ATV

Category: Lajme

  • Rritet në 19 numri i të lënduarve nga protesta e 28 Nëntorit në Tiranë, mes tyre policë e gazetarë

    Rritet në 19 numri i të lënduarve nga protesta e 28 Nëntorit në Tiranë, mes tyre policë e gazetarë

    Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Shqipëri ka bërë të ditur se 19 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas lëndimeve të marra gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë.

    Sipas të dhënave paraprake të strukturave spitalore, deri në orën 15:15, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 17 persona të lënduar.

    Prej tyre, pesë janë efektivë policie, katër përfaqësues të mediave, përfshirë një shtetase të huaj, si dhe tetë protestues.

    Ministria ka bërë të ditur se të gjithë personat e paraqitur në këtë spital janë në gjendje shëndetësore stabile.

    Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë kërkuar ndihmë edhe dy persona të tjerë, një efektiv policie dhe një protestues.

    Në total, sipas njoftimit zyrtar, 19 persona kanë marrë ndihmë mjekësore në dy institucionet shëndetësore si pasojë e protestës në kryeqytetin shqiptar.

  • Mitrovica i jep lamtumirën e fundit intelektualit Adem Ademi

    Mitrovica i jep lamtumirën e fundit intelektualit Adem Ademi

    Mitrovica i ka dhënë sot, më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit, lamtumirën e fundit doktor Adem Ademit, në kuadër të ceremonisë së rivarrimit dhe aktiviteteve përkujtimore të mbajtura në nderim të jetës dhe veprës së tij.

    Homazhet për nder të tij janë zhvilluar në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ndërsa me intonimin e himnit kombëtar është mbajtur edhe mbledhja komemorative, ku u evokua kontributi i tij si intelektual, atdhetar dhe humanist.

    Për ndarjen e tij dhe dhimbjen e 27 viteve pritje ka reaguar edhe kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, përmes një postimi:

    “Lamtumirë, doktor Adem Ademi! Dr. Adem Ademi ishte një prej figurave që personifikonte intelektualin, atdhetarin dhe humanistin. Ai shëroi e mbylli shumë plagë, por për 27 vite la të hapur plagën e tij, për familjen, Mitrovicën dhe gjithë Kosovën! Sot me 28 Nëntor, lamtumirë doktor!”

    Kujtojmë se në fillim të nëntorit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi se doktori Adem Ademi ishte identifikuar në mesin e personave pjesë të Grupit të Intelektualëve. Pas këtij njoftimi, familjarët e tij u shprehën se identifikimi shënonte një moment tepër të rëndësishëm për ta, pas 27 vitesh pritje.

  • ”Si një ekip i vetëm”: KFOR uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë

    ”Si një ekip i vetëm”: KFOR uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë

    Aleatët kanë uruar Shqipërinë me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke shprehur krenarinë për shërbimin dhe qëndrimin krah për krah me ushtarët shqiptarë, raporton Gazeta Sinjali.

    Në mesazhin urues të shoqëruar me flamurin kuqezi, theksohet uniteti dhe bashkëpunimi i ngushtë: “As one team. Proud to serve and stand alongside our Albanian Allies as they celebrate their National Day.”

    Postimi përmbyllet me urimin e veçantë në shqip e anglisht: “Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëri! Happy National Day to our Albanian soldiers!”

  • Gjini uron 28 Nëntorin nga Prekazi: Lavdi të rënëve dhe gëzuar përjetë kombit tonë

    Gjini uron 28 Nëntorin nga Prekazi: Lavdi të rënëve dhe gëzuar përjetë kombit tonë

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka uruar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, nga Prekazi legjendar.

    Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Gjini ka theksuar se urimi nga ky vend historik merr një domethënie të veçantë.

    “Nga zemra e qëndresës, Prekazi legjendar, urimi merr kuptimin e tij më të plotë”, ka shkruar Gjini.

    Ai u ka përcjellë urimet për festën të gjithë shqiptarëve, si në trojet shqiptare, ashtu edhe atyre që jetojnë në mbarë botën.

    “Të gjithë shqiptarëve kudo në trojet tona dhe në mbarë botën: Gëzuar 28 Nëntorin, festën tonë më të madhe dhe të shumëfishtë!”, ka shkruar ai.

