ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Mjekja paralajmëron: Pesë lloje dhimbjesh që nuk duhen injoruar kurrë

    Mjekja paralajmëron: Pesë lloje dhimbjesh që nuk duhen injoruar kurrë

    Dhimbjet e kokës, gjoksit apo shpinës janë probleme të zakonshme dhe, në shumicën e rasteve, nuk përbëjnë asgjë serioze. Megjithatë, sipas mjekëve, në disa raste këto dhimbje mund të jenë shenjë e një gjendjeje urgjente dhe potencialisht kërcënuese për jetën.

    Sipas doktoreshës Ellie Cannon, mjeke familjare me bazë në Londër, është thelbësore që pacientët të dinë kur një dhimbje mund të neglizhohet dhe kur kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.

    “Shumica e dhimbjeve nuk janë shqetësuese dhe shpesh nuk kërkojnë trajtim,” shpjegon ajo. “Por në raste të rralla, ato mund të tregojnë diçka serioze. Prandaj është e rëndësishme të dimë shenjat paralajmëruese.”

    Ja pesë lloje dhimbjesh që nuk duhen injoruar.

    1. Dhimbja e gjoksit

    Dhimbja në gjoks shpesh shkaktohet nga urthi ose probleme të tretjes. Megjithatë, ekspertët theksojnë se dhimbja e papritur dhe e vazhdueshme në gjoks kërkon gjithmonë ndihmë urgjente mjekësore.

    Sipas shërbimit shëndetësor britanik (NHS), dhimbja që zgjat më shumë se 15 minuta dhe përhapet drejt nofullës ose krahut të majtë mund të jetë shenjë e infarktit të zemrës. Disa pacientë përjetojnë gjithashtu ndjesi të forta urthi.

    Dhimbja e mprehtë në gjoks që përkeqësohet gjatë frymëmarrjes ose kollitjes mund të tregojë emboli pulmonare, një gjendje ku një mpiksje gjaku bllokon enët e mushkërive. Kjo shpesh shoqërohet me gulçim ose kollitje me gjak.

    “Shumë njerëz pësojnë infarkt pa e kuptuar menjëherë,” thotë Dr. Cannon. “Embolitë janë më të rralla, por kërkojnë trajtim të menjëhershëm.”

    2. Dhimbja e barkut

    Disa dhimbje në zonën e barkut – midis gjoksit dhe legenit – mund të jenë shumë të rrezikshme.

    Dhimbja e papritur në pjesën e sipërme të djathtë të barkut që përhapet drejt shpatullës mund të jetë shenjë e inflamacionit të tëmthit. Nëse nuk trajtohet, kjo gjendje mund të çojë në infeksion serioz.

    Dhimbjet krampore që vijnë me valë mund të tregojnë bllokim të zorrëve, veçanërisht nëse shoqërohen me të vjella ose kapsllëk të rëndë. Në këto raste shpesh nevojitet ndërhyrje kirurgjikale urgjente.

    Te gratë e reja, dhimbja e fortë në pjesën e poshtme të barkut mund të jetë shenjë e shtatzënisë jashtë mitre, një gjendje shumë e rrezikshme që mund të shkaktojë gjakderdhje të brendshme.

    Te meshkujt, dhimbja e papritur në fund të barkut mund të lidhet me përdredhjen e testikujve, një emergjencë që kërkon operacion të menjëhershëm për të shmangur humbjen e testikulit.

    “Nëse dhimbja e barkut është e shkaktuar nga diçka serioze, zakonisht është e padurueshme,” shpjegon Dr. Cannon.

    3. Dhimbja e shpinës

    Dhimbja e shpinës prek rreth një të tretën e të rriturve çdo vit dhe zakonisht nuk është e rrezikshme. Megjithatë, nëse shoqërohet me disa simptoma specifike, mund të tregojë një problem serioz.

    Dhimbja e shpinës e shoqëruar me mpirje rreth organeve gjenitale, probleme të reja me urinimin ose jashtëqitjen, apo dhimbje në të dyja këmbët, mund të jetë shenjë e sindromës cauda equina – një gjendje ku nervat në fund të shtyllës kurrizore shtypen.

    Pa trajtim kirurgjikal urgjent, kjo mund të çojë në paralizë dhe probleme seksuale.

    Ndërkohë, një dhimbje e papritur dhe shumë e fortë, që përshkruhet si “shqyerje” në shpinë ose mes shpatullave, mund të tregojë diseksion të aortës, një gjendje kërcënuese për jetën.

    4. Dhimbja e kokës

    Dhimbja e kokës është shumë e zakonshme dhe shpesh lidhet me dehidratimin, virozat ose lodhjen. Migrena prek rreth 15 për qind të popullsisë.

    Por, sipas mjekëve, një dhimbje koke e papritur dhe jashtëzakonisht e fortë – e njohur si “dhimbje rrufeje” – mund të tregojë gjakderdhje në tru.

    Dhimbja e kokës e shoqëruar me dobësi në fytyrë, mpirje të krahut ose vështirësi në të folur mund të jetë shenjë e goditjes në tru dhe kërkon transport urgjent në spital.

    Dhimbja e kokës me temperaturë, të vjella dhe ndjeshmëri ndaj dritës mund të tregojë meningjit.

    “Këto dhimbje nuk duhen neglizhuar kurrë,” thekson Dr. Cannon.

    5. Dhimbja e pulpës së këmbës

    Shkaku më i zakonshëm i dhimbjes së pulpës është dëmtimi i muskujve, shpesh pas aktivitetit fizik. Por nëse këmba është e ënjtur ose e ngrohtë, kjo mund të tregojë trombozë të venave të thella – formim mpiksjeje gjaku në këmbë.

    Kjo gjendje është e rrezikshme sepse mpiksja mund të shkëputet dhe të arrijë në mushkëri.

    Tromboza është më e shpeshtë te personat mbi 50 vjeç, por mund të ndodhë edhe te të rinjtë, sidomos pas qëndrimit të gjatë pa lëvizur, ndërhyrjeve kirurgjikale ose te pacientët me kancer.

    “Shumë njerëz nuk i njohin shenjat e trombozës,” paralajmëron Dr. Cannon. “Ndryshimet fizike në pulpën e këmbës mund të sinjalizojnë diçka shumë serioze.”

  • Dietologët tregojnë se a janë të shëndetshme ëmbëlsirat me proteina

    Dietologët tregojnë se a janë të shëndetshme ëmbëlsirat me proteina

    Protein bars apo “ëmbëlsirat me proteina” janë kthyer në një ushqim që konsumohet shumë shpesh.

    Vitin e kaluar, amerikanët shpenzuan rreth 50 miliardë dollarë për ushqime me proteina dhe kjo shifër pritet të dyfishohet deri në vitin 2032. Influencuesit dhe kompanitë janë duke i nxitur njerëzit të konsumojnë gjithnjë e më shumë proteina, shpesh në sasi që zakonisht u nevojiten vetëm bodybuilderëve.

    Por sa të shëndetshme janë vërtet protein bars, sidomos kur shumë prej tyre përmbajnë sheqer dhe përbërës artificialë?

    Për ta kuptuar më mirë këtë trend, The Guardian ka biseduar me Julia Zumpano, dietologe në Cleveland Clinic dhe Amy Stephens, dietologe sportive në Universitetin e New Yorkut.

    Zumpano ka thënë se përpiqet t’i shmangë, por i përdorë në raste të veçanta.

    “Përpiqem ta minimizojë përdorimin e protein bars, por janë të dobishme për udhëtime ose kur nuk kam mundësi të ha ushqim të vërtetë. Mund të konsumoj një herë në javë ose çdo dy javë”, ka thënë ajo.

    Dieotologia ka shtuar se ka pak protein bars që i konsideron relativisht të pranueshme.

    Ndërsa Stephens thotë se zakonisht nuk i konsumon fare.

    “Unë përpiqem t’i marr të gjitha vlerat ushqyese nga ushqimi i vërtetë. Ha kos, mish pule, peshk, djathë, vezë dhe bishtajore. Nuk i numëroj gramët e proteinës, vetëm sigurohem që çdo vakt të ketë proteina”, ka thënë ajo.

    Çfarë përbërësish duhet të kërkojmë te një protein bar?

    Amy Stephens këshillon të shikohen përbërës të njohur.

    “Kërkoni për ushqime që ekzistojnë realisht, si tërshëra, arrat dhe farat, jo produkte që mbështeten vetëm në proteina të izoluara ose pluhura”, ka thënë ajo.

    Zumpano ka thënë se i shmangë ëmbëltuesit artificialë, ngjyrat, alkool sheqeri apo i njohur ndryshe si poliol.

    “Dua përbërës që mund t’i lexoj dhe t’i kuptoj. Nëse dikush donë të hajë një protein bar çdo ditë, atëherë duhet të jetë shumë më i kujdesshëm me përbërjen”, ka thënë ajo.

    Dietologia ka shtuar se në disa raste, si në një pompë benzine, një protein bar mund të jetë zgjedhje më e mirë sesa patatinat.

    “Nuk është ideale, por mund të jetë alternativa më e mirë në atë moment”, ka thënë dietologia.

    Cilat janë shqetësimet nga konsumimi i shpeshtë?

    Sipas Zumpanos, ëmbëltuesit artificialë mund të rrisin oreksin dhe dëshirën për sheqer.

    “Në sasi të mëdha, ata mund të dëmtojnë florën e zorrëve. Disa studime tregojnë se alkoolët e sheqerit (polioli) lidhen me rritje të rrezikut për sulm në tru dhe mpiksje gjaku”, ka thënë ajo.

    Stephens ka theksuar se një dietë e përqendruar vetëm te proteina krijon çekuilibër.

    “Njerëzit kanë frikë nga karbohidratet, por pa to vjen lodhja, mungesa e energjisë dhe rënia e performancës fizike”, ka thënë ajo.

    Sa proteina na duhen në të vërtetë?

    Stephens ka shpjeguar se sasia varet nga aktiviteti fizik.

    “Atletët e qëndrueshmërisë kanë nevojë për rreth 1.4 deri në 1.7 gramë proteina për kilogram të peshës trupore. Ata që bëjnë ushtrime për forcimin e muskujve mund të shkojnë deri në 2 ose 2.2 gramë, por kjo vlen vetëm për grupe shumë specifike”, ka thënë ajo.

    Dietologia ka paralajmëruar se shumë ushqime të pasura me proteina, sidomos mishi i kuq, përmbajnë yndyra të ngopura që rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës.

    Zumpano mendon se shumica e njerëzve tashmë marrin mjaftueshëm proteina.

    “Problemi i vërtetë është mungesa e fibrave. Shumica e amerikanëve nuk marrin sasinë e nevojshme të fibrave”, ka thënë ajo.

    Kur u pyet për protein bars ose fibra në formë suplementi, ajo ka thënë se konsumon ushqim të vërtetë.

    “Ha ushqim të vërtetë. Fibrat vijnë nga frutat, perimet, tërshëra, arrat, farat, avokadoja dhe zarzavatet”, ka thënë ajo.

    Zumpano ka shtuar se protein bars nuk ofrojnë shumë lëndë ushqyese të rëndësishme.

    “Kur zëvendëson mishin, peshkun ose vezët me një ‘ëmbëlsirë me proteina’, humb hekurin, vitaminat B, zinkun dhe omega-3”, ka thënë ajo.

    Sipas dietologeve, protein bars mund të konsumohen herë pas here, por jo si zëvendësim i përditshëm i ushqimit.

    Ato këshillojnë të lexohen me kujdes përbërësit dhe të fokusohemi më shumë te ushqimi i freskët dhe natyral.

    “Çdo gjë në moderim, por baza duhet të jetë ushqimi i vërtetë”, ka përfunduar Zumpano./koha.net

  • Qëndrimi zgjuar gjatë natës rrit rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru

    Qëndrimi zgjuar gjatë natës rrit rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru

    Të ashtuquajturit “bufë nate” mund të përballen me një rrezik më të lartë për atak në zemër dhe goditje në tru, sipas një studimi të ri të publikuar të mërkurën.

    Studiuesit zbuluan se njerëzit që rrinin zgjuar vonë gjatë natës kishin rezultate më të dobëta të shëndetit kardiovaskular dhe një rrezik 16% më të lartë për atak në zemër dhe goditje në tru, krahasuar me ata që njihen si “zogj mëngjesi”.

    Studimi, botuar në Journal of the American Heart Association, analizoi të dhëna nga më shumë se 320,000 të rritur britanikë, të moshës 39 deri në 74 vjeç, duke kombinuar informacione nga anketa dhe matje biometrike.

    Ekspertët shpjegojnë se rreziku më i lartë lidhet pjesërisht me sjelljet e caktuara të stilit të jetës dhe faktorë të tjerë shëndetësorë, duke theksuar rëndësinë e rutinave të shëndetshme dhe orarit të rregullt të gjumit për mbrojtjen e zemrës dhe trurit.

  • Cili mish është më i shëndetshmi? Ja renditja sipas ekspertëve

    Cili mish është më i shëndetshmi? Ja renditja sipas ekspertëve

    Nga sallamet e lira deri te biftekët e kushtueshëm të viçit, mishi mbetet pjesë qendrore e dietës për miliona njerëz, pavarësisht rritjes së interesit për dieta vegjetariane dhe vegane.

    Me konsumimin e mishit në rritje, shtrohet gjithnjë e më shpesh pyetja: cilat janë zgjedhjet më të shëndetshme?

    Ekspertët bien dakord se mishi i freskët, i gatuar siç duhet, është burim i vlefshëm proteinash, yndyrash të shëndetshme dhe mikronutrientësh thelbësorë. Megjithatë, mishrat e përpunuar konsiderohen aq problematikë sa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka klasifikuar si kancerogjenë.

    Sipas terapistes ushqimore Amanda Serif, shëndetshmëria e mishit varet nga disa faktorë: si është rritur kafsha, pjesa e mishit, përmbajtja e yndyrës dhe mënyra e gatimit.

    Ajo këshillon 2–3 porcione mish të kuq të freskët në javë, zgjedhjen e pjesëve më të dobëta dhe përtypjen e mirë të mishit, pasi tretja e mirë ndihmon përthithjen e lëndëve ushqyese.

    Më poshtë, një përmbledhje e mishrave më të zakonshëm – nga më i lehti te më i rënduari për shëndetin:

    Pulë

    Mishi më i konsumuar në Britani. Gjoksi i pulës pa lëkurë është shumë i pasur me proteina dhe i varfër në yndyrë. Kofshët dhe këmbët kanë më shumë yndyrë, por edhe më shumë hekur dhe zink. Heqja e lëkurës pas gatimit është kompromisi më i mirë mes shijes dhe shëndetit.

    Gjel deti

    Edhe më i dobët se pula dhe jashtëzakonisht i pasur me proteina. Një burim i mirë hekuri, zinku dhe vitaminës B6. Miti se gjeli i detit shkakton përgjumje nuk mbështetet shkencërisht.

    Viçi

    Burim i shkëlqyer i hekurit të përthithshëm, por edhe mish i kuq, që sipas OBSH duhet kufizuar në maksimum 350–500 g në javë. Filetot janë më të dobëta, ndërsa mishi i grirë ndryshon shumë në përmbajtje yndyre.

