ATV

Category: Lajme

  • Lufta me Iranin dominon samitin e BE-së në Bruksel

    Lufta me Iranin dominon samitin e BE-së në Bruksel

    Në samitin e parë të rregullt të BE-së për këtë vit, vëmendja përqendrohet tek lufta në Iran. Pyetja kryesore: si mund të përfundojë lufta – dhe a duhet të ndërhyjë BE apo jo?

    Samiti i BE ishte menduar fillimisht të përqendrohej në konkurrueshmërinë e Evropës e si ta përgatisim BE për të ardhmen.

    Por tani kur çmimet e energjisë po rriten ndjeshëm vëmendja i kushtohet një lufte që zhvillohet 5,000 kilometra larg e që përcakton të enjten (19.03.) samitin e BE.

    Pasojat e luftës së Iranit po ndihen edhe në Bruksel.

    Në deklaratën e tij qeveritare, kancelari Friedrich Merz bëri thirrje për një përfundim të shpejtë të luftës.

    Por si? Kush ka më qasje te presidenti amerikan, Donald Trump tani që ai ndihet i braktisur nga evropianët?

    Trump e quajti shokuese mungesën e mbështetjes për luftën e tij kundër Iranit, duke thënë se kjo nuk do të harrohet.

    Efektet e luftës të ndjeshme në BE

    Krerët e shteteve dhe qeverive evropiane janë të zënë në një dilemë: nga njëra anë, ata duan që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe nga ana tjetër, duan të përfshihen në të sa më pak të jetë e mundur.

    Në takimin e parë të krerëve të shteteve dhe qeverive që nga fillimi i Luftës Iran-Irak shtrohet pyetja: A do të flasin të gjithë me një zë dhe do të jenë për vetëpërmbajtje, apo do të ketë disa vende të gatshme të marrin pjesë në hapjen e Ngushticës së Hormuzit?

    Efektet ndikojnë pothuajse në të gjitha vendet e BE-së. Çfarë mund të bëhet në lidhje me çmimet e larta të energjisë? A duhet që kompanitë e naftës t’i nënshtrohen një takse mbi fitimin? Dhe cili është rreziku që paraqesin refugjatët nga rajoni? Këto janë të gjitha tema për diskutimet në samit.

    Ukraina pret ndihma në miliarda

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky merr pjesë në takim nëpërmjet lidhjes me video dhe do t’u kujtojë krerëve të shteteve dhe qeverive se sulmet kundër vendit të tij vazhdojnë të pandërprera.

    Ukraina ka nevojë urgjente për para për jetën e përditshme dhe për të organizuar mbrojtjen.

    BE-ja kishte premtuar 90 miliardë euro kredi. Hungaria ka bllokuar shpërndarjen.Viktor Orbán, i cili njihet për qëndrimin e tij pro-rus, përballet me zgjedhje në vend; ndryshimi i qëndrimit të tij nuk do të jetë i lehtë.

    Lajm i mirë nga ekonomia

    Bashkimi Evropian ndodhet mes dy luftërave e vështirë të gjesh ndonjë lajm pozitiv në një klimë të tillë.

    Por një lajm i tillë vjen, pikërisht nga sektori i biznesit.

    Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen prezantoi rregullat e thjeshtuara për startup-et në BE pikërisht në kohë.

    Çdo sipërmarrës mund të krijojë një kompani brenda 48 orëve, nga kudo në BE, dhe për më pak se 100 euro, deklaroi ajo në Bruksel.

    Të dhënat do të ruhen një herë dhe do të transferohen në të gjitha shtetet anëtare, shkruan DW.

    Pavarësisht shumë temave në agjendë, organizatori, Presidenti i Këshillit Antonio Costas, në letrën e tij të ftesës prej dy faqesh pret që samiti të përfundojë brenda një dite. Nëse kjo nuk ndodh, krerët e shteteve dhe qeverive në BE i pret një natë shumë e gjatë.

