ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Terapia ndaj Parkinsonit, zbulohet zona që rrit efikasitetin

    Terapia ndaj Parkinsonit, zbulohet zona që rrit efikasitetin

    Një zonë specifike e kores së trurit është identifikuar si përgjegjëse për reagimin pozitiv ndaj trajtimit të Parkinsonit.

    Për dekada, Parkinsoni është parë kryesisht si një sëmundje që prek lëvizjen, për shkak të deficiteve në pjesët e trurit që kontrollojnë muskujt. Studimi i fundit, megjithatë, tregon se sëmundja prek një rrjet më të gjerë, duke përfshirë rajone të trurit që lidhen me emocionet, kujtesën dhe kontrollin e lëvizjes.

    Analizat mbi 800 pacientë kanë evidentuar këto lidhje. Në 18 pacientë, stimulimi magnetik i zonës së quajtur Scan i dërgoi impulse trurit, dhe brenda dy javësh, 56% e tyre shfaqën një reagim pozitiv.

    Ky studim i rëndësishëm është publikuar në revistën shkencore Nature dhe është rezultat i bashkëpunimit të disa universiteteve ndërkombëtare.

  • Ja çfarë duhet të pini me stomakun bosh për t’u pastruar nga toksinat

    Ja çfarë duhet të pini me stomakun bosh për t’u pastruar nga toksinat

    Ekspertët e quajnë mëlçinë “laboratori i trupit tonë”, prandaj është shumë e rëndësishme që ajo të jetë e shëndetshme.

    Ekzistojnë lëngje natyrale dhe ushqime medicinale që kanë një efekt veçanërisht të dobishëm në gjendjen e saj.

    Së pari dhe më kryesorja janë lëngu i karrotës ose karrotat e grira, të cilat janë veçanërisht të dobishme për mëlçinë e yndyrshme. Rekomandohet t’i konsumoni me stomak bosh.

    Përveç kësaj, mëlçia “e do” limonin, mjaltin e gështenjës, domatet, panxharin dhe kërcejtë e luleradhiqes së papërpunuar.

    Konsumimi i këtyre ushqimeve gjatë një periudhe prej tre javësh mund të kontribuojë në rigjenerimin e mëlçisë. Spinaqi është gjithashtu një zgjedhje e shkëlqyer, më e mira në formën e sallatës, dhe rekomandohet sa më shpesh të jetë e mundur.

    Lëngu i rrepkës është gjithashtu i dobishëm për mëlçinë, dhe mund të pini disa lugë çaji prej tij çdo ditë sepse ndihmon në eliminimin e yndyrës. Lëngu nga gjethet e freskëta të lakrës është gjithashtu efektiv sepse stimulon rigjenerimin e mëlçisë.

    Mëlçia ndodhet në pjesën e sipërme të djathtë të barkut dhe ka tre anë, një anë të sipërme, të fryrë, një anë të poshtme, e cila shtrihet mbi zorrën e trashë dhe stomakun, dhe një anë të pasme, e cila është e bashkangjitur në diafragmë.

    Kryqëzimi i anëve të sipërme dhe të poshtme formon skajin e mëlçisë, i cili ndihet lehtësisht kur organi zmadhohet ose ulet.

  • Cilat ushqime ju japin energji në mëngjes më mirë se kafeja?

    Cilat ushqime ju japin energji në mëngjes më mirë se kafeja?

    Lodhja e mëngjesit është një sfidë për shumë njerëz dhe kafeja nuk është gjithmonë zgjidhja. Një “shtytje” e vërtetë energjie vjen nga mëngjesi, i cili ushqen trupin, stabilizon sheqerin në gjak dhe ndihmon trurin të zgjohet natyrshëm. Ushqimet që rekomandojnë ekspertët përfshijnë bollgurin, vezët dhe manaferrat.

    Nëse kafeja nuk ju jep më atë “klik” që prisni në mëngjes, ia vlen t’i kushtoni vëmendje asaj që hani sapo të zgjoheni. Ushqimi mund ta vërë në punë trupin tuaj në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më afatgjatë sesa kafeina, pa rritjen dhe rënien e papritur të energjisë.