  • “Rexhep Selimi u bë zëri i shqiptarëve që po luftonin për liri”, Shqipe Selimi kujton 28 Nëntorin nga Haga

    “Rexhep Selimi u bë zëri i shqiptarëve që po luftonin për liri”, Shqipe Selimi kujton 28 Nëntorin nga Haga

    Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e ish-komandantit të UÇK-së, Rexhep Selimi, ka kujtuar 28 Nëntorin dhe 29-vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e lidhur këtë datë me kontributin e bashkëshortit të saj në luftën për liri.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo ka rikujtuar momentin historik kur, së bashku me heroin e Kosovës Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinajn, Rexhep Selimi u bë zëri i shqiptarëve që po luftonin kundër regjimit serb.

    Ajo ka shkruar se këtë përvjetor po e kujton me krenari nga Haga, ku bashkëshorti i saj po mbahet në paraburgim në kuadër të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, transmeton Telegrafi.

    Në mesazhin e saj, Selimi ka përkujtuar edhe figurat historike shqiptare Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Adem Jashari, duke theksuar rëndësinë e 28 Nëntorit për historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.

    “Rroftë 28 Nëntori! Rroftë UÇK-ja! Rroftë kombi shqiptar!”, ka përfunduar ajo urimin e saj./Telegrafi/

  • Shiroka-Pula dhe Kurti krah Begajt e Ramës në ngritjen e flamurit në Vlorë

    Shiroka-Pula dhe Kurti krah Begajt e Ramës në ngritjen e flamurit në Vlorë

    Krerët shtetërorë të Kosovës dhe Shqipërisë janë bërë bashkë në Vlorë për kremtimin e 28 Nëntorit.

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, dhe kryeministri Albin Kurti kanë marrë pjesë në ceremoninë solemne të ngritjes së Flamurit Kombëtar, me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

    Ata janë shfaqur përkrah presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrit Edi Rama.

    Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, dhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini.

    Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke shënuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.

  • A mund t’i bëhet gjyq parasë?

    A mund t’i bëhet gjyq parasë?

    NGA BEN ANDONI

    Shkrimi i një vepre korale në letërsi, siç është romani, përballet me një vështirësi organike që lidhet me strukturën e librit dhe pastaj plazmimin e idesë. Ata që e shkruajnë rregullisht letërsinë i besojnë shqisës së shkrimtarisë dhe sintezës nga përfytyrimi i të përgjithshmes. Ndërsa një pjesë fare e thukët që kanë formim shkencor shoqërohen me një pengesë të madhe, e cila rrjedh nga kufizimet që u dikton formimi i tyre. Ca më shumë, në rast se flitet për një nocion abstrakt si paraja, vështirësia rritet edhe më tej, sepse vetë financat janë abstrakte, disa herë t’lidhura me leksik të vështirë dhe brenda të gjithës kemi një lloj mekanike ekonomike.

    Aty parakalon përfytyrimi mbi dinamikën e tregut, ligjet bazë të ofertës dhe kërkesës, formimi i çmimeve, qarkullimi i parasë dhe deri te balancimi automatik i tregut pa ndërhyrjen e jashtme. Dikush që nuk e ka këtë formim, nëse do t’i drejtohej parasë, me gjasë do ta trajtonte në formë shumë të huaj, ndërkohë që studiuesi i ekonomisë dhe pedagogu Adrian Civici, përshkoi qetësisht një udhë tjetër. Romani i tij me emrin “Gjyqi i parasë”, botuar dhe redaktuar cilësisht nga ekipi i Mediaprint, arriti t’ia dalë mbi esenë dhe t’i kërkojë ndihmë letërsisë që abstraksionin ekonomiko-kulturor ta përcjelli me kanone letrare. Duket që është e konceptuar fillimisht si ese dhe për shkruesin e këtyre rreshtave do të duhej mbase të mbetej e tillë, pasi ka intensitet të madh mendimi, përsiatje dhe elementë që njeriu do t’i përthithë brenda kanoneve të esesë.

