ATV

Category: SHËNDETËSI

  • Studimi amerikan: Pirja e kafesë dhe çajit me kafeinë ndihmon në uljen e rrezikut të demencës

    Studimi amerikan: Pirja e kafesë dhe çajit me kafeinë ndihmon në uljen e rrezikut të demencës

    Studimi, i bazuar në përgjigjet e 132,000 të rriturve në Shtetet e Bashkuara gjatë katër dekadave, tregoi se njerëzit me konsumin më të lartë ditor të kafesë me kafeinë kishin një rrezik 18 për qind më të ulët për të zhvilluar demencë krahasuar me ata me konsumin më të ulët, raporton Reuters.

    Gjithashtu, këta individë kishin një shkallë më të ulët të problemeve të vetëperceptuara me kujtesën ose të menduarit, me pothuajse dy pikë përqindjeje.

    Rezultate të ngjashme u vunë re tek subjektet që konsumuan çaj me kafeinë, ndërsa pijet pa kafeinë nuk treguan të njëjtin efekt.

    Autorët e studimit, të botuar në revistën “JAMA”, paralajmërojnë se rezultatet nuk vërtetojnë se kafeina mbron drejtpërdrejt trurin.

    “Efekti i kafeinës, nëse ka ndonjë, është i vogël, dhe ka mënyra të tjera të dokumentuara mirë për të mbrojtur funksionin njohës gjatë plakjes, duke përfshirë aktivitetin fizik, një dietë të shëndetshme dhe gjumë të mjaftueshëm”, tha Dr. Daniel Wang i Shkollës Mjekësore të Harvardit.

    Efektet më të theksuara u vunë re te pjesëmarrësit që konsumuan dy deri në tre filxhanë kafe me kafeinë ose një deri në dy filxhanë çaj me kafeinë në ditë.

    Ata gjithashtu arritën rezultate më të mira në testet objektive të funksioneve njohëse. Hulumtimi u financua nga Institutet Kombëtare të Shëndetit të SHBA-së.

    Dr. Yu Zhang nga Shkolla e Shëndetit Publik të Harvardit shtoi se rezultate të ngjashme u panë te njerëzit me predispozita të ndryshme gjenetike ndaj demencës, duke sugjeruar që kafeja ose kafeina mund të jenë po aq të dobishme për të gjithë.

  • Depresioni nuk është njësoj për të gjithë – Nga depresioni i lehtë te ai kronik: Çfarë duhet të dimë?

    Depresioni nuk është njësoj për të gjithë – Nga depresioni i lehtë te ai kronik: Çfarë duhet të dimë?

    Depresioni mund të shfaqet në disa mënyra. Mund të jetë i lehtë ose i rëndë, jetëshkurtër ose kronik. Rrethanat e veçanta, si lindja e një fëmije ose ndryshimi i stinëve, mund të shkaktojnë simptoma depresive.

    Të kuptuarit e llojit të depresionit që një person po përjeton, ndihmon mjekët të përcaktojnë trajtimin e duhur.

    Ndërsa për njerëzit e diagnostikuar, marrja e informacionit të duhur rreth këtij çrregullimi, mund t’i japë atyre një përgjigje rreth gjendjes që po përjetojnë.

    Çrregullimi i madh depresiv

    Që një person të diagnostikohet me këtë lloj depresioni duhet të ketë të paktën pesë simptoma që zgjasin për dy javë ose më shumë.

    Ato mund të përfshijnë: trishtim, boshllëk, mungesë shprese, ndjesi e fajit, humbje energjie, gjumë i shtuar ose i reduktuar, oreks i pakët ose i shtuar, rënie e interesit për aktivitete, mendime rreth vdekjes dhe vetëvrasjes.

    Ky çrregullim ka dy nëntipe: “depresioni atipik” dhe “melankolik”.

    Njerëzit në kategorinë e parë priren të flenë dhe të hanë shumë. Ata kanë reagim të ashpra dhe ndihen shumë të shqetësuar.

