ATV

Category: SHËNDETËSI

  • A kanë më shumë gjasa se ata që hanë mish të jetojnë deri në 100 vjet? Ja çfarë thotë shkenca

    A kanë më shumë gjasa se ata që hanë mish të jetojnë deri në 100 vjet? Ja çfarë thotë shkenca

    Një studim i fundit ka sugjeruar se personat që nuk hanë mish mund të kenë më pak gjasa të arrijnë moshën 100-vjeçare krahasuar me ata që konsumojnë mish. Por, sipas ekspertëve, këto rezultate duhen lexuar me kujdes.

    Studimi ka ndjekur mbi 5,000 të rritur kinezë mbi moshën 80-vjeçare, pjesë e studimit kombëtar “Chinese Longitudinal Healthy Longevity Survey”, që ka nisur në vitin 1998.

    Deri në vitin 2018, u vërejt se personat që ndiqnin dieta pa mish kishin më pak gjasa të bëheshin qindvjeçarë sesa ata që hanin mish, ka raportuar “The Independent”.

    Në pamje të parë, kjo duket se bie ndesh me dekada studimesh që tregojnë se dietat bimore lidhen me rrezik më të ulët për sëmundje të zemrës, sulm në tru, diabet të tipit 2 dhe obezitet. Këto përfitime lidhen kryesisht me marrjen më të lartë të fibrave dhe konsum më të ulët të yndyrave të ngopura.

    Por çelësi është mosha.

    Nevojat ushqyese ndryshojnë me plakjen

    Studimi u përqendrua te persona mbi 80 vjeç, grupmoshë me nevoja ushqyese shumë të ndryshme nga të rriturit më të rinj. Me kalimin e moshës, trupi shpenzon më pak energji, bie masa muskulore dhe dendësia e eshtrave, ndërsa oreksi shpesh zvogëlohet. Kjo rrit rrezikun për kequshqyerje dhe dobësi fizike.

    Shumica e provave që tregojnë përfitimet e dietave pa mish vijnë nga studime te të rriturit më të rinj, jo te personat shumë të moshuar dhe të dobët. Disa studime sugjerojnë se të moshuarit që nuk konsumojnë produkte shtazore mund të kenë rrezik më të lartë për fraktura, për shkak të marrjes më të ulët të proteinave dhe kalciumit.

    Në moshë të shtyrë, prioriteti nuk është më parandalimi afatgjatë i sëmundjeve, por ruajtja e peshës trupore, masës muskulore dhe sigurimi i ushqimit të pasur me lëndë ushqyese në çdo vakt.

    Një detaj shumë i rëndësishëm

    Studiuesit zbuluan se lidhja mes dietës pa mish dhe probabilitetit më të ulët për të arritur 100 vjet u pa vetëm te personat nën peshë. Te të moshuarit me peshë normale, kjo lidhje nuk ekzistonte.

    Të qenit nën peshë në moshë të vjetër lidhet fort me rrezik më të lartë për brishtësi dhe vdekje. Kjo tregon se pesha trupore, dhe jo domosdoshmërisht mishi, është faktori vendimtar.

    Për më tepër, ky ishte një studim vëzhgues, që tregon lidhje, por jo shkak-pasojë. Vetëm sepse dy gjëra ndodhin së bashku, nuk do të thotë se njëra e shkakton tjetrën.

    Rezultatet përputhen edhe me të ashtuquajturin “paradoksi i obezitetit” në pleqëri, ku pesha pak më e lartë shpesh lidhet me mbijetesë më të mirë.

    Po dietat pa mish, por jo strikt bimore?

    Interesante është se rreziku më i ulët për të arritur moshën 100 vjeç nuk është vërejtur te personat që nuk hanin mish, por konsumonin peshk, bulmet ose vezë. Këto ushqime sigurojnë proteina cilësore, vitaminë B12, kalcium dhe vitaminë D, elemente kyçe për shëndetin e muskujve dhe eshtrave.