    Veçse, mendimi i autorit duket se ka dashur ta zbusë dhe ta lehtësojë lexuesin e shekullit XXI. Sprovat e tjera mbase duhet të jenë të një zhanri letrar të përzier me peshë esenë, sepse sot i mungon publikut ky lloj mendimi dhe mbi të gjitha abstragimet, mendimet dhe simbolikat nga ekonomia me vetë abstraktin para. Befas, esse-ja e tij i është dorëzuar letërsisë. Sprova është e vështirë, por mendoj që autori e ka mbajtur kadencën brenda rregullave të letërsisë dhe në kompozicionin e tij përballemi me dy plane rrëfimi, ai që lidhet me Mateon, si personazh kryesor dhe që përfshin brenda edhe një nënplan me përsiatjen eseistike-filozofike të autorit për paranë dhe planin e dytë, atë gati surreal që lidhet me Gjyqin e Parasë. Kjo qasje është edhe ajo që ruan ritmin e autorit, brenda kompozicionit. Në Gjyqin e Parasë personazhet janë të paidentifikueshëm dhe të sjellin ndërmend deridiku konceptin e Providencës që është futur si element në një nga ekranizimet e para franceze të Don Zhuanit. Personazhet e autorit që ndihmojnë dinamikën e librit, janë dy qendrorë, Mateo dhe Erina, që duket se shpesh bëjnë me njëri-tjetrin rolet e Faustit dhe Mefistofelin, kurse të tjerët thjeshtë ndihmës që të kuptojmë me një lloj rikthimi pas Mateon, duke e shndërruar si boshtin. Me një sens mase të mirë, autori e mban ritmin e romanit me anë të numrave, kur në libër paraqitet minutazhi i kredisë dhe luhatjet e ndryshme që lidhen me paranë. Trokitja në formë pulsimi e numrave në ekran të kërkon vëmendje.

    E, sërish, nëse do e linte kështu librin e tij do të ishte shumë grihnajë, ndaj autori për të lehtësuar vëmendjen e lexuesit dhe mbase dhe për t’i argëtuar bashkë me veten (shenjë që e menaxhon subjektin) i shkëputet jo pak herë përballjeve të ashpra me një kategori si paraja dhe bën përshkrime, si për ta na treguar se është familjar me letërsinë. Ndërkohë që mendime të ndryshme, shprehur sistematikisht për bashkëkohësinë në qytetin tonë, na e sjellin romanin dhe e shndërrojnë gati në një histori të Shqipërisë dhe veçanërisht kryeqytetit, të parë nga personazhi i tij, njeri i financave dhe në funksion të parasë. Vertikaliteti i qytetit me kullat shkon me këtë përsiatje disi cinike dhe përball paranë që ka pushtet të epërm, një lloj shemrie që njeriu duket se i bëri dikur vetes me sfidën e Babelit. Autori ka lënë një rrjedhë për respektin e ndaj intelektualit, njeriut dhe idealistit. Tek e fundit, është ai, si personazhi i tij, i cili mendon ta dënojë paranë.

    “Intelektuali i pavarur u bë thjesht një bezdi për partitë, ndërsa deputeti i bindur falte qetësi, nuk prishte punvetëm dëgjonin…”. Ndërkohë që rrjeti i personazheve dhe tensioni maturohet, duket se ndenja e pezulit (suspansës) duhej të administrohej edhe pak më mirë, në mënyrë që vëmendja të ishte më e adresuar. Autori megjithatë i ndërgjegjshëm për peshën e romanit, i vendos personazhet dhe situata e tij në shumë aspekte, si dasma, por edhe në vende të ndryshme për të dhënë sa më të plotë peizazhin social përballë dhe si funksion i parasë.

    Autori është i kujdesshëm që ta përshkoj lehtë fillimin (ekspozicioni), pastaj ngjitjen e kureshtjes për pikën e kthesës dhe me kujdes shkon te klimaksi i tij, i cili mbase mund të zgjidhej pak më ashpër, derisa e përçon tek zgjidhja. Kapitujt janë menduar të jenë të shkurtër dhe intermexot e maturuara që futen me gjyqin e parasë e bëjnë romanin ta kalosh lehtësisht nga gjendja në gjendje për të mbajtur vetë një pezull. Për të cilin autori e bën instinktivisht, por mbase edhe e ka si qëllim. Në fakt, është një handikap instiktiv që i ndodh autorit, sepse lexuesi i tij tërhiqet më shumë me mendimet e tij që duhen vlerësuar për sinteza vërtetë të thella. Ato jo vetëm të grishin por të kërkojnë të përfshihesh me të. Por, vjen “kthjellimi”.

