ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Lakra e Brukselit, njihuni me vlerat e saj

    Lakra e Brukselit, njihuni me vlerat e saj

    Lakra e vogël e njohur si Lakra e Brukselit, ndoshta futet në listën e ushqimeve më pak të preferuara, veçanërisht nga fëmijët, të cilët nuk rendin pas perimeve. E megjithatë, këto lakra të pafaj janë aq të pasura me vlera ushqimore, sa organizmi do të na e dinte për nder po t’i konsumonim rregullisht.

    Së pari, lakrat a Brukselit kanë një nivel më të lartë proteinash se të gjitha perimet e mbledhura së bashku, por edhe vitamina dhe minerale, që i bëjnë këto kokrra të vogla, të nevojshme për tryezën tonë.

    Këto perime të Mesdheut kanë nisur të kultivohen së fundmi edhe në Shqipëri, kryesisht në Lushnje dhe Divjakë dhe serviren edhe në restorante. Bashkë me rukolën dhe finokun, lakrat e Brukselit po shihen si shumë interesante nga fermerët dhe konsumatorët.

    Lakra e vogël mbron ADN-në

    Lista mbi vlerat e lakrës së vogël nis me mbrojtjen që ajo i jep ADN-në, ose molekulës që përmban të gjitha karakteristikat tona gjenetike. Përbërësit që gjenden tek lakra e vogël bllokojnë aktivitetet e dëmshme të disa enzimave, shënjestra e të cilave janë padyshim molekulat e ADN-së në qelizat e bardha të gjakut.

    Mbështet sistemin kardiovaskular

    Një nga vlerat më të famshme të lakrës së vogël është aftësia për të mbajtur nën kontroll inflamacionin dhe shëruar enët e gjakut nga dëmet e shkaktuara prej tij.

    Lakra e vogël përmban një sërë elementësh që parandalojnë sëmundjet e zemrës. Burim i pasur fibrash Ne kemi nevojë për shumë fibër në dietën tonë, në mënyrë që të kemi një sistem tretës sa më të mirë. Këto perime janë një burim i pasur fibrash dhe në një racion prej 100 gramësh do të merrni 4 gramë fibër. Kjo sasi është 15% e dozës së rekomanduar ditore për femrat.

    Ofrojnë Vitaminën K

    Lakrat e vogla janë veçanërisht të pasura me Vitaminë K, për të cilën kemi nevojë të mbajmë kockat shëndetplotë dhe të parandalojmë kalcifikimin e trupit.

    Mjafton një filxhan me lakra të vogla në ditë, që ju të merrni dyfishin e dozës së rekomanduar ditore të vitaminës K për të cilën keni nevojë.

    Ndihmon me detoksifikimin

    Vlerat shëndetësore të lakrës së vogël përfshijnë edhe aftësinë e saj për detoksifikimin e organizmit. Lakra e vogël përmban një substancë të quajtur glucosinolates, që ndihmon enzimat në proçesin e detoksifikimit.

  • Sipas mjekëve këto janë arsyet pse flokët bien më shumë në pranverë se në vjeshtë

    Sipas mjekëve këto janë arsyet pse flokët bien më shumë në pranverë se në vjeshtë

    Rënia e flokëve është një problem shqetësues për shumë individë. Kjo gjë vjen nga një sërë shkaqesh siç janë: stresi, sëmundjet, pakujdesia apo trashëgimia.

    Por një tjetër faktor që luan rol të madh në ndryshimin e gjendjes së flokut tonë është edhe ndërrimi i stinëve. Pikërisht pranvera, stina në të cilën ndodhemi momentalisht, është një ndër më problematiket.

    Me fillimin e pranverës, jo vetëm natyra rigjallërohet, por edhe trupi i njeriut. Cikli jetësor i qelizave ndryshon dhe kjo çon në rinovimin e tyre me intensitet më të lartë. Si rezultat, lëkura fillon të “zhvishet” dhe rrjedhimisht fillon edhe humbja e flokëve. Por ju nuk duhet të shqetësoheni për këtë fenomen pasi është totalisht normal për të gjithë njerëzit. Humbja e flokëve në stinën e pranverës është një gjë e natyrshme e zhvillimit të flokëve.

