ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Kruarje, djersitje dhe lodhje – sëmundje e rrallë e gjakut që kërkon trajtim të hershëm dhe terapi inovative

    Kruarje, djersitje dhe lodhje – sëmundje e rrallë e gjakut që kërkon trajtim të hershëm dhe terapi inovative

    Policitemia vera, “sëmundja e gjakut të dendur” që kërkon zbulim të hershëm dhe terapi të avancuar për të parandaluar komplikacionet serioze

    Terapia bashkëkohore ul rrezikun e përparimit të sëmundjes dhe mundëson jetëgjatësi më të madhe për pacientët, shkruan European Hematology Association dhe konstatojnë hematologët që merren me trajtimin e policitemisë vera, një sëmundje e rrallë, por e menaxhueshme, e palcës kockore.

    Çfarë është policitemia vera?

    Policitemia vera (PV) është një sëmundje malinje kronike hematologjike që karakterizohet nga prodhimi i shtuar i qelizave të kuqe të gjakut në palcën kockore.

    Sipas Mayo Clinic dhe Cleveland Clinic, kjo gjendje bën që gjakut t’i rritet viskoziteti (trashësia), duke e bërë më të vështirë qarkullimin, sidomos në enët e vogla të gjakut, gjë që rrit rrezikun për formim të trombeve (mpiksje gjaku).

    Shkaku kryesor është mutacioni i fituar në gjenin JAK2 (V617F), i cili aktivizon në mënyrë të pakontrolluar ndarjen e qelizave në palcën kockore. Kjo është mutacion i fituar, jo i trashëguar – pra, nuk kalon në mënyrë direkte te pasardhësit, transmeton Telegrafi.

    Simptomat: shpesh shfaqen vite para diagnozës

    Mjekët vërejnë se shenjat paralajmëruese mund të shfaqen disa vite përpara vendosjes së diagnozës. Sipas Leukemia & Lymphoma Society, simptomat më të zakonshme përfshijnë:

    Lodhje kronike, ndjenjë e përgjithshme dobësie;
    Kruarje e trupit (sidomos pas dushit të ngrohtë), për shkak të çlirimit të histaminës;
    Djersitje natën, ndonjëherë e shoqëruar me humbje peshe;
    Dhimbje koke, marramendje dhe ndjesi shpimi në gishta;
    Ndjesi presioni ose dhimbjeje në pjesën e majtë të barkut, që vjen si pasojë e zmadhrimit të shpretkës (splenomegalisë).
    Këto simptoma ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe, sipas studimeve të publikuara në Blood Advances, pacientët me PV kanë jetëgjatësi më të shkurtër mesatare krahasuar me popullatën e përgjithshme në të njëjtën grupmoshë, nëse sëmundja nuk trajtohet siç duhet.

    Rreziqet: tromboza dhe transformimi në sëmundje më të rënda

    Policitemia vera i përket grupit të neoplazmave mieloproliferative (MPN), sëmundje të palcës kockore me rritje të tepërt të qelizave të gjakut. Rreziku më i madh është tromboza (formimi i mpiksjeve), që mund të çojë në goditje cerebrale, infarkt të miokardit ose trombozë të venave të thella.

    Në disa raste, sëmundja mund të transformohet në mielofibrozë, një formë më agresive e kancerit të gjakut, ku indet e palcës kockore zëvendësohen me fibrozë, duke penguar prodhimin normal të qelizave të gjakut.

    Sipas American Society of Hematology, rreth 1 në 4 pacientë me policitemi vera zhvillon mielofibrozë brenda 15-20 viteve nga diagnoza, sidomos nëse sëmundja nuk trajtohet me terapi të përshtatshme.

    Diagnoza dhe trajtimi

    Diagnoza konfirmohet me analiza laboratorike të gjakut, biopsi të palcës kockore dhe testim gjenetik për mutacionin JAK2.