    Personat në kategorinë e dytë kanë probleme me gjumin dhe priren të kenë mendime të mbushura me faj. Kjo shihet më shpesh tek të moshuarit.

    Depresioni rezistent ndaj trajtimit

    Ndonjëherë njerëzit me çrregullim të madh depresiv nuk i përgjigjen lehtësisht trajtimit. Kjo mund të jetë diçka gjenetike ose lidhet me mjekimin.

    Që një person të diagnostikohet me këtë lloj depresioni, ai duhet të ketë kaluar dy prova të pasuksesshme të trajtimit me ilaçe.

    Çrregullimi i shkurtër periodik depresiv

    Këtu bëjnë pjesë ata që shfaqin vetëm disa nga simptomat e depresionit të madh dhe mund të përjetojnë depresion për më pak se dy javë.

    Çrregullimi periodik depresiv

    Njerëzit me këtë çrregullim kanë një humor të errët ose janë vazhdimisht të trishtuar. Ata shfaqin të paktën dy simptoma të depresionit të madh që zgjasin për dy ose më shumë vjet.

    Çrregullimet para-menstruale

    Deri në 10% e grave në fazë riprodhuese përjetojnë çrregullim disforik premenstrual (PMDD). Kjo mund të shkaktojë depresion, trishtim, ankth ose nervozizëm, si dhe simptoma të tjera, një javë para menstruacioneve.

    Shkencëtarët besojnë se këto gra mund të kenë një ndjeshmëri jonormale ndaj ndryshimeve hormonale gjatë ciklit të tyre menstrual.

    Depresioni për shkak të çrregullimit bipolar

    Ndryshimet e mëdha në humor dhe energji, që variojnë nga ngazëllimi dhe përfundojnë në mungesë shprese, janë shenjat e episodeve depresive të çrregullimit bipolar.

    Çrregullimi i menjëhershëm i humorit

    Të bërtiturat dhe nervozizmi mund të jenë tipare të çrregullimit të këtij çrregullimi.

    Një lloj depresioni i diagnostikuar zakonisht tek fëmijët që kanë vështirësi në përballimin e emocioneve të tyre. Ata kanë shpërthime të forta emocionale dhe nuk janë në gjendje të përmbajnë emocionet e tyre.

    Depresioni pas lindjes (ose perinatal)

    Lindja e një fëmije sjell gëzim të madh, por ndonjëherë mund të çojë në depresion pas lindjes, një lloj që prek më shpesh gratë, por edhe burrat.

    Tek gratë ka të ngjarë të shkaktohet nga ndryshime hormonale, lodhja dhe faktorë të tjerë. Tek meshkujt, nga ndryshimi i roleve dhe ndryshimet në stilin e jetës.

    Mund të fillojë në çdo kohë në vitin e parë pas lindjes, por zakonisht shfaqet menjëherë pas lindjes dhe nuk zgjat shumë.

    Depresioni sezonal

    Një lloj depresioni i përsëritur që zakonisht shfaqet në vjeshtë ose dimër. Së bashku me një ndryshim në humor, individët priren të kenë më pak energji, të hanë e të flenë më tepër, të shtojnë peshë ose të tërhiqen nga ndërveprimi shoqëror.

    Depresioni psikotik

    Njerëzit me këtë gjendje kanë depresion të rëndë të shoqëruar me psikozë, e cila përkufizohet si humbje e kontaktit me realitetin.

    Simptomat përfshijnë halucinacione (duke parë ose dëgjuar gjëra që nuk janë në të vërtetë) dhe deluzione (besime të rreme për atë që po ndodh).

    Depresioni për shkak të një sëmundjeje

    Përballja me një sëmundje serioze kronike, si sëmundjet e zemrës, kanceri, skleroza e shumëfishtë dhe HIV/AIDS, mund të jetë tejet dëshpëruese.

    Inflamacioni i lidhur me sëmundjen gjithashtu mund të luajë një rol në shfaqjen e depresionit.

