ATV

Category: Lajme

  • Mbi 40 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 40 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë

    42 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Në statistikat e policisë bëhet e ditur se 21 nga këto aksidente kanë qenë me të lënduar, ndërkaq 21 të tjera me dëme materiale.

    Tutje, Policia njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar edhe 1 mijë e 830 gjoba trafiku, derisa janë arrestuat tetë persona dhe gjashtë janë dërguar në mbajtje.

  • ​Detaje për therjen në Prishtinë ku mbeti i vdekur një person

    ​Detaje për therjen në Prishtinë ku mbeti i vdekur një person

    Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka njoftuar se prokurorja kujdestare dje në mbrëmje nga Policia e Kosovës është njoftuar se në rrugën “Tirana”, në Prishtinë ka ndodhur një therje me thikë ku viktima ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes.

    Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës.

    Prokuroria thekson se me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për t’iu bërë autopsia.

    “Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit është ndaluar një person. Motivet dhe rrethanat tjera për momentin janë të panjohura por të njëjtat do të kuptohen gjatë hetimeve të cilat do të zhvillohen nga kjo Prokurori. Brenda afatit ligjor Prokurori i shtetit do të paraqes pranë gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarin për këtë rast”, thuhet në njoftim.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka bërë të ditur për KosovaPress, se rasti ka ndodhur në orën 20:30, ku dyshohet se viktima është goditur nga një person tjetër me mjet të mprehtë.

    “Më datë 27 tetor 2024 në ora 20:30, Policia në Prishtinë, ka pranuar informatën lidhur me një mosmarrëveshje në rrugën “Tirana” në Prishtinë. Sipas informacioneve fillestare që kemi bëhet fjalë për një mosmarrëveshje mes dy personave, ku dyshohet se njëri ka goditur personin tjetër me një mjet të mprehtë. Ekipi shëndetësor ka konstatuar se viktima nuk ka shenja jete”, ka thënë ai.

    Policia e Kosovës është duke u marrë me rastin dhe hetimet janë duke u zhvilluar nga njësitet kompetente për të sqaruar motivin apo rrethanat tjera që kanë çuar deri te ky rast i rëndë.

  • Shpërthimi i cisternës në Pejë, pronarit të pompës së derivateve i caktohet një muaj paraburgim

    Shpërthimi i cisternës në Pejë, pronarit të pompës së derivateve i caktohet një muaj paraburgim

    Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Vesel Jusajt, i cili u arrestua disa ditë më parë lidhur me rastin tragjik të vdekjes së një punëtori mëngjesin e 11 tetorit në Pejë, raporton Gazeta Sinjali.

    Kjo është konfirmuar nga Gjykata Themelore e Pejës.

    “Lidhur me kërkesën për informacion për çështjen penale ndaj të pandehurit Vesel Jusaj, ju njoftojmë se gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës për caktim të masës së paraburgimit të parashtruar nga Prokuroria Themelore në Pejë, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet nga neni 184 të KPPRK-së, andaj dhe të njëjtit me Aktvendimin me shenjën DP.PP.nr.548/24, i ka caktuar paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, përkatësisht nga data 23.10.2024”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore për Sinjalin.

    Arrestimi i Jusajt më 23 tetor, erdhi si rezultat i hetimit nga Njësia e Hetimeve Rajonale në Pejë dhe dyshimeve të ngritura për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

    Ai ishte intervistuar si i dyshuar për këtë rast, me ç’rast ishte dërguar në mbajtje.

    Ndryshe, mëngjesin e 11 tetorit në rrugën “Tahir Zemaj” në Pejë, ka shpërthyer një cisternë dhe si pasojë e kësaj një person ka mbetur i vdekur.

    Shpërthimi i cisternës në Pejë, trupi i viktimës ende nuk është larguar nga vendi i ngjarjes

  • Egjipti propozon armëpushim dyditor në Gaza

    Egjipti propozon armëpushim dyditor në Gaza

    Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, ka propozuar një armëpushim dyditor në Gaza dhe këmbim të limituar të pengjeve, me qëllim të sigurimit të “një armëpushimi të plotë”, pas më shumë se një viti të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

    Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazan, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

    Propozimi i bërë të dielën parasheh këmbimin e katër pengjeve izraelite që mbahen në Gaza, për të burgosur palestinezë në burgjet izraelite, dhe që më pas të zhvillohen negociata tjera në 10 ditët në vijim, ka thënë Sisi në një konferencë për media në Kajro.