    Trajtimi standard përfshin:

    Flebotomi (heqje gjaku): hiqen 300–400 ml gjak për të ulur hematokritin dhe për të parandaluar mpiksjet;
    Hidroksiurea (citostatik): redukton prodhimin e qelizave të gjakut;
    Aspirin në doza të ulëta për profilaksë kundër trombozës;
    Kontroll të faktorëve kardiovaskularë të rrezikut, si tensioni i lartë, kolesteroli dhe ndalimi i duhanit.
    Terapitë inovative

    Sipas raporteve të European Medicines Agency (EMA) dhe FDA, përdorimi i inhibitorëve të JAK2 (si ruxolitinibi) ka ndryshuar ndjeshëm ecurinë e sëmundjes, sidomos te pacientët që nuk reagojnë mirë ndaj hidroksiuresë.

    Këto barna:

    Ulin madhësinë e shpretkës,
    Zbutin simptomat sistemike (kruarje, lodhje, etj.),
    Ulin rrezikun e transformimit në mielofibrozë,
    Zgjatin jetën mesatare të pacientëve.
    Në disa qendra të Evropës Perëndimore dhe SHBA, po testohen gjithashtu kombinime të reja terapish (p.sh. ropeginterferon alfa-2b) që synojnë modifikimin e rrënjës së sëmundjes në nivel qelizor, jo vetëm simptomat e saj.

    Rëndësia e diagnozës së hershme dhe mbështetjes afatgjatë

    Hematologët theksojnë se zbulimi i hershëm dhe trajtimi i personalizuar janë kyç për të parandaluar komplikacionet serioze.

    “Sa më herët të identifikohet policitemia vera, aq më e madhe është mundësia që pacienti të jetojë gjatë dhe me cilësi të mirë jete”, konstaton prof. dr. Heinz Gisslinger nga Universiteti i Vjenës, një nga ekspertët kryesorë për sëmundjet mieloproliferative.

    Shoqatat e pacientëve, po theksojnë gjithashtu nevojën për qasje ndaj terapive të reja dhe përfshirje të mbështetjes psikologjike dhe sociale në kujdesin afatgjatë të pacientëve.

    Përfundim

    Policitemia vera është një sëmundje kronike, por e menaxhueshme e palcës kockore.
    Me diagnostikim të hershëm, monitorim të kujdesshëm hematologjik dhe terapi moderne, mund të sigurohet një jetë e gjatë dhe aktive për shumicën e pacientëve.

    Sipas Journal of Clinical Oncology, trajtim i individualizuar dhe qasje multidisiplinare janë faktorët që sot bëjnë dallimin ndërmjet një sëmundjeje të rrezikshme dhe një gjendjeje të kontrolluar me sukses. /Telegrafi/

  • Çfarë (nuk) duhet ngrënë për bark të sheshtë

    Çfarë (nuk) duhet ngrënë për bark të sheshtë

    Nëse përballeni me fryrje të barkut papritur, jo domosdoshmërisht diçka po shkon keq në organizmin tuaj, por nëse barku ju del mbi xhinse, atëherë është koha të hidhni vështrimin në dietën tuaj dhe të bëni dicka për ta ndryshuar atë. Disa nga ushqimet që duhet ti evitoni me patjetër përfshijnë:

    Produktet e qumështit: Enzimat që bëjnë të mundur shpërbërjen e laktozës ndikojnë më shumë nga sa mund ta imagjinoni në fryrjen e barkut.

    Mollët: Mollët janë të pasura me fibra dhe gjithashtu përmbajnë fruktozë dhe sorbitol, të cilat shumë njerëz nuk i tolerojnë. Rezultati? Ndjesi fryrjeje.

    Ushqimet me kripë: Ushqimet me përmbajtje të lartë kripe shkaktojnë mbajtjen e ujit në organizëm (për shkak të etjes), çka shkakton fryrje të barkut.

    Bëni mirë të konsumoni fruta dhe perime të tilla si:

    Kastravecat: Ashtu siç i përdorim për të reduktuar fryrjen poshtë syve, mund t’i përdorim e dhe për fryrjen e barkut.

