ATV

Category: Lajme

  • Mësimdhënësi ushtron dhunë fizike ndaj një nxënësi në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë

    Mësimdhënësi ushtron dhunë fizike ndaj një nxënësi në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë

    Një rast i dhunës fizike është regjistruar brenda ambienteve të shkollës ‘Pavarësia’ në Prishtinë.

    Në videon që e ka publikuar Kallxo, shihet një mësimdhënës i kësaj shkolle derisa e godet një nxënës.

    Drejtori Halilaj i cili nuk ndodhej në shkollë, e ka konfirmuar rastin përmes telefonit më 09.02.2026.

  • KEK thotë se për dy muaj ka prodhuar 110 mijë MWh më shumë se para një viti

    KEK thotë se për dy muaj ka prodhuar 110 mijë MWh më shumë se para një viti

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se gjatë muajit dhjetor 2025, prodhimi i energjisë elektrike ka arritur në 127 për qind të nivelit të regjistruar në të njëjtin muaj të vitit paraprak, që përfaqëson një rritje prej 27 për qind, respektivisht 46,539 MWh më shumë energji elektrike.

    Ndërkohë, gjatë muajit janar 2026, prodhimi ka shënuar 132.9 për qind të nivelit të janarit të vitit paraprak, që përkthehet në një rritje prej 32.9 për qind, apo 63,003 MWh më shumë energji elektrike të prodhuar.

    Sipas KEK-ut, në total gjatë këtyre dy muajve, Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A. ka realizuar një rritje të konsiderueshme të prodhimit prej rreth 110 mijë MWh më shumë energji elektrike krahasuar me periudhën përkatëse të viteve paraprake, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesës për energji elektrike në vend.

    KEK thekson se këto rezultate janë dëshmi e punës profesionale, përkushtimit dhe angazhimit të punonjësve, stafit teknik dhe operativ të korporatës, të cilët kanë luajtur rol kyç në arritjen e këtyre performancave pozitive në prodhim.

  • BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015

    BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015

    Bashkimi Evropian tha se arrestimi i fundit nga Serbia i një veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është “një shkelje tjetër” e obligimeve të Serbisë të Marrëveshjes për dialogun dhe drejtësinë të vitit 2015.

    “Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është zotuar që të mos iniciojë hetime penale apo ndjeje penale për krimet që pretendohet se janë kryer në Kosovë, përveç nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet e Kosovës. Juridiksioni mbi pretendimet për krime të luftës dhe vepra të tjera serioze bie mbi institucionet e Kosovës. I bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë zotimet e saj”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

    Më 5 shkurt, autoritetet e Serbisë arrestuan Mitehat Llozhanin me të hyrë në terrorin serb nga kufiri me Kroacinë. Ai, sipas autoriteteve, në Beograd dyshohet për krime kundër popullatës civile.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë rast.

    Sipas Serbisë, i arrestuari dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”. Në njoftim thuhet po ashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve”.

    Por, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë thënë se i arrestuari ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

    Nënkryetari i kësaj organizate të veteranëve, Gazmend Syla, ka thënë se Llozhanit iu gjet kartela e veteranit në xhep gjatë kontrollit nga autoritetet serbe.

    Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

    Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.

  • Kryebashkiaku i Rrogozhinës në Shqipëri dënohet me 1 vit burg

    Kryebashkiaku i Rrogozhinës në Shqipëri dënohet me 1 vit burg

    Gjykata e Apelit të GJKKO ka lënë fuqi dënimin e Shkallës së Parë me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla.

    Vendimi është i formës së prerë për kryebashkiakun e Rrogozhinës, i cili akuzohet korrupsion aktiv në zgjedhje. Memolla nuk u paraqit në seancë dhe përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës.

    Apeli ka lënë në fuqi edhe vendimet ndaj tre personave të tjerë: Ndriçim Tafxhafa 1 vit burg; Blerim Xhamani, 1 vit burg dhe Isuf Tosku, 8 muaj, pezullohet në shërbim prove.

    Ata akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje, pas publikimit të një regjistrimi audio që ngriti dyshime për ndikim të paligjshëm.

    Në regjistrimin e bërë publik, Memolla, asokohe kandidat për kryebashkiak, kërkonte nga elektricisti i FSHU-së në Durrës, Ndriçim Tafxhata, që të mos ndërpriste energjinë elektrike të një abonenti debitor, në këmbim të votës së tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.

    Dënimi me vendim të formës së prerë i Edison Memollës e çon bashkinë e Rrogozhinës në zgjedhje të reja të cilat do të duhet të mbahen jo më afër se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë nga krijimi i vakancës.

