ATV

Category: Lajme

  • Moti sot me diell dhe vranësira, temperaturat deri në 23 gradë Celsius

    Moti sot me diell dhe vranësira, temperaturat deri në 23 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për pesë ditët e kësaj jave.

    Sipas IHMK-së, të hënën në Kosovë do të mbajë mot me diell vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet një dhe katër gradë Celsius, ndërkaq ato maksimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare”, thuhet në njoftim.

  • Drejtori i Emergjencës: Një i lënduar nga arma e ftohtë po trajtohet, ka gjendje stabile

    Drejtori i Emergjencës: Një i lënduar nga arma e ftohtë po trajtohet, ka gjendje stabile

    Dyshohet se një person ka mbetur i vdekur pasi është therur me thikë disa herë afër stacionit të trenit në Prishtinë.

    Raportohet se personi që theri vëllanë në Prishtinë, është duke u trajtuar në QKUK.

    Në lidhje me këtë ngjarje ka dhënë detaje Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla,ku njoftoi se gjendja e tij aktualisht është stabile.

    “Një i lënduar me armë të ftohtë është duke u trajtuar në Qendrën Emergjente, për momentin janë duke iu kryer ekzaminimet e duhura. Gjendja është stabile”, është shprehur ai.

  • Dinari vazhdon kundërligjshëm të qarkullojë në komunat në veri të vendit

    Dinari vazhdon kundërligjshëm të qarkullojë në komunat në veri të vendit

    Dinari po vazhdon edhe më tej të qarkullojë lirshëm në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

    Ndonëse përdorimi i kësaj valute është i kundërligjshëm, në veri të vendit pagesat po kryhen edhe me dinarë. Kjo po ndodh, pavarësisht faktit se Banka Qendrore e Kosovës në muajin maj e kishte përmbyllur periudhën tremujore transitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme.

    Kundërligjshëm dinari po vazhdon të qarkullojë në komunat në veri të vendit.

    Për t’u siguruar se pagesat po kryhen në dinar, RTK ka provuar në disa dyqane në veri të vendit që të kryej pagesa me këtë valutë. Shitësit nuk kanë hezituar që të pranojnë dinar e as që kthimin e parave ta bëjnë në këtë valutë.

    “Unë dinarin më së shumti e përdori edhe pse pensionin e Kosovës e marrë në euro, tani na kanë rritur pak, 120 euro”, tha në qytetar.

    Disa banorë të tjerë hezituan të flisnin. Ndërsa, pati edhe prej atyre që u ankuan se po detyrohen që të shkojnë në Rashkë për t’i marrë pensionet.

    Përveç komunave veriore, dinari po qarkullon lirshëm edhe në Graçanicë.

  • Rënie e inkasimit të të hyrave të KPMM-së

    Rënie e inkasimit të të hyrave të KPMM-së

    Shuma që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, inkasoi nga janari deri në shtator, kap një vlerë prej më shumë se 21.2 milionë eurosh.

    KPMM planifikon që deri në fund të vitit, të gjeneroj 29.5 milionë euro, në total.

    Renta minerare që paguajnë kompanitë e licencuara në Kosovë, është burimi kryesor i të hyrave, për rregullatorin e sektorit minerar.

    Prej kësaj pagese, KPMM inkasoi rreth 20.5 milionë euro, për nëntë muaj.

    ATV ka siguruar qasje në raportet vjetore, jo-publike për vitet 2022 dhe 2023, derisa ka vërejtur se të hyrat e gjeneruara nga renta minerare, kanë trend të rënies.

    Në vitin 2022, rregullatori inkasoi afro 29.9 milionë euro, pikërisht nga pagesat e rentës.

    Në vitin pasues, KPMM fitoi më shumë se 26.7 milionë euro, prej kësaj kategorie.

    Prej fundit të vitit 2022 deri në maj të këtij viti, KPMM e pati të pamundur shqyrtimin e aplikimeve të kompanive për licencë, meqë nuk kishte bord aktiv.

    Daut Fazlija, është në pritje të shqyrtimit të aplikimit për licencë për kompaninë e tij, që nga marsi i vitit 2022. Në baza vjetore, ai pagoi 150 mijë euro për rentë minerare.

    “Për rentë minerare kemi paguar 150 mijë euro në vit, vetëm rentë, më pas edhe TVSH-ja është e trefishuar”, tha Fazlija.

    Burime brenda KPMM-së i thanë ATV-së, se edhe me zgjedhjen e bordit të ri të përbërë nga tre anëtarë, qindra aplikacione kanë mbetur pa u shqyrtuar.

    Sipas ligjit për Miniera dhe Minerale, kompanive nuk iu lejohet operimi pa licencë dhe rrjedhimisht kur nuk ka eksploatim, nuk ka pagesë për rentë minerare.

    Ndërkaq, ndërmarrja “Trepça”, sipas raportit të KPMM-së, nuk paguan fare për rentë minerare dhe vazhdon të trajtohet me prioritet për tu pajisur me licencë. /atvlive.tv

  • Pronarët e 35 shtëpive në Pejë në hall me pronat

    Pronarët e 35 shtëpive në Pejë në hall me pronat

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Lagjja “Xhemajl Kada” u ndërtua nga vitet e 90-ta.

    Kështu, kjo pjesë periferike e Pejës, tash numëron mbi 60 shtëpi.

    Por, familjet brenda 35 prej tyre nuk po e dinë se a do ta presin dimrin në shtëpitë e tyre, meqë u është dhënë një urdhër t’i lëshojnë pronat.

    Lavdim Muriqi, pronar i njërës nga to, thotë se ky lajm u erdhi nga një person i panjohur, me arsyetimin se shtëpitë janë ndërtuar në tokën e tij.

    “Ka ardhë s’po donë me u marr vesh, po kërkon veç me lirua, bile ka thënë me ja pagu aq sa kemi qëndruar deri tash…”, tha Muriqi.

    Atëkohë, sa u ndërtuan shtëpitë, pronarët e tyre nuk e dinin se pronë e kujt është parcela. Ata thonë se themelin e tyre e nisën me mendimin se toka është e komunës, dhe se dikur do të kompensoheshin me ta. Por, sipas përfaqësuesit të lagjes, pavarësisht kësaj, një muaj kohë, sa i ‘u dha pronarëve t’i lëshojnë pronat, është e papranueshme.

    “E dimë që s’është në rregull as ashtu me i ndërtua po ne kemi mëndu që kemi me u marr vesh me komunë, se pas lufte dihet qysh kanë shkuar senet”, tha Mirsad Koliqi, kryetar i lagjes “Xhemajl Kada”.

    Banorët janë në gjendje të bëjnë kompensim financiar, nëse edhe dokumentacionet e parcelës mbajnë emrin e dikujt tjetër.

    “Po kërkojmë me ardhë e me klasifikua, jemi në gjendje me u përgjigj financiarisht, me e shti shtëpinë në hipotekë, nëse nuk i përgjigjem atëherë, le të ma marrin shtëpinë edhe atëherë nuk ankohem më askund hiç”, tha Ejup Shala, banor.

    Tash, halli i tyre është se ku do të qëndrojnë, pasi t’i lëshojnë shtëpitë.

    “Janë mbi 200 anëtarë shtëpie tash dimër ku donë me qëndru pse nuk e llogarisin këtë situatë…”, tha Koliqi.

    Andaj, për t’u dalë në ndihmë, banorët trokitën dyert e zyrtarëve komunal.

    “Kam qenë n ’komunë nuk na ka shikuar askush hiç”, tha Lavdim Muriqi, banor.

    Nga komuna e Pejës i thanë televizionit se kjo çështje është duke u shqyrtuar në Gjykatën Themelore në Pejë, dhe deri të përfundojë procesi, nuk mund të bëjnë asnjë hap tutje.

    Ndërkaq, nga Gjykata Themelore e Pejës, nuk kanë treguar se deri në cilën fazë ka shkuar lënda.

  • Parku i “Taukbahçes” pa mirëmbajtje

    Parku i “Taukbahçes” pa mirëmbajtje

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Gjatë ditës vizitohet nga mijëra qytetarë.

    Por, në mbrëmje ka më pak njerëz, ngase Parku i Taukbahçes nuk ka i tëri ndriçim.

    “Kishte me qenë mirë që këto dritat mu vendos, kur ka dritë shumë ma ndryshe është, me shumë të tërhek, për shembull kur është terr kështu dimrit sidomos është problem, mirë kishte me qenë Komuna, sepse në mbikëqyrje të komunës është ky park, me vendos qaty dritat por edhe me i vendos do kamera kishte me qenë mirë. Edhe për shkak të qenve është me mirë me pas shumë dritë normal, por në mbrëmje kur po dal po hezitoj për shkak të dritës me shumë”, thotë një qytetare.

    “Po sigurisht duhet organet kompetente me u marrë me këtë problem, këtu frekuentohet shumë shtegu për vrapim, për ecje, të moshuarit, të rinjtë, parku ka nevojë për mirëmbajtje pak me të mirë në aspektin teknik, puna e ndriçimit dhe gjëra të tjera, ndriçimi me u rregullu ka nevojë”, thotë një qytetar.

    Edhe pse në këtë park, viteve të fundit është investuar shumë, megjithatë sipas opozitës kërkohet më shumë punë në mirëmbajtje.

    “Ky park nuk mirëmbahet nga komuna e Prishtinës, për shkak që këtu kemi nevoja të ndryshme, ka mungesë të ndriçimit publik, shpeshherë këtu ndriçimi nuk punon po ashtu përveç ndriçimit publik, do të thotë gjithë ky park që shfrytëzohet prej shumë qytetarëve është vetëm një çezmë, një kru, që aty qytetarët munden të furnizohen me ujë të pijshëm. Po ashtu që këtu kemi probleme edhe me kundërmimin e erës që është si një lloj përroske që mundemi me quajt të vogël, që kundërmon një erë e rëndë për shkak të kanalizimit që derdhet”, tha Besart Krasniqi, asamblist i Vetëvendosjes.

    Por, Komuna thotë se ka zgjidhje për të gjitha këto telashe. Sipas zëdhënësit të Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku, drejtoritë përkatëse kanë dalë në terren dhe kanë identifikuar problemet.

    Kemi marrë të gjitha ankesat prej qytetarëve direkt në terren, jemi afër nënshkrimit të kontratës për zgjerim të ndriçimit, të mirëmbajtjes veçse ku ka pasur nevojë kemi ndërhy, dhe po shpresoj se brenda muajit nëntor të përmbyllim pjesën e Taukbahçes. Qentë endacakë po kastrohen, sterilizohen, pritet shpejt mu përfundu strehimorja”, tha Lushaku.

    Kontrata për zgjerimin e ndriçimit në këtë park pritet të nënshkruhet ditëve në vazhdim.

  • Kritikohet udhëzimi administrativ për licencimin e psikologëve e të pedagogëve

    Kritikohet udhëzimi administrativ për licencimin e psikologëve e të pedagogëve

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Për afro 3 javë, Udhëzimi Administrativ mbi shërbimin pedagogjik-psikologjik në shkolla dhe licencimin e psikologëve e pedagogëve shkollorë do të jetë në platformën e diskutimeve publike.

    Derisa, Licencimi i tyre parashihet edhe me ligjin për profesione të rregulluara, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se për herë të parë po parashihet procedurat e licencimit dhe ri-licencimit.

    “Licencimi veçse është i rregulluar me ligjin për profesione të rregulluara, tash udhëzimi mund ta detajojë këtë punë, por më e rëndësishmja i përcakton disa dispozita, por unë rikujtoj nuk e kemi problemin në legjislacion, por në llogaridhënie dhe zbatim të tij”, tha Rinor Qehaja nga Instituti “ED GUARD”.

    Ndër të tjerash në udhëzim përcaktohen edhe kriteret për kandidatët për psikologë e pedagogë.

    Mirëpo, me disa prej pikave nuk po pajtohen psikologët.

    “Jep një monopol UP për psikolog shkollor zakonisht udhëzimet duhet me përcaktua shkallën e edukimit po jo ku me marrë atë shkallë të edukimit. Pastaj edhe te rregullimi i kompetencave dhe te komisioni licencues kishte përfaqësues nga MASHT-i, licencimi duhet të bëhet nga profesionistë të fushës e jo domosdoshmërisht bartës të institucioneve”, tha Naim Telaku, psikolog.

    Megjithatë, si problem nuk vlerësohet vetëm legjislacioni.

    “Problemi është te numri i psikologëve dhe mungesa e tyre në shkolla. Vëmendja duhet të jetë në rritje të numrit dhe rekrutimit të psikologëve në shkolla”, tha Qehaja.

    “Treguesi që në përgjithësi me shëndetin mendor nuk janë të rregulluara në nivel të kënaqshëm është një domosdoshmëri themelimi i odës së psikologëve që do të rregullonte mënyrën dhe do të mbikëqyrte edhe aplikimin për psikolog që vazhdimisht po bëhet ky profesion shumë më i rëndësishëm”, tha Telaku.

    Ndërkohë, MAShTI ditë më parë ka njoftuar se ka të ndarë buxhetin për më shumë se 500 pozita për psikologë dhe pedagogë, për çka ka bërë thirrje tek komunat që sa më parë të shpallin konkurset.

    Ndërkaq, udhëzimi administrativ do të jetë i hapur për komente deri më 12 nëntor 2024.

  • Kërkohet përsëritja e konkursit për drejtorin e ATK-së

    Kërkohet përsëritja e konkursit për drejtorin e ATK-së

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Janë bërë pothuajse 5 muaj prej kur Ministria e Financave mbylli konkursin për drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës.

    Mirëpo, pavarësisht kësaj ATK-ja vazhdon të jetë me ushtrues detyre të drejtorit.

    Derisa, afati ligjor për emërimin e drejtorit ka kaluar, Ministria e Financave vazhdon të mos kthejë përgjigje për këtë çështje, pavarësisht insistimit të ATV-së.

    Si pasojë e mosrespektimit të afateve ligjore, nënkryetari i Komisionit për Buxhet, kërkon që konkursi të përsëritet.

    Deputeti Mërgim Lushtaku thotë se qëllimshëm nuk është emëruar drejtori i ATK-së.

    Po ashtu, konkursi i para 5 muajve vlerësohet se nuk ka qenë transparent.

    Tash e 3 vjet, Administrata Tatimore e Kosovës udhëhiqet nga Ilir Murtezaj, me pozitë ushtrues detyre i drejtorit.

  • Fabrika e drurit në Skenderaj në pritje të makinerive, larg përfundimit

    Fabrika e drurit në Skenderaj në pritje të makinerive, larg përfundimit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Në këtë hapësirë në fshatin Polac të Skenderajt, që dikur ishte oborr i shkollës, deri më tani janë të vendosura vetëm këto konstrukte nga betoni.

    Këtu para dy vjetëve nisi ndërtimi i fabrikës së drurit, mirëpo ajo është larg përfundimit.

    Sipas ish-nënkryetarit Nuredin Lashtaku, toka iu dha në shfrytëzim grupeve të interesit, andaj edhe punimet kanë ngecur.

    “E kanë dhënë pronën me 0% interes të Komunës për 99 vjet. Tash e dy vjet vetëm do betona i kanë vendosë e fabrika nuk është askund. Kështu i përvetësojnë pronat për vete edhe për njerëz të interesit të ngushtë”, tha Lashtaku.

    Kryetari i Skenderajt e pranoi se ka zvarritje në punimet për ndërtimin e fabrikës që përveç përpunimit të drurit, ishte paraparë të prodhonte edhe parafabrikate të betonit.

    “Ka pak vonesa, ne kemi komunikuar edhe me kompaninë dhe na është thënë se është në pritje të makinerive dhe sapo të jenë gati do të fillojnë me punime”, tha kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

    Se është në pritje të makinerive, kompania “TehnoBurimi” i kishte thënë ATV-së qysh para 9 muajve. Ndërkohë, televizioni i drejtoi pyetje përsëri kompanisë të cilës iu dha toka në shfrytëzim, por nuk pati përgjigje.

    Sidoqoftë, kryetari Fadil Nura siguroi se nëse brenda një afati të arsyeshëm punimet nuk nisin, toka do t’i rikthehet përsëri komunës.

    “Nëse nuk përfundon brenda një viti punë dinamike, atëherë do ta shfuqizoj vendimin”, tha Nura.

    Investimet sipas zyrtarëve komunalë do të kapin vlerën e 4 milionë eurove, teksa në fabrikë do të punësohen rreth 100 banorë të fshatrave përreth.

  • Ashensorët në vende publike në Prishtinë jo funksional

    Ashensorët në vende publike në Prishtinë jo funksional

    Përgatiti: astriot Tahiri

    Më 14 gusht të vitit të kaluar, kryetari i Prishtinës së bashku me drejtorin e shërbimeve publike që në atë kohë ishte Ilirik Musliu, përuruan shkallët e njohura si shkallet e postës në lagjen “Dardania”.

    Megjithatë as pas më shumë se një viti, ashensori nuk u funksionalizua.

    Njëjtë i pa shfrytëzueshëm tash e një kohë të gjatë është edhe ashensori tek Nënkalimi në Bulevardi Bill Clinton.

    Nga Handikos, Afrim Maliqi, tha se më këto projekte u diskriminuan.

    Për problemin në dijeni janë edhe në komunë, veç se sipas tyre ai pritet të zgjidhet.

    Derisa premtohet nga komuna se do të hyjnë në funksion ashensorët në të dy rastet, në këto vende nuk është rregulluar hapësira që parasheh qasjen e personave me aftësi të kufizuara.