ATV

Author: K.B.

  • Pesë futbolliste të Kombëtares së Iranit kërkojnë azil në Australi

    Pesë futbolliste të Kombëtares së Iranit kërkojnë azil në Australi

    Pesë futbolliste të ekipit kombëtar të futbollit të femrave të Iranit e kanë braktisur kampin stërvitor në Australi, ku kanë kërkuar azil.

    Zyra e Reza Pahlavit, princit iranian në mërgim në SHBA, tha se është njoftuar se lojtarët – Fatemeh Pasandideh, Zahra Ghanbari, Zahra Sarbali, Atefeh Ramazanzadeh dhe Mona Hamoudi – tani ndodhen në një “vend të sigurt”.

    Qeveria australiane ishte vënë nën presion për ta mbrojtur ekipin e femrave të Iranit pasi u eliminuan nga Kupa e Azisë, raporton “CNN”, përcjell “Gazeta Express”.

    Qetësia e ekipit para ndeshjes kundër Koresë së Jugut të hënën e kaluar ishte interpretuar nga disa si një akt i rezistencës, dhe janë ngritur shqetësime për mirëqenien e lojtareve pas kritikave të raportuara në media iraniane.

    Dhjetëra njerëz u panë duke thirrur “lini t’i shkojnë” teksa e rrethuan autobusin e ekipit gjatë largimit nga stadiumi në Gold Coast, Queensland, pas ndeshjes së të dielës, sipas agjencisë australiane të lajmeve AAP.

    Policia dhe ekipet e sigurisë gjithashtu u panë duke e krijuar një korridor të sigurt për largimin e autobusit ndërsa tifozët thërrisnin “shpëtojini vajzat tona”.

    Tifozët gjithashtu thanë se i panë të paktën tri nga lojtarët në autobus duke bërë sinjalin ndërkombëtar me dorë për ndihmë.

  • Gërvalla: Juristët dhe avokatët shqiptarë në Zvicër janë aset i pazëvendësueshëm për institucionet tona

    Gërvalla: Juristët dhe avokatët shqiptarë në Zvicër janë aset i pazëvendësueshëm për institucionet tona

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë qëndrimit të saj në Zvicër, zhvilloi një takim me juristë dhe avokatë shqiptarë që veprojnë atje, të cilët i cilësoi si mbështetje të fuqishme në rrugën tonë për shtet të fortë ligjor.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se Gërvalla vlerësoi lart profesionalizmin dhe integritetin e tyre, duke theksuar se eksperienca e tyre në sfidat dhe sukseset e sistemit juridik zviceran përbën një aset të pazëvendësueshëm për institucionet tona.

    “Rrjeti i tyre profesional krijon mundësi të jashtëzakonshme për koordinim, shkëmbim dijesh dhe projekte të përbashkëta me Odën e Avokatëve dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë, si instrument ndihmës për forcimin e strukturave ligjore dhe avancimin e drejtësisë”, deklaroi ajo.

    Takime të tilla, siç theksoi Gërvalla, rikujtojnë se mërgata jonë është një rezervuar i jashtëzakonshëm i dijes me potencial për të ndërtuar një sistem drejtësie të fortë dhe efikas.

    “Gatishmëria e tyre për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e drejtësisë në Kosovë është një shans i jashtëzakonshëm që duhet kanalizuar në strategjitë tona institucionale, për të konsoliduar një shtet ligjor që respekton standardet më të larta dhe një drejtësi që përgjigjet realisht ndaj të gjithë qytetarëve”, përfundoi Gërvalla.

  • Rriten të hyrat tatimore gajtë dy muajve të parë të vitit, mbi 206 milionë euro të mbledhura

    Rriten të hyrat tatimore gajtë dy muajve të parë të vitit, mbi 206 milionë euro të mbledhura

    Dy muajt e parë të këtij viti janë karakterizuar me rritje të të hyrave tatimore në Kosovë, duke reflektuar një nivel më të lartë të përmbushjes së obligimeve nga tatimpaguesit dhe përmirësim të vazhdueshëm të proceseve të administrimit fiskal.

    Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), gjatë kësaj periudhe janë mbledhur 206.9 milionë euro të hyra nga tatimet. Kjo paraqet një rritje prej 22.6 milionë eurosh apo 12.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Nga ATK-ja theksojnë se kjo rritje nuk reflekton vetëm performancën më të mirë në mbledhjen e të hyrave, por edhe progresin në forcimin e administrimit tatimor si dhe në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve që përmbushin rregullisht obligimet e tyre.

    Autoriteti tatimor bëri të ditur se do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e këtij trendi pozitiv përmes avancimit të proceseve të punës, rritjes së përdorimit të teknologjisë në administrimin tatimor, analizës më të thelluar të riskut si dhe intensifikimit të aktiviteteve kundër ekonomisë joformale.

    Ndërkohë, Administrata Tatimore e Kosovës rikujton tatimpaguesit se afati për dorëzimin e deklarimit vjetor të të ardhurave është deri më 31 mars. ATK-ja u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që ta përmbushin këtë obligim ligjor brenda afatit të përcaktuar, duke shfrytëzuar shërbimet elektronike për një proces më të lehtë dhe më efikas të deklarimit.

  • Përmendi fjalën pushkatim për Osmanin, Geci pas reagimit të Presidencës: Nuk kam nxitur dhunë

    Përmendi fjalën pushkatim për Osmanin, Geci pas reagimit të Presidencës: Nuk kam nxitur dhunë

    Pas reagimit të Presidenca e Kosovës ndaj deklaratave të tij, Halil Geci ka publikuar një reagim publik duke sqaruar qëndrimin e tij lidhur me shkrimin ku kishte komentuar veprimet e presidentes Vjosa Osmani.

    Në reagimin e tij, Geci thotë se në shkrimin e publikuar kishte shprehur vetëm një mendim kritik mbi respektimin e Kushtetutës dhe se deklaratat e tij janë interpretuar gabimisht.

    “Kam theksuar se, sipas vlerësimit tim dhe duke u mbështetur edhe në opinionet e disa njohësve të së drejtës kushtetuese, veprimet e Presidentes mund të konsiderohen si shkelje e Kushtetutës. Kjo çështje nuk është ngritur vetëm nga unë, por është përmendur edhe nga juristë dhe ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai.

    Geci ka përmendur edhe deklarimet publike të juristëve si Enver Hasani dhe Mazllum Baraliu, duke thënë se edhe ata kanë diskutuar në media për mundësinë e shkeljeve kushtetuese nga institucionet.

    Ai ka shtuar se reagimi i Presidencës ndaj tij është i tepruar dhe se debati publik për respektimin e Kushtetutës duhet të jetë i lejuar në një shoqëri demokratike.

    “Kritika ndaj institucioneve nuk duhet të interpretohet si sulm personal, por si pjesë e lirisë së shprehjes dhe e kulturës demokratike”, ka shkruar Geci.

    Sipas tij, referenca e bërë ndaj shembujve nga Turqia në shkrimin e tij kishte karakter krahasues dhe informues dhe nuk ishte thirrje për veprime të dhunshme.

    “Unë nuk kam kërcënuar askënd dhe as nuk kam nxitur dhunë. Kam shprehur vetëm një mendim kritik dhe qytetar mbi respektimin e Kushtetutës dhe përgjegjësinë e institucioneve publike”, thuhet në reagim.

    Ndryshe, më herët Presidenca e Kosovës kishte reaguar duke dënuar gjuhën e përdorur nga Geci ndaj presidentes Vjosa Osmani, pasi ai kishte përdorur termin “pushkatim” në një koment të tij publik, duke e cilësuar një gjuhë të papranueshme dhe që nxit dhunë në diskursin publik.