    Shënim i rëndësishëm

    Në shumicën e rasteve depresioni është diçka që mund të trajtohet me medikamente, me terapinë e të folurit dhe ndryshime në stilin e jetesës.

    Ndaj është tepër e rëndësishme të kërkoni ndihmë sa më parë të mundeni.

  • Tri metoda natyrale për uljen e tensionit të lartë të gjakut

    Tri metoda natyrale për uljen e tensionit të lartë të gjakut

    Tensioni i lartë i gjakut është një problem shumë i përhapur shëndetësor. Nëse nuk trajtohet siç duhet, hipertensioni mund të transformohet në një problem mjaft shqetësues madje katastrofik duke shkaktuar diabet, sëmundje kardiovaskulare, probleme me aftësitë e trurit dhe dështim të veshkave.

    Shumica e njerëzve që vuajnë nga tensioni i lartë përdorin medikamente të cilat shoqërohen me efekte anësore përfshirë: pagjumësinë, marramendjen apo kontraktime të muskujve. Por ju mund të përdorni shumë thjeshtë edhe disa ushqime ose produkte që i gjeni lehtë në shtëpi siç janë hudhra, limoni apo uthulla e mollës.

    Nëpërmjet këtij artikulli të AgroWeb.org do të mësoni për 3 kura natyrale të cilat janë jashtëzakonisht efikase kundër tensionit të lartë.

    Kura e Parë me Lëng Limoni
    Përbërësit:
    Ujë
    Një limon

    Udhëzimet:
    Shtrydheni lëngun e një limoni në një gotë me ujë dhe pijeni atë çdo mëngjes përpara se të konsumoni ushqim. Limonët kanë aftësinë të ruajnë fleksibilitetin dhe funksionet e enëve të gjakut duke ulur kështu tensionin.

    Kura e Dytë me Hudhër
    Hudhra përmban substanca sulfuri që kanë aftësinë të ulin tensionin e gjakut dhe largojnë toksinat dhe kolesterolin nga organizmi. Këto substanca stimulojnë prodhimin e oksidit nitrik dhe të rregullojnë tensionin e gjakut, duke i zgjeruar enët e tij.

    Ju duhet të konsumoni 2-4 thelpinj hudhër të freskët në mëngjes përpara se të hani ushqim ose përpara se të flini. Hudhra duhet ngrënë e gjallë sepse gatimi humbet shumicën e ushqyesve të nevojshëm.

    Kura e Tretë me Uthull Molle dhe Sodë Buke
    Përbërësit:
    Ujë
    Një majë luge çaji me sodë buke
    Një lugë gjelle me uthull molle

    Udhëzimet:
    Uthulla e mollës përmban shumë minerale të dobishme si kaliumi, magnezi dhe kalçiumi. Këto minerale janë thelbësore për qarkullimin e gjakut dhe uljen e tensionit. Përzieni një lugë gjelle me uthull molle, një majë luge çaji me sodë buke dhe një gotë me ujë. Konsumojeni dy herë në ditë për rezultate më të mira.

  • Ushqime që pastrojnë trupin dhe largojnë nikotinën

    Ushqime që pastrojnë trupin dhe largojnë nikotinën

    Ushqimet që ju ndihmojnë të eliminoni nikotinën nga trupi juaj, pastroni trupin tuaj
    Nëse po përpiqeni të lini duhanin, ka disa ushqime që duhet të konsumoni për të ndihmuar në largimin e nikotinës nga trupi juaj sa më shpejt të jetë e mundur.

    Hithra është veçanërisht efektive sepse është plot me hekur, kështu që vepron si detoksifikues dhe është gjithashtu e shkëlqyer për luftimin e infeksioneve. Do të forcojë trupin tuaj, gjë që është veçanërisht e nevojshme ndërsa po hiqni qafe nikotinën.