    Bananet: Ushqimet e pasura me potasium si bananet, avokadot, kivit, portokallet parandalojnë mbajtjen e ujit dhe rregullojnë nivelet e sodiumit.

    Xhenxhefili: Është një medikament natyror për të luftuar ftohjen, dhimbjet muskulore, dhimbjet e barkut dhe sëmundjet e shkaktuara nga plazhi. Është një anti-inflamator i natyrshëm dhe ndihmon tretjen. Qetëson sistemin e tretjes dhe relakson muskujt e traktit të tretjes. Dietologët e rekomandojnë si një nga mënyrat më të mira të rregullimit të metabolizmit.

  • Studim i ri – Cilat janë ushqimet e përpunuara që e dëmtojnë trurin më së shumti?

    Studim i ri – Cilat janë ushqimet e përpunuara që e dëmtojnë trurin më së shumti?

    Ushqimet e përpunuara që e dëmtojnë më shumë trurin, sipas një studimi të ri, janë mishi i përpunuar dhe pijet e gazuara me sheqer.

    Studiuesit nga Universiteti Virginia Tech kanë zbuluar se personat që konsumojnë rregullisht këto produkte kanë rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar probleme me aftësitë njohëse, përfshirë ato që lidhen me demencën dhe sëmundjen e Alzheimerit, ka raportuar Science Alert.

    Në bazë të të dhënave të mbledhura nga studimi i Universitetit të Michiganit për Shëndetin dhe Pensionimin, u analizuan 4,750 amerikanë mbi 55 vjeç, duke ndjekur shëndetin e tyre për një periudhë deri në shtatë vjet, nga viti 2014 deri në vitin 2020. Çdo dy vjet, pjesëmarrësit iu nënshtruan testeve për vlerësimin e kujtesës, përfshirë kujtimin e menjëhershëm dhe të vonuar, si dhe ushtrime të tjera për llogaritje të thjeshta dhe përqendrim.

    Rezultatet treguan se 1,363 pjesëmarrës zhvilluan probleme të kujtesës ose njohjes. Ata që konsumonin të paktën një racion shtesë mishrash të përpunuar në ditë kishin 17 për qind më shumë rrezik për çrregullime të aftësive njohëse. Ndërsa ata që pinin çdo ditë një pije të ëmbëlsuar, si kola, çaj i ftohtë me sheqer apo lëngje frutash industriale, kishin 6 për qind më shumë rrezik.

    Në mënyrë interesante, studimi nuk gjeti lidhje të fortë mes konsumit të përgjithshëm të ushqimeve të shumëpërpunuara dhe rritjes së rrezikut për probleme njohëse, përveç mishrave të përpunuar dhe pijeve me sheqer. Kategoritë e tjera, si ushqimet e gatshme, ëmbëlsirat, grimcat e kripura apo produktet me bazë drithërash dhe bulmeti, nuk treguan ndikim të njëjtë negativ.

    Autorët e studimit theksojnë se shmangia e këtyre dy kategorive kryesore mund të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të trurit.

    “Ka gjëra që mund t’i ndryshoni. Sekreti është moderimi dhe balanca në zgjedhjet ushqimore”, ka thënë profesoresha Brenda Davy, bashkautore e studimit.

    Sipas saj, ndikimi i ushqimeve të përpunuara është më i madh sesa mendojnë shumica e njerëzve. Rreth 65 për qind e ushqimeve dhe 38 për qind e pijeve të blera nga familjet amerikane në vitin 2020 përbëheshin nga produkte ultra të përpunuara, që karakterizohen nga përmbajtje e lartë industriale, ngjyrues, aromatizues dhe përbërës artificialë që mungojnë në gatimet e shtëpisë.

    Studimi thekson se si të rinjtë ashtu edhe të moshuarit marrin më shumë se gjysmën e kalorive të përditshme nga këto ushqime.

    Një nga autorët, shkencëtari Ben Katz nga Virginia Tech, ka sugjeruar se edukimi ushqimor mund të jetë pjesë e zgjidhjes.

