ATV

Category: Lajme

  • Avokatët kërkojnë paanshmëri nga Gjyqtarët e Speciales

    Avokatët kërkojnë paanshmëri nga Gjyqtarët e Speciales

    Përgatiti: Armand Hoti

    Mënyra si trupi gjykues po e pyet dëshmitarin Sylejman Selimi, nuk po i pëlqen fare avokatit të Kadri Veselit, Rodney Dixon.

    Edhe vetë Kadri Veseli, reagon duke u ngritur në këmbë për të komunikuar me ekipin e tij të mbrojtjes.

    Avokati ankohet se gjykatësi nuk po e ruan paanshmërinë me pyetjet që po bën, gjatë seancës së të enjtes.

    “Këto nuk janë pyetje sqaruese, por janë pyetje që po i përdorni si bazë ju nga ana e trupit gjykues, prandaj kjo është që e kemi trajtuar në mocionin tonë, këto janë pyetje që mund t’i bëjë pala në pyetjet plotësuese”, deklaroi Dixon.

    Ekipet mbrojtëse madje kanë paraqitur mocion për të kërkuar paanshmëri nga trupi gjykues, në fund të nëntorit. Por kryetari i trupit, Charles Smith III, thotë se marrja në pyetje vazhdon me të njejtën metodë.

    “Vendimi ynë është që do të vazhdojmë me pyetje në formën siç e kemi bërë. Pyetjet lejohen nga rregullorja e procedurës dhe mund të bëjmë pyetje lidhur me çdo temë të mundshme”, deklaroi Smith III.

    Megjithatë, Dixon insiston të marrë përgjigje.

    “Po unë po them që në mocionin tonë të garantohen të drejtat e të akuzuarve dhe të garantohet paanshmëria dhe drejtësia e procesit gjyqësor. Po theksoj edhe një herë që sot pyetjet nuk janë të paanshme, janë pyetje që po përdoren si bazë nga gjykatësit në përfundimet e tyre”, tha Dixon.

    Një ditë më parë, edhe Hashim Thaçi, reagoi duke u ngritur në këmbë në seancën ky po dëshmonte Sylejman Selimi.

    Së fundmi, përmes një letre, katër të akuzuarit, kanë kërkuar nga gjyqtarët që të mos e mbështesin vetëm njërën palë, por të kontribuojnë në zbardhen e së vërtetës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Përfundon dëshminë Selimi, Specialja pushon hetimet ndaj tij

    Përfundon dëshminë Selimi, Specialja pushon hetimet ndaj tij

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në ditën e katër të dëshmisë së tij në Hagë, ish-komandanti Sylejman Selimi, u pyet rreth urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm dhe për komandantin Adem Jashari.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit, Selimi tha se nuk i din kontaktet direkte të Adem Jasharit derisa nga trupi gjykues u insistua të dihej se a ka pasur Jashari kontakte me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.

    “Prapë po them të njëjtën gjë edhe tash edhe atëherë kur kam deklaru. Adem Jashari ka pasur kontakte me të gjithë. Unë nuk kam ditur ku ka qenë Shtabi dhe a ka ekzistu në atë kohë por ai ka pasur kontakte edhe me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm edhe me njerëz të tjerë”, tha Selimi.

    Derisa kishte insistim në këtë drejtim Selimi u tregua më i prerë duke thënë se Jashari ishte kryesori dhe se ai nuk mori urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.

    “Adem Jashari s’ka marrë urdhra por ka jep urdhra. Adem Jashari ka qenë komandant kryesor. Pa Adem Jasharin s’kishte me pas as UÇK”, tha Selimi.

    Po ashtu, Selimi Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, mohoi se ka pasur kompetenca, udhëzime apo rregullore që të arrestojë civilë. Të njëjtën gjë, Selimi e konfirmoi edhe për avokatin e Veselit Rodney Dixon. Ai rikonfirmoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk e ka ofruar mbështetjen e duhur për zonat operative.

    Pas kësaj, Selimi përfundoi edhe dëshminë e tij në këtë proces dhe nëpërmjet një deklarate Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës tha se të gjitha procedurat hetimore ndaj tij kanë pushuar.

    Ndërkaq në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, dhe Fadil Fazliut në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mbi 600 mijë euro dënime për partitë politike në fushatë

    Mbi 600 mijë euro dënime për partitë politike në fushatë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Krahas të bërit fushatë për vete, partitë politike nuk reshten së ankuari për partitë tjera.

