Bledar Cakalli, një artist nga Shqipëria është duke e shfaqur historinë kombëtare përmes artit në shumë vende shqiptare dhe jo vetëm.
I ftuar në emisionin “A LIVE”, në ATV, Bledari teksa foli për pasionin që e ka për pikturën dhe krenarinë për historinë shqiptare, ai tha se pavarësisht rreziqeve që mbart me vete ky angazhim, ai është i vendosur të vijojë edukimin patriotik të brezit të ri e jo vetëm, përmes artit të tij.
“Kjo çka po bëj unë, është më e pakta se çfarë mund të bëjë pavarësisht se është një kauzë e madhe, unë kam pas raste kur jam kërcënu, jam përndjekë për shkak të kësaj kauzë. Një figure nuk është thjesht një figurë apo portret sepse ai ka një histori sepse atë histori e ka shkru me gjak. Unë thjesht po e mbaj amanetin se për çfarë ata kanë dhanë jetën, e kam fillu si detyrim për ringjalljen e historisë”, tha ai.
Bledari thotë se tani ka filluar edhe me një projekt të ri, që shtrihet në më shumë se 200 metra gjatësi, tek stadiumi i Dibrës së madhe, duke shtuar se pas këtij projekti pritet që të fillojë një projekt të ri në Deçan.
Për më shumë ndiqni intervistën në videon e mëposhtme:
Veshja e uniformës së policisë së shtetit për Gjelal Selimin nuk është thjesht vetëm një copë tekstili, ai në këtë uniform mban me vete përgjegjësinë dhe dashurinë që ka për vendin e tij.
Policia e një shteti krijon qetësinë e vepron për drejtësinë andaj edhe këto faktorë ishin nxitës që Gjelali ta donte edhe më shumë këtë rrugëtim.
Por asnjëherë, vështirësitë dhe sfidat nuk kanë arritur t’ia shuajnë dëshirën e tij të madhe për t’i shërbyer vendit.
Si polic trafiku nuk është e vetmja fushë të cilën e ka mbuluar Gjelal Selimi, sepse nga tereni ata janë zgjidhje për shumë probleme por shpesh edhe vet të ekspozuar para rreziqeve./atvlive.tv/
Edhe sot ka vazhduar udhëtimi pa viza nga një numër i madh i qytetarëve të Kosovës.
Ekipi i ATV-së ishte te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, nga ku po bëhen nisjet drejt vendeve të BE-së.
Disa qytetarë shprehen të lumtur që tani mund të udhëtojnë pa viza, por kishte edhe të atillë, që thanë se nuk e lëshojnë Kosovë për asgjë.
“Këtu këtë nipin tim, këtë kolegun e tij dhe atë kolegun e tij po i përcjell për Gjermani. E mua, me mi dhanë 10 mijë euro nuk shkoj në Gjermani. Unë i kam 300 copa dhen, 25 copa lopë, punoj këtu. I kam krejt fëmijët e shkolluar me fakultet. Krejt Gjermaninë me ma dhënë nuk shkoj. Në 87-tën unë kam qenë në Gjermani, kam ndejt deri në 97-tën, ku iu është dashtë me i ardhë këtij vendi, kam ardhë. Më s’ka vend veç Turqinë, Anglinë edhe Rusinë që s’i kam shkelë”, thotë një qytetarë për ATV-në.
Qëndresa Gërlica, një politikane kosovare në Belgjikë, qysh në moshë të re kontribuoj në mbrojtjen e të drejtave të shoqërisë por edhe të komunitetit të shqiptarëve, në Bruksel.
E ftuar në emisionin ‘LIBERO’, në ATV ajo shpalosi shumëçka nga jeta e saj. Ajo ndër të tjera foli edhe për babanë e saj, Bashkim Gërlicën, i cili ka qenë aktivist afër presidentit historik, Ibrahim Rrugova dhe po ashtu punonte me Anton Qetën dhe Zekeria Canën në kuadër të pajtimeve të gjaqeve, por jo vetëm.
