ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Në QKUK kryhen dy operacione të rralla, pacientet kishin anomali të organeve gjenitale

    Në QKUK kryhen dy operacione të rralla, pacientet kishin anomali të organeve gjenitale

    Në Klinikën Obstetrike dhe Gjinekologjike të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, për herë të parë janë kryer me sukses dy operacione të rralla dhe shumë të rëndësishme për pacientet.

    Bëhet fjalë për operacionet tek dy paciente siç bën të ditur SHSKUK me anomali kongjenitale të organeve gjenitale, ku gjatë zhvillimit embrional nuk janë zhvilluar plotësisht disa pjesë të tyre (mitra dhe vagina).

    “Ky sukses është rezultat i bashkëpunimit profesional ndërmjet stafit të klinikës dhe dr. Alban Nezirit, gjinekolog, i cili jeton dhe punon në Zvicër, i cili me përvojën dhe ekspertizën e tij dha një kontribut të jashtëzakonshëm për realizimin e këtyre ndërhyrjeve për herë të parë në vendin tonë.

    Po ashtu, kontribut të çmuar ka dhënë ekipi i gjinekologëve nga klinika, e poashtu anesteziologëve dhe stafit nga Klinika e Anesteziologjisë”.

    “Ky është një hap i madh drejt përmirësimit të cilësisë së jetës së këtyre pacienteve dhe hap mundësinë që në faza të ardhshme, në qendra të specializuara evropiane, të kryhet edhe transplantimi i mitrës”, thuhet në njoftim të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

  • Shenjat e fshehura të sheqerit të lartë në gjak që shpesh injorohen – Kujdesuni për këto simptoma

    Shenjat e fshehura të sheqerit të lartë në gjak që shpesh injorohen – Kujdesuni për këto simptoma

    Sheqeri i lartë në gjak shpesh nuk shkakton simptoma të dukshme menjëherë, prandaj shumë e quajnë “vrasës i heshtur”.

    Njerëzit mund të jetojnë me nivele të larta glukoze për muaj ose edhe vite pa e kuptuar.

    Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të njihni “shenjat e heshtura” që dërgon trupi juaj, sepse sa më herët të zbuloni një problem, aq më e lehtë është ta kontrolloni atë dhe të parandaloni pasojat serioze.

    Një nga simptomat e para dhe më shpesh të anashkaluara të sheqerit të lartë në gjak është etja e vazhdueshme dhe e shtuar. Ndërsa shumë njerëz e shoqërojnë ndjenjën e etjes me kohën, aktivitetin fizik ose stresin, një nevojë e vazhdueshme për të pirë lëngje mund të jetë një shenjë se diçka më serioze po ndodh në trup.

    Kur nivelet e glukozës në gjak janë shumë të larta, veshkat përpiqen të heqin qafe tepricën përmes urinës. Kjo çon në urinim të shpeshtë, i cili nga ana tjetër shkakton dehidratim dhe nevojën për edhe më shumë lëngje. Nëse vini re urinim të shpeshtë së bashku me etjen, kjo është një shenjë se duhet të kontrolloni nivelet e sheqerit në gjak.

    Simptoma të tjera të hershme që nuk duhen injoruar:

    Urinim i shpeshtë;

    Rritja e urisë;

    Shikim i turbullt;

    Dhimbje koke.

    Nëse gjendja nuk njihet dhe trajtohet, mund të shfaqen shenja të tjera, të tilla si:

    Lodhje kronike;

    Shërim i ngadaltë i plagëve;

    Humbje peshe e pashpjegueshme.

    Nëse sheqeri i lartë në gjak nuk mbahet nën kontroll, me kalimin e kohës mund të shkaktojë dëmtime serioze në organe dhe sisteme në trup. Në afat të shkurtër, mund të ketë ndryshime të rrezikshme në ekuilibrin e organizmit, ndërsa në afat të gjatë, kërcënojnë sëmundjet e zemrës, dëmtimi i veshkave, humbja e shikimit dhe problemet me sistemin nervor.