    Pas këtij reagimi, Halil Geci e ka edituar më vonë postimin e tij në rrjetet sociale duke hequr fjalinë “Po të ishte në Turqi, do të pushkatohej”.

  • AGK dënon pengimin e gazetares Vesa Hoda nga mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti

    AGK dënon pengimin e gazetares Vesa Hoda nga mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi gazetarja e Klan Kosovës, Vesa Hoda, është penguar fizikisht nga pjesëtarë të mbrojtjes së afërt të kryeministrit Albin Kurti, derisa po tentonte të parashtrojë pyetje për çështje të interesit publik.

    Në reagimin e publikuar, AGK-ja ka dënuar sjelljen e pjesëtarëve të sigurisë, duke theksuar se pengimi i gazetares përbën cenim të punës së mediave.

    Sipas njoftimit, gazetarja kishte tentuar të bënte pyetje lidhur me krizën rreth zgjedhjeve të reja pas një ngjarjeje, kur njëri nga pjesëtarët e Policisë e ka shtyrë fizikisht.

    “Kjo është një sjellje e papranueshme dhe minim i punës së gazetarëve dhe mediave”, thuhet në reagimin e AGK-së.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve që të respektojnë punën e mediave dhe të mos krijojnë pengesa për raportim.

    “AGK-ja i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Zyrës së Kryeministrit që mos krijojnë pengesa, por të lejojnë gazetarët dhe mediat që të bëjnë punën e tyre në kërkim të përgjigjeve për tema të interesit publik”, thuhet më tej në reagim.

  • Hapni gojën para pasqyrës dhe thoni “aaa” – një test i thjeshtë për nervin vagus

    Hapni gojën para pasqyrës dhe thoni “aaa” – një test i thjeshtë për nervin vagus

    Ekspertët e neurologjisë shpjegojnë se si një vëzhgim i vogël në fyt mund të japë sinjale për balancën e sistemit nervor

    Në vitet e fundit flitet gjithnjë e më shumë për nervin vagus, një nga nervat më të rëndësishëm të organizmit. Sipas literaturës mjekësore dhe bazës shkencore NCBI StatPearls, ky është nervi më i gjatë i sistemit nervor parasimpatik dhe përbën një lidhje të drejtpërdrejtë midis trurit dhe shumë organeve të brendshme, përfshirë zemrën, mushkëritë dhe traktin tretës.

    Ky nerv luan rol të rëndësishëm në rregullimin e shumë proceseve jetësore, si ritmi i zemrës, frymëmarrja, tretja dhe reagimi i organizmit ndaj stresit. Kur funksioni i tij është në ekuilibër, organizmi kalon më lehtë nga gjendja e tensionit në gjendje qetësie, duke ndihmuar në stabilitetin emocional dhe në mirëqenien e përgjithshme.

    Megjithatë, kur funksioni i tij dobësohet ose çrregullohet, mund të shfaqen simptoma si lodhje, irritim, ankth, probleme me tretjen apo ndjesi e vazhdueshme tensioni.

    Një mënyrë e thjeshtë për një vlerësim orientues
    Në ekzaminimin neurologjik të nervave kranialë, mjekët shpesh përdorin një metodë shumë të thjeshtë për të vlerësuar funksionin e nervit vagus dhe të nervit glosofaringeal. Sipas udhëzimeve klinike të përshkruara në NCBI dhe në manualet e ekzaminimit neurologjik, pacientit i kërkohet të hapë gojën dhe të thotë “aaa”, ndërsa mjeku vëzhgon lëvizjen e qiellzës së butë dhe të resës së fytit.

    Një vëzhgim i ngjashëm mund të bëhet edhe në shtëpi. Qëndroni para pasqyrës, hapni gojën dhe me ndihmën e një luge shtypni lehtë gjuhën për të parë më qartë resën e qiellzës së butë, strukturën e vogël që varet në mes të fytit.

    Sipas përshkrimeve në literaturën neurologjike të publikuara në StatPearls dhe TeachMeAnatomy, nëse nervi vagus funksionon normalisht, kjo strukturë zakonisht qëndron në mes dhe ngrihet në mënyrë simetrike kur shqiptohet tingulli “aaa”.

    Nëse ajo devijon dukshëm në njërën anë, kjo mund të sugjerojë dobësim të funksionit të një prej degëve nervore që kontrollojnë këtë zonë. Megjithatë, një vëzhgim i tillë nuk përbën diagnozë dhe kërkon gjithmonë vlerësim nga një mjek specialist.

    Si funksionon sistemi nervor autonom
    Sistemi nervor autonom kontrollon shumë procese që ndodhin pa vullnetin tonë, si rrahjet e zemrës, frymëmarrja dhe tretja. Ai përbëhet nga dy pjesë kryesore:

    • sistemi simpatik, që aktivizon organizmin në situata stresi
    • sistemi parasimpatik, që ndihmon trupin të qetësohet dhe të rikuperohet

    Sipas studimeve të publikuara në literaturën neurologjike dhe fiziologjike, këto dy sisteme funksionojnë në një ekuilibër të vazhdueshëm. Kur njëri aktivizohet më shumë, tjetri zakonisht qetësohet, në mënyrë që organizmi të ruajë stabilitetin e funksioneve jetësore.

    Kur ky ekuilibër prishet, mund të shfaqen simptoma si lodhje kronike, ndjeshmëri e shtuar ndaj stresit, pagjumësi ose vështirësi në përqendrim.

    Pse është i rëndësishëm nervi vagus
    Sipas studimeve të përmbledhura në NCBI dhe literaturën e fiziologjisë klinike, aktiviteti i mirë i nervit vagus lidhet me:

    • rregullim më të mirë të stresit
    • stabilitet të ritmit të zemrës
    • funksion më të mirë të sistemit tretës
    • mirëqenie emocionale më të qëndrueshme

    Praktika si frymëmarrja e thellë, aktiviteti fizik, meditimi, gjumi i rregullt dhe disa teknika relaksimi janë treguar se mund të ndihmojnë në stimulimin e këtij nervi dhe në përmirësimin e balancës së sistemit nervor autonom.

    Megjithatë, ekspertët theksojnë se një test i thjeshtë në pasqyrë nuk mund të zëvendësojë ekzaminimin mjekësor dhe duhet parë vetëm si një tregues orientues.

  • Pse shumë produkte kushtojnë më shtrenjtë kur janë për femra: Tre arsye që rrallë përmenden

    Pse shumë produkte kushtojnë më shtrenjtë kur janë për femra: Tre arsye që rrallë përmenden

    Produktet e kujdesit personal, higjiena mujore dhe moda krijojnë një barrë shtesë financiare që shumëkush nuk e vëren

    “Big mistake. Big. Huge! I have to go shopping now.” Kjo fjali ka mbetur një nga referencat më të dashura për blerjet nga filmi Pretty Woman. Në fakt, shumë gra i drejtohen kësaj, siç do të thoshte Carrie, një lloj “seance kardio” për të sjellë pak gëzim në përditshmëri dhe për të ngritur humorin. Megjithatë, ndërsa shijojmë botën e modës dhe të bukurisë, ekzistojnë disa produkte, nevoja themelore të përditshme, që janë pa arsye më të shtrenjta për gratë sesa për burrat.

    Zbuloni tri arsye pse gratë paguajnë më shumë për produkte bazë, higjienë dhe veshje, dhe mësoni se si këto shpenzime shtesë ndikojnë në buxhetin e tyre të përditshëm.

    Produktet për kujdesin personal

    Gratë shpesh paguajnë më shumë edhe për produktet më bazë të higjienës, nga shamponët deri te deodorantët dhe brisqet për rruajtje. Çmimi mesatar i një shamponi për gra zakonisht është më i lartë se ai për burra. Edhe deodorantët për gra shpesh kushtojnë më shumë për të njëjtën sasi produkti, ndonëse përmbajnë pothuajse të njëjtën sasi përbërësish aktivë. Po ashtu, brisqet dhe xhelet e dushit shpesh mbajnë, në mënyrë figurative, një etiketë “premium për gra”. Sipas disa të dhënave, produktet e destinuara për gra mund të kushtojnë deri në 48 për qind më shumë se produktet e ngjashme për burra.

    Produktet për higjienën e grave

    Shpenzimet për produktet e higjienës së grave janë të detyrueshme dhe të pashmangshme, ndërsa burrat praktikisht janë të liruar nga ky lloj shpenzimi. Produktet për higjienën e grave, si pecetat higjienike dhe tamponët, janë pjesë e rutinës mujore për shumë vite, deri në menopauzë. Këto janë produkte që duhet të jenë të qasshme dhe të përballueshme për çdo grua, sepse janë të domosdoshme për shëndetin dhe dinjitetin e tyre. Edhe pse në pamje të parë bëhet fjalë për shuma të vogla, në total ato mund të përbëjnë një barrë të konsiderueshme për buxhetin personal gjatë viteve.

    Veshjet dhe aksesorët e modës

    Veshjet për gra shpesh bëhen më të shtrenjta në krahasim me ato për burra. Nëse një grua blen një bluzë të re çdo dy muaj, gjatë jetës mund të krijohet një diferencë e madhe vetëm për artikujt bazë të gardërobës. Pritjet shoqërore që gratë të kenë një gardërobë më të pasur dhe më të larmishme e rrisin edhe më shumë këtë kosto. Çmimet e të brendshmeve, xhinseve dhe çantave shpesh janë dukshëm më të larta, ndërsa edhe shërbime të tilla si pastrimi kimik i rrobave mund të kushtojnë pothuajse dyfish për veshjet e grave. Të gjitha këto tregojnë se shpenzimet shtesë për gratë janë të pranishme pothuajse në çdo aspekt të konsumit të përditshëm.

  • Ushtrimi i pazakontë që qetëson dhimbjen në shpinë dhe nyje

    Ushtrimi i pazakontë që qetëson dhimbjen në shpinë dhe nyje

    Ecja prapa në ujë mund të forcojë muskujt, të rrisë ritmin e zemrës dhe të ulë ngarkesën mbi nyje, prandaj rekomandohet edhe për personat me artrit

    Ecja prapa në ujë rekomandohet si mënyrë për të rritur ritmin e zemrës pa ngarkuar nyjet dhe për të qetësuar dhimbjen kronike në pjesën e poshtme të shpinës. Edhe pse në shikim të parë duket e çuditshme, ecja prapa, pra ecja retrograde, aktivizon më shumë muskuj, mundëson punë të mirë të zemrës dhe shpenzon më shumë energji, thonë mbështetësit e këtij ushtrimi.

    Cilat janë përparësitë e ecjes prapa në ujë

    Disa studime theksojnë se ecja prapa në ujë mund të jetë metodë efektive terapeutike për pacientët me dhimbje kronike në shpinë dhe se ndihmon më shumë se ecja e zakonshme. Përveç kësaj, kjo veprimtari forcon ekuilibrin dhe ndjenjën e qëndrueshmërisë.

    Fondacioni për Artritin shpjegon se ky është një ushtrim i shkëlqyer për personat që vuajnë nga dhimbjet dhe ngurtësia në nyje, veçanërisht në pishinë kur uji arrin deri në bel.

    Filloni duke u ngritur në majë të gishtave të këmbëve, shtypni pjesën e përparme të shputës dhe më pas kaloni peshën në thembra, ndërkohë që me këmbën dhe duart e kundërta shtyni ujin pas vetes, thuhet në rekomandime.