    Sipas studiuesve, përfshirja e sasive të moderuara të produkteve shtazore mund të ndihmojë në parandalimin e kequshqyerjes dhe humbjes së masës muskulore në moshë shumë të avancuar.

    Çfarë do të thotë kjo për plakjen e shëndetshme?

    Mesazhi kryesor nuk është se një dietë është “më e mirë” për të gjithë, por se ushqyerja duhet të përshtatet me fazën e jetës. Me moshën, nevojat për energji bien, por nevojat për disa lëndë ushqyese rriten.

    Edhe në pleqëri, trupi ka nevojë për mjaftueshëm proteina, vitaminë B12, kalcium dhe vitaminë D për të ruajtur muskujt dhe për të shmangur dobësinë.

    Dietat bimore mund të jenë të shëndetshme edhe në moshë të shtyrë, por kërkojnë planifikim të kujdesshëm dhe, në disa raste, suplemente ushqimore.

  • Shenjat që tregojnë praninë e gurëve në veshka

    Shenjat që tregojnë praninë e gurëve në veshka

    Gurët në veshka mund të prekin çdo pjesë të traktit urinar.

    Ky problem shëndetësor shoqërohet shpesh me simptoma të ndryshme, të cilat mund të jenë nga më të lehtat deri tek dhimbjet e forta.

    Shfaqja e gurëve në veshka zakonisht manifestohet me dhimbje, vështirësi gjatë urinimit, si dhe me të përziera apo të vjella.

    Si mund të dalloni praninë e gurëve në veshka?

    Ndër shenjat më të zakonshme paralajmëruese janë ndjesia e djegies gjatë urinimit, prania e gjakut në urinë dhe dhimbjet në zonën abdominale ose në pjesën e sipërme të mesit. Në raste të tilla, këshillohet konsultimi me mjekun.

    Për trajtimin e këtij problemi, mjekësia moderne ofron medikamente që ndihmojnë në relaksimin e muskujve dhe në lehtësimin e dhimbjes, duke mundësuar largimin natyral të gurëve. Në disa raste, mjeku mund të rekomandojë edhe terapi parandaluese për të shmangur formimin e gurëve të rinj.

    A është e nevojshme kirurgjia?

    Kur gurët arrijnë një madhësi të konsiderueshme dhe paraqesin rrezik, ndërhyrja kirurgjikale bëhet e domosdoshme. Sot ekzistojnë metoda minimale invazive, si litotripsia, e cila shkrin gurët nga jashtë trupit, ureteroskopia që i thyen me laser, si dhe litotripsia perkutane ultrasonike, e realizuar përmes një ndërhyrjeje të vogël në pjesën e sipërme të mesit, nën anestezi të përgjithshme.

    A mund të parandalohet rishfaqja e gurëve?

    Sa i përket parandalimit, personat që janë përballur më parë me gurë në veshka kanë gjasa të larta që problemi të përsëritet brenda dhjetë viteve. Specialistët rekomandojnë identifikimin e faktorëve të rrezikut dhe ndjekjen e një stili të shëndetshëm jetese dhe ushqimi për të ulur mundësinë e rishfaqjes së tyre.

  • Mëngjes i shpejtë dhe ushqyes, përgatitni biskota granola pa sheqer

    Mëngjes i shpejtë dhe ushqyes, përgatitni biskota granola pa sheqer

    Mëngjeset shpesh mund të jenë të nxituara, por kjo nuk do të thotë se duhet të hiqni dorë nga një ushqim i shëndetshëm. Një zgjidhje praktike është përgatitja paraprake e biskotave granola pa sheqer të shtuar, ideale për t’i marrë me vete gjatë ditës.

    Për përgatitjen e tyre, fillimisht ngroheni furrën në 200°C. Në një tas të madh përzieni tërshërën, qershitë, boronicat dhe farat sipas dëshirës, siç janë farat e lirit. Më pas shtoni gjalpë të shkrirë dhe përziejeni mirë derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

    Në një tas tjetër shtypni copat e bananes me pirun dhe bashkojini me përzierjen e tërshërës, duke i përzier derisa të kombinohen plotësisht.