    Si ta zvogëloni rrezikun dhe ta mbroni shëndetin tuaj?

    Ja disa hapa të thjeshtë që mund të ndërmerrni:

    Hani një dietë të ekuilibruar: më shumë fruta, perime dhe drithëra të plota, dhe më pak sheqer të përpunuar dhe ushqime yndyrore;

    Lëvizni rregullisht: kombinoni ecjen, stërvitjen e forcës dhe aktivitete të tjera;

    Zvogëloni konsumin e alkoolit dhe pijeve me sheqer;

    Ndërpritni pirjen e duhanit ose të paktën zvogëloni numrin e cigareve që pini.

  • Pse disa të rritur mezi flasin me prindërit? Psikologët tregojnë 10 përvoja të dhimbshme

    Pse disa të rritur mezi flasin me prindërit? Psikologët tregojnë 10 përvoja të dhimbshme

    Nëse i shkruani prindërve vetëm për ditëlindje, nëse bisedat përfundohen pas dhjetë minutash dhe gjithmonë keni “strategji daljeje” – nuk jeni të ftohtë. Jeni thjesht të kujdesshëm. Këtë e kanë mësuar gjenerata fëmijësh që janë rritur në shtëpi ku dashuria nuk ka qenë strehë e sigurt, por një shpërblim me kushte

    Të rriturit që sot mezi flasin me prindërit e tyre, nuk e kanë bërë këtë nga inati apo ftohtësia. Ata në fakt po mbrojnë fëmijën që dikur kanë qenë. Fëmijën që askush nuk e ka mbrojtur. Kjo distancë rrallëherë lind papritur. Më shpesh ndërtohet me vite, nga mijëra çaste të vogla kur kuptonin se ngushëllimi nënkuptonte dobësi, se nevojat e tyre ishin “tepër”, dhe se dashuria duhej merituar.

    Ja cilat janë 10 përvoja të fëmijërisë që lënë plagë të padukshme dhe shpesh shpjegojnë pse të rriturit tërhiqen nga prindërit:

    Ndjenjat e tyre konsideroheshin si mangësi

    Trishtimi ishte “dramë”, zemërimi nënkuptonte se ishin “të vështirë”, frika ishte “dobësi”. Fëmijët mësuan të shtypin ndjenjat e vërteta dhe të tregojnë vetëm ato që nuk sillnin telashe. Si të rritur, ende ndihen se duhet të luajnë një rol. Distanca u jep lirinë për të mos aktruar më.

    Dashuria ishte me kushte

    Pesat sillnin përqafim, bindja sillte pranueshmëri, ndërsa zhgënjimi sillte ndëshkim përmes tërheqjes së dashurisë. Mësuan se përkujdesja ishte e rrallë dhe kushtëzuese. Sot e dinë se në atë “lojë” nuk mund të fitonin kurrë, ndaj distanca është heqje dorë nga një garë e pamundur.

    Mbartën barrën e të rriturve në shpinën e fëmijës

    Varësia e babait, depresioni i nënës, problemet financiare, gjithçka që nuk duhej të dinin, ata e përjetuan. U bënë terapeutë të vegjël, ndërmjetës, ngushëllues. Ajo pafajësi e vjedhur nuk kthehet më. Si të rritur, ende e ndjejnë atë peshë, dhe distanca është mënyra e vetme për ta hequr.

    Privatësia nënkuptonte tradhti

    Dyert duheshin mbajtur hapur, ditarët lexoheshin, bisedat përgjohej. Mësuan se kufijtë nuk ekzistojnë dhe se çdo mendim ishte “pronë familjare”. Edhe sot, pranë prindërve ndihen të zhveshur. Distanca është bravë mbi derën e tyre.

    Ekzistonin vetëm përmes krahasimeve

    “më i mençur se vëllai, por më dembel se kushëriri.” Vlera e tyre gjithmonë matet në raport me të tjerët. Kurrë nuk ishin mjaftueshëm vetvetja. U rritën duke besuar se janë përherë të pamjaftueshëm. Distanca shënon fundin e një gare ku nuk deshën të hynin.

