Këngëtarja amerikane Lizzo po përballet me një padi të re nga GRC Trust, e cila e akuzon atë për përdorim të paautorizuar të një mostre muzikore nga kënga e viteve ’70 “Win or Lose (We Tried)”. Sipas dokumenteve ligjore, pjesa është përdorur në një projekt muzikor ende të papublikuar, i cili u bë viral në rrjetet sociale gjatë muajit gusht.
Padia është depozituar në Kaliforni, pasi Lizzo kishte ndarë një klip 13-sekondësh të këngës në Instagram dhe TikTok, që tërhoqi vëmendje të madhe për shkak se në tekst përmendej aktorja Sydney Sweeney dhe bashkëpunimi i saj me markën American Eagle.
Përfaqësuesit e GRC-së pretendojnë se kanë tentuar të zgjidhin çështjen në mënyrë miqësore, por pa arritur marrëveshje.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Lizzo-s është shprehur i befasuar nga padia, duke theksuar se “kënga nuk është publikuar kurrë komercialisht dhe nuk është gjeneruar asnjë fitim prej saj”. Ai shtoi gjithashtu se ende nuk është marrë një vendim për publikimin e mundshëm të këngës në të ardhmen.
Kjo nuk është hera e parë që Lizzo përfshihet në konteste ligjore për të drejta autori. Në vitin 2019, ajo u padit nga tre producentë për hitin “Truth Hurts”, ndërsa artistja Mina Lioness e akuzoi për përdorimin e frazës virale “I just took a DNA test, turns out I’m 100%…” nga një postim i saj në rrjete sociale. Më vonë, Lizzo e njohu Lioness si bashkautore të këngës.
Një numër gjithnjë e më i madh i grave të brezit Gen Z po zgjedhin të lidhen me burra më të mëdhenj në moshë, duke përmendur maturinë emocionale, stabilitetin financiar dhe komunikimin më të fortë si arsyet kryesore.
Të dhënat e takimeve nga viti 2024 tregojnë një rritje të dukshme të marrëdhënieve me diferencë moshe, veçanërisht te gratë në fillim të të 20-ave.
Psikologët thonë se ky trend pasqyron zhgënjimin nga bashkëmoshatarët që hasin vështirësi me angazhimin apo drejtimin në jetë.
Nga ana tjetër, burrat më të mëdhenj shpesh perceptohen si më të qëndrueshëm dhe të aftë për të ofruar siguri në kohë të pasigurta.
Kjo dinamikë po ndikon në mënyrën moderne të takimeve, me shumë gra të reja që po i japin përparësi stabilitetit dhe sigurisë emocionale përpara afërsisë në moshë apo normave shoqërore.
Në një kohë kur aktivitetet fizike po marrin forma e qasje të reja, një ndër emrat që po e çon përpara kulturën e pilatesit në Kosovë është Erlet Muçolli, trajner dhe bashkëthemelues i një prej studiove më të njohura të kësaj disipline në vend. Bashkë me bashkëshorten e tij, Krenaren, ata kanë krijuar një hapësirë që nuk është vetëm për stërvitje — por për ekuilibër trupor e mendor.
“Përkundrazi nga sa mendojnë shumëkush, pilates nuk të lodh — të jep energji. Pas seancave, adrenalina të rritet, trupi qetësohet dhe gjen balancën”, tregon Erleti.
Nga dashuria për sportin te zbulimi i pilatesit
Që në fëmijëri, Erleti ishte i lidhur me sportin. “Kam qenë gjithmonë aktiv, kam dashur çdo lloj sporti. Në vitet ‘90, futbolli e basketbolli ishin kryesorët, por me kalimin e kohës llojet e aktiviteteve u shtuan. Megjithatë, një dëmtim në gju më detyroi të kërkoja forma të tjera për ta ruajtur trupin në lëvizje pa e lodhur.”
Gjatë studimeve për fizioterapi, ai nisi të kërkonte mënyra për ta lidhur rehabilitimin me sportin aktiv. Ishte pikërisht atëherë kur bashkëshortja e tij, Krenarja, që studionte jashtë vendit, i sugjeroi të njihte pilatesin.