Qëndresa rrëfeu se si babai i saj ishte i pikasur nga forcat serbe, për shkak të angazhimit të tij, në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
“Në këtë fotografi që kam zgjedhur është babi, në kohë e paraluftës dhe është koha kur babi ishte fejuar me mamin. Babi ishte shumë aktive në revolucionin kundër pushtetit serb në atë kohë dhe ka qenë i pikasur nga forcat serbe si një person shumë aktive, për të drejtat e shqiptarëve. Kjo fotografi na kujton kohën se si babi ishte detyruar ta përbi unazën e fejesës, si formë e maltretimit nga forcat serbe dhe është momenti kur mjekët ia kanë larguar unazën”, tha ajo./atvlive.tv/
U ndërtuan për të ndalur përmbytjet e fshatit, janë këto dymbëdhjetë ujëvarat në fshatin Lubizhdë të Prizrenit që secila prej tyre mbartë një histori në vete.
Kryetari i këtij fshati Nehat Vehapi thotë se kjo pjesë përveç kësaj, ka qenë pika kryesore e mullive të asaj kohe.
Ai thotë se në një oborr kanë qenë dy mulli, njëri prej tyre i përkiste një serbi.
Historia në këtë fshat nuk mbaron me kaq, interesante mbetet ajo e 150 bagëtive.
Kjo pjesë sot nuk posedon asgjë përveç gërmadhave të mullive të asaj kohe dhe 12 ujëvarave të këtij lumi që të japin qetësi.
Popullsia në fshatin Lubizhdë të komunës së Prizrenit është e përzier por të gjithë kanë të njëjtën dëshirë, rritjen e turizimit në këtë fshat piktoresk nën melodinë e ujëvarave./atvlive.tv/
Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ishte i ftuar në emisionin LIBERO në ATV, ku bëri një rrëfim ekskluziv për jetën e tij private, por edhe karrierën e bujshme muzikore.
Ai tregoi se për një kohë ka bërë një pauzë të qëllimshme që të merret me veten.
“Ka pasur faza të ngritjes, të uljes, kam pasë një fazë ku kam pauzuar qëllimisht të merrem me veten sepse kisha një fazë ku u mbingarkova shumë nga muzika. Ishte ajo koha kur unë nuk dilja i lirë në qytet prej shtëpisë nuk dilja i lirë nga fansat, nga adhuruesit edhe thash të merrem me vete, pak të largohem disi që të qetësohem. E kam marrë veten goxha”, thotë Shpati.
Ai thotë se ka pasur probleme edhe me mësyshë, nga e cila thotë se është “shëruar” pasi që ka bërë edhe ‘rukje’ te hoxha.
I pyetur se i kanë ndihmuar ‘rukjet’ për t’u çliruar nga mësyeshi, ai u përgjigj: “Patjetër. Është diçka që ti mbështetesh në besim dhe harron të kaluarën, harron gjendjen psikologjike dhe shëndetësore tënden. Përkushtohesh tek i madhi Allah”. /atvlive.tv
Këngëtarja Sidorela Kelmendi në emisionin STUDIO A në ATV, ka folur për prapaskenat e pjesëmarrjes në festivalin “Eurovision 2023”, ku Familja Kelmendi përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Duje”.
Ajo tha se është e zhgënjyer prej Eurovisionit për shkak se sipas saj, në këtë festival, më së paku kanë pasur rëndësi vlerat e artistit.
“Për neve ka qenë shumë e rëndësishme për me shku, me e marrë votën e publikut për me shku deri në Eurovision, sepse atje pastaj dihet si shkojnë gjërat. Ndoshta një grimë jam zhgënjy prej Eurovisionit si emër, sepse kam mëndu që kanë rëndësi shumë vlerat muzikore, paraqitja skenike, këngëtari, talenti gjithçka që ka të bëjë rreth muzikës, por më së paku kanë pasur rëndësi këto gjëra. Kështu që fatkeqësisht për një artist që duhet me i kalu rrugën nëpër të cilën ne e kemi kalu, që e di që ka me e kalu edhe artisti që ka me shku këtë vit”, tha Sidorela.
Sipas saj, në këtë fëtival, më shumë rëndësi kanë lidhjet se si i krijojnë shtetet se sa paraqitja e pjesëmarrësve në skenë.
