ATV

Category: Lajme

  • Qytetarët thonë se po vazhdojnë të paguajnë shtrenjtë faturat e Termokosit

    Qytetarët thonë se po vazhdojnë të paguajnë shtrenjtë faturat e Termokosit

    PËRGATITI: ALMA HYSENAJ

    Matësit i vendosen për të qenë me korrekt me qytetarët, mirëpo kjo po i’u kushton këtyre të fundit.

    Termokosi ka ndryshuar mënyrën e matjes të konsumit të ngrohjes për qytetarët, nga ajo me metër katror tani me matësit që vendosen në radiator.

    Kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, Fisnik Osmani tha se ndryshimi i metodologjisë së faturimit ka qenë i pashmangshëm.

    Në anën tjetër, qytetarët janë të revoltuar për çmimet e faturave nga Termokosi.

    Qytetarët thanë se kanë bërë ankesa, por deri më tani nuk është ndërmarr asgjë. Ndërkaq, Termokosi për ATV-në tha se numri i ankesave ka rënë dukshëm.

    Projekti parasheh që prej 25 mijë konsumatorë aktiv, 17 500 prej tyre janë konsumatorë të regjistruar përfitues të projektit për instalim të matësve./atvlive.tv

  • Protestohet në Gjilan pas dhunës ndaj gruas me probleme mendore

    Protestohet në Gjilan pas dhunës ndaj gruas me probleme mendore

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Dhuna fizike e psikike që iu shkaktua një gruaje me probleme të shëndetit mendor në Gjilan, bëri që para komunës të premten të mbahet një protestë.

    Fajtor për rastin, protestuesit i bënë institucionet.

    Nga Kolektive për Mendim dhe Veprim Feminist kërkuan parandalim të abuzimit dhe dhunës ndaj grave.

    Gjatë protestës u kërkua po ashtu mbështetje për personat të cilët janë të braktisur.

    Gruaja nga Gjilani, dyshohet se është dhunuar fizikisht e po ashtu është përdorur seksualisht për 1 vit nga një person në Lipjan, i cili u arrestua nga policia, pasi rasti u raportua në media./atvlive.tv

  • Punëtorët e KEK-ut nuk duan pagesë obligative për menzën

    Punëtorët e KEK-ut nuk duan pagesë obligative për menzën

    PËRGATITI:DIELLËZA KRASNIQI

    Korporata Energjetike e Kosovës është duke e rinovuar objektin e menzës.

    Por, sindikata e Re e KEK-ut, nuk po dëshiron që punëtorëve t’u imponohet pagesa për ushqim, e cila mund t’u hiqet nga paga.

    Kryesindikalisti Nexhat Llumnica, thotë se punëtorët duhet ta kenë të drejtën e zgjedhjes.

    ‘’Nëse e ka ushqimin e mirë dhe kualitativ atëherë edhe punëtoret jon te interesum për ushqim në menze por jo te ketë shuajtjen e garantume deshti apo nuk deshti puntori kta nuk e tolerojme nëse vendoset në ketë forme ne kemi be thirrje menagjmentit KEK do ta bojkotojmë ushqimin dhe do te ketë protesta greva deri ne realizim te kërkesave tona’’, deklaroi Nexhat Llumnica, kryesindikalist në KEK.

    Edhe pse nuk e dinë si do të jenë kushtet, punëtorët paralajmërojnë bojkot, nëse detyrohen të paguajnë për këtë shërbim.

    Ndërsa ende nuk dihet sa do të jetë shuma që duhet paguar.

    Përmes një kërkese me shkrim, sindikata ka kërkuar nga KEK-u që të kenë rol vendimmarrës edhe për kompaninë që ofron ushqimin në menzë.

    Lidhur me këto çështje, por edhe kontratën për menzën, ATV nuk mori përgjigje gjatë së premtes, nga zyra për informim e KEK-ut./atvlive.tv

  • Partitë opozitare nuk janë njëzëri për koalicion

    Partitë opozitare nuk janë njëzëri për koalicion

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Partia Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit u rendit e dyta me mbi 22% të votave, nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni me partitë e tjera që u renditen pas saj.Nga kjo parti thonë se çfarëdo oferte që eventualisht mund të iu bëhet, janë të hapur për diskutim.

    “ Ne nuk kemi folur ende ne detaje për këtë çështje, oferta ende nuk mund të bëjmë, por nëse ato na vinë ne i shqyrtojmë fillimisht pastaj marrim vendim…”, deklaroi kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk pranuan të flasin para kamerës lidhur me këtë çështje, por prapa saj thanë se nuk kanë qëndrim deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.

    Ndërsa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovë janë të hapur për çfarëdo oferte për koalicion, por përjashtojnë Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Ne jemi për koalicion me opozitën, për të kthyer Kosovën në binaret e duhura dhe Kosova të marr rrugën për në NATO…”, tha Ahmet Isufi, kandidat për deputet nga radhët e AAK-së.

    Isufi renditë disa arsye përse AAK-ja refuzon bashkëpunimin me partinë që doli e para në zgjedhje.

    Bazuar në rezultatet preliminare, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë më së shumti vota, ka siguruar 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për formimin e qeverisë i duhen së paku 61./atvlive.tv/

  • Policia shpall në kërkim 32-vjeçarin nga Prizreni, i dyshuar për tentim vrasjen e rëndë te Tranziti i Ri

    Policia shpall në kërkim 32-vjeçarin nga Prizreni, i dyshuar për tentim vrasjen e rëndë te Tranziti i Ri

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për kapjen e Veton Hoxhës, i cili dyshohet për vrasje në tentativë.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se kërkohet i dyshuari për veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, Veton Hoxha i lindur me datë 6.08.1992 në Prizren, me banim në Prizren.

    “Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është duke zhvilluar hetime lidhur me veprën ‘Vrasje e rëndë e mbetur në tentative’, konkretisht me datën 29.01.2025, rreth orës 02:00, në rrugën ‘Transiti i ri’ në Prizren ka ndodhur një përleshje në mes të disa personave, në atë rast janë shkrepur edhe armët, dy persona kanë pësuar lëndime, tre armë pistoleta janë sekuestruar”, thuhet në njoftim.

    Tutje në njoftim thuhet se lidhur me këtë janë identifikuar dhe janë arrestuar të gjithë të përfshirët në këtë rast për veç një të dyshuari, të dyshuarit të lartë shënuar.

    “Andaj me qëllim të ndriçimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prizren, kemi marr Autorizimin në pajtim dispozitave të nenit 76 prag 2 te KPPRK-së, për publikimin e fotografisë së dyshuarit në mediume televizive dhe media sociale, ku kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të na ndihmonin në identifikim dhe arrestimin e të dyshuarit..

    Kërkojmë që nëse keni çfarëdo informate apo dini diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportoni policinë në Prizren në numrin 192, apo në cilin do Stacion të Policisë në Kosovë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

  • Von der Leyen paralajmron Trump: Dështimi në Ukrainë dobëson BE-në dhe ShBA-të

    Von der Leyen paralajmron Trump: Dështimi në Ukrainë dobëson BE-në dhe ShBA-të

    Në fjalimin e mbajtur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kritikoi qasjen e re të politikës së jashtme të Trump.

    Von der Leyen tha se Evropa ka potencialin të “lëvizë malet” kur adopton një “mentalitet urgjence”.

    Presidentja e Komisionit Evropian, lëshoi një paralajmërim të ashpër për Uashingtonin, duke theksuar se një dështim në Ukrianë do të ketë pasoja të rënda jo vetëm për sigurinë evropiane, por edhe për atë amerikane.

    “Një Ukrainë e dështuar do të dobësonte Evropën, por gjithashtu do të dobësonte Shtetet e Bashkuara,” ka paralajmëruar von der Leyen.

    Përkundër mendimeve të ndryshme, si BE ashtu edhe SHBA janë dakord se Kievit do t’i duhen “garanci të forta sigurie”.

    “Ukraina ka nevojë për paqe përmes forcës, Evropa dëshiron paqen përmes forcës dhe siç e ka bërë të qartë Presidenti Trump: Shtetet e Bashkuara janë fuqimisht të përkushtuara ndaj kësaj doktrine”, shtoi von der Leyen.

    Në fjalën e saj, presidentja e Komisionit Evropian theksoi angazhimin e BE-së për të mbështetur Ukrainën, duke iu përgjigjur akuzave të presidentit Trump se Europa nuk ka kontribuar sa duhet.

    Ajo nënvizoi se mbështetja financiare dhe ushtarake nga ana e BE-së për Ukrainën arrin në 134 miliardë euro, duke e bërë këtë kontribuim më të madhin krahasuar me çdo aktor tjetër.

    Për sa i përket kërcënimit të një lufte tregtare transatlantike, von der Leyen kritikoi politikat tarifore të SHBA-së, duke thënë se “luftërat tregtare dhe tarifat ndëshkuese nuk kanë kuptim”. Kjo deklaratë tërhoqi duartrokitje nga audienca, raporton euronews.al.

    Ajo gjithashtu i tha samitit se e ardhmja e Ukrainës është “këtu në Evropë” dhe se zyrtarët janë duke punuar në procesin e anëtarësimit të këtij vendi në Bashkimin Evropian.

  • Kurti në Mynih: Marrëveshja e Brukselit po shkelet nga Serbia, duhet ta bëjnë dorëzimin e kryeterroristit Radojiçiq

    Kurti në Mynih: Marrëveshja e Brukselit po shkelet nga Serbia, duhet ta bëjnë dorëzimin e kryeterroristit Radojiçiq

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, takoi Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.

    Në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti uroi Sørensen për pozitën dhe përgjegjësitë e reja.

    Zyra e kryeministrit njofton se Kurti ” veçoi progresin e Kosovës në katër vitet e fundit, me theks te rritja ekonomike mesatare prej 6%, raporti i fundit i BE-së për vendin, që evidenton progres në 36 nga 38 fushat e vlerësimit dhe asnjë fushë me regres, pastaj rishpërndarja sociale, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi i të drejtave politike e lirive civile”.

    Ai tha se Kosova është shembull se si zhvillimi dhe demokracia shkojnë krah për krah.

    “Sa i përket raporteve me Serbinë, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj. Në të njëjtën kohë, ai tha se kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja”, thuhet në komunikatë.

    Tutje, theksohet se për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës.

    Kryeministri Kurti tha se është absurde që Presidenti i Serbisë ia imponon dorëheqjen kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, por nuk e dorëzon Radoiçiqin./Telegrafi/

  • Gjatë 2024-tës, çmimet e prodhimeve bujqësore u rriten rreth 50 për qind

    Gjatë 2024-tës, çmimet e prodhimeve bujqësore u rriten rreth 50 për qind

    Në vitin 2024, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore kishte rritje për 46,9 për qind, krahasuar me vitin 2020. Ndërkaq, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale kishte rritje për 46,5 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në publikimin e saj bënë të ditur se indeksi vjetor i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore kishte rritje për 46,8 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020.

    Më tej në raport thuhet se në vitin 2024, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore kishte rënie për 4,6 për qind, krahasuar me vitin 2023. Ndërkaq, indeksi i çmimeve prodhimeve blegtorale kishte rritje për 5,7 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023.

    Indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore kishte rënie për 0,9 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023.

    “Në vitin 2024, indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bimore kishte rritje për 46,9%, krahasuar me vitin 2020. Ndërkaq, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale kishte rritje për 46,5% në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020. Kurse, indeksi vjetor i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore kishte rritje për 46,8% në vitin 2024, krahasuar me vitin 2020”, thuhet në raportin e ASK-së.

  • Ambasada e Kosovës në Austri me një njoftim të rëndësishëm për konvertimin e patentë shoferëve

    Ambasada e Kosovës në Austri me një njoftim të rëndësishëm për konvertimin e patentë shoferëve

    Ambasada e Kosovës në Austri, ka njoftuar se nga data 1 mars, do të hyjë në fuqi ndryshimi i rregullores zbatuese të Ligjit të Patentës së Shoferëve në Austri, i cili lehtëson procedurën e konvertimit të patentës së shoferit për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.

    Kështu bëhet e ditur në njoftimin e ambasadës së Kosovës në Austri.

    “Të nderuar bashkatdhetarë, sapo jemi njoftuar zyrtarisht se nga data 1 Mars 2025, hyn në fuqi ndryshimi i rregullores zbatuese të Ligjit të Patentës së Shoferëve në Austri, i cili lehtëson procedurën e konvertimit të patentës së shoferit për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë një patentë shoferi të vlefshme të lëshuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës NUK kanë më nevojë të japin provim praktik për konvertimin e saj në një patentë austriake”, thuhet në njoftim.

    Tutje, theksohet se ky lehtësim vlen për të gjitha kategoritë e patentave të shoferit të lëshuara në Republikën e Kosovës.

  • Prishtinë, më 17 shkurt do të parakalojnë FSK-ja dhe Policia e Kosovës

    Prishtinë, më 17 shkurt do të parakalojnë FSK-ja dhe Policia e Kosovës

    Me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me datë 17 shkurt, në ora 12:00, do të zhvillohet parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në sheshin “George Bush” në Prishtinë.

    Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se qytetarët dhe përfaqësuesit e mediave janë të ftuar të ndjekin manifestimin qendror, dedikuar përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, që mbahet nën patronatin e Presidentes dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

    “Kjo ngjarje do të shërbejë si një nderim për të arriturat e vendit tonë dhe një mundësi për të gjithë qytetarët që të bashkohen në një atmosferë feste, për të shfaqur krenarinë kombëtare dhe për të kujtuar sakrificat e shumta në rrugën drejt lirisë e pavarësisë”, thuhet në njoftim.