ATV

Category: SHËNDETËSI

  • 12 shenjat që tregojnë se jeni duke përjetuar ankth

    12 shenjat që tregojnë se jeni duke përjetuar ankth

    Gjithkush nervozohet ose shqetësohet herë pas here. Për shembull kur flet në publik ose kur kalon vështirësi financiare.

    Sidoqoftë, për disa njerëz ankthi bëhet aq i shpeshtë ose aq i fuqishëm sa që fillon të marrë përsipër jetën e tyre.

    Si mund të dini nëse ankthi juaj i përditshëm ka kaluar ‘kufirin’ duke kaluar në një çrregullim? Nuk është e lehtë.

    Ankthi vjen në forma të ndryshme – si sulme paniku, fobi dhe ankth shoqëror – dhe dallimi në mes të një diagnoze zyrtare dhe ankthit “normal” nuk është gjithmonë i qartë.

    Nëse ju përjetoni ndonjë nga simptomat e mëposhtme në baza të rregullta, mund të shkoni të bisedoni me mjekun tuaj:

    • Shqetësim i tepruar
    • Probleme me gjumin
    • Frika të paarsyeshme
    • Tension i muskujve
    • Probleme me tretjen në mënyrë kronike
    • Nervozizëm para ose gjatë një paraqitje para një auditori
    • Ankth në prani të miqve
    • Panik
    • Parafytyrimet (shqetësime nga e kaluara)
    • Probleme me perfeksionimin
    • Sjellje të pandreqshme (maniak, fiksues)Vetë-dyshim
  • Si ndikon konsumi i tepruar i alkoolit në shëndetin e trurit

    Si ndikon konsumi i tepruar i alkoolit në shëndetin e trurit

    Një studim i ri ka zbuluar se personat që konsumojnë rregullisht alkool mund të përjetojnë goditje më të rrezikshme dhe rreth një dekadë më herët sesa ata që pinë më pak.

    Sipas studimit, individët që konsumonin tre ose më shumë pije alkoolike në ditë kishin më shumë gjasa të pësonin hemorragji intrakraniale – një formë fatale e goditjes në tru e shkaktuar nga gjakderdhja – në mënyrë më të rëndë dhe në moshë më të re krahasuar me pijësit e moderuar.

    Studimi thekson gjithashtu se pijësit e rëndë ishin më të prirë të shfaqnin shenja të sëmundjes së enëve të vogla të gjakut në tru, e cila lidhet me rrezikun e shtuar për demencë.

    “Pijet e tepruara të alkoolit jo vetëm që rrisin ashpërsinë e goditjeve nga gjakderdhja, por gjithashtu përshpejtojnë dëmtimin e enëve të vogla të trurit,” tha Dr. Edip Gurol, neurolog në Universitetin e Harvardit dhe një nga autorët e studimit.

    Studimi, i publikuar në revistën “Neurology”, përfshiu 1,600 të rritur me moshë mesatare 75 vjeç, të hospitalizuar për hemorragji intrakraniale. Rezultatet treguan se pijësit e rëndë kishin një moshë mesatare prej 64 vjetësh në momentin e goditjes, krahasuar me 75 vjet për ata që konsumonin më pak alkool. Për më tepër, hemorragjitë e tyre ishin mesatarisht 70% më të mëdha.

    Analizat mjekësore zbuluan se pijësit e rëndë kishin numër më të ulët të pllakave të gjakut dhe presion të lartë të gjakut në momentin e pranimit në spital – faktorë që mund të ndikojnë në ashpërsinë dhe shpejtësinë e rikuperimit nga goditjet.

    Megjithëse studimi kishte disa kufizime, si analiza e të dhënave në një moment të vetëm dhe mungesa e informacionit për zakonet e konsumit gjatë jetës, autorët theksojnë rëndësinë e reduktimit të konsumit të alkoolit për ruajtjen e shëndetit të trurit.

    Dr. Gurol përfundoi:

    “Nxitja e ndryshimeve në stilin e jetesës, përfshirë ndalimin e alkoolit, duhet të jetë pjesë thelbësore e përpjekjeve për parandalimin e goditjeve, sidomos tek ata që janë në rrezik më të lartë.”

  • Mandarinat apo portokallet, cilat kanë më shumë vlera ushqyese

    Mandarinat apo portokallet, cilat kanë më shumë vlera ushqyese

    Ndërsa temperaturat bien, frutat e vjeshtës dhe të dimrit i shtohen tryezës tonë. Midis tyre, frutat agrume dallohen për shijen dhe përfitimet e tyre shëndetësore, pasi ngrënia e portokalleve, mandarinave ndihmojnë për të forcuar sistemin imunitar dhe për të siguruar lëndë ushqyese të vlefshme.