“Gjithçka tjetër, lidhjet shtetërore për të cilat shteti i Shqipërisë as që është lodhur me punu. Ne e kemi bërë të pamundurën edhe për organizim edhe për gjithçka. Fatmirësisht e kemi pasë një ekip shumë të mirë që e ka Albina që na ka ndejtë gati, janë mundu me e kry punën që është dashtë edhe shteti i Shqipërisë për me i kry e që s’i kanë kry e që i kemi kry na. Dmth aty ka më shumë rëndësi se si krijohen lidhjet mes shteteve se sa paraqitja e jote në skenë, sepse paraqitja e jonë në skenë u tregua në gjysmëfinale, kemi pasë më së shumti vota për me shku, prej publikut për me shku në finale. Në finale nuk ka qenë publiku”, u shpreh Sidorela.
Ajo thotë se me pjesëmarrjen e tyre në këtë festiva, fillimisht kanë pasur komente të mira nga të gjithë, mirëpo kur ka ardhur çështja e votimit, secili e ka shikuar interesin e vendit të vet.
“Absolutisht jo, disa gjëra më së paku janë në dorën e artistit dhe artisti krejt çka duhet me e ba është që ta japë maksimumin e tij sa i përket këndimit e skenës, e çka i takon atij, pjesa tjetër, e votimeve të jurisë, janë politika të ndryshme të cilat ne nuk mundemi ndoshta me i kuptu e as nuk e dimë se qysh kanë me shku. Ne kemi pasë fjalë tepër te mira prej krejtve që kanë qenë aty. Kanë qenë shumë të befasume, me organizimin tonë, me përpikërinë tonë, për gjithçka, për këngën, për paraqitjen skenike, janë befasu të gjithë, por që në fund secili e kqyr interesin e shtetit të vet dhe ne jemi një shtet i vogël, edhe Kosova edhe Shqipëria, nuk është që luajmë shumë rol në botë. Ajo dihet, unë nuk jam as e para as e fundit që po ethëm që dihet se votat e jurisë si shkojnë e tek shkojnë”, tha Sidorela. /atvlive.tv
Intervistën e plotë të saj në STUDIO A e gjeni ën videon më poshtë:
Xhuli Nura ka rrëfyer së fundmi në emisionin “Libero” për momentet e vështira që ka kaluar, duke përmendur luftën në Kosovë dhe jo vetëm.
Ajo mes lotësh tregoi se si gjatë luftës në Kosovë humbi familjarët e saj, derisa përmendi edhe kthimin e babait të saj nga Finlanda në Kosovë për të luftuar.
“Familja ime ka dhënë shumë për këtë luftë. Babi im u kthye në Kosovë për të luftuar, ndërsa ne mbetëm në Finlandë. Mamaja ime vjen nga Prekazi legjendar dhe në një mbrëmje vonë telefonoi babi dhe unë po e dëgjoja bisedën me mamin dhe në një moment babi i thotë mamit se tha kjo që po tregoj nuk është e lehtë. Ai i tregoi mamit qw gjyshin e kishin masakru edhe për mua si 8- vjeçe ka qenë shumë e vështirë me pa nanë duke u thy në një mijë copëza. Për një fëmijë është shume e ranë”, u shpreh ajo./atvlive.tv/
7-vjeçarja kosovare, Nisa Kallaba është zgjedhur fituesja e garës së 10 të matematikës në Dubai.
Nisa u shpall fituese e garave të matematikës në grupmoshën e saj, derisa në këtë garë morën pjesë fëmijë nga 42 shtete të ndryshme të botës, me mbi 2000 fëmijë pjesëmarrës.
Vogëlushja Nisa, e ftuar në emisionin e mëngjesit “Alarm”, tregoi se për të fituar garën, ajo duhej të përfundonte 40 detyra të matematikës, brenda 3 minutave.
“Unë jam e gëzuar shumë. Atje ka qenë qyteti më i bukur dhe më ka pëlqyer shumë. Ka qenë garë jo shumë e vështirë dhe unë jam gëzuar shumë që e fitova vendin e parë”, tha ajo./atvlive.tv/