ATV

Category: LAJME

  • Kurti: Nesër do të jemi në Kuvend, do të vazhdojmë bisedimet për zgjedhjen e Presidentit

    Kurti: Nesër do të jemi në Kuvend, do të vazhdojmë bisedimet për zgjedhjen e Presidentit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë e pranishme në seancën e Kuvendit të Kosovës që është thirrur për nesër.

    “Nesër e kanë thirrë seancën e Kuvendit, do të jemi aty”, deklaroi Kurti.

    Ai tha se ndërkohë do të vazhdojnë takimet dhe bisedimet politike me synimin që të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit dhe të shmangen zgjedhjet e reja.

    “Vazhdojmë me takime e bisedime në mënyrë që ta zgjedhim Presidentin dhe të mos kemi nevojë t’i përsërisim zgjedhjet, që janë të paarsyeshme e të kushtueshme”, tha Kurti.

    I pyetur nëse do të takohet sërish me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se është në komunikim të vazhdueshëm me aktorë të tjerë politikë.

    “Jam vazhdimisht në komunikim me të tjerët dhe besoj që duhet t’ua shtroni pyetjet atyre që thonë që do ta bojkotojnë zgjedhjen e Presidentit”, u shpreh Kurti.

    Deklaratat e Kurtit vijnë një ditë para seancës së Kuvendit, në një kohë kur partitë politike po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për konstituimin e institucioneve dhe shmangien e një tjetër procesi zgjedhor.

  • Tetë ditë para vendimit të Hagës, Kurti: Nuk kam asnjë informacion

    Tetë ditë para vendimit të Hagës, Kurti: Nuk kam asnjë informacion

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot është pyetur nga gazetarët nëse ka marrë informacione për vendimin që do të shpallet ndaj katër ish-krerëve të UÇK’së në Hagë.

    “Nuk kam asnjë informacion”, tha shkurt Kurti.

    Gjykata Speciale do të shpallë verdiktin më 16 shtator.

  • Von der Leyen dhe Costa dënojnë glorifikimin e Mlladiqit: Pamjet nga varrimi ishin tronditëse

    Von der Leyen dhe Costa dënojnë glorifikimin e Mlladiqit: Pamjet nga varrimi ishin tronditëse

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, kanë reaguar pas ceremonisë së varrimit të ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mlladiq, në Beograd.

    Në reagimet e publikuara në platformën X, dy zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian i kanë cilësuar si tronditëse pamjet nga varrimi, duke rikujtuar se Mlladiq ishte dënuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Ata kanë theksuar se Mlladiq vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Von der Leyen dhe Costa kanë shprehur gjithashtu shqetësim për elementet e mbështetjes zyrtare dhe praninë e disa zyrtarëve të lartë serbë në ceremoninë mortore.

    Sipas tyre, një qasje e tillë paraqet një dështim për t’u përballur me një nga kapitujt më të errët të historisë së afërt evropiane dhe bie ndesh me vlerat mbi të cilat bazohet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

    Reagimet e zyrtarëve të BE-së vijnë në një kohë kur ceremonia e varrimit të Mlladiqit ka nxitur kritika të shumta ndërkombëtare për shkak të mënyrës së glorifikimit të figurës së tij.

  • “Liria ka Emër” me aksion 30-minutësh para EULEX-it

    “Liria ka Emër” me aksion 30-minutësh para EULEX-it

    Aktivistë të platformës “Liria ka Emër” do të zhvillojnë sot, në orën 11:00 një aktivitet simbolik dhe demokratik para objektit të EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

    Sipas njoftimit të organizatorëve, gjatë aktivitetit para hyrjes së objektit do të shpaloset një mesazh, ndërsa më pas do të mbahet edhe një fjalim.

    Aktiviteti pritet të zgjasë rreth 30 minuta.

