ATV

Category: Lajme

  • Drejtori i Komisionit Evropian: Kosova mund t’i përfitojë 883 milionë euro

    Drejtori i Komisionit Evropian: Kosova mund t’i përfitojë 883 milionë euro

    Gjatë së shtunës, shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, vizitoi Kosovën ku ka takuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Një ditë më pas, vartësi i saj, drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman, ka përgëzuar Kosovën për Agjendën e Reformave.

    Koopman theksoi se vendi i vogël ballkanik mund të përfitojë 883 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

    “Miratimi i Agjendës së Reformave për Kosovën do t’i lejojë asaj të zhbllokojë 883 milionë euro, për të sjellë përpara konvergjencën socio-ekonomike dhe për të zbatuar reformat e orientuara drejt BE-së”, ka shkruar Koopman.

  • Bajrami ironizon me ministrin Murati: Pas Fondit Sovran bëhet edhe Banka Zhvillimore, mbahuni fort

    Bajrami ironizon me ministrin Murati: Pas Fondit Sovran bëhet edhe Banka Zhvillimore, mbahuni fort

    Ministri i financave, Hekuran Murati, u lajmërua nga Uashingtoni duke pretenduar se “Banka Zhvillimore po bëhet”.

    Pasi që Murati e tha këtë nuk mungoi edhe ironia nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami.

    Ajo në rrjetin social në Facebook, tha se deri më datën 9 shkurt do të ndodhin shumë gjëra.

    Postimi i plotë i saj:

  • Kosova pranohet në elitën botërore të mjekësisë sportive

    Kosova pranohet në elitën botërore të mjekësisë sportive

    Kosova hyn fuqishëm në historinë ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e Federatës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (FIMS) si anëtare e rregullt. Ky vendim, u mor në mbledhjen e Këshillit të Delegatëve në Dubai të shtunën më 26 tetor.

    Përveç një abstenimi nga Gjeorgjia, të gjitha vendet e pranishme votuan unanimisht për anëtarësimin e Kosovës, duke pranuar me entuziazëm projektin e Asociacionit të Kosovës për Mjekësi Sportive (KASEM), një iniciativë që u themelua nën iniciativën e UBT-së.

    Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte i pranishëm për të paraqitur prezantimin dhe për ta bërë këtë kërkesë historike. Ai falënderoi delegatët për kontributin e tyre në këtë proces dhe e vlerësoi Komitetin Ekzekutiv për pranimin e vendimit në Këshillin e Përgjithshëm të Delegatëve. Një falënderim i veçantë shkoi për Profesor Norbert Bachl, i cili ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për Kosovën në ndihmën e ndërtimit të strukturave të nevojshme për anëtarësim, si dhe Presidentin e FIMS, Prof. Fabio Pigozzi.

    Rektori Hajrizi theksoi se Kosova do të jetë një anëtare e angazhuar dhe e përgjegjshme, e gatshme për të kontribuar në zhvillimin e mjekësisë sportive në nivele të reja ndërkombëtare. Ky anëtarësim përfaqëson jo vetëm një sukses të madh për Kosovën, por edhe një mundësi për të promovuar dhe zhvilluar edhe më shumë mjekësinë sportive me standarde ndërkombëtare.

    Në këtë kontekst, Kosova përfundimisht po krijon një rrugë të re për sportistët dhe profesionistët e mjekësisë sportive, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt një të ardhme më të ndritur. Anëtarësimi në FIMS është një dëshmi e angazhimit dhe përkushtimit të Kosovës për të avancuar këtë disiplinë në nivel botëror, duke u bërë një model frymëzues për vendet e tjera.

    Në këtë ngjarje të rëndësishme, përveç anëtarësimit, Rektori Hajrizi mori pjesë në Kongres, vizitoi panairin e teknologjisë në mjekësinë sportive dhe zhvilloi biseda me kompani për bashkëpunim me UBT dhe Kosovën. Rektori Hajrizi gjithashtu realizoi një sërë takimesh të ndryshme me delegatë dhe ekspertë nga vende të ndryshme, duke përfshirë përfaqësues të komiteteve olimpike të botës.

    Gjatë vizitës në Universitetin e Dubait për Mjekësi, ai gjithashtu mori pjesë në një konferencë paralele për ortopedi dhe pati një takim me Prof. Filippo Parisi nga Italia, udhëheqës i Shoulder Academy, me të cilin do të vazhdojë bashkëpunimi për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

  • U vazhdohet ndalimi edhe 48 orë të dyshuarve për sulmin ndaj Muhaxherit, kërkohen 30 ditë paraburgim

    U vazhdohet ndalimi edhe 48 orë të dyshuarve për sulmin ndaj Muhaxherit, kërkohen 30 ditë paraburgim

    Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar 30 ditë paraburgim ndaj dy të dyshuarve për sulmin fizik ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

    Prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferri, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, e cila tha se si bazë e kësaj kërkese është ndikimi te dëshmitarët, mundësia e përsëritjes së rastit dhe rreziku i arratisjes.

    “Prokuroria Themelore në Pejë në afatin e saj ligjor ka bërë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve. Kërkesa është bazuar në tri fazat që janë paraparë në kodin e procedurës penale si është rreziku i arratisjes, ndikimi në dëshmitarë sepse në vendin ku ka ndodhë ka shumë dëshmitarë dhe ende një pjesë nuk janë intervistuar dhe pastaj ekziston edhe rreziku se të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale për vetë faktin se shtëpia e të dëmtuarve dhe të dyshuarve nuk është shumë në largësi të madhe. Të dyshuarit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’”, ka thënë Nallbani Gacaferri.

    Ndërkaq, dy të dyshuarve Gjykata e Pejës ua ka vazhduar masën e ndalimit edhe për 48 orë. Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësja e kësaj gjykate Elzana Kastrati.

    Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ishte sulmuar fizikisht nga dy persona mëngjesin e 26 tetorit në Pejë.

    “Rreth orës 08:50 është sulmuar nga persona të dyshuar kryetari i Komunës së Pejës, i cili ka pësuar lëndime trupore”, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, Driton Rugova, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës.

    Ai ka thënë se me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh të së dielës ka njoftuar për sulmin ndaj kryetarit të Pejës, duke bërë të ditur se ende nuk dihen motivet e sulmit.

  • Flet edhe prokurorja Gacaferi, jep detaje për sulmin ndaj kryetarit të Pejës

    Flet edhe prokurorja Gacaferi, jep detaje për sulmin ndaj kryetarit të Pejës

    Seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve Driton Lulaj dhe Korab Lulaj, që sulmuan kryetarin e Pejës Gazmend Muhaxheri, ka përfunduar disa minuta më herët.

    Prokurorja Arlinda Gacaferi, ka dhënë detaje në lidhje me rastin, ku tha se të dyshuarit po akuzohen edhe për dy vepra penale.

    ‘’Prokuroria Themelore në Pejë, ne afatin e paraparë ligjor ka paraqit kërkesën për masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve. Kërkesa është bazuar në 3 baza të cilat janë të parapara në kodin e procedurës penale. Të dyshuarit akuzohen për dy vepra penale”, ka thënë avokatja Gacaferi.

  • Mickoski: Jam i përgatitur për kompromis, por të mos marrim në thua në pengesa të reja drejt BE-së

    Mickoski: Jam i përgatitur për kompromis, por të mos marrim në thua në pengesa të reja drejt BE-së

    Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, pret përgjigje nga Brukseli se si do të vijojnë negociatat me Bashkimin Evropian (BE) nëse miratohen ndryshimet kushtetuese dhe nëse do të vlejnë me zbatim të prolonguar.

    Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai thotë se nuk ka ndikim rus në vend, por se euroskepticizmin e nxit një pjesë e politikanëve bullgarë. Ai nuk pret ndryshim në politikën amerikane për Ballkanin edhe pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, e as nuk favorizon ndonjërin nga dy kandidatët pavarësisht takimeve me Richard Grenellin.

    Radio Evropa e Lirë: Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka porositur qartë se i vetmi hap deri në fillimin e negociatave janë ndryshimet kushtetuese, për të cilat shteti tashmë ka rënë dakord. A morët një “jo” për ndryshimet kushtetuese me veprim të prolonguar?

    Hristijan Mickoski: Mendoj se duhet t’i japim kohë, kohës. Së pari, të shterim këtë hap e pastaj të flasim për hapat e ardhshëm.

    Radio Evropa e Lirë: Për cilin hap mendoni, ndryshimet kushtetuese me veprim të prolonguar?

    Hristijan Mickoski: Epo, po, diçka e ngjashme.

    Radio Evropa e Lirë: Këtë e lidhni edhe me zgjedhjet e së dielës në Bullgari?

    Hristijan Mickoski: Kjo është një çështje e brendshme e Bullgarisë. Mendoj se asgjë nuk është e përjetshme dhe se nëse ka vullnet, ka edhe mënyrë. Jam i bindur se diktati nuk është zgjidhje, se ultimatumi nuk është zgjidhje, se është e nevojshme të bisedohet, deri në momentin kur të arrihet një zgjidhje që, siç shpesh thonë bashkëbiseduesit, të jetë win-win, ku fitojnë edhe të dyja palët, unë kam mendim të kundërt që të jetë lose -lose, që të dyja palët të humbin diçka. Nuk është mirë nëse njëra palë humb gjithçka, ndërsa tjetra fiton. Ky nuk është kompromis. Fundja, i tillë ishte edhe i ashtuquajturi propozimi francez. Ne kërkojmë që Bashkimi Evropian t’i respektojë parimet e veta dhe vlerat e veta. Kaq.

    Radio Evropa e Lirë: Pra, prisni përgjigje nga Komisioni Evropian. Por, do të nevojitet edhe mbështetja nga Bullgaria.

    Hristijan Mickoski: Unë jam i gatshëm të bisedoj me këdo, jam i gatshëm të ulem, shprehimisht, me këdo që ka qëllim të mirë që të gjejmë zgjidhje për këtë problem, sepse qëllimi ynë është të jemi pjesë e familjes evropiane. Edhe pse jam i bindur se këtë kemi merituar shumë më herët, madje edhe para disa vendeve të tjera anëtare të BE-së. Fatkeqësisht, për shkak të padrejtësisë që iu shkaktua qytetarëve maqedonas dhe neve si shtet, ne sot ende nuk mund t’i fillojmë as negociatat. Kjo nuk është një garë në të cilën ju duhet vetëm të merrni pjesë. Tani jemi në një situatë që kur do të fillojmë garën duhet të dimë qartë se do ta përfundojmë atë garë. E jo që në ndonjërën nga pengesat e radhës të marrim në thua dhe përsëri do të duhen poshtërimi e kështu me radhë. Unë nuk jam një bashkëbisedues i tillë. Unë jam një bashkëbisedues që është i gatshëm për kompromis, por vetëm nëse ky kompromis nënkupton rezultat, përkatësisht një përfundim, në rastin tonë fundi do të nënkuptojë anëtarësimin e plotë në kuadrin e Bashkimit Evropian.

    Radio Evropa e Lirë: Sa më larg të jetë Maqedonia e Veriut nga Bashkimi Evropian, aq më shumë ka hapësirë për ndikime të tjera. Kemi një rritje të euroskepticizmit. Sa është ndikimi rus në këtë dhe në ngjarjet politike në vend?

    Hristijan Mickoski: Nuk do të thosha se kemi ndikim rus këtu. Nëse shohim historikisht, ne kurrë nuk kemi qenë si popull në prioritetet kryesore të diplomacisë ruse.

    Radio Evropa e Lirë: Por, Maqedonia e Veriut është në listën e vendeve armike të Rusisë.

    Hristijan Mickoski: Ne jemi pjesë e NATO-s, kemi politikën e përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes të Bashkimit Evropian, tërësisht jemi të harmonizuar dhe nuk ka ndryshim as edhe një milimetër nga kjo politikë dhe kjo është logjikshme. Unë më shumë do të thosha që ndikim kanë politikanë nga rajoni të cilët, në vend që ta shohin luftën, na kthejnë në mesjetë kur mbi tavolinë vendosin ultimatume dhe diktate. Dhe flasim për vlerat evropiane, flasim për të ardhmen. Ata kanë më shumë, do të thosha, ndikim këtu për të krijuar ndjenjën se jemi të tradhtuar nga vlerat evropiane.

    Radio Evropa e Lirë: Për cilët politikanë mendoni?

    Hristijan Mickoski:Për një pjesë të politikanëve bullgarë kohëve të fundit, sepse ju nuk mund të bisedoni për të ardhmen, nëse dikush vazhdimisht ju shtyn mbrapa drejt mesjetës, ndërsa unë do të dëshiroja të bisedoj për të ardhmen.

    Radio Evropa e Lirë: A lë kjo hapësirë për depërtimin e ideve, ndikimeve të tjera, investimeve të tjera, mbase nga Kina?

    Hristijan Mickoski: Kina është më pak e pranishme te ne në rajon. Unë do të thosha se Kina është më e pranishme në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian sesa te ne. Dhe, vërtet jam seriozisht i habitur me tolerancën dhe lëshimet ndaj këtyre vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, sepse, fjala vjen, kompanitë kineze janë pronare të objekteve serioze, siç janë portet dhe të ngjashme, në vendet anëtare të BE-së, ndërtojnë infrastrukturë. Te ne, as ekonomikisht, as politikisht, nuk kanë ndonjë aktivitet, kështu që të kenë ndonjë ndikim të veçantë, që të bëjnë diçka këtu jashtë interesave strategjike dhe jashtë partnerëve strategjikë. A ekziston ndonjë opsion tjetër? Në këtë moment jo. Bashkimi Evropian është qëllimi ynë strategjik.

    Radio Evropa e Lirë:A ndryshon se kush do të jetë presidenti i ri amerikan?

    Hristijan Mickoski: Mendoj se strategjikisht cilido qoftë opsioni i zgjedhur si president i SHBA-së, do ta ketë Ballkanin në optikën e tij, kështu që këtu nuk shoh ndonjë ndryshim më dramatik se do të ndodhë ndaj Ballkanit.

    Radio Evropa e Lirë: Keni pasur takime me ish-të dërguarin e posaçëm të Trumpit, Richard Grenellin. A do të thotë kjo se në një farë mënyre favorizoni Trumpin?

    Hristijan Mickoski: Jo vetëm me Richard Grenellin, kam pasur takime edhe me Chris Pavlovskin, i cili është, të themi, shumë i afërt edhe në biznes, edhe privatisht, me të birin e presidentit Trump. Kam pasur gjithashtu takime edhe me Howard Lutnickun,i cili është shef, thënë kushtimisht, i ekipit tranzitor të Trumpit, zoti Munez ka qenë gjithashtu në Maqedoni [të Veriut], Robert Stefanovski, të themi, po ashtu, një njeri i afërt me familjen e presidentit Trump, por gjithashtu kam pasur shumë takime me njerëz që janë pjesë e strukturës së demokratëve dhe të afërt me nënpresidenten Kamala Harris, mirëpo kjo nuk do të thotë se favorizojmë njërin apo tjetrin.

    Radio Evropa e Lirë: Maqedonia e Veriut ka pagën mesatare më të ulët në Ballkan. Ka shkallën më të ulët të rritjes ekonomike. Si do t’i mbani të rinjtë në vendin me pagat më të ulëta?

    Hristijan Mickoski: Ne jemi qeveri prej katër muajsh. Ajo që trashëguam është kataklizmike. Dhe u përpoqëm ta sanojmë këtë kataklizëm brenda asaj që mundëm këto katër muaj. Treguesit e parë janë të mirë. Të themi, doli shifra për pagën mesatare në gusht, ajo është rritur për pothuajse 13 për qind neto krahasuar me vitin e kaluar, kemi rritje të pagës gjatë inflacionit të ulët. Me politikën tonë ia dolëm t’ua kthejmë vlerën atyre denarëve që i marrin si kompensim mujor në punë. A jemi më të dobëtit? Nuk jemi, ka shtete më të dobëta në rajon se ne për sa i përket pagës mesatare, por ajo që është e rëndësishme është të krahasohet indeksi Gini dhe të krahasohen të njëjtat produkte në shtete të ndryshme në kushte të njëjta. Kjo do të thotë se nuk do të mbështetemi në konsum, por do të mbështetemi në investime.

    Radio Evropa e Lirë: Kur jemi tek investime kapitale, ministri Aleksandar Nikollovski thotë se nuk do të ndërtohet hekurudha drejt Bullgarisë, tjetri ministër, Orhan Murtezani thotë se do të ndërtohet?

    Hristijan Mickoski: As njëri, as tjetri nuk ka thënë kështu. Hekurudha, korridori VIII, por edhe hekurudha e shpejtë e korridorit X, janë interesi ynë strategjik. Nuk ka prioritet më të madh për ne sesa të realizojmë interesin tonë strategjik. Kjo do të thotë që ne si shtet, natyrshëm, jemi kryqëzim i këtyre dy korridoreve VIII dhe X. Për dallim nga korridori X, për të cilin kemi rrugë të qartë, plan të qartë, zotim të qartë nga të gjitha shtetet, për korridorin VIII nuk kemi parë një gjë të tillë nga ana e Bullgarisë. Dhe kemi një pamje të paqartë se deri ku ka arritur hekurudha në Shqipëri. Tani, ekziston dialog i nivelit të lartë në Bruksel, i cili pati sesionin e parë, ai përfundoi, tani në fund të muajit duhet të jetë në Sofje dhe pres në Shkup që kjo përfundimisht të finalizohet.

    Radio Evropa e Lirë: Opozita ju akuzon se keni vendosur kuadër partiak në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.

    Hristijan Mickoski: Nëse mendoni për drejtorin e ri Bojan Hristovski, po, ai ishte pjesë e strukturës së VMRO-së, por në të kaluarën, sepse ishte pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai është i depolitizuar, i apolitik plotësisht, i tillë është ligji. Ai si kuadër në Agjencinë për Siguri Kombëtare vjen nga kabineti i Ministrit të Punëve të Brendshme. A njihemi? Po. A duhet të bashkëpunoj me njerëz që i njoh? Po. Sepse, ja, u përpoqëm me njerëz që nuk i njihnim, që i trashëguam, nuk pati rezultate. Unë u zgjodha kryetar i Qeverisë dhe për dy, dy muaj e gjysmë nuk mora kurrfarë raportesh nga drejtori i atëhershëm i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Tani, është e logjikshme të punoj me njerëz të cilët i njoh dhe të cilëve u besoj, dhe nuk shoh ndonjë gjë të palogjikshme këtu. E tani, nëse ata janë të frikësuar se treguesit, edhe nga atje, edhe nga Agjencia e Inteligjencës, janë shumë serioze, prandaj nuk do të flisja publikisht, por do t’ua lë organeve ta bëjnë punën e tyre. Që këto dy agjenci në të kaluarën kanë qenë fortesa, nga ku janë shënjestruar qartë individë të opozitës, në vend se të merren me sigurinë e shtetit, kjo është një çështje tjetër.

    Dhe duhet të jenë të frikësuar sepse informacionet fillestare që kam marrë janë tronditëse. Për abuzime të rënda në drejtim të punës kundër interesave shtetërore, spiunim i opozitës me të dhëna të falsifikuara dhe të fabrikuara, ndjekje të përfaqësuesve të opozitës. Kjo është diçka që do të jetë një skandal i madh dhe prandaj nuk do të doja në këtë moment të flas për detaje, t’i lëmë që, po them përsëri, kohë-kohës.

    Radio Evropa e Lirë: Kur është fjala për Këshillin Gjyqësor, a keni përfundimisht një propozim për reformimin e këtij organi kyç të gjyqësorit?

    Hristijan Mickoski: Kam pritur propozime dhe nuk kam marrë dhe tani po e bëj vetë detyrën time, sepse tashmë është kataklizmatike. Kam filluar të komunikoj me ekspertë ndërkombëtarë evropianë, të konsultohem me disa prej tyre, tashmë të shtunën kam një takim të dakorduar dhe ata do të vijnë te ne dhe do të diskutojmë për këtë temë, sepse qytetarët maqedonas qartazi janë të pakënaqur se si funksionojnë edhe prokurorët. Do të bisedojnë edhe me mua, me ministrin e Drejtësisë, si dhe me subjektet e tjera përkatëse, kështu që do të shohim. Shumë shpejt do të kemi një zgjidhje.

  • Çmimi “Ukë Bytyçi” i ndahet ish-kryetarit të Suharekës, Sali Asllanaj

    Çmimi “Ukë Bytyçi” i ndahet ish-kryetarit të Suharekës, Sali Asllanaj

    Komuna e Suharekës ka përkujtuar sot ish-kryetarin e saj Ukë Bytyçin dhe dy shoqëruesit e tij Bafti Bajramin dhe Bajram Bytyqin, të cilët u vranë menjëherë pas fitores së LDK-ës në zgjedhjet lokale në këtë komunë, 22 vjet më parë.

    Në Akademinë përkujtimore që u mbajt me këtë rast në Shtëpinë e kulturës emrin e të cilit e mban, kryetari i Suharekës Bali Muharremaj, në mes tjerash ka theksuar: “ Për mua Uka nuk është i vdekur…e shihni këtë sallë sa e madhështore është e mban emrin e tij. Uka n aka frymëzuar çdo herë me punu, me kriju shtetin për gjeneratat që vijnë pas”, thuhet në njoftimin e komunës.

    Ndërsa në emër të strukturave politike të LDK-së, për veprimtarinë dhe biografinë e Ukës, ka fol Ardian Shala, kryetar i degës së LDK-së në Suharekë. E në emër të familjes së Ukë Bytyçit, të pranishmit i ka përshëndetur dhe njëkohësisht i ka falënderuar për pjesëmarrje djali i tij Flamuri.

    Në Akademi, siç është bërë traditë tashmë, u nda edhe çmimi “Ukë Bytyçi”, që jepet për udhëheqje dhe punë të mirë e që i është ndarë ish-kryetarit të Suharekës, Sali Asllanaj.

    Në fund u vunë kurora lulesh nga delegacione të ndryshme te shtatorja e Ukës, mbi varrin e tij në Semetisht dhe në atë të Bajram Bytyqit dhe Bafti Bajramit në fshatin Nishor.

  • Murati: Themelimi i Bankës Zhvillimore në Kosovë po bëhet realitet

    Murati: Themelimi i Bankës Zhvillimore në Kosovë po bëhet realitet

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka thënë se “themelimi i Bankës Zhvillimore në Kosovë po bëhet realitet”.

    Murati po merr pjesë në takimet vjetore të Bankës Botërore që po mbahen në Washington D.C

    “Mbështetja nga Banka Botërore parashihet të vijë në kuadër të projektit për avancimin e sektorit financiar në Kosovë, projekt i cili pritet të kap vlerën rreth 50 milionë euro. Banka Zhvillimore do të mundësojë financimin e projekteve zhvillimore si dhe mbështetjen e sektorëve strategjikë siç janë energjia e ripërtërishme, prodhimi dhe eksporti, bujqësia etj”, tha shefi i kuletës së shtetit.

    “Qeveria për zhvillim të qëndrueshëm!”, tha ai në deklarimin e tij përmes një videoje.

  • Michelle Obama mbështet fuqishëm gratë në fushatën e Harris

    Michelle Obama mbështet fuqishëm gratë në fushatën e Harris

    Michelle Obama doli në skenë dje në një tubim në Kalamazoo, Michigan, në paraqitjen e saj të parë në fushatën e Kamala Harris.

    “Nëse duam ta ndihmojmë këtë vend të kthejë më në fund faqen e politikës së urrejtjes dhe ndarjes, nuk mund të ulemi dhe të ankohemi – jo, duhet të bëjmë diçka”, tha ish-zonja e parë para turmës.

    Amerikanët nuk dëgjojnë nga Michelle Obama veçanërisht shpesh. Në fakt, kjo është hera e saj e parë në gjurmët e fushatës, pasi Kamala Harris u bë fillimisht kandidatja zyrtare e partisë gjatë Konventës Kombëtare Demokratike në Çikago këtë verë, shkruan BBC.

    Fjalimi i saj plot pasion kërkonte qartësisht të godiste një akord emocional me turmën, e cila alternonte mes qëndrimit ulur në heshtje duke dëgjuar dhe brohoritjeve jashtëzakonisht të forta që e bënin të vështirë dëgjimin e saj duke folur.

    Obama gjithashtu vuri në pikëpyetje pse Harris mbahet në një “standard më të lartë” se Trump.

    “Ne presim që ajo të jetë inteligjente dhe e artikuluar, të ketë një grup të qartë politikash, të mos shfaqë kurrë shumë zemërim”, tha ajo. “Por për Trump, ne nuk presim asgjë fare, asnjë kuptim të politikës, asnjë aftësi për të bashkuar një argument koherent, asnjë ndershmëri, asnjë mirësjellje, pa moral.”

    Michelle Obama u fokusua edhe në aksesin e grave në kujdesin shëndetësor, duke folur në thellësi për vdekshmërinë e nënave, mungesën e edukimit mbi menopauzën, shkretëtirat e kujdesit shëndetësor dhe efektet e përmbysjes së Roe v Wade.

    “Nuk është vetëm kujdesi për abortin, por shëndeti i grave në përgjithësi,” i tha Obama turmës.

    “Unë po ju kërkoj që nga thelbi i qenies sime që ta merrni seriozisht jetën tonë,” thotë ajo në mesin e duartrokitje të forta.

    “Një votë për të është një votë kundër nesh, kundër shëndetit tonë, kundër vlerës sonë.”

    Ajo u kërkon burrave që të mbështesin Harrisin në zgjedhje, duke bërë një apel të drejtpërdrejtë: “Inati juaj nuk ekziston në vakum…Ne si gra do të bëhemi dëm kolateral ndaj zemërimit tuaj”.

  • KFOR-i publikon pamje nga stërvitja e qitjes me armë

    KFOR-i publikon pamje nga stërvitja e qitjes me armë

    Forca Paqembajtëse e NATO’s në Kosovës, KFOR-i, ka kryer trajnime të qitjeve me armë në një poligonin “Voloire”, njoftoi KFOR-i në një komunikatë në Facebook.

    “Ushtarët kanë zhvilluar stërvitjen me qitje në poligonin ‘Voloire’, që ndodhet në zonën e pyllëzuar ngjitur me bazën e ‘Villaggio Italia’, për të rritur aftësinë për të ndërhyrë shpejt edhe në kushte stresi fizik”, shkruan KFOR-i.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes gjatë gjithë kohës dhe në mënyrë të paanshme”.

    “KFOR është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, thuhet më tej në komunikatë.