    Ai nuk ka treguar se plani u është prezantuar edhe zyrtarisht palëve të Izraelit apo Hamasit.

    Intervenimi i Sisit ka ardhur teksa Izraeli vazhdon të godasë territorin palestinez, si dhe lufton kundër Hezbollahut në Liban.

    Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

    Izraeli, po ashtu, ka nisur të shtunën sulme ajrore kundër armikut të përbetuar, Iranit.

    Këto sulme, që janë kryer si shenjë hakmarrjeje për sulmin iranian me raketë balistike më herët gjatë muajit, kanë shqetësuar gjithë botën, andaj janë shtuar thirrjet për përmbajtje.

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet të hënën, me kërkesë të Iranit, teksa Teherani kërkon që kjo organizatë të dënojë sulmet izraelite që kanë lënë të vrarë katër ushtarë.

    Liderët iranianë e kanë minimizuar rëndësinë e sulmeve, duke thënë se kanë shkaktuar dëm të kufizuar.

    Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, i ka thënë kabinetit të tij se Irani nuk dëshiron luftë, por do të nisë një “përgjigje të duhur”.

    Izraeli e ka kryer sulmin si hakmarrjeje për sulmin iranian të 1 tetorit, i cili është kryer si përgjigje për vrasjen e liderëve të Hamasit dhe një komandanti iranian.

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se operacioni ka qenë “preciz dhe i fuqishëm dhe i ka përmbushur të gjitha objektivat”.

    Netanyahu, duke folur në një ceremoni përkujtimi për viktimat e sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar, të kryer nga Hamasi, i cili më pas ka nxitur luftën, është ndërprerë nga bërtitmat e familjarëve të viktimave.

    Ai është nën presion që të arrijë një marrëveshje që garanton lirimin e pengjeve prej Gazas.

    Si pasojë e sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit, janë vrarë mbi 1.200 njerëz dhe janë marrë peng mbi 240 persona.

    Disa janë liruar, një pjesë konsiderohet se kanë vdekur.

    Nga ofensiva izraelite në Gaza janë vrarë mbi 42.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./REL/

  • Graçanicë: Një burrë raporton në polici se është sulmuar fizikisht nga djali i tij

    Graçanicë: Një burrë raporton në polici se është sulmuar fizikisht nga djali i tij

    Një burrë në Graçanicë ka raportuar në polici se ka probleme me djalin e tij, nga i cili siç ka thënë ai, edhe është sulmuar fizikisht.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se ka probleme me djalin e tij të dyshuarin mashkull kosovar i cili edhe e ka sulmuar fizikisht”.

    “Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në raportin e policisë.

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në banesën e tij në Prishtinë

    Gjendet pa shenja jete një burrë në banesën e tij në Prishtinë

    Është gjetur pa shenja jete një person në banesën e tij në Prishtinë.

    Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar.

    “Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se kishte gjetur në banesë pa shenja jete viktimën mashkull kosovar”.

    “Në vend ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse policore. Rasti është duke u hetuar. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar ne IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

  • Bedri Krasniqi lirohet nga akuza për kanosje ndaj Shkumbin Mehmetit

    Bedri Krasniqi lirohet nga akuza për kanosje ndaj Shkumbin Mehmetit

    Gjykata Themelore e Prishtinës e ka liruar Bedri Krasniqin nga akuza për kanosje ndaj Shkumbin Mehmetit.

    Shpallja e aktgjykimit është bërë këtë të hëne nga gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas gjykatësit Sadikaj, nga provat materiale dhe personale nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale siç është akuzuar.

    Ndërkaq, shpenzimet e procedurës bie në barrë të buxhetit të gjykatës, si dhe pala e pakënaqur në afat prej 30 ditësh ka të drejtën në ushtrimin e ankesës pasi që të pranojnë vendimin në formë të shkruar.