    Masën e përgatitur shpërndajeni në një tepsi me përmasa 30×20 cm dhe piqeni në furrë për 20 deri në 25 minuta. Pas pjekjes, lëreni të ftohet, më pas priteni në gjashtë copa.

    Këto biskota granola janë një zgjedhje e shpejtë, ushqyese dhe e përshtatshme për mëngjes ose snack gjatë ditës.

  • Shenja paralajmëruese: Urinimi i shpeshtë mund të tregojë një sëmundje serioze

    Shenja paralajmëruese: Urinimi i shpeshtë mund të tregojë një sëmundje serioze

    Vrapimet e shpeshta drejt tualetit mund të jenë më shqetësuese sesa duken në shikim të parë. Nëse po urinoni më shpesh se zakonisht, arsyeja mund të mos jetë vetëm kafeja apo lëngjet e shumta, por një shenjë e një sëmundjeje potencialisht të rrezikshme për jetën.

    Rreth 8.7 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me diabet të tipit 1, ndërsa vetëm në Mbretërinë e Bashkuar vlerësohet se janë rreth 464 mijë të prekur. Zbulimi i hershëm i simptomave është thelbësor për shmangien e komplikacioneve serioze.

    Një nga shenjat më pak të njohura të diabetit të tipit 1 është urinimi i shpeshtë, i njohur në mjekësi si poliuri. Kjo ndodh kur nivelet e larta të sheqerit në gjak detyrojnë veshkat të filtrojnë dhe të nxjerrin glukozën e tepërt përmes urinës. Gjatë këtij procesi humbet edhe shumë ujë, duke bërë që personi të urinojë më shpesh, veçanërisht gjatë natës.

    Mjekët i përmbledhin simptomat kryesore të diabetit të tipit 1 me të ashtuquajturat “4 T”:

    Thirst (etje e shtuar), Tiredness (lodhje), Thinner (humbje peshe) dhe Toilet (urinim i shpeshtë).

    Urinimi i shpeshtë mund të duket si një bezdi e vogël, por shumë persona raportojnë se shkojnë në tualet shumë më shpesh se normalja – nga katër deri në tetë herë në ditë, e në disa raste edhe çdo 15–20 minuta.

    Kjo shoqërohet zakonisht me etje të fortë. Trupi humbet lëngje me shpejtësi, çka çon në dehidratim dhe nevojë të vazhdueshme për të pirë ujë. Sa më shumë pini, aq më shpesh urinoni, duke krijuar një rreth vicioz.

    Njohja e hershme e këtyre simptomave është jetike. Nëse diabeti mbetet i padiagnostikuar dhe i patrajtuar, niveli i sheqerit në gjak mund të rritet ndjeshëm dhe të çojë në ketoacidozë diabetike (DKA), një gjendje urgjente.

    DKA mund të shkaktojë të vjella, dehidratim të rëndë, konfuzion, humbje të vetëdijes dhe, në raste të rënda, vdekje nëse nuk trajtohet menjëherë.

    Pra, urinimi i shpeshtë nuk është thjesht bezdi – është një sinjal alarmi që tregon se trupi po has vështirësi në rregullimin e sheqerit në gjak. Sa më shpejt të bëhet një analizë gjaku dhe të nisë trajtimi me insulinë, aq më të mëdha janë shanset për të shmangur komplikacionet serioze shëndetësore.

  • Katër shenja që tregojnë se po e teproni me marrjen e hekurit

    Katër shenja që tregojnë se po e teproni me marrjen e hekurit

    Njerëzit që marrin një suplement të përdorur gjerësisht duhet të reduktojnë dozën nëse vërejnë katër simptoma specifike, pasi marrja e tepërt mund të jetë e rrezikshme.

    Vitaminat dhe mineralet luajnë një rol të rëndësishëm për funksionimin e duhur të trupit. Shumica e nevojave ushqimore duhet të merren nga një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar, por disa njerëz zgjedhin të përdorin suplemente.

