ATV

Category: Lajme

  • AAB shënon një nga mbrëmjet më të veçanta akademike: Gjenerata XXIII diplomon në një ceremoni madhështore

    AAB shënon një nga mbrëmjet më të veçanta akademike: Gjenerata XXIII diplomon në një ceremoni madhështore

    Në një ceremoni solemne dhe plot emocione, Kolegji AAB ka shënuar diplomimin e Gjeneratës XXIII, natë që mblodhi në një vend diplomantët, familjarët e tyre, profesorët, stafin dhe mysafirë të shumtë.

    Rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri ndërsa iu drejtua gjeneratës së XXIII, vendosi në qendër të fjalës së tij rëndësinë e këtij momenti dhe përgjegjësinë që vjen bashkë me dijen e fituar.

    Mesazhi i tij u përqendrua në idenë se diploma nuk duhet të shihet si fund i rrugëtimit akademik, por si pikënisje e një kapitulli të ri, në të cilin dija duhet të shndërrohet në punë, profesionalizëm, etikë dhe kontribut për shoqërinë.

    Një tjetër moment i veçantë i mbrëmjes ishte prania e të ftuarës së nderit, MSc. Esmeralda Kazia.

    Drejtoreshë Ekzekutive e Teknologjisë në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, eksperte dhe lidere ndërkombëtare në fushën e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike, Kazia solli para të diplomuarve perspektivën e një profesionisteje që ka ndërtuar karrierë në një prej fushave më të rëndësishme të kohës moderne.

    Në emër të gjeneratës, fjalën e pati studenti i Fakultetit të Komunikimit Masiv, Resul Maxhuni, që solli në skenë zërin e vetë diplomantëve, kujtimet, sfidat, emocionet dhe pritjet që i kanë shoqëruar gjatë viteve të studimit.

    Përmes tij, në skenë foli një gjeneratë e tërë: studentë që ndanë ligjëratat, provimet, sukseset, vështirësitë dhe momentet që sot janë shndërruar në kujtime.

    Pas fjalimeve, ceremonia kaloi në aktin e saj qendror: ndarjen solemne të diplomave. Nga ky moment të pranishmit nuk ishin vetëm studentë të Kolegjit AAB, por alumni dhe pjesë e një komuniteti që do ta përfaqësojë institucionin përmes punës, arritjeve dhe kontributit në shoqëri.

    Në këtë mbrëmje u festuan vite të tëra pune. U festuan sakrificat e familjeve. U festuan ëndrrat e studentëve. Dhe mbi të gjitha, u festua fillimi i një kapitulli të ri.

    Urime diplomantë, rruga juaj sapo ka filluar!

  • Gjykata Supreme dhe EULEX riafirmojnë përkushtimin për pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit

    Gjykata Supreme dhe EULEX riafirmojnë përkushtimin për pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit

    Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, priti sot në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes, të cilin e uroi për marrjen e detyrës së re.

    Në takim morën pjesë edhe shefi i Komponentit të Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues, Giovanni Galzignato, shefi i Njësisë për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, si dhe këshilltarja për të Drejtat e Njeriut, Valentina Vitali.

    Gjatë takimit, Kryetari Rexhepi vlerësoi kontributin e EULEX-it në mbështetjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe potencoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me këtë mision. Shefi i ri i EULEX-it, Antero Lopes, theksoi se sundimi i ligjit mbetet një nga prioritetet e misionit, me synim mbështetjen e proceseve që kontribuojnë në avancimin e Kosovës drejt integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Në këtë drejtim, u theksua se EULEX-i vazhdon angazhimin e tij në fushën e sundimit të ligjit, përmes monitorimit, këshillimit dhe mbështetjes, si dhe në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në përputhje me mandatin e misionit.

    Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua pavarësisë së gjyqësorit dhe rëndësisë së garantimit të funksionimit të tij të pavarur dhe pa ndërhyrje politike.

    Kryetari mirëpriti riafirmimin e mbështetjes së EULEX-it, për pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, si dhe për çështjet që ndikojnë në funksionimin e tij efektiv, duke nënvizuar se pavarësia dhe integriteti janë themeli i funksionimit të drejtësisë dhe parakusht për besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Kryetari Rexhepi theksoi se ndërtimi dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë në Kosovë është bërë edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, duke vlerësuar në këtë kuadër kontributin e vazhdueshëm të EULEX-it.

    Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e luftimit të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke vënë theksin në nevojën e forcimit të mëtejshëm të mekanizmave institucionalë dhe gjyqësorë për parandalimin, hetimin dhe trajtimin efektiv të këtyre dukurive.