    Me rastin e shpalljes së aktgjykimit i pranishëm nuk ishte prokurorja Ardiana Veseli si dhe i akuzuari Bedri Krasniqi.

    Ndryshe Kransiqi me 13 shtator 2023 ishte liruar nga Themelorja për vrasjen rëndë ndaj dy zyrtarëve të UNMIK, mirëpo Prokuroria Speciale ka parashtruar ankesë ndaj vendimit dhe lënda është në Apel për trajtim.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 tetor 2019, më 18 prill 2019 në rrugën prej Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, në drejtim të Prishtinës, tani i akuzuari Bedri Krasniqi me qëllim të frikësimit apo shkaktimit të ankthit, e ka kanosur me fjalë të dëmtuarin Shkumbim Mehmeti gjatë transportimit të tij për në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se pasi janë vendosur të dy në të njëjtin mjet transporti gjatë rrugës, i akuzuari Krasniqi ka komunikuar me të dëmtuarin Mehmeti para hyrjes në automjet dhe gjatë trasnportimit, duke e kanosur këtë të fundit me fjalët “qysh e ki famijen, e di se familjen e ki në Francë dhe se djali yt i ka bërë katër vite, po ashtu edhe vëllezrit tuaj punojnë me disa kabllo internet”, duke i bërë me dije të dëmtuarit për mundësinë e arritjes së qëllimeve ndaj tyre.

    Në vazhdim sipas aktakuzës, i akuzuari ka thënë “Është më mirë të kujdesesh për familjen tënde, e mos të meresh me punë tjera”, duke aluduar në mosdëshmimin e tij ndaj të akuzuarit në çështjen penale të vrasjes së rëndë dhe thuhet se me këto fjalë i akuzuari e ka shqetësuar seriozisht të dëmtuarin se do ta privojë nga jeta ose që do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor ndonjë anëtari të familjes.

    Me këtë, Krasniqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë ose me dënim deri në një vit.

  • Vjedhje e rëndë në Vushtrri

    Vjedhje e rëndë në Vushtrri

    Policia ka njoftuar se një person ka lajmëruar që në dhomën e fjetjes i janë vjedhur para dhe stoli ari.

    Rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.

    “VJEDHJE E RËNDË- Vushtrri, 27.10.2024-17:30. Ankuesi mashkull kosovar ka lajmëruar se në shtëpinë e tij, në dhomën e fjetjes iu kanë vjedhur para dhe stoli ari. Rasti nën hetime.”

  • Rasti ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Fatmir Sopi dëshmon në Speciale

    Rasti ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Fatmir Sopi dëshmon në Speciale

    Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopi do të dëshmojë sot në Gjykatën Speciale në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

    Ai do të jetë dëshmitari i 98-të në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Dëshmia e tij në Speciale vjen pas asaj të Nuredin Ibishit, i njohur me nofkën “Komandant Leka”, i cili mbante kodin 04758 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sopi kishte dëshmuar edhe dy vjet më parë në këtë gjykatë në Hagë në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës.

  • Javën e kaluar 29 aksidente në rajonin e Ferizajt, 17 persona të lënduar

    Javën e kaluar 29 aksidente në rajonin e Ferizajt, 17 persona të lënduar

    Policia në Ferizaj ka njoftuar se javën e kaluar janë shqiptuar 1407 gjoba kundërvajtëse dhe ka hequr 13 patentë shoferë.

    Ndërsa janë raportuar 29 aksidente, prej tyre janë lënduar 17 persona.

    Njoftimi i plotë:

    Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërrmarrë një sërë aktivitetesh në parandalim të inicenteve dhe aksidenteve në komunikacion

    Në kuadër të këtyre aktiviteteve policia rajonale e Ferizajt gjatë javës që shkoi, nga data 21-27/10/2024 ka shqiptuar 1407 gjoba kundërvajtëse dhe ka hequr 13 patentë shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion.

    Ndërsa, janë raportuar 29 aksidente, prej tyre :

    – Aksidente me lëndime, 12

    persona të lënduar, 17

    – Aksidente me dëme materiale , 17

    Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelojmë tek shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor.

    Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë.

    Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë.