ATV

Category: Lajme

  • Ministri shqiptar i Mbrojtjes: Shqipëria dhe Kosova të sigurta nën mbrojtjen e NATO-s

    Ministri shqiptar i Mbrojtjes: Shqipëria dhe Kosova të sigurta nën mbrojtjen e NATO-s

    Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi tha se Shqipëria ndihet e sigurt pavarësisht kërcënimeve që mund të vijnë, si në rastin më të fundit nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Ai tha se Shqipëria të gjitha politikat e sigurisë i ka në përputhje me aleancën ku bën pjesë, NATO.

    “Serbia i mitigon të gjitha rreziqet që i pretendon si të sajat, në përputhje me dokumentet e veta strategjike. Republika e Shqipërisë nga ana e saj, të gjitha politikat e sigurisë i ka në përputhje me aleancën ku bën pjesë, aleancën ushtarake të NATO-s, që është më e forta në botë”.

    Nufi shtoi se e gjithë doktrina dhe përgatitja është në përputhje me NATO-n dhe siguria e qytetarëve shqiptarë, por siç tha, edhe e Kosovës, për sa kohë kemi atje një forcë të mandatuar si KFOR, është e garantuar gjithashtu nga aleanca ushtarake më e fortë në botë.

    “Rrjedhimisht shqetësimet që mund të ketë, për Republikën e Shqipërisë përkthehen në një qasje që është në koordinim me aleancën dhe partnerët dhe ne na bën të ndihemi të sigurt për sa kohë që ne përmbushim detyrat që kemi marrë angazhim, në drejtim të aleancës”, shtoi ai./a2cnn

  • Netanyahu: Izraeli nuk e futi SHBA-në në luftë me Iranin

    Netanyahu: Izraeli nuk e futi SHBA-në në luftë me Iranin

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu filloi të rendisë të gjitha gjërat në Iran që ushtria izraelite po punon për të shkatërruar, duke përfshirë arsenalin e raketave dhe dronëve, lëshuesit e raketave, si dhe infrastrukturën bërthamore – si fabrikat që prodhojnë pjesë raketash, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.

    Ai thotë se po e shkatërrojnë industrinë iraniane në një mënyrë “që nuk e kemi bërë më parë”, por “ka ende shumë punë për të bërë dhe ne do ta bëjmë”.

    Netanyahu thotë se dëshiron të shpërndajë një tjetër “lajm të rremë” – se Izraeli e futi SHBA-në në konflikt me Iranin.

    “A mendon vërtet dikush se dikush mund t’i tregojë Presidentit Trump se çfarë të bëjë? Hajde,” thotë ai.

    Trump “gjithmonë merr vendimet e tij për atë që mendon se është e mirë për Amerikën” dhe për “brezat e ardhshëm”, shton ai.

  • Tahiri: Qeveria e nisi mbrapsht Reformën e Administratës Publike, është regres

    Tahiri: Qeveria e nisi mbrapsht Reformën e Administratës Publike, është regres

    Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Qeveria e nisi mbrapsht Reformën e Administratës Publike pas vendimit të Qeverisë për themelimit të Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike

    Ai tha se kjo “është një devijim i plotë nga parimet bazë të llogaridhënies dhe përgjegjësisë institucionale për reforma në administratë të shtetit”.

    “Reforma e Administratës Publike ka adresë të qartë, ajo është tek ministria përkatëse dhe përgjegjëse, rishatazi e themeluar: Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike. Pikërisht aty duhet të qëndrojë përgjegjësia, udhëheqja dhe zbatimi i saj. Themelimi i një Këshilli të ri ministror për këtë qëllim është i panevojshëm, kur dihet se vetë Kabineti Qeveritar tashmë ekziston si organ kolegjial vendimmarrës. Sugjerimi ynë është forcimi i rolit të kësaj ministrie, e cila me të drejtë është rithmeluar dhe është përshëndetur si hap pozitiv. Mirëpo, me këtë vendim po i zbehet dhe po i shpërndahet përgjegjësia”.

    Tahiri tha se kjo s’është reformë, por regres.

    “Nuk kemi më një adresë të qartë përgjegjësie, por një trup kolegjial ku përgjegjësia humbet dhe llogaridhënia zbehet. Që në start po projektohet dështimi dhe nënvlerësimi i një ministrie kyçe për shtetin. Reforma nuk mund të fillojë mbrapsht!”.

  • Hoxha: Kurti ka qenë kundër Republikës së Kosovës

    Hoxha: Kurti ka qenë kundër Republikës së Kosovës

    Ish deputetja e PDK-së Eliza Hoxha, ka folur për zhvillimet politike në vend.