  • 200 kilometra i gjatë, Finlanda ia vendos gardhin Rusisë

    200 kilometra i gjatë, Finlanda ia vendos gardhin Rusisë

    Një barrierë prej rreth 200 kilometrash tashmë ndan pjesë të kufirit lindor të Finlandës me Rusinë, në një nga masat më të rëndësishme të Helsinkit për forcimin e kontrollit kufitar dhe parandalimin e kalimeve të paligjshme.

    Gardhi është ndërtuar në seksione të ndryshme përgjatë kufirit 1,340 kilometra të gjatë me Rusinë. Në pjesët më të ekspozuara, barriera arrin një lartësi prej rreth 4.5 metrash dhe është pajisur me kamera, sensorë dhe tela me gjemba.

    Autoritetet finlandeze e konsiderojnë gardhin pjesë të një sistemi më të gjerë të mbikëqyrjes dhe kontrollit të kufirit, veçanërisht në një kohë kur tensionet me Rusinë mbeten të larta, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

    Finlanda e mbylli kufirin tokësor me Rusinë në dhjetor të vitit 2023, pasi më shumë se 1,300 emigrantë mbërritën në pikat kufitare pa viza ose dokumentacionin e nevojshëm. Megjithëse situata është qetësuar ndjeshëm dhe aktualisht raportohen vetëm raste të izoluara të kalimeve të paligjshme, autoritetet në Helsinki vazhdojnë të jenë në gatishmëri.

    “Sot, situata është e qetë, por e tensionuar dhe ne nuk e dimë vërtet se çfarë na pret nesër”, deklaroi ministrja e Brendshme e Finlandës, Mari Rantanen, për AFP.

    Rantanen foli pranë pikës kufitare të Nuijamaa, në juglindje të Finlandës, e cila mbetet e mbyllur prej afro tre vitesh.

    “Gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt, kështu që ne duhet të jemi plotësisht të përgatitur”, shtoi ajo.

    Sipas ministres finlandeze, barriera nuk shërben vetëm si pengesë fizike, por është pjesë e një sistemi të avancuar për monitorimin e kufirit.

    “Kjo është pjesë e sistemit tonë të sigurisë kufitare dhe na ndihmon me mbikëqyrjen, por gjithashtu na lejon, nëse është e nevojshme, të parandalojmë njerëzit të hyjnë në territorin finlandez”, tha Rantanen.

    Helsinki akuzoi Moskën për “luftë hibride”

    Vendimi për forcimin e kufirit erdhi pasi autoritetet finlandeze akuzuan Moskën, në vitin 2023, se po përdorte emigracionin si pjesë të një “lufte hibride”, duke lehtësuar ardhjen e shtetasve të vendeve të treta drejt kufirit finlandez.

    Kremlini i ka mohuar këto akuza.

    Forcimi i kufirit është pjesë e një ndryshimi më të gjerë në politikën e sigurisë së Finlandës. Pas dekadash të një politike të mosangazhimit ushtarak, vendi u bë anëtar i NATO-s në prill 2023, pas pushtimit rus të Ukrainës.

    Finlanda nuk është i vetmi vend në rajon që ka ndërmarrë masa të tilla. Letonia, Lituania dhe Polonia kanë ndërtuar gjithashtu gardhe dhe barriera përgjatë kufijve të tyre me Bjellorusinë, ndërsa Estonia ka forcuar mbrojtjen kufitare përgjatë kufirit me Rusinë.

    Për Helsinkin, gardhi 200-kilometërsh është një tjetër shtresë mbrojtjeje në një kufi që, për shkak të tensioneve me Moskën, është shndërruar në një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë në Evropën Veriore.

  • Jasharaj: Mungesa e ditarëve nuk ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e procesit mësimor

    Jasharaj: Mungesa e ditarëve nuk ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e procesit mësimor

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se mungesa e ditarëve në fillim të vitit të ri shkollor nuk ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e procesit mësimor, por ka kërkuar që ata të sigurohen sa më shpejt për të shmangur ngarkesën shtesë për mësimdhënësit.