    Këtë e bën Gjyqi, i cili mban peshën e romanit, e disa herë bëhet gati sublim: “Paraja ishte përkulur mbi fronin e saj pa formë. Shkëlqimi i dikurshëm dukej i venitur. Nuk ngjante më me një perëndeshë fitimtare, por me një hyjni të lashtë që, pas një kohe pafundme adhurimi, kishte dëgjuar më në fund një të vërtete që nuk mund ta blinte”. Nëse do të hiqen disa elementë identifikues, si lokacioni i Tiranës dhe peizazhi i saj, romani mund të përfshinte çdo metropol tjetër, por autorit i intereson qyteti i tij dhe në një formë edhe mesazhi i tij për shkatërrimin dhe metamorfozën. Shkaktari është aty, pa gjini, pa shprehje pa formë: “Paraja nuk ka erë”. Mbase vërtetë nuk ka erë për ata që e numërojnë, por për ata që jetojnë nën peshën e saj, ajo lë gjithmonë një aromë. I ngjan asaj që lëshojnë disa kafshë dhe të kapin në grackën e tyre, mu në atë shfaqje që pavetëdija dorëzohet e bindur. E këtë rast autori në materien e tij të studiuesit i kushtohet qenieve humane dhe madje në një fushë tejet të spikatur, siç është socioekonomia në vetvete dhe që i ka kushtuar vitet e mëdha të punës në historinë e ekonomisë, ku modelet klasike e shohin ekonominë si një sistem mekanik (ngjashëm me fizikën), ku çdo veprim sjell një reagim të parashikueshëm. Dhe, një njeri i shkencës, e përshtat deri në qasjen reale, duke treguar metamorfozën e njeriut sot: “Njeriu nuk thyhet menjëherë. Nis me një kompromis të vogël. Një heshtje. Një justifikim, pastaj një tjetër… dhe një tjetër… derisa një ditë nuk jeton më sipas vetes, por sipas gravitetit të sistemit”.

    Historitë e parave, zakonisht në letërsi, shpesh mbështeten në trope si të sfilitura: Njerëzit e parave janë të panginjur, zemërftohtë apo në forma patetike, një fisnik i varfër që po vuan. Autori ynë e braktis këtë udhë dhe shkon në nuanca psikologjike dhe, madje në këtë grihnajë të padukshme të parasë bën një nëpunës që ka përmasa humane. “Dikur njerëzit plakeshin duke folur për fatin, për Zotin, për dashurinë. Ndërsa sot, duke parë interesat e kredive dhe çmimet e apartamenteve”. Autori nuk e bën paranë “rrënjën e të gjitha të këqijave” por një perëndi që ka pamjen e Janusit, që arrin të çlirojë por edhe korruptojë, apo të zgjidhë një problem dhe të hapë një tjetër. Njeriu që përballet me të, shpesh mund të mbetet si ai “Aktori më tragjik që është gjithmonë ai që vazhdon ta luajë rolin me ndershmëri”, thotë diku.

    Fare normal vjen momenti i fundit dhe Verdikti i Gjykatës që kumton një realitet të hidhur, sipas të cilit nuk po gjykohet Paraja, por marrëdhënia jonë me të. Dhe, tek paraja, ai bën një sintezë për kohën ku jetojmë, dorëzimin e intelektualit, makthin për fitimin: “Fajtore është padituria, është heshtja, turpi nga mungesa, lakmia e lindur nga frika”. Këtu lexuesi duhet të ndalet dhe të kthejë sytë nga leximi i tij. Autori ka bërë jo thjesht një punë të mirë, por sfiduese sa i përket artit të letërsisë dhe kjo e bën që të marrë vlerësime por mbi të gjitha të mbetet. A nuk është kjo vallë, dëshira e një njeriu që shkruan?

  • Osmani uron 28 Nëntorin: Katër data historike, një krenari kombëtare

    Osmani uron 28 Nëntorin: Katër data historike, një krenari kombëtare

    Ish-presidentja e Kosovës dhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka uruar 28 Nëntorin, duke rikujtuar rëndësinë e katër datave historike që shënojnë historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.

    Përmes një mesazhi në këtë ditë feste, Osmani ka përmendur Ditën e Flamurit, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, lindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Ajo ka theksuar se historia shqiptare është ndërtuar përmes sakrificës, guximit dhe përkushtimit ndër breza, duke përmendur Krujën e Skënderbeut, Vlorën e Pavarësisë dhe Prekazin e familjes Jashari.

    “Dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër!”, ka shkruar Osmani në mesazhin e saj, duke e përmbyllur urimin me fjalët: “Gëzuar 28 Nëntorin!”.

  • Hoxhaj: Festa e 28 Nëntorit mbetet e paplotë derisa çlirimtarët të kthehen të lirë në shtëpi

    Hoxhaj: Festa e 28 Nëntorit mbetet e paplotë derisa çlirimtarët të kthehen të lirë në shtëpi

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka uruar shqiptarët për 28 Nëntorin, duke publikuar në Facebook videon e daljes së parë publike të UÇK-së, 29 vjet më parë.

    Në mesazhin e tij, Hoxhaj ka lidhur Pavarësinë e Shqipërisë, ditëlindjen e Adem Jasharit dhe daljen publike të UÇK-së me historinë e sakrificës për liri.

    “28 Nëntori është dita kur historia jonë bashkon flamurin me lirinë. Nga Vlora e pavarësisë te Prekazi i qëndresës, nga lindja e Adem Jasharit te dalja e parë publike e UÇK-së, 29 vjet më parë”, ka shkruar Hoxhaj.

    Ai ka theksuar se për shqiptarët kjo ditë është “betim për ta ruajtur atë që brezat e fituan me sakrificë”, ndërsa ka kujtuar edhe ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.

    “Sot, krenarisë i bashkohet edhe malli për ata që na mungojnë. Hashimi, Kadriu, Rexhepi e Jakupi e presin edhe këtë festë në Hagë, larg familjeve dhe Kosovës, për lirinë e së cilës dhanë gjithçka”, ka shkruar ai.

    Hoxhaj e ka përmbyllur urimin me mesazhin se festa mbetet e paplotë pa kthimin e tyre.

    “Urime 28 Nëntori, shqiptarë! Festa na bashkon, por mbetet e paplotë derisa çlirimtarët të kthehen të lirë në shtëpi”, ka përfunduar Hoxhaj.

  • Çitaku nga Prekazi: Lufta për liri nuk është krim, Kosova e pavarur është kryevepra e Adem Jasharit

    Çitaku nga Prekazi: Lufta për liri nuk është krim, Kosova e pavarur është kryevepra e Adem Jasharit

    Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, së bashku me kryesinë e partisë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nderim të dëshmorëve, në Ditën e Flamurit, raporton Ekonomia Online.

    Pas homazheve, Çitaku para mediave ka uruar 28 Nëntorin për të gjithë shqiptarët, duke thënë se kjo datë përfaqëson një festë të shumëfishtë për kombin shqiptar.

    Ajo ka theksuar se Prekazi, Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë themelet e lirisë së Kosovës, ndërsa shtetin e pavarur e ka cilësuar si kryeveprën e komandantit legjendar.

    “Nga Prekazi legjendar u uroj 28 nëntorin të gjithë shqiptarëve kudo që janë. 28 nëntori është festë e shumëfishtë. Është dita e flamurit, dita e Shqipërisë, e pavarësisë së Shqipërisë, dalja e parë publike e ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindja e komandantit legjendar. Sa herë që kemi nevojë për energji, për frymëzim, rrugët na sjellin në Prekaz. Prekazi, Adem Jashari, UÇK-ja janë themelet e lirisë sonë. Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane është kryevepra e komandantit legjendar Adem Jashari. Lufta për liri përfaqëson shkallën më të lartë të vetëdijes. Lufta për liri nuk është krim. Shteti i pavarur i Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale. Edhe sot u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të rrinë të bashkuar, edhe më të bashkuar se sa që janë, në mbrojtje të vlerave më sublime që i kemi krijuar si komb. Edhe njëherë, urime 28 nëntori!”, tha ajo.