    Memolla ka të drejtë për rekurs në Gjykatën e lartë lidhur me këtë vendim brenda afateve që parashikon ligji./euronews/

  • Drejtoria e Inspektoratit vazhdon aksionin për lirimin e hapësirave publike në Fushë Kosovë

    Drejtoria e Inspektoratit vazhdon aksionin për lirimin e hapësirave publike në Fushë Kosovë

    Drejtoria për Inspektorat në komunën e Fushë Kosovës njofton se aksioni për lirimin e hapësirave publike po vazhdon në terren, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe shfrytëzimit të barabartë të tyre nga të gjithë qytetarët.

    Inspektorët komunalë po ndërhyjnë për largimin e pengesave, uzurpimeve dhe vendosjeve pa leje që pengojnë qarkullimin dhe përdorimin normal të hapësirave të përbashkëta.

    Sipas Drejtorisë, hapësirat publike janë pronë e përbashkët dhe duhet të jenë të lira, funksionale dhe të qasshme për të gjithë, pa përjashtim.

    Drejtoria e Inspektoratit thekson se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe duke ruajtur interesin e komunitetit.

    Njëkohësisht, qytetarët dhe bizneset ftohen të respektojnë rregullat dhe të mos vendosin pengesa apo struktura pa autorizim në hapësirat publike, në mënyrë që të ruhet qarkullimi dhe funksionaliteti i tyre për të gjithë.

  • Nis plani “Roadpol 2026”: Kontroll i shtuar për kamionë dhe autobusë në gjithë Kosovën

    Nis plani “Roadpol 2026”: Kontroll i shtuar për kamionë dhe autobusë në gjithë Kosovën

    Policia e Kosovës ka njoftuar se nga sot do të nisë aktivitetet sipas planit “Roadpol 2026”, ku do të kontrollohen mjetet e transportit të mallrave dhe të udhëtarëve, pra kamionët dhe autobusët.

    Bazuar në njoftimin zyrtar, këto aktivitete do të zbatohen deri më 15 shkurt, në të gjitha rrugët e vendit me qëllim të rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

    “Shoferët e kamionëve dhe autobusëve konsiderohen shoferë profesionistë, andaj presim nga të njëjtit që të jenë model në respektimin e rregullave dhe sjelljes në trafik”.

  • Prokuroria thotë se krimet e UÇK-së nuk ishin veprime individuale, por të planifikuara

    Prokuroria thotë se krimet e UÇK-së nuk ishin veprime individuale, por të planifikuara

    Në vazhdim të gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë ka prezantuar një hartë që pasqyron 437 incidente të lidhura me krime lufte dhe kundër njerëzimit, të cilat dyshohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas konfliktit të Kosovës në vitet 1998–1999.

    Prokurori James Pace tregoi edhe për vendin e ndalimit në Jabllanicë për të cilin tha se gjendje afër Shtabit të UÇK-së, afër shtëpisë së Lahi Brahimajt.

    Ai shtoi se prova shkresore tregojnë dhe konfirmojnë dëshmitë e dëshmitarëve për krimet për të cilët janë ngritur akuzat.

    Ndërkaq, prokurorja e Dhomave të Specializuara, Clare Lawson, theksoi se këto krime nuk janë kryer thjesht nga individë të izoluar, por nga vartësit e të akuzuarve, të cilët kanë kontribuar në mënyrë aktive dhe kanë vepruar me një synim të qartë për të realizuar veprime të paligjshme.

    Ai shtoi se përgjegjësia nuk përqendrohet vetëm te udhëheqësit, por edhe te struktura e komandës që ata kanë drejtuar.

    Lawson tha se incidentet përfshijnë përndjekje, vrasje, tortura dhe keqtrajtime në kampet e kontrolluara nga UÇK-ja, duke përfshirë dhjetëra viktima që ishin të lidhura me komunitete të ndryshme etnike, përfshirë serbët, romët dhe ish-anëtarët e partive politike lokale.

    “Shumë nga veprimet janë kryer nën udhëheqjen dhe autorizimin e të akuzuarve, duke pasur një plan të qartë dhe një strategji të strukturuar për të arritur qëllimet e tyre”, u shpreh prokurorja.

    Pas një seance intensive gjatë mëngjesit, Dhomat e Specializuara aktualisht ndodhen në pushim të drekës, ndërsa pritet që pasditja të vazhdojë me dëshmi të reja dhe argumente përmbyllëse nga prokuroria.

    Ky gjyq ka hyrë në fazën përmbyllëse, ku po shqyrtohen provat dhe dëshmitë kryesore, ndërsa pas prokurorisë, fjalën do ta kenë ekipet mbrojtëse dhe më pas të akuzuarit.

    Seanca është pjesë e një procesi që ka filluar më 3 prill 2023 dhe ka tërhequr vëmendje të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare për rëndësinë e trajtimit të krimeve të dyshuara të luftës në Kosovë.