    “Një gjë është të ndjekësh një dietë, por diçka krejt tjetër është t’u japësh njerëzve aftësitë për të gatuar sipas asaj diete”, ka thënë Katz.

  • Nëse s’e keni ditur më parë, ja 6 ushqime që ndihmojnë në forcimin e shëndetit të zemrës

    Nëse s’e keni ditur më parë, ja 6 ushqime që ndihmojnë në forcimin e shëndetit të zemrës

    Ushqimet e shëndetshme për zemrën garantojnë një formë të mirë të organizmit gjatë gjithë fazave të jetës.

    Ekspertët nënvizojnë se ushqyerja e shëndetshme, mospirja e duhanit dhe aktiviteti i rregullt fizik mund të parandalojë 80 për qind e rasteve të sëmundjeve të zemrës.

    Një regjim ushqimor që konsiderohet miqësor me zemrën përmban drithëra, yndyra të shëndetshme, burime jo të yndyrshme të proteinave dhe një larmi frutash dhe perimesh.

    Një regjim i tillë përmban më pak karbohidrate të rafinuara, sheqer apo yndyra të ngopura. Disa ushqime në veçanti janë tepër të mira për zemrën sepse ndihmojnë në pastrimin e enëve të gjakut, uljen e kolesterolit, tensionit të gjakut dhe inflamacionit.Boronicat

    Të gjitha frutat e pyllit përmbajnë shumë antioksidantë që e mbrojnë zemrën. Një gjysmë filxhani me boronica përmban 120 miligramë antioksidantë që ulin tensionin e gjakut.

    Tërshëra

    Studimet thonë se për çdo racion drithërash të plota të konsumuara në ditë, rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare ulet me 9 për qind. Tërshëra meriton shumë lavde sepse është e pasur me fibër dhe ul kolesterolin. Njeriu ka nevojë për të paktën tre gramë me fibër në ditë ose më shumë se një gjysmë filxhani me tërshërë.

    Mollët

    Mollët, sidomos lëkura e tyre, janë të pasura me antioksidantë të cilat e mbrojnë zemrën. Sipas studimeve, konsumi ditor i mollëve e ul ndjeshëm kolesterolin duke filluar nga 9 përqind. Për më tepër, mollët janë një prej burimeve më të mira të fibrës së tretshme.

    Sardelet

    Sardelet janë zgjedhja ideale sepse jo vetëm që përmbajnë pak mërkur por në 100 gramë gjenden 1,000 miligramë acide yndyrore omega-3. Sardelet kushtojnë lirë dhe janë tepër të shëndetshme.

    Arrorët

    Arrorët janë një burim i mirë i yndyrave të pangopura, fibrës, proteinës, mineraleve dhe antioksidantëve. Arrat në veçanti përmbajnë acide yndyrore që luftojnë inflamacionin. Nëse njeriu konsumon 28 gramë arra për pesë ose më shumë herë në javë, është 14 përqind më pak i rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare. Ata që konsumojnë një ose më shumë racione arrash në javë janë 19 përqind më pak të rrezikuar.

    Thjerrëzat

    Thjerrëzat, fasulet dhe qiqrat janë të mirënjohura për shëndetin e zemrës. Ato përmbajnë proteinë, fibër dhe folat, që ulin tensionin e gjakut.

  • Si të pastroni mushkëritë nga nikotina

    Si të pastroni mushkëritë nga nikotina

    Mushkëritë janë pre e shumë kimikateve, që shkaktojnë një sërë sëmundjesh të rrezikshme. Një prej substancave më të dëmshme për mushkëritë është nikotina, të cilën e marrin jo vetëm duhanpirësit, por edhe personat pranë tyre. Kjo substancë futet në gjak dhe zgjat nga 6 deri në 8 orë.

    Largimi i saj i plotë nga trupi kërkon dy deri në tre ditë. Nikotina shkakton varësi, por ka disa ushqime që ndihmojnë në pastrimin e organizmit. Më poshtë do të gjeni një listë ushqimesh të rëndësishme të rekomanduara për largimin e nikotinës toksike nga sistemi. Konsumimi i rregullit i tyre e pastron organizmin tërësisht nga nikotina.

