ATV

Author: K.B.

  • Dita e gjashtë e fushatës, AAK premton zhvillim në secilën komunë

    Dita e gjashtë e fushatës, AAK premton zhvillim në secilën komunë

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hyrë në ditën e gjashtë të fushatës zgjedhore të 12 tetorit.

    Në Prishtinë, kandidati i AAK-së, Bekë Berisha, është zotuar për mbështetje financiare për personat që jetojnë me epilepsi. Ai ka premtuar se çdo vit do të ndahen nga 1,000 euro për secilin prej tyre, duke e cilësuar këtë si të drejtë themelore, jo premtim elektoral.

    Në Deçan, kryetari aktual Bashkim Ramosaj, i cili synon një mandat të ri, ka risjellë në fokus projektin e Lumbardhit dhe premton zhvillim të mëtejshëm

     

    Në Gjilan, Nazmi Gagica prezantoi kabinat e telemjekësisë për konsultime mjekësore në qytet dhe fshatra.

    Në Klinë, kryetari aktual Zenun Elezaj teksa ka promovuar parkun e ri në fshatin Zabergjë, premtoi se projekte të ngjashme rekreative do të realizohen në mandatin e ardhshëm.

    Ndërkohë, në Prizren, kandidati Besnik Krasniqi ka nisur fushatën me shoqatat e dala nga lufta, duke premtuar një qendër multifunksionale për veteranët.

    Në Suharekë, kryetari aktual Bali Muharremaj ka prezantuar platformën “Thirrja e Parë” për lidhje të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe ndërmarrjes publike.

    Në ditën e gjashtë, AAK-ja në Shtime prezantoi listën e kandidatëve për Asamble, në krye me Ramë Bislimin.

  • Dita e gjashtë e fushatës, kandidatët e LDK-së me fokus në zhvillim, kulturë dhe mirëqenie sociale

    Dita e gjashtë e fushatës, kandidatët e LDK-së me fokus në zhvillim, kulturë dhe mirëqenie sociale

    Ndërsa fushata për zgjedhjet lokale hyn në ditën e gjashtë, kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës po intensifikojnë angazhimet e tyre nëpër komunat e vendit.

    Në Prishtinë, kryetari aktual Perparim Rama, kandidat për mandat të dytë, thekson transformimin e qytetit përmes ndërtimit të rrugëve kryesore.

    Ai njoftoi gjithashtu nisjen e projektit “Park & Ride”, që synon lehtësimin e trafikut dhe mbrojtjen e mjedisit në kryeqytet.

    Në Deçan, kandidati Jeton Mushkolaj gjatë vizitës në Strellcin e Epërm premtoi se do të jetë prioritet në investime dhe do të përfshihet me kuadro të dedikuara në kabinetin qeverisës komunal.

    Në Gjilan, Arber Ismajli thekson rëndësinë e mbështetjes së artit dhe kulturës si shtylla kryesore të zhvillimit lokal, duke premtuar përkrahje të veçantë për krijuesit dhe artistët.

    Në Lipjan, kryetari aktual Imri Ahmeti premtoi fillimin e projekteve të reja rrugore që do të përmirësojnë infrastrukturën dhe qarkullimin në qytet.

    Në Obiliq, Xhafer Gashi shfaq ndryshimet pozitive me rehabilitimin e Qendrës Kulturore, duke përmendur përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve për komunitetin.

    Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj premtoi krijimin e “Zonave Kreative” që do të ofrojnë hapësira pune për të rinjtë dhe artistët.

    Kryetari aktual i Vitisë, Sokol Haliti, kandidat për mandat të dytë, premton të vazhdojë mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e ekoturizmit.

    Ndërsa Ilir Ferati në Istog, gjatë vizitës së familjes Rugova, nënvizoi rëndësinë e trashëgimisë dhe përkushtimit të LDK-së në zhvillimin politik dhe shoqëror të komunës, duke garantuar se rrugëtimi për një Istog më të mirë do të vazhdojë fuqishëm.