    Po ashtu, gjatë takimit u diskutua për Raportin e fundit të EULEX-it dhe rekomandimet e paraqitura në të. Përfaqësuesit e EULEX-it shprehën vlerësimin e tyre për angazhimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme në adresimin e rekomandimeve, duke theksuar se zbatimi i tyre kontribuon në avancimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor dhe në përmirësimin e funksionimit të tij.

    Një tjetër çështje diskutimi, me rëndësi, ishte unifikimi i praktikës gjyqësore. Kryetari Rexhepi theksoi rolin dhe prioritetin e Gjykatës Supreme në këtë proces, me qëllim të sigurimit të një zbatimi sa më të unifikuar të ligjit dhe të rritjes së sigurisë juridike për qytetarët.

    Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit institucional, duke shprehur përkushtimin për forcimin e pavarësisë, integritetit dhe profesionalizmit të gjyqësorit, si dhe në avancimin e standardeve evropiane të drejtësisë në Kosovë.

  • Podujeva përfiton 1.8 milion euro për programet e banimit

    Podujeva përfiton 1.8 milion euro për programet e banimit

    Komuna e Podujevës ka siguruar 1 milion e 835 mijë euro për financimin e programeve të banimit, përmes një marrëveshjeje të grantit të nënshkruar me Ministrinë në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

    Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe ministrja në detyrë Fitore Pacolli Dalipi.

    Përmes këtij financimi do të ndërtohen 18 njësi të reja të banimit social, për të cilat janë ndarë 1.2 milion euro.

    Po ashtu, 250 mijë euro do të përdoren për renovimin e 10 shtëpive private, ndërsa 385 mijë euro janë paraparë për rindërtimin e shtatë shtëpive private.

    Bulliqi ka bërë të ditur se nga këto programe do të përfitojnë gjithsej 35 familje apo njësi banimi.

    “Sot, së bashku me Ministren në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, nënshkruam Marrëveshjen e Grantit për financimin e programeve të banimit në Komunën e Podujevës, në vlerë prej 1 milion e 835 mijë euro”, ka shkruar Bulliqi.

    Ai ka theksuar se investimi do të shpërndahet në tri komponentë: ndërtimin e njësive të reja të banimit social, renovimin dhe rindërtimin e shtëpive private.

    “Në total, nga këto programe do të përfitojnë 35 familje/njësi banimi, duke krijuar kushte më të mira dhe më të sigurta të banimit për familjet në nevojë”, ka deklaruar Bulliqi. /Telegrafi/

  • Shqipëri: 5-vjeçari bie nga ballkoni i banesës, pëson dëmtime në kokë

    Shqipëri: 5-vjeçari bie nga ballkoni i banesës, pëson dëmtime në kokë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në Libohovë, ku një 5-vjeçar ka rënë nga ballkoni i një banese njëkatëshe.

    Sipas informacioneve paraprake, i mituri është dërguar fillimisht në Urgjencën e Spitalit Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.

    Për shkak të dëmtimeve të pësuara, 5-vjeçari pritet të transportohet drejt Tiranës për vlerësim dhe trajtim më të specializuar.

    Nga rënia, i mituri ka pësuar dëmtime në kokë, por fatmirësisht raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

    Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.

  • Lirohet nga akuza Glauk Konjufca për rastin e gazit lotsjellës në Kuvend

    Lirohet nga akuza Glauk Konjufca për rastin e gazit lotsjellës në Kuvend

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuza, Glauk Konjufcën lidhur me rastin e përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

    Konjufca ishte akuzuar për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa pas shqyrtimit të rastit, gjykata ka marrë vendim për lirimin e tij nga akuza.

    Vendimin e ka bërë të ditur gjykatësja gjatë shpalljes së aktgjykimit.

    “I akuzuar për veprën penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’, i pandehuri Glauk Konjufca lirohet nga akuza”, ka thënë gjykatësja.

    Rasti lidhet me ngjarjet e zhvilluara në Kuvendin e Kosovës, kur deputetë të atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje përdorën gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit në shenjë kundërshtimi ndaj zhvillimeve politike të asaj kohe. /Telegrafi/

  • Alarm i kuq i të nxehtit në Itali, temperatura ekstreme në 9 qytete

    Alarm i kuq i të nxehtit në Itali, temperatura ekstreme në 9 qytete

    Një valë e re të nxehti ka përfshirë rajonet qendrore dhe jugore të Italisë, duke shkaktuar temperatura ekstreme dhe vështirësi për banorët dhe turistët.

    Ministria italiane e Shëndetësisë ka shpallur alarm të kuq në 9 qytete: Bari, Cagliari, Campobasso, Catania, Latina, Messina, Palermo, Romë dhe Reggio Calabria, shkruan Euronews.al.