“Në fillim ishte diçka e re për ne. Në Kosovë nuk dihej pothuajse asgjë për pilatesin, prandaj e nisa duke hulumtuar, provuar vetë dhe pastaj duke ndërtuar programet e para për klientë.”
Kur pilates u pa si “sport për gra”
Në vitet e para, thotë Erleti, sfida më e madhe ishte perceptimi. “Shumë njerëz e shihnin pilatesin si sport të lehtë ose si diçka vetëm për gra. Madje edhe sot, disa burra hezitojnë të vijnë në klasë sepse mendojnë se do të jenë të vetmit meshkuj në grup.”
Por, për të ndryshuar këtë mendim, ai e përdor shembullin e sportistëve më të mëdhenj në botë:
“Pilates e bëjnë edhe Cristiano Ronaldo apo Sylvester Stallone. Është ushtrim që forcon muskujt e thellë, ndihmon në qëndrimin e trupit dhe është perfekt për çdo moshë e gjini. Unë u them burrave: provoje një herë, pastaj gjyko vetë.”
Ushtrim për trupin, terapi për mendjen
Në studion që e drejton me Krenaren, çdo klasë përshtatet sipas nevojave të secilit. “Trupi i secilit është ndryshe, prandaj edhe ushtrimi duhet të jetë ndryshe. E rëndësishme është që klientët të kuptojnë që kjo nuk është vetëm stërvitje fizike, por një mënyrë për ta qetësuar mendjen, për ta rregulluar frymëmarrjen dhe për ta rritur fokusin.”
Për Erletin, puna me njerëz është edhe sfidë, edhe motivim. “Jo të gjithë kanë të njëjtin vullnet. Por kur i sheh që përmirësohen nga java në javë, ajo është shpërblimi më i madh.”
Partnerë në jetë dhe në punë
Bashkë me Krenaren, Erleti ndan çdo ditë punën, pasionin dhe përkushtimin ndaj klientëve.
“Thonë mos e sill punën në shtëpi, por për ne është ndryshe. Flasim për çdo ditë, për çdo klasë, për çdo klient. Sepse kur punon me partnerin që të kupton edhe pa folur, çdo gjë ecën më lehtë.”
Sfida më e madhe: pandemia
Për çiftin, periudha e pandemisë ishte një provë e vërtetë. “Atëherë vendosëm ta zgjerojmë studion, edhe pse të gjithë po mbylleshin. Ishte rrezik, por doli të ishte vendimi më i mirë që kemi marrë. Investuam në ventilim, hapësira të sigurta dhe krijuam një ambient të përsosur për ushtrime. Që prej asaj kohe, kërkesa vetëm është rritur.”, tregoi Erleti.
Detektivja private, Shkënda Lili, në një intervistë në Top Albania Radio, ka folur për tradhtinë në çift dhe periudhën kur çiftet tradhtojnë më shumë.
Ajo komentoi periudhën e festave të fundvitit në raport me punën e saj.
“Kjo është periudhë e mirë për punën time sepse ka më shumë lëvizje. Pas verës qetësohen çiftet. Me periudha është edhe puna ime. Muajt e verës dhe dhjetori janë super full. Në këtë periudhë vijnë shumë nga emigracioni, fillojnë dyshimet. Ata që vijnë nga jashtë duan ta shfrytëzojnë sa më shumë periudhën. Edhe djem, edhe vajza ka. Tradhtitë për mua janë njësoj, nuk mund të them që meshkujt tradhtojnë më shumë”.
Por a e falin shqiptarët tradhtinë?!
“Shqiptarët bëjnë sikur nuk e falin, por përfundimi është që e falin. Në Shqipëri është numri i pakët i grave që nuk e falin. E mendojnë gjatë. Është ekonomia, është dhuna në familje, por për tradhti nuk ndahen përgjithësisht… Gratë e politikanëve, artistëve bëjnë pakt me veten, ai me një anë, vetë me një anë, ekonomia dhe fëmijët bashkë. Është një fasadë… Opinioni publik vazhdon akoma, veriorët e kanë më të theksuar. Meshkujt shqiptarë e kanë shumë të vështirë ta falin tradhtinë. Janë shumë të rrallë ata që ta falin, por gratë po. Edhe kur ndahen nuk përmendin tradhtinë, por një faktor tjetër. Unë kur shoh në rrjete sociale çifte të lumtur, që në fakt i kam patur në zyrë, qesh. Kanë ardhur personazhe të njohur, është ajo fasada. Tendencën më të madhe e kanë njerëzit që kanë pushtet nga ana ekonomike”, ka thënë Lili.