    Sipas mjekëve shkaqet kryesore të humbjes së flokëve në pranverë janë:

    * Kushtet klimatike, të cilat ndikojnë në ekuilibrin hormonal në trup dhe në këtë mënyrë në fazat e rritjes së flokëve.

    * Poret e bllokuara të kokës, të shkaktuara nga djersa nën ndikimin e temperaturave.

    * Ekspozimi i tepruar ndaj diellit (rrezet ultravjollcë).

  • Pesë ushqime që shkaktojnë probleme me hormonet – Këshillat që ju duhen

    Pesë ushqime që shkaktojnë probleme me hormonet – Këshillat që ju duhen

    Problemet me hormone janë nga ato gjendje të cilat trupi i përkthen në shenja të menjëhershme.

    Këtu mund të përmendim problemet me lëkurën si aknet, rënien e flokëve, shtimin në peshë, problemet me dhëmbët e një sërë të tjera.

    Këto probleme mund t’i përjetoni në faza të ndryshme të jetës dhe mund të prekin këdo pa dallim.

    Në këtë pikë gjithçka që mund të bëni është ta ndihmoni trupin tuaj në mënyrë që të gjejë balancat e duhura.

    Në këtë artikull gjeni 5 ushqimet më të këqija që prishin balancën e hormoneve tuaja:

    Bulmeti
    Një nga më të njohurit në këtë listë është padyshim bulmeti.

    Ekspertët thonë se ushqimet me bazë bulmetin janë më të vështira për t’u tretur dhe mund të shkaktojnë lehtë inflamacion në organizëm.

    Gjithashtu personat që konsumojnë shpesh bulmet rrezikojnë të vuajnë nga diabeti dhe nivelet e larta të kolesterolit.

    Qumështi përmban hormone të cilat ndikojnë në prishjen e balancës së hormoneve tuaja e sidomos tek gratë duke shkaktuar probleme me vezoret.

    Kafja, çaji dhe pijet me gaz
    Një grup pijesh shumë i preferuar nga shumica e njerëzve, nga i cili duhet pasur kujdes.

    Konsumimi i përditshëm i tyre rrit nivelet e kortizolit në trup i cili prek hormone të cilat rregullojnë nivelin e stresit.

    Kështu me gjasë do të keni cikle gjumi të çrregullta, më shumë adrenalinë që ndikon keq në sistemin tuaj imunitar.

    Ushqimet me sheqer
    Me siguri kur konsumoni një çokollatë apo biskotë të vogël të pasur me sheqer nuk mendoni se sa dëm shkakton në organizmin tuaj.

    Përtej peshës që shtoni, sheqeri ndikon për keq edhe në balancën e hormoneve tuaja.

    Rritja e niveleve të glukozës në trup ndikon negativisht në lëkurë dhe rrit frekuencën e puçrrave.

    Ushqimet e përpunuara
    Këtu mund të fusim një sërë ushqimet që nga mishi, salami, konservat e çdo gjë tjetër që përmban konservantë.

    Pak a shumë ushqime që njerëzit i përdorin në përditshmëri të cilat mbartin një rrisk me vete.

    Së pari do të keni probleme me peshën, metabolizmin dhe tretjen për shkak të sasive të mëdha të kripës dhe konservuesve.

    Gjithashtu këto ushqime ndikojnë negativisht edhe në punën e hormoneve tuaja në trup kështu që mbajini larg.

    Karbohidratet
    Kur vjen puna tek hormone, karbohidratet janë ushqimi më i keq që mund të konsumoni.

    Karbohidratet ndikojnë drejtpërdrejtë tek nivelet e kortizolit e për rrjedhojë krijojnë çrregullime në sistemin tuaj.

    Tek to futen të gjithë ushqimet me bazë brumi, patatet e skuqura, ushqimet me sheqer apo pijet me gaz.

    Në vend të tyre konsumoni më shumë mish të freskët dhe proteina për të mbajtur hormone në balancë./AgroWeb.org

  • Njerëzit inteligjentë mund të vuajnë më shumë nga ankthi, por pse?

    Njerëzit inteligjentë mund të vuajnë më shumë nga ankthi, por pse?

