ATV

Category: Lifestyle

  • A duhet të mbahet dera e furrës hapur pas pjekjes?

    A duhet të mbahet dera e furrës hapur pas pjekjes?

    Pas pjekjes së ushqimit në temperatura të larta, furra ka nevojë për kohë që të ftohet. Shumë veta e hapin derën e furrës në muajt e ngrohtë për të përshpejtuar procesin.

    Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të bëjë më shumë dëm sesa dobi.

    Së pari, ajri i nxehtë që del nga furra mund të dëmtojë mobiljet që ndodhen aty pranë. Pjesët veçanërisht të ndjeshme janë bërë nga alumini, një material që i nënshtrohet ndryshimeve për shkak të temperaturave të larta. Edhe mobiljet prej druri mund të pësojnë dëmtime afatgjata të bojës nga nxehtësia e tepërt.

    Një mënyrë tjetër e zakonshme për t’u ftohur është ta lini derën e furrës paksa të hapur që ajri i nxehtë të dalë. Megjithatë, kjo mund të shkaktojë mbingarkesë dhe dëmtime të përhershme të menteshave të derës, të cilat mund ta shkatërrojnë pajisjen në planin afatgjatë.

    Nëse vendosni ta lini derën hapur, është më mirë ta bëni plotësisht, pasi kjo do të lejojë që ajri i nxehtë të shpërndahet në mënyrë më të barabartë. Kjo mund t’i shtojë ngrohtësi shtesë dhomës në ditët më të ftohta, por gjithashtu do të thotë që aromat e ushqimit mund të përhapen. Gjithashtu, një derë e hapur e furrës është një rrezik sigurie, veçanërisht nëse ka fëmijë të vegjël afër.

    Shkurt, megjithëse koha e ftohjes do të jetë më e gjatë nëse nuk e lini derën e furrës hapur, modelet moderne të furrave vijnë të pajisura me ventilatorë që largojnë në mënyrë efektive ajrin e nxehtë dhe lagështinë, duke lejuar që ftohja të ndodhë në një mënyrë të sigurt dhe të duhur. Prandaj, është më mirë të shmangni lënien e derës së furrës hapur dhe kështu të mbroni si pajisjen ashtu edhe zonën përreth.

     

  • Louis Tomlinson shpërthen në lot teksa flet për vdekjen e Liam Payne

    Louis Tomlinson shpërthen në lot teksa flet për vdekjen e Liam Payne

    Fansat e One Direction janë thellësisht prekur nga intervista e fundit e Louis Tomlinson në podcastin “The Diary of a CEO” me Steven Bartlett, ku këngëtari ka folur hapur për humbjen e Liam Payne, largimin e Zayn Malik dhe shpërbërjen e grupit që bëri histori në muzikën pop.

    Në bisedën gati dyorëshe, Louis u shfaq emocional dhe i përlotur teksa kujtonte momentet më të vështira të jetës së tij.

    “Isha i shkatërruar kur humba Liam-in,” tha ai, duke e përshkruar vdekjen e mikut të tij si “të padrejtë dhe jashtëzakonisht të vështirë për t’u përballuar”.

    Tomlinson pranoi gjithashtu se ishte “absolutisht i rrënuar” kur Zayn Malik u largua nga grupi në kulmin e suksesit, duke shtuar se ende “mbetet një elefant në dhomë” në marrëdhënien mes tyre megjithatë, zbuloi se ata janë takuar së fundmi dhe po përgatisin së bashku një dokumentar për Netflix.

    Duke kujtuar ditën kur One Direction u shpërbë, ai e përshkroi atë si “ditën më të ftohtë të karrierës sime”, duke shtuar se “kurrë nuk morëm një përgjigje të qartë se çfarë do të ndodhte me grupin pas atij ‘pushimi’”.

    I pyetur për mundësinë e një ribashkimi, Louis u shpreh me ndjeshmëri:

    “Kurrë mos thuaj kurrë por pas humbjes së Liam-it, nuk jam i sigurt nëse do të ishte e drejtë.”