    Lëngu i karrotës

    Një cigare e vetme e mbush trupin me nikotinë. Lëkura humbet shkëlqimin dhe gjallërinë. Lëngu i karrotës është i mirë për lëkurën dhe është një burim i pasur i vitaminave A, C, K dhe B. Ky lëng ushqen lëkurën dhe largon nikotinën.

    Lëngu i qitros

    Nëse pini një litër me lëng qitro në ditë do të pastroni organizmin nga nikotina. Ky lëng përmirëson ritmin e veshkave në eliminimin e nikotinës nga trupi.

    Brokoli

    Brokoli është një perime e pasur me vitaminë C dhe B5. Duhanpirja e tepërt ul nivelin e vitaminës C dhe konsumimi i brokolit i rrit këto nivele. Kjo vitamin zbut nivelet e toksinave dhe ju jep energji.

    Shega dhe frutat e pyllit

    Shega është një frut i kuq dhe plot lëng që ushqen gjakun. Ajo pastron organizmin dhe ju ndihmon të hiqni dorë nga duhani. Frutat e pyllit janë një burim i mirë vitaminash dhe ju ndihmojnë të largoni nikotinën toksike nga sistemi. Acidi që gjendet tek frutat e pyllit ndihmon në eliminimin e toksinave më shpejt se zakonisht, por edhe në zbutjen e simptomave që shfaqen kur hiqni dorë nga duhani.

    Xhenxhefili

    Xhenxhefili ka shumë vlera të shëndetshme. Ai heq dëshirën për të pirë duhan, ndihmon në rënien në peshë dhe largon toksinat nga gjaku. Xhenxhefili është një nga më të mirët kundër nikotinës.

    Portokalli

    Ky agrum është i pasur me vitaminë C, nivelet e së cilës bien ndjeshëm nga nikotina. Konsumimi i portokalleve çdo ditë ndihmon në ngritjen e niveleve të vitaminës C, në largimin e stresit dhe ankthit që shoqëron lënien e duhanit. Së bashku me këto ushqime, pini shumë ujë që të hidratoheni sepse duhanpirja e dehidraton trupin. Uji është një nga mënyrat më të thjeshta për të larguar nikotinën. Përpiquni të mbroni trupin tuaj dhe ushqehuni siç duhet.

  • Qetësoni dhimbjen e dhëmbit me këto metoda të thjeshta

    Qetësoni dhimbjen e dhëmbit me këto metoda të thjeshta

    Kariesi (prishja e dhëmbëve) është shkaku më i zakonshëm i dhimbjes së dhëmbëve, si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit.

    Bakteret që jetojnë në gojë ushqehen me sheqernat dhe niseshtenë që ndodhen në ushqim. Këto baktere formojnë një shtresë ngjitëse të quajtur pllakë bakteriale, e cila ngjitet në sipërfaqen e dhëmbëve.

    Acidet që prodhojnë bakteret në pllaka dëmtojnë shtresën e fortë të jashtme të dhëmbit, të quajtur smalt. Kjo krijon një zonë të prishur të quajtur kavitet (vrimë në dhëmb).

    Shenja e parë e prishjes mund të jetë dhimbja kur ha diçka shumë të ëmbël, shumë të ftohtë ose të nxehtë. Ndonjëherë, prishja shfaqet si njollë e bardhë ose kafe në dhëmb.

    Shkaqe të tjera të dhimbjes së dhëmbit

    Copëza ushqimi e mbetur mes dhëmbëve ose pllaka bakteriale.

    Enjtje ose infeksion në rrënjën e dhëmbit ose në mishrat e dhëmbëve.

    Lëndim i dhëmbit (si përplasje apo shtrëngim i fortë i dhëmbëve).

    Çarje ose copëtim i papritur i dhëmbit.

    Çarje që ndodh me kalimin e kohës në dhëmb ose në mbushje.