    Shpesh thuhet se inteligjenca e lartë është një dhuratë, por ky “bekim” mund të sjellë me vete edhe disa sfida të fshehura, një prej tyre edhe ankthi. Por përse ndodh kjo?

    Pse njerëzit me inteligjencë të lartë duket se i përjetojnë situatat me më tepër shqetësim dhe ngarkesë emocionale se të tjerët?

    Mendimi i thelluar dhe analiza e tepërt

    Njerëzit inteligjentë kanë tendencën të mendojnë në mënyrë të thelluar për çdo situatë. Ata priren të analizojnë çdo detaj dhe të mendojnë për të gjitha skenarët e mundshëm. Kjo analizë e vazhdueshme çon në lodhje mendore dhe e bën më të lehtë që shqetësimet të dalin në sipërfaqe. Në vend që të përqendrohen te zgjidhja e problemeve, personat inteligjentë shpesh ngecin në mendime për rreziqet potenciale dhe pasojat e mundshme, gjë që rrit ankthin.

    Ndjeshmëria emocionale e theksuar

    Inteligjenca shpesh shoqërohet me ndjeshmëri të lartë emocionale. Njerëzit inteligjentë jo vetëm që kuptojnë më mirë ndjenjat e tyre, por ata janë gjithashtu më të aftë të ndiejnë emocionet e të tjerëve. Kjo ndjeshmëri i bën më të prirur ndaj stresit dhe ankthit, pasi përjetojnë shqetësime edhe nga situata që i përfshijnë emocionalisht, edhe kur nuk janë direkt të prekur.

    Vetëkritika dhe kërkimi i perfeksionit

    Njerëzit me inteligjencë të lartë shpesh kanë pritshmëri shumë të larta për veten. Ata synojnë perfeksionin dhe janë tepër të ashpër me veten kur nuk arrijnë rezultate të përsosura. Kjo nevojë për të qenë gjithmonë më të mirët mund të çojë në një ndjenjë të vazhdueshme presioni dhe ankthi. Nëse diçka shkon keq, ata kanë tendencën ta mbajnë përgjegjësinë mbi vete, duke e analizuar përsëri situatën dhe duke menduar se çfarë mund të kishin bërë ndryshe.

    Ndërlidhja e kreativitetit dhe ankthit

    Studime të shumta kanë treguar se ekziston një lidhje midis krijimtarisë dhe ankthit. Inteligjenca shpesh lidhet me një mendje krijuese dhe të hapur për ide të reja. Por, po kjo mendje krijuese mund të jetë burim ankthi, pasi individi shpik skenarë të ndryshëm, duke menduar për çfarë mund të shkojë keq ose duke imagjinuar rreziqe të panjohura. Kjo ndërlidhje e mendimeve kreative dhe ankthit krijon një rreth vicioz që e bën më të vështirë largimin nga shqetësimet.

    Ndjenja e përgjegjësisë më të madhe

    Njerëzit inteligjentë shpesh ndihen më të përgjegjshëm për situatat rreth tyre. Ata e marrin shumë seriozisht çdo detyrë apo sfidë që kanë përballë dhe kjo u krijon një barrë emocionale shtesë. Ata ndihen të detyruar të gjejnë zgjidhje për çdo problem, jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Kjo ndjenjë përgjegjësie i bën më të prirur ndaj ankthit, pasi shpesh përballen me sfida që nuk kanë gjithmonë një zgjidhje të lehtë.

    Vetëdija më e lartë për pasigurinë

    Personat inteligjentë shpesh kanë një vetëdije të thellë për pasigurinë dhe të paparashikueshmen e jetës. Ata janë më të aftë të kuptojnë situatat e ndërlikuara dhe rrugët e ndryshme që mund të ndjekë një ngjarje. Ky ndërgjegjësim për paqartësitë e jetës mund të sjellë një ndjenjë të thellë ankthi, pasi janë gjithmonë në kërkim të kontrollit mbi diçka që, në të vërtetë, është e pakontrollueshme, citon Anabel.

    Si mund të menaxhohet ky ankth?

    Edhe pse njerëzit inteligjentë mund të jenë më të prirur ndaj ankthit, ekzistojnë strategji që mund të ndihmojnë. Meditimi dhe ushtrimet fizike janë disa nga mënyrat për të menaxhuar ankthin. Gjithashtu, është e rëndësishme të mësojnë të jenë më të butë me veten dhe të pranojnë që jo çdo gjë mund të jetë nën kontrollin e tyre. Vendosja e kufijve për mendimet dhe analizat mund t’i ndihmojë të shmangin spiralen e mendimeve të tepërta. /Telegrafi/

  • Pesë arsye pse zgjoheni me ankth dhe si ta menaxhoni

    Pesë arsye pse zgjoheni me ankth dhe si ta menaxhoni

    A e ndjeni ankthin më të lartë sapo zgjoheni në mëngjes? Shumë njerëz vuajnë nga një gjendje ankthi që shfaqet që në çastin e parë të zgjimit, para se të kenë hapur sytë mirë.

    Është ndjesia se duhet të kalosh pjesën e parë të ditës dhe pastaj ankthi do të qetësohet, derisa në mbrëmje, kur gjithçka duket më e lehtë, filloni të pyesni veten pse mëngjesi ishte kaq i vështirë.

    Shkaktarët e këtij ankthi të mëngjesit mund të jenë të shumtë, nga hormonet deri tek mënyra sesi organizoni rutinën tuaj. Ja disa prej tyre:

    1. Hormoni i stresit

    Kortizoli, hormoni i stresit, ndjek një cikël të përditshëm ku arrin pikën e tij më të lartë në mëngjes, e njohur si “përgjigjja e zgjimit nga kortizoli”. Ky hormon ndihmon trupin të jetë gati për të përballuar ditën, duke çliruar glukozë për energji. Por, kjo rritje natyrale e kortizolit mund të shkaktojë edhe ndjesi ankthi.

    2. Stresi nga koha

    Mëngjeset shpesh janë një garë kundër kohës. Duke u përpjekur të përgatiteni për ditën, mund të ndiheni të mbingarkuar me detyrat që kërkojnë të kryhen shpejt, si përgatitja, veshja, mëngjesi apo edhe përgatitja e të tjerëve në familje. Ky nxitim i vazhdueshëm mund të shtojë ankthin dhe të ndikojë në humorin tuaj të mëngjesit.

    3. Parashikimi i ditës

    Në mëngjes, mendja juaj fillon të mendojë për të gjitha sfidat e ditës. Duke parë gjithçka që keni për të bërë, mund të duket sikur po përballeni me një mal me vështirësi dhe pasiguri. Ndjenja se nuk e dini si do të përfundojnë gjërat apo nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, ushqen ankthin.

    4. Ndiheni të papërgatitur për sfidat

    Përveç detyrave të shumta, mund të ndiheni sikur nuk keni aftësitë e duhura për t’i përballuar ato. Mund të ndiheni të përgjumur, trupi dhe mendja akoma nuk janë zgjuar plotësisht. Kjo ndjenjë e mungesës së besimit në aftësitë tuaja e bën ditën të duket më e madhe sesa ç’duhet.

    5. Frika se po humbisni ditën

    Një ditë e re mund të ndihet si një fletë e bardhë, që supozohet ta mbushni me diçka të rëndësishme. Me mundësitë e pafundme që ofron dita, presioni për ta shfrytëzuar maksimalisht mund të bëhet burim ankthi. Ndjesia se nuk po e menaxhoni ditën siç duhet e bën të duket sikur po e “shkatërroni” atë që në fillim.

    Si ta menaxhoni ankthin e mëngjesit?

    Një mënyrë për të zvogëluar këtë ankth është të krijoni një rutinë të mëngjesit më të qetë. Mundohuni të jeni më të butë me veten, të ndani kohë për të bërë gjëra që ju qetësojnë dhe të mbani mend se nuk është e nevojshme të arrini gjithçka menjëherë. /Telegrafi/

  • ​Dita Botërore e Mbipeshës

    ​Dita Botërore e Mbipeshës

    Dita Botërore e Mbipeshës shënohet çdo 11 tetor, me qëllim që të promovohen zgjidhje praktike për ta luftuar krizën botërore të mbipeshës.

    Dita e parë e mbipeshës u shënua në vitin 2015, dhe që nga atëherë në mbarë botën kjo datë synon të rrit vetëdijen për pasojat e mbipeshës, si një nga shkaktarët kryesor të përkeqësimit të cilësisë së jetës të njeriut.

    Parandalimi i mbipeshës, fushatat vetëdijësuese, si dhe ndihma ndaj personave që vuajnë nga mbipesha, janë disa nga synimet kryesore që kjo ditë synon të arrijë.

  • Përse duhet të flini në shpinë – Përfitimet në shëndetin e lëkurës

    Përse duhet të flini në shpinë – Përfitimet në shëndetin e lëkurës

    Ka fakte interesante mes shëndetit dhe pozicionit të gjumit. Këto fakte fillojnë që nga mirëqenia e lëkurës e deri tek kockat.

    Një studim shpjegon se zakonet e këqija dhe pozicioni i gjumit mund ta bëjnë fytyrën tuaj me rrudha.

    Kjo u zbulua nga Dr. Kiran Loha, një mjek specialist i lëkurës i cili zbuloi se problemet e lëkurës lindin për shkak të pozicionit të gabuar të gjumit.

    Nëse jeni ende nën 30 vjeç, rrudhat e imëta nuk janë aq të dukshme, por nëse jeni në moshën 30 vjeç e lart, atëherë do të jetë shumë e qartë.

    Pra, cili është pozicion më i mirë dhe i saktë i gjumit?

    Ekspertët shpjegojnë se të flesh me shpinën mbështetur dhe fytyrën lart mund të sjellë një sërë benefitesh në shëndet.

    Shëndeti i lëkurës
    Siç edhe shpjeguam gjumi i mirë parandalon rrudhat në fytyrë.

    Kjo sepse shpërndarja e lëngjeve dhe gjakut në fytyrë dhe trup do të jetë shumë e njëtrajtshme e pa pengesa përveç kësaj bën që poret e lëkurës të marrin oksigjen të mjaftueshëm.

    Fjetja në këtë pozicion duke mbajtur shpinën mbështetur në dyshek është shumë e mirë për shëndetin e lëkurës së të gjithë trupit dhe jo vetëm fytyrës.

    Qarkullim i mirë i gjakut
    Fjetja mbi stomak ose pozicion anësor mund të pengojë rrjedhën e lirshme të gjakut.

    Nëse gjaku nuk qarkullon si duhet në trup do të shikoni pasoja në lëkurë apo sy te nxirë pasi zgjoheni.

    Parandalon rrudhat e fytyrës
    Për ata që pëlqejnë të flenë në pozicion anash, duhet të dinë se kjo do të ushtrojë presion mbi lëkurë në njërën anë të trupit tuaj.

    Nëse ky model fjetje ju është bërë një zakon i përnatshëm, do të ndikojë negativisht në lëkurën e fytyrës tuaj dhe në shfaqjen e rrudhave në anën ku ushtrohet presion.

    Fjetja në shpinë gjithashtu mund të ju ndalojë dhimbjen e trupit pasi zgjoheni nga gjumi.

    E kjo sepse pozicioni anësor i gjumit i bën muskujt e trupit të shtypen dhe të mos jenë të relaksuar./AgroWeb.org

  • Kur dhe pse duhet ta bëni mamografinë – Çfarë duhet të dini para analizave

    Kur dhe pse duhet ta bëni mamografinë – Çfarë duhet të dini para analizave

    Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë vendin.

    Kjo sëmundje ka tendencë rritjeje në vendin tonë dhe prek afro 600 gra dhe vajza në vit.

    Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se rreziku i sëmundjes është 45 raste të reja për 100,000 gra në Shqipëri ose thënë ndryshe 600-650 raste të reja në vit.

    Sipas ISHP-së 16.5 për qind e shqiptarëve vdesin nga kanceri dhe 1 në 7 vdekjes janë nga kanceri i gjirit.

    80 për qind e grave që preken nga kanceri i gjirit janë mbi moshën 45 vjeç.

    Masë e rëndësishme në luftën kundër kancerit të gjirit mbetet kapja e sëmundjes në fazë të hershme gjë që rrit ndjeshëm shanset e kapërcimit të sëmundjes.

    Autoritetet në vend thonë se kanë shtuar mamografitë levizëse në të gjithë vendin.

    Mamografia mund të duket si një makineri intimiduese por nëse një grua përgatitet paraprakisht, eksperienca nuk është e keqe.

    Kur duhet të bëni mamografinë

    Mosha e nisjes së mamografisë është në varësi të faktorëve të rrezikut të kancerit të gjirit. Nëse rreziku është mesatar, mjekët rekomandojnë nisjen e mamografisë që në moshën 40 vjeçare.

    Nëse rreziku është më i lartë, atëherë mjekët rekomandojnë që gratë të nisin të bëjnë mamografinë që në moshën 30 vjeç.

    Faktorët e rrezikut mund të përcaktohen vetëm nga mjeku.

    Përballja me mamografinë është e sikletshme për çdo grua. Përpara kryerjes së mamografisë ajo duhet të ndjekë këto dy këshilla të thjeshta.

    Rroba të përshtatshme

    Përpara se të shkoni tek mjeku për mamografinë, ekspertët rekomandojnë të vishni rroba të përshtatshme.

    Pra duke qenë se gruaja do të zhvishet nga mesi e lart, ekspertët thonë që ajo do të ndihet më rehat nëse është e veshur nga mesi e poshtë.

    Ju mund të vishni pantallona ose fund dhe një bluzë pambuku, ose çdo gjë që ju bën ju të ndiheni të qetë.

    Jo anti-djersë

    Ekspertët këshilllojnë që të mos aplikoni anti-djersë sepse disa përbërës të tyre dalin gjatë analizës dhe i bëjnë rezultatet të vështira për tu kuptuar e jo normale.

    Mamografia mund të jetë e parehatshme e shpesh e dhimbshme për disa. Nëse e shihni të udhës dhe me këshillën e mjekut mund të merrni një ilaç kundër inflamacionit. /AgroWeb.org

  • Pse është më e vështirë të ngrihesh nga shtrati kur bie shi?

    Pse është më e vështirë të ngrihesh nga shtrati kur bie shi?

    Tingulli i shiut të butë mund të jetë relaksues, por gjithashtu mund të na bëjë të ndihemi letargjikë. Grija e vjeshtës dhe shiu e bëjnë largimin nga ngrohtësia e shtratit një sfidë të vërtetë.

    Por pse ditët me shi ndikojnë kaq shumë në energjinë dhe disponimin tonë? Psikologia Dr. Rachael Molitor nga Universiteti i Coventry-t shpjegon pse është e vështirë të ngrihesh kur bie shi dhe si t’i lehtësosh mëngjeset me shi.

    Sipas Dr.Molitor, ditët me shi i bëjnë shumë njerëz të ndjehen letargjik.

    “Për disa, shiu përforcon dëshirën për të qëndruar në ambiente të mbyllura dhe për të ngadalësuar ditën, ndërsa për të tjerët mund të shkaktojë një ndjenjë aventure”, shpjegon Dr.Molitor.

    Reagimet tona ndaj shiut varen nga përvojat e kaluara dhe nga mënyra se si ne e perceptojmë shiun. “Nëse po planifikojmë ta kalojmë ditën brenda, shiu mund të mos ketë aq shumë ndikim. Por nëse kemi planifikuar aktivitete në natyrë ose një udhëtim të gjatë, shiu mund të shkaktojë zhgënjim”.

    Qielli gri dhe retë e errëta – si ndikojnë ato në trupin tonë?

    Shiu shpesh vjen me qiell gri dhe më pak dritë dielli, gjë që ndikon në orën tonë të brendshme. “Ritmet tona cirkadiane varen nga rrezet e diellit – kur ka më pak dritë, truri sinjalizon se është natë, gjë që mund të zvogëlojë vigjilencën tonë”, shpjegon Molitor. Ndriçimi i dobët mund të ngadalësojë trupin tonë, të reduktojë motivimin dhe të vështirësojë daljen nga shtrati.

    Gjithashtu, i ftohti shton ndjenjën e rehatisë nën një batanije të ngrohtë, gjë që e bën edhe më të vështirë ngritjen nga shtrati. “Rënia e temperaturës mund të rrisë dëshirën për të kursyer energji, duke e bërë më të vështirë ngritjen në mëngjes dhe fillimin e ditës”, shton Molitor.

    Pse zhurma e shiut na vë në gjumë?

    Tingulli i shiut ka një efekt qetësues dhe mund të na bëjë të përgjumur. “Tingujt e butë të shiut janë qetësues dhe nxisin relaksimin”, thotë Dr. Molitor. “Gjatë ditëve me shi zvogëlohet prodhimi i kortizolit, hormoni që na mban zgjuar, ndërsa melatonina, hormoni që nxit gjumin, rritet”. Kombinimi i këtyre faktorëve shpesh çon në ndjenjën e lodhjes dhe letargjisë, duke i bërë mëngjeset me shi një sfidë të veçantë.

    Si ta bëni më të lehtë ngritjen në ditët me shi? Mundohuni të kaloni sa më shumë kohë të jetë e mundur nën dritën natyrale dhe siguroni një rutinë të ngrohtë për një fillim më të lehtë të ditës.

  • Çfarë tregon për shëndetin dhimbja mbrapa koke

    Çfarë tregon për shëndetin dhimbja mbrapa koke

    Dhimbja në pjesën e prapme të kokës shpërthen si pasojë e tensionit, stresit ose lodhjes.

    Megjithatë, sipas të dhënave të AgroWeb.org, ajo shpesh mund të shfaqet si rezultat i hernies diskale ose ndonjë lëndimi të mundshëm në pjesën e sipërme të qafës.

    Simptomat e dhimbjes mbrapa koke
    Dhimbja në pjesën e prapme të kokës mund të shoqërohet me disa simptoma ndaj të cilave duhet të jeni të vëmendshëm.

    Këto simptoma janë:

    Mpirje e qafës

    Dhimbje therëse në krahun e majtë ose të djathtë të qafës

    Mpirje të kokës

    Dhimbje e fortë të syrit

    Dhimbje që intensifikohet pas çdo lëvizje të kokës

    Pamundësi në lëvizjen e qafës

    Shkaqet e dhimbjes mbrapa koke:

    Tensioni
    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, kur koka dhemb si pasojë e luhatjeve të tensionit, dhimbja ka tendencën të qarkullojë në zona të ndryshme.

    Kompresat ose dushi i ngrohtë ndihmojnë kundër dhimbjes, bashkë me mbajtjen nën kontroll të stresit.

    Lëndimet e qafës
    Kur muskujt, ligamentet, tendinat dhe nervat e qafës lëndohen, dhimbja është e paevitueshme.

    Për shembull, nëse keni qëndruar në një pozicion të gabuar për shumë kohë, zona mbrapa kokës do të dhembë më shumë.

    Stërmundimi i muskujve të qafës i bën ato më të dobët dhe nxisin dhimbjen mbrapa koke.

    Si të përballeni me dhimbjen mbrapa koke

    Ndryshoni mënyrën e qëndrimit
    Nëse mënyra se si qëndroni është problematike, sigurohuni ta ndryshoni atë.

    Në rast se punoni përpara kompjuterit, sigurohuni që ekrani të jetë i ngritur dhe që qafa të mos qëndrojë e ulur.

    Aktiviteti fizik
    Aktiviteti fizik është shumë i mirë për të forcuar muskujt dhe përmirësuar qëndrimin.

    Kompresat e ngrohta
    Vendosni një kompresë të ngrohtë pas koke dhe mbajeni për 20 minuta për të ulur dhimbjen dhe zbutur inflamacionin.

    Kur duhet të shqetësoheni?

    AgroWeb.org ju këshillon se është shumë e rëndësishme që të konsultoheni me një mjek në rastet kur:

    Dhimbja përkeqësohet me kalimin e kohës

    Keni vështirësi në lëvizjen e krahut dhe ndieni dobësi muskulare

    Vëreni një rënie të shpejtë në peshë

    Pësoni fraktura të shpeshta

    Keni vështirësi në ecje./AgroWeb.org