    Kombinimi i karbohidrateve komplekse, yndyrnave të shëndetshme dhe proteinave ndihmon trupin të zgjohet natyrshëm, të mbështesë përqendrimin dhe të ruajë një ndjenjë të ngopjes gjatë gjithë mëngjesit.

    Bollguri, buka integrale ose frutat e pasura me fibra çlirojnë ngadalë energjinë dhe parandalojnë plogështinë në mëngjes, ndërkohë që ushqejnë edhe trurin.

    Ushqimet që përmbajnë yndyrna dhe proteina me cilësi të lartë kanë një efekt veçanërisht të mirë, sepse stabilizojnë sheqerin në gjak. Vezët, kosi ose kefiri, arrat dhe farat e ndihmojnë trupin të “ndizet” pa nervat dhe rrahjet e shpejta të zemrës që shpesh shoqërojnë kafenë.

    Bananet dhe manaferrat ofrojnë sheqerna natyralë së bashku me minerale si kaliumi dhe magnezi, të cilat janë të rëndësishme për energjinë muskulore dhe qartësinë mendore. Kur këto ushqime kombinohen në mëngjes, efekti është gradual, por afatgjatë – energjia zgjat për orë të tëra.

    Hidratimi nuk duhet neglizhuar as, pasi dehidratimi i lehtë shpesh qëndron pas lodhjes së mëngjesit. Një gotë ujë menjëherë pas zgjimit, së bashku me një mëngjes të pasur me lëndë ushqyese, mund të ketë një efekt më të fuqishëm sesa një filxhan tjetër kafe. Në vend të një doze të shpejtë kafeine, kjo qasje e zgjon trupin nga brenda dhe krijon një bazë më të mirë për një fillim produktiv dhe më të qetë të ditës.

  • Sa duhet të presim për të fjetur pas konsumimit të darkës?!

    Sa duhet të presim për të fjetur pas konsumimit të darkës?!

    Ekspertët kanë identifikuar dy arsye konkrete përse njeriu duhet të shmangë gjumin direkt pas të ngrënit, sidomos në darkë.

    Tretja dhe mbipesha
    Qëndrimi shtrirë pas ngrënies së një vakti të rëndë tingëllon shpërblyes, por për tretjen është një makth i vërtetë.

    Tretja është një proces që duhet bërë kur njeriu qëndron në pozicion vertikal. Kur stomaku është plot me ushqim dhe graviteti nuk është më në favorin tuaj, aciditeti i stomakut (që shtohet në volum e sasi gjatë tretjes) ngjitet lart nëpërmjet ezofagut dhe shkakton refluks acidi.

    Simptoma kryesore është urthi, ndjesia e dhimbshme e djegies në mes të kraharorit. Probleme të tilla do ju lënë pa gjumë dhe janë një eksperiencë jo e mirë.

    Nga ana tjetër, jo të gjitha ushqimet kanë të njëjtin ndikim nëse konsumohen vonë në mbrëmje. Për shembull, nëse para gjumit hani një copë pice të mbushur me karbohidrate e yndyrë dhe e shoqëroni me një pije të gazuar, ju me siguri do të përballeni me refluksin më të keq të aciditetit në jetë.

    Nëse hani një kivi para gjumit, ai padyshim do ju bëjë mirë se ky fut ka përbërës që përshpejtojnë gjumin.

    Veç këtyre, ngrënia e ushqimeve të rënda në mbrëmje është një faktor nxitës i mbipeshës, ndaj duhet shmangur.

    Stomaku plot, gjumë i trazuar
    Sipas ekspertëve, konsumi i ushqimeve të rënda para gjumit e vështirëson ardhjen e tij.

    Kafeina, alkooli, yndyra e tepërt prishin cilësinë e gjumit dhe e trazojnë atë duke penguar kështu një sërë procesesh rehabilituese për organizmin.

    Nëse ju hani dhe pini rëndë përpara gjumit, ju do të zgjoheni disa herë gjatë natës për të shkuar në banjë dhe kështu nuk do të flini mirë. Veç kësaj, si pasojë e ushqyerjes së rëndë, truri mbetet aktiv dhe mund të shihni shumë ëndrra të këqija.

    Kur duhet të shtrihemi për të fjetur pas darkës?
    Ekspertët sugjerojnë që të prisni një orë pas ushqyerjes për tu shtrirë për të fjetur. Nëse ju hani hamburger apo biftek në mbrëmje atëherë duhet të prisni tre orë dhe më pas të flini./AgroWeb

  • Vitaminat kyçe që ndihmojnë gratë gjatë menopauzës

    Vitaminat kyçe që ndihmojnë gratë gjatë menopauzës

    Një regjim i shëndetshëm ushqimor është një nga mënyrat më të mira për të menaxhuar hormonet dhe për të minimizuar simptomat e menopauzës.

    Magnezi

    Magnezi është i rëndësishëm për përmirësimin e shëndetit të zemrës, uljen e presionit të gjakut, uljen e rrezikut të diabetit, luftimin e osteoporozës dhe lehtësimin e konstipacionit, të gjitha shqetësime që shtohen me menopauzën.

    Në veçanti, glicinati i magnezit mund të ndihmojë gjithashtu në qetësimin e ankthit, lehtësimin e dhimbjeve të kyçeve, përmirësimin e gjumit dhe afsheve të nxehta.

    Burimet ushqimore: spinaqi, farat e kungullit, fasulet e zeza, peshku ton, qumështi i sojës, oriz kaf, bajamet, shqemët, avokado, kosi pa yndyrë dhe bananet.

    Vitamina A

    Në një kohë kur ndryshimet hormonale i japin trupit edhe më tepër stres, kjo vitaminë do të ndihmojnë me forcimin e imunitetit dhe me përmirësimin e funksioneve të tirodides.

    Burimet ushqimore: Mëlçia e viçit dhe qengjit, gjalpi, djathi dhe peshku. Trupi gjithashtu mund të prodhojë vitaminë A nga beta karotina nga konsumi i perimeve dhe frutave si patatja e ëmbël, kungulli i dimrit, lakra jeshile, karotat, specat e kuq të ëmbël, mango apo pjepri.

    Vitaminat B6 dhe B12

    Vitaminat B mund të ndihmojë në parandalimin e depresionit të menopauzës dhe të rrisin energjinë duke rritur serotoninën. Gjithashtu mund të ndihmojnë me pagjumësinë dhe ndoshta edhe të reduktojnë afshet e nxehta.

    Burimet ushqimore: Për B6, salmon, qiqra, ton, pulë, mish derri, patate të ëmbla, banane, patate, avokado, fistekë. Për B12, peshku ton, drithëra të fortifikuara, mish viçi, qumësht me pak yndyrë, djathë, vezë.

    Vitamina K

    Është e rëndësishme për densitetin e kockave, i cili zvogëlohet me rritjen e moshës, duke rritur rrezikun për fraktura.

    Ngrënia e një racioni me zarzavate me gjethe gjeshile (një burim i mirë i vitaminës K) në ditë mund të zvogëlojë rrezikun e një frakture.

    Burimet ushqimore: lakër jeshile, marule, spinaq, brokoli, lakrat e Brukselit, shpargu, bamjet, fasulet e gjelbra etj.

    Vitamina C

    Vitamina C gjatë menopauzës është e rëndësishme për ruajtjen e densitetit të kockave. Gjë e cila ju mbron nga frakturat që mund të pësoni në jetë.

    Eefektet e saj antioksiduese mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, të cilat janë më të zakonshme pas menopauzës.

    Burimet ushqimore: kivi, specat e kuq, agrumet, luleshtrydhet, domatet, brokoli, lakra jeshile, papaja.

    Kalciumi

    Me kalimin e moshës, kockat tuaja bëhen poroze (një gjendje e njohur si osteoporoza) dhe mund të dobësohen.

    Burimet ushqimore: Qumësht, kos, djathë, tofu, lëng portokalli të fortifikuar me kalcium, spinaq, bizele, sardele, salmon, troftë.

    Vitamina D

    Ndihmon trupin të absorbojë kalciumin, një bllok ndërtimi për kocka të forta, e rëndësishme për funksionimin e duhur të muskujve, mbështet shëndetin e zemrës, funksionin neurologjik, rregullimin e sheqerit në gjak dhe imunitetin.

    Mund të ndihmojë gjithashtu për të mbështetur funksionin e trurit dhe për të luftuar depresionin e menopauzës.

    Burimet ushqimore: peshq si salmoni, toni dhe trofta, kërpudhat, qumështi, tofu, kosi, lëngu i portokallit dhe drithërat, mishi i derrit, vezët.

    Omega 3

    Rreziku i sëmundjeve të zemrës rritet pas menopauzës. Omega 3 mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të niveleve të triglicerideve. Ajo gjithashtu mund të ndihmojnë me çështjet psikologjike, depresionin dhe afshet e nxehta.

    Burimet ushqimore: salmoni, farat e lirit, farat chia, arrorët, tofu, fasulet dhe avokado.

    Probiotikët

    Probiotikët janë mikrobe të dobishme, që ri-kolonizojnë florën në trupin tuaj. Ato mund të ndihmojnë me problemet e tretjes me të cilat përballen shumë gra në këtë periudhë dhe gjithashtu mbështesin shëndetin e organeve ripordhuese.

    Burimet ushqimore: kos, kefir, lakër turshi, turshitë, miso, tempeh dhe disa djathëra.

    Shafrani i Indisë

    Së bashku me mbrojtjen nga sëmundjet që janë më të mundshme pas menopauzës, efekti anti-inflamator i shafranit të Indisë mund të ndihmojë gjithashtu në dhimbjet e kyçeve.

  • Ekspertët: Apple Watch duhet t’u jepet pacientëve me probleme të ritmit të zemrës

    Ekspertët: Apple Watch duhet t’u jepet pacientëve me probleme të ritmit të zemrës

    Ekspertët kërkojnë që orët inteligjente Apple të bëhen të disponueshme për pacientët e NHS me një çrregullim të zakonshëm të ritmit të zemrës.

    Kjo kërkesë vjen pas një studimi të rëndësishëm të publikuar javën e kaluar nga studiuesit e Spitalit Barts në Londër, i cili zbuloi se dhënia e orës pacientëve zvogëlon ndjeshëm shtrimet e paplanifikuara në spital, përmirëson cilësinë e jetës së pacientëve dhe kap më shumë ngjarje potencialisht fatale të zemrës sesa kujdesi standard.

    Studiuesit analizuan të dhënat e gati 200 pacientëve me fibrilacion atrial – një gjendje që shkakton rrahje të shpejta dhe jo të rregullta të zemrës, dhe mund të çojë në goditje në tru ose dështim të zemrës.

    Studimet e mëparshme tregojnë se deri në 50% e pacientëve të trajtuar për këtë gjendje mund të shfaqin simptoma përsëri. Aktualisht, pacientët monitorohen vetëm në tre, gjashtë dhe 12 muaj pas trajtimit dhe pastaj mund t’u ofrohet pajisje për të monitoruar zemrën për një periudhë 24-orëshe.

    Në këtë provë, pacientëve u dhanë Apple Watch për të monitoruar zemrën gjatë një viti pas trajtimit. Studiuesit gjetën se numri i vizitave të paplanifikuara në spital u përgjysmua për pacientët që përdornin orën.

    Gjithashtu, pacientët me pajisjen shfaqën nivele më të larta të simptomave të përsëritura, çka tregon se ora përmirëson kapjen dhe shpejtësinë e identifikimit të gjendjes. Kjo ndodh sepse pacientët mund të monitorojnë vetë gjendjen e tyre; mesatarisht, pacientët realizuan 170 ECG – regjistrime të aktivitetit elektrik të zemrës – gjatë periudhës njëvjeçare.

    Dr. Nikhil Ahluwalia, kardiolog në Spitalin Barts dhe autori kryesor i studimit, tha:

    “Duke i dhënë pacientëve fuqinë për të monitoruar gjendjen e tyre në shtëpi, ne kemi arritur të reduktojmë vizitat e paplanifikuara në spital dhe të kapim simptomat që përsëriten më shpejt.

    Me Apple Watch kaluam nga një ‘fotografi’ e shkurtër e zemrës në një ‘video’ gjatë gjithë vitit.

    Pa këtë pajisje, për të ofruar këtë nivel kujdesi do të duheshin procedura invazive për të implantuar një pajisje nën lëkurë.”

    Studiuesit shtojnë se një tjetër përfitim i përdorimit të orës si pjesë e kujdesit pas trajtimit është që ajo siguron qasje të barabartë në kujdes kardiologjik në të gjithë vendin.

    “Një pacientja nga Cornwall, para provës klinike, shtrihesh në spital çdo gjashtë javë,” thotë Dr. Ahluwalia.

    “Për këtë arsye ajo hoqi dorë nga stili i saj shumë aktiv i jetës dhe jetonte me frikën e rikthimit të simptomave. Në këtë provë, treguam se mund të menaxhonte gjendjen në shtëpi dhe të vendoste kur vizita në urgjencë ishte e nevojshme. Ajo u kthye në stilin e saj aktiv të jetës dhe menaxhoi gjendjen me ilaçe.”

    Ekipi i kërkuesve thotë se Apple Watch do të ishte një mjet ekonomik për NHS. “Çmimi i një pajisjeje është i krahasueshëm me një vlerësim të vetëm në spital,” thotë Dr. Ahluwalia. “Ka një arsye të fortë për ta futur në përdorim në NHS.”

    Të dhënat e fundit nga British Heart Foundation tregojnë se numri i njerëzve me fibrilacion atrial në Mbretërinë e Bashkuar është rritur 50% gjatë një dekade. Aktualisht rreth 1.5 milion njerëz – një në 45 – jetojnë me këtë gjendje.

  • Kjo është arsyeja pse barnat nuk duhen marrë me produkte qumështi

    Kjo është arsyeja pse barnat nuk duhen marrë me produkte qumështi

    Shumë njerëz i marrin medikamentet së bashku me qumësht, kos apo produkte të tjera të qumështit, pa e ditur se kjo praktikë mund të ulë ndjeshëm efektin e tyre.

    Sipas mjekëve dhe farmacistëve, produktet e qumështit përmbajnë kalcium, i cili mund të lidhet me disa përbërës aktivë të barnave dhe të pengojë përthithjen e tyre në organizëm. Si pasojë, medikamenti nuk vepron siç duhet ose efekti i tij dobësohet.

    Kjo vlen veçanërisht për disa antibiotikë, si tetraciklinat dhe fluorokinolonet, si dhe për disa suplemente hekuri. Kur këto barna merren me qumësht apo kos, trupi nuk i absorbon plotësisht.

    Ekspertët këshillojnë që medikamentet të merren me ujë dhe të respektohen udhëzimet e mjekut ose farmacistit. Nëse keni dyshime, është gjithmonë më e sigurt të pyesni specialistin përpara se të kombinoni barnat me ushqime të caktuara.

    Kujdesi në mënyrën e marrjes së medikamenteve është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë trajtimi.

  • Cila orë e ditës është më efektive kur bëhet kimioterapia

    Cila orë e ditës është më efektive kur bëhet kimioterapia

    Ora e ditës kur jepet kimioterapia mund të luajë një rol të rëndësishëm në efektivitetin e saj, sipas një studimi të ri klinik të pacientëve me kancer të mushkërive në fazë të avancuar. Gjetjet tregojnë se trajtimi që fillon më herët gjatë ditës konkretisht para orës 3 të pasdites shoqërohet me rezultate më të mira krahasuar me administrimin e tij më vonë.

    Studimi, një provë e fazës 3 e rastësishme që përfshin 210 pacientë, u botua në Nature Medicine dhe bazohet në të dhëna që tregojnë se ritmet cirkadiane, “ora biologjike” e brendshme e trupit, ndikojnë në funksionin e sistemit imunitar dhe përgjigjen e tij ndaj trajtimeve.

    Çfarë tregoi studimi?

    Studiuesit, të udhëhequr nga Yongchang Zhang, i ndanë pacientët me kancer të mushkërive me qeliza jo të vogla në fazë të avancuar – të cilët nuk kishin marrë ndonjë trajtim të mëparshëm në dy grupe. Grupi i parë mori imunokimioterapi para orës 15:00, ndërsa grupi i dytë e mori atë pas orës 15:00, për katër ciklet e para të trajtimit.

    Pas një ndjekjeje mesatare prej gati 29 muajsh, pacientët që morën trajtim më parë përjetuan:

    -pothuajse dyfishi i kohës pa përkeqësim të sëmundjes (11.3 muaj kundrejt 5.7),
    -mbijetesë më e gjatë e përgjithshme (28 muaj kundrejt 16.8),
    -shkallë më të larta përgjigjeje ndaj trajtimit (69.5% kundrejt 56.2%).

    Është e rëndësishme të theksohet se nuk u regjistruan ndryshime në ngjarjet anësore të lidhura me imunitetin, duke sugjeruar që përfitimi nuk shoqërohet me toksicitet të shtuar.

    Pse koha mund të ketë rëndësi

    Analiza të mëtejshme treguan se pacientët në grupin e mëngjesit kishin limfocite T CD8+ më aktive në gjakun e tyre – qeliza që janë çelësi i përgjigjes imune kundër kancerit. Ky zbulim përforcon idenë se sistemi imunitar reagon ndryshe ndaj trajtimit në varësi të kohës së ditës .

    Indikacione të ngjashme janë gjetur në të kaluarën nga studime retrospektive në forma të tjera të kancerit, por deri më tani të dhënat nga provat klinike të rastësishme kanë munguar.

    Kufizimet dhe hapat e mëtejshëm

    Vetë studiuesit theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të konfirmuar përfitimet afatgjata, si dhe për të hetuar mekanizmat e saktë biologjikë. Përveç kësaj, të gjithë pjesëmarrësit në studim ishin nga Kina, gjë që kufizon përgjithësueshmërinë e rezultateve.

    Nëse gjetjet konfirmohen në popullata të tjera, rregullimi i kohës së kimioterapisë mund të jetë një mënyrë e thjeshtë dhe me kosto të ulët për të përmirësuar trajtimin e kancerit pa ndryshuar ilaçet ose protokollet e trajtimit. Një kujtesë se në mjekësi, nuk është vetëm ajo që jep që ka rëndësi, por edhe kur.

  • OBSH: 37% e rasteve të reja të kancerit mund të parandalohen

    OBSH: 37% e rasteve të reja të kancerit mund të parandalohen

    37% e të gjitha rasteve të reja me kancer gjatë një viti ishin të lidhura me shkaqe të parandalueshme. Për herë të parë, OBSH ka kryer një analizë globale që tregon rrezikun e kancerit nga shkaqe të parandalueshme.

    Studimi shqyrton 30 shkaqe të parandalueshme, duke përfshirë duhanin, alkoolin, indeksin e lartë të masës trupore, inaktivitetin fizik, ndotjen e ajrit, rrezatimin ultravjollcë dhe, për herë të parë, nëntë infeksione që shkaktojnë kancer.

    Sipas OBSH-së, tre prej tumoreve, ai i mushkërive, stomakut dhe qafës së mitrës, kanë si shkak kryesor duhanpirjen, infeksionet dhe alkoolin.

    Tumoret e mushkërive, stomakut dhe qafës së mitrës përbënin pothuajse gjysmën e të gjitha rasteve të parandalueshme të kancerit, si tek burrat ashtu edhe tek gratë, në nivel global, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Konkretisht, të dhënat tregojnë se 15% e tumoreve kanë si shkak kryesor duhanin, të ndjekura nga infeksionet me 10% dhe alkooli me 3%.

    Shkaqet kryesore të parandalueshme për tumoret

    Duhani – 15%

    Infeksionet – 10%

    Alkooli – 3%

    Kanceri i mushkërive lidhej kryesisht me pirjen e duhanit dhe ndotjen e ajrit.

    “Ne kapim 750–780 raste në vit me kancer mushkërie të lidhur kryesisht me duhanpirjen. Ndryshimet demografike dhe projeksionet për të ardhmen janë që tumoret në Shqipëri do të jenë në rritje”, tha Alban Ylli, specialist i ISHP-së.

    Kanceri i stomakut i atribuohej kryesisht infeksionit Helicobacter, ndërsa kanceri i qafës së mitrës shkaktohej kryesisht nga papillomavirusi njerëzor (HPV).

    Nisur nga këto gjetje, ekspertët e shëndetësisë theksojnë se 4 në 10 raste të kancerit, ose e thënë ndryshe 7.1 milion raste në mbarë botën, mund të parandalohen.

  • Ky ushqim i përditshëm mund të rrisë rrezikun e diabetit, paralajmërojnë ekspertët

    Ky ushqim i përditshëm mund të rrisë rrezikun e diabetit, paralajmërojnë ekspertët

    Ja kush është ushqimi që mund të rrisë rrezikun e diabetit kur hahet më shpesh se një herë në javë.

    Konsumimi i mishit të kuq më shpesh se një herë në javë mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2, sipas hulumtimit të udhëhequr nga TH Chan i Shkollës së Shëndetit Publik të Harvardit, botuar në revistën Amerikane të të ushqyerit klinik.

    Rreziku gjendet edhe tek njerëzit që konsumojnë vetëm dy racione mish të kuq në javë dhe rritet me konsum më të madh.

    “Kjo është e vërtetë për mishin e kuq të përpunuar dhe të papërpunuar”, thotë Xiao Gu, një studiues dhe autori i parë i studimit.

    Shkalla e incidencës së diabetit të tipit 2 po rritet me shpejtësi në mbarë botën dhe kjo është shqetësuese, pasi sëmundja është një faktor kryesor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare dhe të veshkave, kancerin dhe demencën.

    Për këtë studim të veçantë, studiuesit analizuan të dhënat shëndetësore nga 216,695 pjesëmarrës. Dieta e tyre vlerësohej me pyetësorë për frekuencën e ushqimit çdo dy deri në katër vjet, për një total deri në 36 vjet. Gjatë kësaj kohe, më shumë se 22,000 pjesëmarrës zhvilluan diabetin e tipit 2.

    Studiuesit zbuluan se ngrënia e mishit të kuq lidhet ngushtë me një rrezik të shtuar të zhvillimit të diabetit të tipit 2. Çdo porcion shtesë ditor i mishit të kuq të përpunuar shoqërohej me një rrezik 46% më të madh të diabetit të tipit 2, dhe çdo porcion shtesë ditor i mishit të kuq të papërpunuar shoqërohej me një rrezik 24% më të madh.

    Zëvendësimi i mishit të kuq me burime proteinash me bazë bimore, si arrat dhe bishtajoret, si dhe qumështore, mund të zvogëlojë rrezikun. Konkretisht, studiuesit zbuluan se zëvendësimi i një porcioni në ditë të mishit të kuq me një racion arra dhe bishtajore lidhej me një rrezik 30% më të ulët të zhvillimit të diabetit të tipit 2, dhe zëvendësimi i tij me një porcion bulmeti shoqërohej me një rrezik 22% më të ulët.

    “Duke marrë parasysh gjetjet tona dhe punën e mëparshme, ne besojmë se një kufi prej rreth një porcioni mishi të kuq në javë do të ishte i arsyeshëm për njerëzit që dëshirojnë të përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre,” tha profesori i Epidemiologjisë dhe Ushqyerjes dhe autori kryesor, Walter Villette.

    Së fundi, studiuesit vënë në dukje se zëvendësimi i mishit të kuq me burime të shëndetshme proteinash me bazë bimore, përveç përfitimeve shëndetësore, do të ndihmonte gjithashtu në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe ndryshimeve klimatike dhe do të kishte përfitime të tjera mjedisore.