ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Përdorimi i telefonave inteligjentë para moshës 13 vjeç, ndikon në strukturën e trurit

    Përdorimi i telefonave inteligjentë para moshës 13 vjeç, ndikon në strukturën e trurit

    Asambleja e Përgjithshme e Pediatrisë në Itali ka ngritur alarmin se përdorimi i tepërt dhe i hershëm i pajisjeve smart midis moshave 3 dhe 5 vjeç ndryshon strukturën e trurit, duke shkaktuar probleme me zhvillimin dhe kujtesën.

    Marrëdhënia e fëmijëve të vegjël me botën digjitale, telefonat inteligjentë, tabletët është më shumë se një magjepsje, është pothuajse një varësi që çon në një “qetësim emocional” kur të rriturit u japin të vegjëlve të tyre një pajisje për t’i mbajtur të qetë.

    Kjo mund të shkaktojë dëme të papritura jo vetëm në peshë, shikim e aftësi sociale, por edhe në strukturën e trurit, që ndryshon te përdoruesit e zellshëm të teknologjisë.

    Në vitet 2018 e 2019, Shoqata Italiane e Pediatrisë pati paralajmëruar mbi rrezikun e përdorimit të pajisjeve smart nga fëmijët para moshës 2 vjeç, duke i kufizuar në më pak se një orë në ditë midis moshave 2 dhe 5 vjeç e në më pak se dy orë pas 5 vjeçëve, por nën mbikëqyrjen e të rriturve.

    Tani e trajton sërish çështjen e fëmijëve digjitalë, me tone alarmi.

    Asambleja e Përgjithshme e Pediatrisë 2025 paraqiti shqetësimin në Senat.

    Çdo orë e kaluar para një ekrani rrit rreziqet fizike dhe mendore. Gjysmë ore më shumë në ditë se mesatarja prej 15 minutash mund të dyfishojë rrezikun e vonesës gjuhësore te fëmijët nën 2 vjeç dhe çdo orë shtesë zvogëlon gjumin me rreth 15 minuta te ata midis 3 dhe 5 vjeç. Më shumë se 50 minuta më shumë në ditë shoqërohet me një rrezik më të lartë të hipertensionit pediatrik. Madje edhe midis moshës 3 e 6 vjeç, kjo shoqërohet me një rrezik më të lartë për të qenë mbipeshë.

    Si e ndryshon teknologjia digjitale trurin?

    Gjatë viteve të para të jetës, truri i fëmijëve zhvillohet përmes përvojave të botës reale, lojës, marrëdhënieve e gjuhës. Përdorimi i hershëm dhe i zgjatur i pajisjeve digjitale mund të ndërhyjë në këto procese, duke ndryshuar vëmendjen e mekanizmat e vetërregullimit.

    Studimet neuroimazherike të fëmijëve 3 deri në 5 vjeç që kaluan shumë kohë në pajisjet digjitale treguan ndryshime në zonat e trurit që lidhen me vëmendjen dhe të kuptuarit.

    Në mënyrë specifike, korteksi cerebral tregoi më pak trashësi në zonat që lidhen me gjuhën, vëmendjen e kujtesën dhe për këtë arsye, një zhvillim më pak të pjekur të këtyre të këtyre funksioneve.

    Nëse një fëmijë ka vështirësi në gjuhë ose matematikë, një ndryshim në strukturën e trurit nuk është i dukshëm, por mund të ndikojë në kujtesë apo shkrim-lexim.

    Shëndeti i syve

    Përdorimi i zgjatur i pajisjeve dëmton shëndetin vizual të fëmijëve dhe adoleshentëve. Studimet konfirmojnë cënueshmëri më të madhe të syve, tendosje të tyre, si dhe rrezikun e strabizmit akomodues te fëmijët e vegjël. Ekspozimi i zgjatur mund të zvogëlojë frekuencën e pulsimit të syve, duke nxitur tharjen dhe acarimin e syve. Kjo gjithashtu rrit rrezikun e miopisë dhe tendosjes së syve.

