ATV

Category: Lajme

  • Ambasadori britanik bashkë me familjen ngjitet në majën e Lubotenit

    Ambasadori britanik bashkë me familjen ngjitet në majën e Lubotenit

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, sot ka ngjitur majën e Lubotenit.

    Hargreaves ka thënë se Kosova ka 20 maja të larta mbi 2500 metra dhe se deri tani ka ngjitur 3 prej tyre.

    Ambasadori britanik ka shtruar pyetjen nëse do të mund t’i ngjisë të gjitha majat përgjatë kohës së tij në Kosovë.

    “Çdo ditë rrugës nga puna në shtëpi e shoh majën mahnitëse të Lubotenit andaj ishte kënaqësi e madhe që më në fund u ngjita bashkë me familjen time, nën udhëheqjen e Labinotit nga Klubi Albin Prishtina. Kosova ka 20 maja madhështore (shumë afër) mbi 2500 metra ose më shumë. Deri tash jam ngjitur në 3. A mund t’i përfundojë të gjitha gjatë kohës time këtu?”, ka shkruar Hargreaves.

  • Marihuana zvogëlon një pjesë kyçe të trurit, zbulon një studim i ri

    Marihuana zvogëlon një pjesë kyçe të trurit, zbulon një studim i ri

    Konsumimi i marihuanës tek adoleshentët e rinj mund të çojë në hollimin e korteksit cerebral, një zonë e trurit vendimtare për funksionet njohëse, sipas një studimi të ri.

    Në një studim të botuar në Journal of Neuroscience, shkencëtarët zbuluan se THC, përbërësi aktiv në kanabis, shkakton një ndryshim në shprehjen e gjeneve që nga ana tjetër shkakton një reduktim të numrit të dendriteve, struktura kyçe për komunikimin midis qelizave nervore, neuroneve.

    Kjo atrofi mund të ndikojë në aftësinë e trurit për të mësuar, për të ndërvepruar shoqërisht dhe për të përballuar sfidat dhe për të rritur cenimin e të rinjve gjatë një periudhe kritike të zhvillimit të trurit.

    Ky studim, i cili përfshin teknika të avancuara të biologjisë qelizore dhe molekulare, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të masave efektive të shëndetit publik për mbrojtjen e të rinjve.

    Dendritet janë kërcell të shkurtër si pemë në neurone, dhe ato veprojnë si “antena” për të marrë sinjale nga neuronet e tjera.

    Funksioni i tyre kryesor është mbledhja e informacionit përmes sinapseve – lidhjeve ndërmjet neuroneve – dhe transferimi i atij informacioni në trupin e qelizës, gjë që mundëson komunikimin midis neuroneve (foto më poshtë). Ky rrjet transmetimi është kritik për të gjitha funksionet e trurit, duke përfshirë përpunimin e informacionit, vendimmarrjen dhe mësimin.

    Sa më të mëdha dhe më kompleks të jenë dendritet, aq më shumë informacion mund të marrë një neuron nga qelizat fqinje, gjë që kontribuon në funksionimin më të mirë të trurit.

    Studimet kanë treguar se tek adoleshentët që kanë konsumuar kanabis para moshës 16-vjeç, korteksi i trurit është më i hollë në krahasim me atë të njerëzve që nuk kanë përdorur kanabis.

    Studimi i ri, i cili kombinoi metodat e analizës së skanimeve MRI me eksperimentet në minj, tregoi se THC, përbërësi aktiv në kanabis, redukton strukturën e dendriteve të neuroneve, gjë që çon në atrofi të zonave të caktuara të korteksit cerebral, veçanërisht gjatë periudhës kritike. e zhvillimit të trurit në adoleshencë.

    Duke pasur parasysh kufizimet e MRI, një pjesë kryesore e studimit ishte modeli i miut i hetuar nga ekipi i Graciela Pineyro, një profesoreshë pranë Departamentit të Farmakologjisë dhe Fiziologjisë në Universitetin e Montrealit.

    “Modeli na lejoi të tregojmë se si THC ndryshon shprehjen e gjeneve të caktuara që ndikojnë në strukturën dhe funksionin e sinapseve dhe dendriteve. Rezultati ishte një atrofi e strukturës së dendriteve, e cila mund të kontribuojë në hollimin kortikal të vërejtur në rajone të caktuara,” tha Pineyro.

    Duke kombinuar metoda të ndryshme kërkimi, skuadrat ishin në gjendje të përcaktonin me një nivel të lartë sigurie se gjenet e synuara nga THC në një model miu shoqërohen me hollim kortikal tek adoleshentët.

    Është interesante se të njëjtat gjene u gjetën te njerëzit, veçanërisht në zonat më të holla kortikale të adoleshentëve që eksperimentuan me kanabis.

    Hulumtimi thekson nevojën për një ndërgjegjësim më të madh për ndikimin e marihuanës në zhvillimin e trurit të adoleshentëve, veçanërisht duke pasur parasysh disponueshmërinë në rritje të produkteve me përmbajtje të lartë THC.

  • Parlamenti i Iranit diskuton me dyer të mbyllura përgjigjen ndaj sulmit të Izraelit

    Parlamenti i Iranit diskuton me dyer të mbyllura përgjigjen ndaj sulmit të Izraelit

    Zyrtarët iranianë duhet të vendosin se si t’i tregojnë fuqinë e Iranit Izraelit pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit dy net më parë, tha sot udhëheqësi suprem i vendit Ali Khamenei, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit, IRNA të dielën.

    “E keqja e kryer nga regjimi sionist (Izraeli) dy net më parë nuk duhet të minimizohet dhe as të ekzagjerohet,” tha Khamenei, më pas shtoi: “Do të ishte gabim të thuhej se nuk ishte asgjë dhe se nuk është e rëndësishme”.

    Irani dje minimizoi një sulm ajror izraelit ndaj objektivave ushtarake iraniane, duke thënë se ai shkaktoi vetëm dëme të kufizuara.

    Khamenei tha se fuqia e Iranit duhet t’i tregohet Izraelit, duke shtuar se mënyra për ta bërë këtë duhet të “përcaktohet nga zyrtarët dhe duhet bërë ajo që është në interesin më të mirë të popullit dhe vendit”.

    Sipas raporteve të mediave iraniane, kryetari i parlamentit dhe ish-gjenerali i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, Mohammad Bager Ghalibaf po kryeson seancat.

    Parlamenti iranian ka ndikim të kufizuar dhe pushteti i vërtetë qëndron te lidershipi shtetëror i udhëhequr nga lideri suprem Ali Khamenei. Megjithatë, pas zgjedhjeve të këtij viti, shumica e konservatorëve dominojnë parlamentin, gjë që ka të ngjarë të ndikojë në disponimin e krahëve radikalë të ushtrisë.
    Parlamenti i Iranit po mban sot një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar një përgjigje ndaj sulmit.

  • Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të hënën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.

    “E martë- Mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-21 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme. E mërkurë. Mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat vende –vende mund të sjellin riga të dobëta shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet17-19 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtim i verilindjes. E enjte- Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësira më të fokusuara parashihen për rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-19 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare. E premte. Edhe dita e premte parashihet me pak vranësira dhe me intervale të gjata me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes”, thuhet në njoftim.

  • Mbi 1 mijë divorce brenda tetë muajve, tradhtia shkak kryesor

    Mbi 1 mijë divorce brenda tetë muajve, tradhtia shkak kryesor

    Mbi një mijë qifte u divorcuan brenda tetë muajve në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë muajit gusht afro 140 qifte vendosën t’i ndajnë rrugët e tyre. Derisa psikologët dhe sociologët po konsiderojnë se shkak kryesor i këtij fenomeni në rritje është tradhtia në mes bashkëshortëve. Ndërkaq, është rritur numri i partnerëve që kërkojnë këshillime psikologjike përpara divorcit.

    Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli vlerëson shqetësues faktin e rritjes së numrit të rasteve të divorcit.

    Ai potencon se mungesa e komunikimit, shkaqet ekonomike dhe tensionet familjare, janë disa nga faktorët që po shtyjnë qiftet drejt këtij vendimi, pas tradhtisë.

    Përveç kësaj, psikologu Havolli thekson se ngritje ka shënuar edhe numri i qifteve të divorcuara me fëmijë.

    Sociologu Genc Xërxa ndër faktorë të tjerë përmend edhe infertilitetin si shkak i shkurorëzimit mes partnerëve në Kosovë.

    Xërxa vlerëson se vetëdijesimi dhe emancipimi i njerëzve ka ndikuar në marrjen më të lehtë të vendimit për ndarje.