    Realiteti i tyre mohohej vazhdimisht

    “Kjo nuk ndodhi.” “Po e tepron.” “Po trillon”. Prindërit nuk duronin të vërtetën, ndaj fëmijët u mësuan të dyshojnë në kujtimet e veta. Ky lojë psikologjike i ngatërronte dhe i dobësonte. Distanca është mënyra për t’i besuar mendjes dhe përvojës së vet.

    Kërkonin falje vetëm pse ndjenin

    “Më fal që po qaj.” “Më fal që kam nevojë për ndihmë.” Fëmijët mësuan se dhimbja e tyre ishte pengesë, ndërsa prindërit e justifikonin ashpërsinë me “stres” apo “traditë”. Sot e dinë se nuk duhet të kërkojnë falje për vetë ekzistencën e tyre. Distanca ua heq atë faj.

    Sukseset nuk ishin kurrë të tyre

    Çdo diplomë dhe çdo çmim ishte “meritë familjare”. Por çdo dështim ishte vetëm i tyre. Mësuan se arritjet e tyre shërbenin për lavdinë e të tjerëve. Distanca u rikthen të drejtën të thonë me krenari: “Ky është jeta ime.”

    Pamja ishte më e rëndësishme se realiteti

    Fotografi të përsosura, urime festive të lumtura dhe postime familjare fshihnin të vërtetën. Autenticiteti ishte i rrezikshëm, heshtja ishte “dashuri”. Ajo shfaqje i shteronte. Distanca u lejon të jenë më në fund të sinqertë, qoftë vetëm me veten.

    Dhimbja e tyre nuk ka qenë kurrë mjaftueshëm e rëndësishme

    Gjithmonë dikush “kishte më keq”, ata duheshin të ishin “mirënjohës”, dhimbja e tyre nënvlerësohej. Mësuan të mos i japin peshë plagëve të veta. Distanca i mëson se edhe dhimbja e tyre ka vlerë dhe se meritojnë kujdes.

    Mos e humbni kohën që keni

    Të rriturit që largohen nga prindërit nuk e bëjnë këtë për t’i ndëshkuar. E bëjnë për të mbrojtur fëmijën që ende jeton brenda tyre – fëmijën që nuk pati mbrojtje atëherë kur i duhej më shumë. Distanca nuk është ftohtësi. Distanca është kufi. Dhe kufijtë nganjëherë janë mënyra e vetme për të filluar së jetuari jetën tuaj.

    Megjithatë, është e rëndësishme të kujtojmë se prindërit nuk do të jetojnë përgjithmonë. Nëse ndjeni se vetë nuk mund të tejkaloni dhimbjet dhe traumat e fëmijërisë, kërkoni ndihmën e një specialisti. Nëse ndjeni se vetë nuk mund të tejkaloni dhimbjet dhe traumat e fëmijërisë, kërkoni ndihmën e një specialisti. Një bisedë me psikoterapeut mund të jetë rruga drejt pajtimit me të kaluarën, sepse më vonë, kur prindërit të mos jenë më, ndjenja e fajit mund të bëhet një tjetër barrë e rëndë për t’u mbajtur.

    Sipas American Psychological Association (APA), traumat e fëmijërisë ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhëniet dhe mirëqenien e të rriturve, duke lënë pasoja afatgjata në mënyrën se si ata ndërtojnë ose ruajnë lidhje të ngushta. /Telegrafi/

  • Gjashtë gjëra që nuk duhen bërë me stomakun bosh

    Gjashtë gjëra që nuk duhen bërë me stomakun bosh

    Fillimi i ditës me një mëngjes të shëndetshëm është kyç për energjinë dhe mirëqenien tuaj. Disa zakone të zakonshme mund të dëmtojnë shëndetin fizik dhe emocional, veçanërisht kur kryhen me stomakun bosh. Ja disa gjëra që duhet të shmangni:

    1. Konsumimi i barnave anti-inflamatore
    Medikamente si aspirina, paracetamoli dhe ilaçe të tjera anti-inflamatore mund të irritojnë mukozën e stomakut dhe, në raste të rënda, të shkaktojnë gjakderdhje gastrike. Për të reduktuar efektet negative, merrini këto barna me pak qumësht ose shumë ujë.

