ATV

Category: Lajme

  • Protestohet sot nga kolegët e mësimdhënësit që dje rrahu një nxënës

    Protestohet sot nga kolegët e mësimdhënësit që dje rrahu një nxënës

    Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve ka njoftuar se sot nuk do të zhvillohet mësim gjatë dy orëve të para, pasi do të mbahet një protestë.

    Përmes një reagimi në Facebook, Shoqata Sindikale ka njoftuar se protesta është organizuar për të reaguar kundër veprimeve delikuente të nxënësve në procesin edukativo-arsimor, duke përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve.

    Bëhet e ditur se pas përfundimit të protestës, procesi mësimor do të vazhdojë normalisht nga ora e tretë, sipas orarit të rregullt.

    Në mbështetje të kësaj proteste ka dalë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), si mjet për të kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe për të siguruar një ambient të sigurt dhe respektues për mësimdhënësit.

    Ndryshe, është ndaluar për 48 orë mësimdhënësi i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë brutale ndaj një nxënësi të hënën në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë.

  • Parashikimi i motit për sot, fjolla bore mund të ketë edhe në ndonjë zonë të Rrafshit të Kosovës

    Parashikimi i motit për sot, fjolla bore mund të ketë edhe në ndonjë zonë të Rrafshit të Kosovës

    Të martën parashikohet që në orët e para të 24-orëshit dhe gjatë mëngjesit të ketë reshje të izoluara shiu në disa lokalitete, ndërsa në zonën verilindore priten fjolla bore.

    Fjolla bore mund të ketë edhe në ndonjë zonë tjetër të Rrafshit të Kosovës.

    Dita do të vijojë me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell, ndërsa më vonë pasdite, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes, pritet intensifikim i reshjeve të shiut në rang vendi.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 15-33 km/h.

    Temperaturat minimale do të luhaten prej 0 deri në 4°C dhe ato maksimale prej 8 deri në 11°C.

  • Veterani Muhamet Kukaj i shpëton sulmit në zemër, i vendosen 7 stenta

    Veterani Muhamet Kukaj i shpëton sulmit në zemër, i vendosen 7 stenta

    Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamet Kukaj, ka kaluar me sukses një ndërhyrje të rëndë mjekësore pasi pësoi një sulm në zemër.

    Ai, sipas një video të publikuar nga një mik i tij, është sulmuar për tri ditë nga ataki në zemër dhe tek atëherë ka shkruar në spital për trajtim.

    Siç thotë Kukaj në video, atij i janë vendosur gjithsej 7 stenta, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.

    Aktualisht ai po vazhdon trajtimin dhe rikuperimin nën kujdesin e stafit mjekësor.

    Familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë kanë shprehur mbështetje dhe urime për shërim të shpejtë, duke vlerësuar kontributin e tij gjatë luftës dhe duke i dëshiruar shëndet të plotë.

  • Shemben dy ndërtesa në Liban, 15 të vdekur

    Shemben dy ndërtesa në Liban, 15 të vdekur

    Raportohet se numri i të vdekurve nga shembja e dy ndërtesave banesore në qytetin verior libanez të Tripolit është rritur në 15.

    “Tetë persona u shpëtuan të gjallë”, tha drejtori i përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, Imad Khreiss.

    Khreiss tha se dy ndërtesat ngjitur ishin shtëpia e 22 banorëve, por autoritetet lokale komunale paralajmëruan se njerëz mund të jenë ende të zhdukur, shkruan BBC.

    Pamjet e mediave sociale kapën momentin kur ndërtesat u shembën, me njërën anë që u lëkund në katet e poshtme përpara se të dy strukturat të shembeshin pothuajse njëkohësisht.

    Fatkeqësia e fundit është shembja e pestë e një ndërtese banimi në Tripoli këtë dimër, duke nxjerrë në pah shqetësimet në rritje për ndërtesat e vjetra dhe të pamirëmbajtura në qytetin më të varfër të Libanit.

  • KQZ-ja certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025

    KQZ-ja certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor, pasi kanë përfunduar të gjitha afatet ligjore për paraqitjen e ankesave nga subjektet politike dhe kandidatët.