  • Komuna e Hanit të Elezit shpall thirrje publike për ndarjen e bursave për studentë

    Komuna e Hanit të Elezit shpall thirrje publike për ndarjen e bursave për studentë

    Komuna e Hanit të Elezit, përmes Drejtorisë Komunale për Arsim, ka shpallur Thirrje Publike për ndarjen e bursave për studentë për vitin akademik 2025/2026.

    Të drejtë aplikimi kanë studentët që janë banorë të Komunës së Hanit të Elezit dhe ndjekin studimet në universitetet publike të Kosovës apo në Universitetin Publik të Maqedonisë së Veriut. Aplikimi është i hapur për studentë të rregullt, të regjistruar për herë të parë në vitin akademik, të cilët nuk e kanë përsëritur vitin dhe nuk janë përfitues të bursave nga fakulteti apo nga institucione të tjera.

    Prioritet në përfitimin e bursave do t’u jepet studentëve të regjistruar në fakultetet deficitare, si: Fakulteti i Mjekësisë, Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Edukimit, Inxhinierisë Mekanike, Bujqësisë dhe Veterinarisë, Xehetarisë dhe Metalurgjisë, Shkencave Matematiko-Natyrore, Arteve si dhe Fakultetit Filologjik (Gjuhë Angleze dhe Gjermane).

    Aplikantët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar, i cili përfshin certifikata akademike, dëshmi regjistrimi, dokumente personale, dëshmi të suksesit, si dhe dokumente shtesë për studentët që i përkasin kategorive sociale apo atyre me status të veçantë.

    Aplikimet dorëzohen në Qendrën për Shërbim me Qytetarë të Komunës së Hanit të Elezit, çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 16:00. Afati për aplikim është 15 ditë, duke filluar nga 10 shkurt 2026 deri më 24 shkurt 2026.

    Komuna njofton se, në rast se nuk plotësohet numri i studentëve sipas kritereve të përcaktuara, bursat do t’u ndahen edhe studentëve të vitit të dytë apo më lartë. Po ashtu, aplikacionet e paplota ose me të dhëna të pasakta nuk do të shqyrtohen nga komisioni vlerësues.

    Për më shumë informata, studentët e interesuar mund të drejtohen pranë Drejtorisë Komunale për Arsim në Han të Elezit.

  • Osmani uron kryeministren e Japonisë për fitoren në zgjedhje

    Osmani uron kryeministren e Japonisë për fitoren në zgjedhje

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar kryeministren e Japonisë, Sanae Takaichi, për fitoren në zgjedhje.

    Përmes një mesazhi, Osmani theksoi se Kosova e vlerëson thellësisht miqësinë e qëndrueshme me Japoninë, duke e cilësuar atë si një aleate të palëkundur të popullit të Kosovës.

    Ajo shprehu gjithashtu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Japoninë, me synim thellimin e partneritetit dhe avancimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

    “Urime kryeministres së Japonisë, Sanae Takaichi, për fitoren vendimtare në zgjedhje. Kosova e vlerëson thellësisht miqësinë e saj të qëndrueshme me Japoninë, një aleate e palëkundur e popullit të Kosovës. Presim me kënaqësi të vazhdojmë punën së bashku për të thelluar partneritetin tonë dhe për të avancuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, ka shkruar ajo në X.

  • Komuna e Pejës hap dy pika të reja të Urgjencës në Bogë dhe në Vitomiricë

    Komuna e Pejës hap dy pika të reja të Urgjencës në Bogë dhe në Vitomiricë

    Komuna e Pejës ka funksionalizuar dy pika të reja të Urgjencës, respektivisht në Bogë të Rugovës dhe në Vitomiricë, duke zgjeruar rrjetin e shërbimeve shëndetësore emergjente dhe duke e afruar ndihmën mjekësore më pranë qytetarëve.

    Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Komuna e Pejës.

    Sipas informacionit njësia e Urgjencës në Bogë u shërben banorëve të zonës së Rugovës dhe fshatrave përreth, duke mundësuar ndërhyrje të shpejtë mjekësore në një rajon me qasje më të vështirë, veçanërisht gjatë sezonit dimëror dhe fluksit turistik.

    Orari i shërbimeve shëndetësore në këtë njësi do të jetë 7 ditë të javës, nga ora 08:00 deri në orën 18:00.

    Ndërkaq, pika e Urgjencës në Vitomiricë do të mbulojë një numër të madh vendbanimesh, përfshirë: Vitomiricën, Ozdrimin, Dubovën, Novosellën, Jabllanicën, Radavcin, Katundin e Ri, Treboviqin, Nabërgjanin, Ruhotin, Lutogllavën dhe Trestenikun, duke siguruar shërbime emergjente më të shpejta dhe më të qasshme për qytetarët.

    Orari i shërbimeve shëndetësore në këtë njësi do të jetë 7 ditë të javës, nga ora 07:00 deri në orën 19:00.