ATV

Category: Lajme

  • Mustafa për Ligjin për Specialen: Deri të hënën kthehet në Kuvend, presim të kalojë

    Mustafa për Ligjin për Specialen: Deri të hënën kthehet në Kuvend, presim të kalojë

    Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë se Ligji për Specialen pritet të kthehet në Kuvend deri të hënën.

    Ai tha se ka pajtueshmëri me VV-në dhe se pritet që ligji të kalojë sërish në Kuvend.

    Po ashtu, Mustafa tha se duhet punuar për në Apel për mbrojtjen e ish krerëve të UÇK-së në Hagë.

  • Ky është i nominuari për Ambasador të ShBA-së në Kosovë

    Ky është i nominuari për Ambasador të ShBA-së në Kosovë

    Shtëpia e Bardhë ka nominuar Mikhail Bogachek, nga Florida, për ambasador të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës.

    Kjo u bë e ditur në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, te kategoria e Veprimeve Presidenciale.

    Ky nominim i është dërguar tashmë Senatit, nga i cili duhet të konfirmohet për të marrë detyrën e re.

  • Deputeti i PDK-së për pagën e 13-të: Pse të jepet në janar, jo në fund të vitit?

    Deputeti i PDK-së për pagën e 13-të: Pse të jepet në janar, jo në fund të vitit?

    Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka kritikuar qeverinë për ndarjen e pagës së 13-të.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën, tha se paga do të duhej të jepej në fund të vitit, pra në dhjetor dhe jo në janar të vitit të ardhshëm, pasi nuk nënkupton se po jepet për vitin 2026.

  • Mustafa: Deputetët e VV-së po e pamundësojnë raportimin e Autoritetit të Konkurrencës

    Mustafa: Deputetët e VV-së po e pamundësojnë raportimin e Autoritetit të Konkurrencës

    Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka dhënë detaje për përplasjet e sotme në komisionin për ekonomi, për raportimin e Autoritetit të Konkurrencë.

    Ai në emisionin Compass me Ilir Berishën, tha se deputetët e VV-së që janë shumicë në komision, po e pamundësojnë raportimin e këtij autoriteti.

    Po ashtu, ai shtoi se VV po akuzon bizneset për abuzime dhe në anën tjetër nuk po e mundëson raportimin e këtij autoriteti.

  • Dy të plagosur me armë zjarri në Gjakovë, i dyshuari arrestohet

    Dy të plagosur me armë zjarri në Gjakovë, i dyshuari arrestohet

    Policia e Kosovës konfirmoi se dy persona janë plagosur në Gjakovë, siç dyshohet nga armë zjarri.

    Zëdhënësja e Policisë në Gjakovë, Vlera Krasniqi, bëri të ditur se sot rreth orës 16:40, kanë pranuar informatën nga Qendra Emergjente e Spitalit të Gjakovës se dy persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se janë plagosur nga arma e zjarrit.

    “Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar “tri (3) gëzhoja dhe një (1) armë e gjatë automatike”.

    Personi i dyshuar është arrestuar, ndërsa lidhur me rastin janë duke u ndërmarrë veprimet policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, tha Krasniqi.

  • Edi Rama në Paris: Kosova është e pavarur, nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi serbe

    Edi Rama në Paris: Kosova është e pavarur, nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi serbe

    Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në “Forumin e Paqes”, që po zhvillohet në Musée de l’Homme në Paris, u ndal te roli i Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Rama theksoi se Shqipëria ka qenë aktive në nxitjen e paqes gjatë dekadës së fundit, ndërsa për statusin e Kosovës deklaroi se pavarësia e saj është një fakt i pakthyeshëm. Ai u bëri thirrje serbëve ta pranojnë realitetin e Kosovës si shtet të pavarur, duke theksuar se nuk ka kthim pas në këtë çështje.

    “Unë e kuptoj lirinë si ndjesinë për të ardhur këtu dhe për të folur me ju. Në moshën time 26-vjeçare më duhej që të luftoja për të parë botën. Kështu e përkufizoj unë lirinë që mund të them çfarë të dua, të shkoj kur të dua. Shqipëria ka qenë gjithnjë vend paqedashës dhe përgjatë 10 viteve të fundit kemi qenë shumë aktivë në nxitjen e paqes në rajon. Janë disa gjëra që mund të jesh i lirë sa të duash, por nuk mund të zgjedhësh as kushërinjtë dhe as fqinjët.

    Prandaj më mirë është që të shkosh mirë me fqinjët. Jemi munduar të bëjmë mirë aq sa kemi mundur. Sa i takon çështjes së Shqipërisë dhe Kosovës mbetet një pikëpyetje. Kosova është një shtet i pavarur, që njihet nga shumë vende dhe nuk ka më kthim pas, dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi serbe. Sa më shpejt serbët ta shikojnë si një fakt, nuk do të përfshihen nga kjo fantazmë”, tha Rama.

  • Kurti ndan pjesë nga intervista në Radio France Internationale: Në rajon, jemi të parët ose të dytët për luftën kundër krimit

    Kurti ndan pjesë nga intervista në Radio France Internationale: Në rajon, jemi të parët ose të dytët për luftën kundër krimit

    Kryeministri Albin Kurti tha se udhëheqja e re e Serbisë duhet ta njohë realitetin e shekullit XXI se Kosova është shtet i pavarur

    Në bashkëbisedim me studentët e Paris School of International Affairs (PSIA), duke folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Kurti tha se ky proces duhet të përfshijë edhe përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, duke kërkuar dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi si arkitektin kryesor të sulmit ku mbeti i vrarë togeri Afrim Bunjaku.

    “Ky duhet të jetë gjithashtu një proces përmes të cilit qeveria e Serbisë, e cila së fundmi ka kaluar nëpër një ndryshim të udhëheqjes, të arrijë ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete”, tha Kurti.

    Serbia duhet ta braktisë fushatën kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë, instrumentalizimin e kundërshtimit të Rusisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, shtoi Kurti.

    Ai u ndal edhe në qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, duke thënë se zgjerimi ka marrë urgjencë të re pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

    Sipas tij, kjo urgjencë nuk duhet të krijojë një Evropë ku disa vende mirëpriten, ndërsa të tjerat mbeten në një rrugë të paqartë drejt integrimit.

    “Çështja e tretë, e ndërlidhur ngushtë me dialogun me Serbinë, është njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur atë. Besojmë se ato duhet ta kuptojnë se rrethanat në të cilat lindi vendi ynë, represioni, spastrimi etnik dhe gjenocidi që përjetoi populli ynë, nuk mund të barazohen thjesht me lëvizjet separatiste me të cilat nganjëherë bëhen paralele”, tha ai.

    Kryeministri Kurti po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris,në margjinat të të cilit zhvilloi edhe takim dhe aktivitete të tjera. 

  • Maqedonci: Buxheti për mbrojtjen më 2027, më i larti në histori

    Maqedonci: Buxheti për mbrojtjen më 2027, më i larti në histori

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se buxheti për mbrojtjen e Republikës së Kosovës për vitin 2027 është planifikuar të jetë 224 milionë e 168 mijë e 705 euro, duke e cilësuar atë si më të lartin në historinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Kosovës.

    Në një postim në Facebook, Maqedonci ka theksuar se përmes këtij buxheti do të vazhdojnë investimet në modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Ai ka përmendur furnizimin me pajisje dhe sisteme moderne ushtarake, ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe zhvillimin e infrastrukturës mbrojtëse si fusha ku do të orientohen investimet.

    “Përmes këtij buxheti, do të vazhdojnë investimet në modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, furnizimin me pajisje dhe sisteme moderne ushtarake, ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe zhvillimin e infrastrukturës mbrojtëse”, ka shkruar Maqedonci. 

  • A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

    A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

    Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

    Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

    Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

    Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

    Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

    Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

    Një provë për marrëdhëniet me Evropën

    Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

    Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

    Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

    Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

    Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

    BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

    Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

    Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

    BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

    Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

    Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

    Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

    “Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

    Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

    “Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

    Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

    Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

    Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

    Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

    “Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

    Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

    Asociacioni, pengesa që mbetet

    Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

    Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

    Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

    Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

    Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

    Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

    Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

    Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

    “Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

    Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

    Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

    Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

    Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

    Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

    Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

    “Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

    Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

    A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

    Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

    Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

    Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

    Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

    Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

    Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

    “Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

    Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

  • Pagat u ekzektuan, Azemi: Presim që sa më shpejtë punëtorët teknikë të shkollave të nisin punën

    Pagat u ekzektuan, Azemi: Presim që sa më shpejtë punëtorët teknikë të shkollave të nisin punën

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një konferencë për media ka deklaruar se kanë marrë rrezikun për t’i ftuar në takim punëtorët teknikë të shkollave të Prishtinës, pa e ditur se a do të procedohen pagat me qëllim që ata të fillojnë sa më shpejt punën, raporton Ekonomia Online

    Azemi ka thënë se, pavarësisht pasigurisë nëse bankat do t’i procesojnë pagesat, kanë vendosur të ndërmarrin këtë hap.

    “Me këtë që sot kam thirrur takimin në ora 15: 00, edhe pse s’kam qenë shumë i sigurtë se bankat do t’i procesojnë, kam marrë rrezikun, me qëllim që t’i dërgojmë edhe komunës, edhe të gjithë akterëve të tjerë, po ne presim çdo minutë që të fillojmë sa më shpejt me punë, sepse nuk duam të humbim. I ka mbajtë komuna e Prishtinës, ja pafshit hajrin, shpresoj që prej këtij muaji, të tjerat e të tjera”, tha Azemi.

    Ai ka falënderuar punëtorët për mbështetjen dhe angazhimin, duke mohuar se grevat kanë pasur ndonjë prapavijë tjetër, përveç kërkesave sociale dhe pagave.

    “Një faleminderit për gjithçka, po themi, jo njëherë, shumë herë keni qenë të mrekullueshëm. Këto greva nuk kanë pasur asnjë prapavijë. Kudo qoftë, çka do qoftë, që thotë, ka qenë ekskluzivisht për çështje sociale, ekskluzivisht ka qenë për pagën tonë, çka na e garanton vendimi i qeverisë së Kosovës”, u shpreh ai.

    Kreu i Sindikatës së Sektorit Privat ka folur edhe për kërkesën e tyre për rritjen e pagës minimale në 600 euro nga 1 janari, duke thënë se këtë kërkesë ia kanë paraqitur edhe Qeverisë së Kosovës.

    “Ne e thamë qeverisë së Kosovës që nga janari, sepse Këshilli Ekonomik social duhet të mblidhet në fund të çdo viti, dhe paga prej 500 € pse është minimumi i minimumit, së paku prej 1 janarit presim që ajo të jetë 600 €. Në të kundërtën, na duhet me i shty ne vetë procesin përpara”, tha Azemi.