    Procesi i certifikimit vjen pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja në dhjetor dhe mbylljes së procedurave të shqyrtimit të ankesave eventuale.

    Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë, duke marrë 51.10 për qind të votave, ose 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

     Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 20.19 për qind të votave, përkatësisht 22 mandate.

    Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.24 për qind të votave, duke marrë 15 ulëse në Kuvend, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.50 për qind, që i sigurojnë gjashtë mandate parlamentare.

    Me certifikimin e rezultateve, hapet rruga për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit.

  • PDK: Prokuroria në Hagë tenton të deformojë historinë dhe të kriminalizojë UÇK-në

    PDK: Prokuroria në Hagë tenton të deformojë historinë dhe të kriminalizojë UÇK-në

    Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke vlerësuar se kjo gjykatë ka devijuar nga misioni i saj themelor për të sjellë drejtësi.

    Në një komunikatë për media, PDK thekson se që në ditën e parë të fazës përmbyllëse të gjykimit u bë e qartë se procesi nuk po zhvillohet si një gjykim i zakonshëm gjyqësor, por si një përpjekje për deformim të së vërtetës historike.

    “Në ditën e parë të fazës përmbyllëse të gjykimit, u bë e qartë se nuk kemi më të bëjmë me një proces të zakonshëm gjyqësor, por me një përpjekje të hapur për të deformuar të vërtetën historike dhe për të ndërtuar një narrativë të rreme, ku lufta çlirimtare e popullit të Kosovës tentohet të paraqitet si projekt kriminal”, thuhet në reagimin e PDK-së.

    Partia Demokratike e Kosovës rikujton se krimet e kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit dhe aparati shtetëror i Serbisë janë të dokumentuara gjerësisht nga mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë dhe nga faktet historike.

    “Është fakt i ditur që Serbia ishte agresore dhe populli i Kosovës ishte viktimë”, thekson komunikata.

    Sipas PDK-së, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor dhe një përgjigje e domosdoshme ndaj dhunës dhe shtypjes sistematike të regjimit serb.

    “Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor, i lindur nga nevoja për rezistencë përballë një regjimi shtypës dhe gjenocidal”, vlerëson PDK.

    Duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, PDK thekson se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po trajtohen si simbole të rezistencës dhe shtetformimit, e jo si individë të shkëputur nga konteksti historik.

    “Kjo qasje e Prokurorisë synon barazimin e viktimës me agresorin dhe kriminalizimin e luftës për liri. Ajo u konkretizua edhe sot përmes kërkesës për dënime absurde që reflektojnë vetëm ndëshkim politik dhe selektiv”, thuhet më tej.

    PDK e quan të papranueshme edhe përpjekjen për ta ndërlidhur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me pretendime kriminale, duke theksuar se pavarësia është akt politik i njohur ndërkombëtarisht dhe i mbështetur nga aleatët strategjikë të Kosovës.

    Në fund, Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmon bindjen e saj në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe në legjitimitetin e luftës çlirimtare.

    “Çdo përpjekje për kriminalizimin e kësaj lufte është përpjekje për rishkrim të historisë dhe për cenim të themeleve të shtetit të Kosovës. Liria nuk është krim. Dhe historia nuk mund të rishkruhet”, përfundon komunikata.

  • Tërnava kundër dënimeve të Prokurorisë: UÇK nuk mund të barazohet me Millosheviqin

    Tërnava kundër dënimeve të Prokurorisë: UÇK nuk mund të barazohet me Millosheviqin

    Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë për dënimin me nga 45 vjet burg për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në një reagim në rrjete sociale, Tërnava ka vlerësuar se kjo kërkesë është e pabazuar dhe e padrejtë, duke e cilësuar atë si një fyerje të rëndë ndaj luftëtarëve të lirisë dhe sakrificës së tyre.

    “Kërkesa për dënim me burg prej 45 vjetësh për secilin nga udhëheqësit e UÇK-së, njëkohësisht edhe udhëheqës të shtetit të Kosovës në këtë proces, përbën një fyerje të rëndë ndaj luftëtarëve të lirisë”, ka shkruar ai.

