ATV

Category: Lajme

  • Kosova bie për tri pozita në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit

    Kosova bie për tri pozita në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit

    Kosova ka shënuar rënie për një pikë në krahasim me vitin e kaluar në Indeksin e Perceptimit e Korrupsionit për vitin 2025.

    Kosova është vlerësuar me 43 pikë.

    Sipas vlerësimit të ri nga Transparency International (TI), Kosova renditet e 76-ta në botë nga gjithsej 182 vende dhe territore, apo tri pozita më poshtë se më 2024.

    Sipas TI, vlerësimi me pikë i një shteti tregon nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik nga zero (që do të thotë se një vend është jashtëzakonisht i korruptuar) deri në 100 (një vend i pastër nga korrupsioni), ndërkaq renditja e një shteti në indeks tregon pozicionin e tij relativ krahasuar me vendet e tjera.

    Kosova mori vlerësimin më të mirë më 2024 (44 pikë), duke zënë vendin e 73-të në botë. Kjo pasi shënoi një përparim të lehtë në luftimin e korrupsionit krahasuar me vitin 2023, kur ishte vlerësuar me 41 pikë.

    Kosova përfshihet në këtë Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që nga viti 2012. Që atëherë, vlerësimin më të keq vendi e kishte pasur më 2013, 2014 dhe 2015, kur për tri vjet rresht ishte vlerësuar me 33 pikë.

    Për vitin 2025, nga vendet e rajonit, Mali i Zi është vlerësuar më së miri me 46 pikë (njësoj si herën e kaluar), Maqedonia e Veriut me 40 (njësoj si herën e kaluar), Shqipëria me 39 (ka shënuar përkeqësim nga 42 pikë sa kishte në indeksin e kaluar), Bosnje e Hercegovina me 34 (ka shënuar rënie, pasi herën e kaluar kishte 33 pikë) dhe Serbia me 33 (ka shënuar rënie pasi herën e kaluar kishte 35 pikë).

    Në raportin botëror të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit është theksuar se gjendja në është shqetësuese dhe ka rënie në nivel të përgjithshëm të lidershipit që lufton korrupsionin. Përparimet në përgjithësi janë cilësuar të kufizuara.

  • 18 të vdekur nga i ftohti ekstrem në New York

    18 të vdekur nga i ftohti ekstrem në New York

    Numri i të vdekurve nga i ftohti ekstrem në New York ka shkuar në 18, kanë bërë të ditur autoritetet, përcjell Reporteri.net.

    Temperaturat nën zero, ndër më të ulëtat që nga viti 1961, kanë përfshirë qytetin për javë të tëra, duke paraqitur rrezik serioz për jetën.

    Viktimat e fundit përfshijnë një person të gjetur pa shenja jete në Bronx dhe një burrë 81-vjeçar në Brooklyn, i cili dyshohet se rrëshqiti në akull.

    Autoritetet shpallën gjendjen emergjente “code blue”, hapën dhjetëra qendra ngrohjeje dhe strehimore për personat e pastrehë, ndërsa Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se temperaturat kanë qenë deri në 15 gradë Fahrenheit nën mesatare, me ndjesi deri në -29°C.

    I ftohti ekstrem mund të shkaktojë hipotermi dhe ngrirje të gjymtyrëve brenda pak minutash, kanë paralajmëruar autoritetet meteorologjike.

    Kjo valë arktike ka qenë një sfidë e hershme për administratën e re të qytetit, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve të strehohen dhe të shmangin ekspozimin ndaj temperaturave të rrezikshme./The Guardian

  • Lirohet nga akuza arsimtari që akuzohej se hodhi flamurin dhe plisin në mbeturina

    Lirohet nga akuza arsimtari që akuzohej se hodhi flamurin dhe plisin në mbeturina

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Muhamed Hajredinajt për akuzën se në cilësinë e mësimdhënësit, hodhi në shportën e mbeturinave flamurin kombëtar dhe plisin.

    Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues Leon Përlaska dhe anëtarët Violeta Namani-Hajra dhe Avni Syla, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjykatësi Përlaska tha se gjykata u mbështet në provat e administruara në shqyrtim gjyqësor dhe vlerësoi se i pandehuri nuk ka pasur për qëllim nxitjen e urrejtjes e mosdurimit.

    Gjykatësi tha se veprimet e Hajredinajt nuk përmbushin elementet e veprës penale, andaj lirohet nga akuza.

    I akuzuari nuk mori pjesë në shpallje.

    Shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të gjykatës.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ngritur më 24 prill 2025, Hajredinaj akuzohej se më 27 nëntor 2024, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, në cilësinë e arsimtarit të gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare, ka hedhur flamurin kuq e zi dhe plisin në shportën e mbeturinave, përkundër kundërshtimeve të nxënësve. Ai akuzohej gjithashtu se ka larguar nga ora e mësimit një nxënëse që mbante simbolet për pjesëmarrje në programin festiv të Ditës së Flamurit.

    Me këto veprime, Hajredinaj akuzohej për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” sipas nenit 141, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal.

  • Aksident ajror në Libi, Rrëzohet helikopteri i ndihmës së shpejtë, pesë viktima

    Aksident ajror në Libi, Rrëzohet helikopteri i ndihmës së shpejtë, pesë viktima

    Një helikopter i ndihmës së shpejtë është rrëzuar të hënën në bazën Al-Sarra në Libi, gjatë kthimit nga një mision për evakuim mjekësor, duke shkaktuar humbjen e jetës së pesë personave.

    Sipas portalit të lajmeve al-Wasat, i cili citoi burime të informuara, aksidenti ka ndodhur rreth 300 kilometra larg qytetit juglindor Kufra.

    Mes viktimave janë dy pjesëtarë të shërbimit të transportit ushtarak, si dhe një infermiere nga spitali i Kufrës. Dy viktimat e tjera ishin shtetas të huaj, përkatësisht piloti i helikopterit dhe asistenti i tij.

    Deri më tani nuk janë dhënë detaje lidhur me shkaqet e rrëzimit, ndërsa autoritetet libiane nuk kanë reaguar ende zyrtarisht për këtë incident tragjik.

     

  • Policia shqipton 220 gjoba trafiku brenda një dite në Prishtinë, 35 shoferë mbesin pa patentë

    Policia shqipton 220 gjoba trafiku brenda një dite në Prishtinë, 35 shoferë mbesin pa patentë

    Njësiti i Trafikut i Kryeqytetit ka shqiptuar gjithsej 220 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion vetëm brenda një dite. Kjo është bërë e ditur të martën përmes një njoftimi për media nga Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit.

    Sipas njoftimit zyrtar, 50 nga këto kundërvajtje janë evidentuar përmes veturave policore të pajisura me teknologji inteligjente. Shkeljet kanë të bëjnë kryesisht me automjete me regjistrim të skaduar dhe tejkalim të shpejtësisë së lejuar.

    Në kuadër të këtyre veprimeve, Policia ka bërë të ditur se 35 shoferëve u është sekuestruar patentë-shoferi. Ndërkaq, gjobat e shqiptuara do t’u dërgohen kundërvajtësve përmes postës.

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar, me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore.

    Ndryshe, ditë më parë, komandanti i Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor për rajonin e Prishtinës, Sylejman Halili, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 numri i gjobave të shqiptuara është rritur për 13 për qind krahasuar me vitin paraprak.

  • Veç dje, Policia në Prishtinë ua mori lejën 35 shoferëve

    Veç dje, Policia në Prishtinë ua mori lejën 35 shoferëve

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit gjatë ditës së djeshme ka shqiptuar 220 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, prej të cilave 50 janë evidentuar përmes veturave me pajisje inteligjente.

    Gjatë këtyre veprimeve, 35 shoferëve u është sekuestruar patentë-shoferi, ndërsa gjobat do t’u dërgohen kundërvajtësve përmes postës.

    Njoftimi:

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit, në kuadër të aktiviteteve të rregullta operative, gjatë ditës së djeshme ka shqiptuar gjithsej 220 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.

    Nga ky numër, 50 gjoba janë identifikuar përmes veturave me pajisje inteligjente, të cilat kanë evidentuar kundërvajtje si drejtimi i automjetit me regjistrim të skaduar dhe tejkalimi i shpejtësisë së lejuar. Në kuadër të këtyre veprimeve, 35 shoferëve u është sekuestruar patentë-shoferi, ndërsa gjobat e shqiptuara kundërvajtësit do t’i pranojnë përmes postës.

    Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.

  • Dita e dytë e deklaratave përmbyllëse, prokuroria shpalos kërkesat penale

    Dita e dytë e deklaratave përmbyllëse, prokuroria shpalos kërkesat penale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, sot vazhdon dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se ditën e martë prokurorëve do t’u nevojiten më pak se dy orë për të shpalosur përgjegjësitë penale të të akuzuarve, ndërsa në fund prokurorja e specializuar, Kimberly West, do të mbajë fjalën përmbledhëse.

    Dje, West bëri të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, apo gjithsej 180 vjet burgim.

    Gjatë deklaratës përfundimtare të Prokurorisë, prokurori Nathan Quick tha se Adem Demaçi kishte një rol të kufizuar në krijimin e institucioneve, por, sipas tij, ai ishte vartës i Hashim Thaçit.

    Quick shtoi se, krahas rolit politik, Kadri Veseli kishte edhe funksionin e shefit të shërbimit informativ.

    Në ditën e parë, prokurorët e specializuar folën për rolin që kishin të katër të akuzuarit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur këtë organizatë si një strukturë me hierarki të qartë.

