – 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

    KQZ po ashtu ka miratuar përmbajtjen dhe dizajnin e fletëvotimeve për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
    Do të jenë dy fletëvotime, njëra për zgjedhjen e kryetarit të Komunës dhe tjetra për zgjedhjen e anëtarëve të Kuvendeve Komunale.

    Sipas vendimit të KQZ-së, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunave do të shtypen 1,800,410 fletëvotime dhe po aq, 1,800,410, edhe për zgjedhjet për Kuvende Komunale. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave e Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë.

    Ndërkaq, për të gjithë ata që mund të kenë dilema për qendrën e votimit, mund ta verifikojnë atë.

    KQZ fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të kontrollojnë adresën e qendrës së tyre të votimit.

    Për ta bërë këtë në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë, KQZ ka vënë në dispozicion platformën elektronike: https://qv.kqz-ks.org

    “Duke e vizituar këtë faqe, çdo qytetar mund të informohet saktësisht se në cilën qendër mund të votojë më 12 tetor 2025, duke shmangur paqartësitë apo vonesat në ditën e zgjedhjeve. Platforma elektronike e KQZ-së do të jetë e qasshme vazhdimisht, përfshirë edhe ditën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

  • AAK hap fushatën zgjedhore nesër në Prishtinë në ora 13:00

    AAK hap fushatën zgjedhore nesër në Prishtinë në ora 13:00

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të hapë nesër, më 13 shtator 2025, fushatën për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025.

    “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të hapë zyrtarisht fushatën për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025, nesër, më 13 shtator 2025, duke filluar nga ora 13:00, në Hotel Venus, Prishtinë. Ju ftojmë ta ndiqni këtë ngjarje!”

  • Uran Ismaili e hap fushatën zyrtare për kryetar të Prishtinës më 13 shtator nga ora 19:00 në Sheshin “Skënderbeu”

    Uran Ismaili e hap fushatën zyrtare për kryetar të Prishtinës më 13 shtator nga ora 19:00 në Sheshin “Skënderbeu”

    Uran Ismaili e hap fushatën zyrtare për kryetar të Prishtinës më 13 shtator nga ora 19:00 në Sheshin “Skënderbeu”

    Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në hapjen zyrtare të fushatës së tij “Koha për Prishtinën”, e cila do të mbahet nesër nga ora 19:00 në Sheshin “Skënderbeu”.

    “Është një moment vendimtar për Prishtinën, mos rri anash,” ka thënë Ismaili, duke theksuar se kjo ngjarje do të shënojë nisjen e një fushate për një Prishtinë funksionale dhe të jetueshme.

    Në hapje, ai do të prezantojë kandidatët për Asamble Komunale nga lista e tij, si dhe do të shpalosë zgjidhjet e tij për problemet më të mëdha të Prishtinës.

  • Kandidatët për kryetar të Vushtrrisë pinë kafe bashkë para nisjes së fushatës, i mbledh kryetari aktual

    Kandidatët për kryetar të Vushtrrisë pinë kafe bashkë para nisjes së fushatës, i mbledh kryetari aktual

    Kandidatët për kryetar të Vushtrrisë në një gjest të rrallë janë mbledhur për të pirë kafe bashkë pak para nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale.

    Nikoqir i ngjarjes u bë kryetari aktual, Ferit Idrizi, kandidat i PDK-së që po e synon edhe një mandat, i cili tha se para nisjes së aktiviteteve zgjedhore, “detyra e parë” e tyre ishte të shpërndanin një mesazh qytetarie.

    “Na ndajnë vetëm edhe pak orë nga nisja e fushatës. Këtë mëngjes në Vushtrri u takuam miqësisht me kundërkandidatët për kafe. Na pret një muaj plot aktivitete, por për ne mbetet detyrë e parë të përcjellim mesazhin e qytetarisë dhe të bëjmë një fushatë të ndershme.

    “Vushtrria është mbi çdo garë”, shkroi Idrizi, i cili i falënderoi kundërkandidatët e tij që e pranuan ftesën për kafe.

    “Faleminderit të gjithëve që pranuat ftesën. Na priftë e mbara!”.