ATV

Author: K.B.

  • Përdoruesit e WhatsApp paralajmërohen për mashtrimin e frikshëm “ghost pairing” që u jep hakerëve të dhënat tuaja

    Përdoruesit e WhatsApp paralajmërohen për mashtrimin e frikshëm “ghost pairing” që u jep hakerëve të dhënat tuaja

    Përdoruesit e WhatsApp në Britani janë paralajmëruar për një mashtrim të ri që mund t’u japë hakerëve qasje në të dhënat më të ndjeshme pa e kuptuar – por ekziston një mënyrë e thjeshtë për ta shmangur.

    Mashtrimi i quajtur “ghost pairing scam” po prek aktualisht përdoruesit e WhatsApp, dhe njerëzit po këshillohen të jenë vigjilentë ndaj çdo mesazhi që marrin në aplikacion. Një grua e quajtur Caroline, në një video të postuar në TikTok, paralajmëroi se të biesh pre e këtij mashtrimi “të frikshëm” mund të lejojë hakerët të kenë qasje në të dhënat tuaja nga distanca.

    Ajo shpjegoi si funksionon mashtrimi:

    “Do të merrni një mesazh që duket sikur vjen vetë nga WhatsApp. Do të duket krejtësisht legjitim. Mund të thotë që llogaria juaj është në rrezik ose që duhet ta siguroni llogarinë për ta mbajtur të sigurt. Ose mund të duket sikur po merrni një mesazh nga dikush që tashmë e keni në kontaktet tuaja, dhe mund të thuhet diçka si: ‘Oops, të kam dërguar një kod gabimisht, mund ta kthesh tek unë?’”

    Në realitet, WhatsApp ka një funksion që lejon të lidhësh llogarinë me një pajisje tjetër, si një laptop. Nëse merrni një kod dhe e dërgoni sipas udhëzimeve, në fakt po lidhni llogarinë tuaj WhatsApp me pajisjen e mashtruesit.

    Nëse një i panjohur ka qasje në llogarinë tuaj, ai mund të lexojë mesazhet, të shohë fotot që keni dërguar dhe madje të dërgojë mesazhe në emrin tuaj, duke mashtruar kontaktet tuaja dhe duke vazhduar mashtrimin.

    Për më tepër, mashtrimi nuk do t’ju çojë jashtë llogarisë tuaj WhatsApp dhe aplikacioni do të vazhdojë të funksionojë normalisht në pajisjen tuaj – prandaj mund të mos e kuptoni menjëherë se llogaria juaj është komprometuar.

    Fatmirësisht, ka hapa të thjeshtë për t’u mbrojtur. Gjëja e parë që duhet të dini: nuk duhet të dërgoni kurrë një kod WhatsApp tek askush.

    WhatsApp nuk do t’ju kërkojë kurrë të dërgoni një kod përsëri dhe, nëse dikush nga kontaktet tuaja ju kërkon kodin, duhet t’i tregoni që të kërkojë të dërgohet tek numri i tyre dhe mos i dërgoni asgjë që keni marrë.

    Ju gjithashtu mund të kontrolloni pajisjet e lidhura me llogarinë tuaj. Në një telefon Android, klikoni tre pikat në këndin e sipërm të djathtë të aplikacionit dhe zgjidhni “Linked Devices”. Në iPhone, klikoni ikonën e cilësimeve dhe pastaj zgjidhni “Linked Devices”.

    Nëse shihni një pajisje që nuk e njihni, shtypni mbi të dhe zgjidhni “log out” ose “remove” për ta shkëputur menjëherë.

    Shumë komentues në videon e Caroline shprehën mirënjohje për ndriçimin e këtij mashtrimi. Disa thanë se nuk kishin idenë që ekzistonte dhe se do ta ndanin menjëherë informacionin me të afërmit më të moshuar, që mund të ishin më të rrezikuar.

    Një përdorues tha: “Kjo më ka ndodhur më parë, bllokova personin menjëherë!”

    Tjetri shtoi: “Faleminderit përsëri për paralajmërimin. E ndava me të tjerët.”

  • Konjufca takon ambasadorin e Japonisë: U diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve

    Konjufca takon ambasadorin e Japonisë: U diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve

    Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Japonisë në Republikën e Kosovës, Hiroyasu Tanigaki.

    Në këtë takim, Tanigaki ka uruar Konjufcën për marrën e detyrës dhe kanë diskutuar për interesat dhe vlerat e përbashkëta që e forocojnë lidhjen mes dy vendeve.

    “Gjatë bisedës u trajtua pjesëmarrja e Kosovës në EXPO në Japoni, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve. U përmend gjithashtu se Universiteti i Prishtinës tashmë ofron kurse të gjuhës japoneze, duke krijuar një urë të re bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Në takim u theksua edhe përputhja e qëndrimeve gjeopolitike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, si dhe përkushtimi i përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Zëvendëskryeministri Konjufca gjithashtu i përcolli urimet e tij Japonisë për formimin e qeverisë së re dhe për emërimin e Kryeministres së re”, thuhet në njoftim të MPJD-së.

    Në këtë njoftim thuhet se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit me Japoninë.

  • Për herë të dytë: Raketa iraniane hyn në hapësirën ajrore turke, rrëzohet nga NATO

    Për herë të dytë: Raketa iraniane hyn në hapësirën ajrore turke, rrëzohet nga NATO

    Një raketë balistike e lëshuar nga Irani është rrëzuar në hapësirën ajrore turke, sipas ministrisë turke të mbrojtjes.

    Raketa u shkatërrua nga mbrojtjet e NATO-s me bazë në Mesdheun lindor, tha ajo, duke shtuar se fragmente municionesh ranë në fusha të zbrazëta në Gaziantep, në Turqinë juglindore.

    “Ne theksojmë edhe një herë se të gjitha hapat e nevojshëm do të ndërmerren me vendosmëri dhe pa hezitim kundër çdo kërcënimi të drejtuar ndaj territorit dhe hapësirës ajrore të vendit tonë”, tha ministria e mbrojtjes.

    Është incidenti i dytë i tillë i raportuar brenda një jave – Ankaraja tha se sistemet mbrojtëse të NATO-s rrëzuan një raketë balistike ndërsa ajo po drejtohej drejt hapësirës ajrore turke të mërkurën. Teherani mohoi se e kishte lëshuar raketën.

    Incidenti “serioz” e shtyu shefin e NATO-s Mark Rutte të thoshte se Neni 5 nuk ishte në tryezë. /Skynews

  • Nga 1.39 deri në 1.55 euro për litër nafta në treg: MINT njofton se po monitorojnë çmimet e derivateve

    Nga 1.39 deri në 1.55 euro për litër nafta në treg: MINT njofton se po monitorojnë çmimet e derivateve

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut është duke zhvilluar monitorim dhe inspektime intensive në tregun e derivateve të naftës për të siguruar zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve.

    Sipas njoftimit zyrtar, mbikëqyrja po realizohet në bazë të vendimit të nënshkruar më 4 mars nga ministrja Mimoza Kusari Lila, i cili synon mbrojtjen e konsumatorëve, rritjen e transparencës dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se, përveç monitorimit në terren, janë duke u analizuar edhe të dhënat lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

    Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganë e Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë 7 marsit ka qenë 1.40 euro për litër për naftën (dizel) dhe 1.14 euro për litër për benzinën.

    Ndërkohë, nga monitorimi i tregut vendor rezulton se çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë kanë lëvizur nga 1.39 deri në 1.55 euro për litër për naftën dhe nga 1.27 deri në 1.32 euro për litër për benzinën.

    “Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, njofton opinionin publik se, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut të derivateve të naftës, është duke realizuar mbikëqyrje intensive lidhur me zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse të nënshkruaj nga ministrja znj. Mimoza Kusari Lila, me datë 04.03.2026, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg.

    Gjithashtu, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës është duke realizuar analiza të të dhënave lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

    Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së shtunë (datë: 07.03.2026), ka qenë si në vijim:
    1. Naftë (Dizel): 1.40 €/litër;
    2. Benzinë: 1.14 €/litër;

    Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor nga dita e shtunë e deri më tani, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë:
    1. Naftë (Dizel): nga 1.39 €/litër deri në 1.55 €/litër;
    2. Benzinë: nga 1.27 €/litër deri në 1.32 €/litër;
    Bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon:
    – dy (2) eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë, dhe
    – dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.

    Marzhë tregtare domethënë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.
    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka qenë në terren gjatë vikendit edhe gjatë ditëve të javës së kaluar, IQMT do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektojë në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës e po ashtu edhe inspektimin në pajisje matëse, së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës. Kështu që në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, si mos respektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi.

    Për çdo zhvillim të mëtejmë, qytetarët e Republikës së Kosovës do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.

  • Fox News shkruan për krizën e re në Kosovë: Osmanin e quan aleate të Trump-it

    Fox News shkruan për krizën e re në Kosovë: Osmanin e quan aleate të Trump-it

    Mediumi pro-Republikan, “Fox News”, i ka kushtuar një artikull krizës së re politike në Kosovë me vendin që po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

    “Fox News” e quan Vjosa Osmanin “Aleate të Trump-it” dhe rikujton lëvdatën që Presidenti i ShBA-së i drejtoi asaj gjatë mbledhjes së Bordit të Paqes “për punën e mirë që po bën në vendin e saj”.

    “Trump kohët e fundit e vlerësoi presidenten e Kosovës për “punën e shkëlqyer” që ajo po bën në vendin e saj në një fjalim në shkurt. Osmani pranoi një ftesë nga Trump për t’u bashkuar me Bordin e Paqes në janar dhe është zotuar të ofrojë burime për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën,” thuhet në artikull.

  • Rikthehet qarkullimi në Jarinje, pritje deri në dy orë

    Rikthehet qarkullimi në Jarinje, pritje deri në dy orë

    Qarkullimi i automjeteve në dalje të pikës kufitare Jarinje është rikthyer në normalitet rreth orës 12:35 të së hënës.

    Sipas njoftimit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, lëvizja e automjeteve është lejuar sërish pasi kompania për mirëmbajtjen e rrugëve në anën e Serbisë ka përfunduar punimet që po zhvilloheshin më herët.

    Megjithatë, si pasojë e bllokimit të mëparshëm, është krijuar një kolonë automjetesh rreth 1.5 kilometra e gjatë, ndërsa pritjet për kalim në kufi arrijnë deri në dy orë.

    Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që për informata shtesë të kontaktojnë Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar në numrat 045 198 000, 045 198 606 ose në numrin pa pagesë 0800 50095.

  • LVV dorëzon në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

    LVV dorëzon në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

    Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Kushtetuese ankesën lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, bëjnë të ditur nga Zyra për media e kësaj partie për KosovaPress.

    Osmani shpërndau Kuvendin në një konferencë për media të premten, ku nuk pranoi pyetje nga gazetarët.

    Ky veprim i saj nxiti reagime të shumta, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje u konsiderua të jetë akt kundërkushtetues.

    Të enjten, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedh presidentin.

    Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu tha mbrëmjen e së enjtes se nuk mund të vazhdohet me votimin, meqë në sallë nuk ishin prezent 80 deputetë. Ndërkohë që Haxhiu njoftoi se LVV i ishte drejtuar mënjherë Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, vendimi i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit erdhi mëngjesin e së premtes.

    Në konferencën për media Osmani madje tha se se deri në shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës e kanë sjellë vendin, siç tha ajo, “njerëz me qëllime të rrezikshme”. E nga LVV kanë thënë se ajo duhet të tregojë se për kënd e kishte fjalën. Megjithatë, deri më sot (e hënë), presidentja Osmani nuk ka pasur ndonjë paraqitje mediale lidhur me këtë çështje.

    SPAK publikon raportin vjetor: Mbi 45 milionë euro dhe kriptomonedha të bllokuara
    Read more

  • Haxhi Avdyli dorëhiqet nga Guxo

    Haxhi Avdyli dorëhiqet nga Guxo

    Deputeti nga Guxo, pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në partinë e tij, duke e lidhur vendimin me atë që ai e quan fushatë linçimi dhe urrejtjeje ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në një deklarim publik në Facebook, Avdyli tha se sulmet ndaj Osmanit, përfshirë edhe thirrjet për dhunë dhe sulmet ndaj familjes së saj, janë të papranueshme dhe i përkasin një politike që do të duhej të ishte lënë pas.

    “Sulmet e paskrupullta ndaj Presidentes Osmani, deri edhe në thirrje për pushkatim, si dhe linçimet publike ndaj saj nga figura të njohura e panjohura, përfshirë edhe sulme ndaj fëmijëve të saj, janë një politikë që do të duhej t’i përkiste së kaluarës së hidhur.

    Manipulimet me inteligjencë artificiale, të cilat e dehumanizojnë Presidenten dhe ata që mendojnë ndryshe, vetëm që të nxisin urrejtje të pakontrollueshme, e për qëllime elektorale me të vërtet janë të gërditshme.

    Kjo fushatë e thirrje për dhunë është sa rrezikshme dhe tërësisht e papranueshme për mua, dhe më ka prekur shumë.

    Si njeri që gjithmonë ka promovuar paqen, dialogun, mirëkuptimin dhe respektin edhe me njerëz me të cilët kemi dallime politike, unë nuk mund të rri i heshtur e i strukur përballë një situate të tillë.

    Sot është Vjosa, nesër mund të jem unë, pasnesër ju, apo vajza e djali juaj që mund të kenë një bindje apo ambicje legjitime të dallueshme nga Partia .

    Qëndrimin tim për procesin e fundit politik, e kam thënë publikisht në mbledhjen GP të VV-së në prani edhe të zotit Kurti, e poashtu edhe në kryesi të Guxo.

    Ne disa, me respekt të ndërsjelltë, jemi pajtuar, që spo pajtohemi me orientimin që po merrte shumica e grupit tonë politik.

    Por edhe pse ishte ky mospajtim politik i rrallë mes nesh, nuk do ta kisha menduar kurrë që do pasonte kjo fushatë bazuar në linqim, fyerje, shpifje të ulëta e deri në kërcënime nga kolegë deputetë, politikanë , miqë të mi të njohur e panjohur, nga mu ata që deri para 5 ditësh e quanin Vjosa Osmanin krenari të Kosovës.

    Prandaj, në shenjë proteste, dhe për të mos identifikuar veten me këtë fushatë të ulët, kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme, nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo.
    Uroj dhe shpresoj që, për hir të Kosovës dhe të ardhmes së fëmijëve tanë, kjo dorëheqje e ime, si deputet në 5 mandate, 3 mandate nga lista me VV, të ju shërbej sa do pak që të mendoni me kokë të ftohur, që të jetë apel nga një deputet që ka dhënë shumë për këtë 50% e 51% , që ta ndrroni strategjinë denigruese, ta ndalni gjuhën e urrejtjes dhe dhunës.

    Mbani qëndrime politike, por aman shpërndani më shumë respekt e dashuri mesh nesh, sepse ajo është që na duhet.

    Rrugët politike mund të na ndahen, e mund të na bashkohen, por njerzillëkun brenda nesh sbën ta vrasim.

    Sepse Liria e ardhmëria e Republikës sonë duhet të jetë mbi gjithçka”, ka shkruar Avdyli.

  • “Çka ka shtëpija, tregon fëmija” – Haradinaj reagon pas deklaratës së Rashiq për 24 hektarët që iu dhanë Manastirit të Deçanit

    “Çka ka shtëpija, tregon fëmija” – Haradinaj reagon pas deklaratës së Rashiq për 24 hektarët që iu dhanë Manastirit të Deçanit

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me deklaratën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiqit, i cili tha se për “hatër të tij”, Kurti i kishte dhënë 24 hektarët Manastirit të Deçanit.

    Për këtë, Haradinaj ka ironizuar me një fjalë popullore.

    “Çka ka shtëpija, tregon fëmija”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

  • Me këtë datë fillon llogaritja verore e kohës, akrepat shkojnë 60 minuta para

    Me këtë datë fillon llogaritja verore e kohës, akrepat shkojnë 60 minuta para

    Java e fundit e marsit, më saktë në javën e 29 marsit, në orën dy pas mesnatës, akrepat e orës do të lëvizin një orë përpara, pra në orën tre. Pikërisht në atë moment fillon llogaritja verore e kohës. Kjo do të thotë që errësira do të vijë më vonë.

    Ideja kryesore për futjen e orarit veror dhe dimëror është të shfrytëzohet drita e ditës në mënyrë më efikase. Ora dimërore përfaqëson kohën reale, astronomike, ndërsa ora verore “merr” një orë të mëngjesit dhe e shton në mbrëmje, me qëllim që të zgjatet drita e ditës dhe errësira të vijë më vonë.

    Megjithatë, për vite me radhë në rrethet shkencore diskutohet përsëri dhe përsëri nëse lëvizja e akrepave do të vazhdojë. Pyetja kryesore është: A do të hiqet ky sistem?

    Pse po mendohet për heqjen e lëvizjes së akrepave të orës?

    Motivi kryesor është ndikimi negativ i provuar shkencërisht mbi shëndetin e njerëzve. Çrregullimi i bioritmit mund të shkaktojë pagjumësi, lodhje të vazhdueshme, depresion, shterim, ndryshime në frekuencën e zemrës, madje edhe probleme me tretjen. Trupi ndonjëherë mund të ketë nevojë deri në dy javë për t’u përshtatur plotësisht me ritmin e ri.

    Përveç efekteve shëndetësore, ndryshimi i orarit ndikon edhe në rritjen e aksidenteve rrugore, sidomos gjatë muajve të vjeshtës kur fëmijët shkojnë në shkollë në errësirë.

    Edhe pse Komisioni Evropian në vitin 2019 mbështeti iniciativën për heqjen e ndryshimit sezonal të orës, për shkak të shfaqjes së pandemisë së koronavirusit në mars 2020, vendimi përfundimtar u shty.