ATV

Category: ZGJEDHJET

  • Fushata e PDK-së, projektet dhe premtimet e kandidatëve për komunat e Kosovës

    Fushata e PDK-së, projektet dhe premtimet e kandidatëve për komunat e Kosovës

    Në kuadër të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, edhe kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës po prezantojnë programet e tyre përmes vizitave në terren dhe takimeve me qytetarë.

    Në Prishtinë, kandidati i PDK-së, Uran Ismajli, përmes një video-incizim ka prezantuar projektet kryesore për Hajvalinë: Ndërtimin e një çerdheje të re, rindërtimin e Qendrës Kulturore dhe përmirësimin e Unazës me trotuare të sigurta, gjelbërim dhe park.

    Në Kaçanik, Sabedin Vishi ka kërkuar besimin e qytetarëve duke u zotuar për një udhëheqje që është pranë njerëzve çdo ditë. Ai përmes sloganit #Mamirë#PërKaçanikun premton përkushtim dhe qeverisje të afërt me qytetarët.

    Arian Tahiri, kandidati për kryetar të Mitrovicës, ka zhvilluar takime me biznese lokale duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes komunës dhe sektorit privat. Ai ka përmendur zhvillimin profesional të të rinjve dhe mbështetjen për bujqësinë si prioritete të programit të tij.

    Në Lipjan, Shukri Buja ka identifikuar problemet në transportin publik përmes një udhëtimi simbolik me autobus, ku ka premtuar ndërtimin e një stacioni të ri, lidhje të rregullta me fshatrat dhe transport falas për nxënësit.

    Në Prizren, Shaqir Totaj ka theksuar potencialin turistik dhe historik të qytetit përmes një vizite me gazetarin shqiptar Blendi Fevziu. Ai ka theksuar rëndësinë e promovimit të vlerave kulturore për zhvillimin ekonomik dhe identitetin kombëtar.

    Në Vushtrri, Ferit Idrizi ka vizituar objektin e ri të Kryqit të Kuq nga ku ka theksuar rëndësinë e përkrahjes për institucionet humanitare dhe ka premtuar përkushtim të vazhdueshëm për ofrimin e kushteve më të mira për qytetarët.

  • Aktive gratë kandidate nga NISMA, premtojnë mbështetje për të gjitha kategoritë

    Aktive gratë kandidate nga NISMA, premtojnë mbështetje për të gjitha kategoritë

    Në ditën e gjashtë të fushatës zgjedhore, lideri i NISMA Socialdemokrates, Fatmir Limaj zgjodhi Vushtrrinë, që të kërkojë votë për kandidaten për këtë komunë, Xhevahire Izmaku.

    Në takim me qytetarët Limaj thotë se një grua në krye të Komunës është zgjidhje e duhur për Vushtrrinë.

    Mbështetje për gratë që janë kryefamiljare premtoi, Xhevahire Izmaku, duke kritikuar në anën tjetër pushtetin aktual se nuk ka ofruar mbështetje deri më tani për këto gra.

    Aktive gjatë të enjtes ishte edhe kandidatja tjetër grua nga kjo parti, Albulena Balaj Halimaj. Ajo premtoi transport të përballueshëm për nxënësit në Prizren, ndërkaq udhëtim falas për personat që i takojnë rasteve sociale.

  • Kandidatët e Vetëvendosjes vazhdojmë bashkëbisedimet me qytetarë

    Kandidatët e Vetëvendosjes vazhdojmë bashkëbisedimet me qytetarë

    Bashkëbisedime me qytetarë, takime me gra dhe vizita tek klubet e sportit ose në biznese të ndryshme, bënë në ditën e gjashtë kandidatët për kryetarë e aktivistë të Vetëvendosjes. Të shpërndarë në shumë komuna, ata po shpalosin pikat e programit të tyre dhe po zotohen se premtimet do t’i realizojnë.

    Kandidati për kryetar të Prishtinës, Harjulla Ceku thotë se disa lagje janë degraduar. I njëjti po premton kthimin e identitetit të tyre historik.

    Shpejtim Bulliqi i cili synon të jetë në krye të Podujevës edhe për katër vjet gjatë të enjtes derisa premtoi se do të vazhdojnë ta transferojnë Podujevën, ndau në Facebook edhe rinovimin e ish-hotelit “Llapi” që tash është shndërruar në një galeri.

    Se punën për transformim do ta vazhdojë, premtoi edhe kryetari aktual që po kërkon votën edhe për një mandat për Kamenicën, Kadri Rahimaj. Si njoftoi se tashmë rrugët në fshatin Feriqevë kanë përfunduar.

    E kandidati për Ferizaj, Enver Haliti thotë se qëllimi është i qartë – një Ferizaj ndryshe.

    Planet për arsim nën qeverisjen e tij, të enjten i shpalosi kandidati për Lipjanin, Ilir Qeriqi.

    Takime me qytetarë ka zhvilluar edhe kandidati për kryetar të Obiliqit, Halil Thaci, i cili thotë se do të jetë “zgjidhja” për nevojat e banorëve të kësaj komune.

