ATV

Category: LIFESTYLE

  • Ky zakon i keq po ua dëmton enët: Mos i futni kurrë të nxehta në ujë

    Ky zakon i keq po ua dëmton enët: Mos i futni kurrë të nxehta në ujë

    Larja e nxituar e enëve mund të shkaktojë dëmtime të përhershme, duke ua shkurtruar jetën tenxhereve dhe tiganëve pa e kuptuar

    Larja e enëve të gatimit, veçanërisht tenxhereve dhe tiganëve, për shumë njerëz është puna më e bezdisshme menjëherë pas gatimit. Pikërisht për këtë arsye lind tundimi që gjithçka të kryhet sa më shpejt. Megjithatë, nxitimi i tepruar mund të çojë në dëmtime të përhershme, duke i bërë tenxheret dhe tiganët tuaj të papërdorshëm.

    Gabimi që nuk duhet bërë kurrë
    Pavarësisht sa shumë ju nxiton koha, mos i futni kurrë enët e nxehta direkt në ujë. Edhe pse kjo duket si zgjidhje e shpejtë, në fakt mund të shkaktojë dëmtime të pakthyeshme. Në kuzhinat profesionale, ku ndonjëherë tiganët e nxehtë futen menjëherë në ujë me detergjent, shpesh vërehen enë të deformuara dhe të përkulura.

    Vendosja e një tenxhereje ose tigani të nxehtë në lavamanin e mbushur me ujë mund të shkaktojë përkuljen e bazës, gjë që bën që ena të mos qëndrojë më drejt mbi pllakën e gatimit. Shkaku kryesor i këtij problemi është shoku termik, transmeton Telegrafi.

    Çfarë ndodh gjatë shokut termik?
    Ndryshimet e menjëhershme të temperaturës bëjnë që materiali i enëve të zgjerohet ose tkurret në mënyrë të pabarabartë. Te enët metalike, si ato prej alumini ose çeliku inox, kjo çon në deformim dhe fund të shtrembër. Enë të tilla bëhen të paqëndrueshme mbi sobë, nxehen në mënyrë të pabarabartë dhe bëjnë që vaji ose gjalpi të grumbullohen vetëm në një anë, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e gatimit.

    Edhe tepsitë për pjekje mund të shtrembërohen, gjë që e vështirëson përdorimin e tyre dhe nxjerrjen e ushqimit nga furra.

    Jo vetëm enët e lira janë të rrezikuara
    Edhe pse enët metalike më të holla dhe më të lira janë më të ndjeshme, as enët cilësore shumë-shtresore nuk janë plotësisht të mbrojtura nga shoku termik. Metali është pjesërisht fleksibël dhe, në rastin më të keq, ena mund të mbetet e përdorshme, por me deformime të dukshme.

    Ndryshe nga metali, enët prej qeramike dhe qelqi janë shumë më të brishta. Tek to, shoku termik mund të shkaktojë çarje, plasaritje apo edhe thyerje të plotë.

    Si t’i mbroni enët tuaja
    Ky problem mund të shmanget shumë lehtë:

    Lëreni enën e nxehtë të ftohet deri në temperaturë të vakët para se ta futni në ujë
    Mos e vendosni direkt nën rrjedhën e ujit të ftohtë
    Nëse keni nevojë për njomje për të zbutur mbetjet e ushqimit, mbusheni me ujë vetëm pasi ena të jetë ftohur
    Ky zakon i thjeshtë do t’ju ndihmojë të zgjasni ndjeshëm jetën e tenxhereve dhe tiganëve, duke kursyer para dhe nerva në kuzhinë.

  • Vinicius shihet në Paris me Kim Kardashianin

    Vinicius shihet në Paris me Kim Kardashianin

    Pas fitores 2-1 të Real Madridit ndaj Rayo Vallecanos, lojtarët morën një ditë pushim nga trajneri Álvaro Arbeloa, dhe Vinicius Jr. e shfrytëzoi për të udhëtuar drejt Parisit.

    Në kryeqytetin francez, ylli brazilian mori pjesë në eventin “NikeSKIMS”, që promovon bashkëpunimin mes Nike dhe markës së Kim Kardashian. Vinicius, si një nga sportistët ikonë të Nike, u ftua për të marrë pjesë në këtë aktivitet.

    Gjatë ngjarjes, Vinicius dhe Kim Kardashian u panë duke pozuar për foto dhe duke biseduar, duke tërhequr vëmendjen e medias dhe ndjekësve. Braziliani gjithashtu shfaqet në ekranet reklamuese të NFL-së dhe tashmë po përgatitet të rikthehet në Santiago Bernabéu për t’i dhënë kontributin e tij Real Madridit.

  • Shoqëria mes burrave, takimet dhe bisedat të shoqëruara me një birrë

    Shoqëria mes burrave, takimet dhe bisedat të shoqëruara me një birrë

    Takimet për një gotë birrë janë thelbësore për burrat që të ruajnë shoqërinë e tyre, ndërsa gratë zakonisht mbajnë lidhjet shoqërore përmes komunikimit të shpeshtë, sipas një studimi shkencor.

    Robin Dunbar, biolog evolucionist në Universitetin e Oksfordit, ka studiuar sjelljet e një grupi prej 30 personash nga fëmijëria deri në moshën madhore, duke analizuar mënyrën se si ruajnë lidhjet shoqërore.

    Ai zbuloi se për gratë, të mbajnë shoqërinë e gjallë kërkon komunikim të shpeshtë, si telefonata dhe mesazhe. Për burrat, megjithatë, shoqëria ruhet përmes aktiviteteve të përbashkëta, si ndeshjet e futbollit apo takimet në pub për një pije.

  • Harry Styles gëzon fansat, fillon riprodhimin e lodrave të seksit, pasi ato që ishin u shitën brenda minutash!

    Harry Styles gëzon fansat, fillon riprodhimin e lodrave të seksit, pasi ato që ishin u shitën brenda minutash!

    Lëre mënjanë çmendurinë e rrobave dhe aksesorëve që ka në shitje Harry Styles, ai sapo ka shkaktuar një tjetër valë të paparë te fansat!

    Ikona globale e pop-it, përmes markës së tij të lifestyle-it “Pleasing”, ka rimbushur stokun me vibratorin më të shitur të brendit të tij, me çmim £68, i cili ishte shitur komplet në vetëm pak minuta edhe më shpejt se biletat për datat rekord të turneut të tij!

    I njohur për tërheqjen e vëmendjes, si në skenë ashtu edhe jashtë saj, Styles e lansoi këtë lodër seksi për herë të parë vitin e kaluar, dhe ajo u zhduk nga raftet pothuajse menjëherë pas lançimit. Fansat nuk humbën kohë, dhe produkti u shkatërrua aq shpejt sa edhe mbështetësit më të zjarrtë të Harry-it nuk mund ta besonin ritmin e shitjes.

    Tani, Styles ka entuziazmuar ndjekësit duke shpallur një riprodhim në këto produkte për herë të dytë, duke i ftuar ata të regjistrohen në listën e pritjes për qasje të hershme dhe shumë prej tyre tashmë janë gati të veprojnë sapo të bëhet live. Është e qartë se kërkesa për “Pleasing Yourself” është reale, dhe fansat nuk po kursejnë entuziazmin e tyre, e as paratë…

    Ky produkt bën pjesë në një gamë më të gjerë të “Pleasing” që përfshin parfume, ngjyra për thonjë e artikuj të tjerë të lifestyle-it, por është vibratori me dy anë ai që kritikët dhe fansat bien dakord se është bërë artikulli më i dëshiruar i markës së Harry Styles.

    Me biletat për turneun “Together, Together Tour”, që po thyejnë rekorde dhe miliona të tjerë që duan “merch”, duket se ky nuk është vetëm një trend i përkohshëm por një moment kulturor. Qoftë për muzikën, stilin apo aksesorët intimë, Harry Styles po bën që të gjithë, në kuptimin literal dhe figurativ, të kërkojnë më shumë…

  • Lindsey Vonn do të garojë në Lojërat Olimpike pavarësisht dëmtimit të ligamentit

    Lindsey Vonn do të garojë në Lojërat Olimpike pavarësisht dëmtimit të ligamentit

    Skiatorja amerikane Lindsey Vonn ka konfirmuar se ka këputur ligamentin e kryqëzuar të përparmë (ACL) në gjurin e majtë pas një rrëzimi në garën e fundit të Kupës së Botës, por mbetet optimiste për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore në Itali.

    41-vjeçarja u transportua me helikopter në spital në Zvicër, por ka deklaruar se gjuri ndihet “i qëndrueshëm dhe i fortë”, pa enjtje, duke i dhënë shpresë për garën e zbritjes në Cortina, sipas BBC SPORTS.

    “Ky nuk është skenari që kisha shpresuar. E di që shanset e mia nuk janë të njëjta si para rrëzimit, por e di që ende ka një shans. Dhe për aq kohë sa ka një shans, unë do të përpiqem,” u shpreh Vonn gjatë një konference për media.

    Kampionia olimpike është rikthyer në garë pas pensionimit në vitin 2019 dhe mbërriti në Cortina si një nga favoritët për medaljen e artë, pas disa fitoreve dhe podiumeve në sezonin aktual.

    Pavarësisht dëmtimit, Vonn theksoi se nuk do të largohet me keqardhje: “Nuk do të shkoj në shtëpi duke u penduar që nuk provova. Do të bëj gjithçka që kam në dorë për të qenë në vijën e nisjes.” Me një karrierë të pasur me suksese dhe sfida fizike, skiatorja mbetet e vendosur të mbyllë kapitullin e saj olimpik me kokën lart, duke marrë vendimet ditë pas dite në varësi të gjendjes fizike.

  • Ekspertët, Aktiviteti fizik duhet të jepet me recetë mjekësore për të luftuar ankthin dhe depresionin

    Ekspertët, Aktiviteti fizik duhet të jepet me recetë mjekësore për të luftuar ankthin dhe depresionin

    Komuniteti i Neuropsikofarmakologjisë në Itali apelon që aktiviteti fizik të konsiderohet si një “mjekim” dhe të jepet me recetë nga mjeku. Sporti nuk është vetëm një këshillë e përgjithshme, por një pjesë e integruar e protokolleve terapeutike për pacientët me shqetësime të humorit dhe gjendjes emocionale në të gjitha moshat.

    Studimet shkencore tregojnë se lëvizja fizike ndikon pozitivisht në sistemet e dopaminës dhe serotoninës, duke përmirësuar humorin dhe duke reduktuar ndjeshëm simptomat e ankthit dhe depresionit.

    Adoleshentët që ushtrojnë rregullisht kanë rreth 30% më pak rrezik për t’u prekur nga shqetësime emocionale krahasuar me bashkëmoshatarët më sedentare. Tek të rriturit, reduktimi i riskut arrin deri në 40%, duke përfshirë gjithashtu përballimin më të qetë të stresit dhe ritmeve të shpejta të jetës moderne.

    Aktiviteti fizik i rregullt përmirëson gjumin, redukton stresin reaktiv dhe ndihmon në funksionet e trurit, duke shkarkuar tensionin e akumuluar në nivel fizik dhe neurologjik. Ekspertët theksojnë se ky është një mjet efikas dhe natyral për mirëqenien psikike, që nuk duhet injoruar.

  • Draco Malfoy bëhet simbol i fatit për Vitin e Ri Hënor në Kinë

    Draco Malfoy bëhet simbol i fatit për Vitin e Ri Hënor në Kinë

    Një fenomen i pazakontë ka tërhequr vëmendjen në Kinë në prag të Vitit të Ri Hënor, Draco Malfoy, personazhi i njohur nga seria Harry Potter, është shndërruar në një simbol festiv të fatit të mirë.

    I interpretuar nga aktori britanik Tom Felton, Draco Malfoy shfaqet në shtëpi kineze përmes dekorimeve festive të shitura në platformat e tregtisë elektronike. Ky trend lidhet me përkthimin kinez të emrit Malfoy, “Ma-er-fu”, që përmban fjalët “kalë” dhe “fat” – një kombinim veçanërisht i favorshëm për Vitin e Kalit.

    Seria Harry Potter gëzon një popullaritet të jashtëzakonshëm në Kinë. Qindra miliona libra janë shitur ndër vite, ndërsa rishfaqja e filmit të parë në vitin 2020 arkëtoi mbi 90 milionë juanë brenda vetëm tre ditësh.

    Tradicionalisht, familjet kineze zbukurojnë shtëpitë për Vitin e Ri Hënor me kuplete urimesh dhe fuzi – letra të kuqe që simbolizojnë begatinë dhe fatin e mirë. Së fundmi, këto simbole po zëvendësohen shpesh me imazhe të Draco Malfoy-t, të vendosura përmbys, sipas traditës që nënkupton ardhjen e fatit.

    Në rrjetet sociale kineze, përdoruesit shpërndajnë foto dhe mesazhe si “Shpërndaje këtë imazh për fat të mirë”, ndërsa tregtarët në platformën Taobao kanë nxjerrë në treg ngjitëse dhe magnete me figurën e personazhit.

    Trendi ka tërhequr edhe vëmendjen e vetë Tom Felton, i cili e cilësoi personazhin e tij si një “simbol të Vitit të Ri Kinez” në një postim në Instagram, duke nxitur reagime pozitive nga fansat.

    Ndërkohë, Warner Bros Discovery ka njoftuar se në vitin 2027 do të hapë në Shangai studion më të madhe në botë “The Making of Harry Potter”, duke konfirmuar edhe një herë popullaritetin e madh të franshizës në Kinë.

  • Truqe të thjeshta për të larguar pluhurin nga shtëpia

    Truqe të thjeshta për të larguar pluhurin nga shtëpia

    Aq më pak pluhur që ka në një shtëpi, aq më të gëzueshëm dhe të shëndetshëm do të jenë njerëzit që jetojnë aty. Por, fatkeqësisht nuk është lehtë ta hiqni pluhurin. Megjithatë, ekzistojnë disa truqe me ndihmën e të cilave do të mund të ballafaqoheshit më lehtë me këtë dukuri, dhe më e mira e kësaj është se këto truqe janë të lira për kah çmimi dhe shumë të thjeshta për kah aplikimi.

    Peceta të lagëta (për fëmijë)
    Për ta hequr qafe pluhurin, bërllokun dhe njollat në tastierë të laptopit, mjafton ta shkundni disa herë atë dhe ta pastroni me peceta të lagëta për fëmijë. Rezultatet janë të mahnitshme, por duhet të siguroheni që laptopi juaj është i ndalur para se ta bëni këtë.

    Peceta me zbutës
    Për ta larguar pluhurin nga sipërfaqet e ndryshme si ajo e tavolinës apo pluhurin në televizor, dhe t’i bëni efektet të zgjasin më shumë, mund të përgatitni një zgjidhje të veçantë për këtë. Merrni një pjesë të zbutësit normal dhe katër pjesë ujë. Produktin e vendosni në një sprej dhe pastroni gjithçka që është e nevojshme me të, qofshin këto pasqyre, tavolina nga xhami etj.

    Furça të buta
    Nëse dëshironi të pastroni vende të cilat mund t’i arrini me vështirësi, atëherë furçat e buta vetëm sa ua thjeshtësojnë këtë punë. P.sh., me furça të buta mund të pastroni aksesorët e ndryshëm etj.

    “Niveli i lagështisë”
    Për të shmangur akumulimin e pluhurit në hapësira të mëdha, shpeshherë mjafton ta mirëmbani një balancë të lagështisë prej 40-50 për qind. Instrumentet për matjen e lagështisë mund t’i blini në dyqanet përkatëse, e gjithashtu edhe lagështuesit e ndryshëm.

  • Kërkesat e NASA-s për t’u bërë astronaut dhe për të udhëtuar në Hënë

    Kërkesat e NASA-s për t’u bërë astronaut dhe për të udhëtuar në Hënë

    Çdo fëmijë mund të ketë ëndërruar të bëhet astronaut. Kujt nuk i pëlqen ideja për të bërë shëtitje në hapësirë, për të eksploruar planetë të largët dhe për të udhëtuar në kozmos?

    Megjithatë, në realitet, puna e një astronauti është jashtëzakonisht e vështirë, nga ku agjencitë hapësinore sikurse NASA kanë kërkesa strikte dhe teste rigoroze për të hyrë në programet e tyre hapësinore.

    Por cilat janë kërkesat për t’u bërë astronaut i NASA-s?

    Siç raporton Protothema, për të aplikuar në programin e astronautëve të NASA- kandidatët duhet të kenë këto kritere;

    Të keni shtetësi amerikane;

    Të keni një diplomë masteri në një lëndë të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM);

    Të keni të paktën dy vjet përvojë profesionale përkatëse (ose të paktën 1,000 orë piloti në komandë në një aeroplan reaktiv).

    Përveç këtyre kritereve, kandidatët për astronautë duhet gjithashtu të jenë në gjendje të kalojnë testin fizik të NASA-s. Çfarë nënkupton kjo?

    Mprehtësia vizuale e largët dhe e afërt. Shikimi juaj duhet të jetë i korrigjueshëm në 20/20 në secilin sy (megjithëse NASA pranon përdorimin e syzeve).

  • Pse miqësitë e sinqerta po zhduken gradualisht në shoqërinë moderne

    Pse miqësitë e sinqerta po zhduken gradualisht në shoqërinë moderne

    A ju ndodh shpesh të ndjeni se miqësitë e vërteta po humbin vlerën e tyre në shoqërinë e sotme? Kjo ndjesi është gjithnjë e më e përhapur. Shumë aspekte të jetës moderne duken të ndërtuara mbi sipërfaqshmëri dhe shtirje. Politikanë që pretendojnë se kujdesen për qytetarët, influencerë pa thelb që shndërrohen në modele për të rinjtë, apo figura publike që e përdorin bamirësinë si mjet marketingu për vëmendje personale.

    Edhe pse fenomene të tilla kanë ekzistuar gjithmonë, sot ato janë më të dukshme për shkak të ndikimit të madh të rrjeteve sociale. Një rol të rëndësishëm luan edhe konsumerizmi, i cili në shumë drejtime ka deformuar mënyrën se si e perceptojmë jetën dhe marrëdhëniet. Pikërisht për këtë arsye, miqësitë e vërteta po bëhen gjithnjë e më të rralla. Më poshtë janë tre arsyet kryesore pse kjo po ndodh.

    Trajtimi i njerëzve si objekte është bërë normalitet

    Mendësia konsumatore nuk ndikon vetëm në mënyrën se si i shohim sendet materiale, por edhe në mënyrën se si i shohim njerëzit. Ajo ka depërtuar aq thellë në mendjet tona, saqë shpesh i trajtojmë marrëdhëniet si produkte konsumi.

    Kjo shpjegon pse sot shumë njerëz i shohin miqësitë dhe lidhjet nga këndvështrimi “jap–marr”. Dëgjojmë shpesh shprehje si: “Kërkoj një person që…”, “Kam nevojë për një mik që…”, “Partneri im duhet të jetë…”. Marrëdhëniet kthehen në lista kërkesash, të ndërtuara mbi dëshira dhe pritshmëri personale.

    Në këtë kontekst, shumë pak njerëz pyesin veten se çfarë janë të gatshëm të japin. Fokusimi te përfitimi personal, në vend të lidhjes së sinqertë, krijon vetëm miqësi të dobëta dhe të rreme.

    Të dukesh i sjellshëm vlerësohet më shumë se sa të jesh i vërtetë

    Nevoja për t’u pranuar është njerëzore, por rrjetet sociale e kanë shndërruar atë në varësi. Sot, platformat online janë të mbushura me imazhe të përsosura që nuk përfaqësojnë realitetin, ndjenja të stisura dhe mesazhe që nuk pasqyrojnë mendimet e vërteta të atyre që i postojnë.

    Kjo prirje ka ndikuar edhe në marrëdhëniet personale. Shpesh, prioritet bëhet të dukesh i këndshëm për të tjerët, jo të jesh realisht i tillë. Njerëzit buzëqeshin edhe kur nuk ndihen kështu, zhvillojnë biseda pa interes dhe thonë fjalë të bukura që nuk i mendojnë.

    Ata që shprehen hapur dhe nuk fshehin mendimet e tyre shpesh etiketohen si të ashpër apo të pandjeshëm. Megjithatë, ekziston një dallim i madh mes mirësjelljes së vërtetë dhe shtirjes për t’u dukur i sjellshëm.

    Lidhjet e qëndrueshme nuk vlerësohen më

    Shoqëria konsumatore nuk na mëson të vlerësojmë njerëzit, por të përfitojmë prej tyre. Dikur, kur diçka prishej, përpiqeshim ta rregullonim. Sot, zëvendësimi është zgjedhja më e shpejtë dhe më e lehtë.

    Kjo logjikë është transferuar edhe në marrëdhëniet njerëzore. Pa e kuptuar, mësohemi me idenë se gjithçka dhe të gjithë janë të zëvendësueshëm. Një mik i ri, një partner i ri, një lidhje e re – gjithmonë duket sikur ka alternativa.

    Por marrëdhëniet njerëzore nuk funksionojnë si produktet e konsumit. Ato kërkojnë durim, përkushtim dhe përpjekje. Ndonjëherë, një miqësi ka nevojë të “riparohet”, jo të braktiset. Vetëm kështu mund të ndërtohen lidhje të qëndrueshme dhe domethënëse.