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka kaluar natën e parë pas hekurave në burgun e njohur La Santé në Paris, ku po qëndron në izolim. Avokati i tij, Jean-Michel Darrois, e përshkroi përvojën e parë të klientit të tij si të vështirë, por të përballueshme.
“Nuk është Club Med (resort luksoz). Sot ka bërë sport, ka filluar të shkruajë librin e tij dhe ndodhet në një qeli prej 9 metrash katrorë, ku zhurma nuk mungon asnjë çast” tha ai me ironi pas vizitës së tij në mbrëmje në institucionin e sigurisë së lartë.
Sarkozy ka pasur mundësi ta takojë edhe bashkëshorten, këngëtaren Carla Bruni, në njërin nga tre takimet javore njëorëshe që i lejon administrata e burgut.
“Sot ishte dita e parë, dhe një ditë e parë në burg është gjithmonë e tmerrshme, por ai e ka kaluar me qetësi,” theksoi avokati i tij.
Burgu mban 1,237 të burgosur kur kapaciteti i tij maksimal është 657. Ish-presidenti nuk po mbahet në seksionin “vulnerabël”, i cili më parë ka mbajtur personazhe të famshëm si Bernard Tapie, por në izolim, jo për dënim të shtuar, por për t’u siguruar që ai të mos bjerë në kontakt me të burgosur të tjerë që mund të kërcënojnë sigurinë e tij.
Me të mbërritur në qeli, ai u prit nga brohorima nga të burgosurit e tjerë, “Oh, mirë se erdhe Sarkozy!” dhe “Sarkozy është këtu!”. Rojet më pas i morën gjurmët e gishtërinjve dhe një foto, dhe atij iu caktua një numër i të burgosurit, së bashku me një kartë identiteti të brendshme të burgut.
Sarkozi la dokumentet e tjera dhe sendet personale në një kasafortë të vogël, por iu lejua të mbante unazën e martesës. Më pas, si çdo i burgosur tjetër, ai mori një “kit hyrjeje” sapun, çarçafë, tenxhere, tiganë, letër dhe një stilolaps.
Ai u shoqërua për në qelinë e tij, e cila ka një banjo me dush, një kuzhinë të vogël, një krevat, një tavolinë, një televizor të vogël dhe – telefonat celularë janë të ndaluar – një linjë telefonike fikse me 10 numra të paraautorizuar nga administrata e burgut, e cila mund të përgjojë bisedat.
Pjesa më e vështirë është nata, sepse rojet, veçanërisht në fazën e parë të paraburgimit, e ndezin dritën çdo orë për të kontrolluar nëse i burgosuri ka tentativa vetëvrasjeje, dhe sepse praktika kërkon që gjatë gjithë natës së parë të burgosurit e tjerë të brohorasin emrin e të sapoardhurit. Dhe, tashmë si Ministër i Brendshëm i “rendit dhe ligjit”, Sarkozy nuk ka qenë kurrë i butë me kriminelët.
Sindroma “Peter Pan” —joshja ndaj një partneri që nuk rritet kurrë
Sindroma Peter Pan përdoret për të përshkruar sjelljet që tregojnë mungesë pjekurie shmangien e përgjegjësive personale dhe profesionale, mungesën e seriozitetit dhe dëshirën për të jetuar vetëm në momentin. Edhe nëse kjo ju kujton partnerin tuaj, ka shumë gjasa që ai t’ju duket sërish joshës.
Meshkujt me këtë sindromë shpesh janë tërheqës, plot energji dhe sharm, por në të njëjtën kohë e kanë të vështirë të marrin përgjegjësi dhe të përfshihen në detyrat e jetës së përditshme. Ata kanë një magjepsje që është njëkohësisht irrituese dhe e parezistueshme.
Ashtu si personazhi fiktiv në film, edhe një partner me “sindromën Peter Pan” mund t’ju ndihmojë të largoheni përkohësisht nga realiteti. Dhe kjo ndjesi çlirimi mund t’ju bëjë të anashkaloni shenjat paralajmëruese, duke ju shtyrë të vazhdoni marrëdhënien me të. Paaftësia e tij për t’u marrë seriozisht me jetën mund të sjellë shumë argëtim, aventura dhe çaste spontane veçanërisht nëse ju vetë keni ardhur nga një familje strikte ku argëtimi ishte i kufizuar.
Shpesh, njerëzit ndihen tërhequr nga ata që mishërojnë cilësi që vetë nuk i kanë përjetuar apo nuk i kanë lejuar vetes t’i shijojnë. Edhe nëse keni qenë e vetmuar për një kohë të gjatë, një person që ju ndihmon të harroni përgjegjësitë mund t’ju duket si një frymëmarrje e freskët.
Por kur kjo ndodh në një periudhë kur jeni në kërkim të stabilitetit apo përparimit profesional, joshja ndaj një “Peter Pan-i” mund të jetë e rrezikshme. Dashuria mund t’ju verbojë, duke ju bërë të injoroni faktin që partneri nuk ka plane, synime apo dëshirë për të ndërtuar të ardhmen. Një lidhje që nis me shumë gaz dhe qeshje mund të shndërrohet shumë shpejt në një realitet që s’përputhet me ëndrrat tuaja.
Një studim i ri ka hedhur dritë mbi një aspekt interesant të marrëdhënieve bashkëshortore: gatimi i përditshëm nga gruaja për burrin nuk është domosdoshmërisht shenjë e një martese të lumtur apo të shëndetshme.
Sipas kërkimeve të realizuara nga një grup sociologësh dhe psikologësh familjarë, mbi 1,500 çifte të martuara në Evropë dhe ShBA u analizuan për mënyrën si ndarja e detyrave të përditshme ndikon në cilësinë e martesës. Rezultatet treguan se gratë që nuk e marrin gatimin si detyrim të përditshëm, por e ndajnë këtë përgjegjësi me partnerin ose e bëjnë sipas dëshirës, raportojnë më shumë kënaqësi, më pak stres dhe një ndjenjë më të fortë barazie në çift.
Kjo barazi në ndarjen e punëve të shtëpisë përforcon partneritetin dhe krijon një ndjenjë të ndërsjellë vlerësimi, ku të dy bashkëshortët kontribuojnë në mënyrë të drejtë dhe ndihen të respektuar për përpjekjet e tyre.
Një ndër arsyet kryesore lidhet me presionin kulturor dhe shoqëror që shumë gra ndiejnë për të përmbushur rolin tradicional të “gruas ideale” – asaj që kujdeset për shtëpinë, fëmijët dhe burrin. Kur ky presion largohet, për shembull duke vendosur që gatimi të mos jetë një detyrim i përditshëm, gratë përjetojnë më shumë liri, vetëvlerësim dhe kontroll mbi jetën e tyre, çka ndikon pozitivisht në harmoninë bashkëshortore.
Studiuesit theksojnë se mesazhi i studimit nuk është që gratë të mos gatuajnë fare, por që të mos ndjejnë presionin për ta bërë këtë çdo ditë si një detyrë automatike. Në fakt, çiftet që ndajnë bashkë përgjegjësitë e përditshme – përfshirë edhe gatimin – zakonisht kanë komunikim më të hapur, lidhje emocionale më të fortë dhe një ndjenjë më të theksuar partneriteti e respekti reciprok.
Kashta, dikur e lidhur ngushtë me hambarët dhe stallet, po përjeton një rilindje të jashtëzakonshme në botën e dizajnit dhe luksit. Lison de Caunes, mjeshtra pariziene, ka kthyer këtë material bujqësor në një element të artë ekologjik, që sot zbukuron butikët më prestigjioze të markave si Cartier, Guerlain, Hermès dhe Bulgari.
E lindur në vitin 1948 dhe e mbushur 77 vjeç në 2025, De Caunes është një nga figurat më të respektuara të artizanatit francez dhe mbart titullin Chevaliere de la Legion d’Honneur për kontributin e saj në ringjalljen e marqueterie de paille, mozaikut të punuar me kashtë.
Kashta ka një histori të gjatë: përdorej në punime artizanale në Lindjen e Largët dhe Evropë, ndërsa në Francë arriti kulmin mes shekujve XVII dhe XIX. Ajo ishte një alternativë më e lirë ndaj drurit të çmuar dhe fijeve të arta për mobilje dhe dekorime. Artistë si Jean-Michel Frank dhe Jean Royère ishin ndër të fundit që përdorën këtë teknikë në Parisin e viteve 1930–1950.
Mbesa e dizajnerit të njohur André Groult, Lison de Caunes, frymëzimin e mori nga disa mobilje të mbuluara me kashtë që trashëgoi nga gjyshi. Ajo nisi eksperimentimet e para në studion e saj të vogël në Rue Mayet, ndërsa punonte si lidhëse librash me lëkurë shagreen. Me kalimin e kohës, ajo rikrijoi mobilje, tabaka dhe objekte dekorative, duke i dhënë kashtës një stil modern dhe një ndjeshmëri të veçantë për ngjyrat dhe teksturat.
Kur zanati i saj u bë i njohur, porositë filluan të vërshojnë: Cartier, Hermès, Guerlain dhe marka të tjera prestigjioze kërkonin punimet e saj për panele dekorative, tavolina dhe mure me ndriçim natyral. Sot, veprat e saj zbukurojnë dyqanet e Cartier në Paris, Gjenevë e Chicago, ambientet e Guerlain në Harrods, dhomat e hotelit Bulgari në Paris, madje edhe makinën zyrtare të presidentit Emmanuel Macron.
Në atelietë e saj punojnë 26 mjeshtra, dhe çdo proces është plotësisht manual. Kashta, e marrë nga fermerë në Francën lindore, lahet, ndahet, ngjyroset në mbi 60 nuanca, sheshohet dhe ngjitet fije pas fijeje në sipërfaqe të ndryshme. Për një metër katror mozaik duhen katër ditë pune, me një kosto rreth 2,000 euro.
Për De Caunes, bukuria e kashtës qëndron te thjeshtësia dhe qëndrueshmëria: “Është një material i përulur, që gjendet kudo, por ka një shkëlqim natyral të paarritshëm nga çdo lëndë tjetër.” Përveç bukurisë, kashta është rezistente ndaj ujit dhe lehtësisht e riparueshme, duke e bërë atë një material të qëndrueshëm dhe ekologjik, i vlerësuar në botën e luksit.
Disa bimë është thjesht mirë t’i kesh në shtëpi, sepse përveçse e zbukurojnë ambientin, ato sjellin edhe një energji të veçantë dhe, ndër më të fuqishmet është jasemini
Bimët janë shumë më tepër sesa dekor. Ato mund të jenë çelësi për shëndetin mendor dhe mirëqenien e përgjithshme. Nëse në shtëpi ke këtë lule, fati dhe qetësia do të të shoqërojnë gjithmonë, ndërsa për aromën e saj të mrekullueshme thuhet se është ilaç për shpirtin.
Shkencëtarët kanë zbuluar lidhjen mes stresit dhe cilësisë së ajrit, duke treguar se niveli i lartë i toksinave mund të ndikojë drejtpërdrejt në stres dhe gjendjen emocionale. Por ekziston një bimë që mund ta ndryshojë këtë ekuilibër – i mrekullueshmi jasemin (Jasminum officinale).
Studimet kanë treguar se aroma e jaseminit qetëson trurin dhe trupin, duke përmirësuar ndjeshëm funksionin nervor. Sipas hulumtimeve të Universitetit Ruhr në Gjermani, aroma e jasminit rrit efektin e substancës GABA në tru, e cila është përgjegjëse për ndjenjën e qetësisë dhe relaksimit. Ky zbulim, i publikuar në Journal of Biological Chemistry, i ka dhënë aromaterapisë bazë shkencore të vërtetuar, transmeton Telegrafi.
Kërkimet kanë treguar gjithashtu se jasemini është më efektiv se shumë preparate farmaceutike, pasi mund të rrisë efektin e GABA-s deri në pesëfish. Përveç kësaj, spërkatja e aromës së jaseminit në dhomë është dëshmuar si metodë efikase për përmirësimin e gjumit dhe zvogëlimin e ankthit, siç konfirmojnë publikimet në International Journal of Neuroscience.
Vaji esencial i jasminit ka shumë përfitime, ndihmon në përmirësimin e gjumit, humorit, përqendrimit dhe libidos. Në aromaterapi, ai përdoret edhe për rritjen e serotoninës dhe endorfinave, hormone që nxisin ndjenjën e lumturisë dhe ekuilibrit emocional.
Prandaj, mbajeni jaseminin në dhomën tuaj të gjumit dhe përjetoni fuqinë e kësaj bime të jashtëzakonshme për të ulur stresin, përmirësuar cilësinë e gjumit dhe për të mbrojtur shëndetin tuaj mendor.
Në kulturat lindore dhe në traditat e feng shui, jasmini konsiderohet simbol i dashurisë, harmonisë dhe fatit të mirë, ndërsa sipas studimeve të NASA Clean Air Study, ai gjithashtu pastron ajrin nga toksinat dhe ndotësit e brendshëm, duke përmirësuar cilësinë e frymëmarrjes në hapësirat e mbyllura. /Telegrafi/
Sipas revistës shkencore “Nature”, shkencëtarët kanë arritur të përdorin për herë të parë teknikën e korrigjimit të gjeneve për të ndaluar sëmundjen e trashëguar të zemrës në fillesën e embrionit të njeriut.
Shkencëtarët arritën të përdorin për herë të parë teknikën e korrigjimit të gjeneve për të ndaluar sëmundjen e trashëguar të zemrës në fillesën e embrionit të njeriut, sipas një studimi.
Hulumtimi do të shërbejë për të mundësuar zvogëlimin e rasteve të kësaj sëmundjeje tek fëmijët e krijuar përmes IVF (Fertilizimi In Vitro – një procedurë që përfshin stimulimin e vezoreve, rikthimin e vezëve dhe transferimin e embrionit , për të ndihmuar njerëzit me probleme të fertilitetit për të patur një fëmijë – shën. i përkth.) dhe për t’i hapur rrugën shërimit të disa prej mijëra sëmundjeve të shkaktuara nga mutacionet në gjenet e vetme.
Shkencëtarët zbuluan një mutacion në një gjen që shkaktonte kardiomiopatinë hipertrofike (HCM), që ishte shkaku më i zakonshëm i vdekjes së papritur te atletët e rinj të shëndetshëm.
Sipas revistës shkencore ky ishte një projekt bashkëpunues mes institutit “Salk” në Kaliforni, “Oregon Health”, universitetit “Science” dhe Institutit për Shkencat Bazë të Koresë.
Shkencëtarët gjeneruan qeliza burimore nga një biopsi lëkure e dhuruar nga një person me HCM dhe i modifikuan ato duke përdorur teknikën e korigjimit të gjeneve CRISPR, e cila u mundëson gjenomeve t’u nënshtrohen lehtësisht ndryshimeve të sakta të përkatësisë.
Duke përdorur teknikën IVF, shkencëtarët fertilizuan vezët e shëndetshme të donatorëve me spermatozoidet e donatorëve HCM dhe injektuan vezët me komponentët më të mirë të gjeneve.
Embrionet u lejuan të rriten vetëm për disa ditë dhe nuk ishin të paracaktuara për transplantim.
Në përgjithësi, HCM-ja mund të prekë një në 500 persona dhe individët me një kopje të gabuar të gjenit kanë 50 për qind mundësi që t’ua transmetojnë këtë mutacion fëmijëve të tyre.
Korrigjimi i mutacionit në embrione do të mundësonte parandalimin e transmetimit të sëmundjes te gjeneratat e ardhshme.
Pavarësisht, avancimeve në teknologjinë e qelizave burimore dhe korrigjimit të gjeneve, shkencëtarët duhet të vazhdojnë hulumtimet me shumë kujdes, për të shmangur futjen e mutacioneve të padëshiruara në qelizat që në fund të procesit bëhen vezë ose spermë.
“Studimi është kryer në përputhje të plotë me udhërrëfyesin e etikës për korrigjimin e gjenomit të njeriut të lëshuar nga Akademitë Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë”, tha profesori, Juan Carlos Izpisua Belmonte nga Instituti “Salk”.