    Hani selino, kungulleshka, patëllxhan, fasule dhe kastraveca pasi ato zvogëlojnë varësinë nga nikotina. Mos hani shumë perime të ëmbla që kanë shumë sheqer, pasi sasitë e tepërta të glukozës aktivizojnë zonat e trurit përgjegjëse për kënaqësinë. Glukoza mund të shkaktojë dëshira për të ngrënë.

    Portokajt përmbajnë nivele të larta të vitaminës C. Konsumimi i portokajve përshpejton metabolizmin tuaj, kështu që mund të shpëtoni më shpejt nga nikotina dhe të zvogëloni stresin. Kivi gjithashtu ju ndihmon të eliminoni nikotinën nga trupi juaj dhe të rimbushni nivelet e vitaminave A, C dhe E që i ul pirja e duhanit.

    Lëngu i karrotës përmban vitamina A, B, C dhe K që ndihmojnë në eliminimin e nikotinës nga trupi. Nikotina dëmton lëkurën tuaj, dhe lëngu i karrotës është i pasur me vitaminat e lartpërmendura që janë të mira për rikuperimin e saj.

    Brokoli ka nivele të larta të vitaminave B5 dhe C, të cilat do ta forcojnë trupin tuaj. Brokoli përmban një substancë që mbron mushkëritë nga dëmtimet e shkaktuara nga toksinat.

    Spinaqi është i pasur me vitamina dhe acid folik, kështu që do t’ju ndihmojë gjithashtu të hiqni qafe nikotinën.

  • Patatet përmirësojnë nivelin e sheqerit në gjak

    Patatet përmirësojnë nivelin e sheqerit në gjak

    Patatet përmbajnë një lloj të veçantë niseshte të njohur si niseshte rezistente. Hulumtimet thonë se niseshta rezistente është e lidhur me shumë përfitime shëndetësore, duke përfshirë zvogëlimin e rezistencës ndaj insulinës, e cila, nga ana tjetër, përmirëson kontrollin e sheqerit në gjak.

    Në një studim të kafshëve, minjtë e ushqyer me këtë niseshte rezistente patën reduktim të insulinës. Kjo do të thotë se trupat e tyre ishin më efikas në largimin e sheqerit të tepërt nga gjaku.

    Ndërsa në një studim të njerëzve me diabet të tipit 2 që konsumuan niseshte rezistente, atyre iu ndihmua në pastrimin më të mirë të sheqerit në gjak pas një vakti.

    Në një studim tjetër, dhjetë vetë u ushqyen me 30 gramë niseshte rezistente gjatë një periudhe katërjavore. Shkencëtarët zbuluan se ky përbërës redukton insulinën me 33%, klankosova.

    Ju mund të rrisni përmbajtjen e niseshtës rezistente të patatëve. Për ta bërë këtë, ruani patate të ziera në frigorifer brenda natës dhe konsumoni ato të ftohta.

  • Këto ushqime nuk duhet të hani kur pini ilaçe

    Këto ushqime nuk duhet të hani kur pini ilaçe

    Zakonisht thuhet që shumë ilaçe duhet të merren dhe me ushqime, për të mbrojtur stomakun tuaj. Por a e dini se disa ushqime dhe pije duhen shmangur me çdo kusht?

    Kjo ndodh pasi ato mund të ndryshojnë mënyrën se si përthith disa ilaçe trupi juaj, në disa raste i bëjnë joefektive.

    Disa ilaçe janë krijuar të përthithen ngadalë, dhe disa ushqime e përshpejtojnë këtë proces. Ose dhe e kundërta, disa ushqime japin mundësinë që të përthithen më shumë se çfarë duhet nga ilaçet, që mund të kenë efekte anësore të rrezikshme.

    Kur merr ilaçe është gjithmonë më mirë të konsultoheni me doktorin për atë se çfarë mund të bëni dhe çfarë jo.