  • Robbie Williams rikthehet me turneun “Long 90’s Tour”

    Robbie Williams rikthehet me turneun “Long 90’s Tour”

    Robbie Williams ka konfirmuar rikthimin e tij në skenë me një turne të ri muzikor, i cili do të nisë më 4 shkurt 2026 në Barrowlands Ballroom të Glasgow, për të promovuar albumin e ardhshëm “Britpop”.

    Turneu, i quajtur “Long 90’s Tour”, do të vazhdojë më pas në Liverpool (6 shkurt), Londër – O2 Academy (8 shkurt) dhe Wolverhampton (9 shkurt).
    Njoftimi u bë publik të enjten mbrëma, gjatë performancës së fundit të Williams për vitin 2025 në Camden, pas një serie koncertesh që përfshinë edhe shfaqjen madhështore në Murrayfield Stadium në Edinburg.

    Fillimisht, albumi “Britpop” ishte planifikuar të publikohej më 10 tetor 2025, por publikimi u shty për në shkurt 2026, për arsye organizative.

    Nëse albumi arrin vendin e parë të toplistave, ai do të shënojë projektin e 16-të të Williams që kryeson klasifikimet, duke e vendosur artistin përpara rekordit historik të The Beatles.

    Në “Britpop” marrin pjesë emra të njohur të muzikës britanike si Chris Martin (Coldplay), Gaz Coombes (Supergrass), Tony Iommi (Black Sabbath) dhe Gary Barlow, ish-anëtar i grupit Take That.

    Deri tani janë publikuar katër këngë nga albumi: “Rocket”, “Spies”, “Human” dhe “Pretty Face”, kjo e fundit e lëshuar të enjten.
    Kënga “Rocket” është përzgjedhur si singli kryesor që prezanton projektin.

    Williams e përshkroi “Britpop”-in si “albumin që gjithmonë ka dashur ta shkruajë” dhe tha:

    “Ishte epoka e artë e muzikës britanike. Ky album është më i papërpunuar, më energjik, me më shumë kitarra se çdo gjë që kam bërë më parë. Ka shumë ‘Brit’, por edhe shumë ‘Pop’. Jam jashtëzakonisht krenar për këtë punë.”

    Karriera e këngëtarit është trajtuar së fundmi në filmin “Better Man” (2024), ku ai huazoi zërin për një shimpanzë të animuar që e portretizon atë, si dhe në dokumentarin e Netflix (2023), që ndriçoi betejat e tij me varësinë dhe shëndetin mendor.

  • Si të thahen rrobat më shpejt në dimër – pa tharëse

    Si të thahen rrobat më shpejt në dimër – pa tharëse

    Me ardhjen e dimrit, tharja e rrobave në ambiente të mbyllura bëhet gjithnjë e më sfiduese. Rrobat kanë nevojë për më shumë kohë për t’u tharë, sidomos kur moti është i lagësht dhe temperaturat janë të ulëta.

    Megjithatë, ekspertja e organizimit të shtëpisë, Nicola Lewis, ka ndarë një këshillë të thjeshtë por efektive, që mund të shkurtojë ndjeshëm kohën e tharjes – pa pasur nevojë për tharëse elektrike.

    Sipas saj, pas përfundimit të ciklit të larjes në lavatriçe, duhet të vendosni rrobat në një cikël shtesë rrotullimi, pa shtuar ujë. Kjo ndihmon në nxjerrjen e lagështisë së mbetur në veshje, duke i bërë ato shumë më pak të lagura.

    “Vendosini rrobat dy herë në ciklin e rrotullimit! Do të dalin më pak të lagura dhe do të thahen shumë më shpejt”, thotë Nicola Lewis.

    Ky funksion, që ndodhet në shumicën e lavatriçeve moderne, shpesh injorohet, por mund të jetë zgjidhja ideale për ata që nuk kanë hapësira të jashtme ose tharëse elektrike në dimër.