    Po ashtu, edhe drejtoresha e Shoqatës për Prindër të Ndarë, Arjeta Gashi potencon se përveç tradhtisë, dhuna psiqike dhe fizike përmenden ndër faktorët kryesor nga rastet që paraqiten në këtë shoqatë.

    Ndërkaq, Gashi potencon se problematika e strehimit, mospagesa e alimentacioni, stigmatizimi janë ndër sfidat kryesore me të cilat përballen prindërit vetushqyes.

    Ndër të tjera, Gashi tregon se pjesë e organizatës “Prindër të ndarë”, janë rreth 360 gra dhe vetëm 5 burra, pasi siç thotë ajo këta të fundit nuk paraqiten për shkak të krenarisë.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga muaji janar deri në gusht të këtij viti, janë shënuar 1 mijë e 103 divorce. Vetëm në muajin gusht numri i ndarjeve është 136, derisa prin Prizreni me 15 raste dhe Gjilani me 14.

    Ndërkaq, në një raport të ASK-së, thuhet se gjatë tërë vitit 2023 janë shkurorëzuar mbi 2 mijë qifte, derisa Prizreni dominon me rreth 200 raste.

  • AKK: Kontrata kolektive i kushtoi komunave më shumë se 122 milionë euro

    AKK: Kontrata kolektive i kushtoi komunave më shumë se 122 milionë euro

    Favorizimi nga niveli qendror i komunave me kryetarë nga partia në pushtet duke marrë më shumë mjete financiare për kokë banori, dëmet nga kontrata kolektive e tash edhe ligji aktual për ngritjen e tatimit në pronë, janë disa nga problemet kryesore me të cilat po përballen komunat e Kosovës.

    Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë për KosovaPress se përgjatë këtyre viteve komunat padrejtësisht janë dëmtuar me më shumë se 120 milionë euro për kontratën kolektive, mjete të cilat kanë qenë të parapara për investime kapitale.

    Kryetari i Asociacionit të Komunave thotë se nga viti i ardhshëm për pronat komerciale do të ketë ngritje enorme të faturave, e cila do të jetë një barrë jashtëzakonisht e madhe për bizneset dhe është ngritur si shqetësim ndaj Qeverisë.

    Ibrahimi kërkon themelimin e grantit të katërt për investime kapitale dhe grantit specifik për shërbime, të cilët janë të paraparë me projektligjin për financa lokale, pasi favorizimi i komunave të drejtuara nga LVV-ja ka ndikuar që ato të përfitojnë më shumë mjete financiare sesa komuna tjera për kokë banori.

    “Jo i tërë buxheti i Kosovës ndahet për kokë banori në komunat e Kosovës. Kemi grantin e përgjithshëm që është një grant specifik. Kemi dhe dy grante të tjera për arsim dhe shëndetësi. Synimi jonë është që niveli qendror ta themelojë edhe grantin e katërt për investime kapitale, i cili është paraparë me projektligjin për financa lokale, por është edhe granti specifik për shërbime. Kryetarët e komunave nga LVV-ja, kanë marrë më shumë mjete financiare për kokë banori dhe këto mjete financiare vijnë nga ministritë e linjës”, është shprehur Ibrahimi.

    Sipas kreut të AKK-së, ka me qindra projekte të komunave, të cilat nuk përkrahen me buxhet nga Qeveria e Kosovës.

  • Gërxhaliu: Qeveria e Kosovës godet edhe me një barrë të re tatimore biznesin kosovar

    Gërxhaliu: Qeveria e Kosovës godet edhe me një barrë të re tatimore biznesin kosovar

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, në një postim në rrjetin social të tij në Facebook, ka shkruajtur se nga janari i vitit 2025 Qeveria do t’i trefishojë tatimin mbi prona sipas tij duke vendosur një barrë të re mbi shpatullat e bizneseve kosovare, përcjell EO.

    Ai tha se ligji i ri për tatimin në pronë sjell rritje të konsiderueshme për pronat komerciale dhe ato bujqësore duke kërcënuar rëndë sektorin privat.

    Gërxhaliu tha për tatimin në pronat komerciale sipas tij pritet të rritet deri në 200%, kjo rritje sipas tij e pa precedentë që do të krijojë vështirësi të mëdha për shumë qytetar dhe biznese.

  • Tri raste të dhunës në familje në raportin 24 orësh, dy të dyshuar dërgohen në mbajtje

    Tri raste të dhunës në familje në raportin 24 orësh, dy të dyshuar dërgohen në mbajtje

    Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit.

    Në Prishtinë, djali dyshohet se e ka kanosur nënën e tij.

    “DHUNË NË FAMILJE- Prishtinë / 26.10.2024 – 21:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje me viktimën-nënën e tij kosovare, të njëjtën e ka kanosur. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari është dërguar për trajtim e shërim të mëtutjeshëm.”

    Edhe në Klinë, një djalë e ka kanosur nënën e tij dhe anëtarët e tjerë të familjes.

    “DHUNË NË FAMILJE- Klinë / 24.10.2024 – 19:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti për shkak të një mosmarrëveshje ka kanosur e fyer viktimën kosovare-nënën e tij dhe anëtarët e tjerë të familjes. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

    Ndërkaq në Istof një person është arrestuar pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij.

    “Istog / 26.10.2024 – 21:30. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti në gjendje të dehur, e ka fyer e ofenduar dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës-bashkëshortes së tij kosovare duke e goditur me grushte, ndërsa djali i tyre ka ndërhy për t’i larguar, por i dyshuari duke i kërcënuar të dy i kishte larguar nga shtëpia. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

  • Kamioni godet stacionin e autobusëve në Izrael, dhjetëra të lënduar

    Kamioni godet stacionin e autobusëve në Izrael, dhjetëra të lënduar

    Dhjetëra persona raportohet të jenë lënduar pasi një kamion goditi një stacion autobusi pranë një baze ushtarake izraelite në atë që dyshohet të jetë një sulm i qëllimshëm.

    Të paktën gjashtë persona janë në gjendje të rëndë dhe të tjerë mbeten të bllokuar nën rrënojat në vendin e ngjarjes në Glilot, në veri të Tel Avivit.

    Policia thotë se rrethanat e ngjarjes janë ende nën hetim.

    Por raportet lokale thonë se civilë të armatosur në zonë qëlluan dhe “neutralizuan” shoferin e kamionit pasi ai u përplas qëllimisht në njerëz, raporton BBC.

    Kanalet televizive izraelite treguan se policia kishte rrethuar zonën ndërsa personeli i urgjencës ndihmoi të plagosurit dhe një helikopter fluturoi sipër.

  • Mbërrin sot anija me mbetje të rrezikshme, protestë në Portin e Durrësit

    Mbërrin sot anija me mbetje të rrezikshme, protestë në Portin e Durrësit

    Një grup aktivistësh të shoqërisë civile me mbështetjen edhe të Partisë Demokratike po protestojnë kundër rikthimit të lëndëve toksike në Portin e Durrësit. Në një deklaratë për mediat ambientalisti Sazan Guri dhe se këto mbetje të cilat po kthehen sërish në Shqipëri, nuk janë toksike apo industriale, por janë shumë të rrezikshme, raporton A2.

    “Vapori i madh po kthehet me mbetje që në dukjen e parë ishin mbetje industriale, që mund të përdoreshin për qëllime të tjera. Por tani fakti që këto mbetje bënë një transport dhe ndaluan dhe u gjurmuan nga ambientalistët dhe u cilësuan si të papranueshme për destinacionin që kishin Tajlandën unë dyshoj që kemi të bëjmë me mbetje as toksike dhe as industriale, por shumë të rrezikshme”, u shpreh Guri.

    Në një njoftim të mëhershëm Partia Demokratike tha se protesta e sotme kundër mbetjeve të rrezikshme “synon sensibilizimin e opinionit publik dhe sigurimin e një procesi transparent për mbetjet e rrezikshme që kërcënojnë jetën dhe mjedisin tonë”.

    Alarmi për tranportine mbetjeve toksike, ndezi debatin mes opozitës dhe qeverisë, ndërsa A2 raporton se Prokuroria e Durrësit nisi në 21 gusht hetimet mbi çështjen e transportit të dhjetëra kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që dyshohet se kanë dalë nga territori shqiptar drejt Tajlandës.

    Prokuroria njoftoi se hetimet kanë nisur për tri akuza, “Kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Shpërdorimi i detyrës” e “Transportimi i mbetjeve”.