    Ndërkaq, Uji i pijes, trotuari e kanalizimi thotë se nuk do të jenë më problem i Fushticës, nëse veç besimin për kryetare e merr Egzona Tërdevci.

  • Dita e gjashtë e fushatës, AAK premton zhvillim në secilën komunë

    Dita e gjashtë e fushatës, AAK premton zhvillim në secilën komunë

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hyrë në ditën e gjashtë të fushatës zgjedhore të 12 tetorit.

    Në Prishtinë, kandidati i AAK-së, Bekë Berisha, është zotuar për mbështetje financiare për personat që jetojnë me epilepsi. Ai ka premtuar se çdo vit do të ndahen nga 1,000 euro për secilin prej tyre, duke e cilësuar këtë si të drejtë themelore, jo premtim elektoral.

    Në Deçan, kryetari aktual Bashkim Ramosaj, i cili synon një mandat të ri, ka risjellë në fokus projektin e Lumbardhit dhe premton zhvillim të mëtejshëm

     

    Në Gjilan, Nazmi Gagica prezantoi kabinat e telemjekësisë për konsultime mjekësore në qytet dhe fshatra.

    Në Klinë, kryetari aktual Zenun Elezaj teksa ka promovuar parkun e ri në fshatin Zabergjë, premtoi se projekte të ngjashme rekreative do të realizohen në mandatin e ardhshëm.

    Ndërkohë, në Prizren, kandidati Besnik Krasniqi ka nisur fushatën me shoqatat e dala nga lufta, duke premtuar një qendër multifunksionale për veteranët.

    Në Suharekë, kryetari aktual Bali Muharremaj ka prezantuar platformën “Thirrja e Parë” për lidhje të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe ndërmarrjes publike.

    Në ditën e gjashtë, AAK-ja në Shtime prezantoi listën e kandidatëve për Asamble, në krye me Ramë Bislimin.

  • Dita e gjashtë e fushatës, kandidatët e LDK-së me fokus në zhvillim, kulturë dhe mirëqenie sociale

    Dita e gjashtë e fushatës, kandidatët e LDK-së me fokus në zhvillim, kulturë dhe mirëqenie sociale

    Ndërsa fushata për zgjedhjet lokale hyn në ditën e gjashtë, kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës po intensifikojnë angazhimet e tyre nëpër komunat e vendit.

    Në Prishtinë, kryetari aktual Perparim Rama, kandidat për mandat të dytë, thekson transformimin e qytetit përmes ndërtimit të rrugëve kryesore.

    Ai njoftoi gjithashtu nisjen e projektit “Park & Ride”, që synon lehtësimin e trafikut dhe mbrojtjen e mjedisit në kryeqytet.

    Në Deçan, kandidati Jeton Mushkolaj gjatë vizitës në Strellcin e Epërm premtoi se do të jetë prioritet në investime dhe do të përfshihet me kuadro të dedikuara në kabinetin qeverisës komunal.

    Në Gjilan, Arber Ismajli thekson rëndësinë e mbështetjes së artit dhe kulturës si shtylla kryesore të zhvillimit lokal, duke premtuar përkrahje të veçantë për krijuesit dhe artistët.

    Në Lipjan, kryetari aktual Imri Ahmeti premtoi fillimin e projekteve të reja rrugore që do të përmirësojnë infrastrukturën dhe qarkullimin në qytet.

    Në Obiliq, Xhafer Gashi shfaq ndryshimet pozitive me rehabilitimin e Qendrës Kulturore, duke përmendur përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve për komunitetin.

    Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj premtoi krijimin e “Zonave Kreative” që do të ofrojnë hapësira pune për të rinjtë dhe artistët.

    Kryetari aktual i Vitisë, Sokol Haliti, kandidat për mandat të dytë, premton të vazhdojë mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e ekoturizmit.

    Ndërsa Ilir Ferati në Istog, gjatë vizitës së familjes Rugova, nënvizoi rëndësinë e trashëgimisë dhe përkushtimit të LDK-së në zhvillimin politik dhe shoqëror të komunës, duke garantuar se rrugëtimi për një Istog më të mirë do të vazhdojë fuqishëm.

  • Zgjedhjet lokale të 12 tetorit, KQZ nis dërgimin e fletëvotimeve për votuesit nga diaspora

    Zgjedhjet lokale të 12 tetorit, KQZ nis dërgimin e fletëvotimeve për votuesit nga diaspora

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 44 mijë votues jashtë vendit.

    Këtë shërbim KQZ-ja po e ofron për herë të parë për zgjedhjet lokale, ndërsa synon ta përfundojë të gjithë procesin e shpërndarjes së pakove me fletëvotime brenda kësaj jave.

  • Kronika zgjedhore: Dita 5 e fushatës zgjedhore

    Kronika zgjedhore: Dita 5 e fushatës zgjedhore

    Në ditën e pestë të fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë zhvilluar aktivitetet e tyre politike.
    Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të aktiviteteve kryesore.

  • PZAP rrëzon ankesën e PDK-së, Peci nuk përdori fjalën ‘qen’, por ‘çun’ ndaj Tahirit

    PZAP rrëzon ankesën e PDK-së, Peci nuk përdori fjalën ‘qen’, por ‘çun’ ndaj Tahirit

    Paneli Zgjedhor per Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), në lidhje me deklaratat e kandidatit për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ndaj kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri.

    Në vendimin e PZAP-së, shkruan se PDK-ja ishte ankuar se më datë 14.09.2025, në emsionin “Context” në ATV, kandidati i LVV-së, Faton Peci ka përdorur gjuhë tërësisht fyese ndaj kandidatit Arian Tahiri, duke e përdorur fjalën “Eh more qen”.

    Mirëpo, sipas PZAP-së, një gjë e tillë nuk ka mundur të vërtetohet nga ana e tyre, dhe se në bazë të materialit procedural dhe shkresave të lëndës, “Paneli vlerësoi se nuk ka mundur në asnjë mënyrë të dëshifrohet shprehja e pretenduar nga ana e palës ankuese.”

    PDK-ja kishte pretenduar se gjatë kohës që kandidati Tahiri po fliste në debat, kundërkandidati i tij Faton Peci i drejtohej atij me fjalët “Eh more qen”, e cila deklaratë sipas PDK-së, është një shprehje tërësisht fyese dhe denigruese.

    Mirëpo, sipas PZAP-së, në një përgjigje në ankesë të paraqitur nga Vetëvendosje, theksohet se nga shqyrtimi i video-incizimit, dëgjohet se Faton Peci ka përdorur fjalën “çun” e jo “qen”.

    “Se bëhet fjalë për fjalën “çun” dëshmon edhe fakti se nuk pati reagim as nga ana e moderatorit e as nga ana e kandidatit të PDK-së. Pretendimi i palës ankuese se është përdorur fjala “qen” bie ndesh me provat faktike”- shkruan në arsyetimin e vendimit.

    Zgjedhjet Lokale në Kosovë do të mbahen më 12.10.2025. Fushata zgjedhore ka nisur më 13.09.2025.

    Kandidatët për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut janë: Faton Peci nga LVV, Arian Tahiri nga PDK, Qazim Nimani nga AAK dhe Gëzim Plakolli nga LDK.  Në mandatin e fundit, Tahiri ka qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut ndërsa Faton Peci ka qenë Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

    Në garë për nivelin lokal janë 93 subjekte politike: 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, të gjitha të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

    Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta lexoni KËTU.

  • KPM: Tani qytetarët e Kosovës mund të ankohen për përmbajtjet në TikTok, përgjigja vjen brenda 24 orëve

    KPM: Tani qytetarët e Kosovës mund të ankohen për përmbajtjet në TikTok, përgjigja vjen brenda 24 orëve

    Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka krijuar një mekanizëm të ri bashkëpunimi me zyrën e TikTok-ut në Evropë, përmes të cilit qytetarët e Kosovës mund të paraqesin ankesa për përmbajtje në këtë platformë.

    Ky bashkëpunim ka për qëllim adresimin e dy kategorive kryesore të shqetësimeve: përmbajtjet që mund të ndikojnë në integritetin e zgjedhjeve lokale dhe shkeljet e standardeve mediale edhe jashtë periudhave zgjedhore.

    Kryetari i KPM-së, Besnik Berisha, e bëri të ditur këtë marrëveshje gjatë intervistës në Përballje Podcast në Telegrafi.

    “Si Komision i Pavarur për Media jemi pajtuar me drejtorin e TikTok-ut për Evropë që çdo ankesë e adresuar përmes KPM-së të trajtohet direkt nga platforma. TikTok është zotuar që brenda 24 orëve të japë përgjigje për çdo rast,” tha Berisha.

    Sipas tij, ky kanal i drejtpërdrejtë komunikimi me TikTok-un siguron që çdo përmbajtje e dyshuar për shkelje të privatësisë, përmbajtje të papërshtatshme ose me potencial për dëm të madh, të shqyrtohet shpejt dhe me prioritet.

    “Qytetarët tani kanë një adresë të qartë për ankesat e tyre. Pas pranimit nga KPM, çdo ankesë i përcillet TikTok-ut, i cili brenda 24 orëve merr vendim për përmbajtjen,” theksoi Berisha.

  • Fushata zgjedhore: PZAP pranon ankesat e para

    Fushata zgjedhore: PZAP pranon ankesat e para

    Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka nisur zyrtarisht më 13 shtator.

    Gjatë kësaj periudhe, subjektet politike dhe kandidatët për kryetarë komunash po zhvillojnë takime me qytetarët, duke dhënë premtime të shumta në rast se arrijnë të fitojnë mandatin, transmeton Telegrafi.

    Ndërkohë, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kanë filluar të paraqiten ankesat e para nga subjektet politike.

    Deri tani, janë dorëzuar disa ankesa, Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur ankesë ndaj Partisë Demokratike të Kosovës dhe Listës Serbe.

    Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar ankesë ndaj kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci.

    Po ashtu, Lista Serbe ka bërë ankesë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

    Për momentin, PZAP nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me këto ankesa.

    Fushata zgjedhore do të zgjasë deri më 12 tetor.m