  • Horoskopi ditor – Lexoni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

    Horoskopi ditor – Lexoni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

    Dashi
    Do të ndjeni nevojën për të zgjidhur me urgjencë disa çështje që janë zvarritur prej kohësh. Do të jeni mjaft ndërmarrës në zhvillimin e projekteve që ju motivojnë dhe që ju prekin personalisht. Ky është momenti i duhur për të ndërtuar objektivat e së ardhmes dhe për të kuptuar se në cilën drejtim dëshironi të shkoni.

    Demi
    Jeni në kërkim të një qetësie të brendshme që në këtë periudhë duket vërtet e vështirë për t’u arritur. Ka disa çështje financiare që duhet të zgjidhen shpejt, sepse prej shumë kohësh shpenzimet tuaja tejkalojnë të ardhurat. Mundohuni të organizoni diçka relaksuese në mbrëmje për të rigjetur pak qetësi.

    Binjakët
    Një ndjenjë lehtësie do t’ju ndihmojë të jeni krijues dhe të ndiheni të motivuar në punë. Disa persona mund të nënvlerësojnë idetë apo qëllimet tuaja, por ju do të duhet të tregoni se jeni serioz dhe besoni vërtet në atë që thoni.

    Gaforrja
    Po kaloni një periudhë të mbushur me emocione të forta që ju bëjnë më empatikë ndaj të tjerëve. Do të jeni të gatshëm të dëgjoni problemet e njerëzve përreth dhe t’i ndihmoni ata që vuajnë. Një mbrëmje e këndshme me miqtë do t’ju ndihmojë të rifitoni qartësi mendore.

    Luani
    Shpesh përqendroheni shumë tek vetja dhe kjo ju bën të lini në plan të dytë problemet dhe interesat e të tjerëve. Ky qëndrim mund të shkaktojë keqkuptime ose edhe armiqësi. Mundohuni të dilni nga egoja juaj dhe të dëgjoni më shumë nevojat e të tjerëve.

    Virgjëresha
    Po hapen mundësi të reja në punë që duhet t’i kapni menjëherë. Disa surpriza në dashuri mund të forcojnë marrëdhënien, me kusht që të jeni ende të gatshëm t’i jepni partnerit tuaj një shans të dytë.

    Peshorja
    Keni një dëshirë të madhe për të rikthyer harmoninë si në vendin e punës ashtu edhe në familje, ku kohët e fundit ka pasur keqkuptime. Një bisedë e hapur dhe e sinqertë me një person të rëndësishëm mund t’ju sjellë përfitime profesionale.

    Akrepi
    Në çiftet që funksionojnë mirë, do të jetë më e lehtë të jetoni momente pasionante që forcojnë lidhjen. Jeni të vendosur të çoni përpara projektet në të cilat besoni dhe nuk do të lejoni askënd t’ju ndalojë apo t’ju bëjë të dyshoni.

    Shigjetari
    Po hapet një fazë e re për ju, në të cilën mund të nisni një projekt të ri ose të vendosni të ndryshoni qytet për të jetuar apo punuar. Kujdes me fjalët ndaj partnerit, veçanërisht nëse lindin keqkuptime.

    Bricjapi
    Yjet ju këshillojnë të pushoni pak, sepse java ka qenë e lodhshme dhe stresuese për shkak të tensioneve me kolegët apo eprorët. Do të keni sukses në çështjet financiare, për sa kohë që besoni vërtet në atë që po bëni.

    Ujori
    Origjinaliteti dhe “çmenduria” juaj shpesh janë një pikë e fortë. Një ide gjeniale mund të vlerësohet shumë nga të tjerët dhe t’ju ndihmojë të krijoni lidhje të reja me njerëz interesantë dhe frymëzues. Në dashuri, përpiquni të jeni më pak të padurueshëm me partnerin.

    Peshqit
    Sipas parashikimeve të Brankos, jeni më romantikë dhe më të ndjeshëm se kurrë, falë ndikimit të yjeve që ju përfshijnë emocionalisht. Do të jetë më e lehtë të krijoni lidhje të hapura dhe të sinqerta, të bazuara vetëm në ndjenjë të vërtetë. Një moment reflektimi do t’ju ndihmojë të gjeni sërish ekuilibrin e brendshëm.

  • Rrobat që nuk duhet t’i vishni gjatë udhëtimit me aeroplan

    Rrobat që nuk duhet t’i vishni gjatë udhëtimit me aeroplan

    Për shumë njerëz, aeroporti dhe avioni janë pothuajse si shtëpia e tyre e dytë. Këta njerëz dinë shumë sekrete që mund të ndihmojnë në përmirësimin e rehatisë dhe sigurisë gjatë fluturimit.

    Siç rezulton, ndonjëherë, edhe detajet në dukje të parëndësishme kanë rëndësi, si rrobat dhe këpucët.

    Më poshtë do të lexoni rekomandimet e mjekëve, të cilët janë të gatshëm të ndajnë sekretet e tyre për kodin e duhur të veshjes gjatë fluturimit:

    Rrobat e ngushta

    Një fluturim është një lloj stresi në trup. Enët tona të gjakut janë nën pjesën më të madhe të këtij stresi. Arsyeja është: ndryshimi i presionit dhe detyrimi që kanë për të kaluar një kohë të gjatë në një karrige të vogël. Karrigia i përkeqëson gjërat nëse keni veshje të ngushta. Si rezultat, nëse visheni me rroba të ngushta, qarkullimi i gjakut bëhet më pak efektiv, shkruan EO. Në këtë situatë, mjekët rekomandojnë që pasagjerët të zgjedhin rroba të lirshme.

    Një rekomandim tjetër është të hiqni dorë nga çdo gjë me bel të ngushtë. Përsëri, arsyeja është presioni. Ajo çfarë duhet të bëni është të dërgoni xhinset e ngushta në valixhen tuaj.

    Kominoshe (Jumpsuit)

    Jumpsuit-i mund të jetë një zgjedhje e mirë për aeroportin, në pamje të parë, por prisni derisa të shkoni në tualet për herë të parë.

    Pantallonat me bel të ulët

    Mijëra njerëz udhëtojnë nëpër aeroporte çdo ditë. Qindra pasagjerë janë ulur në të njëjtat vende para jush. Vetëm në rripin e sigurimit, ka të paktën 90 lloje të ndryshme të baktereve në një centimetër katror. Ekziston edhe një shans për t’u infektuar me një sëmundje të lëkurës ose një virus të zorrëve në aeroplan. Për shkak se ka kaq shumë mikrobe në këtë vend publik, rekomandimi më i rëndësishëm është që të mbuloni sa më shumë lëkurën tuaj.

    Këpucë me taka

    Edhe nëse keni lindur për të ecur në pasarela dhe mbani gjithmonë taka të larta, duhet të hiqni dorë prej tyre gjatë fluturimit. Kjo nuk ka të bëjë me rehatinë, ka të bëjë me sigurinë. Në rast të evakuimit, nuk do të keni mundësi të ecni me shpejtësi në taka të larta ose t’i hiqni ato nëse ka një urgjencë.

  • Stomaku kundër trurit: Si të bindni veten për një dietë më të shëndetshme?

    Stomaku kundër trurit: Si të bindni veten për një dietë më të shëndetshme?


    Si të filloni një dietë të shëndetshme sot, pa pritje dhe pa stres

    Shumë prej nesh mendojnë se dita ideale për të filluar një dietë është “nesër” ose “java e ardhshme”. E vërteta është se koha më e mirë për të filluar është sot dhe tani. Nuk ka moment të gabuar – duhet vetëm pak planifikim dhe motivim.

    Megjithatë, vendimet që lidhen me ushqimin shpesh duken më të vështira se negociatat mes policisë dhe grabitësve të bankave. Për të ndihmuar veten, mjafton të kaloni nga “stomaku” te “truri” dhe të përdorni disa strategji të thjeshta.

    1. Pastroni ambientin nga tundimet

    Hapi i parë është të hiqni të gjitha ushqimet që mund të ju tërheqin drejt tundimit. Zbrazni sirtarët me çokollata të harruara, heqni ëmbëlsirat nga çantat dhe largoni çdo pako biskotash që nuk i përshtatet dietës suaj. Kur nuk keni pranë këto tundime, është më e lehtë të qëndroni të fokusuar.

