ATV

Category: LAJME

  • Austria nis zbatimin e ndalimit të shamisë për vajzat nën 14 vjeç

    Austria nis zbatimin e ndalimit të shamisë për vajzat nën 14 vjeç

    Ndalimi i shamisë së kokës për vajzat nën 14 vjeç ka nisur të zbatohet me fillimin e vitit të ri shkollor në Austri, ndërsa komuniteti mysliman dhe organizata të tjera e kundërshtojnë masën.

    Me rikthimin e nxënësve në shkolla, Austria ka nisur zbatimin e ligjit që ndalon mbajtjen e shamisë së kokës për vajzat nën moshën 14-vjeçare. Masa është kundërshtuar nga organizata myslimane dhe grupe të tjera, të cilat e konsiderojnë atë diskriminuese, transmeton albinfo.ch.

    Viti i ri shkollor ka nisur të hënën në Vjenë, Austrinë e Poshtme dhe Burgenland, ndërsa në pjesën tjetër të vendit shkollat do të rihapen javën e ardhshme.

    Ligji është propozuar nga koalicioni qeverisës i përbërë nga tri parti të qendrës, i cili e ka arsyetuar masën me mbrojtjen e lirisë së vajzave. Legjislacioni u miratua në parlament në dhjetor, me mbështetjen edhe të Partisë së Lirisë, ndërsa kundër tij votuan vetëm të Gjelbrit.

    Kundërshtimi nga komuniteti mysliman

    Komuniteti Fetar Islamik në Austri (IGGO), organizata që përfaqëson zyrtarisht myslimanët në vend, e ka cilësuar ndalimin si shkelje të të drejtave themelore dhe ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

    Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë në korrik disa kundërshtime, duke argumentuar se ligji ende nuk kishte hyrë në fuqi.

    Në vitin 2020, e njëjta gjykatë kishte shpallur të paligjshëm një ndalim të mëparshëm të shamisë, i cili zbatohej për fëmijët nën 10 vjeç. Sipas gjykatës, masa diskriminonte myslimanët dhe cenonte parimin e neutralitetit fetar të shtetit.

    Gjobat mund të arrijnë deri në 800 euro

    Legjislacioni i ri parashikon që shkolla të zhvillojë fillimisht një bisedë me çdo nxënëse që shkel ndalimin. Pas kësaj procedure, mund të vendoset një gjobë prej 150 deri në 800 euro.

    Ministri i Arsimit, Christoph Wiederkehr, ka thënë se ende nuk është e sigurt se si do të vlerësohet ligji nga Gjykata Kushtetuese.

    “Ne në qeveri zhvilluam konsultime shumë intensive dhe në Ministrinë e Arsimit u përpoqëm shumë të hartonim një ligj që të ishte në përputhje me kushtetutën”, ka deklaruar Wiederkehr për transmetuesin publik ORF./Albinfo.at

  • Lushaku e LDK-së: PISA 2025, turpi qeveritar!

    Lushaku e LDK-së: PISA 2025, turpi qeveritar!

    Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku ka komentuar publikimin e fundit të PISA’së, e cila Kosovën e rendit thuajse në fund.

    Sipas saj, rezultatet e PISA 2025 tregojnë se 3 nga 4 nxënës të Kosovës nuk e arrijnë nivelin bazë në matematikë, lexim dhe shkencë.

    Postimi i plotë:

    PISA 2025, TURPI QEVERITAR

    Sot u publikuan rezultatet e Testit të PISA-s 2025, që janë shqetësuese jo vetëm për faktin se Kosova vazhdon të jetë në fund të tabelës, por për mospërmirësimin e njohurive të nxënësve tanë në dhjetë vitet e kaluara. Duhet të na alarmojë ajo që fshihet pas këtyre numrave!

    Rezultatet e PISA 2025 tregojnë se 3 nga 4 nxënës të Kosovës nuk e arrijnë nivelin bazë në matematikë, lexim dhe shkencë.

    Mendoni pak çfarë do të thotë kjo!

  • Renditja në PISA, Sejdiu: Pas 6 vitesh qeverisje, fëmijët tanë me rezultatet më të dobëta – kaq për “ndryshimin”

    Renditja në PISA, Sejdiu: Pas 6 vitesh qeverisje, fëmijët tanë me rezultatet më të dobëta – kaq për “ndryshimin”

    Analisti Dardan Sejdiu ka thënë se pas gjashtë viteve qeverisje të Albin Kurtit, fëmijët e Kosovës po dalin me rezultate edhe më të dobëta në testin PISA.

    Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se “pas gjashtë vitesh nuk mundesh me tregu më kush e la keq”.

    “Pas gjashte vjetesh qeverisje, femijet tane po dalin me rezultate me te dobeta. Kaq per “ndryshimin”. Sepse pas gjashte vjetesh nuk mundesh me tregu ma kush e la keq. Qeverisja matet me ate qe e ke bo ma mire. “Bota ka ec. Na kemi ngec.” – Po te ishte dikush tjeter ne pushtet, ky do te ishte slogani”, ka shkruar ai.

    Theksojmë se sipas rezultateve që u bënë publike sot, nxënësit nga Kosova sërish janë renditur në fund të listës së PISA.

  • Para zyrës së Speciales në Prishtinë kërkohet lirimi i katërshes së UÇK-së

    Para zyrës së Speciales në Prishtinë kërkohet lirimi i katërshes së UÇK-së

    Tetë ditë para se të shpallet vendimi për katërshen e UÇK-së në Hagë, aktivistë të organizatës “Liria ka Emër” kanë kërkuar lirimin e tyre në një aktivitet simbolik të zhvilluar para objektit të EULEX-it në Prishtinë, ku ndodhet edhe Zyra e Dhomave të Specializuara.

    “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm”, thuhej në banerin që mbante figurat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka deklaruar se nuk asnjë informacion se çfarë vendimi është marrë në Gjykatën Speciale.

    Katërshja e UÇK-së është në pritje të aktgjykimit lidhur me këtë rast, i cili do të shpallet në seancë publike më 16 shtator.

    Vetëm në vitin 2025 janë organizuar pesë protesta në mbështetje të UÇK-së. Ndërsa, dy të tjera u mbajtën gjatë këtij viti.

    Më 12 shtator do të mbahet një protestë tjetër në Prishtinë për të kërkuar vendim lirues për katërshen e UÇK-së.

  • Hoti kërkon konventë të LDK-së: Na duhet një pajtim i madh

    Hoti kërkon konventë të LDK-së: Na duhet një pajtim i madh

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar mbajtjen e një konvente të madhe të LDK-së, përmes së cilës, sipas tij, partia duhet të qartësojë rrugën e saj politike dhe të rikthejë besimin e brendshëm.

    Hoti ka thënë se në këtë konventë duhet të përfshihen të gjitha strukturat e LDK-së.

    “LDK-ja ka nevojë urgjente për një konventë të madhe, për një pajtim të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara”, ka shkruar Hoti.

    Sipas tij, konventa duhet të shërbejë si një moment i ri për partinë dhe të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në në zgjedhjet e ardhshme.

    “Konventa duhet të jetë një bashkim i madh dhe një moment i ri për LDK-në. Ajo duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Hoti.

    Ai ka theksuar se rikthimi i besimit brenda partisë është kusht për unitet dhe punë ekipore.

    “Mbi të gjitha, konventa duhet të ri-vendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore”, ka shkruar ai.

    Hoti ka bërë të ditur se do të angazhohet për këtë proces, duke thënë se vetëm një LDK e bashkuar mund të rikthejë besimin e qytetarëve.

  • Kapen hajnat që vodhën në xhamitë e Ferizajt dhe Lipjanit

    Kapen hajnat që vodhën në xhamitë e Ferizajt dhe Lipjanit

    Dy persona janë arrestuar në Ferizaj nën dyshimin se janë të përfshirë në disa raste të vjedhjeve të rënda, përfshirë edhe vjedhje në objekte fetare në Lipjan.

    Rasti është zbuluar më 5 shtator, kur Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Ferizaj, në asistencë të Njësitit të Hetimeve të Stacionit Policor në Lipjan, ka realizuar një kontroll në një lokacion në qytetin e Ferizajt.

    Si rezultat i veprimeve hetimore, policia ka arrestuar dy persona, A.M., 39 vjeç, dhe B.K., 31 vjeç, të cilët dyshohet se kanë kryer vjedhje në disa lokacione të ndryshme.

    Sipas policisë, të dyshuarit dyshohet se janë përfshirë edhe në vjedhje të rënda në objekte me rëndësi të veçantë, përfshirë xhami në territorin e Komunës së Lipjanit.

    Gjatë verifikimeve është konstatuar gjithashtu se A.M. dhe B.K. dyshohet se janë të përfshirë në rastin e vjedhjes së rëndë të raportuar më 5 shtator në Xhaminë e fshatit Nikadin, në Ferizaj.

    Pas arrestimit, të dyshuarit janë dorëzuar për procedura të mëtejme te Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Lipjan.

  • Komuna e Drenasit njofton për subvencionimin e nënave lehona me nga 100 euro

    Komuna e Drenasit njofton për subvencionimin e nënave lehona me nga 100 euro

    Komuna e Drenasit, përmes Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka njoftuar qytetarët për procedurat e aplikimit për subvencionimin e nënave lehona.

    Sipas njoftimit, nënat lehona kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për përfitimin e subvencionit në vlerë prej 100 euro për secilën lindje, brenda afatit prej një viti nga data e lindjes së fëmijës.

    Për aplikim kërkohen formulari i aplikimit, dokumentet e identifikimit të të dy prindërve, ekstrakti i të porsalindurit, fletëlëshimi nga institucioni shëndetësor ose kartela e të porsalindurit, certifikata e bashkësisë familjare, si dhe konfirmimi i regjistrimit si përfitues në SIMFK përmes platformës e-Kosova.

    Komuna ka bërë të ditur se aplikimet me dokumentacion të pakompletuar do të refuzohen, ndërsa formulari i aplikimit plotësohet në sportelet nr. 9 dhe 10.

  • Vajzat e Kosovës performuan më mirë se djemtë në PISA 2025

    Vajzat e Kosovës performuan më mirë se djemtë në PISA 2025

    Ministria e Arsimit ka njoftuar se janë publikuar rezultatet e PISA 2025.

    Një prej gjetjeve të spikatura të PISA 2025 për nxënësit e Kosovës, është performanca më e lartë e vajzave në raport me djemtë.

    Në shkencë, vajzat kanë shënuar 366 pikë, ndërsa djemtë 347 pikë, me një diferencë prej 19 pikësh.

    Dallimi është edhe më i madh në lexim. Vajzat kanë arritur 358 pikë, ndërsa djemtë 322 pikë, duke krijuar një diferencë prej 36 pikësh.

    Në matematikë, rezultatet janë pothuajse të barabarta, 351 pikë për vajzat dhe 350 pikë për djemtë.

  • “Krim me përmasa rrëqethëse”, Spiropali për varrimin e Mladiqit: Serbia s’ka autoritet moral të na japë leksione për drejtësinë

    “Krim me përmasa rrëqethëse”, Spiropali për varrimin e Mladiqit: Serbia s’ka autoritet moral të na japë leksione për drejtësinë

    Ish-ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali ka reaguar lidhur me ceremoninë e varrimit të kriminelit Ratko Mlladiq, duke thënë se Beogradi u shndërrua në vend pelegrinazhi për të nderuar një turp dhe krim me përmasa rrëqethëse.

    Spiropali në një postim në Facebook shkruan Serbia zyrtare nuk ka autoritet moral, as juridik, të na japë leksione për drejtësinë.

    Lexoni të plotë postimin e saj:

    Dje Beogradi u shndërrua në vend pelegrinazhi për të nderuar një turp dhe krim me përmasa rrëqethëse.

    Mijëra njerëz, ministra, ushtarakë dhe klerikë u mblodhën për ta përcjellë si hero kriminelin Ratko Mladiq. Trupi iu soll me aeroplan qeveritar, arkivoli iu mbulua me flamuj, nderimet ushtarake iu kushtuan një të dënuari me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

    Mladiqi nuk ishte viktimë e asnjë padrejtësie. Ishte organizatori i gjenocidit në Srebrenicë dhe i rrethimit të Sarajevës. Ai u fsheh për gjashtëmbëdhjetë vjet nga drejtësia. Serbia “e gjeti” vetëm pasi nuk mundi ta fshihte më, ndërsa sot po e varros si të ishte ajo viktima dhe jo mijëra njerëzit që mbetën në varre pa emër, për shkak të saj.

    Pas tetë ditësh, në Hagë do të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ata nuk u fshehën nga drejtësia, nuk u arrestuan pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh arrati dhe nuk po gjykohen për gjenocid.

    Serbia zyrtare nuk ka autoritet moral, as juridik, të na japë leksione për drejtësinë. Nuk mund ta kthesh një të dënuar për gjenocid në shenjtor kombëtar dhe, në të njëjtën frymë, të kërkosh dënimin e njerëzve ndaj të cilëve ende nuk është shqiptuar vendimi i parë.

    Një shoqëri nuk gjykohet vetëm nga kriminelët që ka prodhuar. Gjykimi i saj i vërtetë fillon kur faktet janë provuar dhe ajo duhet të vendosë nëse do vajtojë viktimat apo do adhurojë vrasësit.