    Ndryshe çështja përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Sipas aktakuzës, pretendohet se krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

    Më 15 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II.

    Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

    Më 15 prill 2025, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet. Në vendimin e tij gojor më 16 korrik 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e përbashkët të Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në bazë të rregullës 130 të Rregullores. Më 16 dhe 17 korrik 2025, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat në gjykatë.

    Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes u mbajt më 19 gusht 2025, dhe paraqitja e provave dhe argumenteve nga Mbrojtja filloi më 15 shtator 2025, ku vetëm ekipet e Mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit paraqitën prova.

    Më 2 dhjetor 2025, të dy ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre, ndërsa më 18 dhjetor 2025 u mbyll procedura e paraqitjes së provave.

    Në këtë çështje gjyqësore janë 155 viktima pjesëmarrëse.

  • Certifikimi i rezultateve, këta janë 120 deputetët e legjislaturës së re

    Certifikimi i rezultateve, këta janë 120 deputetët e legjislaturës së re

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar dje rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Sipas këtyre rezultateve, VV do të ketë 57 ulëse, PDK 22, LDK, 15 dhe AAK 6. Rezultatet e certifikuara tashmë janë publikuar në webfaqen e KQZ-së.

    Më poshtë gjeni emrat e të 120 deputetëve që kanë siguruar ulëse:

    Hapi i radhës tash është thirrja e seancës konstituive.

    Seanca duhet të mbahet brenda 30 ditësh dhe duhet të thirret nga Presidentja Vjosa Osmani, por në rast se ajo nuk e thërret seancën, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e 30’të.

    Përgatitja për seancën konstituive është përgjegjësi e kryetarit të legjislaturës paraprake, në këtë rast Dimal Bashës.

    Ai duhet të zhvillojë një takim të përbashkët me krerët e subjekteve politike parlamentare, jo më vonë se pesë ditë para seancës, për të përgatitur rendin e ditës dhe për të caktuar vendet e deputetëve në Kuvendin e ri.

    Rregullorja përcakton se seanca konstituive ka katër pika të rendit të ditës: formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe atë të nënkryetarëve.

  • Ish-pjesëtari i UÇK’së Avni Qenaj lirohet nga burgu i Beogradit, po mbahej atje nga fundi i nëntorit

    Ish-pjesëtari i UÇK’së Avni Qenaj lirohet nga burgu i Beogradit, po mbahej atje nga fundi i nëntorit

    Avokati Xhevdet Smakiqi ka konfirmuar lirimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së Avni Qenaj, i cili po mbahej në paraburgim në Serbi që nga fundit i nëntorit të vitit të kaluar.

    Smakiqi ka njoftuar se Qenaj tashmë ndodhet në territorin e Kosovës, duke u takuar me familjen e tij.

    Sipas tij, se Qenaj ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

    ‘ Avniu eshtë mirë me shendet edhe pse i eshte nenshtruar presionit psikolgjikë gjate qendrimit te tij ne burgun famkeq te Beogradit. Vlenë te theksohet se barren e krejt procesit gjyqesor ndaj tij kujdesit deri ne lirimin e tij e ka bartur me forcat e veta financiare Familja Qenaj pa asnjë mbështetje nga Qeveria aktuale qe mjafohet me postime ne facebook”, ka shkruar Smakiqi.

    Qenaj ishte arrestuar më 26 nëntor 2025 në pikëkalimin kufitar Merdarë, gjatë transitit drejt Bosnjë dhe Hercegovinës, ku familja e tij ka një biznes familjar. Pas arrestimit, ai ishte mbajtur për 48 orë në Prokuplje dhe më pas ishte transferuar në Beograd. Më 28 nëntor, ai kishte dalë para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës të Beogradit, ku ishte njoftuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit ka iniciuar procedurë penale kundër tij dhe i ishte shqiptuar masa e paraburgimit.

  • Protestohet sot nga kolegët e mësimdhënësit që dje rrahu një nxënës

    Protestohet sot nga kolegët e mësimdhënësit që dje rrahu një nxënës

    Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve ka njoftuar se sot nuk do të zhvillohet mësim gjatë dy orëve të para, pasi do të mbahet një protestë.

    Përmes një reagimi në Facebook, Shoqata Sindikale ka njoftuar se protesta është organizuar për të reaguar kundër veprimeve delikuente të nxënësve në procesin edukativo-arsimor, duke përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve.

    Bëhet e ditur se pas përfundimit të protestës, procesi mësimor do të vazhdojë normalisht nga ora e tretë, sipas orarit të rregullt.

    Në mbështetje të kësaj proteste ka dalë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), si mjet për të kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe për të siguruar një ambient të sigurt dhe respektues për mësimdhënësit.

    Ndryshe, është ndaluar për 48 orë mësimdhënësi i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë brutale ndaj një nxënësi të hënën në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë.