ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Ushqimet që parandalojnë rënien e flokëve

    Ushqimet që parandalojnë rënien e flokëve

    Ushqimet e shëndetshme mund të ndihmojnë flokët tuaj të qëndrojnë të fortë dhe me shkëlqim. Ajo që hani gjithashtu mund t’ju ​​ndalojë edhe të humbni flokët. Nëse nuk merrni ushqimet e duhura me përbërës të shëndetshëm atëhere mund ta vëreni te flokët tuaja.

    Acidet yndyrore thelbësore, veçanërisht omega-3, luajnë një rol kryesor në shëndetin e lëkurës, flokëve dhe thonjve tuaj. Duhet të hani disa nga këto ushqime, të cilat janë të pasura me omega-3, çdo ditë:

    Salmon, tuna,dhe peshq të tjerë të yndyrshëm

    Vaj liri

    Arra dhe bajame

    Vitaminat B6, B12 dhe acidi folik janë gjithashtu të rëndësishme për flokët tuaj. Vegjetarianët shpesh nuk marrin mjaftueshëm sasi të tyre.Ushqimet me B6 përfshijnë banane, patate (të bardha dhe të ëmbla), dhe spinaq. Burime të mëdha të B12 përfshijnë mishin, shpendët, peshkun dhe produktet e qumështit.Ju mund të merrni acid folik me shumë fruta dhe perime të freskëta, veçanërisht agrumet dhe domatet. Produkte me drithëra integrale dhe të fortifikuara, fasule dhe thjerrëza gjithashtu.

    Proteina është gjithashtu shumë e rëndësishme për të mbajtur flokët tuaj të shëndetshëm, por shumë njerëz nuk marrin sa duhet. Mishi i peshkut dhe mishi i pulës, vezët dhe produktet e sojës janë burime të mira.

    Ushqimet e duhura mund të jenë vërtet të mira për flokët tuaja, por humbja e flokëve ka shumë shkaqe. Ndonjëherë, faktorët gjenetikë si te meshkujt tullac mund të luaj rol. Sëmundja e tiroides, anemia, sëmundjet autoimune dhe çështjet e hormoneve gjithashtu mund të shkaktojnë ndryshime ose humbje të flokëve.

  • ​Rinia nuk është më koha më e lumtur e jetës, OKB paralajmëron krizën e shëndetit mendor

    ​Rinia nuk është më koha më e lumtur e jetës, OKB paralajmëron krizën e shëndetit mendor

    Për më shumë se një gjysmë shekulli, kriza e mesjetës ka qenë një fenomen në shoqërinë perëndimore. Por tani, sipas ekspertëve, ky model po ndryshon. Në një studim të ri të porositur nga OKB, akademikët e njohur Jean Twenge dhe David Blanchflower paralajmërojnë se një krizë e shëndetit mendor të rinisë në gjashtë shtete anglishtfolëse po ndryshon mënyrën e traditës së lumturisë gjatë jetës.

    Ndryshe nga dikur, kur lumturia ndiqte formën “U” (me një rini të lehtë, një moshë të mesme më të vështirë dhe një jetë më të rehatshme më vonë), tani lumturia rritet gradualisht me kalimin e kohës. Studimi gjeti një rënie të lumturisë tek të rinjtë gjatë dekadës së fundit, veçanërisht tek gratë e reja.

    Studimi lidhë këtë rënie me përdorimin e telefonave të mençur dhe mediave sociale, duke sugjeruar se ky fenomen ka ndodhur krahas rritjes së përdorimit të internetit. Ekspertët e shohin këtë si një krizë globale të thellë tek të rinjtë, që përfshin izolimin dhe humbjen e aktiviteteve sociale dhe ndërveprimeve.

    “Të rinjtë janë bërë shumë të izoluar. Nuk ka të bëjë aq shumë me njerëzit po rrinë në telefon, por me atë se çfarë nuk po bëjnë. Ata nuk po dalin jashtë aq shumë”, shprehu Blanchflower.

    Studime të tjera kanë lidhur krizën e shëndetit mendor të të rinjve me pabarazinë ndërgjeneracionale, mediat sociale të parregulluara, punësimin e pasigurt dhe krizën klimatike.

    Po ashtu, të rinjtë po bëhen gjithnjë e më shumë të prirur të jenë jashtë tregut të punës për shkak të kushteve të shëndetit mendor.

    Blanchflower thotë se kjo krizë mund të ketë pasoja të mëdha sociale dhe ekonomike, duke ndikuar tek performanca në shkollë dhe produktiviteti global.

    OKB ka theksuar nevojën për kërkime të mëtejshme për të parë nëse ky fenomen është i përhapur edhe në vende të tjera, shkruan The Guardian.

  • Studimi thotë se antidepresivët mund të përshpejtojnë rënien nga demenca

    Studimi thotë se antidepresivët mund të përshpejtojnë rënien nga demenca

    Mjekët shpesh përdorin antidepresivë për të menaxhuar depresionin, ankthin dhe shqetësimin që shoqëron një diagnozë të demencës. Tani, një studim i ri sugjeron që përdorimi i antidepresivëve mund të përshpejtojë rënien kognitive të personave me demencë. Ky është një përfundim që disa ekspertë e konsiderojnë të pasigurt.

    “Ne gjetëm që pacientët me demencë që merrnin antidepresivë kishin një rënie më të madhe të funksionit kognitiv me kalimin e kohës”, tha autorja kryesore e studimit, Sara Garcia Ptacek, profesoreshë asistente në neuroshkenca në Institutin Karolinska në Solna, Suedi. Megjithatë, pacientët dhe kujdestarët e tyre nuk duhet të reagojnë me panik ndaj gjetjeve, pasi studimi ishte observues dhe kërkohet më shumë hulumtim, tha Ptacek në një email.

    Ekspertët që nuk ishin të përfshirë në studim janë dakord se rezultatet e studimit duhet interpretuar me kujdes, shkruan CNN.

    “Serioziteti i depresionit te pacientët me demencë nuk u mor parasysh plotësisht, gjë që mund të ketë pasur ndikim në rezultatet”, tha Dr. Prasad Nishtala, një ligjërues në departamentin e shkencave të jetës në Universitetin e Bath-it në Mbretërinë e Bashkuar, në një deklaratë.

    Neurologu parandalues dhe, Richard Isaacson, drejtor i kërkimit në Institutin e Sëmundjeve Neurodegjenerative në Boca Raton, Florida, tha se mjekët që trajtojnë demencën nuk pritet të ndryshojnë praktikat e tyre bazuar në këtë studim.

    Ajo që dëgjon publiku, megjithatë, është një shqetësim tjetër, tha Isaacson.

    “Si klinik, ajo që është shqetësuese është që një anëtar i familjes së pacientit do të dëgjojë për këtë studim dhe do të thotë, ‘Nëse përdorim një antidepresiv, mamaja ime do të përkeqësohet më shpejt”, shprehu ai.

    “Pastaj, çfarë ndodh me cilësinë e jetës së pacientit? A mund të bëhen më të shqetësuar dhe të jenë në rrezik për t’u mbajtur në shtëpi?” vazhdoi Isaacson. “A mund të bëhen më të tërhequr, shoqërisht të kufizuar dhe apatikë? Shumë mundësisht po”.

  • Uthulla e mollës sjell shumë përfitime shëndetësore – por konsumimi i tepërt shkakton efekte anësore

    Uthulla e mollës sjell shumë përfitime shëndetësore – por konsumimi i tepërt shkakton efekte anësore

    Uthulla e mollës kryesisht konsumohet me ujë si një pije, por konsumimi i tepërt mund të jetë dëmshëm dhe i rrezikshëm

    Kjo të paktën sipas ‘Health Line’, e cila i ka treguar efektet anësore të konsumimit të tepërt të uthullës së mollës.

    Erozioni i smaltit të dhëmbit

    Ushqimet dhe pijet acidike janë dëshmuar se e dëmtojnë smaltin e dhëmbit.

    Sipas studimeve, uthulla e shkakton nga 1 deri në 20 për qind të humbjeve të mineraleve nga dhëmbi vetëm katër orë pas konsumimit, transmeton Telegrafi.

    Djegie të fytit

    Sipas sajtit në fjalë, një sërë lëngjesh të dëmshme të konsumuara aksidentalisht nga fëmijët kanë përmbajtur acid acetik – përbërës i cili gjendet në uthullën e mollës dhe është acidi më i zakonshëm që i shkakton djegiet e fytit.

    Probleme me tretjen

    Franziska Spritzler ka shkruar se uthulla e mollës dhe acidi acetik e zvogëlon apetitin dhe promovon ndjenja të ngopjes, gjë që përfshin në reduktim natyral të konsumimit të kalorive.

    Sidoqoftë, një studim më i hollësishëm sugjeron se në disa raste apetiti dhe konsumimi i ushqimit mund të zvogëlohen shkaku i problemeve të tretjes.

    “Personat të cilët kishin konsumuar 25 gramë uthull molle kishin raportuar për humbje të apetitit, por njëkohësisht kishin raportuar për ndjenja më të shpeshta të marramendjes”, ka shkruar ajo.

    Por sa shumë uthull e mollës rekomandohet të konsumohet në mënyrë që të humbni peshë shëndetshëm?

    Sipas ekspertëve, rekomandohet t’i konsumoni një deri në dy lugë gjelle uthull molle në ditë në mënyrë që t’i gëzoni të gjitha përfitimet e humbjes së peshës.

  • Ndiqni këto këshilla për t’i shpëtuar gripit të këtyre ditëve!

    Ndiqni këto këshilla për t’i shpëtuar gripit të këtyre ditëve!

    Pasojat e ndryshimeve të motit janë të gjitha mbi ne! Këto ditë të paktën një nga pjesëtarët e familjes apo kolegëve nëpër zyra është në gjendje gripale!

    Luhatja e temperaturave ndikon në organizmin tonë, kështu që jemi ende në sezonin e gripit!

    Çfarë duhet të kemi parasysh që ndjesia më e bezdisshme të kalojë brenda pak ditëve? Ndiqni këshillat më poshtë.

    1. Hidratohuni

    Ngjan me një këshillë klishe, por është shumë e rëndësishme të pini ujë rregullisht për të ‘pastruar’ veten nga gripi dhe për të mbajtur fytin të lubrifikuar. Shmangni pijet me sheqer apo me qumësht, aq më tepër nëse keni shumë mukozë, sepse kjo mund ta përkeqësojë më shumë. Dhe, mos harroni. Nëpër lokale, porosisni çaj!

    2. Vitamina C

    Nëse s’mund të merrni mjaftueshëm nëpërmjet frutave, si qitro, tretni në ujë vitaminë C çdo ditë, dy ose tre herë në ditë dhe do ta ndihmoni sistemin imunitar të përballojë çdo sfidë. Antioksidantët janë shumë të rëndësishëm dhe nëse hani perime dhe fruta rregullisht, minimizoni rrezikun e prekjes nga infeksionet. Shmangni antibiotikët për aq sa mundeni.

    3. Probiotik çdo ditë

    Konsumoni një probiotik çdo ditë. Kjo jo vetëm ju ndihmon të keni shëndet të mirë, por përmirëson në mënyrë drastike sistemin tuaj imunitar. Rekomandohet të merrni edhe vitamina D çdo ditë gjatë vitit, nëse nuk kaloni shumë kohë në diell. Ndërsa ditëve të ftohta të gjithë duhet të konsumojnë vitaminën D, kur nuk ka diell. Vaji i peshkut funksionon ende!

    Përveç këshillave që duhet t’i ndiqni pa pritur të prekeni nga gripi, nëse kjo ka ndodhur, ekziston një hile tjetër që mund t’ju shpëtojë. Bëhet fjalë për metodën e çorapeve të lagura.

    Kjo metodë konsiston në veshjen e çorapeve të lagura, të cilat bëjnë që gjaku të fokusohet tek këmbët për t’i ngrohur.

    Kjo formë mikroqarkullimi bën pikërisht atë që qarkullimi i gjakut bën normalisht: sjell vlerat ushqyese dhe largon toksinat. Një gjë e tillë largon gjakun nga zonat problematike, si sinuset e zënë.

    Filloni duke i ngrohur këmbët në një banjë të ngrohtë, lagni çorapet dhe vishini. Mbi to, vishni çorape të thata ose qese plastike, në kohën kur jeni gati të shtriheni për të fjetur. Në mëngjes, do të zgjoheni shumë më mirë.

  • A mund të sëmureni nga diabeti nëse hani shumë ëmbëlsira?

    A mund të sëmureni nga diabeti nëse hani shumë ëmbëlsira?

    Ekzistojnë dy tipa diabeti – tipi 1 dhe tipi 2. Tipi 1 ka të bëjë pothuajse ekskluzivisht me fëmijët, ndërsa tipi 2 me shtimin e peshës trupore

    Diabeti shfaqet shpesh më vonë në jetë, mirëpo gjithnjë e më shumë ka të sëmurë të moshës së re.

    Nëse nëna konsumon sasi të mëdha ëmbëlsirash gjatë shtatzënisë, do të shtojë peshë trupore, mirëpo mund të zhvillohet edhe diabeti i shtatzënisë.

    Si pasojë e kësaj fëmija lind me peshë të madhe, por mund të ketë edhe çrregullime të tjera, ndonjëherë edhe të vështira zhvillimore, mirëpo jo edhe diabetin.

    Ekziston diç shpeshtësi më e madhe e diabetit te këta fëmijë në moshën e rritur. Disa prindër brengosen se a mund të sëmurën fëmijët e tyre me diabet nëse hanë shumë ëmbëlsira.

    Diabeti i tipit 1 është sëmundje autoimune në të cilën kundërtrupat, të cilat krijohen në organizmin e të sëmurit, shkatërrojnë qelizat e pankreasit të cilat tajitin insulinën – pra insulina është e domosdoshme për mbajtjen e nivelit normal të glukozës në gjak, transmeton Telegrafi.

    Konsumimi i sasive të mëdha të ëmbëlsirave nuk ka ndikim esencial në zhvillimin e diabetit të tipit 1.

    Fjala është për procesin autoimun, i cili rezulton me shkatërrimin gradual të qelizave të cilat krijojnë insulinën, që do të thotë që domosdo herët apo vonë do të rezultojë me mungesën e plotë të insulinës.

    Thuhet se si ajo çon në hiperglikemi (shtim i përqendrimit të sheqerit në gjak), në shtim të përqendrimit të sheqerit në urinë, urinim të shpeshtë dhe në ndjenjën e etjes dhe humbjes së peshës trupore, megjithëqë fëmija konsumon sasi të mëdha ushqimi.

    Marrja e sasive të mëdha të kalorive bashkë me mungesën e njëhershme të aktivitetit fizik, çon në shtim të peshës trupore, me pasojë të rezistencës ndaj insulinës (për shkak të qelizave me shumicë yndyrore të cilat reagojnë dobët ndaj insulinës të nevojshme janë sasi gjithnjë e më të mëdha insuline për ruajtjen e përqendrimit normal të sheqerit) dhe zhvillimit të diabetit të tipit 2 – paralajmërojnë ekspertët.

    Duke pasur parasysh që sot pesha trupore po merr përmasa epidemike, gjithnjë e më shumë ka të sëmurë nga diabeti i tipit 2, duke përfshirë edhe njerëzit e moshës së re.

    Diabeti i tipit 2 në fillim mundtë rregullohet me ushqim të shëndetshëm dhe me tableta, mirëpo nëse pacienti nuk eliminon tepricën e peshës së trupit (këtë e arrijnë vetëm një pjesë e vogël njerëzish), me kalimin e kohës më së shpeshti duhet të aplikohet terapia me insulinë.

    Nuk janë të gjitha sportet të mira për fëmijët e vegjël, disa u bëjnë dëm të madh.

    Rëndësi të jashtëzakonshme sot ka edukimi i të rinjve për konsumimin e ushqimit të shëndetshëm dhe aplikimin e ushtrimeve trupore.

    Në të vërtetë kjo është e vetmja mënyrë që të ndërpritet trendi i rritjes së vazhdueshme të numrit të të sëmurëve me diabetin e tipit 2, të cilët në rast të rregullimit të dobët në fund çon në komplikime të rënda kronike në enë të gjakut, nerva, sy dhe veshka. /Telegrafi/

  • Çfarë s (duhet) të bëni kur keni dhimbje koke?

    Çfarë s (duhet) të bëni kur keni dhimbje koke?

    Shumë persona manifestojnë dhimbje koke, për një arsye ose tjetër dhe shpesh këto simptoma ndërhyjnë në aktivitetet e përditshme.

    Në raste më të këqija, dhimbja e kokës bëhet e bezdisshme dhe e bënë të vështirë për ju të koncentroheni në punë.

    Por edhe në përditshmëri ajo dhimbje e pashpjegueshme bëhet e padurueshme edhe kur jemi duke pushuar.

    Në shumicën e rasteve, dhimbja e kokës largohet vetë dhe nuk është shenjë e diçkaje më serioze.

    Dhimbjet e kokës mund të zgjasin 30 minuta, disa orë ose edhe me ditë.

    Por çfarë mund të bëni për të lehtësuar dhimbjen.

    -Pini shumë ujë;

    – Bëni shumë pushim, edhe nëse keni ftohje ose grip;

    -Përpiquni të relaksoheni – stresi mund t’i përkeqësojë dhimbjet e kokës;

    – Merrni paracetamol;

    -Përpiquni të qëndroni në shtëpi dhe të shmangni kontaktin me njerëz të tjerë nëse keni gjithashtu temperaturë të lartë ose nuk ndiheni mjaft mirë për të kryer aktivitetet tuaja normale.

    Gjërat që nuk duhet të bëni

    -Mos pini alkool;

    -Mos shmangni vaktet ushqimore;

    -Mos flini më shumë se zakonisht, pasi mund të përkeqësojë dhimbjen e kokës;

    -Mos i tendosni sytë për një kohë të gjatë.

  • Inteligjenca artificiale mund t’i identifikojë gratë që rrezikohen nga kanceri në gji

    Inteligjenca artificiale mund t’i identifikojë gratë që rrezikohen nga kanceri në gji

    Inteligjenca artificiale mund t’i identifikojë gratë që janë të rrezikuara nga kanceri në gji, disa vjet para se të diagnostikohen, ka thënë Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik të martën.

    Pesë hulumtuesve të këtij Instituti, Universitetit të Kalifornisë dhe Universitetit të Uashingtonit, u është dhënë qasje në programin komercial të inteligjencës artificiale, i cili në mënyrë retroaktive ka analizuar mamografitë e 116.495 grave që kanë marrë pjesë në programin norvegjez në periudhën 2004 – 2018.

    Në total, 1.607 e grave janë përballur më vonë kancer në gji.

    Algoritmi ka arritur të verifikojë se cilat gra kanë pasur rrezik më të madh të zhvillimit të kancerit në gji, madje edhe se cili prej gjinjve ka qenë më i rrezikuar, katër deri në gjashtë vjet para diagnostikimit.

    “Ne e kemi vërejtur se gjiri që ka zhvilluar kancer, ka pasur pikë në sistem dyfish më shumë, sesa gjiri tjetër”, ka thënë Solveig Hofvind, gruaja që udhëheq programin për detektim të kancerit në gji përmes programit me inteligjencë artificiale.

    “Studimi tregon se algoritmet që tashmë janë të qasshme në treg mund të përdoren për të zhvilluar programe detektimi edhe më të personalizuara”, ka thënë ajo.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 670.000 gra kanë vdekur nga kanceri në gji më 2022.

    Kjo, njëherësh, është forma më e shpeshtë e kancerit që zhvillohet te gratë.

    Ky studim është publikuar edhe në revistën e Rrjetit të Shoqatës Mjekësore Amerikane, ndër revistat më me nam në botë.

  • Trajtimi me qumësht blete, sekreti kundër rrudhave të fytyrës

    Trajtimi me qumësht blete, sekreti kundër rrudhave të fytyrës

    Qumshti i bletës është i pasur me ushqyes, të cilët i dhurojnë lëkurës suaj një shkëlqim dhe parandalim të rrudhave.

    Qumështi i bletës është një trajtim, që vepron në shumë nivele për shëndetin e lëkurës tuaj.

    Fare lehtë mund të luftojë shenjat e plakjes duke qenë se përmban vitaminat B,C dhe E si dhe aminoacide yndyrore, minerale e antiokdidantë, të cilët ushqejnë dhe e qetësojnë lëkurën e irrituar.

    Ekspertët e rekomandojnë si një mënyrë të shëndetshme për ta mbajtur fytyrën gjithnjë të hidratuar e të mbrojtur nga faktorët e jashtëm.

    Si ta përdorni:

    Si fillim pastroni mirë fytyrën nga papastërtitë dhe thajeni me kujdes.

    Më pas merrni në duar pak qumësht blete dhe lyeni me lëvizje rrethore të gjithë fytyrën me një shtresë të hollë.

    Lëreni në fytyrë për 45 minuta derisa të ngrijë dhe shpëlajeni me ujë të vakët dhe thajeni. Aplikojeni disa herë në javë ose çdo darkë për rezulate të shpejta

    Kujdes, nëse jeni alergjikë nga ky produkt nuk duhet ta përdorni këtë trajtim.

  • Si ndikon stresi i vazhdueshëm në shëndetin e syve

    Si ndikon stresi i vazhdueshëm në shëndetin e syve

    Studimet shkencore mbi ndikimin e stresit në organizëm, sugjerojnë se stresi është shkak por edhe pasojë e humbjes së shikimit.

    Kur njeriu humbet shikimin, ai përjeton një nivel të jashtëzakonshëm të stresit mendor.

    Në disa raste, një problem i tillë shoqërohet edhe me depresion dhe izolim social.

    Natyrshëm, shkencëtarët mendojnë se stresi mund të ketë pasoja të rënda në humbjen e shikimit.

    Shkencëtarët që kryen studimin janë pjesë e Institutit Të Psikologjisë Mjekësore në Gjermani.

    Ata shpjeguan se stresi i vazhdueshëm që rrit sasinë e kortizolit, ndikon në sistemin nervor simpatetik dhe atë vaskular.

    Në vazhdimësi, stresi prek shëndetin e trurit dhe syve duke shkaktuar përfundimisht edhe humbjen e plotë të shikimit.

    Shkencëtarët gjermanë arritën në konkluzionin se stresi jo vetëm që është pasojë e humbjes së shikimit por mund të përkeqësojë problemet me sytë.

    Sipas tyre, nëse njeriu çlirohet nga prangat e stresit mund të përmirësojë shikimin dhe madje ta rikthejë atë.

    Shkencëtarët rekomandojnë meditimin, teknikat e menaxhimit të stresit ose këshillimin psikologjik si hapa për rikthimin e shikimit dhe përmirësimin e shëndetit të syve.

    Nga ana tjetër, mjekët duhet të përpiqen që të ngjallin pozitivitet dhe optimisëm tek pacientët që vuajnë nga problemet me sytë.

    Paralajmërimi që pacientët duhen përgatitur se do të humbasin dritën e syve një ditë, shkakton shumë frikë dhe ankth që përkeqëson ndjeshëm situatën.

    Në shumicën e rasteve, problemet që shkakton stresi tek sytë janë të përkohshme.

    Simptomat që shfaqen kur stresi ndikon tek shëndeti i syve janë më poshtë:

    Këto simptoma zakonisht zhduken me përfundimin e një situate stresuese.

    Nëse këto probleme vazhdojnë, atëherë rekomandohet që të konsultoheni me një mjek okulist./AgroWeb.org