ATV

Category: Lajme

  • Prishtinë, më 17 shkurt do të parakalojnë FSK-ja dhe Policia e Kosovës

    Prishtinë, më 17 shkurt do të parakalojnë FSK-ja dhe Policia e Kosovës

    Me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me datë 17 shkurt, në ora 12:00, do të zhvillohet parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në sheshin “George Bush” në Prishtinë.

    Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se qytetarët dhe përfaqësuesit e mediave janë të ftuar të ndjekin manifestimin qendror, dedikuar përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, që mbahet nën patronatin e Presidentes dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

    “Kjo ngjarje do të shërbejë si një nderim për të arriturat e vendit tonë dhe një mundësi për të gjithë qytetarët që të bashkohen në një atmosferë feste, për të shfaqur krenarinë kombëtare dhe për të kujtuar sakrificat e shumta në rrugën drejt lirisë e pavarësisë”, thuhet në njoftim.

  • Presidentja Osmani takon përfaqësuesin e ri të BE-së për dialog: Do të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë

    Presidentja Osmani takon përfaqësuesin e ri të BE-së për dialog: Do të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani po vazhdon takimet me liderë të botërorë në kuadër të konferencës së sigurisë në Mynih, ndërsa sot ka takuar edhe përfaqësuesin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Osmani në një postim në Facebook shkruan se në takimin tim të parë me Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen, diskutuan mbi zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.

    “Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, shkruan Osmani.

    Presidentja gjatë ditës në Mynih ka takuar edhe anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq, shkruan Telegrafi.

    “Në Mynih, u takuam me anëtarin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq. Diskutuam për situatën e sigurisë në rajon, thellimin e bashkëpunimit tonë për të ardhmen euro-atlantike të shteteve tona dhe rëndësinë që Kosova dhe Bosnje e Hercegovina të përparojnë tutje në këtë rrugëtim”, tha e para e shtetit të Kosovës.

  • BE-ja thotë se do të kundërpërgjigjet “ashpër” kundër rritjes së tarifave reciproke të SHBA-së

    BE-ja thotë se do të kundërpërgjigjet “ashpër” kundër rritjes së tarifave reciproke të SHBA-së

    Komisioni Evropian ka thënë të premten se e vlerëson si të paarsyeshëm propozimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për tregti reciproke dhe theksoi se do të reagojë “ashpër dhe menjëherë” nëse ka rritje të tarifave.

    Komisioni, i cili bashkërendon politikën tregtare për të gjitha 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, e përshkroi propozimin e Trumpit si hap në drejtimin e gabuar.

    “Tarifat e BE-së janë ndër më të ulëtat në botë dhe ajo nuk sheh asnjë arsye për rritjen e tarifave amerikane ndaj eksporteve të saj”, tha Komisioni Evropian në një komunikatë.

    Dega ekzekutive e BE-së tha se tarifa mesatare e aplikuar nga Bashkimi Evropian për mallrat e importuara është ndër më të ulëtat globalisht, dhe se mbi 70 për qind e importeve hyjnë pa tarifa doganore në vendet e bllokut, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Një njoftim nga Shtëpia e Bardhë të enjten vuri në pah ndryshimin midis tarifave të BE-së për importet e makinave, që është 10 për qind, krahasuar me tarifën prej 2.5 për qind për ato që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, si dhe kufizimet e BE-së mbi importet e frutave të detit nga SHBA-ja.

    “BE-ja do të reagojë në mënyrë të vendosur dhe të menjëhershme kundër pengesave të paarsyeshme ndaj tregtisë së lirë dhe të ndershme, përfshirë kur tarifat përdoren për t’i sfiduar politikat legjitime dhe jodiskriminuese”, thuhet në komunikatë.

    Kjo deklaratë pasqyron zotimin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha të martën se do të vendoseshin “kundërmasa proporcionale” ndaj vendimit të Trump për të vendosur tarifa mbi të gjitha importet e çelikut dhe aluminit.

    Ministrat e BE-së, të ngarkuar me tregtinë, mbajtën qëndrim më të butë të mërkurën, pasi folën për negociata në vend të masave hakmarrëse, duke qenë të vetëdijshëm se tarifat amerikane për çelikun dhe aluminin do të hyjnë në fuqi nga 12 marsi.

    “Ka vend për negociata”, tha ministri i Jashtëm irlandez, Simon Harris, në një komunikatë.