    2. Planifikoni paraprakisht

    Zgjidhni një ditë të javës si “dita e planifikimit të menysë”. Bëni blerjet kur nuk jeni të uritur dhe vetëm sipas listës së përgatitur. Sa më pak të blini impulsivisht, aq më pak mundësi keni të tundoheni nga ushqime jo të shëndetshme.

    3. Riprogramoni zakonet e ngrënies

    Sheqeri ka efekt të ngjashëm me një varësi – trupi kërkon gjithmonë më shumë. Është e lehtë të krijoni zakone të këqija si torta pasdite apo ëmbëlsira pas darkës. Për këtë arsye, është e rëndësishme të eliminohet gradualisht sheqeri dhe të riprogramohet trupi për zgjedhje më të shëndetshme. Disa mund ta bëjnë menjëherë, të tjerët gradualisht – por rezultati duhet të jetë i njëjtë: largimi i sheqerit.

    4. Krijoni zakone të reja

    Disa javë këmbëngulje janë të mjaftueshme për të krijuar një rutinë të shëndetshme. Hani mëngjes, drekë dhe darkë në të njëjtën kohë çdo ditë, dhe planifikoni ushqime të shëndetshme për momentet kur ndjeni uri të fortë. Kjo eliminon “daljet spontane” dhe ju ndihmon të qëndroni në rrugën e duhur.

    5. Mbani ekuilibrin

    Ndërsa eliminoni ushqimet jo të shëndetshme, mos harroni të shtoni ato që ofrojnë vlera ushqyese të nevojshme. Një dietë e larmishme, që përfshin të gjitha grupet e ushqimit, siguron energji, vitamina dhe minerale për funksionimin normal të trupit. Ushqehuni në sasi të arsyeshme dhe shmangni kalorite e zbrazëta, duke e bërë dietën të kënaqshme dhe të qëndrueshme.

  • A është efektiv mikrodozimi i Accutane?

    A është efektiv mikrodozimi i Accutane?

    Aknet e rënda, të dhimbshme dhe që lënë plagë në lëkurë, ndikojnë ndjeshëm në vetëbesimin e adoleshentëve dhe të rriturve. Kur trajtimet e zakonshme nuk japin rezultate, dermatologët shpesh përshkruajnë izotretinoin, i njohur me emrin tregtar Accutane.

    Sipas Dr. John Barbieri, profesor i asociuar i dermatologjisë në Harvard Medical School, izotretinoina funksionon duke tkurrur gjëndrat e yndyrës dhe parandaluar bllokimin e poreve, duke sjellë lëkurë më të pastër për shumicën e përdoruesve. Megjithatë, ilaçi mund të shkaktojë efekte anësore shqetësuese, si thatësi të lëkurës, buzëve dhe syve, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, ndryshime të humorit, depresion dhe rritje të kolesterolit. Në disa raste, aknet mund të rikthehen pas përfundimit të trajtimit.

    Çfarë është mikrodozimi?

    Për ata që shqetësohen për efektet anësore ose kanë pasur rikthim të akneve, dermatologët mund të rekomandojnë mikrodoza të izotretinoinës, shpjegon Dr. Sara Perkins nga Yale School of Medicine. Nuk ka një përkufizim standard, por mikrodozat zakonisht janë më të ulëta se doza standarde dhe mund të jenë të përshtatura sipas peshës, ashpërsisë së akneve dhe tolerancës së pacientit.

    Për shembull, një dozë standarde mund të jetë 30–60 mg në ditë për një person 60 kg, ndërsa mikrodoza mund të jetë 10–30 mg në ditë, ose edhe vetëm tri herë në javë.

    Trajtimi standard zakonisht zgjat 4–6 muaj, ndërsa mikrodozimi mund të zgjasë 8 muaj deri një vit ose më shumë.

    Mikrodozimi zvogëlon efektet anësore dhe mund të parandalojë rikthimin e akneve pas përfundimit të trajtimit. Ai është gjithashtu i përshtatshëm për persona me akne të lehta ose të moderuara që nuk janë përmirësuar me trajtime të tjera.

    Paralajmërime të rëndësishme

    Izotretinoina nuk duhet përdorur nga gratë shtatzëna ose ato që mund të mbeten shtatzëna, pasi mund të shkaktojë defekte serioze të lindjes ose vdekje të fetusit.

    Ilaçi mund të rrisë kolesterolin, trigliceridet dhe nivelet e enzimave të mëlçisë, ndaj dermatologët rekomandojnë analiza periodike gjaku, të cilat gjatë mikrodozimit mund të zgjasin një vit ose më shumë.

    Mikrodozimi po bëhet një opsion gjithnjë e më i përdorur për të trajtuar aknet e rënda me më pak efekte anësore, duke ofruar shpresë për pacientët që kërkojnë një lëkurë të pastër dhe të shëndetshme pa rrezikun e komplikimeve serioze.

  • Etiketat e kalorive në menu nuk ndikojnë shumë në përmbajtjen ushqimore

    Etiketat e kalorive në menu nuk ndikojnë shumë në përmbajtjen ushqimore

    Kur Anglia nisi në vitin 2022 një rregull që detyron restorantet, kafenetë dhe fast food-et e mëdha të shënojnë numrin e kalorive për çdo ushqim në menu, pritej që kjo të nxiste ofrimin e ushqimeve më të shëndetshme dhe të ndihmonte konsumatorët të zgjedhnin më mirë. Por një studim i ri tregon se kjo praktikë ka pasur efekt minimal.

    Sipas një hulumtimi të publikuar në BMJ Public Health, përmbajtja mesatare e kalorive në menutë e lokaleve ra vetëm rreth 2% pas zbatimit të politikës, një ndryshim që studiuesit e përshkruajnë si “të kufizuar dhe modest për shëndetin publik”. Një studim tjetër vitin e kaluar tregoi se konsumatorët pothuajse nuk ndryshuan zakonet e tyre, duke konsumuar të njëjtat kalori si më parë.

    Hulumtimi përfshiu mbi 31 mijë artikuj nga 78 zinxhirë restorantesh, duke krahasuar menutë para dhe pas futjes së rregullit. Rezultatet treguan se kaloritë mbetën pothuajse të pandryshuara për shumicën e ushqimeve. Përjashtim bënë disa kategori, si pijet e gazuara, pijet joalkoolike dhe hamburgerët, të cilat shënuan një ulje më të dukshme të kalorive. Megjithatë, kjo ulje nuk erdhi nga riformulimi i recetave, por kryesisht nga heqja e produkteve me shumë kalori dhe shtimi i opsioneve pak më të lehta.

    Studiuesit theksojnë se shënimi i kalorive në menu vetëm e ndryshon prezantimin e ushqimit, por nuk i detyron bizneset të bëjnë ndryshime reale në përbërjen e tij.

    Qeveria britanike vlerëson se nëse popullsia do të ulte mesatarisht vetëm 50 kalori në ditë, kjo mund të nxirrte nga obeziteti rreth 2 milionë të rritur dhe 340 mijë fëmijë.

  • Çizme të dëmtuara dhe rroba rezervë për shkollë: Realiteti i tronditshëm i fëmijëve në Fushë Kosovë

    Çizme të dëmtuara dhe rroba rezervë për shkollë: Realiteti i tronditshëm i fëmijëve në Fushë Kosovë

    Fëmijët e lagjes Meshari në Fushë Kosovë përballen me kushte të vështira për të shkuar në shkollë

    Në lagjen Meshari të Fushë Kosovës, fëmijët e komuniteteve minoritare përballen çdo ditë me sfida për të arritur në shkollë. Rrugët e mbushura me lloq dhe baltë i detyrojnë ata të vijnë me rroba rezervë dhe të gjejnë mënyra për të kaluar sipër baltës, vetëm për të vazhduar mësimin.

    Ky realitet tregon gjendjen e rënduar të infrastrukturës lokale dhe nevojën urgjente për ndërhyrje që fëmijët të kenë kushte të denja për të ndjekur shkollën pa pengesa fizike.

    https://www.facebook.com/share/v/17WfeVBjQt/