    2. Pirja e kafes
    Edhe pse kafeja mund t’ju japë energji, pirja e saj me stomakun bosh rrit prodhimin e acidit në stomak dhe mund të shkaktojë djegie ose refluks. Nëse dëshironi një alternativë më të shëndetshme, zëvendësojeni me çaj ose kos frutash.

    3. Konsumimi i alkoolitAlkooli absorbohet më shpejt në stomak bosh, duke rritur helmin dhe rrezikun për dëmtime në mëlçi, zemër dhe veshka. Për të zvogëluar efektet, hani një meze të lehtë menjëherë pas konsumit dhe shmangni kombinimin e alkoolit me kafenë, pasi të dyja shkaktojnë dehidratim.

    4. Ushtrime intensive
    Stërvitja e rëndë me stomakun bosh nuk ndihmon në djegien e më shumë kalorive dhe mund të çojë në humbje të masës muskulore. Trupi ka nevojë për energji për të funksionuar. Në vend të kësaj, zgjidhni ushtrime më të lehta dhe hani të paktën një frutë para stërvitjes.

    5. Pirja e lëngut të limonit
    Megjithëse i pasur me vitamina, pirja e lëngut të limonit me stomakun bosh mund të irritojë mukozën e stomakut, veçanërisht tek personat me gastrit ose probleme të tjera të sistemit tretës.

    6. Ndikimi i urisë në humor
    Studiuesit kanë zbuluar se uria mund të shkaktojë nervozizëm dhe tension mes njerëzve. Truri ka nevojë për energji për të funksionuar normalisht, prandaj shmangni mungesën e ushqimit. Një mëngjes i shëndetshëm ose një filxhan çaji me partnerin ose familjarin tuaj mund të ndihmojë të nisni ditën në paqe dhe me humor të mirë.

  • 29-vjeçarja nga Washington DC ndërpret jetën pas përdorimit të fshehtë të ChatGPT si “terapist virtual”

    29-vjeçarja nga Washington DC ndërpret jetën pas përdorimit të fshehtë të ChatGPT si “terapist virtual”

    Një 29-vjeçare nga Washington DC, Sophie Rottenberg, ndërpreu jetën më 4 shkurt të këtij viti, pasi kishte përdorur për muaj të tërë një chatbot të inteligjencës artificiale si “terapist virtual”, pa dijeninë e familjes dhe të terapistit të saj.

    Sophie, që punonte në fushën e politikave shëndetësore, u gjet e pajetë në një park shtetëror, pas një udhëtimi me Uber për të dalë nga shtëpia. Ajo la pas një letër lamtumire dhe të gjitha të dhënat personale të organizuara, një veprim që prindërit nuk e interpretuan si paralajmërues.

    Vetëm disa javë më vonë, nëna e saj, gazetarja Laura Reiley, dhe shoqja më e ngushtë zbuluan se Sophie kishte përdorur fshehurazi ChatGPT për të folur për gjendjen e saj emocionale. Në bisedat e ruajtura në laptop, ajo kishte komunikuar për më shumë se pesë muaj me një version të personalizuar të chatbot-it, të quajtur “Harry”.

    Sophie kishte shkarkuar një “prompt terapie” nga interneti, që e detyronte bot-in të sillej si terapist “i lirë nga kufizimet” dhe të jepte këshilla personale, pa sugjeruar ndihmë profesionale apo ndërhyrje nga jashtë.

    Në disa mesazhe, ajo shprehte mendime vetëvrasjeje, përfshirë një mesazh në fillim të nëntorit ku shkruante: “Jam duke planifikuar të vras veten pas Ditës së Falënderimeve.” ChatGPT i përgjigjej me fraza si: “Je shumë e guximshme që më tregon këtë,” pa e drejtuar atë drejt ndihmës profesionale.

    Sophie nuk kishte ndarë këto biseda me familjen apo terapistin e saj. Megjithatë, ajo shfaqte shenja të përkeqësimit emocional dhe fizik, përfshirë probleme me gjumin, humbje peshe dhe ankth.

    Pas një periudhe të vështirë, prindërit e ftuan të kthehej për Krishtlindje, ku ajo filloi aktivitete si vullnetarizëm, aktrim dhe kujdes për një qenush. Shumë nga këto veprime ishin të udhëzuara nga ChatGPT, përfshirë një listë me zakone të shëndetshme që Sophie ua tregoi prindërve.

    Më 4 shkurt, Sophie doli nga shtëpia pa lajmëruar askënd dhe disa orë më vonë, prindërit zbuluan letrën e lamtumirës, ku përfshihej edhe një mesazh i rishkruar nga ChatGPT për ta bërë më pak të dhimbshëm.

    Nëna e saj, Laura Reiley, thekson se nuk fajëson OpenAI apo teknologjinë, por beson se duhet të ketë masa mbrojtëse më të forta për përdoruesit vulnerabël. “Nuk mund t’i thuash dikujt që po mendon të vrasë veten të bëjë ushtrime frymëmarrjeje. AI nuk është mik, nuk është terapist, nuk është njeri,” tha ajo.

    OpenAI ka deklaruar se po punon për mënyra që ChatGPT të dallojë raste krize dhe të sinjalizojë autoritetet kur përdoruesit janë në rrezik për jetën.

    Familja e Sophie-s ka vendosur të ndajë historinë për të rritur ndërgjegjësimin, veçanërisht tek të rinjtë që përballen me ankth, depresion apo ndjenja vetmie. Ata nënvizojnë se teknologjia mund të jetë mbështetëse, por nuk mund të zëvendësojë ndihmën profesionale psikologjike.

  • Trump: E kemi gjetur, kura për autizmin pritet të publikohet së shpejti

    Trump: E kemi gjetur, kura për autizmin pritet të publikohet së shpejti

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar një njoftim të rëndësishëm në lidhje me autizmin, i cili pritet të bëhet publik të hënën nga Zyra Ovale.

    Gjatë një fjalimi në ceremoninë përkujtimore të aktivistit konservator Charlie Kirk, Trump devijoi nga temat përkujtimore për të dhënë mesazhin me përmbajtje shëndetësore. Ai tha se administrata e tij ka bërë përparim të madh në trajtimin e çrregullimeve të spektrit autik dhe shtoi se “mendoj se kemi gjetur një kurë për autizmin”, duke e cilësuar këtë njoftim si një nga më të rëndësishmit që ka bërë ndonjëherë si president.

    Trump nuk dha detaje konkrete mbi njoftimin, por e lidhi atë me përpjekjet për të kuptuar shkaqet e rritjes së rasteve të autizmit në SHBA dhe me nevojën për ndërhyrje të menjëhershme.

    “Mendoj se do t’iu duket e mahnitshme,” tha ai për të pranishmit, duke shtuar: “Mendoj se gjetëm një kurë për autizmin. Do të jetë një nga konferencat më të rëndësishme për shtyp që do të kem ndonjëherë, dhe mezi e pres.”

    Më herët të dielën, raportet sugjeruan se Trump mund të njoftojë që gratë shtatzëna duhet të shmangin marrjen e Tylenol, nëse nuk kanë ethe, për shkak të një rreziku të mundshëm të lidhur me rritjen e shkallës së autizmit në fëmijë. Kjo udhëzohet nga një shqyrtim federal, nën drejtimin e sekretarit të shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.

    Sipas Washington Post, zyrtarët gjithashtu planifikojnë të promovojnë leukovorin, një ilaç që mund të konsiderohet trajtim i mundshëm për çrregullimin neurozhvillimor.

  • Sekreti i lëkurës së shëndetshme fshihet në mikrobiomet tona

    Sekreti i lëkurës së shëndetshme fshihet në mikrobiomet tona

    Shumë prej nesh e dimë rëndësinë e mikrobiomës së zorrëve për shëndetin dhe imunitetin, por pak flitet për “universin e padukshëm” mbi lëkurë — mikrobiomën e saj. Këto koloni bakteresh nuk ndikojnë vetëm në pamjen e jashtme, por edhe në humorin tonë.

    Një studim i ri i Unilever, botuar në British Journal of Dermatology, tregon se mikrobet e lëkurës funksionojnë si “fabrika të vogla”: ato shndërrojnë djersën dhe produktet kozmetike në substanca që hidratojnë, ushqejnë dhe forcojnë barrierën mbrojtëse të lëkurës.

    Bakteret “e mira” dhe “të këqija”
    Një mikrob i quajtur acinetobacter lidhet me lëkurë më të re dhe më të shëndetshme. Ndërsa cutibacterium mund të luajë rol të dyfishtë: disa lloje ndihmojnë në uljen e stresit dhe përmirësimin e humorit, të tjerat shkaktojnë akne duke bllokuar gjëndrat e yndyrës.

    Si të mbështesim mikrobiomën e lëkurës
    Ekspertët theksojnë se, me kalimin e viteve, është thelbësore të ndihmojmë mbijetesën e baktereve të dobishme. Disa hapa kryesorë janë:

    • Hidrimi i rregullt

    • Gjumi cilësor

    • Aktiviteti fizik – pasi djersa ushqen mikrobiomën

    • Shmangia e duhanit dhe ndotjes, që dëmtojnë qelizat e lëkurës

    “Ekziston një lidhje e fortë mes trurit, zorrëve dhe lëkurës — i ashtuquajturi bosht lëkurë-tru-zorrë,” shpjegon dermatologia Justine Hextall. “Prandaj, stresi apo problemet me tretjen shpesh përkeqësojnë aknet, ekzemat apo edhe rënien e flokëve.”

    Kujdesi i përditshëm
    Mjekët rekomandojnë përdorimin e pastruesve të butë, si dhe kremra me acid hialuronik dhe ceramide për forcimin e barrierës mbrojtëse të lëkurës.

    Roli i ushqimit
    Sipas Federica Amati nga platforma Zoe, dieta ka ndikim të madh mbi lëkurën. Ajo sugjeron shmangien e ushqimeve të përpunuara dhe të pasura me sheqer, duke preferuar:

    • vajin e ullirit ekstra të virgjër,

    • fasulet,

    • manaferrat.

    Këto ofrojnë yndyra të shëndetshme, fibra dhe antioksidantë që ushqejnë mikrobiomën dhe ulin inflamacionin.

    Mesazhi përfundimtar
    Edhe pse kërkimet vazhdojnë, ekspertët janë të qartë: me zakone të thjeshta si hidrimi, gjumi i mirë, një dietë e balancuar dhe kujdes kozmetik i butë, mund të krijojmë mjedisin ideal për një mikrobiomë të shëndetshme — dhe për një lëkurë më të freskët, të re dhe të ndritshme.

  • BE miraton ilaçin e parë oral për depresionin pas lindjes: Efikas brenda 14 ditësh

    BE miraton ilaçin e parë oral për depresionin pas lindjes: Efikas brenda 14 ditësh

    Një arritje e rëndësishme në kujdesin pas lindjes: trajtim i shpejtë, efektiv dhe i qasshëm

    Komisioni Evropian ka miratuar hedhjen në treg të ilaçit zuranolone (Zurzuvae) për trajtimin e depresionit pas lindjes, duke u bërë trajtimi i parë oral i licencuar në Bashkimin Evropian për këtë gjendje. Miratimi është bazuar në vlerësimin pozitiv shkencor të Agjencisë Evropiane për Barnat (EMA).

    Përparësia e këtij ilaçi është aftësia për të zvogëluar simptomat depresive që në ditën e tretë të trajtimit, me përmirësim të dukshëm pas dy javësh dhe me efekt të mbajtur deri në ditën e 45-të, sipas studimit klinik SKYLARK.