    Hekuri është një nga këto suplemente – një mineral i nevojshëm për prodhimin e hemoglobinës, që transporton oksigjenin në gjak. Mungesa e hekurit mund të shkaktojë anemi nga mungesa e hekurit, me simptoma si lodhje, energji e ulët, gulçim dhe rrahje të shpejta të zemrës. Për të parandaluar këtë, disa mund të marrin suplemente hekuri.

    Megjithatë, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (britanik) paralajmëron në faqen e saj se marrja e “sasitë shumë të mëdha” të hekurit mund të shkaktojë:

    Kapsllëk;

    Ndjesi të të përzierave;

    Të vjella;

    Dhimbje stomaku.

    Nëse shfaqen këto simptoma, mund të jetë koha për të ulur dozën e hekurit. Tek fëmijët, marrja e tepërt e hekurit mund të jetë vdekjeprurëse. NHS thotë:

    “Doza shumë të larta të hekurit mund të jenë fatale, veçanërisht tek fëmijët, ndaj mbajeni gjithmonë jashtë arritjes së tyre”.

    Një dozë e lartë hekuri për të rriturit konsiderohet mbi 20 mg.

    Sa hekur keni nevojë të merrni?

    Meshkuj 19 vjeç e më shumë: 8.7 mg në ditë

    Femra 19–49 vjeç: 14.8 mg në ditë

    Femra 50 vjeç e më shumë: 8.7 mg në ditë

    Femrat pas menopauzës që kanë ende menstruacione mund të kenë nevojë për të njëjtën sasi si femrat 19–49 vjeç.

  • 10 gabimet më të këqija me gjumin: Kafeina, alkooli dhe stresi ju pengon të flini

    10 gabimet më të këqija me gjumin: Kafeina, alkooli dhe stresi ju pengon të flini

    Ne kalojmë rreth një të tretën e jetës sonë duke fjetur, megjithatë gjumi mbetet shpesh një mister.

    Sipas CDC-së, një në tre amerikanë flenë më pak se shtatë deri në nëntë orë të rekomanduara për natë. Në Mbretërinë e Bashkuar, një anketë e YouGov në vitin 2020 tregoi se 18% e britanikëve flenë më pak se gjashtë orë në ditë.

    Mungesa kronike e gjumit lidhet me përqendrim të reduktuar, kujtesë të dëmtuar, ndjenja depresioni dhe nervozizmi, si dhe probleme shëndetësore fizike, përfshirë dobësimin e sistemit imunitar dhe çrregullime hormonale. Shumë faktorë që ndikojnë në gjumë janë përtej kontrollit tonë. Dr. Julio Fernandez-Mendoza, profesor i psikiatrisë në Kolegjin e Mjekësisë Penn State, shpjegon se banorët e zonave me dhunë të lartë, ata që punojnë shumë ose përballen me diskriminim racor, shpesh flenë më keq. “Çdo faktor shoqëror që ndikon në shëndet ndikon edhe në gjumë”, thotë ai.

    Gabimet më të zakonshme që prishin gjumin:

    1. Nuk dini sa gjumë ju nevojitet vërtet
    Ekspertët rekomandojnë shtatë deri në nëntë orë gjumë për të rriturit, por nevojat ndryshojnë nga individi në individ. Për shembull, Margaret Thatcher flinte vetëm katër orë në natë, ndërsa Dakota Johnson nuk funksiononte pa 10 orë gjumë. Për të kontrolluar nëse po flini mjaftueshëm, vëreni humorin dhe performancën tuaj ditore.

    2. Të hash shumë ose shumë pak para gjumit
    Të hash shumë mund të shkaktojë shqetësim ose urth, ndërsa të hash shumë pak mund të shkaktojë uri. Ushqimi i rregullt dhe në orare të njëjta ndihmon menaxhimin e urisë dhe gjumit.