    Derri

    Shumë i ndryshueshëm ushqyesisht. Filetoja e derrit është po aq e dobët sa pula, ndërsa barku i derrit është ekstremisht i yndyrshëm. Produktet e përpunuara si proshuta, bacon-i dhe salsiçet rrisin ndjeshëm rrezikun për kancer të zorrës.

    Qengji

    Sidomos qengji i ushqyer me bar është i pasur me Omega-3 dhe vitaminë B12. Mish aromatik dhe ushqyes, por me përmbajtje të moderuar yndyre – konsumohet më mirë me masë.

    Mish dreri (venison)

    Një nga mishrat më të dobët dhe më të pasur me proteina. Shumë i varfër në yndyrë dhe natyrshëm i shëndetshëm, por kërkon gatim të kujdesshëm që të mos thahet.

    Lepur

    I lehtë, shumë i pasur me proteina dhe me më shumë hekur se viçi. Konsumohet pak për arsye kulturore, por nga pikëpamja ushqyese është zgjedhje shumë e mirë.

    Rosë dhe patë

    Të shijshme, por të pasura me yndyrë, sidomos pata. Shumica e yndyrës ndodhet në lëkurë dhe shpesh shkrihet gjatë gatimit. Duhet të konsumohen rrallë.

    Struci

    Megjithëse është zog, prodhon mish të kuq shumë të dobët, me shije të ngjashme me viçin. I pasur me hekur dhe shumë i varfër në yndyrë, por pak i përhapur.

    Buallicë

    E ngjashme me viçin në shije, por shumë më e dobët. E pasur me hekur, zink dhe Omega-3. E rrallë në tregjet europiane.

    Krokodil

    Mish ekzotik, shumë i pasur me proteina dhe i varfër në yndyrë. Përmban Omega-3, hekur dhe kalium, por mbetet një zgjedhje e rrallë.

    Dhi

    Më e dobët se qengji, me më pak yndyrë dhe më shumë hekur e kalium, por më pak vitaminë B12. Shumë e përdorur në kuzhinat karaibiane dhe aziatike.

    Përfundimi i ekspertëve

    Më të shëndetshmit: mishrat e dobët dhe të papërpunuar (pulë pa lëkurë, gjel deti, mish dreri, lepur, dhi).

    Me kujdes: mishrat e kuq dhe ata të yndyrshëm.

    Për t’u shmangur rregullisht: mishrat e përpunuar.

    Një dietë e balancuar, me më shumë perime dhe më pak mish të përpunuar, mbetet strategjia më e mirë për shëndetin afatgjatë

  • Pse ju duket se po përjetoni Déjà Vu’?

    Pse ju duket se po përjetoni Déjà Vu’?

    Shumica prej jush me siguri kanë përjetuar të paktën një “déjà vu” në jetën e tyre dhe tashmë, skanimet e para të trurit mbi këtë fenomen shpjegojnë përse. Sipas studiuesit Akira O’Connor, është një shenjë që tregon se truri po kontrollon kujtimet tona.

    Sipas këtij studimi, gjithashtu rezulton se truri i personave që përjetojnë “déjà vu”, funksionon siç duhet. Ky fenomen prej vitesh ka qenë një mister për studiuesit, për shkak të natyrës së paparashikueshme dhe shpejtësisë në të cilën ndodh.

    Për të realizuar këtë studim në Universitetin e St. Andrews në Britani, është përdorur metoda e krijimit të kujtimeve false. Kjo teknikë konsiston në paraqitjen e disa fjalëve të lidhura me njëra-tjetrën si: krevat, jastëk, natë, ëndërr etj., por jo fjalën kyçe që i lidh së bashku: gjumin. Kur personat që i kanë dëgjuar ato, pyeten të nesërmen për këto fjalë, ata mendojnë se kanë dëgjuar edhe fjalën gjumë-një kujtim fals. Në këtë mënyrë, ata përjetonin një “déjà vu”.

    Shkaqe të tjera pse mund të përjetoni një déjà vu:

    1-Jeni i/e re.

    Rreth 60, 70% e njerëzve që përjetojnë diçka të tillë janë të rinj. Deja vu-të më të shpeshta njeriu i kalon në periudhën 15-25 vjeç.

    2- Jeni të stresuar

    Sa më shumë të stresuar të jeni, aq më shumë deja vu mund të përjetoni. Kjo, për shkak të presionit në të cilin truri juaj gjendet në ato momente.

    3-Truri juaj po punon!

    Siç e thamë,  déjà vu është një provë që tregon sa mrekullisht funksionon truri i njeriut. Pra, asgjë për t’u shqetësuar, është lajm i mirë.

  • Qetësoni sistemin nervor për pak sekonda: Teknikë e thjeshtë që ul ankthin

    Qetësoni sistemin nervor për pak sekonda: Teknikë e thjeshtë që ul ankthin

    Vëzhgimi i vetëdijshëm është një teknikë që mund ta praktikoni në takim, në radhë apo në çdo moment tensioni – pa ushtrime të gjata dhe pa përgatitje paraprake.

