ATV

Rasti me 400 kg drogë nga Brazili, dënohen me 75 vjet burg pesë të akuzuarit

Written by

in

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj pesë të akuzuarve për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, duke i dënuar (së bashku) me 75 vjet burgim dhe 108 mijë euro gjobë.

Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni.

Të akuzuarit u shpallën fajtorë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”

Sipas vendimit, i akuzuari Kadri Sheqiri u dënua me 15 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, Kadri Brahimi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, Faton Vrajolli me 20 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë, Fehmi Bytyqi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Kurse, Izet Sheqiri u dënua me 20 vjet burgim dhe 60 mijë euro gjobë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe 3 mijë euro për “Armëmbajtje pa leje”. Gjithsej, 63 mijë euro gjobë.

Të akuzuarve Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi iu caktohet masa e paraburgimi, ndërkaq të tjerëve iu vazhdohet kjo masë deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Në dënimin me burgim, të akuzuarve iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak./Betimi për Drejtësi

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *