Përgatiti: Benita Zeneli
Për afro 3 javë, Udhëzimi Administrativ mbi shërbimin pedagogjik-psikologjik në shkolla dhe licencimin e psikologëve e pedagogëve shkollorë do të jetë në platformën e diskutimeve publike.
Derisa, Licencimi i tyre parashihet edhe me ligjin për profesione të rregulluara, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se për herë të parë po parashihet procedurat e licencimit dhe ri-licencimit.
“Licencimi veçse është i rregulluar me ligjin për profesione të rregulluara, tash udhëzimi mund ta detajojë këtë punë, por më e rëndësishmja i përcakton disa dispozita, por unë rikujtoj nuk e kemi problemin në legjislacion, por në llogaridhënie dhe zbatim të tij”, tha Rinor Qehaja nga Instituti “ED GUARD”.
Ndër të tjerash në udhëzim përcaktohen edhe kriteret për kandidatët për psikologë e pedagogë.
Mirëpo, me disa prej pikave nuk po pajtohen psikologët.
“Jep një monopol UP për psikolog shkollor zakonisht udhëzimet duhet me përcaktua shkallën e edukimit po jo ku me marrë atë shkallë të edukimit. Pastaj edhe te rregullimi i kompetencave dhe te komisioni licencues kishte përfaqësues nga MASHT-i, licencimi duhet të bëhet nga profesionistë të fushës e jo domosdoshmërisht bartës të institucioneve”, tha Naim Telaku, psikolog.
Megjithatë, si problem nuk vlerësohet vetëm legjislacioni.
“Problemi është te numri i psikologëve dhe mungesa e tyre në shkolla. Vëmendja duhet të jetë në rritje të numrit dhe rekrutimit të psikologëve në shkolla”, tha Qehaja.
“Treguesi që në përgjithësi me shëndetin mendor nuk janë të rregulluara në nivel të kënaqshëm është një domosdoshmëri themelimi i odës së psikologëve që do të rregullonte mënyrën dhe do të mbikëqyrte edhe aplikimin për psikolog që vazhdimisht po bëhet ky profesion shumë më i rëndësishëm”, tha Telaku.
Ndërkohë, MAShTI ditë më parë ka njoftuar se ka të ndarë buxhetin për më shumë se 500 pozita për psikologë dhe pedagogë, për çka ka bërë thirrje tek komunat që sa më parë të shpallin konkurset.
Ndërkaq, udhëzimi administrativ do të jetë i hapur për komente deri më 12 nëntor 2024.

Leave a Reply