    Për dhimbjet në duar ose në pjesën e sipërme të shpinës

    Meqë ky është një ushtrim disi më kërkues, fillestarëve në ecjen në ujë u rekomandohet që fillimisht të provojnë ecjen e zakonshme përpara. Uji duhet të jetë përafërsisht deri në bel, por sa më shumë që trupi të jetë i zhytur në ujë, aq më e vogël është ngarkesa mbi nyje.

    Ekspertët theksojnë se për pacientët me dhimbje në shpatulla, në duar ose në pjesën e sipërme të shpinës, ushtrimi në ujë më të thellë është një mundësi më e mirë.

    Për një efekt të këndshëm dhe relaksues në nyje rekomandohet që temperatura e ujit të jetë ndërmjet 28 dhe 32 gradë Celsius.

    Forcon këmbët dhe ngarkon më pak nyjet

    Dr. Susan Weil vlerëson se ecja prapa, edhe pa pishinë, është ushtrim i dobishëm për ekuilibrin, lëvizshmërinë dhe për disa probleme me nyjet.

    Megjithatë, ajo konsideron se personat me shqetësime të ndryshme në nyje mund të kenë edhe më shumë përfitim nga ecja në ujë deri në lartësinë e belit ose të gjoksit.

    Për efekte edhe më të mira në të gjithë trupin, Fondacioni për Artritin rekomandon ecjen prapa në ujë, e cila aktivizon më shumë muskuj, veçanërisht rreth shtyllës kurrizore, në pjesën e përparme të kofshëve dhe në pulpë, ndërkohë që rrit edhe numrin e rrahjeve të zemrës. Shtohet gjithashtu se ecja retrograde mund të forcojë këmbët duke ngarkuar më pak nyjet.

  • Deklarohen fqinjët e Rihannës pas ngjarjes tragjike: Ishte e frikshme, dëgjohej ushtima

    Deklarohen fqinjët e Rihannës pas ngjarjes tragjike: Ishte e frikshme, dëgjohej ushtima

    Pasi një e dyshuar femër qëlloi disa herë në rezidencën e Rihannës në Beverly Hills, fqinjët e këngëtares kanë folur hapur.

    Banorët e shtëpive aty pranë thanë se zhurma e të shtënave u dëgjua në të gjithë lagjen

    “Ishte e frikshme. As nuk mund ta imagjinoj të jem në një shtëpi dhe të dëgjoj plumba që shpërthejnë e gjëra të tilla”, tha Keith England, i cili jeton aty pranë, për Fox 11 LA. Ai tha se të shtënat u qëlluan me shpejtësi njëra pas tjetrës: “Bam, bam, bam, bam, bam”.

    Një fqinjë tjetër, Isabel Thorne, tha se zhurma jehonte në të gjithë zonën. “Ishte me të vërtetë e fortë dhe në këtë luginë gjithçka jehon. Dëgjon gjithçka”, tha Thorne. “Një e shtënë me armë zjarri nuk është diçka që e pret”.

  • Situata në Lindjen e Mesme, ShBA evakuon stafin nga konsullata në Turqinë jugore, pezullon shërbimet

    Situata në Lindjen e Mesme, ShBA evakuon stafin nga konsullata në Turqinë jugore, pezullon shërbimet

    Shtetet e Bashkuara të hënën pezulluan shërbimet në Konsullatën e Përgjithshme në Adana dhe urdhëruan largimin e stafit jo-thelbësor nga Turqia jugore për çështje sigurie.

    Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Departamenti amerikan i Shtetit tha se vendimi u mor për shkak të rreziqeve të sigurisë.

    “Më 9 mars 2026, Departamenti i Shtetit urdhëroi që punonjësit jo-emergjentë të qeverisë amerikane dhe familjarët e tyre të largohen nga Konsullata e Përgjithshme në Adana për shkak të rreziqeve të sigurisë”, thuhet në deklaratë.

    Në njoftim gjithashtu u bë thirrje që qytetarët amerikanë në rajon të largohen.

    “Amerikanët në juglindje të Turqisë inkurajohen fuqishëm të largohen tani”, shtohet më tej.