    3. Shikimi i ekranit para gjumit
    Drita blu nga telefonat, kompjuterët dhe televizorët rrit vigjilencën dhe mund të vonojë gjumin. Përmbajtja stimuluese, si shfaqjet emocionuese ose postimet në mediat sociale, e vështirëson gjithashtu të biesh në gjumë.

    4. Mungesa e relaksimit
    Ritualet relaksuese pas darkës, si leximi ose aktivitetet e qeta, ndihmojnë trurin të përgatitet për gjumë. Është e këshillueshme të keni 30-60 minuta për t’u çlodhur para gjumit.

    5. Gjumi i tepërt gjatë ditës
    Dremitja e gjatë mund të prishë orarin natyral të gjumit. Ekspertët sugjerojnë që dremitja të mos zgjasë më shumë se 30 minuta.

    6. Kalimi i shumë kohës zgjuar në shtrat
    Shtrati duhet përdorur kryesisht për gjumë dhe seks. Nëse nuk mund të flini, ngrihuni dhe bëni diçka relaksuese derisa të ndiheni gati për gjumë.

    7. Mungesa e gjumit gjatë javës
    Privimi i gjumit gjatë javës nuk mund të kompensohet plotësisht gjatë fundjavave. Borxhi i gjumit grumbullohet dhe ndikon në shëndetin tuaj.

    8. Orari i paqëndrueshëm i gjumit
    Koha e ndryshuar e gjumit dhe zgjimit e vështirëson përshtatjen e trupit. Është e rëndësishme të keni një orar të qëndrueshëm, edhe gjatë fundjavave.

    9. Konsumi i tepërt i kafeinës dhe alkoolit
    Kafeina mund të mbajë zgjuar për disa orë, ndërsa alkooli, edhe pse shkakton lodhje, prish ciklet e gjumit dhe redukton cilësinë e tij.

    10. Shqetësimi për gjumin
    Të shqetësuarit për gjumin mund ta përkeqësojnë problemin. Stresi për gjumin mund ta bëjë më të vështirë të biesh në gjumë dhe të qëndrosh i qetë.

    Në përmbledhje, një gjumë i mirë kërkon njohjen e nevojave personale, një rutinë të qëndrueshme, relaksim të mjaftueshëm dhe shmangien e faktorëve që e pengojnë gjumin, si ekrane, ushqim i papërshtatshëm, kafeinë dhe alkool. Gjumi i shëndetshëm është po aq i rëndësishëm sa ushqimi dhe aktiviteti fizik për shëndetin tonë të përgjithshëm.

  • Sheqeri që po ju shkatërron trupin pa e kuptuar, pse pijet dhe ushqimet “e shëndetshme” janë armiku juaj i fshehtë?

    Sheqeri që po ju shkatërron trupin pa e kuptuar, pse pijet dhe ushqimet “e shëndetshme” janë armiku juaj i fshehtë?

    Nga truri tek zemra, sheqeri ndikon në çdo pjesë të trupit tonë, shpesh në mënyra që nuk i perceptojmë.

    Megjithëse dimë që konsumimi i tepërt rrit rrezikun e sëmundjeve kronike, shumica e njerëzve ende hanë dy deri në tre herë më shumë sheqer se sasia e rekomanduar.

    Arsyeja? Sheqeri është kudo. Ai fshihet fshehurazi në ushqime që nuk i mendojmë si të ëmbla, nga shufrat e proteinave deri te salcat e sallatave.

    Shumica e sheqerit që njerëzit hanë nuk gjendet në ëmbëlsira, por shtohet fshehurazi në pijet dhe ushqimet e përditshme

    -Shpjegon dietologia Samantha Cassetti.

    Edhe ata që mendojnë se disa sheqerna janë më të shëndetshme duhet të jenë të kujdesshëm.

    Qoftë sheqer kallami, shurup misri apo mjaltë, konsumimi i tepërt është i dëmshëm.

    Ndryshimi i burimit të kalorive nuk ndryshon asgjë në trupin e njeriut

    -Paralajmëron eksperti Dustin Moore.

    Trupi tret të gjitha karbohidratet në glukozë dhe çliron insulinën për t’i përdorur si energji. Kjo është arsyeja pse sheqeri mund të krijojë varësi dhe pse ndryshimet e vogla në dietë mund të kenë një ndikim kaq të madh.

    Lajmi i mirë? Nuk duhet të hiqni dorë plotësisht nga sheqeri, por ta konsumoni me kujdes është çelësi për shëndet më të mirë./Tar

  • 8 ushqime që nuk duhen futur kurrë në frigorifer

    8 ushqime që nuk duhen futur kurrë në frigorifer

    Besimi se të gjitha ushqimet zgjasin më shumë në frigorifer është krejtësisht i gabuar, pasi me disa ushqime ndodh krejt e kundërta. Sa më gjatë t’i lini në frigorifer, aq më shpejt prishen. Le të shohim disa prej tyre, si dhe mënyrat për t’i mbajtur të freskëta për më gjatë.

    Qepët

    Lagështia në frigorifer bën që qepët të myken më shpejt. Mbajini ato jashtë frigoriferit në një vend të freskët dhe të thatë. Në fakt, mos bini në kurthin e zakonshëm të vendosjes së tyre pranë patateve, sepse kur këto dy ushqime bien në kontakt, ato prishen shumë më shpejt.

    Kafeja

    Edhe pse kafeja e ruan aromën e saj kur mbahet në temperatura të ulëta, mos e ruani kurrë në frigorifer. Ka shumë mundësi që ajo të marrë shijen e ushqimeve përreth saj. Nëse doni të ruani sasi të mëdha kafeje, atëherë vendoseni në frigorifer, përndryshe mbajeni kafenë tuaj në një kavanoz hermetik në një vend të freskët dhe të errët.

    Borziloku

    Borziloku nuk duhet të ruhet në frigorifer. Është më mirë ta vendosni në një gotë me ujë të ftohtë siç do të vendosnit me çdo lule tjetër. Në frigorifer vyshket më shpejt dhe thith aromat nga ushqimet e tjera.

    Vaj ulliri

    Vaji i ullirit nuk duhet të futet kurrë në frigorifer, përveç nëse doni ta shndërroni në gjalpë. Në temperatura të ulëta, vaji fillon të kondensohet dhe të humbasë vetitë e tij. Mbajeni në një vend të errët dhe të freskët.

    Mjalti

    Mjalti është ndoshta i vetmi ushqim që nuk prishet kurrë për sa kohë që mbahet i mbyllur mirë në temperaturë ambienti. Shmangni vendosjen e tij në frigorifer sepse do të humbasë strukturën e tij të lëmuar dhe ndoshta do të prishet.

    Buka

    Buka në frigorifer thahet shumë shpejt dhe nuk mbetet e freskët dhe e butë. Është më mirë ta mbani jashtë frigoriferit, përveç nëse janë feta buke të thekura të cilat mund t’i vendosni në frigorifer për t’i ruajtur edhe për disa ditë të tjera.

    Avokadot

    Nëse doni që avokadot tuaja të piqen, atëherë nuk duhet t’i vendosni në frigorifer. Ky frut piqet jashtë frigoriferit. Megjithatë, nëse përdorni gjysmën dhe pastaj doni ta ruani pjesën tjetër për më vonë, atëherë teprica mund të shkojë në frigorifer.

    Patatet

    Patatet nuk duhen ruajtur kurrë në frigorifer. Ruajtja në frigorifer do të ndryshojë shijen e tyre dhe do t’i bëjë më të ëmbla, pasi mjedisi i ftohtë e shndërron niseshtenë në sheqer më shpejt. Në vend të kësaj, ruajini patatet në një qese letre në një vend të freskët – por jo të ftohtë.

  • A është sauna e mirë për shëndetin tuaj?

    A është sauna e mirë për shëndetin tuaj?