  • Vitia flet për gjendjen e 5-vjeçarit në Lipjan: Është më mirë, ka filluar edhe komunikimin

    Vitia flet për gjendjen e 5-vjeçarit në Lipjan: Është më mirë, ka filluar edhe komunikimin

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se gjendja shëndetësore e vogëlushit pesëvjeçar është stabile dhe në përmirësim, pas ndërhyrjes kirurgjike që iu bë për shkak të plagëve të rënda, ndërsa sfidë mbetet trajtimi i traumës psikosociale dhe sigurimi i një ambienti të shëndoshë për të, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka bërë të ditur se i gjithë sistemi shëndetësor është alarmuar menjëherë pas rastit dhe se profesionistët në Klinikën e Pediatrisë kanë dhënë maksimumin për trajtimin e fëmijës.

    “I gjithë sistemi shëndetësor, sidomos profesionistët shëndetësorë në klinikën e pediatrisë janë alarmuar dhe kanë bërë maksimumin e tyre për çka i falënderoj nga zemra. Kam shkuar për së afërmi, e kam takuar edhe vogëlushin pesëvjeçar, edhe kolegët tanë, edhe punëtorët në klinikën e pediatrisë në repartin e intensivës, të cilët edhe mjekët specialistë, po edhe stafi i mesëm kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, tha ai.

    Ai theksoi se fëmija ka qenë në gjendje të rënduar fizike dhe i traumatizuar rëndë në aspektin psikologjik.

    “Sepse nga ajo që kam parë unë, fëmiu ka qenë në gjendje të vështirë edhe në gjendje të rënduar, jo vetëm fizike me plagët edhe me pjesën shëndetësore që e ka pasur, mirëpo jashtëzakonisht i traumatizuar dhe pothuajse me shumë pak komunikim, pavarësisht moshës pesëvjeçare. Gjendja e tij edhe ditën e vizitës ka qenë stabile. Drejtoria e SHSKUK-së, po edhe drejtoresha në klinikën e pediatrisë më kanë informuar në kohë reale vazhdimisht për gjendjen e vogëlushit dhe pas marrjes, qetësimit njëherë, i është ofruar përveç mbështetjes shëndetësore edhe gjithë mbështetja psikosociale: psikologë, psikiatër, por edhe ortopedë e lami të tjera të cilat janë lidhur me pjesën shëndetësore, një grup i specialistëve”, tha ai.

    Sipas tij, fëmija i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike për shkak të gjendjes së rënduar në njërën shputë, në bashkëpunim mes kirurgëve ortopedë dhe atyre plastikë.

    “Dhe dje i është nënshtruar një ndërhyrje ku për shkak të gjendjes së rënduar, sidomos në njërën shputë, është bërë një intervenim në mes kirurgëve ortopedë dhe atyre plastikë. Ka dalë nga salla, fillimisht i intubuar, po pastaj është qetësuar shumë shpejt sepse secili pacient që del nga salla është një procedurë standarde operimi. Sot është gjendja stabile, ka filluar pak edhe komunikimi verbal. Gjendja është më mirë. Ka pasur një anemi të lehtë për çka të gjitha masat janë marrë që të evitohet përmes edhe transfuzionit të gjakut por edhe barnave të tjera”, tha ai.

    Vitia tha se në aspektin shëndetësor, parametrat janë stabilizuar dhe pritet rikuperim i shpejtë, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar edhe në aspektin psikosocial të rastit.

    “Me fjalë të tjera, gjendja në aspektin shëndetësor, po flas në kuptimin e mbarëvajtjes së punës sa i përket pjesës shëndetësore, është mirë dhe ka shkuar mirë dhe po e merr veten shumë shpejt. Mirëpo ajo që e përmendi edhe ministri Hoti, ajo që na ka shqetësuar të gjithë, është edhe kjo pjesa psikosociale e fëmiut, i cili shihet që fatkeqësisht ka qenë për shumë kohë në një ambient toksik, mos të them komplet abuziv, për të cilin menjëherë pas marrjes së lajmit kemi komunikuar bashkë me ministrin Hoti, por jo vetëm, edhe kemi ndërmarrë të gjitha masat që mund të ndërmerren që të futet në veprim edhe kjo pjesa psikosociale dhe çka pas për fëmiun”, tha ai.

    Ai shtoi se institucionet janë duke punuar për t’i siguruar vogëlushit një ambient të shëndoshë për të ardhmen.

    “Sepse prapë po e përsërit, në aspektin shëndetësor, besoj që pas intervenimit edhe pas qetësimit të parametrave, të gjithë parametrat i ka në rregull, kjo do ta marrë veten shumë shpejt. Po sfida edhe ajo që po merremi tash bashkë me ministrin Hoti dhe me anëtarë të tjerë të qeverisë, është që t’i sigurojmë një ambient të shëndoshë për vogëlushin”, tha ai.

  • Vitia premton: Qytetarët e Ferizajt brenda 30 muajsh bëhen me spital të ri

    Vitia premton: Qytetarët e Ferizajt brenda 30 muajsh bëhen me spital të ri

    Pas mbledhjes së Qeverisë, në konferencë për media dolën ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare Andin Hoti.

    Vitia se shumë shpejtë qytetarët e Ferizajt do të bëhen me spital, brenda 30 muajsh.

    “Një spital modern me të gjitha kushtet, në vlerë prej 24 milionë eurosh, një spital që do t’ju ofrojë të gjithë banorëve të atij regjioni, përfshirë edhe komunave përreth siç janë Kaçaniku, Hani i Elezit dhe jo vetëm trajtime, shërbime shumë cilësore, ndoshta më cilësoret në vend kur të përfundojë”, u shpreh Vitia.

  • Major Vjollca Hoti diplomoi me sukses në Akademinë Kombëtare të FBI-së, Policia: Një nga programet më të avancuara të trajnimit

    Major Vjollca Hoti diplomoi me sukses në Akademinë Kombëtare të FBI-së, Policia: Një nga programet më të avancuara të trajnimit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se major Vjollca Hoti nga Policia e Kosovës ka përfunduar me sukses trajnimin prestigjioz në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Quantico, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një arritje të rëndësishme në karrierën e saj profesionale dhe në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

    Policia thekson se Akademia Kombëtare e FBI-së është një nga programet më të avancuara të trajnimit për zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit, ku përfshihen tema si lidershipi, menaxhimi strategjik, teknikat bashkëkohore hetimore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në luftimin e krimit.

    “Përfundimi i Akademisë së FBI-së nga major Hoti përfaqëson një vlerë të shtuar për Policinë e Kosovës, duke sjellë përvoja dhe njohuri të avancuara që do të ndikojnë në forcimin e lidershipit, rritjen e kapaciteteve operacionale dhe avancimin e praktikave moderne të policimit.

    Major Hoti ka më shumë se 25 vjet përvojë pune në Policinë e Kosovës, ku gjatë gjithë karrierës së saj ka shërbyer në pozita të rëndësishme në fushën operacionale. Ajo ka udhëhequr njësi dhe struktura policore në mjedise sfiduese, duke kontribuar drejtpërdrejt në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në menaxhimin e situatave komplekse të sigurisë”, thuhet në reagimin e Policisë.

    Policia thekson tutje kjo arritje njëkohësisht reflekton përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës për zhvillim profesional dhe për fuqizimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në funksion të sigurisë publike.

    “Policia e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, në veçanti Departamentit të Drejtësisë, Programit Ndërkombëtar për Trajnim dhe Asistencë në Hetimet Penale (DOJ-ICITAP) dhe zyrës së FBI-së në Sofje, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në ndërtimin e kapaciteteve profesionale, trajnimeve të avancuara dhe bashkëpunimit të pandërprerë në forcimin e sigurisë dhe standardeve të policimit”, thuhet tutje.

  • Arianit Salihu emërohet Zëvendëskryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë

    Arianit Salihu emërohet Zëvendëskryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë

    Prokurori i Krimeve të Rënda, Arianit Salihu, është emëruar në pozitën e Zëvendëskryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Emërimi i tij u bë të enjten gjatë takimit së 290-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës me 5 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Rekomandimin në KPK për emrin e Arianit Salihut për pozitën e Zëvendëskryeprokurorit e kishte dërguar Kryeprokurori Zejnullah Gashi.

    Sipas CV-së së tij, Salihu ka mbi 16 vjet përvojë në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Karrierën e ka nisur më 2010 në Agjencinë Kundër Korrupsionit si zyrtar i lartë për hetime dhe strategji. Pastaj në Zyrën e Prokurorit Disiplinor (ZPD) në pozitën e inspektorit të lartë gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”

    Në shkurt 2018, ai kishte marrë udhëheqjen e ZPD-së, në një periudhë kur ndryshimet ligjore ristrukturuan mekanizmat e llogaridhënies brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

    Prej korrik 2019, Salihu është pjesë e sistemit prokurorial fillimisht si prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

    Në shkurt 2024, ishte emëruar udhëheqës i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Në korrik 2024, ai u avancua në pozitën e Prokurorit të Krimeve të Rënda, në hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit. Salihu ka ndjekur trajnime profesionale në fushat e hetimeve dhe teknologjisë, duke përfshirë Sekuestrimi dhe Konfiskimi i Pasurisë, Specialised Judicial Training on Electronic Evidence dhe Cyber Awareness for Prosecutors Course.

    Ndërkohë në mbledhjen e 290 të KPK-së, janë miratuar edhe katër rregullore të cilat janë plotësuar dhe ndryshuar sipas ndryshimeve ligjore që kanë hyrë në fuqi vitin e kaluar. Në mesin e rregulloreve të ndryshuara ishin edhe Rregullorja për Organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës; Rregullorja për Komisionin për Buxhet, Financave dhe Administrimin e Prokurorive etj.

    Në këtë mbledhje u themeluan edhe komisionet e përhershme të KPK-së, përfshirë Komisionin për Çështje Normative, me kryesues Visar Krasniqi dhe katër anëtarët: Veton Shabani, Naim Abazi, Bahri Hyseni dhe Valdrin Krasniqi.

    U diskutua edhe për themelimin e Komisionit për Vlerësimin e Prokurorëve, me kryesuese Elza Bajrami-Kastrati, zevendëskryesues Milot Krasniqi.

    Mirëpo, Milot Krasniqi ka refuzuar të jetë zëvendëskryesues me arsyetimin se kryesuesi i KPK-së ka pasur qasje shpërfillëse si dhe pozita është shpërfillëse.

    Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, ka thënë se KPK nuk është fontanë dëshirash derisa ka thënë se propozimi për zëvendëskryesues është çështje ligjore.

    Pas refuzimit të Milot Krasniqit për t’u emëruar si zëvendëskryesues, udhëheqësi i KPK-së ka propozuar të shtyhet diskutimi për mbledhjen e radhës derisa të merren edhe konfirmimet nga të gjitha prokuroritë për propozimet e tyre për Komision. PSRK dhe Prokuroria e Gjakovës nuk kishin dërguar nominimet.

    Në fund u themelua edhe Komisioni për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive, por anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi refuzoi të jetë kryesues. Ndërsa Dardan Vuniqi u propozua përkohësisht për kryesues të Komisionit dhe u votua me votat e të gjitha votat e anëtarëve të KPK-së. Derisa Sabahate Sinani dhe Ersan Qavolli u votuan për anëtarë të Komisionit për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive.

    Po ashtu, u vazhdua transferimi i jashtëzakonshëm për 6 muaj shtesë në Mitrovicë për dy prokurorë për shkak të mungesës së prokurorëve në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

    Elza Bajrami-Kastrati ka reaguar pas deklaratave të anëtarit Milot Kransiqi për vendime tendencioze, duke thënë se anëtarët e rinj tash të KPK-së nuk punojnë me tendencë siç ishte punuar në mandatin e kaluar.

    Milot Krasniqi ka thënë se prej rendit të ditës ka pasur veprime tendencioze kur ishte propozuar zëvendësimi i anëtarit të Komisionit të Ankesave në zbatim të Ligjit për Informacionin e Klasifikuar.

    Pas diskutimeve, me katër vota për u miratua Visar Krasniqi të dërgohet për anëtar në Komisionin e Ankesave në zbatim të Ligjit për Informacionin e Klasifikuar.

  • Arkitekti kroat i bibiliotekës në Prishtinë: Vepra ime u shpall si ndërtesa më e shëmtuar në botë, është reklamë për mua

    Arkitekti kroat i bibiliotekës në Prishtinë: Vepra ime u shpall si ndërtesa më e shëmtuar në botë, është reklamë për mua

    Biblioteka Kombëtare në Prishtinë u projektua nga akademiku Andrija Mutnjakoviq në vitin 1971 dhe u hap në vitin 1982, në një kohë kur Tito kishte vdekur tashmë, kur federata drejtohej nga Milka Planinc.
    Ishte një kompozim arkitektonik i përbërë nga përsëritja e vazhdueshme e katrorëve dhe kupolave, deri në 99 kupola, të gjitha të mbështjella me rrjetë alumini, si dantella nga gjoksi i Hanumës.

    Ajo ndërtesë ishte njëkohësisht një vizion dhe një kujtim: një kujtim i një qyteti të lashtë, mesdhetar, pothuajse biblik në të cilin është shtypur një grup shtëpish të vogla; edhe Mesdheu turistik i sotëm njeh qytete të tilla.

    E vlerësuar si biblioteka më e shëmtuar në botë, për arkitektin e saj 96 vjeçarin Murnjakovic është reklamë për të.

    “Jam mirënjohës për këtë vlerësim sepse po më bëhet reklamë mua”, ka thënë në humor akademiku kroat.

  • AKK thotë se dëmet në komuna nga vërshimet janë mbi 5 milionë euro: Qeveria të reagojë urgjent dhe të alojokojë paratë

    AKK thotë se dëmet në komuna nga vërshimet janë mbi 5 milionë euro: Qeveria të reagojë urgjent dhe të alojokojë paratë

    Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka thënë se sipas vlerësimeve të komunave që janë prekur nga vërshimet e fundit, dëmet deri më tani tejkalojnë shumën prej 5 milionë euro.

    Nga AKK, është thënë edhe se këto dëme po prekin rëndë ekonomitë familjare, bizneset lokale dhe infrastrukturën publike.

    ‘’ Komunat më të prekura, sipas vlerës së dëmeve, janë: Gjakova – 2.7 milionë euro; Drenasi – mbi 1.5 milionë euro; Peja, Rahoveci dhe Mitrovica – nga 800 mijë euro secila; Klina – mbi 650 mijë euro; Malisheva – 540 mijë euro’’, thuhet mes tjerash nga AKK.

    Komunikata:

    Vlera e dëmeve nga vërshimet e fundit nëpër komuna tejkalon 5 milionë euro

    Sipas vlerësimeve fillestare të Komunave të prekura nga vërshimet e fundit, dëmet deri më tani tejkalojnë shumën prej 5 milionë euro, duke prekur rëndë ekonomitë familjare, bizneset lokale dhe infrastrukturën publike.

    Komunat më të prekura, sipas vlerës së dëmeve, janë:

    • Gjakova – 2.7 milionë euro

    • Drenasi – mbi 1.5 milionë euro

    • Peja, Rahoveci dhe Mitrovica – nga 800 mijë euro secila

    • Klina – mbi 650 mijë euro

    • Malisheva – 540 mijë euro

    • etj

    Ndërkohë, vlerësimet ende nuk janë përfundimtare për disa komuna të tjera

    Në këtë situatë, i bëjmë thirrje nivelit qendror për:

    • Reagim urgjent dhe të koordinuar institucional;

    • Alokim të menjëhershëm të mjeteve financiare;

    • Aktivizim të fondeve emergjente dhe mekanizmave shtetërorë;

    • Mbështetje konkrete për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e normalitetit për qytetarët dhe bizneset.

    • Dhe të shtohet veprimi insitucional që këto mos të përseriten, pra të punohet dhe veprohet në parandalimin e vërshimeve.

    Komunat nuk mund të përballojnë të vetme këtë barrë financiare. Pa një ndërhyrje të shpejtë nga niveli qendror, rrezikohet seriozisht realizimi i shumë projekteve dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët.

    Komunat dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, mbeten të përkushtuara për bashkëpunim të plotë institucional, por njëkohësisht kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe konkret.

  • Irani goditi rafinerinë e rëndësishme të naftës saudite në Detin e Kuq

    Irani goditi rafinerinë e rëndësishme të naftës saudite në Detin e Kuq

    Një sulm me dron nga Iran ka goditur rafinerinë e naftës SAMREF në Yanbu, e cila konsiderohet më e rëndësishmja në bregun e Detit të Kuq.

    Autoritetet saudite po vlerësojnë ndikimin e sulmit, ndërsa qyteti port mbetet nën monitorim të rreptë.

    Sulmi vjen pas një përshkallëzimi të tensioneve në Lindjen e Mesme, gjegjësisht pas një sulmi izraelit në fushën gjigante të gazit South Pars në Iran, shkruan aljazeera.

    Si pasojë, çmimet e naftës në tregjet botërore janë rritur ndjeshëm, duke kaluar 114 dollarë për fuçi Brent.

    Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e përshkallëzimit të konflikteve në rajon, përfshirë kërcënimet ndaj rrugëve kyçe të transportit detar si Ngushtica e Hormuzit, një pikë strategjike për eksportet e energjisë.

    Në këtë kontekst, impiante të tjera në Katar, Kuvajt dhe Abu Dhabi kanë pezulluar aktivitetet për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

    Ky zhvillim vjen ndërsa Lindja e Mesme përballet me një valë sulmesh ndaj infrastrukturës energjetike, duke rritur pasigurinë për tregjet globale dhe stabilitetin.

  • Përurimi i një segmenti nga Kurti, Gubetini i PDK’së: Problemi s’është zgjidh, nga 11 u bë 25 milionë euro

    Përurimi i një segmenti nga Kurti, Gubetini i PDK’së: Problemi s’është zgjidh, nga 11 u bë 25 milionë euro

    Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Vushtrri, Xhon Gubetini, ka reaguar lidhur me përurimin e një segmenti të rrugës Prishtinë-Mitrovicë, të bërë sot nga kryeministri Albin Kurti.

    Në postimin e tij, Gubetinit ka shkruar se 9 kilometra rrugë kanë parë ‘’gati trefishim të çmimit’’ nga 11 milionë në mbi 25 milionë euro.

    ‘’ Po, rruga na ka lehtësu neve që kalojmë aty çdo ditë. Nuk është se s’po shihet. Por problemi nuk është zgjidhë, vetëm është spostu pak më tutje. Kolonat vazhdojnë, pra vetëm ia kanë ndërru adresën kolonës. Edhe për Mitrovicën? Zero efekt. Asnjë centimetër nuk e prek territorin e saj. Pra, për një pjesë të madhe të qytetarëve, kjo është thjesht një rrugë që e shohin prej larg’’, thuhet mes tjerash nga asamblisti i PDK’së, përcjell Express.

    Postimi:

    Bypass-i i Vushtrrisë dhe një pjesë e magjistrales u bë projekti më i përuruar në histori, veç edhe një shirit me e prerë për çdo kilometër dhe kryhet puna.

    9 kilometra rrugë, nga 11 milionë euro u bënë mbi 25 milionë. Gati trefishim i çmimit… dhe çuditërisht askush s’po merret me këtë pjesë. Aty heshtja është perfekte.

    Ama për kamera? Përurime sa të duash.

    Po, rruga na ka lehtësu neve që kalojmë aty çdo ditë. Nuk është se s’po shihet. Por problemi nuk është zgjidhë, vetëm është spostu pak më tutje.

    Kolonat vazhdojnë, pra vetëm ia kanë ndërru adresën kolonës.

    Edhe për Mitrovicën? Zero efekt. Asnjë centimetër nuk e prek territorin e saj. Pra, për një pjesë të madhe të qytetarëve, kjo është thjesht një rrugë që e shohin prej larg.

    E vazhdimi i magjistrales? As në horizont. Kjo do të thotë vetëm një gjë: kolonat kanë me qenë aty edhe për vite.

    Në fund, na mbeti një rrugë më e shtrenjtë se ç’duhej dhe një problem që veç ka ndërru vend.

    Por hej… të paktën kemi pas përurime të bukura.

  • SHBA shqyrton vendosjen e trupave pranë Ngushticës së Hormuzit

    SHBA shqyrton vendosjen e trupave pranë Ngushticës së Hormuzit

    Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e vendosjes së mijëra trupave në Iran dhe në rajonin strategjik të Ngushticës së Hormuzit, me qëllim forcimin e pranisë ushtarake ekzistuese.

    Sipas një raportimi nga mediat e huaja, një vendosje e tillë do t’i jepte presidentit amerikan opsione shtesë për zgjerimin e operacioneve ushtarake në rajon. “New York Post” shkruan se skenarët janë ende në fazë diskutimi.

    Ndër planet që po shqyrtohen është edhe vendosja e forcave tokësore në ishullin Kharg dhe në zonat bregdetare të Iranit, të cilat konsiderohen thelbësore për eksportet e naftës së vendit, shkruan Abcnews.al.

    Këto masa synojnë të sigurojnë transportin detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për tregtinë globale të energjisë dhe një pikë e ndjeshme për tensionet gjeopolitike në rajon.