    Jashari ka vlerësuar pozitivisht fillimin e vitit të ri shkollor pa protesta e greva, duke thënë se mësimdhënësit kanë qenë të gatshëm për fillimin e procesit mësimor, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se, ndonëse vonesa e ditarëve nuk është e mirë, mësimdhënësit mund të vazhdojnë me shpjegimin e njësive mësimore dhe më pas t’i evidentojnë ato në ditar.

    “Po sa i takon realizimit në procesit mësimor mungesa e ditarëve nuk ndikon, mësimdhënësit mund të shpjegojnë njësitë mësimore, pastaj kur vijnë ditarët po uroj që të mos vonohen shumë t’i vënë ato orë pastaj në ditar. Domethënë nuk është ndonjë çështje që lidhet drejtpërdrejt me procesin mësimor. E mira është që viti shkollor filloi, nuk patë protesta dhe greva. Mësimdhënësit janë të gatshëm edhe kanë qenë të gatshëm për të filluar vitin e ri shkollor dhe kjo na gëzon, ndërsa urojmë që ditarët mos të vonohen shumë sepse pastaj do t’ju dalë pak më shumë punë mësimdhënësve për t’i vënë njësitë e shpjeguar, për t’i vënë përsëri njërën pas tjetrës në ditar dhe për t’i vënë edhe mungesat eventuale të nxënësve”, tha ai.

    Kreu i SBASHK-ut tha se vonesat në sigurimin e ditarëve nuk janë pozitive, por sipas tij, drejtoritë komunale të arsimit dhe Ministria e Arsimit duhet të kenë informacione më të sakta për pengesat që kanë shkaktuar këtë situatë.

    Jasharaj, ka folur edhe për mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, duke përsëritur qëndrimin e SBASHK-ut, se kjo nuk është mënyra më e mirë për furnizimin e nxënësve me libra.

    “Të them të vërtetën ne e kemi thënë publikisht, ne kemi thënë që vitin e parë kur kanë filluar në këtë mënyrë kemi qenë kundër, kemi menduar dhe mendojmë se nuk është mënyra më e mirë e shpërndarjes së teksteve mësimore, kemi mënyrë më e mirë shumë ka qenë ajo e përparshmja kur MASHT-i ka lidh marrëveshje me botuesit dhe botuesit i kanë dërguar librat në shkolla dhe pastaj gjatë javës së parë janë shpërndarë janë marrë nga mësimdhënësit”, tha ai.

    Megjithatë, ai tha se këtë vit procesi i furnizimit me tekste shkollore ka rrjedhur më mirë krahasuar me dy vitet e kaluara, duke shtuar se nuk kanë pranuar ankesa për mungesa të theksuara të librave.

  • Polonia hap qendër të re logjistike ushtarake për të forcuar krahun lindor të NATO-s

    Polonia hap qendër të re logjistike ushtarake për të forcuar krahun lindor të NATO-s

    Polonia ka hapur një qendër të re të mbrojtjes, të ndërtuar me ekspertizën e Mbretërisë së Bashkuar, për të forcuar mbrojtjen ajrore të vendit dhe krahun lindor të NATO-s.

    Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi se qendra e riparimit dhe logjistikës në Czosnow, në Poloninë qendrore, do të ndihmojë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit duke shfrytëzuar ekspertizën britanike.

    Hapja e objektit të ri të mbrojtjes u realizua me pjesëmarrjen e ministrit britanik për Gatishmërinë dhe Industrinë e Mbrojtjes, Luke Pollard dhe zv/ministrit polak të Mbrojtjes, Pawel Zalewski, si pjesë e “angazhimit të Mbretërisë së Bashkuar për mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s përballë agresionit në rritje të Rusisë”.

    “Personeli britanik do të punojë së bashku me homologët polakë në këtë qendër për të ndihmuar në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Polonisë”, thuhet në deklaratë.

