ATV

Category: Lajme

  • Irani shqyrton tarifa për anijet në Ngushtica e Hormuzit

    Irani shqyrton tarifa për anijet në Ngushtica e Hormuzit

    Irani po konsideron vendosjen e tarifave për çdo anije që kalon nëpër Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare ku kalon rreth 20% e naftës dhe gazit global.

    Sipas zyrtarëve në Iran, masa synon të rrisë të ardhurat dhe të forcojë kontrollin strategjik të vendit mbi këtë korridor energjetik.

    Propozimi vjen në sfondin e tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, ndërsa ligjvënësit po shqyrtojnë një projektligj që do të detyrojë shtetet përdoruese të paguajnë taksa tranziti.

    Këshilltari Mohammad Mokhber paralajmëroi një “regjim të ri” pas përfundimit të konfliktit.

    Analistët theksojnë se një vendim i tillë mund të rrisë tensionet globale dhe të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet ndërkombëtare të energjisë.

  • Vdes një 29-vjeçar pas aksidentit ndërmjet një kamioni dhe motoçiklete në Prizren

    Vdes një 29-vjeçar pas aksidentit ndërmjet një kamioni dhe motoçiklete në Prizren

    Një 29 vjeçar, me iniciale E.A, ka humbur jetën sot si pasojë e një aksidenti që ndodhi në Prizren, konkretisht në rrugën “Transiti i vjetër”.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e këtij qyteti, Shaqir Bytyqi.

    “Sot, më datë 19.03.2026, rreth orës 12:10, në rrugën “Transiti i vjetër”, në Prizren është raportuar një aksident trafiku në mes të një motoçiklete, një kamioni dhe një veture. Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se drejtuesi i motoçikletës, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, fillimisht ka goditur lehtë veturën, ndërsa më pas është përplasur nga prapa në kamion”.

    “Si pasojë e aksidentit, motociklisti, E.A., rreth 29 vjeç, ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e kanë konstatuar ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes. Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, deklaroi ai.

  • I dënuar në Holandë për pastrim parash dhe drogë, kapet në Morinë 34-vjeçari nga Kosova

    I dënuar në Holandë për pastrim parash dhe drogë, kapet në Morinë 34-vjeçari nga Kosova

    Një shtetas nga Kosova është arrestuar në Morinë.

    Policia shqiptare ka njoftuar se 34-vjeçari rezulton i dënuar me 1 vit e 6 muaj burg nga autoritetet holandeze, për veprat penale “Pastrimi i parave” dhe “Posedimi i lëndëve narkotike të forta”.

    I njëjti u kap në Morinë në tentativë për të hyrë në Shqipëri.

    “Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet holandeze, pasi Gjykata e Limburgut, Holandë, e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, për veprat penale “Pastrimi i parave” dhe “Posedimi i lëndëve narkotike të forta”.

    Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Holandë, vijon procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit”, thuhet në njoftim.

  • Kosova dhe Belgjika nisin bashkëpunimin për ndihmë juridike në çështjet penale

    Kosova dhe Belgjika nisin bashkëpunimin për ndihmë juridike në çështjet penale

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për t’i kërkuar Presidentes autorizimin për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Mbretërinë e Belgjikës.

    Ministrja e Drejtësisë dhe Zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, tha se marrëveshja është rezultat i negociatave me homologët belgë dhe synon të krijojë bazën ligjore dypalëshe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë.

    “Kjo marrëveshje harmonizon procedurat dhe mundëson bashkëpunim më të shpejtë dhe të frytshëm ndërmjet dy vendeve”, tha Gërvalla.

    Ajo shtoi se marrëveshja do të ndihmojë përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale të sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke intensifikuar bashkëpunimin juridik ndërkombëtar dhe duke konsoliduar kapacitetet e vendit.

    Ministrja Gërvalla theksoi gjithashtu se Republika e Kosovës vazhdon të ndërtojë partneritete të qëndrueshme, pasi vetëm kështu forcohet sundimi i ligjit, siguria juridike dhe roli i vendit si partner i besueshëm në drejtësinë ndërkombëtare. /Telegrafi/

  • Estonia thotë se një avion rus shkeli hapësirën e saj ajrore

    Estonia thotë se një avion rus shkeli hapësirën e saj ajrore

    Një avion luftarak rus ka shkelur hapësirën ajrore të Estonisë fqinje të mërkurën, duke shkaktuar një reagim nga Policia Ajrore Baltike e NATO-s, ka njoftuar të enjten, ministri i Jashtëm Estonez, Margus Tsahkna.

    Ishte hera e parë këtë vit që një avion rus ka shkelur hapësirën ajrore të Estonisë, ka thënë ministria e Jashtme.

    Tsahkna tka thënë se shkelja ndodhi pranë ishullit Vaindloo në Gjirin e Finlandës, pranë bregdetit verior të Estonisë, ku një avion luftarak rus SU-30 hyri në hapësirën ajrore të Estonisë dhe qëndroi për rreth një minutë.

    Sipas ministritë të jashtëm estonez, misioni i NATO-s për Policimin Ajror Baltik reagoi shpejt, duke vendosur njësi të Forcave Ajrore italiane.

    Në shtator të vitit të kaluar, Talini zyrtar ka thënë se tre avionë ushtarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të vendit baltik për 12 minuta në një inkursion “të paparë”, ndërsa ministria e Mbrojtjes e Rusisë e hodhi poshtë pretendimin si të rremë.

    Estonia ka thirrë kreun në detyrë të misionit diplomatik rus në Talin për sqarime ndaj incidentit të së mërkurës.

  • Gjesti lirohet nga paraburgimi

    Gjesti lirohet nga paraburgimi

    Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se këngëtari Besart Kelmendi i njohur si Gjesti, ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë, andaj me kërkesë të prokurorit, atij iu ndërpe masa e paraburgimit.

    Para disa ditësh, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Besart Kelmendit, i njohur si Gjesti, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: “Kanosja, Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    “Gjyqtarja e procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar, andaj aprovoj kërkesën e PTHP-së, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.K., ashtu që të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhej në njoftim.

  • KPK-ja kërkon rritje të buxhetit, po përballet me vështirësi financiare

    KPK-ja kërkon rritje të buxhetit, po përballet me vështirësi financiare

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) po përballet me vështirësi financiare për shkak të mungesës së buxhetit.

    Kjo u bë e ditur sot në mbledhjen e Këshillit, derisa drejtuesit e këtij institucioni thanë se është e nevojshme rritja e tij.

    Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi, ka deklaruar se tash e sa kohë po përballen me këto vështirësi duke kërkuar që kjo çështje të përfshihet në rregullore.

    “Ndaj, në këtë pjesë kur po flasim edhe sa i përket shtesave të kujdestarive për Prokuror të Shtetit, ne kemi mungesë të buxhetit, ashtu siç jeni të njoftuar pothuajse vazhdimisht ky këshilli edhe këshilli paraprak edhe ky tani. Përfshirja e komisioneve apo pagesat e komisioneve edhe unë e vlerësoj që duhet të paguhen, mirëpo hendikep mbetet çështja e buxhetit. Prandaj, në një situatë të tillë jemi duke u ballafaquar tash sa kohë me këtë vështirësi, në qoftë se ne na prek sa i përket pagesave për anëtarë të komisioneve apo sekretarë të komisioneve, atëherë është mirë të njoftoheni tani që mungesa buxhetore është shumë e theksuar, jo vetëm në këtë kategori, por edhe në kategori të tjera. Kështu që, kjo mund të përfshihet në rregullore, por sa do të mund të zbatohet është situatë që mund të diskutohet tutje në qoftë se kemi buxhet shtesë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha Istrefi.

    Ndërsa, me katër vota për, asnjë kundër dhe një abstenim është miratuar Rregullorja për Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës(KPK-së) dhe shtojca A me ndryshimet e propozuara në takimin e 290-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Kurse nuk është miratuar propozimi për pagesën prej 100 eurove ndaj sekretarëve të komisionit të përhershëm të këshillit për aktivitetet e tyre, raporton Ekonomia Online.

    Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi prezantoi përmbajtjen e kësaj rregullore.

    “Fillimisht po referoj rregulloren për organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Kjo rregullore ka kaluar të gjitha filtrat proceduralë; ajo është shqyrtuar nga Komisioni për Çështje Normative dhe pastaj ka kaluar edhe fazën e dëgjimit publik, ku të njëjtës i janë nënshtruar edhe komentet përkatëse dhe janë përcjellë natyrisht te Komisioni për Çështje Normative. Struktura dhe Përmbajtja: Kjo rregullore është e strukturuar në shtatë kapituj dhe përmban gjithsej 40 nene, në të cilat përcaktohen detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit, zëvendëskryesuesit, Komisionit të këshillit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit. Gjithashtu, përcaktohen çështjet që lidhen me mbajtjen e takimeve dhe aktiviteteve të Këshillit. E njëjta përfshin edhe një shtojcë, në të cilën përcaktohen detyrat e punës dhe kriteret për kabinetin e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, së bashku me një organogram. Rregullorja ka qenë e një natyre urgjente me qëllim të harmonizimit të drejtpërdrejtë me ligjin për plotësim-ndryshimin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Prandaj, edhe kjo rregullore (si të tri rregulloret e tjera) kanë qenë të natyrës urgjente në mënyrë që: Të fillojë puna e Këshillit Prokurorial dhe të funksionalizohen komisionet përkatëse (komisionet e përhershme)“, tha Vuniqi.

    Vuniqi gjithashtu propozoi që në kuadër të kësaj pike të shtohet pagesa prej 100 eurove për  sekretarët e komisionit të përhershëm.

    “Propozimi im i parë është që nenit 17 të kësaj rregulloreje t’i shtohen dy paragrafë, rrjedhimisht paragrafi 6 dhe 7 me tekstin si në vijim: Paragrafi 6 t’i shtohet: Anëtarët e komisionit të përhershëm do të kompensohen për punën e tyre në komision sipas rregullores përkatëse për kompenzim. Si dhe paragrafi 7: Sekretarët e komisioneve të përhershme të Këshillit të kompensohen me 100 euro në muaj për aktivitetin e tyre në komision. Si dhe te shtojca A, propozimi i radhës, lidhur me kabinetin e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit, të plotësohet-ndryshohet pjesa e kritereve të kërkuara mbi bazën e dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publikë, rrjedhimisht nenit 9, ku sipas këtyre dispozitave, sa i përket kategorisë së zyrtarit publik, zyrtarit të kabinetit, ligji nuk parasheh kriteve të detyrueshme për përvojën dhe emërimin, por e citon që emërimi mund të bëhet drejtpërdrejt nga titullari i kabinetit në bazë të vlerësimit të tij, pa qenë e nevojshme plotësimi i kushteve të përputhshme dhe të përcaktuara për zyrtarët publikë”, tha ai.

  • Sekretari amerikan i Mbrojtjes: SHBA është sipas planit në luftën me Iranin, kur përfundon përcaktohet nga Trumpi

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes: SHBA është sipas planit në luftën me Iranin, kur përfundon përcaktohet nga Trumpi

    Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth tha gjatë një konference në Pentagon sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten “sipas planit” për objektivat e tyre në luftën me Iranin, ndërsa ende nuk ka një afat të qartë se kur do të përfundojë kjo luftë.

    “Nuk do të donim të vendosnim një afat të prerë” për përfundimin e luftës, tha Hegseth.

    Fundi përfundimtar do të përcaktohet nga Presidenti Donald Trump, por, shtoi Hegseth, “siç kemi thënë, jemi sipas planit”.

    Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth aftësisë së vazhdueshme të Iranit për të goditur aleatët e SHBA-së me raketa, Hegseth pranoi se “ata hynë në këtë luftë me shumë armë”.

    “Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të jemi sa më agresivë dhe të vendosur kundër kapacitetit të tyre të raketave balistike,” tha sekretari i mbrojtjes. Ai shtoi megjithatë se Irani ende ruan “disa kapacitete”, tha ai ndër të tjera. /Reporteri.net/

     

  • Kosova e 91-ta në botë për siguri kibernetike, shumë prapa Shqipërisë

    Kosova e 91-ta në botë për siguri kibernetike, shumë prapa Shqipërisë

    Kosova është renditur në vendin e 91-të në botë për sigurinë kibernetike, me vetëm 40.00 pikë, sipas të dhënave të publikuara nga National Cyber Security Index (NCSI).

    Ndërkaq në këtë indeks, Shqipëria pozicionohet në vendin e 9-të globalisht me rreth 92.50 pikë, duke shënuar një diferencë të thellë prej mbi 50 pikësh ndaj Kosovës.

    Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka performancë dukshëm më të lartë në disa indikatorë strategjikë dhe preventivë, shkruan Telegrafi.

    Në fushën e politikave të sigurisë kibernetike, Kosova ka arritur vetëm 6 pikë nga 15 sa janë në total, ndërsa Shqipëria ka arritur rreth 12 pikë. Po ashtu, në kontributin global në sigurinë kibernetike, Kosova rezulton me 0 ndërsa Shqipëria ka maksimumin e pikëve 6.

    Diferenca vazhdon edhe në arsim dhe zhvillim profesional, ku Shqipëria arrin 10 pikë, ndërsa Kosova vetëm 2.

    Në kërkim dhe zhvillim (R&D), Shqipëria ka 2 nga 4 pikë, ndërsa Kosova nuk ka asnjë.

    Edhe në indikatorët preventivë, Shqipëria qëndron dukshëm më mirë sesa Kosova.

    Në sigurinë e infrastrukturës kritike, Kosova ka 6 pikë kurse Shqipëria ka 12 pikë, në sigurinë e shërbimeve digjitale Kosova 8 pikë, Shqipëria 12.

    Edhe në analizën e kërcënimeve dhe ngritjen e vetëdijes, Kosova është ranguar më keq së Shqipëria duke marrë vetëm 3 pikë, kurse Shqipëria 12.

    Në mbrojtjen e të dhënave personale, të dy vendet kanë pikë të plota 4 sosh, shkruan Telegrafi.

    Indeksi vlerëson përgatitjen e shteteve për të parandaluar dhe menaxhuar sulmet kibernetike, duke analizuar kapacitetet ligjore, institucionale, teknike dhe edukative.

    Shqipëria renditet e 9-ta në botë për sigurinë kibernetike

    Rezultatet tregojnë qartë se Shqipëria ka ndërtuar një sistem më të konsoliduar të sigurisë kibernetike dhe ka avancuar në bashkëpunimin ndërkombëtar, ndërsa Kosova përballet me mungesa të theksuara në disa nga shtyllat kryesore të këtij sektori. /Telegrafi/

     

  • Rasti me 400 kg drogë nga Brazili, dënohen me 75 vjet burg pesë të akuzuarit

    Rasti me 400 kg drogë nga Brazili, dënohen me 75 vjet burg pesë të akuzuarit

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj pesë të akuzuarve për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, duke i dënuar (së bashku) me 75 vjet burgim dhe 108 mijë euro gjobë.

    Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi.

    Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni.

    Të akuzuarit u shpallën fajtorë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”

    Sipas vendimit, i akuzuari Kadri Sheqiri u dënua me 15 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, Kadri Brahimi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, Faton Vrajolli me 20 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë, Fehmi Bytyqi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

    Kurse, Izet Sheqiri u dënua me 20 vjet burgim dhe 60 mijë euro gjobë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe 3 mijë euro për “Armëmbajtje pa leje”. Gjithsej, 63 mijë euro gjobë.

    Të akuzuarve Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi iu caktohet masa e paraburgimi, ndërkaq të tjerëve iu vazhdohet kjo masë deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

    Në dënimin me burgim, të akuzuarve iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak./Betimi për Drejtësi