    Ajo deklaroi në DPT te Fidani se Albin Kurti, është kryeministër pa Kuvend.

    Sipas saj, llogaridhënia është zero.

    Ndër të tjera, Hoxha theksoi se Kurti ka qenë kundër Kushtetutës dhe Republikës së Kosovës, qysh kur është shpallur.

    “Dhe është munduar në forma të ndryshme që ta cenoj atë nga jashtë. Sot kur është nga brenda, mundohet ta vë në pikë pyetje”, u shpreh ish-deputetja e PDK-së Eliza Hoxha në Klan Kosova.

  • Tahiri nga Haga: E takova Presidentin po aq të fortë sa në çdo vizitë tjetër

    Tahiri nga Haga: E takova Presidentin po aq të fortë sa në çdo vizitë tjetër

    Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës, shkruan se që nga koha kur ish-presidenti Thaçi me shokë ndodhen në paraburgim, vizitat e tij “kanë qenë të shpeshta dhe shpesh të mbushura me emocione të forta”.

    Ai njofton se ka qenë në Hagë, nga ku shkruan:

    Sot, në Hagë, e takova Presidentin po aq të fortë sa në çdo vizitë tjetër. Ai po e përballon këtë padrejtësi me një ndjenjë të thellë krenarie, e cila mban gjallë shpirtin e popullit të Kosovës, një krenari që buron nga lufta për liri.

    Presidenti dhe shokët e tij janë shtylla të palëkundura, mbi të cilat qëndrojnë fort shteti dhe liria jonë.

    Uroj që kjo të ketë qenë vizita ime e fundit në këtë vend dhe që shumë shpejt të takohemi në liri, në Kosovën për të cilën ai dha gjithçka.

    Presidenti ju dërgon të fala nga Haga!

  • “Puna 80 euro u faturua 400”, MPB akuzohet për dëm mbi 500 mijë euro në tenderin që fitoi kompania e afërt me VV-në

    “Puna 80 euro u faturua 400”, MPB akuzohet për dëm mbi 500 mijë euro në tenderin që fitoi kompania e afërt me VV-në

    Ministrisë së Punëve të Brendshme i kanë dalë telashe në tenderin për “Ri-adaptimet e hapësirave në ndërtesat qeveritare”. Kontrata iu dha kompanive “Hexagon” dhe “Eing”, kjo e fundit njihet për tenderët e shumtë që ka marrë nga pushteti i VV-së. Ndërkohë, dy kompani pjesëmarrëse janë ankuar në Gjykatën e Tenderëve, duke pretenduar shkelje të ligjit dhe favorizim.

    Më 10.02.2026, MPB ka rekomanduar për kontratë “HEXAGON CONSTRUCTION & EING COM”. Vlera e kontratës për njësi ishte 8 mijë e 745 euro.

    Në garë ishin edhe pesë kompani të tjera; njëra nga to kishte ofertuar me çmim shumë më të lirë: 449 euro për njësi, por u eliminua nën arsyetimin se oferta është jo-normalisht e ulët, shkruan Insajderi.

    Dyshime për mbi 500 mijë euro dëm

    Dy kompani kanë deponuar ankesë në Gjykatën e Tenderëve ndaj vendimit të MPB-së për të shpërblyer me kontratë kompanitë “Hexagon Construction sh.p.k.” dhe “Eing sh.p.k.”.

    Sipas një ankese, oferta fituese përmban çmime dukshëm më të larta se çmimet reale të tregut në Kosovë, duke rrezikuar buxhetin. Aty pretendohet se dëmi i mundshëm financiar mund të kalojë mbi 500 mijë euro, shkruan Insajderi.

    “ Në shumë pozicione çmimet janë të dhjetëfishuara krahasuar me çmimet reale të tregut në Kosovë”, thuhet në ankesë, ku theksohet se një praktikë e tillë bie ndesh me parimin e ekonomicitetit dhe vlerësimit të ofertës më të favorshme“.

    Ankesa rendit një sërë shembujsh konkretë të dallimeve drastike të çmimeve.

    Për shembull, demolimi i laminatit është ofertuar me 10 euro për metër, ndërkohë që çmimi real në treg është rreth 1 euro.

    Po ashtu, demolimi i dyerve është ofertuar me 50 euro për njësi, ndërsa në treg kushton vetëm 10 deri në 15 euro. Dallime të mëdha vërehen edhe në punimet e brendshme.

    Demolimi i tepisonit është ofertuar me 12.25 euro për metër, krahasuar me 1.5 deri në 2 euro në treg, ndërsa furnizimi dhe montimi i tepihut është ofruar me 40 euro për metër, ndonëse çmimi real sillet rreth 15 deri në 20 euro.

    Një tjetër shembull është montimi i plafonit të lëshuar, i cili është ofertuar me 40 euro për metër, ndërsa kostoja reale totale në treg nuk e kalon 10 euro. Edhe suvatimi është ofertuar me 20 euro për metër, krahasuar me rreth 5 euro në treg.

    Në ankesë përmenden edhe çmime të fryra për pajisje dhe instalime elektrike.

    Po ashtu, një rast i theksuar është ai i montimit dhe demontimit të kondicionerëve, ku për një njësi janë ofertuar gjithsej 400 euro, ndërsa çmimi real në treg është rreth 80 deri në 90 euro.

    Përveç çmimeve të larta, dokumenti ngre dyshime edhe për mospërputhje logjike në ofertë, si në rastin e dyerve, ku dimensionet më të vogla janë ofertuar më shtrenjtë se ato më të mëdha.

    “Jemi diskriminuar, edhe pse i kemi plotësuar të gjitha kërkesat e tenderit”, thuhet në ankesë.

    Ankesa tjetër e një kompanie thotë po ashtu se MPB, kompanitë që tash i shpalli fituese, fillimisht i kishte eliminuar për shkak të çmimeve dukshëm më të larta në 57 pozicione krahasuar me tregun.

    “Megjithatë, pas vendimit të OSHP-së për rivlerësim të procedurës, AK ka ndryshuar qëndrimin dhe e ka rekomanduar të njëjtën kompani për kontratë, pa prezantuar prova të reja ose analiza të tregut”.

    Gjithashtu, vihen në dyshim edhe certifikatat për Siguri dhe Shëndet në Punë të punonjësve të kompanisë fituese.

    Në këtë kontekst, ankesa ngre dyshime edhe për favorizim.

    Lidhja e kompanisë fituese Eing Com me pushtetin

    Kompania fituese e këtij tenderi Eing Com, është në pronësi të Eljesah Podvorica person i afërt me pushtetin.

    Eljesah Podvorica, jo rrallë herë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në vitin 2021, deputeti i LVV-së, Sali Zyba dhe pronari, Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë.

    Dyshja shihen në një fotografi në shoqëri edhe të disa personave për rreth.

    Podvorica, gjithashtu në vitin 2019 ishte parë në shoqërinë e ish-deputetit të VV-së, Nijazi Isakut

    Kjo kompani ka fituar miliona nga tenderët që ka marrë vazhdimisht në Komunën e Podujevës që udhëhiqet nga LVV ./Insajderi.org/

  • Ministri i Jashtëm i Ukrainës thirrje udhëheqësve të BE-së: Shtoni presionin ndaj Rusisë

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës thirrje udhëheqësve të BE-së: Shtoni presionin ndaj Rusisë

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që të rrisin ndjeshëm presionin mbi Rusinë. Ai më tej paralajmëroi se çmimet në rritje të energjisë të nxitura nga lufta e Iranit dhe përshkallëzimi më i gjerë në Lindjen e Mesme mund të rrisin rrezikun e përshkallëzimit të agresionit rus në Evropë.

    “Anijet cisternë të flotës ruse në hije jo vetëm që duhet të ndalohen, por edhe të sekuestrohen”, tha Sybiha.

    Sipas tij sanksionet individuale duhet të zgjerohen dhe se është gjithashtu koha për të vendosur ndalime hyrjeje në të gjithë BE-në për luftëtarët rusë.

    Sybiha iu referua paketës së 20-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, e cila mbetet e bllokuar nga Hungaria.

    “Paketa e 20-të e sanksioneve të BE-së duhet të miratohet pa vonesë dhe çdo shantazh nga shtete anëtare të veçanta për çështje të palidhura duhet të ndalet me veprime vendimtare”, tha Sybiha.

    Ai shtoi se sanksionet kundër Rusisë kanë të bëjnë me më shumë sesa thjesht me mbështetjen e Ukrainës ose shprehjen e solidaritetit me ukrainasit.

    “E njëjta gjë vlen edhe për kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, këto para nuk janë bamirësi; këto janë një investim në kundërshtimin e agresionit rus dhe ruajtjen e paqes në Evropë”, shtoi ai.

  • Shqipëria i reagon Serbisë për stërvitjen në Bujanoc, ministri i Mbrojtjes: Sigurinë e territoreve shqiptare e garanton NATO-ja

    Shqipëria i reagon Serbisë për stërvitjen në Bujanoc, ministri i Mbrojtjes: Sigurinë e territoreve shqiptare e garanton NATO-ja

    Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi në Shqipëri, foli pas mbledhjes së Qeverisë atje në lidhje me vendimet e marra në kuadrin ushtarako-strategjik, ku vuri theksin tek plotësimi i kritereve të NATO-s mbi të ardhurat, shpenzimet dhe nivelin e pagave të ushtrisë.

    Ai u pyet edhe mbi stërvitjen që po bën Serbia ushtarakisht pranë territorit të Kosovës, por dhe deklaratat e Beogradit mbi marrëveshjen ushtarake dhe aleancën Shqipëri-Kosovë-Kroaci.

    Nufi shpjegoi para gazetarëve se siguria e territoreve shqiptare, përfshi edhe Kosovën, është e garantuar nga ana e NATO-s, pjesë e të cilës është edhe Shqipëria dhe të gjitha veprimet e saj strategjike dhe ushtarake bëhen në kuadër të angazhimeve me Aleancën.

    “Republika e Serbisë mitingon të gjitha rreziqet që pretendon, për problemet e veta që ka, në përputhje me dokumentet e veta strategjike, dhe ato ushtarake, kurse Republika e Shqipërisë nga ana e saj, të gjitha politikat e sigurisë i ka në kuadër të aleancës së NATO-s, dhe aleanca e NATO-s është aleanca më e fortë në botë dhe ndaj shqiptarët duhet të jenë të sigurtë se e gjitha doktrina jonë, e gjithë përgatitja e forcave të armatosura është në përputhje me NATO-n. Dhe në këtë pikë siguria e territoreve shqiptare dhe e Kosovës është e siguruar për sa kohë aty është aleanca dhe garantohen nga NATO”, u shpreh ai.

    Dhe më tej shtoi se perceptimet që bëhen në këtë kuadër dhe deklaratat nuk shihen jashtë angazhimeve që Shqipëria ka si pjesë e NATO-s.

    “Rrjedhimisht shqetësimet që perceptohen nëpërmjet mediave apo komunikimeve dhe reagimeve, për republikën e Shqipërisë përkthehen gjithmonë në përputhje, koordinim e qasje me aleancën dhe partnerët dhe neve na bën të sigurtë për sa kohë përmbushin angazhimet dhe detyrat tona që kemi marrë si angazhim për përmbushje bashkë me NATO-n”, përfundoi ministri fjalën e tij.

  • Prokuroria autorizon Policinë që të hetojë përgjegjësit në QPS ose ata në komunë për rastin e 5-vjeçarit

    Prokuroria autorizon Policinë që të hetojë përgjegjësit në QPS ose ata në komunë për rastin e 5-vjeçarit

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar, se ka lëshuar autorizime shtesë lidhur me rastin e keqtrajtimit të fëmijës 5-vjeçar në Lipjan.

    Në njoftimin e Prokurorisë, bëhet e ditur se Policia e Kosovës është autorizuar për ndërmarrjen e veprimeve shtesë lidhur me këtë rast.

    ‘’Qëllimi i këtij autorizimi lidhet me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për të identifikuar përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, apo zyrtarëve tjerë kompetent të kësaj komune, që kanë pasur kontribut direkt apo indirekt në shkaktimin e pasojave në këtë çështje konkrete’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

  • Kryediplomatja e BE-së: Na duhet një dalje nga kjo luftë

    Kryediplomatja e BE-së: Na duhet një dalje nga kjo luftë

    Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka deklaruar se Lindja e Mesme ka nevojë për përfundimin e luftës dhe jo për përshkallëzim, mes sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

    “Është e qartë se na duhet një dalje nga kjo luftë, jo përshkallëzim”, tha Kallas teksa liderët e BE-së po mblidhen në Bruksel. Ajo dënoi sulmet e Iranit ndaj infrastrukturës energjetike të Katarit, duke theksuar se ato “krijojnë kaos të mëtejshëm”.

    Kallas gjithashtu përsëriti nevojën për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën, duke theksuar se ajo është e lidhur me luftën në Lindjen e Mesme. “Rusia po përfiton nga lufta në Lindjen e Mesme, prandaj përfundimi i kësaj lufte është po aq i rëndësishëm për të gjetur një zgjidhje edhe për Ukrainën”, shtoi ajo.

    Kallas gjithashtu theksoi se vendet anëtare nuk kanë dëshirë të zgjerojnë operacionin Aspides në Ngushticën e Hormuzit. “Ministrat thanë se nuk jemi konsultuar. Disa madje thanë se kemi tentuar t’i bindim palët që të mos e nisin këtë luftë dhe nuk e dimë cilat janë objektivat e saj”, tha ajo.

    Kryediplomatja e BE-së tha se nuk ka bazë në të drejtën ndërkombëtare nëse merret parasysh përdorimi i forcës. “Vendet anëtare nuk kanë dëshirë të përfshihen në këtë luftë”, shtoi ajo.