    Kjo metodë përshkruan përqendrimin e qëllimshëm të vëmendjes në momentin e tanishëm. Përmes shqisave dhe ndërgjegjësimit, ne përpiqemi të vërejmë mendimet, ndjenjat, ndjesitë trupore, si dhe pamjet, tingujt dhe aromat përreth – pa gjykim dhe pa reagim të menjëhershëm.

    Ekspertët theksojnë se vëzhgimi i vetëdijshëm ndihmon në zbutjen e stresit dhe ankthit, duke forcuar njëkohësisht vetëdijen për veten. Ai na lejon të shohim situatat ashtu siç janë, jo siç na i paraqet ankthi.

    Sipas specialistëve, mjafton vetëm një minutë për të rikthyer mendjen nga shpërqendrimi. Përparësia e madhe e kësaj metode është se mund të zbatohet kudo – gjatë udhëtimit për në punë, teksa përgatisni kafenë, ose ndërsa prisni në radhë.

    Është e rëndësishme të theksohet se vëzhgimi i vetëdijshëm nuk e zhduk ankthin, por ndihmon që të reagojmë më mirë dhe të ulim simptomat e stresit të përditshëm.

    Çfarë nënkupton kjo teknikë?

    Bëhet fjalë për t’u kthyer plotësisht në të tashmen dhe për të qenë realisht të pranishëm. Kur jeni të pranishëm, nuk përqendroheni te e ardhmja dhe nuk ngecni te e kaluara; nuk dominoheni nga mendime negative, pesimizëm apo shqetësim emocional, shpjegon psikoterapistja Arati Patel.

    Studime të ndryshme tregojnë se praktikat e rregullta të vëmendjes, si vëzhgimi aktiv, mund të:

    Ulin nivelin e ankthit

    Rrisin qëndrueshmërinë emocionale

    Përmirësojnë aftësinë për të reaguar me vetëdije, jo në mënyrë impulsive

    Mbështetësit e kësaj metode theksojnë se ajo është studiuar shkencërisht dhe ndihmon në kontrollin e stresit, rregullimin emocional dhe përqendrimin.

    Disa psikiatër dhe psikoterapistë e përdorin vëzhgimin e vetëdijshëm si plotësim të terapisë standarde, por sqarojnë se ai nuk zëvendëson diagnozën klinike apo trajtimin mjekësor.

    Si praktikohet vëzhgimi i vetëdijshëm?

    Arati Patel sugjeron një ushtrim shumë të thjeshtë:

    Ndalesë e shkurtër – Merrni frymë ngadalë dhe zgjateni nxjerrjen e ajrit.

    Vëzhgoni tri gjëra përreth – Pa i etiketuar si të mira apo të këqija.

    Vëzhgoni dy ndjesi trupore – Për shembull këmbët që prekin dyshemenë ose trupi që mbështetet në karrige.

    Vëzhgoni një tingull – Qoftë afër apo larg.

    Ushtrimi zgjat më pak se një minutë dhe funksionon më mirë kur praktikohet rregullisht.

    Për ta kthyer këtë praktikë në zakon, Patel rekomandon ta lidhni me rutina ekzistuese, si:

    Pritja që të bëhet kafeja

    Larja e duarve

    Kalimi nga një detyrë në tjetrën

    Kjo teknikë mund të praktikohet gjithashtu në çdo situatë stresi të shtuar – në takim pune, në bankë, në radhë apo gjatë transportit publik.

  • Disa nga vetitë e lajthive që ndikojnë në shëndetin tonë

    Disa nga vetitë e lajthive që ndikojnë në shëndetin tonë

    Lajthitë janë shumë të pasura me proteina dhe kripëra minerale të cilat bëjnë të mundur ruajtjen e zemrës si dhe të enëve të gjakut.

    Gjithashtu këto fruta të thata janë të ushqyeshme si dhe mund të konsumohen kur janë të freskëta dhe gjithashtu kur të janë të përpunuara në ëmbëlsira.

    Disa veti të tjera mjaft të mira të lajthive janë:

    1. Janë të pasura me yndyra të shëndetshme dhe mbajnë kolesterolin e “keq” nën kontroll
    2. Përmbajnë proteina të lehta dhe fibra
    3. Janë plot me minerale dhe vitamina
  • Studimi: Tërshëra ul nivelin e yndyrës së keqe në gjak brenda vetëm 2 ditësh

    Studimi: Tërshëra ul nivelin e yndyrës së keqe në gjak brenda vetëm 2 ditësh

    Konsumimi i tërshërës për mëngjes mund të ulë nivelin e yndyrës në gjak brenda vetëm dy ditësh, sugjeron një studim i ri shkencor.

    Studiuesit kanë zbuluar se ngrënia e rregullt e tërshërës ndihmon në uljen e nivelit të yndyrës së keqe në gjak, dhe luan rol të rëndësishëm në këtë proces luajnë bakteret e zorrëve, ka raportuar EatingWell.

    Rreth 10 për qind e të rriturve në SHBA kanë nivel të lartë të yndyrës së keqe në gjak apo kolesterol total mbi normën e rekomanduar.

    Tërshëra prej kohësh njihet si ushqim i shëndetshëm për zemrën, por studimi i ri tregon se përfitimet prej saj janë edhe më të mëdha sesa mendohej më parë.

    Sipas studimit të publikuar në revistën Nature Communications, konsumimi i tërshërës mund të ulë ndjeshëm nivelin e yndyrës së keqe brenda vetëm dy ditësh.

    Te personat me sindromë metabolike, ulja ishte rreth 10 për qind.

    Studiuesit kanë zbuluar se ky efekt lidhet kryesisht me përbërës që krijohen kur bakteret e zorrëve e shpërbëjnë tërshërën.

    Si u realizua studimi?

    Studiues nga Universiteti i Bonit në Gjermani kanë zhvilluar dy studime të kontrolluara me gjithsej 68 të rritur, të moshës 45–70 vjeç, të gjithë me sindromë metabolike, një gjendje që përfshin obezitetin abdominal, tensionin e lartë të gjakut, sheqerin e rritur në gjak dhe nivele jonormale të yndyrës së keqe.

    Në studimin e parë, 32 persona u ndanë në dy grupe për dy ditë.

    -Një grup iu nënshtrua një diete me sasi të lartë tërshëre, tri vakte në ditë me nga rreth 100 gramë tërshërë (rreth një gotë për vakt), gjithsej 300 gramë në ditë.

    -Grupi tjetër konsumoi vakte pa tërshërë, por me përbërje ushqyese të ngjashme. Pas dy ditësh, grupi që konsumoi tërshërë u ndoq edhe për gjashtë javë, ndërsa u kthye në dietën e zakonshme.

    Në studimin e dytë, 34 persona zëvendësuan një vakt në ditë me një vakt me tërshërë (80 gramë) për gjashtë javë, ndërsa grupi tjetër vazhdoi dietën e zakonshme.

    Gjatë studimit u analizuan mostra gjaku dhe të jashtëqitjes për të vlerësuar yndyrën e keqe dhe bakteret e zorrëve.

    Çfarë treguan rezultatet

    Rezultatet më të mëdha u panë te dieta afatshkurtër me sasi të lartë tërshëre.

    Pas vetëm dy ditësh, pjesëmarrësit patën ulje rreth 10 për qind të yndyrës së keqe dhe rreth 8 për qind të yndyrës në total, krahasuar me grupin kontrollues. Madje, nivelet e yndyrës mbetën më të ulëta edhe gjatë gjashtë javëve në vijim.

    Të dyja dietat me tërshërë rritën nivelet e acidit ferulik në gjak, një përbërës natyral që gjendet në tërshërë. Dieta me sasi të lartë rriti gjithashtu një përbërës tjetër, acidin dihidroferulik, i cili krijohet nga bakteret e zorrëve.

    Studiuesit gjetën një lidhje të fortë mes këtyre përbërësve dhe uljes së yndyrës.

    Dieta më e moderuar, me një vakt tërshërë në ditë për gjashtë javë, pati efekt më të butë. Ajo ndihmoi në stabilizimin e yndyrës në gjak, por nuk solli ulje të menjëhershme si dieta intensive dyditore.

    Sipas studiuesve, kjo mund të lidhet me ndryshimet individuale në bakteret e zorrëve dhe zakonet ushqimore.

    Si mund të zbatohet kjo në jetën e përditshme

    Ani pse konsumimi i 300 gramëve tërshërë në ditë nuk është praktik për shumicën e njerëzve, studimi sugjeron se ditët me konsum më të lartë tërshëre, herë pas here, mund të jenë të dobishme për uljen e yndyrës.

    Disa mënyra të thjeshta për ta përfshirë tërshërën në dietë janë:
    -filloni ditën me tërshërë për mëngjes, duke e kombinuar me fruta, arra ose mjaltë
    -shtoni një sasi të vogël tërshëre në lëngje të përgatitura vetë apo “smoothie”.
    -përdorni miell tërshëre në gatime shtëpiake
    -përgatisni tërshërën në mbrëmje për mëngjes të shpejtë
    -provoni herë pas here ditë me disa vakte me bazë tërshëre

    Në raportin e studimit theksohet gjithashtu rëndësia e shëndetit të zorrëve. Përbërësit që ndihmojnë në uljen e yndyrës krijohen kryesisht nga bakteret e zorrëve, prandaj mikrobioma e shëndetshme e rrit efektin pozitiv të tërshërës.

    Për këtë, rekomandohet konsumimi i ushqimeve të pasura me fibra dhe ushqimeve të fermentuara, si kosi, si dhe kufizimi i ushqimeve shumë të përpunuara.

  • Katër mënyra natyrale për të reduktuar ankthin pa ilaçe

    Katër mënyra natyrale për të reduktuar ankthin pa ilaçe

    Ankthi është një ndjenjë që shumica e njerëzve e përjetojnë herë pas here, veçanërisht para situatave stresuese si takime të rëndësishme apo prezantime në punë. Megjithatë, ekspertët theksojnë se në shumë raste nuk është e nevojshme përdorimi i ilaçeve, pasi ekzistojnë mënyra natyrale për ta lehtësuar atë.

    Një nga metodat më efektive është frymëmarrja e thellë. Frymëmarrja abdominale, e praktikuar për 20 deri në 30 minuta në ditë, ndihmon në furnizimin e trurit me oksigjen dhe në relaksimin e sistemit nervor.

    Meditimi është një tjetër mënyrë e provuar shkencërisht për uljen e ankthit. Studime të ndryshme tregojnë se vetëm gjysmë ore meditim në ditë mund të zvogëlojë ndjeshëm nivelet e ankthit dhe depresionit.

    Pijet qetësuese natyrale, si çaji i kamomilit, ndihmojnë gjithashtu në reduktimin e tensionit. Kamomili përmban përbërës që veprojnë në receptorët e trurit të lidhur me qetësinë, duke ofruar efekt relaksues.

    Po ashtu, dëgjimi i muzikës së lehtë para aktiviteteve stresuese ndihmon në qetësimin e sistemit nervor dhe përmirësimin e gjendjes emocionale.

    Këto metoda të thjeshta dhe natyrale mund të jenë një ndihmë e vlefshme për menaxhimin e ankthit në përditshmëri.

  • Katër fazat e gjumit dhe çfarë ndodh në secilën prej tyre

    Katër fazat e gjumit dhe çfarë ndodh në secilën prej tyre

    Gjatë natës, trupi juaj kalon nëpër katër faza të gjumit. Gjatë këtyre fazave, ndryshojnë valët e trurit, lëvizjet e syve dhe aktiviteti neurologjik. Të gjitha katër fazat zgjasin afërsisht 90 minuta, dhe trupi kalon nëpër këto faza rreth katër deri në gjashtë herë gjatë natës.

    Katër fazat përfshijnë dy faza kryesore: gjumi me lëvizje të shpejta të syve (REM) dhe gjumi pa lëvizje të shpejta të syve (NREM). NREM ndahet në tre nënkategori (N1, N2, dhe N3), duke e çuar numrin total të fazave të gjumit në katër.

    Lexoni më tej për të mësuar se çfarë ndodh në tru dhe trup gjatë secilës fazë të gjumit, si dhe faktorët që ndikojnë në cilësinë e gjumit në secilën fazë.

    Faza NREM 1
    Kjo është faza e parë e gjumit dhe nis ciklin e gjumit. Gjatë kësaj faze, ndodheni në gjumë të lehtë dhe zgjoheni lehtë. Me shumë gjasë keni përjetuar këtë fazë më parë, pasi është ajo që kaloni kur filloni të bini në gjumë.

    Fakte për këtë fazë:

    • Zgjat midis një dhe pesë minuta.

    • Zë rreth 5% të totalit të gjumit tuaj gjatë natës.

    • Sistemet e trupit, përfshirë frymëmarrjen, rrahjet e zemrës dhe lëvizjet e syve, fillojnë të qetësohen.

    • Gjatë kësaj faze, muskujt relaksohen dhe ndodhin lëvizje të vogla të tyre.

    • Valët e trurit fillojnë të ndryshojnë nga një model i ditës në atë të natës.

    Faza NREM 2
    Në fazën e dytë të gjumit NREM, filloni të hyni në një periudhë më të thellë të gjumit. Frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës ngadalësohen, muskujt zbuten dhe relaksohen, dhe lëvizjet e syve zvogëlohen. Edhe temperatura e trupit fillon të bjerë gjatë kësaj faze.

    Fakte për këtë fazë:

    • Zgjat 10-25 minuta.

    • Zë rreth 45% të gjumit tuaj gjatë natës.

    • Nga të gjitha fazat e gjumit, në fazën e dytë kaloni më shumë kohë.

    • Koha që kaloni në këtë fazë zgjatet me kalimin e natës.

    • Aktiviteti i përgjithshëm i valëve të trurit zvogëlohet gjatë kësaj faze, por ndodhin momente të aktivitetit elektrik.

    • Nëse do t’ju bëhej një ECG gjatë kësaj faze, do të shfaqeshin “sleep spindles” (shpërthime të shpejta neurologjike) dhe “K-komplekse” (valë truri delta).

    • Faza e dytë e gjumit është ajo ku ka më shumë mundësi të kërcisni dhëmbët.

    Faza NREM 3
    Kjo është faza më e thellë e gjumit. Kur jeni në këtë fazë të gjumit, mund të jetë e vështirë t’ju zgjojnë. Kjo është faza më ripërtëritëse e gjumit dhe është e nevojshme për t’u ndier energjik dhe i rifreskuar në mëngjes. Nëse zgjoheni gjatë kësaj faze, me shumë mundësi do të ndiheni të përgjumur dhe të çoroditur.

    Fakte për këtë fazë:

    • Zgjat rreth 20-40 minuta.

    • Zë rreth 25% të gjumit tuaj gjatë natës.

    • Periudhat më të gjata të kësaj faze ndodhin gjatë cikleve të para të gjumit.

    • Gjatë kësaj faze, frymëmarrja, rrahjet e zemrës dhe muskujt janë të ngadalta dhe të qetësuara.

    • Gjatë kësaj kohe hyni në fazën e gjumit me valë delta ose gjumin me valë të ngadalta (SWS).

    • Trupi juaj riparon indet e tij dhe rindërton muskujt dhe kockat.

    • Qëndrimi në këtë fazë i jep një shtysë sistemit tuaj imunitar.

    • Me kalimin e viteve, kalojmë më pak kohë në këtë fazë të gjumit.

    • Gjatë kësaj faze ka më shumë mundësi për të ndodhur gjendje si ecja në gjumë apo lagia e shtratit.

    Faza REM
    REM (lëvizja e shpejtë e syve) është faza e gjumit në të cilën ndodhin shumica e ëndrrave. Kjo fazë karakterizohet nga lëvizjet e shpejta të syve nën qepallat. Megjithëse pjesa më e madhe e ëndrrave ndodh gjatë kësaj faze, disa ëndrra mund të ndodhin edhe në fazat e tjera të gjumit.

    Fakte për këtë fazë:

    • REM zgjat midis 10 minutave dhe një ore, dhe kohëzgjatja e saj rritet me kalimin e natës.

    • Faza REM fillon rreth 90 minuta pasi të keni rënë në gjumë.

    • Aktiviteti i valëve të trurit tuaj ngjason më shumë me gjendjen e zgjimit.

    • Frymëmarrja bëhet më e shpejtë, zemra rreh më shpejt, dhe presioni i gjakut është më afër atij të zgjimit.

    • Gjatë gjumit REM, trupi përjeton një lloj paralize, duke e parandaluar që të veprojë sipas asaj që ndodh në ëndrra.

    • Me kalimin e viteve, kalojmë më pak kohë në fazën REM të gjumit.

    • Kjo është faza ku ka më shumë gjasa të ndodhë eksitimi seksual.

    Faktorë që Ndikojnë në Ciklin e Gjumit
    Cilësia e gjumit dhe koha që kaloni në secilin cikël gjumi varen nga disa variabla. Nuk është e pazakontë të keni periudha ku nuk kaloni në mënyrë të përsosur përmes secilës fazë.

    Disa faktorë që mund të ndikojnë në ciklet e gjumit përfshijnë:

    • Mosha: Me kalimin e viteve, kalojmë më pak kohë në gjumë të thellë dhe REM.

    • Shëndeti mendor: Cilësia e gjumit ndikohet nga shëndeti mendor, përfshirë depresionin dhe ankthin. Depresioni klinik rrit kohën në gjumin REM, por zvogëlon kohën midis fillimit të gjumit dhe fillimit të ciklit të parë REM.

    • Çrregullime të gjumit: Çrregullime si çrregullimet e ritmit cirkadian, apnea e gjumit, çrregullimi i gjumit REM, ecja në gjumë dhe narkolepsia mund të ndikojnë në ciklet e gjumit.

    • Trauma e trurit (TBI): Jetesa me një TBI mund të ketë ndikim të madh në ciklet e gjumit, përfshirë më pak minuta në REM, zgjime të natës dhe më pak kohë gjithsej në gjumë.

    • Medikamentet dhe substancat: Alkooli, barbituratet dhe benzodiazepinat janë të njohura për të ulur kohën e kaluar në gjumin REM.

    Pyetje të Shpeshta
    • Çfarë ndodh nëse nuk kaloni mjaftueshëm kohë në gjumë REM? Nuk ka shumë kërkime për atë që ndodh kur nuk kalojmë mjaftueshëm në gjumë REM. Megjithatë, më pak gjumë REM është i lidhur me uljen e funksionit kognitiv dhe rritjen e niveleve të depresionit.

    • Pse njerëzit zgjohen në orën 3 të mëngjesit? Zgjimi gjatë natës njihet si zgjim natën. Kjo mund të ndodhë për shumë arsye, si nevoja për të urinuar, zhurmat shqetësuese, konsumimi i tepërt i kafesë apo alkoolit pranë orës së gjumit, ose përjetimi i stresit apo ankthit. Zgjimet e natës mund të shkaktohen gjithashtu nga apnea e gjumit, çrregullimi i lëvizjeve të gjymtyrëve, krizat natën dhe çrregullime të tjera të gjumit.

    • Cila fazë e ciklit të gjumit është më e mira për t’u zgjuar? Zakonisht, zgjohemi gjatë një cikli REM, që është një fazë më e lehtë e gjumit, kështu që kalimi në gjendje të zgjuar është më i lehtë. Faza më e vështirë për t’u zgjuar është faza e tretë NREM, faza më e thellë e gjumit. Njerëzit që zgjohen gjatë kësaj faze ndihen zakonisht të përgjumur dhe mund të përjetojnë një çorientim të përkohshëm dhe një rënie të humorit pas zgjimit.

    Një Përmbledhje e Shpejtë
    Katër fazat e gjumit përshkruajnë katër llojet e gjumit që trupi kalon gjatë natës. Këto faza përfshijnë tre faza pa lëvizje të shpejta të syve (NREM) dhe një fazë REM (me lëvizje të shpejta të syve). Gjatë një nate të plotë gjumi, kaloni përmes të katër fazave çdo 90 minuta dhe e bëni këtë rreth gjashtë herë çdo natë.