    Dalja e dhëmbëve të rinj (si tek foshnjat që u dalin dhëmbët).

    Dhëmbët e mençurisë që nuk kanë hapësirë të dalin si duhet – quhen dhëmbë të mençurisë të bllokuar.

    Infeksioni i sinusit, që mund të ndihet si dhimbje dhëmbi.

    Në shumicën e rasteve, dhimbja e dhëmbit kërkon trajtim nga dentisti.

    Trajtimi dhe kujdesi në shtëpi

    Derisa të shkosh te dentisti, mund të provosh këto mënyra për të lehtësuar dhimbjen:

    Shpëlaje gojën me ujë të ngrohtë.

    Përdor furçë të vogël dentare për të hequr ushqimin ose pllakat midis dhëmbëve.

    Mund të marrësh ilaç kundër dhimbjes (pa recetë), por mos vendos aspirinë ose ilaç direkt mbi mishrat, sepse mund t’i djegë.

    Nëse dhimbja është nga ndonjë goditje, vendos kompresa të ftohta në faqen e jashtme pranë dhëmbit.

  • Përdorimi i telefonit në errësirë totale mund të dëmtojë shikimin tuaj përgjithmonë

    Përdorimi i telefonit në errësirë totale mund të dëmtojë shikimin tuaj përgjithmonë

    Shumë nga ne e përdorin telefonin natën, në errësirë totale, pa menduar për pasojat. Por specialistët paralajmërojnë se kjo zakone mund të shkaktojë dëme serioze në sy, madje deri në humbje të përhershme të shikimit.

    Personat me një strukturë të veçantë të syrit, të quajtur “kënde të ngushta”, janë veçanërisht të rrezikuar. Në errësirë, bebëza e syrit zgjerohet për të lejuar më shumë dritë, por në disa raste kjo mund të bllokojë rrjedhjen natyrale të lëngut të syrit, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të presionit intraokular.

    Ky fenomen mund të çojë në glaukomë akute me mbyllje të këndit, një emergjencë që mund të dëmtojë nervin optik brenda orësh. Pa trajtim të menjëhershëm, dëmtimi është i pakthyeshëm.

    Shkaku i zakonshëm? Ndriçimi i fortë i ekranit të telefonit në errësirë, që krijon kontraste ekstreme dhe streston syrin.

    Këshilla e specialistëve: kur përdorni telefonin natën, vendosni një ndriçim të butë në dhomë. Mbroni shikimin tuaj – është më i çmuar se çdo postim apo video.

  • Dallimet kryesore mes alergjisë dhe intolerancës ushqimore

    Dallimet kryesore mes alergjisë dhe intolerancës ushqimore

    Një nga keqkuptimet më të shpeshta në shëndetin ushqimor është ngatërrimi mes alergjisë dhe intolerancës ushqimore. Sipas studimeve më të fundit, rreth gjysma e të rriturve që mendojnë se vuajnë nga alergji, në fakt kanë intolerancë ushqimore, një gjendje që zakonisht nuk rrezikon jetën dhe është më e lehtë për t’u menaxhuar.

    Ndryshe nga alergjitë, të cilat përfshijnë një reagim të sistemit imunitar dhe mund të shkaktojnë edhe shok anafilaktik, intoleranca ushqimore nuk paraqet kërcënim për jetën. Ajo lidhet shpesh me vështirësi në tretje, si mungesa e enzimës laktazë, që ndihmon në tretjen e laktozës.

    Simptomat e ngjashme  si fryrja, kruarja apo dhimbjet e barkut e bëjnë të vështirë dallimin mes të dyjave. Megjithatë, një alergji e vërtetë mund të shkaktohet edhe nga sasi shumë të vogla të ushqimit, ndërsa njerëzit me intolerancë zakonisht mund të konsumojnë ushqimin në sasi të vogla pa pasoja të rënda.

    Ekspertët këshillojnë që çdo dyshim të verifikohet me teste mjekësore, për të shmangur menaxhimin e gabuar, panikun e panevojshëm dhe rreziqet serioze që mund të sjellin alergjitë e fshehura.

  • Teknologjia na “shkatërroi” sytë, por gjithashtu na “shpëtoi” nga syzet

    Teknologjia na “shkatërroi” sytë, por gjithashtu na “shpëtoi” nga syzet

    Përgatiti Erona Mumini

    Operacionet e syrit me laser kanë revolucionarizuar mënyrën se si trajtohen problemet e zakonshme të shikimit. Falë teknologjisë moderne, shumë pacientë kanë mundësinë të heqin dorë nga syzet!

    Në emisionin “Libero”, oftalmologu Dr.Afrim Shabani, shpjegoi më tepër për sa i takon këtij lloj operimi dhe tregoi se si teknologjia e avancuar e laserit po u mundëson pacientëve të përmirësojnë shikimin në mënyrë efikase dhe pa dhimbje.

    “…Nuk ka dhimbje për arsye se syri është me anestetik, do të ketë dhimbje nëse nuk është i bërë me anestetik. Në momentin që pacienti e përfundon operimin, është i lirë…”, deklaroi Shabani.

    Ndërkohë, ai tregoi disa nga kriteret që duhet të përmbushen para operacionit.

    “…Kriteri i parë është mosha mbi 18 vjeç; Kriteri i dytë është që te personat që duhet të përcillet dioptria për 2 deri në 3 vite ku nuk kemi lëvizje të dioptrisë, për arsye se laseri e largon atë dioptri që e ke jo që e ndalë atë dioptri; Kriteri i tretë është fotografimi i syrit – sepse pa atë asnjëherë nuk futemi në operacion…”, shtoi doktori.

    Vlen ta potencojmë se operacionet me laser, sipas doktor Afrim Shabanit përfaqësojnë një hap të madh drejt përmirësimit të cilësisë së jetës, duke u dhënë njerëzve mundësinë të shohin qartë pa pasur nevojë për mjete ndihmëse!

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Dr. Afrim Shabanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Kur fëmijët kanë nevojë për syze, pse prindërit hezitojnë?

    Kur fëmijët kanë nevojë për syze, pse prindërit hezitojnë?

    Përgatiti Agnesa Hamdiu

    Ndonjëherë nuk janë fëmijët ata që hezitojnë të mbajnë syze, por prindërit që ngurrojnë t’ua vendosin atyre (ani pse ata kanë nevojë). Shpesh kjo ndodh për shkak të frikës se syzet mund t’i “mërzisin” fëmijët, t’i bëjnë të duken ndryshe nga bashkëmoshatarët, apo edhe për shkak të keqkuptimeve rreth ndikimit të syzeve në shikim.

    Në lidhje me këtë çështje, oftalmologu Afrim Shabani në emisionin “LIBERO” bëri thirrje për prindërit që të mos ndikojnë te fëmijët që ata të mos mbajnë syze (kur ata veçse e kanë këtë nevojë)!

    “…U bëj thirrje të gjithë prindërve që të mos ndikojnë te fëmijët e tyre që ata të mos mbajnë syze (kur kanë nevojë)… nuk duhet ta shohin fëmijët që prindërit e tyre mërziten… Është rrezik i madh që nëse fëmija ka nevojë për syze të mos i mbajë sepse mosmbajtja e tyre mund ta bëjë një sy dembel…”, deklaroi Shabani.

    Gjithashtu ai u kërkoi të gjithë prindërve që t’i dërgojnë fëmijët në kontroll (edhe në rastet kur nuk e shohin ndonjë problem) sepse sa më shumë kohë që kalon, mundësia është më e vogël për ndihmë.

    Vlen të theksohet se hezitimi i prindërve për vendosjen e syzeve te fëmijët e tyre (kur ata kanë nevojë) – mund të vonojë korrigjimin e problemeve të shikimit dhe të ndikojë në zhvillimin vizual, përqendrimin në mësime dhe vetëbesimin e fëmijës.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Dr. Afrim Shabanit, klikoni në linkun e mëposhtëm: