ATV

Category: Lajme

  • Presidentja Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe nuk mund të njolloset

    Presidentja Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe nuk mund të njolloset

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë qasje si të padrejtë dhe të dëmshme për paqen dhe drejtësinë afatgjatë.

    Osmani ka theksuar se pavarësia e Kosovës është rezultat i drejtpërdrejtë i vullnetit të popullit të saj dhe i një sakrifice shekullore, për të cilën mijëra dëshmorë dhe civilë të pafajshëm dhanë jetën. Sipas saj, UÇK-ja zhvilloi një luftë çlirimtare të drejtë dhe të pastër, në mbrojtje të popullit të Kosovës nga një regjim që kishte për qëllim shfarosjen e shqiptarëve.

    Presidentja rikujtoi se Serbia ka kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndaj popullit të Kosovës ndër shekuj, e veçanërisht gjatë luftës së fundit, kur u vranë dhe u masakruan mijëra fëmijë, gra e të moshuar, u dhunuan mijëra civilë, u shkatërruan qindra mijëra shtëpi dhe mbi 80 për qind e qytetarëve u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

    “Çdo përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb minon besimin në drejtësi dhe dëmton rëndë paqen afatgjatë,” ka theksuar Osmani, duke shtuar se qytetarët e Kosovës kërkojnë drejtësi, jo rishkrim të historisë.

    Ajo nënvizoi se e vërteta për luftën e UÇK-së nuk mund të ndryshohet nga tentimet për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

  • IKShPK: Uji nga Liqeni i Badocit i sigurt për pije

    IKShPK: Uji nga Liqeni i Badocit i sigurt për pije

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit është vërejtur ulje e dukshme e vlerave të turbullirës.

    Sipas IKShPK-së, analizat laboratorike të kryera gjatë tri ditëve të fundit tregojnë se vlerat e turbullirës, si dhe të gjithë parametrat e tjerë bakteriologjikë dhe fiziko-kimikë, janë brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu.

    Bazuar në këto rezultate dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, IKShPK ka bërë të ditur se uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije.

    Instituti ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke garantuar transparencë dhe informim të saktë për qytetarët lidhur me sigurinë e furnizimit me ujë të pijshëm.

  • Lëshohet urdhër për ndalimin 48 orë të mësuesit që u pa duke e goditur brutalisht nxënësin në shkollën “Pavarësia”

    Lëshohet urdhër për ndalimin 48 orë të mësuesit që u pa duke e goditur brutalisht nxënësin në shkollën “Pavarësia”

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se është lëshuar urdhër për ndalimin 48 orë të arsimtarit që dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë.

    “Po, është lëshuar urdhri për ndalim për 48 orë”, ka konfirmuar Gashi.

    Sipas pamjeve që kanë qarkulluar, arsimtari shihet duke goditur nxënësin, ndërsa në një moment edhe nxënësi reagon ndaj tij.

    Mësimdhënësi ushtron dhunë fizike ndaj një nxënësi në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë

  • LVV kritikon kërkesën e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    LVV kritikon kërkesën e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një akt politik dhe jo si kërkim të drejtësisë.

    Në një reagim publik, Vetëvendosje ka theksuar se Jugosllavia e Serbisë së Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se UÇK-ja ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale, duke mbrojtur popullin shqiptar.

    Sipas kësaj partie, kërkesa për dënime prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e UÇK-së paraqet një ndërhyrje politike në interpretimin e historisë dhe përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen nga agresori te viktima.

    LVV shton se përpjekjet për ta paraqitur UÇK-në si ndërmarrje kriminale synojnë kriminalizimin e luftës çlirimtare dhe depolitizimin e saj, duke e reduktuar në çështje penale individuale.

    Sipas tyre, krimet kundër njerëzimit kërkojnë aparat shtetëror dhe mekanizma sistematikë dhune, të cilat UÇK-ja nuk i ka pasur asnjëherë.

    Partia ka theksuar se drejtësia ndërkombëtare historikisht ka ndëshkuar aparate shtetërore dhe udhëheqje politike e ushtarake që kanë ushtruar dhunë sistematike, duke përmendur raste nga tribunale dhe gjykata ndërkombëtare.

    Sipas reagimit, barazimi i luftës çlirimtare me krimet e regjimeve gjenocidale përbën shtrembërim të historisë dhe relativizim të agresionit serb.

    Vetëvendosje ka kritikuar gjithashtu Gjykatën Speciale, duke thënë se ajo është produkt i presioneve politike dhe interesave gjeopolitike, dhe se drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe e njëanshme. Sipas tyre, një drejtësi e tillë nuk shëron plagët, por i thellon ato.

    Në fund, Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se çlirimi nuk është krim dhe se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet përmes aktakuzave që, sipas tyre, i shërbejnë narrativës së agresorit, duke shtuar se drejtësia e vërtetë kërkon njohjen e legjitimitetit të luftës për liri dhe identifikimin e pushtetit të dhunës gjenocidale. /Telegrafi/

  • Skandali Epstein trondit Francën – Macron thyen heshtjen dhe kërkon drejtësi amerikane

    Skandali Epstein trondit Francën – Macron thyen heshtjen dhe kërkon drejtësi amerikane

    Zbulimet e reja nga dosja e Jeffrey Epstein, botuar nga autoritetet amerikane, kanë shkaktuar reagime të forta në Francë, ku emri i presidentit Emmanuel Macron u përmend në disa dokumente – edhe pse pa prova për lidhje të drejtpërdrejta me krimet e biznesmenit të dënuar për abuzime seksuale. Autoritetet franceze e kanë konsideruar rastin si pjesë të një fushate dezinformimi të lidhur me aktorë të jashtëm, duke theksuar se pretendimet ndaj Macron janë të fabrikuara dhe pa bazë reale.

    Në një deklaratë të fundit, Macron ka thënë se çështja “ka të bëjë kryesisht me Shtetet e Bashkuara” dhe ka nënvizuar se duhet lejuar që sistemi gjyqësor amerikan të bëjë punën e tij në mënyrë të pavarur pa përziere politikë të jashtme.

    Zyrtarët francezë kanë zbuluar se pretendimet kundër Macron janë përhapur nëpërmjet një artikulli të rremë dhe një videoje në rrjetet sociale, të dyja duke përdorur identitete të falsifikuara të mediave të njohura, në një përpjekje për ta paraqitur atë si të përfshirë në skandalin e Epsteinit – një akuzë që nuk ka prova apo mbështetje në dokumentet zyrtare. Autoritetet franceze e kanë cilësuar këtë si një operacion dezinformimi i lidhur me rrjete të huaja, përfshirë ato me origjinë të dyshuar ruse.

    Në të njëjtën kohë, një nga figurat politike më të njohura në Francë, ish‑ministri i Kulturës Jack Lang, është përballur me presion publik dhe politik për rolin e tij në dokumentet që lidhen me Epstein, duke ofruar dorëheqjen nga drejtimi i Institut du Monde Arabe (IMA) për shkak të lidhjeve të argumentuara me financa dhe transaksione me kompanitë e Epsteinit, edhe pse ai vetë mohon çdo keqbërje.

    Që nga publikimi i miliona dokumenteve amerikane, debatet mbi ndikimin e skandalit Epstein në elitën e politikës dhe kulturës evropiane kanë marrë hov të ri, duke ngritur pyetje mbi rolin e figurave publike dhe mënyrën si informacioni – dhe dezinformimi – mund të përdoret në arenën ndërkombëtare.

  • Nisin hetimet për përleshjen fizike në një shkollë në Prishtinë, Drejtoria e Arsimit në pritje të raportit disiplinor

    Nisin hetimet për përleshjen fizike në një shkollë në Prishtinë, Drejtoria e Arsimit në pritje të raportit disiplinor

    Një mësimdhënës në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë ka ushtruar dhunë ndaj një nxënësi, duke e goditur disa herë.

    Lidhur me rastin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar se mësimdhënësi dhe nxënësi janë shoqëruar në polici.

    “Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një rast sulmi fizik të ndodhur në një shkollë fillore në Prishtinë”, tha ai.

    “Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar në stacion policor palët e përfshira në rast”.

    Pllana shtoi se policia, në koordinim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit.

    “Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur një hetim për zbardhjen e rastit”, shtoi zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës.

    Telegrafi ka kontaktuar edhe drejtorin e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, i cili tha se janë në dijeni të rastit dhe se do të presin raportin e komisionit disiplinor të shkollës për të marrë hapat e mëtejshëm.

    “Aktualisht jemi në dijeni për rastin e dhunës, por fillimisht duhet që përmes komisionit disiplinor të mblidhen të gjitha dëshmitë nga mësimdhënësi, nëse lirohet nga Policia e Kosovës, më pas të fillohet me dëshmi nga nxënësi dhe personat e pranishëm në vendngjarje”, tha ai.

    “Në bazë të pamjeve, jemi në pritje të mbledhjes së informatave dhe më pas të thirret edhe prindi i nxënësit”.

    “Në këtë rast duhet të shqyrtohet edhe se si ka filluar e gjithë ngjarja, të suspendohet më pas mësimdhënësi dhe procedurat tjera nëse duhet t’i ndërrohet shkolla apo t’i hiqet licenca”, shtoi Shahini.

  • Albulena Haxhiu: Kërkesa për dënim prej 45 vitesh për ish-krerët e UÇK-së është fyerje ndaj viktimave

    Albulena Haxhiu: Kërkesa për dënim prej 45 vitesh për ish-krerët e UÇK-së është fyerje ndaj viktimave

    Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë për dënim me 45 vjet burg për ish-krerët e UÇK-së.

    Haxhiu e ka quajtur këtë kërkesë si fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës.

    “Kërkesa e Prokurorisë për dënim me burg prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës. Kjo nuk ka të bëj me përpjekje për drejtësi. Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare.
    Serbia ka kryer krime lufte të dokumentuara, vrasje, masakrime, përdhunime seksuale si armë lufte, dëbime masive të popullsisë etj. Këto krime janë të regjistruara dhe dëshmuara nga bota mbarë. E megjithatë Serbia nuk u përball kurrë me drejtësinë në mënyrë serioze. Kriminelët e saj u ricikluan në pushtet, u amnistuan e u privilegjuan.
    Në vend të gjykimit të agresorit, fatkeqësisht u votua një mekanizëm që sot mundohet të na e kriminalizojë rezistencën e popullit. UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës, e jo përgjigja ndaj terrorit shtetëror serb. Ky është shtrembërim i historisë. Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin” shkruan Haxhiu në reagim.

  • Real Madrid synon të bëjë goditje befasuese në vitin 2027-Pedri objektiv i “Los Blancos”

    Real Madrid synon të bëjë goditje befasuese në vitin 2027-Pedri objektiv i “Los Blancos”

    Klubi mbretëror spanjoll Real Madrid po synon të bëjë një befasi në tregun e transferimeve.

    “Los Blancos”sipas mediave spanjolle po synon të transferoj yllin e Barcelonës Pedri,dhe kjo mund të ndodhë në sezonin 2027-28.

    Përndryshe synohet një skenar i ngjashëm si kur ajo e Figos në sezonin 2000/01,ku ylli portugez ishte transferuar në mënyrë sensacionale tek Real Madrid nga Barcelona e cila shkaktoi reagime të ashpra nga tifozët katalunas të cilët edhe sot e konsiderojnë si tradhtar të klubit.

    Ndërkohë sipas opinionistëve ky transfer i Pedrit po konsiderohet e pamundur,kjo edhe për faktin që spanjolli ka një klauzolë lirimi prej 1 miliardë euro dhe se Pedri ka një lidhje të fortë me gjigantin katalunas.

    Kujtojmë që Pedri Gonzalez ka kontratë me Barcelonën deri në qershor të vitit 2030.

  • Franca nis stërvitjen e saj më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë

    Franca nis stërvitjen e saj më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë

    Franca filloi të dielën stërvitjen e saj më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë, duke vendosur 12,500 trupa në një stërvitje tremujore të projektuar për t’u përgatitur për luftë me intensitet të lartë në Evropë.

    Stërvitja Orion 26, e cila zgjat deri më 30 prill, do të përfshijë 25 anije, përfshirë aeroplanmbajtësen Charles de Gaulle, 140 avionë, 1,200 dronë dhe forca nga 24 vende, shkruajnë mediat e huaja.

    Ministria Franceze e Forcave të Armatosura e përshkroi Orion 26 si “një ngjarje të madhe në përgatitjen operacionale franceze për skenarë me intensitet të lartë” që synon përgatitjen e forcave për “situata komplekse në mjedise të shumëfishta, të larmishme dhe të kontestuara”.

    Stërvitja bazohet në një skenar fiktiv që përfshin dy vende të quajtura Arnland dhe Mercury, të frymëzuara drejtpërdrejt nga kërcënimi rus në Evropë.

    Në skenar, Mercury, një shtet ekspansionist, kundërshton fqinjin e tij Arnland, të cilin Mercury kërkon ta destabilizojë për të parandaluar afrimin e tij me Bashkimin Evropian.

    Franca udhëheq një koalicion ndërkombëtar për të mbrojtur Arnland kundër veprimeve hibride në rritje dhe mbështetjes nga milicitë e mbështetura nga Mercury.

    Stërvitja do të fillojë me një ulje të simuluar amfibe dhe ajrore në Brittany, me rreth 700 ushtarë dhe 100 automjete të vendosura pranë Quiberon në rajonin Morbihan më 20 dhe 21 shkurt.

    Nga prilli, stërvitja do të vihet nën komandën e NATO-s për të testuar aftësinë e ushtrive evropiane për të punuar së bashku.

    Stërvitja përfshin tre brigada, 2,150 automjete taktike dhe 40 helikopterë, së bashku me komponentë të luftës kibernetike dhe hapësinore.

    Forcat franceze dhe të NATO-s do të simulojnë vendosjet në terren të hapur, do të nisin kundërsulme dhe do të kalojnë pengesa natyrore duke përfshirë lumenjtë Seine dhe Aube me “zjarr të vërtetë”.

    Ministria Franceze e Forcave të Armatosura tha se stërvitja ishte veçanërisht e rëndësishme “në një kontekst ku përfshirja në një konflikt me intensitet të lartë mund të bëhet realitet”.

    Japonia, Zvicra, Maroku dhe SHBA-të janë midis vendeve aleate të Francës që marrin pjesë në stërvitje.

    Stërvitja vjen ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se Rusia mund të sulmojë aleancën brenda pesë viteve.

    “Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë”, tha Rutte, ndërsa operacionet e luftës hibride që i atribuohen Rusisë po shumohen në të gjithë Evropën, ndërsa pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës hyn në vitin e katërt.

  • Altin Krasniqi reagon ashpër: Rezistenca nuk mund të trajtohet si krim

    Altin Krasniqi reagon ashpër: Rezistenca nuk mund të trajtohet si krim

    Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka kritikuar ashpër narrativën e Prokurorisë, duke thënë se do të ishte më e lehtë dhe më e sinqertë të deklarohej hapur se shqiptarët është dashur të rrinin duarkryq dhe të pranonin vrasjet, përdhunimet, nënçmimin dhe trajtimin çnjerëzor, sesa të guxonin të luftonin për mbijetesë dhe dinjitet.

    “Sipas kësaj narrative të mbrapshtë dhe thellësisht të padrejtë, problemi nuk janë krimet sistematike të Serbisë, por guximi i një populli për të mos u dorëzuar para shfarosjes. Viktima relativizohet, ndërsa rezistenca kriminalizohet”, ka shkruar ai.

    Megjithatë, Krasniqi thekson se historia nuk është shkruar nga ata që u përkulën, por nga ata që refuzuan nënshtrimin.

    “Një pjesë e vogël e popullit shqiptar zgjodhi rezistencën si akt të fundit mbijetese, jo si zgjedhje politike, por si domosdoshmëri njerëzore. Sot, vetë ekzistenca jonë është dëshmia më e fuqishme se ajo luftë ishte e drejtë, e pashmangshme dhe legjitime”, ka shkruar tutje ai.

    Sipas Krasniqit, çdo përpjekje për ta kriminalizuar këtë rezistencë nuk përfaqëson drejtësi, por përbën një akt politik të rrezikshëm që synon rishkrimin e historisë, barazimin e agresorit me viktimën dhe ndëshkimin e së drejtës për liri.