    Portokallet konsiderohen protagonistët e dimrit, pasi përmbajnë minerale dhe antioksidantë, dhe janë lidhur me përfitime të ndryshme shëndetësore, të tilla si përmirësimi i funksionit të sistemit imunitar, zvogëlimi i inflamacionit, zvogëlimi i rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe kancerit, si dhe përthithja më e mirë e hekurit.

    Por sa më të mira janë ato nga ana ushqyese sesa mandarinat?

    Pavarësisht ndryshimit në madhësi, të dy frutat kanë kalori dhe karbohidrate të ngjashme, rreth 47 kalori për portokallin dhe 47–53 për mandarinën, si dhe 11–12 g karbohidrate për portokallin dhe 11–13 g për mandarinën.

    Vitamina C

    Portokallet fitojnë betejën në përmbajtjen e vitaminës C, me rreth 59.1 mg për 100 g, krahasuar me 26.7 mg për mandarinat e zakonshme.

    Lëndë të tjera ushqyese

    Portokallet përmbajnë më shumë fibra, të cilat na mbajnë të ngopur më gjatë nëse i hamë të plota. Ato gjithashtu përmbajnë karotenoide, flavonoide, folate dhe kalium. Mandarinat përmbajnë gjithashtu antioksidantë, karotenoide, sasi të vogla mineralesh dhe vitaminash, dhe, krahasuar me portokallet, ato kanë një përmbajtje relativisht më të lartë të vitaminës A, falë beta-karotenit.

    Çfarë duhet të keni kujdes kur hani portokalle

    Aciditeti i portokallit mund të prekë njerëzit me refluks gastroezofageal ose ndjeshmëri të stomakut. Lëngu i portokallit humbet përmbajtjen e lartë të fibrave dhe mund të përmbajë më shumë sheqer, veçanërisht nëse ka sheqer të shtuar.

    Çfarë duhet të keni kujdes kur hani mandarina

    Përmbajtja më e ulët e fibrave për 100 g krahasuar me një portokall do të thotë që mund të humbisni disa nga këto “përfitime” nëse sasia është e vogël. Në disa varietete, mandarinat mund të kenë më pak vitaminë C, kështu që nëse dieta juaj bazohet në sasi minimale të frutave, portokallet ofrojnë më shumë përmbajtje.

    Çfarë të zgjidhni?

    Kur bëhet fjalë për frutat agrume, ndryshimet midis llojeve janë në të vërtetë të vogla. E gjitha varet nga nevojat, shija dhe mënyra se si i përfshini ato në dietën tuaj. Nëse dëshironi marrjen maksimale të vitaminës C dhe fibrave në një porcion, portokalli ndoshta ofron një raport më të mirë.

    Nëse kërkoni lehtësi, mandarinat janë më praktike pasi mund të hahen edhe si një meze e lehtë. Në fakt, nëse hani më shumë se një, marrja juaj e vitaminës C rritet. Është mirë të alternohen varietetet e agrumeve për të përfituar nga diversiteti i lëndëve ushqyese dhe komponimeve antioksiduese.

     

  • IKSHPK njofton: Mbrohuni nga gripi sezonal!

    IKSHPK njofton: Mbrohuni nga gripi sezonal!

    Gripi sezonal është një sëmundje akute infektive, e cila në shumë raste mund të shkaktojë komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
    Vaksina kundër gripit mbetet mënyra më e mirë për të reduktuar rrezikun e infektimit dhe për të penguar përhapjen e virusit në komunitet.

    Këshilla për t’u mbrojtur nga gripi sezonal:

    ✅ Lani duart shpesh me ujë dhe sapun
    😷 Mbuloni gojën dhe hundën kur kolliteni ose teshtini
    🚫 Shmangni kontaktin e ngushtë me persona të sëmurë
    🏠 Qëndroni në shtëpi nëse jeni të sëmurë
    🍎 Ushqehuni shëndetshëm dhe pini shumë lëngje
    💉 Vaksinohuni çdo vit kundër gripit sezonal

    Mbrojtja e shëndetit fillon me parandalim.

  • Cilat zakone duhet të ndaloni për të ulur dhjamin rreth barkut?

    Cilat zakone duhet të ndaloni për të ulur dhjamin rreth barkut?

    Pa dieta ekstreme, pa ushtrime, vetëm ndryshime të vogla që bëjnë dallimin e madh.

    Në rrjete sociale mund të keni parë sfidën “Plank Challenge”, por arsyeja pse duhet të djegim dhjamin e barkut nuk ka të bëjë vetëm me pamjen fizike. Dhjami i barkut, që në terma mjekësorë quhet dhjam visceral, mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin.

