ATV

Category: Lajme

  • Guvernatori i Teksasit uron Kosovën në prag të Ditës së Pavarësisë

    Guvernatori i Teksasit uron Kosovën në prag të Ditës së Pavarësisë

    Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka uruar Kosovën në prag të Ditës së Pavarësisë.

    Në urimin e tij, Abbott vuri në pah përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj parimeve demokratike, transmeton Klankosova.tv.

    “Lidhja midis Teksasit dhe Kosovës është unike, e forcuar nga vlerat e përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe sundimit të ligjit”, tha Abbott.

    “Kombet tona janë të lidhura përmes respektit të ndërsjellë për historitë dhe traditat tona të pasura, dhe ne jemi krenarë për marrëdhënien e rëndësishme që ndajmë me Kosovën”.

  • Ende s’është kapur i pandehuri që u arratis dje pas seancës gjyqësore në Pallatin e Drejtësisë

    Ende s’është kapur i pandehuri që u arratis dje pas seancës gjyqësore në Pallatin e Drejtësisë

    Një person dje është arratisur derisa ishte nën shoqërimin e dy zyrtarëve policorë pas seancës gjyqësore në Pallatin e Drejtësisë.

    Policia tha se ai është larguar në drejtim të panjohur, ndërsa gjatë arratisjes ka sulmuar njërin prej zyrtarëve policorë, i cili më pas ka marrë tretman mjekësor.

    “Pallati i Drejtësisë Hajvali, Prishtinë 14.02.2025 – 12:15. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, derisa ka qenë duke u shoqëruar nga dy zyrtarë policorë pas seancës gjyqësore është arratisur dhe larguar në drejtim të panjohur. I dyshuari gjatë arratisjes ka sulmuar njërin prej zyrtarëve policorë i cili ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe vazhdon të hetohet”.

  • Vrasje në tentativë në Prishtinë

    Vrasje në tentativë në Prishtinë

    Një person është plagosur me armë zjarri në rrugën “Shkupi” në Prishtinë dje pas mesnate.

    Policia e Kosovës tha se nuk dihen ende shkaqet dhe se i dyshuar ende është i panjohur, ndërsa i plagosuri është dërguar në QKUK.

    “Rr. Shkupit, Prishtinë 14.02.2025 – 00:19. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, për shkaqe ende të panjohura ishte plagosur me armë zjarri nga personi – i dyshuari ende i panjohur. Viktima është dërguar në QKUK. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, është njoftuar prokurori, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24-orësh.

  • Hovenier: Nuk do të këshilloja Sorensenin që të negociojë zotime të reja, as Kosova as Serbia s’i morën seriozisht obligimet

    Hovenier: Nuk do të këshilloja Sorensenin që të negociojë zotime të reja, as Kosova as Serbia s’i morën seriozisht obligimet

    Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se Asociacioni nuk është hequr si obligim i Kosovës dhe se ai aty është që nga viti 2013, por se ai u përsërit në Marrëveshjen e Ohrit.

    Hovenier thotë se nëse do t’i jepte këshillë emisarit të ri të Bashkimit Europian, Peter Sorensen, do të ishte që të mos negociojë zotime të reja, por të përmbushën këto të vjetrat.

    “Republika e Kosovës bëri një zotim për këtë në vitin 2013. Ai zotim nuk është hequr dhe ai zotim qëndron. Ka edhe zotime që ka marrë edhe Serbia, gjëra që duhet të bëjë, të cilat gjithashtu duhet të zbatohen. Ky zotim në lidhje me Asociacionin u përsërit fuqishëm në kontekstin e Marrëveshjes Bazike të 2023-ës dhe Aneksit të Zbatimit të saj. Dhe unë personalisht besoj – dhe nëse do t’i jepja këshilla Peter Sorensen dhe Bashkimit Europian, mendoj se mënyra më e mirë për të ecur përpara është të mos negociosh zotime të reja tani, sepse ajo që u arrit në vitin 2023 është një paketë mjaft mbresëlënëse. Thjesht mungon plotësisht në zbatim. As Kosova dhe as Serbia nuk i kanë marrë seriozisht obligimet për zbatimin e zotimeve”, tha Hovenier në Atlantic Council.

    Hovenier tha se nëse kjo do të lëvizë përpara do të ndryshojë dinamikën dhe do të përfitojë edhe Kosova edhe Serbia.

    Po ashtu, diplomati amerikan thotë se Kosova ka ngecur në mënyrën se si të përmbushë obligimet e saj ndaj pakicave, ndërsa e potencoi se mbështetja amerikane për Kosovën e pavarur ishte për një vend multietnik me mbrojtje të veçantë të pakicave, veçanërisht pakicën serbe.

    “Aty ku kemi ngecur ka qenë disa herë në çështjet shumë të vështira të ndjeshme se si të përmbushen më së miri premtimet e bëra dhe vizioni i vendit në kohën e [kur shpalli] pavarësisë në bazë të mbështetjes sonë për pavarësinë, i cili ishte për një vend multietnik dhe në të cilin do të kishte disa mbrojtje të veçanta për komunitetet joshumicë, veçanërisht komunitetin serb, duke pasë parasysh historinë e ndërlikuar dhe të vështirë”.

    Hovenier përsëriti atë që e kishte thënë disa herë edhe sa ishte në detyrë në Prishtinë që mënyra se si duhet të përmbushet ky obligim i Kosovës duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e saj, raporton gazeta Express

    “Kështu që ne u ngecëm në disa nga çështjet se si të zbatohen më së miri mbrojtjet kushtetuese për komunitetet pakicë. Ne ngecëm në çështjet se si Serbia mund të ushtrojë më së miri të drejtën që ka nën Ahtisaarin për t’i dhënë mbështetje komunitetit serb në Kosovë, por në një mënyrë që janë në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”.

  • Shtyhet afati i aplikimit për fëmijët 3 deri në 5 vjeç në institucionet parashkollore

    Shtyhet afati i aplikimit për fëmijët 3 deri në 5 vjeç në institucionet parashkollore

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se është shtyrë afati për aplikim në Programin e Kuponëve, raporton EO.

    Afati i fundit është 26 shkurti, ndërsa aplikimi sipas Ministrisë së Arsimit realizohet vetëm nëpërmjet e-Kosova.

    “Programi ka për qëllim të përmirësojë qasjen e fëmijëve 3 deri në 5 vjeç në Institucionet e Edukimit në Fëmijërinë e Hershme (IEFH) nga familjet të cilat janë të regjistruara në Skemën e Asistencës Sociale (SAS)”, thuhet në njoftim.

    Nëpërmjet Programit të Kuponëve, MASHTI do të rimbursojë pagesën e edukimit dhe transportit për fëmijët e përzgjedhur. “Ftohen të aplikojnë familjet e regjistruara në SAS të cilat banojë në Prishtinë, Gjilan dhe Lipjan në mënyrë që të përfitojnë nga programi”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, sqarohet se aplikuesit mund të jenë prindërit apo kujdestarët ligjorë të fëmijës.

    Ndër kriteret që parashihet janë që prindërit të kenë të paktën një fëmijë të moshës nga 3 deri në 5 vjeç në kohën e regjistrimit në IEFH. “Mosha e fëmijës llogaritet nga data e ofrimit të shërbimit në IEFH, jo nga data e aplikimit në Program. Rrjedhimisht prindi apo kujdestari ligjor mund të aplikojë edhe para se fëmija të ketë mbushur moshën 3 apo 5, duke filluar nga 2 vjet e 6 muaj deri në moshën 4 vjet e 6 muaj. Me kusht që vijimin në IEFH ta nis në moshën 3 vjeçare dhe ta përfundojë kur fëmija fillon edukimin e detyrueshëm parafillor pas moshës 5 vjeçare. Fëmija duhet të ketë vendbanimin në komunën ku aplikon për ta vijuar IEFH”, bëhet e ditur nga Ministria e Arsimit.

  • Kurti tregon tri kërkesat që i ka në dialog

    Kurti tregon tri kërkesat që i ka në dialog

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Gjermani, ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munich, aty është takuar me emisarin e ri special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, të cilit edhe i uroi suksese në detyrën e re, raporton Ekonomia Online,

    Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social X ka treguar për tri kërkesat që i ka në dialog: Serbia duhet ta tërheq letrën e drejtuar EEAS në dhjetor të 2023, ta dorëzojë Milan Radoçiqin, dhe Marrëveshja duhet të nënshkruhet për të parandaluar shkeljet e ardhshme.

    “Ne mbetemi të përkushtuar për zbatimin e plotë dhe të shpejtë të Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të saj. Serbia duhet të tërheqë letrën e saj të 13 dhjetorit 2023 drejtuar EEAS dhe të dorëzojë Milan Radoiçiq-in për të rikthyer besimin në dialog, ndërsa Marrëveshja duhet të nënshkruhet për të parandaluar shkeljet e ardhshme”, shkroi Kurti.

  • Sfidat e qeverisë së re të Kosovës në planin ndërkombëtar

    Sfidat e qeverisë së re të Kosovës në planin ndërkombëtar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u zotua të premten se vendi do të angazhohet me aleatët që procesi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtje të sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe tërësisë tokësore të Kosovës.

    Ajo i bëri këto komente pas takimit të parë me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, gjatë të cilit siç thuhet në njoftim, u diskutua mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.

    Takimi u zhvillua gjatë konferencës së sigurisë në Mynih të Gjermanisë, në kuadër të të cilës, zoti Sorensen takoi ndarazi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    “Për të ecur përpara me marrëveshjen e Ohrit nevojitet nënshkrimi saj, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq”, thuhet në një njoftim të zyrës së kryeministrit Kurti.

    Këto takime ndodhin në një periudhë të rëndësishme, pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, rezultatet e të cilave pritet të kenë ndikim edhe në ritmin e dialogut.

    Pesë ditë pas zgjedhjeve të së dielës, Komisioni Qendror po vazhdon procesin e numërimit të votave mes kritikave për vonesa dhe problemeve që u shfaqen në faqen internetit të këtij institucioni gjatë publikimit të rezultateve të partive politike.

    Ndërsa vazhdon numërimi i votave vëzhguesit thonë se rezultati i zgjedhjeve ka lënë të hapura shumë mundësi për formimin e qeverisë së re të vendit. Nëse lëvizja Vetëvendosje, e cila ka numrin më të madh të votave, nuk siguron koalicion me ndonjë nga partitë opozitare do ta ketë të vështirë të formojë qeverinë me deputetët e pakicave.

    “Ne vërtetë e kemi një fitues në kuptimin e lëvizjes Vetëvendosje si e para por njëkohësisht edhe partitë opozitare bashkërisht janë me numër më të madh, pra kemi dy fitues relativ. Ajo që mendoj që do të ishte më e mira të ndodhte është një qeveri e qëndrueshme e cila do të mund të përballet me sfidat që janë përpara veçanërisht në kontekstin ndërkombëtar”, tha analisti Agon Maliqi tha në një bisedë me Zërin e Amerikës.

    Zoti Maliqi thekson se qeveria e re duhet të ndjek një rrugë tjetër nga katër vitet e fundit në rrafshin ndërkombëtar.

    “Pikë së pari që sinjalizon një lloj dëshire dhe vullneti për të punuar shpejt në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që nuk flet për luftë dhe që nuk merr masa që shihen si destabilizuese nga ana e NATO-s sepse lloji i administratës amerikane që është tani në pushtet por edhe fakti që Kosova nuk i ka punët mirë as me aleatët e saj në Evropë, nuk ja jep Kosovës luksin të bëhet palë që shihet si problematike. Kosovës i duhet një qeveri që e ndërmerr nismën menjëherë për të riparuar me SHBA-të”, tha ai.

    Zoti Maliqi vlerëson se Kosova aktualisht është një faktor i shpërfillur që rrezikon ta marrin me vete dinamikat ndërkombëtare pa u dëgjuar zëri i saj.

    Skenarët e mundshëm të formimit të qeverisë së re që përfshijnë lëvizjen Vetëvendosje me pakicat joserbe apo partitë opozitare të bashkuara, nuk ofrojnë fuqinë e duhur vendimmarrëse përballë këtyre dinamikave thotë ai.

    “Është e qartë se në asnjërin prej këtyre skenarëve nuk sigurohet dy e treta dhe nuk sigurohet vazhdimësia e qeverisë pas skadimit të mandatit të presidentes. Pra për tema të mëdha do të ishte mirë të krijohet një qeveri e fortë. Por jashtë kësaj nëse nuk ka mundësi për tu krijuar një qeveri të tillë dhe palët janë aq larg rreth një vizioni të përbashkët rreth kësaj atëherë gjithsesi skenari më i keq do të ishte përsëritja e zgjedhjeve. Në këtë rast edhe një qeveri që krijohet dhe zgjat aq sa zgjat do të ishte më mirë sesa të futemi në një lloj situate ku nuk ka asnjë adresë të përgjegjësisë”, thotë ai.

    Procesi i ngecur i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit pritet të jetë një nga sfidat kryesore të qeverisë se re, krahas përpjekjet për ripërtëritjen e marrëdhënieve me fuqitë perëndimore, të cilat e kanë kritikuar qeverinë e Kryeministrit Kurti për veprimet e saj në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur dy vjet më parë, sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës./VOA/

  • Shi dhe borë – Moti për sot

    Shi dhe borë – Moti për sot

    Më ftohtë ditën e shtunë. Mundësi për shi e borë. Përmirësim i cilësisë së ajrit.

    Mot më i ftohtë po parashihet për ditën e shtunë, kryesisht me vransira.

    Orëve të para të ditës priten kushte për reshje të pakta shiu, apo dhe dëbore me rënie të temperaturës.

    Frynë erë e ftohtë, mesatare, nga veriu e verilindja 6-12m/s. Temperaturat minimale zbresin në 2C e 4C, e ato maksimale shkojnë deri në 3C e 6C.

  • Gjatë një intervenimi në dhëmbë, një gruaje në Pejë i depërtoi gjilpëra në rrugët e frymëmarrjes

    Gjatë një intervenimi në dhëmbë, një gruaje në Pejë i depërtoi gjilpëra në rrugët e frymëmarrjes

    PËRGATITI: EGZONA MEMA

    Për tri ditë në Klinikën e Kirurgjisë torakale në Prishtinë u trajtua një rast jo fort i zakonshëm.

    Në këtë repart u shtri një grua pas një incidenti që i ndodhi tek një dentist në Pejë.

    Burime të televizionit bëjnë me dije se një gruaje rreth 50 vjeçare, I kaloi një gjilpërë në rrugët e frymëmarrjes gjatë një ndërhyrje tek dentisti, për çka edhe mori trajtim në QKUK.

    Sipas pamjeve të siguruara nga ATV-ja, shihet trupi i huaj brenda rrugëve të frymëmarrjes.

    Drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci, tregon se si vepruan në këtë rast.

    “Ajo pjesë ka mbet brenda, është pjesë e impiantit, është milimetrike, është e vështirë me u heq në mënyrë natyrale, prandaj jemi dakorduar që pacienti të mos e tërheq, ajo hiqet nëpërmjet hapjes së gjoksit çka kemi vendos mos me heq”, deklaroi Kolgeci.

    Ani se gjilpëra nuk i është hequr, drejtori thotë se ajo nuk do ti paraqet probleme në të ardhmen.

    Pacientja e as familjarët nuk ishin të gatshëm të flasin lidhur me këtë çështje.

    ATV-ja ka kontaktuar edhe me Policinë e Pejës, të cilët nuk treguan nëse është hapur rast.

  • Qeveritë e ardhshme në Kosovë e Serbi, vendimtare për dialogun

    Qeveritë e ardhshme në Kosovë e Serbi, vendimtare për dialogun

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Në Bashkimin Evropian tashmë kanë filluar përgatitjet për rifillimin e dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pas një kohe relativisht të gjatë të ngecjes.

    I dërguari i ri për dialogun Peter Sorensen, të enjtën mbrëma se ka nisur takimet për të parë se si të vazhdohet tutje.

    Ndërkohë që në Koosvë vlerësohet një angazhim i tillë, profesori Gëzim Qerimi konsideron se ndërlikimet në këtë proces do të vazhdojnë.

    “Në realitet çasja e SHBA-së nuk pritet të jetë e njëjtë sikurse ka qenë nën administratën e Bidenit. Mund të kemi ndërlikim sepse mund të ketë një çasje krejtësisht ndryshe për dialogun Kosovë-Serbi, SHBA në raport me BE-në”, tha profesori Gëzim Qerimi.

    Por se a do të ketë progres apo regres në këtë proces, thuhet se do të luajnë rol palët që do të jenë të përfshira në dialog në të ardhmen.

    “Varet kush do ta themeloj qeverinë dhe gjithashtu a do mbijetoj vuqiqi në serbi, është përcaktuese kjo. I ndihmon lidershipi i ri në be dhe ShBA që do të jetë më i prerë me të dyja vendet se nëse s’ka marrëveshje do të ketë penalizmi jo vetëm për vendet por edhe qytetarët…”, deklaroi njohësi i politikës së jashtme, Arbnor Sadiku.

    Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të të dërguarit të kaluar të bllokut, Mirosllav Lajçakut, në fillim të vitit 2023 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila s’ka nisur së zbatuari./atvlive.tv