    Varësitë digjitale

    Ka varësi dhe një rritje në përdorimin problematik të teknologjisë: pajisjet përdoren si një mjet për të qetësuar të qarat ose për të shpërqendruar e mbajtur të vegjëlit të qetë në një restorant. Të gjitha këto mund të rrisin varësinë nga stimulimi digjital.

    Sipas studimeve, përdorimi problematik është më i madh kur telefonat inteligjentë lejohen para moshës 13 vjeç. Faktorët e rrezikut përfshijnë ekspozimin e hershëm, kohën e tepërt në internet, mungesën e rregullave, izolimin dhe vështirësitë emocionale.

    Faktorët mbrojtës kanë të bëjnë me praninë prindërore, dialogun, rregullat e përbashkëta dhe aktivitetet.

  • Pija të cilën kardiologët rekomandojnë ta pini çdo ditë

    Pija të cilën kardiologët rekomandojnë ta pini çdo ditë

    Kur bëhet fjalë për dietën dhe shëndetin e zemrës, ndoshta tashmë e dini çfarë duhet të keni parasysh.

    Ndiqni një dietë të bazuar kryesisht në perime dhe ushqime bimore. Hani ushqime të pasura me yndyrna të pangopura, si peshk, arra dhe vaj ulliri.

    Mos konsumoni çdo ditë mish të yndyrshëm dhe gjithashtu shmangni ushqimet e pasura me kripë.

    Sa i përket pijeve, gjithashtu mund ta dini se cilat janë më të dëmshmet për zemrën, pijet e gazuara, përfshirë dietike dhe alkooli.

    Të dini se çfarë ushqimesh dhe pije ndihmojnë zemrën dhe (cilat e dëmtojnë) është thelbësore për shëndetin kardiovaskular.

    Edhe nëse mendoni se jeni të informuar për një dietë të shëndetshme për zemrën, ka një pije që shpesh harrohet, por që mjekët kardiologë rekomandojnë të konsumohet çdo ditë: çaji jeshil.

    Pse çaji jeshil është i mirë për zemrën?

    Përmban antioksidantë që mbrojnë qelizat

    Çaji jeshil është i pasur me antioksidantë që ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimi i shkaktuar nga radikalet e lira. Radikalet e lira shkaktojnë inflamacion, një nga faktorët kryesorë të sëmundjeve të zemrës.

    Ul presionin e gjakut

    Antioksidantët në çajin jeshil ndihmojnë enët e gjakut të relaksohen dhe të zgjerohen, duke përmirësuar qarkullimin dhe ulur presionin e gjakut, veçanërisht tek personat me hipertension.

    Rrit metabolizmin dhe ndihmon në menaxhimin e peshës

    Çaji jeshil mund të përshpejtojë metabolizmin, duke ndihmuar humbjen e peshës. Kjo është e rëndësishme sepse mbipesha është një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës. Për më tepër, çaji jeshil nuk ka kalori.

  • Shkencëtarët francezë: Gripi i shpendëve mund të shkaktojë pandemi më të rëndë se COVID-19

    Shkencëtarët francezë: Gripi i shpendëve mund të shkaktojë pandemi më të rëndë se COVID-19

    Virusi i gripit të shpendëve mund të shkaktojë një pandemi më të rëndë se COVID-19 nëse pëson mutacione që e bëjnë të transmetueshëm mes njerëzve, kështu ka paralajmëruar Instituti Pasteur në Francë.

    Siç shkruan Reuters, virusi shumë patogjen i gripit aviar, i njohur zakonisht si gripi i shpendëve, ka shkaktuar therjen e qindra milionë shpendëve vitet e fundit, duke ndërprerë zinxhirët ushqimorë dhe rritur çmimet, edhe pse rastet te njerëzit mbeten të rralla.

    “Ajo që frikësohemi është përshtatja e virusit te gjitarët, veçanërisht te njerëzit, duke u bërë i aftë për t’u transmetuar nga njeriu te njeriu. Një virus i tillë do të ishte virus pandemik,” tha për Reuters Marie-Anne Rameix-Welti, drejtoreshë mjekësore në qendrën e infeksioneve respiratore të Institutit Pasteur.

    Instituti Pasteur ishte ndër laboratorët e parë europianë që zhvilloi dhe shpërndau testet për zbulimin e COVID-19, duke i vënë protokollet në dispozicion të OBSH-së dhe laboratorëve në mbarë botën.