    Zuranolone merret një herë në ditë për 14 ditë dhe është një steroid neuroaktiv (NAS), modulues pozitiv alosterik i receptorëve GABA-A, proteina të përfshira në rregullimin e gjendjes shpirtërore dhe përgjigjes ndaj stresit.

    Ilaçi është i disponueshëm vetëm me recetë dhe mund të ketë efekte anësore si përgjumja, marramendja dhe ndjenja e sedacionit. Nuk duhet të përdoret gjatë shtatzënisë dhe nuk rekomandohet gjatë gji dhënies, transmeton Telegrafi.

    Depresioni pas lindjes është një gjendje serioze e shëndetit mendor që prek rreth 20% të grave pas shtatzënisë, por mund të shfaqet edhe te baballarët. Ajo karakterizohet nga trishtim i vazhdueshëm, ankth, lodhje dhe ndjenjë faji, duke penguar shpesh krijimin e lidhjes emocionale me foshnjën. Gjendja është e patrajtuar siç duhet, ndërsa opsionet ekzistuese kanë qenë kryesisht antidepresivë klasikë, të cilët shpesh nuk japin efekt të shpejtë, apo terapi psikologjike.

    Ky miratim përbën një moment historik në shëndetin e grave dhe familjeve në Evropë, pasi deri më tani opsioni i vetëm farmaceutik ishte trajtimi intravenoz. Dr. Priya Singhal nga Biogen theksoi se kjo është një arritje e madhe në adresimin e një nevoje të paplotësuar në kujdesin shëndetësor, duke ofruar trajtim efektiv dhe më të qasshëm për depresionin pas lindjes.

    Zuranolone u zbulua fillimisht nga kompania Sage Therapeutics, ndërsa në vitin 2020 Biogen mori të drejtat për zhvillimin dhe tregtimin jashtë SHBA-së (përjashtuar Japoninë, Tajvanin dhe Korenë e Jugut). Në gusht 2023, ilaçi u miratua nga FDA në SHBA, ndërsa në gusht 2025 nga MHRA në Britani.

  • Studimi zbulon: Personat me tatuazhe preken më rrallë nga melanoma

    Studimi zbulon: Personat me tatuazhe preken më rrallë nga melanoma

    Personat që kanë bërë më shumë se një seancë tatuazhesh mund të kenë më pak rrezik për të zhvilluar melanomë, një lloj i rrezikshëm i kancerit të lëkurës, sipas një studimi të ri nga Huntsman Cancer Institute në Universitetin e Utah.

    Ekipi i udhëhequr nga doktoresha, Jennifer Doherty bashkëdrejtuese e Cancer Control and Population Sciences Program, ka analizuar të dhënat e 7 mijë banorëve të Utahs dhe ka gjetur se personat me dy ose më shumë seanca tatuazhesh kishin më pak gjasa të zhvillonin melanomë, qoftë ajo invazive apo “in situ” (kur qelizat kancerogjene mbesin vetëm në sipërfaqen e lëkurës dhe hiqen më lehtë).

    Megjithatë, studiuesit kanë vërejtur një prirje të kundërt te personat me vetëm një seancë tatuazhi, këta kishin rrezik më të lartë për melanomë, sidomos për formën “in situ”. Pse ndodh kjo mbetet ende e paqartë dhe kërkon më shumë hulumtime.

    “Tatuazhet po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe janë një formë e ekspozimit ndaj substancave të jashtme që është shumë pak e studiuar, sidomos te të rinjtë. Ne kemi nevojë të kuptojmë më mirë si ndikojnë ato në rrezikun për lloje të ndryshme të kancerit”, ka thënë Doherty.

    Ajo ka shtuar se për melanomën, rezultatet duken të përziera, por te personat me dy, tre apo katër tatuazhe shihet ulje e rrezikut.

    Doktoresha Rachel McCarty, autore kryesore e studimit, ka thënë se ekipi ishte i befasuar.

    “Rezultatet që tatuazhet mund të ulin rrezikun për melanomë na habitën. Por kjo nuk është një çështje bardh e zi që ‘bëj më shumë tatuazhe dhe ulet rreziku’. Duhet të kuptojmë nëse kjo lidhet me sjellje të kujdesshme ndaj diellit, faktorë fizikë, apo ndoshta me reagim të dobishëm të sistemit imunitar që ndikon te qelizat parakanceroze”, ka thënë ajo.

    Një shpjegim i mundshëm është se personat me disa tatuazhe tregohen më të kujdesshëm ndaj diellit, përdorin krem mbrojtës dhe kujdesen më shumë për lëkurën. Po ashtu, tatuazhet mund të veprojnë si barrierë fizike ndaj rrezeve ultra vjollcë (UV) ose të nxisin reagim imunitar që ndihmon kundër qelizave të dëmshme.

    “Artistët e tatuazheve tashmë këshillojnë klientët të përdorin krem dielli për të mbrojtur ngjyrën e tatuazhit. E dimë që përdorimi i kremit mbrojtës është thelbësor për të gjithë, me apo pa tatuazhe. Por për ata me tatuazhe është edhe më e rëndësishme, që të parandalojnë dëmet shtesë kur pigmentet shpërbëhen nga ekspozimi në diell”, ka theksuar McCarty.

    Megjithëse ky studim sugjeron se tatuazhet mund të lidhen me rrezik më të ulët për melanomë, nuk vlen e njëjta gjë për llojet e tjera të kancerit. Hulumtime të mëhershme nga i njëjti ekip dhe një studim suedez kanë treguar lidhje të mundshme mes tatuazheve dhe disa llojeve të leukemisë.

    Rezultatet e studimit u publikuan në Journal of the National Cancer Institute.

    “Rajoni i Mountain West, që ne e shërbejmë, ka disa nga nivelet më të larta të melanomës në SHBA”, ka thënë doktori Douglas Grossman, bashkëdrejtues i Qendrës së Melanomës në Huntsman Cancer Institute.

    Sipas tij, të kuptuarit më mirë të faktorëve të rrezikut do të ndihmojë në përmirësimin e strategjive parandaluese.

    “T’i këshillojmë pacientët më saktë dhe, në fund, të shpëtojmë jetë”, ka thënë ai.

  • Kompleksi i inferioritetit: Si perfeksionizmi dhe pasiguria ju shtyjnë të ndiheni gjithmonë më pak

    Kompleksi i inferioritetit: Si perfeksionizmi dhe pasiguria ju shtyjnë të ndiheni gjithmonë më pak

    Çfarë është kompleksi i inferioritetit?

    Ekstremja e pasigurisë shpesh çon në tërheqje nga jeta shoqërore. Njerëzit që e përjetojnë shmangin kontaktet për të mos u gjykuar dhe ndihen të vetmuar dhe të izoluar.

    Ky koncept u përshkrua për herë të parë nga psikologu austriak Alfred Adler në vitin 1907. Ai e përkufizoi si ndjenjë të thellë pamjaftueshmërie dhe pasigurie, që mund të shprehet me tërheqje, shmangie, por edhe me agresivitet ose konkurrencë të tepruar.

    Shenjat më të dukshme

    • Krahasimi i vazhdueshëm me të tjerët – ndjenjë se nuk mund të arrijmë kurrë si të tjerët.
    • Humori vetë-nënçmues – shaka në kurriz të vetes për të fshehur pasiguri.
    • Perfeksionizmi i tepruar – dëshira për t’u dukur perfekt shpesh fsheh ndjesinë e pamjaftueshmërisë

    Si ndikon tek shëndeti

    Kompleksi i inferioritetit mund të prekë jo vetëm vetëvlerësimin, por edhe shëndetin mendor dhe fizik. Pagjumësia, ankthi dhe ndjenja e vetmisë janë disa nga simptomat që mund të shfaqen.

    Si ta tejkalojmë

    1. Vetëdijesimi – kuptimi i modeleve të mendimit dhe sjelljes sonë.
    2. Puna me vetveten – psikoterapia dhe teknikat e zhvillimit personal ndihmojnë në ndërtimin e një ndjenje të shëndetshme të vlerës personale.