    Sipas Tërnavës, një qasje e tillë është fyese për viktimat e pafajshme dhe përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj heronjve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, si dhe përpjekje për njollosjen e luftëtarëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës çlirimtare.

    “Kjo kërkesë është thjesht politike, me synimin e rrezikshëm për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviqit, një barazim i papranueshëm historikisht, moralisht dhe juridikisht. Ne presim dhe besojmë se në fund do të triumfojë e drejta dhe se vendimi i panelit gjykues do të jetë i drejtë, i paanshëm dhe meritor, duke sjellë liri për çlirimtarët dhe duke ruajtur dinjitetin e luftës për liri”, shkroi Tërnava.

  • Prokuroria citon deklaratën e Limajt mbi strukturat qendrore të UÇK-së

    Prokuroria citon deklaratën e Limajt mbi strukturat qendrore të UÇK-së

    Zyra e Prokurorit të Specializuar pas një pauze ka vazhduar fjalën përmbyllëse, në gjyqin e madh ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, me pretendimet e tyre për funksionimin dhe strukturat e Shtabit të Përgjithshëm.

    Sipas prokurorit, të akuzuarit kanë pasur kompetencë mbi strukturat që ekzistonin dhe i kanë përdorur për të ekzekutuar planin e tyre që e quajnë “kriminal”.

    Në pjesën e parë, ai ka përmendur vendet strategjike të UÇK-së, që sipas tij janë caktuar për të pasur kontroll.

    “Vendet e caktuara për Shtabin e Përgjithshëm, ishin të rëndësishme për kontekstin dhe janë përzgjedhur në mënyrë strategjike, për të siguruar që të operonin dhe të ushtronin kontroll në mënyrë efektive. Shtabi ka përdorur disa vende, në Drenicë, Pashtrik dhe Nerodime. Në fillim të periudhës së aktakuzës, shtabi e kishte bazën dhe funksiononte në Likofc. Këto vende dhe seli, ishin në qendër të Kosovës, në afërsi të zonave operative, duke lehtësuar kontrollin e Shtabit, ashtu siç është shpjeguar nga Fatmir Limaj.”

    E për këtë çështje, është shfaqur edhe një deklaratë e Fatmir Limajt.

    “Pa marrë parasysh terrenin, e kishte vendin më të sigurt vendosjen në këtë pjesë të Kosovës, nga ku do të ndërlidhte veprimet ushtarake dhe komunikimin me të gjitha njësitë ushtarake anekënd Kosovës. Kjo ishte qendra e Kosovës, në të cilën mund të komunikohej me të gjitha anët e Kosovës. Prandaj, edhe vendosëm që shtabi ta kalojë pjesën më të madhe në këtë pjesë”, thotë Limaj.

  • KQZ mblidhet sot në ora 18:00 për certifikimin e rezultateve zgjedhore

    KQZ mblidhet sot në ora 18:00 për certifikimin e rezultateve zgjedhore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot mbledhjen e radhës, duke filluar nga ora 18:00, në të cilën në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Mbledhja e KQZ-së vjen pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka refuzuar gjashtë ankesa kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke i hapur rrugë certifikimit të rezultateve.

    Pas certifikimit, brenda 30 ditësh pritet të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    LEXO EDHE:

    Vendos Supremja, refuzon të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së

     

  • Vendos Supremja, refuzon të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së

    Vendos Supremja, refuzon të gjitha ankesat kundër vendimeve të PZAP-së

    Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar gjashtë ankesa administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke vërtetuar në tërësi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe duke konfirmuar legjitimitetin e procesit zgjedhor.

    Sipas vendimit të Supremes, ankesat janë shpallur të pabazuara, ndërsa është konstatuar se procesi i numërimit dhe certifikimit të rezultateve është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Ndër ankesat e refuzuara janë ato të Partisë Rome e Bashkuar të Kosovës (PREBK), Koalicionit PAI–PDAK–LPB, Nova Demokratska Stranka (NDS), si dhe ankesa e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.