    Autoritetet u kanë bërë thirrje veçanërisht të moshuarve, fëmijëve dhe personave me probleme shëndetësore të shmangin daljet nga ora 11:00 deri në 18:00, kur temperaturat janë më të larta.

    Në Romë, turistët që vizitojnë monumentet kryesore janë parë duke përdorur çadra dhe ventilatorë portativë për t’u mbrojtur nga dielli, ndërsa shumë prej tyre janë drejtuar te shatërvanët për t’u freskuar.

    Paralelisht, në Siçili vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve në pyje. Dy helikopterë janë angazhuar për të ndihmuar në kontrollin e një zjarri të nisur pranë malit Gulino, në afërsi të Palermos.

  • Tahiri: Moskonstituimi i Kuvendit po e çon Kosovën drejt një krize të thellë

    Tahiri: Moskonstituimi i Kuvendit po e çon Kosovën drejt një krize të thellë

    Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar shumicën parlamentare për moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se kjo situatë e ka futur Kosovën në një krizë të thellë shoqërore, ekonomike dhe politike.

    Tahiri ka deklaruar se gjendja në vend po përkeqësohet dhe po afrohet në një pikë kritike, duke përmendur edhe pasojat në siguri dhe ekonomi.

    Sipas tij, bojkoti dhe mosushtrimi i detyrës kushtetuese nga shumica parlamentare po prodhojnë pasoja të rënda për funksionimin e shtetit.

    “Tanimë kjo shumicë parlamentare, e cila sot e sa ditë është duke bojkotuar dhe duke mos ushtruar detyrën e vet kushtetuese, me moskonstituimin e Kuvendit e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik dhe politik”, tha Tahiri.

    Ai shtoi se situata aktuale ndërlidhet edhe me sigurinë dhe ekonominë, duke thënë se Kosova po përballet me një krizë politike të paprecedentë.

    Tahiri pretendoi se kjo qasje është e qëllimshme dhe synon ta çojë vendin drejt një “krize identitare”.

    “Kjo është e qëllimshme. Kjo qasje, kjo mënyrë dhe ky përkushtim e ka vetëm një qëllim. Dhe qëllimi është ta sjellë shtetin e Kosovës në një krizë identitare”, deklaroi ai.

    Deputeti i Aleancës theksoi se pavarësia e Kosovës është arritja më e madhe kombëtare dhe se, sipas tij, duhet të mbrohet nga çdo përpjekje që cenon funksionimin institucional të vendit.

  • Haakon VIII merr fronin, bëhet mbreti i ri i Norvegjisë

    Haakon VIII merr fronin, bëhet mbreti i ri i Norvegjisë

    Familja mbretërore norvegjeze ka publikuar portretin zyrtar të mbretit të ri, pas vdekjes së Mbretit Harald V.

    Pas ndarjes nga jeta të Harald V, fronin e Norvegjisë e ka marrë djali i tij, Haakon, i cili tashmë është mbreti i ri i vendit.

    Portreti i tij zyrtar është bërë publik nga familja mbretërore norvegjeze, duke shënuar kështu nisjen e një kapitulli të ri për monarkinë e vendit.

    Harald V vdiq në moshën 89-vjeçare, pasi ishte shtruar në spital javën e kaluar për trajtim.

    Pallati Mbretëror në Oslo njoftoi se ai ndërroi jetë në paqe të premten, në orën 06:35 sipas kohës lokale, në spitalin kombëtar të Oslos.

  • Më 2 shtator shpallet aktgjykimi ndaj Xhelal Sveçlës për rastin e gazit lotsjellës

    Më 2 shtator shpallet aktgjykimi ndaj Xhelal Sveçlës për rastin e gazit lotsjellës

    Gjykata ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor ndaj Xhelal Sveçlës në rastin që lidhet me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

    Pas përfundimit të procedurës gjyqësore, Gjykata ka bërë të ditur se shpallja e aktgjykimit është caktuar për 2 shtator.

    Sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1, i Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës në kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muajsh deri në tre vjet.

  • Maqedonci pret zyrtaren e NATO-s, diskutojnë për sigurinë në rajon

    Maqedonci pret zyrtaren e NATO-s, diskutojnë për sigurinë në rajon

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se sot ka pritur në Ministrinë e Mbrojtjes Blanca Hereza Atienza, udhëheqëse e Sektorit të Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të NATO-s, së bashku me delegacionin e saj.

    Gjatë takimit, sipas Maqedoncit, është diskutuar për zhvillimet e sigurisë në rajon, situatën aktuale dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.

    Maqedonci ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me NATO-n dhe kontributin e Aleancës në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil në Kosovë dhe rajon.

    Ai ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me NATO-n dhe për të kontribuar, me kapacitetet e saj, në sigurinë dhe stabilitetin rajonal e ndërkombëtar.