    Qendra do të mundësojë mirëmbajtje, mbështetje dhe trajnim më të shpejtë dhe më të drejtpërdrejtë për programin PILICA+ të Polonisë, një nismë me vlerë disa miliardë dollarë që synon ndërtimin e një rrjeti të integruar të mbrojtjes ajrore për mbrojtjen e hapësirës ajrore polake, në partneritet me Mbretërinë e Bashkuar.

    “Mbrojtje më e fuqishme ajrore e Polonisë nënkupton mbrojtje më të fuqishme ajrore të NATO-s dhe kjo punë po zhvillohet duke mbështetur njëkohësisht edhe vendet e punës në të dyja vendet”, tha Pollard.

  • Dorëhiqet kryeprokurori i Ukrainës për shkak të skandalit të korrupsionit

    Dorëhiqet kryeprokurori i Ukrainës për shkak të skandalit të korrupsionit

    Kryeprokurori i Ukrainës, Ruslan Kravchenko, ka dhënë dorëheqje për shkak të akuzave për korrupsion në lidhje me qendrat e thirrjeve të paligjshme në vend.

    Kjo vjen pas një kontrolli në zyrat e tij gjatë fundjavës nga hetuesit ukrainas të antikorrupsionit, të cilët thanë se kishin identifikuar një skemë pastrimi parash të udhëhequr nga një zyrtar në zyrën e Kravchenkos.

    Në letrën e tij të dorëheqjes, Kravchenko tha se nuk donte që pozicioni i tij të përdorej si një “mjet për konfrontim politik” dhe iu referua një postimi të mëparshëm në të cilin ai i hodhi poshtë pretendimet si “të pabazuara”.

    Skandalet e korrupsionit kanë përfshirë Kievin gjatë gjithë luftës kundër Rusisë, me akuza të drejtuara ndaj disa anëtarëve të rrethit të ngushtë të Presidentit Volodymyr Zelensky, raporton BBC.

    Sipas Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit (Nabu) të Ukrainës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (Sap), rrjeti në zyrën e Kravchenkos mori para për të mbrojtur qendrat e thirrjeve që kryenin mashtrime telefonike dhe “pastruan miliona në asete”.

    Paratë u përdorën më pas për të blerë prona, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë, sipas Nabu.

    Kravchenko lëshoi ​​një deklaratë të dielën në mbrëmje duke i hedhur poshtë akuzat si “plotësisht të pabazuara” dhe mohoi çdo shkelje.

    Ai paraqiti dorëheqjen një ditë më vonë, duke falënderuar Zelenskyn dhe parlamentin ukrainas për “besimin” e tyre. Presidenti ukrainas ende nuk ka komentuar publikisht për dorëheqjen.

  • Mbi 2 milionë euro për banimin social në Gjilan

    Mbi 2 milionë euro për banimin social në Gjilan

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se Komuna ka nënshkruar Marrëveshjen e Grantit në vlerë prej 2 milionë e 30 mijë eurosh për realizimin e projekteve të banimit social.

    Marrëveshja është nënshkruar me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat.

    Sipas Hysenit, në Gjilan do të realizohen gjithsej 33 njësi banimi, përfshirë 25 njësi të reja të banimit social, renovimin e dy shtëpive private dhe rindërtimin e gjashtë shtëpive private.

    Hyseni e ka cilësuar këtë si një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve të jetesës për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.

  • Një foshnje dërgohet pa shenja jete në Spitalin e Prizrenit

    Një foshnje dërgohet pa shenja jete në Spitalin e Prizrenit

    Një foshnjë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Prizrenit, mëngjesin e 7 shtatorit.

    Sipas Policisë, foshnja është dërguar në spital nga prindërit e saj, ndërsa vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar.

    Lidhur me rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

    Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente, ndërsa detajet për shkakun e vdekjes nuk janë bërë të ditura.