    Ky lloj dhjami grumbullohet thellë në bark, përreth organeve si mëlçia dhe zorrët, dhe përveçse bën që barku të duket më i fryrë, prodhon proteina inflamatore që rrisin rrezikun për sëmundje kronike si sëmundjet e zemrës, diabeti, sëmundja e mëlçisë dhjamore jo-alkoolike dhe kanceri.

    Por, EatingWell ka shkruar se lajmi i mirë është se zakonet e përditshme ndikojnë shumë në sasinë e këtij dhjami.

    Ekspertët e ushqyerjes thonë se nëse doni ta përmirësoni shëndetin tuaj dhe të humbni dhjamin e barkut, ka një zakon kryesor që duhet thyer menjëherë.

    1. Qëndrimi ulur për shumë orë është zakoni më i keq

    Dietologia Erin Palinski-Wade, ka thënë se “qëndrimi ulur për periudha të gjata është zakoni numër një që duhet ndalur menjëherë për ta reduktuar dhjamin e barkut”.

    Shumica e njerëzve nuk lëvizin sa duhet. Udhëzimet shëndetësore rekomandojnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë, por më pak se gjysma e njerëzve i arrijnë këto nivele.

    Sipas Palinski-Wade, duke bërë më shumë lëvizje, ju ndërtoni masë muskulore, e cila ndihmon në rritjen e metabolizmit edhe kur pushoni dhe përmirëson përbërjen trupore”.

    Ajo ka shtuar se lëvizja ndihmon edhe në rregullimin e nivelit të insulinës dhe djegien më efikase të dhjamit të depozituar.

    2. Strategji të thjeshta për të lëvizur më shumë

    Filloni me hapa të vegjël. 

    “Nuk keni pse të vraponi maratonë për ta nisur. Mjaftojnë 10-15 minuta aktivitet, një shëtitje, vallëzim apo joga. Shtoni lëvizje gjatë ditës, si të përdorni shkallët në vend të ashensorit ose të parkoni më larg”, ka thënë dietologia Patricia Bannan.

    Bëjeni zakon. 

    “Sekreti është ta përsërisni çdo ditë, derisa të bëhet po aq e zakonshme sa larja e dhëmbëve”, ka thënë Bannan.

    Ajo sugjeron të bëni ushtrime bashkë me një mik për ta mbajtur motivimin. 
    “Festimi i arritjeve të vogla, si përmbushja e numrit ditor të hapave, krijon momentum”, ka thënë Bannan.

    Vendosni kujtesa. 

    “Çdo 30 deri në 60 minuta, ngrihuni, shtrihuni apo ecni pak”, shton Bannan. Kjo ndihmon në aktivizimin e qarkullimit të gjakut dhe muskujve.

    Lëvizni edhe kur jeni në telefon. 

    “Kur flisni në telefon, ecni në vend që të rrini ulur, kështu shfrytëzoni kohën që keni për të shtuar lëvizjen”, këshillon Palinski-Wade.

    Mos harroni ushtrimet me pesha.

    “Ushtrimet me pesha janë një nga mënyrat më të mira për të ulur dhjamin në bark. Filloni me 1-2 herë në javë, duke përfshirë grupet kryesore të muskujve”, ka thënë Palinski-Wade.

    Ndërroni rutinën. 
    Edhe aktivitetet aerobike ose intervalet intensive (HIIT) janë shumë efikase. Studimet tregojnë se 3 seanca me ushtrime aerobike ose intervale në javë mund të ndihmojnë ndjeshëm në uljen e dhjamit të barkut.

    3. Këshilla shtesë për ta reduktuar më tej dhjamin

    Flini mjaftueshëm.

    “Edhe një natë pa gjumë të mirë mund të rrisë oreksin dhe rezistencën ndaj insulinës, duke bërë trupin të ruajë më shumë dhjam në bark”, ka paralajmëruar Palinski-Wade.

    Ulni stresin.

    “Praktika si meditimi, frymëmarrja e thellë apo ushtrimet e ndërgjegjësimit ndihmojnë në uljen e kortizolit, hormonit të lidhur me grumbullimin e dhjamit në bark”, ka shpjeguar Bannan.

    Shtoni fibra.

    “Fibrat ndihmojnë në balancimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe ulin rezistencën ndaj insulinës, duke parandaluar depozitimin e dhjamit në bark”, ka thënë Palinski-Wade.

    Ato gjithashtu ndihmojnë në uljen e oreksit dhe nxisin humbjen e peshës.

    Mos shmangni yndyrat e mira. 

    “Peshqit si salmoni, skumbria, sardelet apo trofta janë të pasur me acide yndyrore omega-3 që ulin inflamacionin dhe përmirësojnë metabolizmin e dhjamit”, ka shtuar Bannan.

    Kurse Palinski-Wade ka thënë se sekreti nuk është perfeksioni, por vazhdimësia.

    “Lëvize trupin çdo ditë, dhe shëndeti do të të ndjekë vetë”, ka thënë ajo.

  • A zgjoheni gjatë natës? Arsyeja mund të jetë më interesante se mendoni

    A zgjoheni gjatë natës? Arsyeja mund të jetë më interesante se mendoni

    Para shumë shekujsh, njerëzit flinin në dy periudha të ndara dhe trupi ynë ende e kujton atë ritëm

    Njerëzit dikur shkonin në shtrat menjëherë pas perëndimit të diellit, zgjoheshin rreth mesnatës dhe më pas flinin sërish deri në agim, sipas burimeve historike nga Evropa, Azia dhe Afrika.

    Ky ndërprerje e natës nuk ishte pengesë, përkundrazi, përfaqësonte një pushim natyror që ndryshonte perceptimin e kohës. Edhe netët dimërore ishin “të ndara”, gjë që i bënte më të përballueshme.

    Gjatë atij intervali “të qetë”, shumë njerëz kryenin punë të thjeshta (ndiznin zjarrin ose kontrollonin bagëtinë). Disa e shfrytëzonin kohën për lutje, reflektim ose shoqërim me familjen, ndërsa në shumë shkrime përmendet se atëherë njerëzit lexonin, shkruanin ose kalonin kohë me partnerin. Ky model i gjumit ishte i zakonshëm për shekuj me radhë, derisa ndryshimet e sjella nga revolucioni industrial e zëvendësuan.

    Shfaqja e ndriçimit artificial ndryshoi marrëdhënien tonë me natën, në fillim ishin llambat me vaj, më pas ato me gaz, e më vonë dritat elektrike. Të gjitha këto shpikje zgjatën kohën e zgjimit, ndërsa drita e fortë në mbrëmje ndikoi edhe në ritmin biologjik.

    Ajo pengonte sekretimin e melatoninës dhe e shtynte fillimin e gjumit më vonë. Deri në fillim të shekullit XX, ritmi i ri i jetës, i përshtatur me turnet fabrikës dhe zakonet shoqërore, na imponoi një gjumë të gjatë, të pandërprerë.

    Megjithatë, shkencëtarët kanë vënë re se kur njerëzit në eksperimente moderne kthehen në kushte pa dritë artificiale dhe pa orë, ata shpesh rikthehen spontanisht në gjumin me dy faza. E njëjta gjë vërehet edhe në komunitete që ende jetojnë pa energji elektrike, si popullatat bujqësore në Madagaskar, ku shumë njerëz zgjohen natyrshëm rreth mesnatës.

    Studimet tregojnë gjithashtu se drita ndikon në perceptimin e kohës: në dhoma më të errëta, njerëzit shpesh mendojnë se ka kaluar më shumë kohë sesa në ato të ndriçuara, dhe kur janë në humor të keq, ky efekt bëhet edhe më i theksuar, shkruan Science Alert, përcjell Telegrafi.

    Kalimi në fazën e dytë

    Zgjimet gjatë natës, pra, nuk janë shenjë që diçka nuk është në rregull. Ndërprerjet e shkurtra të gjumit janë të zakonshme dhe ndodhin gjatë kalimit nga një fazë gjumi në tjetrën, por problemi shpesh qëndron në mënyrën se si reagojmë.

    Kur zgjohemi në orën tre të mëngjesit dhe shohim orën, duket sikur koha qëndron në vend. Ankthi dhe qetësia e thellë e natës e shtojnë ndjesinë se koha s’po kalon, ndaj disa minuta mund të duken si përjetësi.

    Pikërisht për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që, nëse nuk mund të flini më shumë se njëzet minuta, të ngriheni, të ulni ndriçimin, të lexoni diçka qetësuese dhe të ktheheni në shtrat sapo të ndjeni përgjumje. Po ashtu, përpiquni ta mbuloni orën, sepse vështrimi i saj i vazhdueshëm vetëm sa e shton ankthin.

    Pranimi i faktit që zgjimet e shkurtra janë pjesë e ritmit natyror mund të zvogëlojë stresin dhe t’ju ndihmojë të riflini më lehtë. /Telegrafi/

  • Të bëhesh nënë në moshën 30–35 vjeç, periudha më e mirë për nënën dhe fëmijën

    Të bëhesh nënë në moshën 30–35 vjeç, periudha më e mirë për nënën dhe fëmijën

    Një studim i fundit ka hedhur dritë mbi një fakt të rëndësishëm që ndoshta shpesh injorohet në diskutimet për shtatzëninë. Sipas një hulumtimi të kryer mbi gratë që janë bërë nëna mes moshës 30 dhe 35 vjeç, kjo periudhë është vlerësuar si ajo më e përshtatshme për të pasur fëmijë, duke ofruar përfitime të shumta për nënën dhe fëmijën.

    Ndryshe nga perceptimi i zakonshëm që lidh prindërimin me një moshë të re si 25 vjeç, ky studim sugjeron se gratë që bëhen nënë në vitet e 30-ta shpesh kanë një nivel të stabilizuar emocional, financiar dhe social, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijës. Ndërkohë, edhe trupat e grave janë më të përgatitur për të përballuar shtatzëninë, pasi hormonet janë më të balancuara dhe përgjigjet emocionale janë më të qëndrueshme.

    Gjithashtu, prindërit e rinj në këtë moshë kanë tendencën të jenë më të përqendruar dhe të sigurtë për vlerat dhe lidhjet e tyre, duke krijuar një mjedis më të shëndetshëm për rritjen e fëmijëve. Gratë që lindin pas moshës 30 vjeçare raportojnë se kanë mundësi më të mira për të balancuar karrierën, jetën personale dhe angazhimet familjare, duke ndihmuar në krijimin e një ambienti më të qetë dhe mbështetës për familjen e re.

    Ky studim pasqyron një realitet të ndryshuar, ku prindërimi nuk është më një “urgjencë” por një zgjedhje të menduar mirë, që ofron më shumë përfitime për të dyja palët.

  • Shkencëtarët zbulojnë pse njerëzit nuk mund të përqendrohen pas një nate pa gjumë

    Shkencëtarët zbulojnë pse njerëzit nuk mund të përqendrohen pas një nate pa gjumë

    Njerëzit kalojnë rreth një të tretën e jetës në gjumë, por mënyra se si truri “fiket dhe ndizet” sërish mbetet një nga misteret më të mëdha të neuroshkencës.

    Është ndjenjë që shumëkush e njeh: je në mbledhje në mëngjes, dikush të bën një pyetje, dhe në atë çast truri yt thjesht “fiket”. Këto ndërprerje të shkurtra të vëmendjes janë të zakonshme te njerëzit që kanë fjetur pak, por deri tani shkencëtarët nuk e kanë kuptuar saktësisht se çfarë ndodh në tru në ato momente.

    Një studim i ri nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) ka hedhur dritë mbi këtë proces dhe ka zbuluar se “fikja” e trurit nuk ka të bëjë vetëm me lodhjen mendore. Gjatë këtyre çasteve të humbjes së përqendrimit, ndodh një valë e lëngut trunor që del nga truri dhe rikthehet sapo vëmendja rifiton kontrollin, ka shkruar The Guardian.

    “Momenti kur dikujt i dështon vëmendja është po ai moment kur valët e këtij lëngu fillojnë të lëvizin. Nuk është vetëm që neuronet nuk po i kushtojnë vëmendje botës përreth, në të njëjtën kohë ndodh një ndryshim i madh i lëngjeve në tru”, ka shpjeguar doktoresha Laura Lewis, bashkautore e studimit.

    Lewis dhe kolegu i saj, doktori Zinong Yang, studiuan trurin e njerëzve të privuar nga gjumi për të kuptuar pse ndodhin dështime të tilla të vëmendjes, të cilat mund të jenë fatale, si për shembull te shoferët e përgjumur apo te kafshët që bëhen pre e grabitqarëve.

    Në eksperiment morën pjesë 26 persona, të cilët u vendosën në skaner fMRI (mat aktivitetin e trurit duke zbuluar ndryshimet në rrjedhën e gjakut) me një kapelë EEG (kapelë elektroencefalogrami) për të matur aktivitetin elektrik të trurit. Ata duhej të reagonin sa më shpejt ndaj tingujve apo figurave në ekran. Secili u testua një herë pas një nate me gjumë normal dhe një herë pas një nate pa gjumë fare.

    Siç pritej, performanca ra ndjeshëm pas mungesës së gjumit.

    Skanerët treguan se, në momentin që vëmendja binte, një valë e lëngut cerebrospinal dilte nga truri dhe kthehej menjëherë pas rikthimit të përqendrimit. Këto valë zakonisht ndodhin gjatë gjumit të thellë dhe besohet se ndihmojnë trurin të pastrojë mbeturinat metabolike që grumbullohen gjatë ditës.

    Përveç kësaj, u pa se bebëzat e syve ngushtoheshin rreth 12 sekonda para se lëngu të largohej nga truri dhe ktheheshin në normalitet pas përfundimit të këtij intervali. Frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës po ashtu ngadalësoheshin.