    Në adresë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, shkuan me qindra ankesa, prej të cilave për më shumë se 120 u morën vendime dënuese.

    E kostoja e këtyre vendimeve ishte goxha e lartë, pasi partive politike iu shqiptuan gjoba në vlerë totale mbi 650 mijë euro.

    “Prin lëvizja vetëvendosje me 202 mijë euro gjobë, pastaj PDK me 143 mijë ero gjobë, LDK-ja me 141 mijë euro, AAK me 81 mijë euro, Koalicioni për Familjen 33 mijë euro dhe Lista Serbe 21 mijë euro gjobë”, tha Vullnet Bugaqku, hulumtues në IKD.

    Natyra e dënimeve ishte e ndryshme, por më së shumti, u dhanë për shkak të gjuhës së ashpër që politikanët e përdorën në fushatë.

    “Këto zgjedhje mund të themi lirisht që i karakterizon një gjuhë e ashpër, e papërshtatshme, fyese, nxitëse dhe urryese e shprehur mes kandidatëve dhe subjekteve politike”, tha Bugaqku.
    Në fakt kjo konsiderohet edhe si fushata më e ashpër ndonjëherë në Kosovë.

    E një gjuhë e tillë me fyerje e linçime, sipas profesorit të gazetarisë, Gzim Qerimi nuk është e shëndetshme për një shoqëri demokratike.

    “Ne duhet ta trajtojmë këtë gjuhë edhe nga perspektiva etike dhe jo vetëm nga perspektiva ligjore sepse shumë gjëra nuk dënohen me ligj por në aspektin etik dhe mënoj që gjuha që është përdoru nga partitë politike është papranueshme dhe kanë treguar që në realitet nuk janë model i mirë i të bërit politikë”, tha Qerimi.

    Dënimet e shqiptuara nga PZAP-ja, partitë politike duhet që t’i paguajnë në afat prej 15 ditëve, në të kundërtën shqiptohet masa e përmbarimit. E krejt këto para, shkojnë në buxhetin e shtetit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Problemet teknike të KQZ-së mund ta dëmtojnë procesin e zgjedhjeve

    Problemet teknike të KQZ-së mund ta dëmtojnë procesin e zgjedhjeve

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pavarësisht pajisjeve të reja dhe programeve të avancuara të krijuara për të thjeshtuar numërimin e votave, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm iu komplikuan punët.

    Fillimisht për shkak të pengesa të qasjes në ueb-faqe, KQZ-ja nuk arriti t’i publikoj rezultat preliminare të vendvotimeve, brenda dyzet e tetë 48 orëve nga mbyllja e vendvotimeve, ashtu siç e parasheh Ligji i ri për Zgjedhjet.

    Derisa aktualisht ky institucion po përballet edhe me probleme në sistemin e numërimit të votave, të cilat poashtu po shkaktojnë vonesa në nxjerrjen e rezultateve për kandidatët për deputetë.
    Të gjitha këto, po vlerësohet se e dëmtojnë gjithë procesin e zgjedhjeve.

    Madje, sipas Kolshit, vështirësitë me të cilat po përballet KQZ-ja mund t’i shtyjnë partitë të vënë në pikëpyetje rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

    Njohës të procesit të zgjedhjeve, problemet e KQZ-së i lidhin edhe me rezultatin e partisë në pushtet.

    Problemet e KQZ-së nxitën reagime të shumta të përfaqësuesve të partive politike, si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita.

    Qeveria, në anën tjetër, hoqi përgjegjësin për problemet e serverëve dhe softuerëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • ​Gjuriq flet për zgjedhjet në Kosovë dhe protestat në Serbi

    ​Gjuriq flet për zgjedhjet në Kosovë dhe protestat në Serbi

    Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq shprehu pritjen e tij që pas zgjedhjeve në Kosovë “vullneti i qytetarëve të respektohet dhe të mos deformohet në asnjë mënyrë politike”.

    Ai këto komente i bëri pas takimit sot në Beograd me homologun e tij hungarez, Péter Szijjárto.

    “Numërimi i votave është duke u zhvilluar dhe për fat të keq ka një përpjekje për të ndikuar disi në rezultatin se si votuan qytetarët”, tha Gjuriq në një konferencë për shtyp pas takimit.

    Gjuriq ka komentuar edhe protestat e studentëve që kanë shpërthyer pas shembjes së tendës hekurudhore më 1 nëntor 2024 në Novi Sad, ku mbetën të vdekur 15 persona, dhe disa të tjerë u lënduan.

    “E ritheksova bindjen time se ne në Serbi kemi durimin dhe mençurinë që të mos lejojmë skenarë të ndryshëm që mund të ngjajnë qoftë me revolucione me ngjyra apo me tentativa të ndryshme destabilizimi, për të mos lejuar që të ndodhin skenarë të tillë në vendin tonë”, tha ai.

  • ​Sveçla në Munih përmend financimin e grupeve nga Serbia për sulme terroriste në Kosovë

    ​Sveçla në Munih përmend financimin e grupeve nga Serbia për sulme terroriste në Kosovë

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla në Konferencën e Sigurisë sot në Munih ka ngritur shqetësimet e tij mbi sfidën e financimit nga Serbia të grupeve dhe individëve të caktuar për sulme terroriste në Kosovë.

    Ai tha se aktet terroriste rrezikojnë sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

    Sveçla theksoi angazhimet institucionale të Kosovës në fushën e luftimit të terrorizmit dhe financimit të tij.

    “Me këtë rast, para të pranishmëve potencova edhe sfidën e financimit nga Serbia të grupeve dhe individëve të caktuar, me qëllim të kryerjes së akteve terroriste brenda vendit tonë për të destabilizuar sigurinë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me shtetet aleate në këtë betejë të përbashkët e cila përbën rrezik global”, ka shkruar ai në Facebook.

    Kujtojmë, në Munih po mbahet Konferenca e Sigurisë, në të cilën ministri Sveçla ishte pjesë e ministerialit të katërt me temën mbi financimin e terrorizmit si kërcënim global i sigurisë.

  • BE synon të investojë 200 miliardë euro në IA

    BE synon të investojë 200 miliardë euro në IA

    Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen tha se ata synojnë të nisin një investim prej 200 miliardë eurosh në fushën e inteligjencës artificiale në Evropë.

    Von der Leyen foli në Samitin e Veprimit të Inteligjencës Artificiale që po mbahet në Paris.

    Ajo tha se duan ta bëjnë Evropën një nga kontinentet lider në fushën e inteligjencës artificiale dhe se do të përshpejtojnë punimet e tyre në këtë fushë.

    Von der Leyen kujtoi se disa nga superkompjuterët publikë më të shpejtë në botë ndodhen në Evropë.

    Ajo theksoi se ata do t’i vënë këto sisteme të disponueshme edhe për punimet e inteligjencës artificiale të kompanive dhe hulumtuesve.

    Presidentja e KE-së theksoi se fabrikat e inteligjencës artificiale që kanë krijuar do t’i çojnë në një nivel tjetër me gigafabrikat e inteligjencës artificiale.

    “Këto do të jenë në gjendje të trajnojnë modele me të dhëna shumë të mëdha dhe infrastrukturë të përpunimit të informacionit”, shtoi Von der Leyen.

    Pasi vuri në dukje se fusha e inteligjencës artificiale në Evropë ka nevojë për financime të konsiderueshme si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat, Von der Leyen tha se e mirëpret nismën e inteligjencës artificiale, për të cilën sektori privat ka premtuar 150 miliardë euro.

    Sipas saj, BE-ja do të sigurojë 50 miliardë euro shtesë burime në fushën e inteligjencës artificiale me nismën “InvestAI”.

    “Ne synojmë të mobilizojmë një total prej 200 miliardë eurosh për investime në inteligjencën artificiale në Evropë”, tha Von der Leyen.

    Në deklaratën e KE-së lidhur me temën, u vu në dukje se do të krijohet një fond i ri evropian prej 20 miliardë eurosh për giga-fabrikat e inteligjencës artificiale.

    Kohën e fundit BE-ja është përpjekur të arrijë rivalët e saj si SHBA-në dhe Kinën duke bërë investime të reja në fushën e inteligjencës artificiale.

  • ​Shpërthejnë protesta në Bruksel kundër planit për uljen e pensioneve

    ​Shpërthejnë protesta në Bruksel kundër planit për uljen e pensioneve

    Pothuajse 100 mijë njerëz protestuan sot në Bruksel kundër planeve të qeverisë belge të qendrës së djathtë për të shkurtuar pensionet dhe shpenzimet sociale në mënyrë që të reduktojë borxhin e madh kombëtar.

    Përveç protestave në rrugë, Aeroporti Ndërkombëtar i Brukselit është mbyllur dhe autobusët dhe tramvajet janë ndalur kryesisht.

    Arsyet e protestave janë të njëjta në të gjithë Evropën, ku një ekonomi e dobësuar po i detyron qeveritë të shkurtojnë përfitimet sociale të konsideruara prej kohësh si të mirëqena.

    Belgjika, shtëpia e selisë së NATO-s, aktualisht shpenzon vetëm 1.3 për qind, duke e bërë atë një nga katër vendet më të këqija midis anëtarëve të NATO-s.

    Përkeqësimi i krizës buxhetore shoqërohet me presion në rritje nga partnerët e NATO-s të Belgjikës, veçanërisht nga SHBA, për të rritur buxhetin e mbrojtjes në dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

    Ministri i Mbrojtjes Theo Franken këmbënguli se gjërat do të ndryshonin.

    “Do të kemi para shtesë. Belgjika është një vend i pasur. Ne do t’i gjejmë paratë,” tha ai në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s.

    Njoftimi se paratë do të shpenzohen për mbrojtje, jo për pensione, dha një shtysë shtesë për demonstratat.

    “Zgjedhja u bë për investime masive në mbrojtje, duke i frikësuar njerëzit sikur Putin mund të ishte nesër në Bruksel”, thanë udhëheqësit e sindikatave.

    De Wever këmbënguli në parlament se “reformat do të jenë graduale dhe do të kenë drejtësinë sociale si parim udhëzues”.

  • ​Eduard Joseph në mbështetje të protestuesve në Serbi, bën ‘selfie’ me ta

    ​Eduard Joseph në mbështetje të protestuesve në Serbi, bën ‘selfie’ me ta

    Analisti për Ballkanin, Eduard Joseph po i mbështet protestat e studentëve në Serbi, të cilët po protestojnë duke kërkuar përgjegjësi pas shembjes së çatisë në stacionin e trenit në Novi Sad.

    Ai, gjatë protestës në Beograd është fotografuar me protestuesit që po marshonin.

    Shembja e çatisë në Beograd la të vdekur 15 persona. Kjo bëri që studentët serbë të nisin protestat, të cilat më pas u përhapën në të gjithë Serbinë.

    Me dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë si pjesë e një lëvizjeje që kërkon më shumë përgjegjësi dhe drejtësi.

    Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuciq pretendon se përmes këtyre protestive shërbimet e huaja po mundohen ta rrëzojnë atë nga pushteti.

    Deri më tash dorëheqje ka dhënë kryeministri i Serbisë, Millosh Vuceviq dhe kryetari i Novi Sadit. Kjo u pa si një strategji e Vuciqit për të fituar kohë.

  • ​Sekretari i Mbrojtjes i Trump: Ne duam ta bëjmë NATO-n përsëri të madhe

    ​Sekretari i Mbrojtjes i Trump: Ne duam ta bëjmë NATO-n përsëri të madhe

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se vendi i tij i mbetet besnik NATO-s, se dëshiron ta bëjë atë të shkëlqyeshëm përsëri, por se kjo kërkon që aleatët evropianë dhe Kanada të investojnë shumë më tepër në mbrojtje.

    Hegseth tha në një konferencë shtypi pas një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s se këmbëngulja amerikane për shpenzime më të mëdha të mbrojtjes nga aleatët nuk është e re.

    Ai tha se edhe presidenti Dwight Eisenhower, i cili sundoi nga viti 1953 deri në vitin 1961, shprehu shqetësimin në fund të mandatit të tij se Evropa nuk po mbante mjaftueshëm barrën e mbrojtjes.

    “Për të përdorur fjalët e Eisenhower-it, ata bënë një pinjoll nga xhaxhai Sam. Por, ji i sigurt, presidenti Trump nuk do të lejojë askënd ta kthejë xhaxhain Sam në pinjoll”, tha Hegseth.

    Ai hodhi poshtë kritikat se presidenti Donald Trump, me iniciativën e tij, i bëri lëshime Rusisë dhe presidentit të saj Vladimir Putin në dëm të Ukrainës.

    Ai tha se Trump është “negociatori më i mirë në botë” dhe negocion nga një pozicion i fuqisë, jo i dobësisë.

    “Çdo sugjerim se presidenti Trump po bën diçka tjetër përveç negociatave nga një pozicion i fortë është i rremë. Ne kemi negociatorin e përsosur në tryezë nga një pozicion i forcës për t’u marrë me Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky. Askush nuk do të marrë gjithçka që dëshiron,” tha Hegseth.