    Serbia dje e bëri zgjedhjen e saj.

    Ajo nuk varrosi vetëm Ratko Mladiqin.

    Varrosi edhe turpin e vet duke nderuar krimet.

  • PISA 2025: Nxënësit e Kosovës mbeten nën mesatare

    PISA 2025: Nxënësit e Kosovës mbeten nën mesatare

    Kosova ka shënuar rezultate të ngjashme me vitin 2022 në shkencë dhe lexim, ndërsa në matematikë ka pasur rënie të lehtë.

    Të dhënat e PISA 2025 tregojnë gjithashtu dallime të dukshme gjinore, me vajzat që kanë performuar më mirë se djemtë në të tri fushat e vlerësuara.

    Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) 2025 morën pjesë gjithsej 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës. Rezultatet e publikuara tregojnë se performanca e nxënësve në vend vazhdon të mbetet nën mesataren e vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

    Në shkencë, nxënësit e Kosovës kanë shënuar mesatarisht 357 pikë, rezultat i njëjtë me atë të vitit 2022. Në lexim, rezultati ka qenë 340 pikë, dy pikë më i ulët krahasuar me vitin 2022, kur ishte 342 pikë.

    Rënia më e dukshme është regjistruar në matematikë, ku nxënësit kanë arritur mesatarisht 350 pikë, pesë pikë më pak se në vitin 2022.

    Ndërkaq, rezultati më i lartë në katër treguesit kryesorë të performancës është shënuar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me gjithsej 359 pikë.

    Një prej gjetjeve të spikatura të PISA 2025 është performanca më e lartë e vajzave në raport me djemtë.

    Në shkencë, vajzat kanë shënuar 366 pikë, ndërsa djemtë 347 pikë, me një diferencë prej 19 pikësh.

    Dallimi është edhe më i madh në lexim. Vajzat kanë arritur 358 pikë, ndërsa djemtë 322 pikë, duke krijuar një diferencë prej 36 pikësh.

    Në matematikë, rezultatet janë pothuajse të barabarta: 351 pikë për vajzat dhe 350 pikë për djemtë.

    Të dhënat tregojnë se një prej sfidave kryesore mbetet rritja e numrit të nxënësve që arrijnë të paktën Nivelin 2 të aftësive, i konsideruar si niveli bazë i performancës.

    Në vitin 2025, vetëm rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë kanë arritur këtë nivel në shkencë, rreth 15 për qind në matematikë dhe rreth 16 për qind në lexim.

    Në të njëjtën kohë, numri i nxënësve që arrijnë nivelet më të larta të performancës mbetet shumë i ulët.

    Sipas leximit preliminar të rezultateve, kjo kërkon një qasje të dyfishtë, mbështetje më të madhe për nxënësit me rezultate të ulëta, por edhe programe të veçanta për identifikimin dhe zhvillimin e potencialit të nxënësve me performancë të lartë.

    Vijueshmëria në shkollë është një tjetër çështje që del në pah nga rezultatet.

    Rreth 54 për qind e nxënësve kanë raportuar se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testit, ndërsa 56 për qind kanë deklaruar se kanë munguar të paktën në një orë mësimore.

    Këto të dhëna, sipas gjetjeve, nënvizojnë nevojën për mekanizma më të mirë të monitorimit të vijueshmërisë dhe për një bashkëpunim më të strukturuar ndërmjet shkollave, prindërve dhe nxënësve.

    Në bazë të gjetjeve të PISA 2025, raporti i Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve ka rekomanduar forcimin e të nxënit bazë në matematikë, shkencë dhe lexim, me fokus të veçantë te nxënësit që nuk arrijnë Nivelin 2 të aftësive.

    Po ashtu, rekomandohet:

    -zhvillimi i mësimdhënies përmes zgjidhjes së problemeve dhe situatave reale;

    -forcimi i mendimit kritik dhe aplikimit praktik të njohurive;

    -krijimi i programeve për nxënësit me performancë të lartë;

    -identifikimi dhe përhapja e praktikave të shkollave dhe mësuesve që ndihmojnë nxënësit e pafavorizuar të arrijnë rezultate më të mira;

    -forcimi i zhvillimit profesional të mësimdhënësve;

    -përdorimi më efektiv i teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në procesin mësimor;

    -forcimi i bashkëpunimit shkollë–familje;

    -përmirësimi i klimës së të nxënit dhe disiplinës pozitive;

    -monitorimi më i mirë i vijueshmërisë dhe ndërhyrja e hershme për nxënësit me mungesa të shpeshta.