    Këto janë ushqimet që duhet të konsumoni kur pini ilaçe:

    Djathë dhe mish me antibiotik: Nëse jeni duke marrë monoamine oxidase për depresionin duhet të shmangni përdorimin e djathit dhe mishit, po kështu edhe linezoidi, antibiotik që kuron pneumoninë.

    Qumësht, antibiotik dhe ibuprofen- Kalciumi i qumështit mund të ndikojë në disa antibiotikë si tetraciklina që kuron aknet, malarien apo kolerën. Duhet të jeni të kujdesshëm dhe nëse ilaçet përmbajnë ciprofloxacin dhe doxycycline, që përdoren për të trajtuar infeksionet bakteriale.

    Alkool dhe antihistamina- Reagimet ndërmjet alkoolit dhe këtyre medikamenteve, mund të jetë toksik, por mund të ndryshojë efektin e ilaçit dhe të rrisë efektet anësore.

    Pije të gazuara dhe ibuprofen- Pijet e gazuara janë me dioksid karboni, dhe dëmtojnë mjaft me ilaçe që janë me veshje, siç është ibuprofeni. Acidet dëmtojnë veshjet e disa ilaçeve, që do të thotë që shpërbëhen para se të arrijnë objektivin.

  • Paralajmërim për injeksionet e dobësimit: Rrezik i rrallë për humbje shikimi

    Paralajmërim për injeksionet e dobësimit: Rrezik i rrallë për humbje shikimi

    Injeksioni për humbje peshe Wegovy mund të shkaktojë humbje të përhershme të shikimit, kanë paralajmëruar autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, pasi barnat janë pajisur me etiketa të reja sigurie.

    Komplikacioni i rrallë u raportua për herë të parë në vitin 2024, kur studiuesit sugjeruan se semaglutidi – përbërësi aktiv i Wegovy – mund të shkaktojë një lloj “goditjeje në sy”, ku bllokohen enët e gjakut që furnizojnë nervin optik. Gjendja njihet si neuropati optike ishemike anteriore jo-arteritike (NAION).

    Deri tani ka pasur debate mes ekspertëve për sa i shpeshtë është ky problem te personat që përdorin injeksione për dobësim. Prodhuesi i Wegovy, kompania Novo Nordisk, kishte deklaruar më herët se verbëria nuk ishte një efekt anësor i njohur i ilaçit.

    Tashmë, Agjencia Britanike e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) ka pranuar ekzistencën e këtij rreziku dhe u bën thirrje pacientëve që përdorin semaglutid të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse vërejnë ndryshime të papritura në shikim.

    Semaglutidi përdoret gjithashtu gjerësisht për trajtimin e diabetit në sistemin shëndetësor britanik (NHS), ku njihet me emrin Ozempic.

    Në një deklaratë zyrtare, MHRA thekson se pacientët që përjetojnë përkeqësim të menjëhershëm të shikimit në njërin ose të dy sytë duhet të paraqiten urgjentisht në shërbimet okulistike ose në urgjencë. Sipas shefes së sigurisë së agjencisë, Dr. Alison Cave, rreziku i NAION është “jashtëzakonisht i vogël”, por është e rëndësishme që pacientët dhe profesionistët e shëndetit të jenë të vëmendshëm ndaj simptomave.

    Recetat për Wegovy në Mbretërinë e Bashkuar do të shoqërohen tashmë me një paralajmërim për rrezikun e mundshëm të verbërisë. Autoritetet u bëjnë thirrje edhe mjekëve të familjes të pyesin pacientët për përdorimin e semaglutidit, pasi ilaçet e marra privatisht mund të mos figurojnë në kartelat mjekësore.

    Që nga miratimi i semaglutidit në vitin 2018, janë raportuar tre raste të dyshuara të NAION, nga rreth 10.2 milionë receta të lëshuara në pesë vitet e fundit. MHRA po shqyrton gjithashtu nëse injeksioni tjetër për dobësim, Mounjaro (tirzepatide), mund të ketë të njëjtin efekt.

    Disa raste publike, përfshirë këngëtarin Robbie Williams, kanë ngritur shqetësime për përkeqësim të shikimit gjatë përdorimit të këtyre barnave. Studime të mëparshme kanë raportuar raste të ngjashme në Kanada, ku një pjesë e pacientëve panë përmirësim të shikimit pas ndërprerjes së ilaçit.

    NAION prek rreth një në 10 mijë persona dhe aktualisht nuk ka trajtim specifik; në shumë raste, dëmtimi i shikimit është i përhershëm.

    Novo Nordisk ka deklaruar se siguria e pacientëve mbetet prioritet dhe se, bazuar në tërësinë e të dhënave shkencore, nuk ka prova të mjaftueshme për një lidhje shkak-pasojë mes semaglutidit dhe NAION, duke theksuar se raporti përfitim–rrezik mbetet pozitiv. Megjithatë, fletëudhëzimet e pacientëve në BE për Wegovy, Ozempic dhe Rybelsus janë përditësuar për të përfshirë këtë rrezik të mundshëm.

    Aktualisht vlerësohet se rreth 2.5 milionë persona në Mbretërinë e Bashkuar përdorin barna të rinj GLP-1 për humbje peshe ose diabet, të cilët kanë revolucionarizuar trajtimin e obezitetit, por vazhdojnë të shoqërohen me debate mbi sigurinë afatgjatë.

  • Mëlçia e dhjamosur, sëmundja e heshtur që po prek miliona njerëz në botë

    Mëlçia e dhjamosur, sëmundja e heshtur që po prek miliona njerëz në botë

    Mëlçia është një nga organet më jetike dhe më punëtore të trupit të njeriut. Ajo filtron gjakun, përpunon lëndët ushqyese, neutralizon toksinat dhe luan një rol kyç në metabolizmin e yndyrave dhe sheqernave. Megjithatë, kur dëmtohet, rrallëherë jep shenja paralajmëruese, sidomos në fazat e hershme, çka e bën sëmundjen të kalojë shpesh pa u vënë re.

    Një nga problemet më të përhapura sot është mëlçia e dhjamosur, e cila konsiderohet sëmundja më e zakonshme e mëlçisë në nivel global. Për një kohë të gjatë është parë si një gjendje e lehtë, por studimet e fundit tregojnë se tek një pjesë e konsiderueshme e pacientëve ajo mund të përparojë drejt formave shumë më serioze.

    Sot kjo patologji njihet me termin e ri mjekësor sëmundja e mëlçisë steatozike e shoqëruar me disfunksion metabolik (MASLD), një emërtim që reflekton më qartë lidhjen e saj me problemet metabolike.

    Çfarë është MASLD?

    MASLD karakterizohet nga grumbullimi i tepërt i yndyrës në qelizat e mëlçisë, i shoqëruar me çrregullime metabolike. Më parë ajo njihej si steatozë hepatike joalkoolike (NAFLD), për të theksuar se alkooli nuk është shkaku kryesor i sëmundjes.

    Diagnoza e MASLD vendoset kur, përveç yndyrës në mëlçi, është i pranishëm të paktën një faktor rreziku kardiometabolik, si mbipesha ose obeziteti abdominal, diabeti ose prediabeti, tensioni i lartë i gjakut apo nivele të rritura të kolesterolit dhe triglicerideve.

    Sindroma metabolike, problem gjithnjë e më i shpeshtë

    Sindroma metabolike përfshin një kombinim çrregullimesh si obeziteti abdominal, rezistenca ndaj insulinës, diabeti i tipit 2, dislipidemia dhe hipertensioni. Prania e të paktën tre prej këtyre faktorëve mjafton për vendosjen e diagnozës.

    Personat me sindromë metabolike kanë rrezik dukshëm më të lartë për sëmundje kardiovaskulare dhe vdekje të parakohshme, si dhe deri në pesë herë më shumë gjasa për të zhvilluar diabet të tipit 2.

    Shifra alarmante në nivel global

    Në mbarë botën, 30–40 për qind e popullsisë adulte vuan nga mëlçia e dhjamosur. Rreth 80 për qind e pacientëve me MASLD janë mbipeshë ose obezë, 60–70 për qind kanë dislipidemi, 50 për qind hipertension dhe rreth 60 për qind prediabet ose diabet të tipit 2.

    Kur sheqeri shndërrohet në yndyrë

    MASLD zhvillohet kur mëlçia përballet me një sasi yndyrash më të madhe sesa është në gjendje të përpunojë. Kjo ndodh si pasojë e marrjes së tepërt të acideve yndyrore nga ushqimi dhe indi dhjamor, si dhe konsumimit të lartë të sheqernave, veçanërisht glukozës dhe fruktozës që gjenden në pijet e ëmbla dhe ushqimet ultra të përpunuara.

    Mëlçia i shndërron këta sheqerna në yndyrë përmes një procesi të quajtur lipogjenezë de novo, duke rritur akumulimin e yndyrës në qelizat hepatike.

    Simptoma të pakta, rrezik i madh

    Në shumicën e rasteve, MASLD nuk shoqërohet me simptoma të qarta. Disa pacientë përjetojnë lodhje, plogështi ose shqetësim në anën e djathtë të barkut, ndërsa rreth gjysma kanë zmadhim të mëlçisë.

    Rreziku kryesor qëndron në përparimin e heshtur të sëmundjes. Nga 15 deri në 40 për qind e pacientëve mund të zhvillojnë MASH, një formë më e rëndë që çon në inflamacion, fibrozë, cirrozë dhe rrit ndjeshëm rrezikun për kancer të mëlçisë.

    Pse ndërhyrja e hershme është vendimtare

    Specialistët theksojnë se humbja e 7–10 për qind të peshës trupore përmirëson ndjeshëm steatozën në më shumë se gjysmën e rasteve. Një rënie mbi 10 për qind mund të çojë në përmirësim të dukshëm të MASH dhe fibrozës, duke ulur ndjeshëm rrezikun e komplikacioneve afatgjata.

    Për këtë arsye, mëlçia e dhjamosur konsiderohet sot jo vetëm një problem i mëlçisë, por një sinjal alarmi për shëndetin e përgjithshëm metabolik.

  • Ilaçi eksperimental që “i shtyn” qelizat e kancerit drejt vetëshkatërrimit hyn në provë klinike

    Ilaçi eksperimental që “i shtyn” qelizat e kancerit drejt vetëshkatërrimit hyn në provë klinike

    Shkencëtarët kanë bërë të ditur një zhvillim premtues në trajtimin e kancerit, pasi një ilaç i ri eksperimental ka treguar se mund t’i nxisë qelizat kancerogjene të shkatërrohen vetë, pa i sulmuar drejtpërdrejt ato, raportojnë mediat ndërkombëtare.

    Startup-i mjekësor amerikan Neomorph, me seli në Kaliforni, ka nisur provën e parë klinike të ilaçit NEO-811, i cili synon trajtimin e karcinomës renale me qeliza të qarta (ccRCC) – forma më e zakonshme e kancerit të veshkave në Shtetet e Bashkuara. Sipas kompanisë, pacienti i parë ka marrë tashmë dozën fillestare të trajtimit.

    NEO-811 i përket një klase të re barnash të njohura si “ngjitës molekularë”, molekula të vogla që lidhin proteinat përgjegjëse për sëmundjen me enzimat shkatërruese të organizmit. Ky proces bën që qelizat kancerogjene të aktivizojnë mekanizmat e tyre të vetëshkatërrimit, duke frenuar përhapjen e tumorit.

    Ndryshe nga kimioterapia tradicionale, e cila sulmon drejtpërdrejt qelizat kancerogjene dhe shpesh dëmton edhe qelizat e shëndetshme, kjo qasje e re synon t’i “etiketojë” proteinat e dëmshme për t’u eliminuar nga vetë organizmi. Sipas Neomorph, kjo metodë mund të ulë ndjeshëm rrezikun e efekteve anësore afatgjata, si dëmtimi i organeve, neuropatia, infertiliteti apo shfaqja e kancereve dytësore.

    Qëllimi i provës klinike është të vlerësojë sigurinë dhe efektivitetin e NEO-811 tek pacientët me ccRCC të avancuar dhe të paoperueshëm. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Dr. Phil Chamberlain, deklaroi se rezultatet e para priten më vonë gjatë këtij viti.

    “Kjo është një pikë kthese për Neomorph dhe përfaqëson vlerësimin e parë klinik të një ilaçi të zhvilluar plotësisht nga platforma jonë,” tha Chamberlain. “Të dhënat që do të mbledhim do të udhëheqin zhvillimin e mëtejshëm të këtij trajtimi dhe do të tregojnë potencialin e teknologjisë sonë për pacientët me nevoja të mëdha të paplotësuara.”

    Kanceri i veshkave prek rreth 80 mijë persona çdo vit në SHBA dhe shkakton afërsisht 15 mijë vdekje, duke u renditur si kanceri i shtatë më i përhapur në vend. Forma ccRCC përbën rreth 80 për qind të rasteve dhe diagnostikohet kryesisht tek personat mbi moshën 60 vjeç.

    Neomorph ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje bashkëpunimi me vlerë 1.6 miliardë dollarë me kompaninë farmaceutike AbbVie, si dhe partneritete me Novo Nordisk dhe Biogen, për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj teknologjie. Kompania po shqyrton gjithashtu aplikimin e saj në trajtimin e llojeve të tjera të tumorëve.

    Aktualisht, ende nuk është bërë e ditur se kur do të përfshihen më shumë pacientë në studim dhe kur do të publikohen rezultatet përfundimtare të provës klinike.

  • Shkencëtarët shpjegojnë tërheqjen momentale ndaj një personi

    Shkencëtarët shpjegojnë tërheqjen momentale ndaj një personi

    Nëse jeni pyetur ndonjëherë pse ju pëlqen ndonjë fytyrë e re, më në fund shkenca mundet të ofrojë përgjigje.

    Në fakt, vendimi rreth asaj se a është tërheqëse një fytyrë e re apo jo, ky vendim merret në korteksin e mesëm të trurit, që gjendet pranë ballit. Pjesë të ndryshme të kësaj pjese të trurit marrin vendim nëse një person i caktuar është i duhuri për ju, transmeton Telegrafi.

    Në bazë të rezultateve të kryera në Irlandë,vendimi merret për sa hap e mbyll sytë, pasi ta keni vërejtur fytyrën e re. Për ta kryer hulumtimin, shkencëtarët kishin sjellë 78 femra dhe 73 meshkuj. Që të gjithë ishin heteroseksualë dhe të vetmuar.

    Gjatë hulumtimit, shkencëtarët kishin krijuar çifte, të cilat ishin ulur dhe kishin biseduar për pesë minuta. Më pas çiftet ishin ndërruar, pjesëmarrësit kishin plotësuar anketën rreth asaj se kë do të dëshironin, ta shihnin,

    Mirëpo, para fillimit, shkencëtarët kishin skanuar trurin e 39 pjesëmarrësve. Aktiviteti i tyre i trurit ishte incizuar derisa ata vështronin fotografitë e personin që së shpejti do ta takonin.

    Atyre u ishte dashur të vlerësojnë se me cilin prej tyre, një nga katër, për pak sekonda, të vendosnin se duan të jenë.

    Gjatë ditëve në vazhdim ata ishin takuar disa herë me personat nga fotografia. 63% e tyre ka treguar interesimin e njëjtë për personin të cilin e kishin vlerësuar me notën më të lartë me rastin e vështrimit të fotografive, ndërsa që rreth 20% e tyre edhe më tutje kishin vazhduar të takohen pas përfundimit të hulumtimit. /Telegrafi/