    Sipas Yang, këto intervale ndodhin kur truri përpiqet të kryejë funksionet e zakonshme njohëse, ndërkohë që fillon edhe “mirëmbajtjen” e tij të brendshme, proces që zakonisht ndodh gjatë gjumit.

    “Është si të thuash, truri po përpiqet të bëjë një pushim të vogël”, ka thënë ai.

    Profesori Bill Wisden nga Imperial College London, ka theksuar se studimi tregon se mungesa e gjumit sjell ndryshime të thella në tru.

    “Ende nuk është e qartë nëse këto ndryshime të qarkullimit të lëngjeve janë mbrojtëse apo të dëmshme”, ka thënë ai.

    Ndërsa doktoresha Ria Kodosaki nga University College London e përshkroi këtë fenomen si “ngjarje biologjike të strukturuara që ngjajnë shumë me fillimin e gjumit”.

    Ajo ka shtuar se këto intervale të rrezikshme mund të jenë mënyra e trurit për të mbrojtur vetveten.

    “Mendoni për to si ndalesa të detyruara në garë, truri humbet përkohësisht fokusin e jashtëm për të bërë pastrimin e brendshëm”, ka thënë doktoresha.

  • Ndjesia e shpimit, dobësia dhe ngërçet paralajmërojnë mungesë kaliumi: Ja si ta rimbushni këtë mineral jetik

    Ndjesia e shpimit, dobësia dhe ngërçet paralajmërojnë mungesë kaliumi: Ja si ta rimbushni këtë mineral jetik

    Kur trupi për ndonjë arsye humbet shumë kalium, ndodh hipokalemia, një gjendje që mund të shkaktojë shqetësime serioze në funksionimin e muskujve dhe zemrës

    Kaliumi është mineral i tretë më i përhapur në trupin e njeriut dhe një nga elektrolitet kryesorë, të domosdoshëm për funksionimin normal të çdo qelize. Niveli i tij ndikon drejtpërdrejt në punën e zemrës, muskujve, stomakut…

    Pse është i rëndësishëm kaliumi për trupin?

    Ndërsa natriumi vepron kryesisht jashtë qelizave, kaliumi luan rolin kryesor brenda tyre, sepse ruan ekuilibrin e lëngjeve, rregullon ngarkesën elektrike të membranave qelizore dhe mundëson kalimin e impulseve përmes fibrave nervore dhe muskulore

    Së bashku me natriumin, klorin, magnezin dhe kalciumin, ky mineral përbën bazën e stabilitetit elektrolitik të organizmit. Nga balanca e këtyre mineraleve varen pothuajse të gjitha funksionet fiziologjike: nga rrahjet e zemrës dhe tkurrjet muskulore, deri te aktiviteti i trurit dhe presioni i gjakut.

    Roli kryesor i kaliumit në sistemet e trupit

    Kaliumi është kationi kryesor brendaqelizor, që do të thotë se ruan stabilitetin elektrik dhe osmotik të qelizës. Roli i tij më i rëndësishëm është në përçimin e impulseve nervore dhe tkurrjen e muskujve, veçanërisht të atyre të zemrës

    Së bashku me natriumin merr pjesë në funksionimin e të ashtuquajturës pompë natrium-kalium, mekanizëm që mundëson shkëmbimin e joneve midis brendësisë dhe jashtësisë së qelizës. Ky proces është jetik për funksionimin normal të qelizave nervore dhe muskulore.

    Kaliumi gjithashtu ndihmon në rregullimin e ekuilibrit acido-bazik (balanca e acideve dhe bazave në organizëm), ndikon në metabolizmin e glukozës, rritjen dhe ndarjen qelizore, si dhe në proceset e detoksifikimit.

    Kërkimet tregojnë se marrja e mjaftueshme e kaliumit ul rrezikun e presionit të lartë të gjakut, goditjes në tru dhe gurëve në veshka, duke përmirësuar njëkohësisht shëndetin e kockave dhe muskujve, transmeton Telegrafi.

    Kur dhe si humbet kaliumi?

    Kaliumi eliminohet nga organizmi kryesisht përmes veshkave, mbi 90% përmes urinës, ndërsa një pjesë më e vogël përmes jashtëqitjes dhe djersës. Kur trupi humbet shumë kalium, ndodh hipokalemia, gjendje që mund të shkaktojë çrregullime në punën e muskujve dhe zemrës

    Simptomat e nivelit të ulët të kaliumit përfshijnë dobësi, ngërçe, lodhje, rrahje të parregullta të zemrës, kapsllëk dhe ndjesi shpimi në gjymtyrë.

    Hipokalemia është e zakonshme tek personat që ushtrojnë shumë, tek sportistët që humbin elektrolite me djersë, por edhe tek ata me diarre të zgjatur, të vjella ose përdorim të tepruar të diuretikëve dhe laksativëve.

    Përveç kësaj, personat që përdorin ilaçe si kortikosteroidet, beta2-agonistët, kardiotonikët ose teofilinën, mund të zhvillojnë çrregullime elektrolitike.

    Tek pacientët me sëmundje inflamatore të zorrëve (sëmundja e Crohn-it, koliti ulceroz) ndodh ulje e përthithjes dhe humbje e kaliumit, gjë që e përkeqëson gjendjen klinike.

    A është e rrezikshme kur kemi shumë kalium?

    Nga ana tjetër, niveli i lartë i kaliumit në gjak (hiperkalemia) mund të jetë po aq i rrezikshëm. Ajo ndodh zakonisht tek personat me dëmtim të funksionit të veshkave, sepse veshkat nuk arrijnë të eliminojnë tepricën e elektroliteve

    Hiperkalemia mund të shkaktojë ngadalësim të rrahjeve të zemrës, aritmi, madje edhe arrest kardiak, ndaj kërkon vlerësim të menjëhershëm mjekësor.

    Si të sigurojmë marrjen e duhur të kaliumit

    Burimi më i mirë i kaliumit është një dietë e larmishme dhe e freskët. Ai gjendet në frutat dhe perimet, sidomos në banane, avokado, patate, domate, spinaq, fasule, thjerrëza dhe fruta të thata. Duhet pasur parasysh se gatimi (zierja, pjekja) dhe përpunimi industrial i ushqimeve mund të ulin përmbajtjen e kaliumit deri në 70%

    Studimet moderne tregojnë se raporti midis kaliumit dhe natriumit ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës: sa më shumë kalium në raport me kripën, aq më i vogël rreziku nga hipertensioni.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon 3.500 mg kalium në ditë për të rriturit, me kufizim paralel të kripës.

    Kaliumi – shumë më tepër se një mineral i zakonshëm

    Kaliumi është rregullatori kryesor i jetës brenda çdo qelize. Disbalanca e tij ndikon në sinjalet nervore, forca e muskujve, funksionimin e zemrës dhe trurin.

    Kujdesi për marrjen e mjaftueshme të kaliumit përmes ushqimit të shëndetshëm dhe stilit aktiv të jetës është një nga mënyrat më të thjeshta, por më të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit afatgjatë. /Telegrafi/

     

  • Pse shtojmë në peshë edhe kur hamë pak? Mjeku zbulon keqkuptimet më të zakonshme rreth metabolizmit

    Pse shtojmë në peshë edhe kur hamë pak? Mjeku zbulon keqkuptimet më të zakonshme rreth metabolizmit

    Si ta kuptoni nëse shtimi në peshë lidhet me metabolizmin apo me zakonet tuaja të përditshme

    Metabolizmi përfshin të gjitha proceset kimike që ndodhin në organizmin e gjallë për të ruajtur jetën dhe funksionimin e trupit. Këto procese përfshijnë shndërrimin e ushqimit në energji, rritjen dhe rigjenerimin e qelizave.

    Një shtesë e vogël në peshë është pothuajse e pashmangshme në moshën e mesme. Shpesh themi: “Pothuajse nuk ha asgjë, por prapë shtoj në peshë”, duke ia hedhur fajin metabolizmit. Ekspertët theksojnë se kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Metabolizmi nuk “rrënohet” domosdoshmërisht me moshën; ai mbetet stabil për dekada dhe vetëm pak ngadalësohet pas të 60-tave. Plakja ndikon në metabolizëm, por mënyra e jetesës luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e peshës trupore.

    Çfarë është metabolizmi?

    Metabolizmi ngadalësohet me kalimin e moshës, por nuk është arsyeja e vetme për shtimin në peshë.

    – Metabolizmi përfshin të gjitha proceset kimike në organizmin e gjallë që sigurojnë funksionimin e jetës dhe trupit. Këtu hyjnë shndërrimi i ushqimit në energji, rritja, rigjenerimi i qelizave dhe mbështetja e punës së organeve. Shkalla metabolike është sasia e energjisë që trupi përdor për të mbajtur këto procese jetike, shpjegon dr. Matyas Fehervari, kirurg bariatrik në “Nuffield Health”.

    Edhe kur jemi në pushim, trupi vazhdon të punojë për ta mbajtur zemrën në rrahje, mushkëritë në frymëmarrje dhe trurin aktiv. Ky proces quhet shkalla bazale e metabolizmit (BMR), transmeton Telegrafi.

    Keqkuptimet më të zakonshme rreth metabolizmit

    – Një nga mitet më të mëdha është se personat me “metabolizëm të mirë ose të shpejtë” mund të hanë gjithçka pa u shëndoshur. Në realitet, dallimet mes njerëzve me metabolizëm të shpejtë dhe atyre me të ngadaltë janë të vogla, thekson dr. Fehervari.

    Një tjetër keqkuptim është se metabolizmi është faktori i vetëm që përcakton peshën trupore.

    – Pesha trupore rregullohet nga një rrjet faktorësh kompleksë që nuk lidhen vetëm me djegien e kalorive. Janë të rëndësishme cilësia e ushqimit, masa muskulore, gjumi, aktiviteti fizik dhe mekanizmat fiziologjikë më të thellë, si ndryshimet në rrjedhën e tëmthit, përshtatja e funksionit dhe madhësisë së stomakut, sinjalet nervore dhe rregullimi i hormoneve të zorrëve që ndikojnë në tretje dhe funksionin e tyre, sqaron mjeku.

    Flora e zorrëve gjithashtu ka rol thelbësor, pasi ndikon në efikasitetin e përthithjes së energjisë nga ushqimi, në sekretimin e acideve biliare dhe në funksionimin e përgjithshëm të metabolizmit.

    Si ndryshon metabolizmi me moshën?

    Metabolizmi nuk bie në mënyrë të drejtvizore, shpjegon dr. Fehervari. Një studim i madh i botuar në revistën Science në vitin 2021, që përfshiu mbi 6.000 persona, tregoi se konsumi i energjisë është më i lartë në fëmijërinë e hershme dhe bie gradualisht deri në moshën 20-vjeçare.

    – Nga mosha 20 deri në 60 vjeç, shkalla metabolike mbetet habitshëm e qëndrueshme, sepse përshtatet me përmasat dhe përbërjen e trupit. Pas të 60-tave, vërehet një rënie e ngadaltë, por e dukshme, shpjegon mjeku.

    Pas kësaj moshe, ajo bie mesatarisht me 0,7% në vit. Shkaqet kryesore janë humbja e masës muskulore (sarkopenia), ulja e aktivitetit fizik dhe ndryshimet hormonale, si rënia e niveleve të hormonit të rritjes dhe atyre seksualë. Edhe mitokondritë, “fabrikat e energjisë” të qelizave, bëhen më pak efikase me vite. Trupi nuk “harron” si të djegë energjinë, thjesht e bën këtë më ngadalë, saktëson dr. Fehervari.

    Si ndikon mënyra e jetesës në metabolizëm

    Disa zakone jetese mund ta forcojnë ose ngadalësojnë funksionin metabolik:

    Mungesa e masës muskulore ose pasiviteti çojnë në djegie më të ulët të energjisë, pasi muskujt përdorin më shumë kalori se yndyra edhe në pushim.
    Dietat ekstreme me kufizim të rreptë kalorish mund të ngadalësojnë përkohësisht metabolizmin.
    Gjumi i dobët ndikon te hormonet leptin (ndjenjë ngopjeje) dhe grelin (ndjenjë urie).
    Stresi kronik rrit nivelin e kortizolit, duke nxitur grumbullimin e yndyrës.
    Duhani dhe alkooli i tepërt dëmtojnë metabolizmin qelizor dhe ekuilibrin hormonal, thekson dr. Fehervari.
    A mund të “përshpejtojmë” metabolizmin?

    Nuk ekziston ndonjë “pilulë magjike” apo metodë e shpejtë, paralajmëron mjeku. Edhe pse pas aktivitetit fizik apo konsumimit të kafeinës rritet përkohësisht djegia e energjisë, këto efekte janë të kufizuara

    – Mënyra më e sigurt dhe e provuar shkencërisht për të ruajtur metabolizmin aktiv është ruajtja e masës muskulore dhe aktiviteti fizik gjatë gjithë jetës, thekson dr. Fehervari.

    Si ta mbajmë metabolizmin aktiv edhe në moshë të thyer?

    Rekomandimi është të qëndrojmë fizikisht aktivë. Kombinimi i ushtrimeve aerobike (si ecja e shpejtë apo çiklizmi) me stërvitjet e forcës ndihmon në ruajtjen e muskujve. Është thelbësor përfshirja e proteinave të mjaftueshme në dietë, sidomos në moshën e shtyrë, pasi ato rigjenerojnë muskujt dhe parandalojnë sarkopeninë.

    Këshilla e dr. Fehervarit është e qartë: “Shmangni dietat ekstreme, flini mjaftueshëm dhe menaxhoni stresin – kështu do ta mbani metabolizmin tuaj të shëndetshëm sa më gjatë.” /Telegrafi/