    Saunat po përjetojnë një rritje të madhe në Zvicrën frëngjishtfolëse, ku po hapen shumë objekte të reja. Përveç aspektit social dhe relaksues që ofrojnë, cilat janë efektet reale të saunës mbi shëndetin tonë?

    Frekuentueshmëria e tyre po rritet – mund t’i gjesh në një jurta apo madje mbi një anije. Edhe pse nuk ka statistika zyrtare, Federata Zvicerane e Saunave raporton një rritje masive të numrit të këtyre banjove të nxehta në Zvicër. A është ndjenja e mirëqenies që ato ofrojnë arsyeja e popullaritetit të tyre?

    Mathieu Saubade, mjek sportiv në CHUV dhe UniSanté, shpjegon se si sauna ndikon mbi trupin: “Rritet diametri i enëve të gjakut dhe qarkullimi i gjakut. Kjo është një reagim kundër stresit nga nxehtësia. Trupi përpiqet të mbajë temperaturën e tij.” Djersitja gjithashtu ndihmon në eliminimin e nxehtësisë nga trupi, transmeton albinfo.ch.

    “Çfarë ka më rëndësi në sauna është të ndjesh trupin dhe të respektohesh këtë ndjesi.”

    Sipas Mathieu Saubade, sauna sjell disa përfitime shëndetësore: “Më së shumti ka një efekt relaksues. Një studim finlandez i vitit 2015 tregoi gjithashtu një ulje të mortalitetit tek përdoruesit e rregullt të saunës. Sa më e shpeshtë përdorimi, aq më të mëdha duket të jenë përfitimet.”

    Kujdes dhe kundërindikacione

    Pavarësisht përfitimeve, përdorimi i saunës nuk është pa rreziqe. Personat me probleme kardiovaskulare, epilepsi apo sëmundje të tjera duhet të konsultohen me një mjek para përdorimit të saunës. Dehidratimi është gjithashtu një rrezik që duhet marrë parasysh./Albinfo.ch/

  • Përdoruesit e kufjeve këshillohen të ndjekin rregullin 60/60 për të shmangur dëmtime të përhershme të dëgjimit

    Përdoruesit e kufjeve këshillohen të ndjekin rregullin 60/60 për të shmangur dëmtime të përhershme të dëgjimit

    Kufjet janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë — qoftë duke dëgjuar muzikë në palestër, podkaste gjatë një shëtitjeje apo duke u relaksuar në shtëpi. Por ekspertët paralajmërojnë se ky zakon mund të shkaktojë dëmtime të përhershme në dëgjim.

    Një studim i Ofcom në vitin 2015 zbuloi se një i rritur mesatar kalon 8 orë e 41 minuta në ditë duke konsumuar media ose komunikim digjital, krahasuar me vetëm 8 orë e 21 minuta gjumë.

    Ky nivel përdorimi mund të jetë i dëmshëm për shëndetin, ndaj specialistët e veshëve këshillojnë përdorimin e rregullit 60/60.

    Anna Mateo, mjeke otorinolaringologe nga Spitali Vall d’Hebron në Barcelonë, shpjegon se kufjet nuk duhet të përdoren më shumë se 60 minuta rresht, dhe volumi nuk duhet të kalojë 60%. Mosrespektimi i këtij rregulli mund të çojë në trauma akustike.

    Sipas organizatës Action on Hearing Loss, dëgjimi i tingujve mbi 89 decibel për më shumë se 5 orë në javë mund të shkaktojë humbje të përhershme të dëgjimit ose tringëllimë në veshë (tinnitus).

    Lloji i kufjeve është gjithashtu i rëndësishëm. Mateo rekomandon kufje mbi vesh (over-ear) në vend të atyre që futen në vesh, pasi janë më pak irrituese. Nëse përdorni kufje të vogla (earbuds), mos i ndani kurrë me të tjerët, sepse mund të përhapin infeksione. Gjithashtu, është e rëndësishme që kufjet të pastrohen dhe të mbahen të thata pas çdo përdorimi.