    Urdhri i Trumpit të enjten nuk ishte për vendosjen e tarifave të reja menjëherë, por nisjen e shqyrtimit të tarifave të vendosura ndaj mallrave amerikane nga partnerët e tjerë tregtarë para se të merret vendim për t’u përgjigjur. Kjo mund të zgjasë me javë apo muaj.

    Tre diplomatë të BE-së thanë se ka kuptim të shfrytëzohet kjo kohë për negociata, derisa vazhdojnë përgatitjet për një përgjigje të fuqishme nëse SHBA-ja vendos tarifa./REL

  • ​Mburoja e reaktorit të Çernobilit goditet nga një dron rus

    ​Mburoja e reaktorit të Çernobilit goditet nga një dron rus

    Gjatë natës një sulm me dron rus ka goditur mbrojtësen e rrezatimit mbi reaktorin e dëmtuar në centralin bërthamor të Çernobilit, ka deklaruar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Sulmi goditi mbulesën e njësisë së katërt të shkatërruar të centralit, duke shkaktuar një zjarr që më pas u shua, shtoi ai, derisa nuk u raportua për ndonjë viktimë.

    Që nga mëngjesi i së premtes, nivelet e rrezatimit nuk kishin shënuar rritje në central, sipas Zelensky.

    Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se ekipet dhe automjetet e sigurisë kundër zjarrit reaguan brenda pak minutash pas shpërthimit.

    IAEA, e cila monitoron sigurinë bërthamore në mbarë botën, konfirmoi se nivelet e rrezatimit brenda dhe jashtë Çernobilit mbeten normale dhe të qëndrueshme.

    Agjencia mbetet në “gatishmëri të lartë” pas incidentit, me drejtorin e saj të përgjithshëm, Rafael Mariano Grossi, që theksoi se “nuk ka vend për vetëkënaqësi”.

    Zelensky postoi pamje në X që duket se tregojnë dëmtime në mburojën gjigante prej betoni dhe çeliku, e cila mbulon mbetjet e reaktorit që humbi çatinë në shpërthim, shkruan BBC News.

    Kjo mburojë është projektuar për të parandaluar rrjedhje të mëtejshme të materialeve radioaktive për shekullin e ardhshëm.

  • Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarve babë e bir për vrasjen në Skenderaj

    Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarve babë e bir për vrasjen në Skenderaj

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurit H.I., dhe B.I, të dyshuar për vrasjen e 42-vjeçarit gjatë së mërkurës në Skenderaj.

    Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“.

    Të pandehurit, me aktvendim të prokurorit të shtetit gjenden në ndalim nga data 12 shkurt 2025.

    Policia ka bërë me dije se të dyshuarit për këtë vrasje janë babë e bir.

  • Sorensen diskuton në Paris e Berlin për avancimin e dialogut Kosovë – Serbi

    Sorensen diskuton në Paris e Berlin për avancimin e dialogut Kosovë – Serbi

    I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se në dy ditët e kaluara ka qëndruar në Paris dhe Berlin, ku ka diskutuar për vazhdimin e dialogut.

    “Kam kaluar dy ditët e fundit në Paris dhe Berlin. Kemi pasur biseda shumë të mira dhe kuptimplota se si të ecim përpara në dialog”, ka shkruar Sorensen në rrjetin social “X”.

    Ai shtoi se është mirënjohës për mbështetjen e plotë të dhënë në përpjekjet e tij në këtë drejtim.

  • Konferenca e Sigurisë në Mynih, marrin pjesë presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti

    Konferenca e Sigurisë në Mynih, marrin pjesë presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti

    Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih (MSC) do të mbahet nga sot deri më 16, në Mynih të Gjermanisë.

    Përveç Presidentes Vjosa Osmani, në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Sot, programi kryesor i konferencës do të fillojë me një fokus në sfidat e sigurisë globale, duke përfshirë qeverisjen globale, rezistencën demokratike, sigurinë klimatike dhe shumë tema të tjera.

  • Plagoset një person nga arma e zjarrit në Prishtinë, policia po punon për zbardhjen e rastit

    Plagoset një person nga arma e zjarrit në Prishtinë, policia po punon për zbardhjen e rastit

    Plagoset një person nga arma e zjarrit sot rreth orës 00:15 në rrugën “Shkupi”, në Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

    Sipas tij, i plagosuri është dërguar menjëherë në QKUK për trajtim mjekësor.

    “Rreth orës 00:15, është raportuar për shkrepje të armës së zjarrit në rrugën ‘Shkupi’ në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se një person është plagosur nga arma e zjarrit dhe se i njëjti është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Borovci.

    Tutje ai tha se aktualisht policia ka identifikuar një të dyshuar të përfshirë në rastin në fjalë, ndërkaq po vazhdon punën e saj operativo-hetimore si dhe të ekzaminimit të vendngjarjes me qëllim të sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, si dhe lokalizimin e të dyshuarit.

  • KQZ-ja pa përditësim që nga 12 shkurti, çfarë po ndodh me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare

    KQZ-ja pa përditësim që nga 12 shkurti, çfarë po ndodh me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare

    Tashmë kanë kaluar pesë ditë që nga dita e zgjedhjeve në Kosovë. Pasi përfundoi ky proces, u mendua se për pak kohë merr fund gjithçka. Por, që nga ajo ditë e deri më sot në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk u përmbyll procesi dhe publikimi i rezultateve finale nga numërimi i votave nëpër komunat e Kosovës.

    Hera e fundit kur u rifreskuan të dhënat në këtë faqe ishte para dy ditësh, më 12 shkurt.

    Asgjë më nuk ka lëvizur, derisa përqindja e numërimit të votave mbetet e njëjtë. 99.72 përqind.

    Rënia e serverit dhe e ueb-faqes zyrtare të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë, telashet me blerjen e kamerave dhe mostrajnimi i duhur i stafit, janë vetëm disa prej problemeve që kanë dalë gjatë rrugës, të cilat, siç thonë disa, ia kanë zbehur besueshmërinë gjithë procesit.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka kërkuar nga KQZ-ja marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale.

    Vetë KQZ-ja ka thënë më 12 shkurt se i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për të ofruar mbështetje teknike, teksa ka siguruar se, pavarësisht gjithë kësaj situate, integriteti i votës nuk është cenuar dhe se rezultatet do të jenë të sakta.

  • Edhe një muaj paraburgim për Naser Hafizin

    Edhe një muaj paraburgim për Naser Hafizin

    Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj Naser Hafizit, ushtrues i detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

    Hafizi dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lajmin për vazhdimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës PPS.nr.84/2024 e datës 05.02.2025 për vazhdimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, në çështjen penale kundër të pandehurit N.H., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 10.02.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N.H. iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj”, thuhet në përgjigje Gashit.

    Më 10 tetor 2024, Naser Hafizi, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL), ishte arrestuar në aeroportin e Prishtinës. Kjo pasi, Prokuroria Speciale, gjatë aksionit më 8 tetor kishte bërë të ditur se Hafizi nuk është gjetur në vendbanimin e tij.

    Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2024 kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, Izedin Bytyqit– zëvendëssekretar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje. Atij i është ndërprerë kjo masë.

    Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, borxhi që operatorët ekonomikë kishin ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) ishte afër 20 milionë euro. Mirëpo, Naser Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve.

    Në vendimin e Themelores për caktimin e paraburgimit, thuhet se ekziston dyshimi se Hafizi ka kryer veprat në cilësinë e zëvendësuesit të drejtorit të ARPL-së në MMPHI, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, udhëzimin administrativ Nr. 06/2021 për Strukturën e pagesave Ujore, si dhe ka anashkaluar raportin e Grupit Ministror, i cili ishte formuar për qëllim të përllogaritjes së borxheve të ambalazhuesve ndaj ARPL-së.

    Aty thuhet se raporti në fjalë tregonte se vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga operatorët ekonomikë është 19,297,447.67 euro, ndërsa i pandehuri pa bazë ligjore ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve të paligjshme për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve ekonomikë, me qëllim të përfitimit për veten ose për persona të tjerë në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.

    Tutje, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naser Hafizi duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktiviteti i paligjshëm dhe është e fituar me kryerjen e veprës penale, me qëllim të fshehjes së burimit të vërtetë të pasurisë, të hollat- paratë kesh i ka futur në sistemin bankar me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme.

    Në anën tjetër, thuhet se Hafizi në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, por që nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara. Përkatësisht, për vitin 2020 nuk ka deklaruar banesën në rrugën “Bill Klinton”, edhe që më 2022 kishte blerë një banesë tjetër në Fushë-Kosovë dhe nuk e ka deklaruar një banesë që e kishte blerë më 2023, e që e kishte obligim ta deklarojë më 2024.