    Asnjë antitrup kundër gripit h5

    Njerëzit kanë antitrupa kundër llojeve të zakonshme të gripit sezonal H1 dhe H3, por jo kundër gripit H5 që po prek shpendët dhe gjitarët, njësoj siç nuk kishin antitrupa kundër COVID-19, shpjegon Rameix-Welti.

    Dhe ndryshe nga COVID-19, i cili prek kryesisht personat vulnerabël, viruset e gripit mund të jenë vdekjeprurëse edhe për njerëz të shëndetshëm, përfshirë fëmijët.

    “Një pandemi e gripit të shpendëve do të ishte ndoshta mjaft e rëndë, potencialisht edhe më e rëndë se pandemia që përjetuam,” shtoi Rameix-Welti nga laboratori i saj në Paris.

    Ka pasur shumë raste të infeksioneve të njerëzve me llojet e gripit H5, përfshirë H5N1 që qarkullon aktualisht te shpendët dhe lopët e qumështit në SHBA, por këto raste kanë qenë kryesisht tek ata që kanë patur kontakt të ngushtë me kafshë të infektuara. Ndërkohë, këtë muaj u regjistrua rasti i parë njerëzor me H5N5 në shtetin e Washingtonit, ku pacienti, me sëmundje të tjera paraprake, ndërroi jetë javën e kaluar.

    Në raportin e fundit, OBSH tha se nga viti 2003 deri në 2025 janë regjistruar gati 1 mijë shpërthime te njerëzit, kryesisht në Egjipt, Indonezi dhe Vietnam, prej të cilëve 48% kanë ndërruar jetë.

    Rreziku për pandemi te njerëzit mbetet i ulët

    Megjithatë, mundësia që të zhvillohet një pandemi tek njerëzit mbetet e ulët, tha për Reuters-in, Gregorio Torres, drejtues i Departamentit të Shkencës në Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve.

    “Duhet të jemi të përgatitur të reagojmë mjaftueshëm herët. Por për momentin, njerëzit mund të ecin të qetë në pyll, të hanë mish pule e vezë dhe të vazhdojnë jetën. Rreziku i pandemisë është një mundësi, por nga pikëpamja e probabilitetit, vazhdon të jetë shumë i ulët,” tha ai.

    Rameix-Welti shtoi gjithashtu se, nëse gripi i shpendëve do të pësonte mutacion duke u bërë i transmetueshëm mes njerëzve, bota është sot shumë më e përgatitur sesa para pandemisë së COVID-19.

    “Pika pozitive me gripin, krahasuar me COVID-in, është se ne kemi masa specifike parandaluese. Kemi kandidatët për vaksina gati dhe dimë si ta prodhojmë shpejt një vaksinë,” tha mjekja.

    “Gjithashtu kemi rezerva të medikamenteve antivirale specifike, të cilat në parim do të ishin efektive kundër këtij virusi të gripit aviar”.

  • A keni ftohje dhe hundë të bllokuara? Kjo metodë e thjeshtë mund t’i lehtësojë simptomat

    A keni ftohje dhe hundë të bllokuara? Kjo metodë e thjeshtë mund t’i lehtësojë simptomat

    Me mbërritjen e dimrit dhe motit të ftohtë, shumë njerëz përjetojnë probleme të frymëmarrjes, të tilla si hundë të bllokuara, kollë, kruarje të fytit dhe vështirësi në frymëmarrje.

    Gjatë sezonit të ftohjeve dhe infeksioneve virale, thithja natyrale është një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të lehtësuar simptomat, veçanërisht problemet me sinuset dhe hundën.

    Thithja e avullit të ngrohtë ndihmon në hollimin e mukusit, lehtëson nxjerrjen e tij dhe zvogëlon ënjtjen e mukozës së hundës dhe sinuseve. Përveç kësaj, avulli i ngrohtë përmirëson qarkullimin e gjakut në traktin respirator, gjë që e bën frymëmarrjen edhe më të lehtë. Efekti i thithjes mund të përmirësohet duke shtuar përbërës natyralë si kamomili, kripa ose vajra esencialë.

    Kjo metodë nuk kërkon pajisje speciale, dhe procedura mund të kryhet lehtësisht në shtëpi

  • Studimi: Funksioni i tiroides gjatë shtatzënisë lidhet me rrezikun e autizmit

    Studimi: Funksioni i tiroides gjatë shtatzënisë lidhet me rrezikun e autizmit

    Studimi ndoqi më shumë se 51,000 lindje, duke përfshirë 4,409 raste në të cilat nënat kishin nivele anormale të hormoneve tiroide para shtatzënisë, gjatë shtatzënisë ose të dyjave.

    Hormonet e çrregulluara të tiroides gjatë shtatzënisë tek nënat që kishin një çrregullim të tiroides para shtatzënisë mund të rrisin rrezikun e autizmit tek fëmija, raportojnë studiuesit.

    Edhe pse një çrregullim kronik i tiroides i trajtuar në mënyrë adekuate nuk rriti mundësinë e diagnozës së autizmit tek fëmijët, çekuilibrat hormonalë të vazhdueshëm gjatë tremujorëve të shumtë rritën rrezikun, tha udhëheqësi i studimit Idan Menashe i Universitetit Ben-Gurion të Negevit në Izrael.

    Studimi ndoqi më shumë se 51,000 lindje, duke përfshirë 4,409 raste në të cilat nënat kishin nivele anormale të hormoneve tiroide para shtatzënisë, gjatë shtatzënisë ose të dyjave, raporton Reuters .

    Për sa kohë që mosfunksionimi ekzistues i tiroides kontrollohej në mënyrë adekuate, ai nuk shoqërohej ndjeshëm me një rrezik më të lartë për çrregullimin e spektrit të autizmit, sipas një raporti në The Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism .

    Gjithashtu, mosfunksionimi i tiroides që filloi gjatë shtatzënisë nuk duket se rriti rrezikun.

    Megjithatë, mosfunksionimi i tiroides i pranishëm si para ashtu edhe gjatë shtatzënisë shoqërohej me një rrezik më shumë se dyfish më të lartë të autizmit, zbuluan studiuesit.

    Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për gratë me funksion të reduktuar të tiroides dhe si pasojë nivele të ulëta të hormoneve tiroide.

    Sa më e gjatë të jetë periudha e hipotiroidizmit, aq më i madh është rreziku i autizmit, dhe gjasat ishin më shumë se trefish të rritura kur nivelet e hormoneve ishin të ulëta gjatë të tre tremujorëve të shtatzënisë.

    Shumë pak gra në studim kishin funksion të rritur të tiroides, kështu që ai grup nuk u analizua veçmas.

    Autorët deklaruan se hormonet tiroide të nënës janë thelbësore për zhvillimin e trurit të fetusit.

    “Këto gjetje nxjerrin në pah nevojën për monitorim rutinor dhe rregullim në kohë të terapisë për të ruajtur nivelet normale të hormoneve tiroide gjatë shtatzënisë”, tha Menashe.

  • Europa në alarm nga gripi i shpendëve, shtohen rastet, rritet rreziku për infektimin e njerëzve

    Europa në alarm nga gripi i shpendëve, shtohen rastet, rritet rreziku për infektimin e njerëzve

    Evropa po përjeton një nga valët më të rënda të gripit të shpendëve në gati një dekadë, sipas raportit të fundit të Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA).

    Midis 6 shtatorit dhe 14 nëntorit 2025, janë regjistruar 1,443 raste të virusit shumë patogjen HPAI A(H5) te shpendët e egër në 26 vende evropiane – një rritje katërfish krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe shifra më e lartë që prej vitit 2016.

    Shpendët e ujit rezultojnë të jenë më të prekurit në këtë valë të re shpërthimesh, me virusin që është identifikuar madje edhe te zogj që dukeshin plotësisht të shëndetshëm. Sipas ekspertëve, ky fakt tregon një kontaminim të gjerë të mjedisit dhe një qarkullim shumë më të fortë të virusit sesa pritej.

    Gjermania, Franca dhe Spanja kanë raportuar shpërthime të konsiderueshme, duke ngritur shqetësime për ndikime të mundshme afatgjata në popullatat e tyre.

    Rritja e përhapjes së virusit te shpendët e egër rrit rrezikun e transmetimit të tij në tufat e shpendëve të rritur në fermë, si dhe mundësinë e shfaqjes së mutacioneve të reja. Edhe pse rreziku për njerëzit konsiderohet ende i ulët, autoritetet veterinare dhe ato të sigurisë ushqimore në të gjithë kontinentin po rrisin vëzhgimin epidemiologjik dhe masat e bio-sigurisë.

  • Arresti kardiak: Çfarë është, pse ndodh dhe pse minutat e para janë vendimtare

    Arresti kardiak: Çfarë është, pse ndodh dhe pse minutat e para janë vendimtare

    Arresti kardiak është një nga emergjencat më të rënda mjekësore dhe një nga shkaqet kryesore të vdekjeve të papritura në mbarë botën. Ndodh kur zemra ndalon papritur së rrahuri në mënyrë efektive, duke bërë që gjaku të mos qarkullojë më drejt trurit dhe organeve të tjera jetike.

    Brenda pak minutash, mungesa e oksigjenit mund të shkaktojë dëm të parikthyeshëm dhe, nëse nuk ndërhyhet menjëherë, vdekje.

    Çfarë e shkakton arrestin kardiak?

    Arresti kardiak mund të shkaktohet nga shumë faktorë, por zakonisht lidhet me çrregullime elektrike të zemrës. Këtu janë disa nga shkaqet më të zakonshme:

    1. Aritmitë e rënda kardiake

    Shkaku më i shpeshtë është një ritëm i çrregullt dhe i rrezikshëm i zemrës si:

    Fibrilacioni ventrikular – zemra “dridhet” pa pompuar gjak.
    Takikardia ventrikulare – zemra rreh shumë shpejt dhe humbet funksionin e saj.
    Këto çrregullime vijnë shpesh papritur, edhe tek njerëz që nuk kanë pasur simptoma më parë.

    2. Infarkti i miokardit (ataku në zemër)

    Një bllokim i arterieve të zemrës mund të shkaktojë dëme të rënda dhe të çojë në arrest kardiak. Në shumë raste, arresti ndodh gjatë ose menjëherë pas një infarkti.

    3. Sëmundjet e padijagnostikuara të zemrës

    Kardiomiopatia, zmadhimi i zemrës, defektet e lindura të zemrës dhe sëmundjet gjenetike që prekin ritmin janë ndër shkaqet që shpesh zbulohen vetëm pas një episodi.

    4. Shkaktarë të jashtëm

    Arresti kardiak mund të ndodhë edhe për arsye që nuk lidhen drejtpërdrejt me sëmundjet e zemrës, si:

    Mbidozë me droga ose alkool
    Goditje elektrike
    Alergi të rënda (anafilaksi)
    Çrregullime të rënda të elektroliteve
    Trauma të forta fizike

    5. Stresi ekstrem fizik dhe emocional

    Në raste të rralla, një stres shumë i madh emocional ose fizik mund të shkaktojë një reagim të tepruar të sistemit nervor dhe të çojë në arrest kardiak, veçanërisht te individët me predispozicion.

    Simptomat që i paraprijnë arrestit kardiak

    Shpesh arresti ndodh pa paralajmërim, por në disa raste paraprihet nga:

    marramendje e papritur
    humbje e vetëdijes
    dhimbje e fortë gjoksi
    rrahje të çrregullta të zemrës
    vështirësi në frymëmarrje

    Por edhe kur shfaqen, simptomat mund të jenë shumë të shpejta dhe të paqarta.

    Pse minutat e para janë vendimtare?

    Pa qarkullim gjaku, truri fillon të dëmtohet pas 4–6 minutash.

    Ndërhyrja e shpejtë është jetike:

    thirrja e ambulancës
    masazhi kardiak (CPR)
    përdorimi i defibrilatorit (AED) nëse është i disponueshëm

    Sa më e shpejtë ndërhyrja, aq më të larta janë shanset për mbijetesë.

  • A është i sigurt dhe i shëndetshëm zbardhimi i dhëmbëve?

    A është i sigurt dhe i shëndetshëm zbardhimi i dhëmbëve?

    Goja dhe dhëmbët e bukur janë padyshim një nga sekretet e një pamje dhe buzëqeshje po ashtu të bukur. Megjithatë ndodh jo rrallë herë që përgjatë përditshmërisë, dhëmbët shpesh të humbasin ngjyrën e tyre të bardhe e të shndritshme. Kjo për shkak të ushqimeve, pijeve apo për një sërë arsyesh të tjera që mun dtë lidhen edhe me gjenetikën apo sëmundje. Zgjidhja për këtë është trajtimi i dhëmbëve dhe zbardhja e tyre sa në kushtet e shtëpisë ashtu edhe tek dentisti. Rezultati përfundimtar ndodh që të jetë i kënaqshëm, por a e dini se si ndikon kjo në shëndetin afatgjatë të dhëmbëve tuaj?

    Çfarë është zbardhja e dhëmbëve

    Zbardhimi i dhëmbëve mund të bëhet në disa mënyra, duke filluar që nga ai profesionali që kryeht tek dentist deri tek metodat më popullore natyrale. Metoda më e shpejtë dhe efikase është ajo e zbardhjes tek dntisti me solucione dhe aparatura të posaçme. Është më efikase pasi ndryshimin mund ta shikoni menjëherë më pas që në senacat e para dhe me gjasë do të zgjasë më shumë në krahasim me metodat natyrale. Për njerëzit që kanë një ngjyrim mesatar e gjithë procedura mun dtë mbarojë në vetëm një orë dhe dhëmbët e tyre të jenë të bardhë e të shkëlqyeshëm si të rinj. Dhëmbët zbardhen me hidrogjen peroksidi i cili konsidoret si i shëndetshëm për përdorim nga ekspertët. Megjithatë kjo nuk është gjithçka që duhet të dini për këtë mënyrë zbardhje.

    A ka efekte anësore

    Siç edhe shpjeguam më lartë, kjo metodë konsiderohet si e sigurtë për t’u përdorur nga stomatologët dhe mjekët. Gjithësesi nëse i nënshtroheni një procedure të tillë, duhet të kini parasysh se mund të ketë efekte anësore mbi ju. Së pari dhëmbët tuaj do të bëhen më të ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm, përfshirë këtu edhe ushqimin. Këtë ndryshim të dhëmbëve tuaj, do ta ndjeni menjëherë pas sencave të para, por në shumicën e rasteve mjekët shpjegojnë se kjo ndjesi kalon.

    Ekspertët shpjegojnë se me gjasë do të keni ndjesi të shtuara të të ftohtit dhe të ngrohtit teksa konsumoni ushqime. Nëse keni probleme të tilla pas zbardhimit profesional, dentisti mund t’ju sugjerojë të përdorni kalium nitrati apo xhel me flour. Së dyti mishrat e dhëmbëve tuaj mund të irritohen pas këtij procesi. Kjo mund të ndodhë për shkak të kontaktit të produktit zbardhues me mishrat. Pra nëse jeni një person që vuani nga mishrat e dhëmbëve, zbardhimi i dhëmbëve mund të mos jetë për ju. Po ashtu mund të ndjeni mpirje të dhëmbëve, inflamacion apo irritim. Ky proces sipas dentistëve, kryhet vetëm në dhëmbë natyralë dhe jo më shumë se 1-2 herë përgjatë vitit, pasi mund të shkaktojë efekte anësore të vazhdurshme.

  • Çfarë lloje frutash duhet të hani nëse keni ftohje?

    Çfarë lloje frutash duhet të hani nëse keni ftohje?

    Moti i ftohtë sjell edhe ftohje më të shpeshta, dhe nëse keni probleme me një të tillë, lloje të ndryshme frutash, nga agrumet te manaferrat, mund të ndihmojnë imunitetin tuaj.

    Kur na kaplon një ftohje, ushqyerja e duhur mund të jetë një aleat i fortë në forcimin e imunitetit dhe shërimin më të shpejtë. Një rol veçanërisht të rëndësishëm luajnë frutat e pasura me vitamina, minerale dhe antioksidantë, pasi ato ndihmojnë trupin të luftojë viruset dhe të zvogëlojë proceset inflamatore.

    Agrumet janë ndër burimet më të pasura të vitaminës C, e cila luan një rol kyç në forcimin e imunitetit. Vitamina C ndihmon qelizat e bardha të gjakut të sulmojnë viruset në mënyrë më efektive, ndërsa vepron edhe si një antioksidant që zvogëlon inflamacionin.

    Prandaj, frutat agrume (portokaj, limon, grejpfrut, mandarina) rekomandohen mbi të gjitha. Uji i ngrohtë me limon qetëson gjithashtu fytin dhe hidraton trupin.

    Kivi është ndër burimet rekord të vitaminës C, dhe konsumi i rregullt i tij ndihmon në forcimin e sistemit mbrojtës dhe zvogëlimin e ndjenjës së lodhjes.

    Ananasi përmban bromelainë, një enzimë që hollon mukusin dhe lehtëson kollën. Është gjithashtu i këndshëm dhe freskues, kështu që shumë njerëz e tolerojnë mirë edhe kur nuk kanë oreks.

    Mollët janë të buta për stomakun dhe të pasura me fibra dhe antioksidantë. Ato janë një zgjedhje e shkëlqyer kur përjetoni humbje të oreksit ose një stomak të ndjeshëm.

    Manaferrat (boronicat, mjedrat, manaferrat) – këto “bomba” të vogla ushqyese përmbajnë një përqendrim të lartë antioksidantësh që ndihmojnë trupin të luftojë infeksionet.

    Duke përfshirë këto ushqime me fruta në dietën tuaj të përditshme gjatë një ftohjeje, trupi merr mbështetje shtesë në luftimin e simptomave dhe në rifitimin e energjisë më shpejt.

  • Studim: Pirja e duhanit shkakton rënie të flokëve dhe thinja të parakohshme

    Studim: Pirja e duhanit shkakton rënie të flokëve dhe thinja të parakohshme

    Pirja e duhanit po rezulton të jetë një nga faktorët më të fortë të lidhur me rënien e flokëve dhe thinjen e parakohshme, sipas një studimi të ri që ka ngritur shqetësim në komunitetin shkencor dhe mjekësor.

    Sipas kërkuesve, substancat kimike të gjendura në cigare ndikojnë drejtpërdrejt në qarkullimin e gjakut dhe në shëndetin e qelizave të folikulave të flokëve, duke shkaktuar dëmtime që shpesh janë të pakthyeshme.

    Studiuesit shpjegojnë se pirja e duhanit ngushton enët e gjakut, duke reduktuar ndjeshëm furnizimin me oksigjen dhe lëndë ushqyese drejt skalpit.

    Kjo e bën më të vështirë për flokun të rritet normalisht, duke çuar në rënie të hershme dhe dobësim të strukturës së tij.

    Për më tepër, kimikatet toksike dëmtojnë ADN-në e qelizave të reja të flokëve, çka sjell një ndërprerje të ciklit natyral të rritjes.

    Por lajmet e këqija nuk ndalen këtu.

    Studimi tregon se duhanpirësit janë 2.5 herë më të predispozuar të thinjen më herët sesa mosduhanpirësit.

    Edhe më befasuese është zbulimi se rreziku rritet ndjeshëm edhe te personat që thonë se pinë “vetëm një cigare në vit”.

    Efekti, sipas shkencëtarëve, lidhet me ndjeshmërinë e lartë të folikulave të flokëve ndaj toksinave të tymit, të cilat shkaktojnë stres oksidativ dhe humbje të pigmentit.

    Ekspertët paralajmërojnë se këto dëmtime ndikojnë jo vetëm në pamje, por edhe në mirëqenie psikologjike, pasi rënia e flokëve dhe thinja e hershme shpesh lidhen me ulje të vetëbesimit.

    Mesazhi i studiuesve është i qartë: ndalimi i duhanit është një nga mënyrat më të shpejta dhe më efektive për të mbrojtur shëndetin e flokëve.

    Dhe padyshim, secili prej nesh e di saktësisht kujt duhet t’ia përcjellë këtë paralajmërim.